Irina

Finalizohet operacioni “Limit”, shkatërrohen 4 grupe kriminale

Është finalizuar sot operacioni policor i koduar “Limit”, si rezultat i të cilit u shkatërruan 4 grupe kriminale në fushën e narkotikëve.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar 57 persona, si dhe janë shpallur në kërkim 8 të tjerë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar kanabis, kokainë, laboratorë për kultivim të bimëve narkotike, fara kanabis, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara.

Policia e Shtetit në përmbushje të prioritetit kryesor, atë të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, ka vijuar operacionet e pandërprera në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit dhe me policitë homologe të vendeve të rajonit e më gjerë.

Në funksion të këtij hetimi, Taskforca Speciale Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH-në, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë për Krime të Rënda, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “LIMIT”, operacion i nisur më parë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me homologët e policisë greke.

Ky operacion u krye në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2016, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë periudhës së hetimit 2016-2019, është shkëmbyer në kohë reale informacion me partnerët tanë nëpërmjet SELEC-ut për aktivitetin kriminal të personave të përfshirë në këto grupe kriminale dhe si rezultat, nga autoritetet policore greke janë arrestuar 34 persona, të cilët ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes të narkotikëve.

Policia greke gjatë operacioneve të kryera ka sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3,5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1,3 kg kokainë.

Operacioni ka vijuar mëngjesin e sotëm në disa qarqe të vendit, ku u angazhuan rreth 300 forca policore.

Gjatë hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal edhe i 31 personave të tjerë në Shqipëri, duke u finalizuar me ekzekutimin e masave të sigurisë për 23 prej tyre, ndërsa 8 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Konkretisht u arrestuan shtetasit:

S.N., 40 vjeç, banues në Tiranë; B. Sh., 46 vjeç, banues në Mirditë ; A. P. alias A. B., 38 vjeç, banues në Korçë; E. S., 35 vjeç, banues në Korçë; K. Ç., 34 vjeç, banues në Korçë; Gj.Ç., 63 vjeç, banues në Korçë; B. Z, 55 vjeç, banues në Ersekë; Gj. M., 32 vjeç banues në Korçë; R. T., 32 vjeç, banues në Ersekë; E. H., 33 vjeç, banues në Korçë; E. M., 26 vjeç, banues në Korçë; F. Ç. alias F. B., 35 vjeç, banues në Pogradec; E.B., 42 vjeç, banues në Tepelenë; E.H., 34 vjeç, banues në Fier; A. B., 25 vjeç, banues në Tepelenë; V. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë; F.D., 56 vjeç, banues në Tepelenë; A. M., 35 vjeç, banues në Këlcyrë; B. V., 33 vjeç, banues në Sarandë; A. C., 50 vjeç, banues në Durrës; E. K., 37 vjeç, banues në Durrës; E. J., 38 vjeç, banues në Ersekë dhe B. Z., 27 vjeç, banues në Ersekë.

Si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas ku vijon operacioni për kapjen e tyre.

Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndricim artificial, telefona celularë dhe disa automjete.

Aktiviteti kriminal i këtyre grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin.

Lënda narkotike kanabis e prodhuar trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.

Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, “Kultivimi i narkotikëve”, “Mbajta pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Policia e Shtetit është e vendosur në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe krimit në përgjithësi. Gjithashtu Policia e Shtetit është e fokusuar në thellimin e bashkëpunimit me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, duke shkëmbyer informacione në kohë reale dhe zhvilluar operacione të përbashkëta me qëllim goditjen e plotë të grupeve apo individëve që ushtrojnë veprimtari kriminale. /atsh

Finalizohet operacioni “Limit”, shkatërrohen 4 grupe kriminale Read More »

Orik/ Zbulime të reja arkeologjike në qytetin antik, vizitorët ndjekin punën e arkeologëve

Në parkun arkeologjik të Orikut vijojnë gërmimet arkeologjike të projektit shqiptaro-zviceran të Institutit të Arkeologjisë së Tiranës dhe Universitetit të Gjenevës së Zvicrës, të cilat po kryhen në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë.

Gërmimet e këtij viti janë fokusuar në pjesën veriore të fontanës monumentale, gërmimin dhe gjurmimin e fortifikimit antik, si dhe zbulimin tërësor të kishës mesjetare.

Gjatë muajit shtator vizitorët në parkun arkeologjik të Orikut kanë mundësinë të ndjekin nga afër punën e arkeologëve dhe zbulimet e reja arkeologjike.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl para Krishtit, në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V para Krishtit, si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnjë), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore./atsh

Orik/ Zbulime të reja arkeologjike në qytetin antik, vizitorët ndjekin punën e arkeologëve Read More »

Klosi: Shqipëria, destinacioni me më shumë të ardhme në tregun turistik europian

Në stadiumin e futbollit të qytetit të Sarandës ka nisur prej kohësh puna përgatitore, që i hap rrugë investimit për ndriçim shtesë.

Ditën e sotme puna për këtë investim është konkretizuar me betonimin e armaturës së hekurt të bazamentit për 4 shtyllat, që do të fuqizojnë dukshëm sistemin e ndriçimit të stadiumit në të dy krahët e tij.

Bashkia e Sarandës shprehet se është për t’u vlerësuar dhe falënderuar mbështetja e ofruar nga biznesi vendas, për ta realizuar këtë investim me kosto sa më të ulët.

