Irina

Memorial për Dëshmorët e atdheut major Klodian Tanushi dhe nëntetar Zarife Hasanaj në Letoni

“Dëshmorët e atdheut, major Klodian Tanushi dhe nëntetar Zarife Hasanaj do të jenë përgjithmonë pjesë e grup-batalionit të NATO-s në Letoni”, deklaroi sot ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, pas zbulimit sot të memoralit në nderim të dëshmorëve nga kolegët në mision.

Ministrja Olta Xhaçka shprehet se Dëshmorët e atdheut major Klodian Tanushi dhe nëntetar Zarife Hasanaj do të jenë përgjithmonë pjesë e grup-batalionit të NATO-s në Letoni.

“Kolegët e tyre, aktualisht në mision, zbuluan memorialin kushtuar dy rënëve në Camp Adazi, ku ata shërbyen dhe dhanë jetën. Lavdi përjetë dëshmorëve!”, shprehet ajo./atsh

Memorial për Dëshmorët e atdheut major Klodian Tanushi dhe nëntetar Zarife Hasanaj në Letoni Read More »

Makiazhi në plazh, i dëmshëm apo mbrojtës

A e dini se sipas një studimi të fundit vajzat që vendosin tualet në plazh janë më të mbrojtura se të tjerat? Ekspertët thonë se tanimë makeup-i në plazh ju mbron lëkurën më shumë vetëm nëse ndiqni këto këshilla:

-Gjëja më e rëndësishme është të hidratoni lëkurën me bazë produktesh me një teksturë të lehtë. Kremi pudër duhet të jetë një produkt i studiuar për plazh, me mbrojtje të lartë, ti rezistojë nxehtësisë dhe diellit. Shmangini produktet shumë të yndryshme, më të mirë janë ata që aplikohen më lehtë. Mos përdorni produkte pluhur.

-Produktet kozmetike që përdorni për sytë duhet të jenë cilësore dhe kundër ujit. Kujdes me rimelin, duhet të jetë rezistent ndaj ujit dhe shmangni përdorimin e lapsit pasi nuk është rezistent ndaj ujit. Pra fokusohuni tek një efekt natyral me nuanca kremoze.

-Kur është fjala për buzët mendojmë se janë më pak të rëndësishmet. Por buzët janë një pikë delikate që thahen lehtësisht. Këshillohet të zgjidhni një shkëlqyes hidratues me një faktor të mirë mbrojtës. Nëse nuk hiqni dot dorë nga përdorimi i buzëkuqëve zgjidhni një që të ketë nuanca të lehta dhe të ketë faktor mbrojtës. /atsh

Makiazhi në plazh, i dëmshëm apo mbrojtës Read More »

Kujdes/Jo zhytjeve mbas ushqimit

Është makthi i shumë prindërve, megjithatë ky fenomen nuk prek vetëm fëmijët. Është folur shumë për faktin që pas ngrënies, nuk duhet hyrë menjëherë në ujë. Por sa duhet pritur saktësisht? Kjo është një prej dilemave të mëdha të verës.

Ndonëse problemet nuk janë dhe aq të shpeshta, çdo vit, thonë autoritetet italiane, raportohen incidente vdekjeprurëse, të cilat janë pasojë e një bllokimi të aparatit tretës që ka bërë viktima edhe mes notarëve ekspertë.
Bllokimi dixhestiv ndodh në rastin e një uljeje të befasishme të temperaturës së trupit, ( siç është rasti i hedhjes në pishinë apo det), e cila bën që të spostohet një sasi e madhe gjaku nga qendra e organizmit drejt periferisë për të riekuilibruar temperaturën e brendshme.

Gjatë tretjes ndërkohë, pjesa dërrmuese e volumit të gjakut rrjedh drejt organeve të brendshme për të lehtësuar këtë proces dhe oksigjenimin e tyre dhe spostimi i menjëhershëm i gjakut mund të bllokojë tretjen.

Kur kjo është intensive, mund të shkaktojë gjendje të fikti e më tej, në raste ekstreme dhe mbytjen. Po atëherë, kur është koha më e mirë për tu hedhur në ujë pas ushqimit pa u rrezikuar?

