Moti sot në vendin tonë do të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme dhe të thata.
Moti parashikohet i kthjellët me alternime vranësirash kalimtare kryesisht në orët e mesditës deri ato të pasdites.
Era do të fryjë nga veriperëndimi – juglindje 1-8m/sek në bregdet deri në 15-20m/sek duke sjellë valëzim të forcës 3 ballë.
Temperaturat parashikohen:
QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 18/29 Diell pak re
Kukës 15/25 Diell pak re
Lezhë 20/30 Diell pak re
Dibër 13/24 Diell pak re
Durrës 19/30 Diell pak re
Tiranë 20/33 Diell pak re
Elbasan 20/34 Diell pak re
Berat 16/32 Diell pak re
Vlorë 19/32 Diell pak re
Korcë 15/25 Diell pak re
Gjirokastër 18/33 Diell pak re
Sarandë 20/31 Diell pak re/atsh
Shërbime më të shpejta me standarde europiane garantohen tashmë për qytetarët që duan të pajisen me Leje Drejtimi.
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje faktin se nga 15 gushti 2019, kartoni i ri i Lejeve të Drejtimit lëshohet në vetëm 30 minuta.
“Mirëmëngjes dhe me këtë tjetër hap përpara në përpjekjen e pandalshme për shërbime më të shpejta e me standarde europiane për qytetarët, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Risia nis me Tiranën që ka 45% të numrit total të lejeve të drejtimit në vend, ose janë 48 mijë qytetarë përfitojnë çdo vit.
Në sajë të masave të marra shpejtohen 7 shërbime: Leje Drejtimi për herë të parë; humbje/vjedhje/shkatërrim/ dëmtim Leje Drejtimi; konvertim Leje Drejtimi; Leje Drejtimi për shtesë kategorie; ndryshim vendbanimi; ndryshim në gjeneralitete; rinovim Leje Drejtimi.
Po ashtu, rritet shpejtësia e shërbimit 720 herë. Në nëntor 2018 Leja e Drejtimit merrej për 15 ditë, ndërsa në gusht 2019 merret për 30 minuta, pa tarifë ekstra, më shpejt, më lehtë dhe më lirë./atsh
“Valdrin Pjetri nuk është kriminel, por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.
Rama tha se “Valdrin Pjetri ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD dhe çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrsesi njeriun një kriminel”.
“Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje”, vijoi Rama.
“Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit, s’mund të lërë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë”, shtoi Rama.
Jo vetëm kaq, por sipas Kryeministrit, “është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur”. “Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”, tha Rama./atsh
Një anije e vjetër katariane me vela po lundron aktualisht në vendet e rajonit në një turne që quhet “Fatah Al Khair 4”. Deri tani ka vizituar Turqinë dhe Greqinë dhe më 20 gusht 2019 do të mbërrijë në brigjet shqiptare.
Në vendin tonë, ndalesa e parë e anijes katariane me vela do të jetë Saranda më 20 gusht 2019, ku pritet të mbërrijë në portin e qytetit bregdetar shqiptar në orën 6 pasdite, duke valëvitur flamujt kombëtarë të Shqipërisë dhe të Katarit.
Me këtë rast, do të organizohet një pritje e madhe në shëtitoren e qytetit. Banorët e Sarandës dhe të pranishmit në këtë pritje do të kenë mundësinë të hyjnë dhe të shohin nga brenda anijen, ku do të njihen me vetë anijen si dhe me kulturën detare të Katarit. Atyre do t’i shpërndahen edhe suvenire që simbolizojnë Botërorin “Qatar 2022”.
Pas qëndrimit dy ditor në Sarandë, anija do të niset për në qytetin e Durrësit dhe do të arrijë në portin e tij më 24 gusht në orën 6 pasdite. Edhe në këtë qytet të lashtë të historisë dhe kulturës shqiptare, do të ketë një pritje dhe disa aktivitete argëtuese me banorët e qytetit dhe vizitorët e plazhit.
Më datë 25 gusht, aktivitetet e lidhura me lundrimin “Fatah Al Khair 4” do të transferohen në Tiranë. Për dy ditë, në sheshin “Skënderbej” në qendër të kryeqytetit dhe tek parku i liqenit, do të zhvillohen disa surpriza të këndshme dhe do të organizohen aktiviteteve kulturore dhe sportive në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës.
Këto aktivitete do të jenë të hapura për të gjitha grupmoshat, gjatë të cilave do të shpërndahen dhurata dhe suvenire me logo të Botërorit “Qatar 2022”.
Anija e cila ka në bord 15 marinarë katarianë, ka dy vela dhe është e llojit “Boom Safari” e punuar prej druri, me gjatësi 110 këmbë dhe gjerësi 27 këmbë, dhe ka kapacitet mbajtës prej 200 tonësh. Kjo anije konsiderohet një muze në miniaturë që pasqyron trashëgiminë detare të Katarit. Gjithashtu ajo është e pajisur me ekrane të mëdha për të prezantuar stadiumet dhe përgatitjet e tjera të infrastrukturës sportive ku do të mbahen ndeshjet e Botërorit të Futbollit “Qatar 2022”.
