Irina

Konsumimi i verës së kuqe ul obezitetin dhe kolesterolin e ”keq”

Vera e kuqe është një mik me zorrët, më shumë se pijet e tjera alkoolike. Ajo rrit shumëllojshmërinë e baktereve që e banojnë atje, të ashtuquajturin mikrobiome, dhe ndihmon në uljen e niveleve të mbipeshes dhe kolesterolit të keq, sipas një studimi të King’s College në Londër, botuar në revistën Gastroenterology.

Efektet e verës së kuqe në zorrë u analizuan në tre grupe të ndryshme me rreth tre mijë njerëz në Britaninë e Madhe, Hollandë dhe SHBA, dhe studimet treguan se mikrobioma e zorrëve e pijeve të verës së kuqe ishte më e larmishme se ato të atyre që nuk e pinin atë, ndërsa kjo nuk u vërejt me konsumimin e verës së bardhë, birrës ose likereve.

Autorët besojnë se arsyeja kryesore për përfitimet është për shkak të polifenoleve të shumta në verën e kuqe, domethënë kimikatet mbrojtëse që kanë shumë veti të dobishme (përfshirë vetitë antioksiduese) dhe veprojnë kryesisht si karburant ’për mikrobet e pranishme në sistemin tonë të zorrëve.

“Ky studim ofron njohuri për faktin se nivele të larta të polifenoleve në lëkurat e rrushit mund të jenë përgjegjëse për shumë nga përfitimet shëndetësore të debatuara nëse pini në moderim”, shpjegon autori kryesor i studimit Tim Spector.

Studimi zbuloi gjithashtu se konsumimi i verës së kuqe shoqërohej me nivele më të ulëta të obezitetit dhe kolesterolit “të keq”. /atsh

Konsumimi i verës së kuqe ul obezitetin dhe kolesterolin e ”keq” Read More »

Vijon vendosja e matësave të ujit në Vlorë, investime në rrjet

Në kuadër të reformës së ujit, në Vlorë vazhdon puna për vendosjen e matësave të ujit te abonentët familjarë si dhe privatë në qytet.

Inspektorë të Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë kanë kryer sot inspektime te bizneset në lagjet “28 Nëntori” dhe “Lef Sallata”.

UK Vlorë kreu po ashtu një ndërhyrje për eliminimin e një avarie në rrjetin e ujësjellësit në rrugën “Sadik Zotaj”, në lagjen “24 Maj”, pranë Qendrës Shëndetësore”.

Një tjetër ndërhyrje u krye edhe në Stacionin e Pompimit te “4-katëshet”, në “Kume”, ku përfundoi puna për vendosjen e pompës së re me kapacitet 50 litër/s.

Gjithçka për t’i paraprirë sezonit me reshje shiu, në kuadër të mirëfunksionimit të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha./atsh

Vijon vendosja e matësave të ujit në Vlorë, investime në rrjet Read More »

Rama: I mirëkuptoj ankesat për rrugët e fshatrave, por nuk pranoj kur thonë s’keni bërë asgjë për të

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “i dëgjoj, i lexoj, i mirëkuptoj ankesat për rrugët e fshatrave, por një gjë ama s’e pranoj dot: Kur thonë s’keni bërë asgjë për fshatin”.

Duke sjellë shembullin e rrugës Agim-Babunjë, në Divjakë, Kryeministri Rama shprehet se “JO! Kemi bërë dhe jo pak madje (edhe pse duhet më shumë akoma padyshim). Dhe ky është një shembull nga Myzeqeja (O Zot kur e kujtoj si ishte ajo zonë para 6 vjetësh) ku kemi ndërhyrë në shumicën e akseve të zonës bujqësore”.

Rruga Agim-Babunjë plotëson investimet e kryera deri tani në këtë anë të Myzeqesë. Lidhje e shpejtë me Divjakën dhe me aksin kombëtar Lushnjë-Fier. Më parë kjo rrugë ishte e shtruar me çakëll, e ngushtë dhe e përshtatshme vetëm për një automjet. Sot ka dy korsi, ndriçim dhe hapësira pushimi për automjetet.

Rritja e qarkullimit ka shtuar aktivitetet. Në fillim të aksit Babunjë ndodhet edhe shtëpia e Adriatik Rrasës. Ndryshe nga fshatarët që merren me bujqësi ai i është kushtuar pasionit të tij, skulpturës. Rruga e re po ndihmon zhvillimin e biznesit të tij.

Ai ka më shumë vizitorë, klientë dhe kosto më të ulëta transporti.

“Rruga bëri zhvillim, ra kostoja e transportit, nëse për një rrugë me traktor dje më merrte 3 mijë lekë, sot merr 1 mijë lekë”, thotë Adriatiku.