Përgjigja varet nga personi, por mbi të gjitha nga vakti i konsumuar. Në rastet kur ai është i bollshëm dhe me ushqime që treten me vështirësi, këshillohet të kalojnë dy apo tri orë përpara zhytjes. Ndërsa nëse konsumohet ndonjë frut, mund të pritet fare pak përpara hedhjes në ujë. /atsh

Kujdes/Jo zhytjeve mbas ushqimit Read More »

Parashkimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se sot parashikohet të ketë mot me vranësira mesatare dhe të dendura. Në mbrëmje do të ketë vranësira në pakësim.

Reshje shiu të herëpashershme parashikohen që në orët e para të mëngjesit me intensitet të ulët deri mesatar. Reshje shiu në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Mjegull/mjegullinë nga reshjet.

Era do të fryjë me drejtim Veriperëndim – Verilindje 1-10 m/sek, ndërsa në bregdet kryesisht në mesditë e pasdite deri në 16-25 m/s. Erë me rrahje dhe intensive gjatë orëve të pasdites dhe ato të mbrëmjes përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore.

Valëzimi në dete i forcës 3-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 19/24 re shi
Kukës 16/21 Re shi
Lezhë 21/25 re shi
Dibër 13/25 re shi
Durrës 20/23 re shi
Tiranë 20/25 re shi
Elbasan 19/25 re shi
Berat 17/25 re shi
Vlorë 18/24 re shi
Korçë 15/18 Re shi
Gjirokastër 15/26 re shi
Sarandë 17/24 re shi/atsh

Parashkimi i motit Read More »

Opozita e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës

Opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës dhe, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të garantuar një qeveri që buron nga njerëzit dhe u shërben njerëzve”, deklaroi sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një prononcim për shtyp, Basha tha se “kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe siç është shprehur politikisht edhe përmes zgjedhjeve presidenciale që nënkupton ndryshimet kushtetuese”.

“Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij, i kam bërë të qartë që PD dhe opozita e bashkuar janë në këtë betejë për njerëzit. Që zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 qershorit duhet të jenë për njerëzit dhe jo për partitë”, tha Basha, duke informuar mbi takimin me Kreun e Shtetit.

Ndërsa për takimin me aleatët, Basha tha se është diskutuar për aksionin e mëtejshëm politik, që sipas kreut të PD-së do të jetë në disa rrafshe.

“Sot në takimin me opozitën kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin tonë politik në të gjitha rrafshet në raport me njerëzit, në raport me faktorin ndërkombëtar dhe në raport me zgjidhjet që presin dhe do ti ofrojmë qytetarëve”.

“Kemi diskutuar gjerë e gjatë për emergjencën ekonomike ku ndodhet vendi. Sepse një nga mëkatet më të mëdha, një nga fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është se duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlerat themelore të lirisë dhe demokracisë, të luftës kundër krimit dhe drogës, ia ka dalë ti vërsulet Shqipërisë, buxhetit të saj, pasurive të saj, ta vjedhë dhe grabisë qytetarin e thjeshtë, pasuritë e këtij vendi dhe ta zhysë ekonominë në ditën e saj më të zezë në të paktën dy dekada. Ndaj bashkërisht kemi diskutuar për platformën tonë ekonomike, për zgjedhjet ekonomike që shqiptarët meritojnë dhe do të kenë me fitoren e opozitës së bashkuar, e cila tashmë jo vetëm përmes studimeve të opinionit publik, por edhe përmes referendumit të 30 qershorit është konfirmuar si maxhoranca e re politike”, tha ai./atsh

Opozita e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës Read More »

Spiropali-Bashës: Harroje 30 qershorin bashkë me Baba Xhiken se po të ikën edhe qershori 2021

“Ndërroje atë dreq pllake dhe harroje 30 qershorin bashkë me Baba Xhiken se po të ikën edhe qershori 2021”.

