Irina

Në botën e artit të fëmijëve të ushtarakëve

Ministria e Mbrojtjes është angazhuar për tu krijuar kushte sa më të mira jetese familjeve të trupave të Forcave të Armatosura. Fëmijët e efektivëve të FA po aktivizohen në kurse dhe aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive që organizohen nga Qendra Kombëtare e Kulturës.

Dhjetëra fëmijë ushtarakësh e punonjësish civilë të Ministrisë së Mbrojtjes ndjekin kurset artistike pranë Qendrës të Kulturës, ku marrin mësime nga profesorë dhe artistë të njohur të skenë sonë.

“Forca e Armatosur, një familje e madhe nuk është thjesht klishe. Çdo javë, dhjetëra fëmijë ushtarakësh e punonjësish civilë të Ministrisë së Mbrojtjes ndjekin kurset artistike pranë Qendrës sonë të Kulturës, ku marrin mësime nga profesorë dhe artistë të njohur të skenës”, shprehet ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Profesor Zhani Tase i cili zhvillon kursin e pikturës për këto fëmijë shprehet se, “çdo fëmijë është artist dhe ka botën e vet. Ne përpiqemi që ti japim mundësi që ata këtë botë ta çlirojnë në mënyra të ndryshme”. /atsh

Në botën e artit të fëmijëve të ushtarakëve Read More »

Siguria ushqimore, bllokohen mbi 280 litra pije joalkoolike jashtë standardit për konsum

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në vijim të kontrolleve të njëpasnjëshme në të gjithë vendin, në kuadër të planit të monitorimit dhe informacionit të ardhur në platformën e komunikimit me qytetarët, ka ushtruar një sërë kontrollesh tek Operatorët e Biznesit Ushqimor me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

AKU bën të ditur se Drejtoria Rajonale e AKU Berat gjatë këtyre ditëve (04-05 nëntor) ka kryer 17 kontrolle në operatorët e biznesit ushqimor (me origjinë shtazore, joshtazore dhe produktet e mbrojtjes së bimëve) dhe për shkeljet e evidentuara ka vendosur 1 masë administrative “Gjobë” me vlerë 50.000 lekë në total, 8 masa administrative “Paralajmërim” për korrigjim të mangësive të konstatuara dhe ka bllokuar 284,79 litra pije joalkoolike të konstatuara të pasigurta për konsum human.

Siguria ushqimore është sfidë e përbashkët për mbrojtjen e shëndetit dhe interesit të përbashkët, ndaj AKU krahas punës së pandalur të saj, fton të gjithë konsumatorët që të bëhen pjesë e këtij qëllimi nëpërmjet rubrikës “Denonco”./atsh

Siguria ushqimore, bllokohen mbi 280 litra pije joalkoolike jashtë standardit për konsum Read More »

Reshjet intensive të shiut/ MIE dhe institucionet e varësisë, në gatishmëri

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe institucionet e varësisë janë në gatishmëri të plotë për të përballuar situatat që mund të krijohen nga moti me reshje shiu intensive që parashikohet të përfshijë vendin tonë gjatë tre ditëve të ardhshme.

Nisur nga raportet e Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, të cilat flasin për një mot shumë të vështirë, me reshje të dendura, erë të fortë dhe rreziqe për përmbytje në tre ditët në vijim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet e saj të varësisë kanë kaluar në gjendje gatishmërie të plotë.

Sipas parashikimeve priten reshje shumë intensive (më shumë se 90 mm/ 24 orë) në pothuajse të gjithë territorin, gjatë natës së të mërkurës dhe gjithë ditën e enjte. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin.

Ditën e premte, datë 8 nëntor, pritet një rënie e intensitetit të reshjeve në të gjithë vendin, të cilat do të arrijnë nivelin 45-90 mm/24 orë, ndërsa ditën e shtunë datë 9 nëntor priten reshje të dobëta në të gjithë vendin 15 mm/24 orë.