Ai shëtit në të gjithë zonën për të siguruar lëndën e parë për punimet e tij. Transporti i punimeve delikate është më i lehtë dhe më i sigurtë. Ai shpreson që investimi do të nxisë brezat e rinj të ndjekin pasionin e tyre.

Fermerët e zonës janë shpresëplotë se rruga do të rrisë të ardhurat.

Tregu i Divjakës nga fshatrat Agim dhe Babunjë është 25 m larg. Dalja më shpejt në treg, do të thotë shitje më të larta dhe investime të reja në hapësira më të mëdha toke apo serrash. /atsh

blob:https://www.facebook.com/f4bbbf9b-8c8d-419e-9014-3382482d5f10

Rama: I mirëkuptoj ankesat për rrugët e fshatrave, por nuk pranoj kur thonë s’keni bërë asgjë për të Read More »

Manastirliu: 17% rritje rrogash për mjekët dhe infermierët vetëm në 2 vitet e fundit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë një interviste televizive foli edhe për pagat e mjekëve e të infermierëve.

Ministrja u shpreh se “Qeveria shqiptare vetëm në dy vitet e fundit ka rritur mbi 17% pagat për mjekët dhe infermierët”.

Ajo shprehu bindjen se do të vijohet me rritjen e tyre.

Manastirliu theksoi se prioritet i Qeverisë për mandatin e ardhshëm do të jetë sërish rritja e rrogave, si dhe investimet e reja në fushën e Shëndetësisë, për ndërtimin e spitaleve me standarde dhe pajisjen e tyre me aparatura moderne, siç ishte ndërtimi i Spitalit të Elbasanit, apo investimi në akseleratorin e QSUT-së, ndërtimi i reparteve të Hemodinamikës në spitalin rajonal Shkodër, Fier, apo tek Spitali “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. /atsh

Manastirliu: 17% rritje rrogash për mjekët dhe infermierët vetëm në 2 vitet e fundit Read More »

AKU bllokon mbi 140 tonë produkte të pasigurta, gjobë 3.5 milionë lekë subjektit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vijon kontrollet në të gjithë hallkat e zinxhirit ushqimor duke monitoruar zbatimin e kërkesave ligjore nga operatorët e biznesit ushqimor në funksion të sigurisë ushqimore dhe mbajtjes pastër të tregjeve nga produktet e pasigurta për konsum dhe të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve.

Nga kontrolli i kryer në subjektin “Afrim Bici” me aktivitet “Magazinë mielli dhe ushqimi për blegtorinë”, Fushë-Krujë, u konstatua se subjekti kontrollohej për herë të parë, megjithëse operonte prej 18 vjetësh duke ushtruar edhe aktivitetin “Prodhim, përpunim dhe shpërndarje me shumicë e ushqimeve për kafshë që përdoren për ushqim” për të cilin nuk dispononte licencën përkatëse dhe njëkohësisht tregtonte edhe plehra kimike (Ure, DAP, Superfosfat dhe Nitrat).

AKU evidentoi se aktiviteti ushtrohej në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare. Sasia e produkteve prej 141.6 ton përbëhej nga 30 ton ushqim për njerëz (10.5 ton miell importi turk, 19.5 ton miell vendi) dhe rreth 111.6 ton ushqime për kafshë, që përdorën për ushqim për njerëz (33.4 ton krunde/hime, 19.8 ton tërshërë, 19.6 ton sojë, 14.8 ton grurë, 10.3 ton miell misri, 5.7 ton grurë, 5 ton misër dhe 3 ton elb) ishin jashtë standardeve për konsum.

Për shkeljet e konstatuara trupa inspektuese mori masën e ndërshkimit me gjobë në shumën totale prej 3.5 milionë lekë, ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit deri në plotësimin e kërkesave ligjore, bllokim të 30 tonë produkte për konsum njerëzor, deri në daljen e rezultatit të analizave dhe bllokim të 111.6 ton ushqim i pasigurtë për kafshë me destinacion asgjësimin e tyre.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon intensifikimin e kontrolleve zyrtare të sigurisë ushqimorë për parandaluar çdo praktikë abuzive që ndikon në shëndetin e konsumatorëve. /atsh

AKU bllokon mbi 140 tonë produkte të pasigurta, gjobë 3.5 milionë lekë subjektit Read More »

Air Albania, TTG ITALIA: Në vjeshtë, fluturime të reja për Romë, Milano dhe Bolonja

Tre destinacione të reja fluturimesh pritet të nisin nga Tirana drejt aeroporteve italiane me Air Albania. Sipas portalit TTG ITALIA, lidhjet e reja nga Tirana do të jenë me Romën, Milanon dhe Bolonjën nëpërmjet kompanisë së themeluar në vitin 2017, Air Albania një bashkëpunim me Turkish Airlines.