Kështu iu drejtua sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali, kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Lulzim aman ndërro pllakën e gramafonit se s’dëgjohet më as ajo kënga monotone, po veç gërvishtjet e pllakës”, tha Spiropali, duke iu përgjigjur deklaratave të Bashës.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se “zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 qershorit duhet të jenë për njerëzit dhe jo për partitë”./atsh

Spiropali-Bashës: Harroje 30 qershorin bashkë me Baba Xhiken se po të ikën edhe qershori 2021 Read More »

Rama-bizneseve: Mos e sprovoni shtetin, kush nuk lëshon faturë asnjë tolerim

Kryeministri Edi Rama ka apeluar sot biznesit që të mos sprovojë administratën dhe shtetin duke mos punuar rregullisht me faturat përkatëse.

Gjatë një takimi me drejtuesit e Tatimeve, Kryeministri Rama theksoi se, “kemi zgjedhur prej më shumë se 6 muajsh një qasje këshilluese, informuese, edukuese, duke mos preferuar të shkojmë tek hapi i fundit, pa bërë hapat e tjerë”.

Kjo periudhë, theksoi Rama “ka përfunduar dhe besoj që legjislacioni është i qartë dhe masat që legjislacioni parashikon për çdo biznes që nuk punon rregullisht me faturat përkatëse janë të atilla që nuk ja vlen aventura e moslëshimit të faturës”.

“Dihet që nëse nuk lëshon një kupon në një lokal, të mbyllet lokali. Në një njësi tregtare, të mbyllet njësia, për një periudhë që të sjell një dëm të madh”, u shpreh Kryeministri.

“Kështu që ju lutem të gjithëve mos e sprovoni administratën dhe mos e sprovoni shtetin, sepse nuk do tolerohet askush”, – ishte apeli i Kreut të Qeverisë ndaj bizneseve. /atsh

Rama-bizneseve: Mos e sprovoni shtetin, kush nuk lëshon faturë asnjë tolerim Read More »

Air Albania, së shpejti nis fluturimet në destinacionet europiane

“Së shpejti Air Albania nis fluturimet në destinacionet europiane”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa publikoi një mesazh nga një qytetar që ka udhëtuar me Air Albania drejt Stambollit.

“I nderuar z. Kryeministër! Unë udhëtoj në gjithë botën, por ishte hera e parë që më rastisi të udhëtoj për në Stamboll me Air Albania.

Pasi kisha dëgjuar statuse negative nga “personazhe” të ndryshëm nëpër rrjetet sociale, isha i përgatitur shpirtërisht që mbase në bord nuk do na shërbenin as ujë.

Por surpriza ime dhe e gjithë familjes time ishte e madhe që në momentin që hipëm në avion, një Airbus i ri, super komod, me hapësira mes sediljeve, pushuese për këmbët, e gjithfarë komoditetesh, që edhe pasagjerët në klasën ekonomike të udhëtonin sa më mirë”, shkruan qytetari.

Ai shpreh vlerësimet po ashtu edhe për shërbimin në bord. “Na u servir ushqim i ngrohtë, i freskët, tepër i shijshëm, i servirur bukur në tabaka. Stjuardesat shumë të sjellshme na flisnin shqip, dhe kudo ishte mbishkrimi “Air Albania”!

U ndjemë shumë krenarë për këtë gjë në dukje të parëndësishme, por që i shton vlerë vendit tonë të vogël e na bën të ndihemi mirë fakti që edhe një udhëtar i huaj mund të shijojë një udhëtim komod (madje shumë më komod se në shumë linja me emër të madh botëror), – në një avion shqiptar e të thotë: “Bravo Shqipëria!”, vijon ai.

“E për fat me ne në avion ishte duke udhëtuar edhe i madhi Mr. Rudy Giuliani, e jam i bindur edhe ai ka mbetur i impresionuar nga udhëtimi me linjën ajrore shqiptare!

Komplimente z. Kryeministër, pasi kjo ishte iniciativa juaj dhe e di që ky opinion i sinqertë do t’ju bëjë të ndiheni mirë edhe ju! Ju urojmë punë të mbarë dhe sa më shumë suksese të tilla! Me respekt, Badush Kajtazi, Xhoana Milloshi dhe Glauk”, përfundon mesazhi drejtuar Kryeministrit Rama. /atsh

Air Albania, së shpejti nis fluturimet në destinacionet europiane Read More »