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se përgjatë fundit të ditës së mërkurë për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve do të rritet rreziku për përmbytje vërshuese në të gjithë vendin.

Në këto kushte të gjitha institucionet e varësisë së MIE janë duke marrë masat e duhura për të siguruar shërbimet bazë ndaj qytetarëve si dhe për t’u ardhur atyre në ndihmë në çdo rast që do të kenë nevojë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, së bashku me kompanitë kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve po monitoron pa ndërprerje situatën, për të ndërhyrë në çdo rast të bllokimit të mundshëm të rrugëve, si nga vërshimi i ujit, ashtu edhe nga rënia e inerteve në rrugë.

Ndërkohë që institucionet e sistemit energjetik, OST, OSHEE dhe KESH janë vënë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast që do të ketë stakime apo dëmtime të linjave të furnizimit me energji elektrike.

Në gatishmëri janë edhe Aviacioni Civil si dhe Portet detare të vendit, të cilat që gjatë ditës së sotme janë përballur me situata të vështira, për shkak të detit të trazuar dhe me shumë ballë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë fton qytetarët që për çdo rast rreziku apo vështirësie të njoftojnë përmes numrit unik të emergjencave 112, si dhe numrave përkatës të strukturat tona:

OSHEE 04 227 41 41

ARRSH 067 39 82 866

DPSHTRR 068 80 15 833./atsh

Reshjet intensive të shiut/ MIE dhe institucionet e varësisë, në gatishmëri Read More »

Aplikimet për leje mjedisore, nga 1 janari do bëhen online

“Kam bërë një aplikim për një leje mjedisi.

Ju drejtova Ministrisë dhe nuk gjeta përgjigje. Ju drejtova platformës dhe menjëherë mu zgjidh problemi”.

Kështu u shpreh Renato Isufi përfaqësues i një subjektit me seli në Shkodër që ushtron aktivitet mineral gëlqeror.

Ky subjekt kishte aplikuar për leje mjedisore të tipit B pranë QKB. Agjencia Kombëtare e Mjedisit e ka dhënë në formë automatike miratimin ndërkohë që leja mjedisore ishte bllokuar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit prej shumë kohësh duke shkaktuar problem në ushtrimin e aktivitetit për subjektin.

Pas ankimit në platformë, rasti u ndoq nga koordinatori i biznesit në Ministrinë e Mjedisit ku në komunikim të vazhdueshëm me kabinetin dhe vetë ministrin u arrit zyrtarizimi i miratimit të lejes mjedisore.

Kryeministri Rama, pas ankesës së qytetarit të zgjidhur nga platforma tha se, “që nga 1 janari aplikimet nuk do bëhen më dorazi por do bëhen online dhe kështu do jenë të gjitha në pasqyrë, pra nuk do jenë hallet e njerëzve letra në siratarët e një drejtori apo përgjegjësi që marrin peng njerëzit për të marrë atë copën e tyre të kaçkavallit. Do jenë online aplikimet. Sigurisht që hap pas hapi ne do vazhdojmë të investojmë që edhe përgjigjet përfundimisht të jenë online por kjo kërkon ngritjen e një sistemi tërësor”.

“Ne e kemi filluar modernizmin e sistemeve për të kaluar tek shërbimet pa kontakt njerëzor, pra pa xhepa, me 3 shërbime online. Sot janë afro 350 shërbime dhe përveç kësaj, kemi sot edhe nënshkrimin dixhital të secilit që mund ta bëjë që vlen njësoj si nënshkrimi në letër. Kështu që ju e kaluat atë kalvarin tuaj por në të ardhmen e afërt, të gjithë ata që do kenë nevoje për të njëjtin shërbim, nuk do kalojnë më në këtë kalvar”, – i the Kryeministri qytetarit.