Lundrimi “Fateh Al Khair 4” për vitin 2019 do të zgjasë katër muaj dhe do të përshkruajë rreth 4400 milje, nisur nga Bosfori e deri në Xhenova të Italisë.
Konkretisht destinacionet e tij për këtë vit do të jenë pesë vende të Mesdheut, përkatësisht Turqia, Greqia, Shqipëria, Kroacia dhe Italia. /atsh
Operacioni për lirimin e plazheve publike ka vijuar në Shëngjin të Lezhës. Si rezultat i këtij operacioni të policisë është liruar rreth 2800 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme dhe janë sekuestruar 542 shezlongë dhe 271 çadra të vendosura në mënyrë të paligjshme, në hapësirat publike.
Shtatë subjekte janë konstatuar se ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike (rërës), pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga bashkia Lezhë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetasit G.F., F.K, M.N., E.Ll., Gj.J., E.C. dhe P.Z. për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave”.
Gjithashtu, janë referuar materiale hetimore shtesë për shtetasin A.N. me detyrë ish – Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, i proceduar dhe më parë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme.
Operacioni po vijon çdo ditë, me shtrirje në të gjithë zonat bregdetare, në territorin e Qarkut Lezhë. /atsh
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi sërish sot lidhur me dorëheqjen nga detyra të Valdrin Pjetrit, ndërsa u shpreh se “Edi Rama futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhjetëra kriminelë.
Basha tha se “krahasuar me Edi Ramën, Valdrin Pjetri është një kriminel i rangut të tretë, një trafikant i dënuar droge që ka fshehur të kaluarën e tij”.
“Është Edi Rama ai që futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhe i bëri deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë të lartë dhjetëra kriminelë me rekorde të tmerrshme kriminale, trafikantë, përdhunues e deri vrasës. Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare”, tha ai.
Sipas Bashës, “Shqipëria u kthye në parajsën e krimit të organizuar dhe të pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe korrupsionit”. /atsh
Aktorja e njohur e skenës shqiptare, Suela Konjari ftoi sot të gjithë kolegët artistë dhe specialistët që t’i tejkalojnë bindjet partiake, pasi Teatri është mbi partitë.
Për çështjen e Teatrit Kombëtar, ajo tha se “shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin”.
“Kur mbaron një shfaqje teatri, melodia e parë që vjen për aktorin në skenë janë duartrokitjet e publikut. Me këtë dua të them, ju ftoj të gjithëve, veten time të parën, ju dhe gjithë kolegët e mi, edhe specialistët, që t’i tejkalojnë bindjet partiake, teatri është mbi partitë. Shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin. Teatri na jep mundësinë që ta duam njëri-tjetrin dhe ta besojmë. Shpresoj që të arrijmë më të mirën e mundshme”, tha ajo.
Duke ndarë këtë opinion të Konjarit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Suela Konjari i përket gjeneratës që doli në skenë në vitet e vështira të ndryshimit të sistemeve dhe spikati me rolet e saj përpara publikut të Teatrit Kombëtar”.
Në çështjen e shumëdebatuar të godinës së teatrit, Rama tha se “ajo ndan të njëjtin opinion me shumicën dërrmuese të komunitetit teatror”./atsh
Punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Vlorë po punojnë me ritme të larta për mirëmbajtjen dhe pastrimin e trotuareve në Lungomare.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë inspektimit të kryer përgëzoi punonjësit për punën e bërë në sistemimin e trotuareve të dëmtuar dhe në pastrimin përgjatë bregdetit.
“Vlora këtë vit pavarësisht klimës politike që i parapriu sezonit turistik është vizituar këtë verë nga me shumë njerëz se më parë. Detyrë e të gjithëve është të presim turistët dhe të mirëmbajmë hapësirat publike, të cilat kanë pafund abuzim mbi pastërtitë, ndotjen e mjedisit, dëmtimet gjatë ditës dhe natës”, – tha Leli.
Sipas tij, punonjësit punojnë gjatë gjithë kohës me turne, ditë dhe natë.
“Në Lungomare janë 22 punonjës të dedikuar vetëm për këtë shëtitore, punonjës të ndërmarrjes së gjelbërimit, të rrjetit të ujësjellësit, të ndriçimit. Punojnë 24 orë për të pasur maksimunin e shërbimit”, – theksoi Leli.
Kryebashkiaku Leli kërkoi bashkëpunim më të madh qytetar dhe një përkujdesje më të madhe të të gjithë atyre njerëzve që përdorin hapësirat për biznese që në fund fare i kanë hapësira përfitimi.
“Rritja e ndjeshmërisë është maksimumi që mund të bëjmë për të patur një qytet të pastër”, u shpreh Leli./atsh