Fluturimet pritet të nisin në vjeshtë.

TTG ITALIA shkruan se destinacionet e reja u raportuan nga agjencia ANSA, e cila i referohet për këtë lajm pozitiv për ekonominë dhe pasagjerët, kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili madje publikoi çmimet e itinerareve nëpërmjet një postimi në Facebook.

Fluturimet drejt Italisë përfaqësojnë 54% të trafikut që niset nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës. Me fillimin e operacioneve drejt tre qyteteve italiane, do të arrijë në pesë, numri i kompanive që veprojnë midis dy vendeve. /atsh

Air Albania, TTG ITALIA: Në vjeshtë, fluturime të reja për Romë, Milano dhe Bolonja Read More »

182 pacientë përfituan nga vendosja e fistulës falas në vetëm 7 muaj

182 pacientë kanë përfituar shërbimin e vendosjes së fistulës falas në shtatë muajt e parë të 2019.

Fistula është aksesi më i preferuar për të kryer dializë dhe mundësia e infeksionit është shumë herë më e vogël. Një fistul bën lidhjen e një arterie me një vënë për të lehtësuar kështu kryerjen e Dializës.

Ky është një tjetër shërbim, pjesë e Paketës së dializës, që financohet 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. FSDKSH thotë se shërbimi i ofruar është cilësor, me kushte dhe standarde bashkëkohore.

“Kujdesu për shëndetin dhe mirëqenien tënde. Punojmë drejt mbulimit shëndetësor universal për shëndetësinë që duam”, -bëjnë apel specialistët e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. z.tosku/ atsh

182 pacientë përfituan nga vendosja e fistulës falas në vetëm 7 muaj Read More »

Karaburun-Sazan, e para zonë e mbrojtur detare përgjatë bregdetit

Zona e Mbrojtur Detare e Karaburun Sazanit është e para zonë e mbrojtur detare e krijuar përgjatë bregdetit shqiptar. Kjo zonë njihet për vlerat e saj të larta dhe unike të biodiversitetit detar dhe rëndësi të madhe për sa i takon potencialit të zhvillimit të qëndrueshëm për rajonin e Vlorës.

Objektivat afatgjatë të ruajtjes së zonës së mbrojtur detare, kanë për qëllim të sigurojnë mbrojtje dhe mirëmbajtje të diversitetit biologjik, duke siguruar në të njëjtën kohë një rrjedhë të qëndrueshme të produkteve dhe shërbimeve natyrore, në mbështetje të zhvillimit të komuniteteve bregdetare.

Nëpërmjet projektit “Përmirësimi i Efektivitetit të Mbulimit dhe Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Detare dhe Bregdetare” të financuar nga GEF dhe qeveria italiane, janë financuar rritja e kapaciteteve dhe krijimi i ambienteve të nevojshme për punë.

Me qëllim lehtësimin e aksesit për të vizituar Parkun Detar, fal këtij projekti në bashkëpunim edhe me grupet e interesit në nivel kombëtar dhe lokal, janë zhvilluar disa ndërhyrje në zonë sipas Planit të Menaxhimit ndër të cilat kanë qenë: Pajisja e zonës me bova sinjalizuese të Parkut Detar; ristrukturimi i bankinës ankoruese Shën Vasil; vendosja e sistemit të tabelezimit me qellim informimin e vizitoreve; pajisja me mjet lundrues te administratës së Parkut; nisja e procesit për ndërtimin e një qendre informacioni në zonën e Radhimës për zonat e mbrojtura; zhvillimi i një platforme informimi për Mjedisin dhe Turizmin në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës, e cila ndihmon vizitorët të njihen me të gjitha informacionet e nevojshme për Zonat e Mbrojtura, Mjedisin dhe Turizmin në qytetin e Vlorës.

Rezultatet kryesore të projektit kanë të bëjnë me përmirësimin e përfaqësimit bio-gjeografik të zonave detare dhe bregdetare të mbrojtura dhe kuadrin e përmirësuar të menaxhimit të këtyre zonave, forcimin e strukturave institucionale dhe ngritjen e kapaciteteve. Partnerë të këtij projekti janë Agjencia e Zonave të Mbrojtura Vlore, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, autoritetet lokale, Shoqëria Civile etj.

Rëndësia dhe suksesi i ruajtjes së këtyre zonave është bashkëpunimi me komunitetin lokal dhe partnerët kombëtar dhe lokalë, por edhe mirëkuptimi i vizitoreve për të respektuar natyrën dhe shijuar atë që parku kombëtar detar ofron./atsh

Karaburun-Sazan, e para zonë e mbrojtur detare përgjatë bregdetit Read More »