“Sistemi i monitorimit të aplikimeve do jetë një sistem që do e bëjë të pamundur marrjen peng të njerëzve duke i fshehur letrat në sirtar”, – tha Rama në mbyllje duke shtuar gjithashtu se, “numri i zgjidhjeve është goxha i konsiderueshëm por mbi të gjitha jam shumë mirënjohës që ju morët mundimin të dëshmonit. Dëshmitë janë kyçe për të kaluar mesazhin tek njerëzit”. /atsh

Aplikimet për leje mjedisore, nga 1 janari do bëhen online Read More »

Efektet shëndetësore të ndryshimit të orës

Ndryshimi i orës ka efekte të pafavorshme shëndetësore që mund të zgjasin për disa muaj nga momenti i hyrjes në fuqi dhe për këtë arsye duhet të shfuqizohet, sipas katër studiuesve të Universitetit të Vanderbiltit dhe Universitetit të Pensilvanisë, shkruar në një editorial në revistën ”Jama Neurology”.

‘’Ndryshimi i orës, mund të shoqërohet me një rrezik të shtuar të sulmeve në zemër dhe iktuseve dhe ul gjumin mesatarisht me 15-20 minuta në ditët pas hyrjes në fuqi të tij. Këto efekte mund të rrisin edhe rrezikun e aksidenteve rrugore’’, theksuan autorët e studimit.

Për disa tema më të brishta, artikulli përmend fëmijët me autizëm, ku efektet negative mbeten me javë dhe madje muaj.

“Njerëzit mendojnë se një tranzicion prej një ore nuk është asgjë, se ai mund të kapërcehet brenda një dite, por ajo që ata nuk e kuptojnë është se ora e tyre biologjike nuk është më e sinkronizuar me dritën’’, shpjegon Ann Malow, një nga autorët.

”Nuk është një orë dy herë në vit, është një keqpërdorim i orës biologjike për tetë muaj në vit. Kur flasim për ndryshimin e orës dhe marrëdhënien me dritën natyrale, flasim për ndikime të thella me orën biologjike , të rrënjosura mirë në tru, dhe për këtë arsye ka ndikime në funksionet e trurit si energjia ose gatishmëria”, thekson ajo./atsh

Efektet shëndetësore të ndryshimit të orës Read More »

Rama, të shtunën në Ohër në samitin për zbatimin e katër lirive të BE-së

Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë të shtunën, më 9 nëntor, në Ohër, Maqedonia e Veriut, për të marrë pjesë në samitin për zbatimin e katër lirive të Bashkimit Europian.

Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, të shtunën Kryeministri Rama do të jetë i pranishëm në darkën e shtruar me këtë rast nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

“Të dielën më 10 nëntor në Ohër do të mbahet Samiti, i cili do të pasohet nga konferenca për shtyp në orën 12.00”, – theksohet në njoftimin e Kryeministrisë./atsh

Rama, të shtunën në Ohër në samitin për zbatimin e katër lirive të BE-së Read More »

Check-up falas, më shumë se 411 mijë qytetarë kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në 10 muaj

Më shumë se 411 mijë qytetarë kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në 10 muajt e parë të 2019, ose 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Aktualisht ka dyfishim të qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë që nga viti 2015, kur nisi ky program kombëtar për shëndetin e popullatës dhe parandalimin e sëmundjeve.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me shifrat e kontrollit mjekësor bazë të kryera nga qytetarët në janar-tetor 2019.

“411,503 qytetarë kanë kryer check up falas këtë 10 mujor të 2019. Më shumë se 12% më shumë krahasuar me 10 mujorin 2018”, thekson Rama.

Vitet e fundit ka ndryshuar qasja e qytetarëve që vijnë tek mjeku i familjes jo vetëm kur kanë problematika me shëndetin, por për kontrollin mjekësor periodik dhe këtë e tregojnë të dhënat. Ka një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve pasi vihet re se këtë vit ka një rritje të qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në qarqet Kukës, Dibër, Berat dhe Gjirokastër.

Të dhënat tregojnë se në rang kombëtar 26,2% e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë kanë vlera të larta të Kolesterolit (yndyrna të larta) që rrezikojnë të preken nga probleme të enëve të gjakut, zemrës dhe trurit nëse nuk ndryshojnë stilin e jetesës.

Në rang kombëtar 14,5 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë pre-diabetik ndërsa 8,6 % janë me diabet.

Në rang kombëtar 13,4 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë anemikë; 6,73 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë rezultojnë me rritje të vlera të larta të enzimave të mëlçisë.

Janë zbuluar nga Kontrolli Mjekësor Bazë 400 raste me forma të ndryshme të leucemisë, të cilat janë ndjekur në kohë.

Prej prillit 2015 zbatohet në të gjithë vendin programi i kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për të gjithë shtetasit rezident të grupmoshës 35-70 vjeç. Përveçse qytetarët e kanë përfituar falas këtë shërbim shëndetësor, kontrolli mjekësor bazë ka ndikuar edhe në uljen e kostove të trajtimit të tyre, duke ulur invaliditetin dhe mortalitetin nga sëmundjet jo të transmetueshme./atsh

Check-up falas, më shumë se 411 mijë qytetarë kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në 10 muaj Read More »

Ambasada e SHBA: “Gazetaria” shkel e shko dhe çorientuese që synon të shtrembërojë politikën tonë për rrjetin 5G, s’ndryshon të vërtetën

“Faktet kanë rëndësi. “Gazetaria” shkel e shko dhe çorientuese, që synon të shtrembërojë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrjetin 5G, nuk e ndryshon të vërtetën. Faktet janë këto: Shtetet e Bashkuara e mbështesin qasjen e matur dhe të përgjegjshme të Shqipërisë për rrjetin 5G”, deklaron Ambasada e SHBA-së në Tiranë, në reagim të disa shkrimeve të publikuara në mediet shqiptare për çështjen e rrjetit 5G.

Ambasada Amerikane ka publikuar edhe fjalën e plotë të Leyla Moses-Ones, E Ngarkuara me Punë, mbajtur në Konferencën “Politika e SHBA. në Ballkanin Perëndimor”, ku ka theksuar se “Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje”.

“Të gjithë pranojmë se rendi global pas Luftës së Dytë Botërore po evoluon. Ndërsa karakatina e ndryshkur e Luftës së Ftohtë shpërbëhet, vendin e saj e ka zënë një garë globale për ndikim. Shtetet e Bashkuara e mirëpresin këtë mundësi për të garuar për ndikim pozitiv, sepse ne jemi besimplotë në vlerën e ofertave tona”, tha në fjalën e saj Moses-Ones.

Ajo theksoi se, “është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara, sigurisht, të promovojmë paqen, begatinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Po, interesi ynë është praktik, pjesërisht. Një gadishull ballkanik në paqe iu mundëson vendeve të rajonit të kontribuojnë për rritjen e sigurisë gjetkë në botë. Një ekonomi e lulëzuar e Ballkanit siguron tregje për bizneset amerikane. Dhe qetësia e brendshme në Ballkan lejon hartuesit e politikave amerikane që të përqëndrojnë kohën dhe burimet e tyre në kriza që ndikojnë rajone të tjera”.

“Politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor parashikon shumë më tepër se sa kaq. Që nga viti 1789, pjesë e interesave tona thelbësore ka qenë të bëjmë avokatin për lirinë dhe barazinë e të tjerëve – siç tha Presidenti Abraham Linkoln, kombi ynë është krijuar në liri dhe i përkushtohet premisës që të gjithë jemi krijuar të barabartë. Ndjekja e interesit të SHBA domosdoshmërisht përfshin të përkrahurit dhe të vepruarit në emër të idealeve tona. Ne duam që edhe ju të jeni të lirë dhe të barabartë”, u shpreh Moses-Ones.

Ajo vijoi se, “është e vërtetë – rruga që ne ofrojmë është e vështirë. Është e shtruar me standarde, pritshmëri dhe punë të palodhur, por që do të çojë drejt një Ballkani Perëndimor të lulëzuar, të qëndrueshëm, njerëzit e të cilit janë krenarë për nga vijnë dhe çfarë përfaqësojnë”.

“Ndërsa shqyrtoj prioritetet e politikës së Shteteve të Bashkuara për rajonin, do të përqendrohem në politikën e SHBA-së ndaj Shqipërisë, një vend me një angazhim të demonstruar ndaj bashkësisë transatlantike. Ajo që bëni dhe zgjedhjet që ndërmerrni kanë pasoja të mëdha për bashkësinë euro-atlantike. Më lejoni t’ju them se si”, tha Leyla Moses-Ones.

Ajo deklaroi se, “po, deklarata e 18 tetorit e Këshillit të Europës për zgjerimin ka frymëzuar faqe të tëra komentesh. Ja se çfarë ka rëndësi: Shqipëria është tashmë një vend kandidat – kjo nuk ka ndryshuar. Puna që po tashmë po vazhdon dhe ajo çfarë mbetet për t’u bërë nuk ka ndryshuar. Shqipëria do të fitojë vendin e saj në radhët e shteteve anëtare të BE-së duke dyfishuar përpjekjet për zbatimin e reformave në drejtësi, fshirë korrupsionin dhe fitoren mbi plagën e krimit të organizuar. Kjo ka të bëjë me vlerat; kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit; kjo ka të bëjë me begatinë dhe mundësinë për qytetarët shqiptarë”.

“Shqipëria jo vetëm që po punon shumë për reformën në drejtësi, por tashmë reforma zgjedhore është bërë një projekt kombëtar që qeveria, opozita parlamentare dhe partitë opozitare jashtë tij, po e ndjekin. Drejtuesit e Shqipërisë kanë treguar vullnetin për të bërë kompromis për hir të së mirës të përbashkët”, u shpreh Moses-Ones.

Ajo theksoi se, “e mira e përbashkët kërkon një mbrojtje të përbashkët, sigurisht kjo është premisa e NATO-s. Presim me kënaqësi të mirëpresim Maqedoninë e Veriut së shpejti si aleatja e saj e tridhjetë. Aleanca po evoluon gjithashtu, pasi siguria e mëparshme e Evropës, e subvencionuar nga SHBA, transformohet në një përpjekje të përbashkët për të cilën kontribuojmë të gjithë. Dhe Shqipëria ka përmbushur angazhimin e saj. Shqipëria ka respektuar Premtimin në Samitin e Uellsit. Shqipëria kontribuon më shumë trupa për frymë se pothuajse të gjitha vendet e tjera evropiane. Dhe shqiptarët kanë dhënë jetën e tyre në shërbim të mbrojtjes sonë të përbashkët”.

Moses-Ones shtoi se, ” ekzistojnë vende të tjera që kërkojnë rrugë më të lehta përpara. Në frymën e konferencës së sotme, shqyrtojini ofertat e tyre përpara se t’i pranoni ato. Do të zbuloni që, për Rusinë, Iranin, Kinën, Ballkani Perëndimor është një mjet për një qëllim, një burim nga i cili mund të shfrytëzohet dhe pastaj të flaket tej. Nuk ka asgjë idealiste në qëllimet e tyre. Ata gjithashtu kërkojnë të minojnë modelin perëndimor të vetëqeverisjes që çmon lirinë dhe zgjedhjen me oligarkitë e korruptuara të cilat janë të divorcuara prej interesit të njerëzve të cilëve supozohet t’iu shërbejë qeveria”.

“Kina ka vënë në zbatim diplomacinë shtrënguese të debitorit për të blerë një ndikim që i pret fuqitë forcës ekonomike dhe gjymton autonominë politike të të ashtuquajturve partnerë të saj. Kremlini këmbëngul të mos eksportojë asgjë tjetër përveç kaosit, ndërsa kërkon të rikuperojë humbjet sovjetike nga Lufta e Ftohtë. Irani ka shfrytëzuar praninë e tij diplomatike në Tiranë për të planifikuar shkatërrimin e kundërshtarëve të tij politikë, duke kërkuar t’i përgjigjet argumenteve të arsyes me burracakërinë e detonatorëve të fshehur”, tha ajo.

“Shqipëria ia ka bërë të qartë Kinës se disa gjëra thjesht nuk janë për shitje. Shqipëria ka refuzuar makinacionet ruse.. Dhe, Shqipëria ka treguar që nuk do të tolerojë terroristë iranianë në tokën e saj. Shqipëria ka zgjedhur, sërish dhe përsëri, të mbajë qëndrime parimore. Vitin tjetër, Shqipëria do të marrë kryesimin e Zyrës së OSBE-së, duke udhëhequr një organizatë që gjithashtu mban qëndrime parimore. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë besnike ndaj Shqipërisë teksa ajo përdor vlerat frymëzuese dhe zyrën e respektuar të OSBE-së për të trajtuar çështje dhe kriza të mprehta. Shtetet e Bashkuara mirëpresin prioritet e përcaktuara nga Shqipëria – përfshirë luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, përkrahjen e rolit të grave në zgjidhjen e konflikteve, rininë dhe kontrollin e armëve – dhe presim me kënaqësi të punojnë me Shqipërinë gjatë kryesimit të OSBE-së në vitin 2020”, deklaroi Leyla Moses-Ones.

Ajo shtoi se, “sigurisht siguria energjetike mbetet thelbësore për suksesin e bashkësisë transatlantike. Që nga hidrocentralet te gazi natyror i lëngshëm, nga nafta deri te energjia diellore, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor mund të formojnë bërthamën e një strategjie energjetike të larmishme për të furnizuar botën perëndimore, ndërsa korrin përfitimet prej vendndodhjes së tyre gjeostrategjike”.

“Përsa i përket vendndodhjes gjeostrategjike, ju e dini se revolucioni 5G po vjen: ndërlidhja e rrjeteve 4G të Shqipërisë së shpejti do të përmirësohet; ndërlidhja e vendit të saj gjeostrategjik në hartë është e rëndësishme sepse ka vende si Kina që do të dëshironin të kapnin mënyrën e jetesës dixhitale të Ballkanit Perëndimor për të thithur informacione prej tyre dhe asfiksuar rrjetet e aleatëve të Sh.B.A-së. Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje”, tha ajo.

Ajo vijoi se, “Shqipëria ka ndërmarrë gjithashtu një qëndrim parimor për një çështje tjetër rajonale me rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara: dialogu i lehtësuar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara kanë dyfishuar gjithashtu përpjekjet e tyre për t’u siguruar që dialogu të rifillojë, ashtu si u nënvizua edhe nga profesorët, përmes emërimeve të fundit të të Dërguarve të posaçëm në rajon. Vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka bërë thirrje që udhëheqësit e të dy vendeve të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët, të begatë dhe të paqtë. Shqipëria gjithashtu e sheh qartë këtë të ardhme dhe bashkohet me Shtetet e Bashkuara në mbështetjen e saj për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Ajo u shpreh se, “Shtetet e Bashkuara u angazhuan për sovranitetin shqiptar në vitin 1912 – më shumë se një shekull më parë – dhe angazhimi ynë është i paepur. Rruga amerikane është e vështirë, por ia vlen, pasi ofrojmë një partneritet të bazuar në vlera të qëndrueshme, midis tyre lirinë e fjalës, lirinë e fesë, mundësi të barabartë, baraza, liri individuale dhe liri qytetare.

“Kjo është një kohë e jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor. Jemi me fat që kemi këtë mundësi për të ndihmuar në dhënien formë të ardhmes duke mbështetur udhëheqësit e rajonit në formimin e qeverive të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit”, përfundoi Leyla Moses-Ones. /atsh

Ambasada e SHBA: “Gazetaria” shkel e shko dhe çorientuese që synon të shtrembërojë politikën tonë për rrjetin 5G, s’ndryshon të vërtetën Read More »