Me përfundimin e këtij investimi, krijohen kushte optimale e komode për t’u stërvitur në një hark kohor shumë më të zgjatur ekipet zinxhir, pa përjashtuar orët e mbrëmjes dhe natën dhe duke mos marrë kohën e njeri-tjetrit.

Për specialistët e futbollit dhe drejtuesit e tij në Sarandë, kjo do të thotë më shumë mundësi për të prekur kuota të reja masiviteti në këtë lloj sporti kaq popullor, nga do të dalë edhe elementi më cilësor.

Sipas tyre, ofrimi i një ndriçimi të tillë është një hap i rëndësishëm përpara dhe një nxitje për t’i dhënë jetë idesë për ngritjen e një Akademie të mirëfilltë të Futbollit në Sarandë, me pjesëmarrje të nxënësve më pasionantë dhe më rezultativë në sportin e futbollit./atsh

Klosi: Shqipëria, destinacioni me më shumë të ardhme në tregun turistik europian Read More »

Shqiptarët shpenzuan jashtë vendit rreth 700 milionë euro

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në gjysmën e këtij viti, rritja e turizmit nuk ishte vetëm në kahun hyrës, por edhe shqiptarët shpenzuan rreth 700 milionë euro për udhëtime jashtë vendit, duke thyer një rekord të ri historik për këtë sezon veror.

Sipas statistikave në bilancin e pagesave, paratë që janë shpenzuar jashtë vendit kryesisht për udhëtime turistike, nga janari deri në qershor 2019 arritën vlerën e 697 milionë eurove.

Ndërsa për sezonin e verës, transfertat jashtë vendit për këtë qëllim arritën 425 milionë euro, duke thyer një tjetër rekord historik.

Tendenca për të pushuar më shumë jashtë vendit, është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Vetëm vitin e shkuar shtetasit shqiptarë shpenzuan jashtë vendit rreth 1 miliard e 382 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, vitin e shkuar, hyrjet dhe daljet e tyre në kufi regjistruan shifrën e 8 milionë e 300 mijë lëvizjeve, ndërsa udhëtimet përmes ajrit u rritën me 10%. /atsh

Shqiptarët shpenzuan jashtë vendit rreth 700 milionë euro Read More »

Kartëmonedhat ndryshojnë pamje, Banka e Shqipërisë prezanton serinë e re

Banka e Shqipërisë prezantoi serinë e re të kartëmonedhave shqiptare, në një ceremoni të veçantë të organizuar me këtë rast. Sipas Bankës së Shqipërisë, prezantimi i kësaj serie përbën një ngjarje shumë të rëndësishme, një moment të veçantë, jo vetëm për Bankën e Shqipërisë, por për gjithë shtetin shqiptar.

Pas më shumë se 20 vite nga fillimi i hedhjes në qarkullim të serisë aktuale të kartëmonedhave Lek, seria e re vjen me një dizajn të rifreskuar, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë, me standarde të kartëmonedhave të vendeve më të përparuara. Kjo seri është prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës, me elemente të reja sigurie, duke i bërë ato më të sigurta ndaj falsifikimit.

Seria e re e kartëmonedhave shqiptare ruan të njëjtën tematikë me kartëmonedhat ekzistuese, si një tematikë e gjithëpranuar nga publiku, por duke e risjellë atë më të freskët në ngjyra e konfigurim.

Kjo tematikë evokon disa prej momenteve më të rëndësishme të historisë së kombit, zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politik të vendit, përfaqësuar nga personalitete të spikatura, me kontribute të rëndësishme për Shqipërinë. Portretet e këtyre personaliteteve janë kombinuar në kartëmonedha me motive që lidhen me jetën, veprën, vendin dhe epokën në të cilën secila figurë ka jetuar.

Ndërkohë, pamja e serisë së re përfaqëson evoluim dhe përmirësim të dizajnit të përgjithshëm dhe elementeve specifike të paraqitura në to, duke u kujdesur për një ekuilibër midis modernes dhe traditës.

Seria e re e kartëmonedhave shqiptare përbëhet nga 6 prerje: 200 Lekë, 500 Lekë, 1000 Lekë, 2000 Lekë, 5000 Lekë dhe 10000 Lekë. Hedhja në qarkullim e kësaj serie planifikohet të bëhet gradualisht sipas këtij rendi: kartëmonedhat 200 Lekë dhe 5000 Lekë do të hidhen në qarkullim duke filluar nga data 30 shtator 2019; kartëmonedhat 10000 Lekë dhe 1000 Lekë do të hidhen në qarkullim duke filluar nga viti 2020; kartëmonedha 2000 Lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2021; kartëmonedha 500 Lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2022.

Seria e re sjell për herë të parë një kartëmonedhë në polimer, atë 200 Lekë. Polimeri është një material plastik dhe përfaqëson një inovacion në industrinë e prodhimit të parasë, duke qenë më rezistent në përdorim se letra. Përgjithësisht, kartëmonedhat me vlerë nominale të ulët janë ato që kanë normë më të lartë konsumi nga përdorimi, ndaj përdorimi i një materiali më rezistent për to ka rezultuar më eficient.

Kartëmonedhat ekzistuese, të të gjitha prerjeve, do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja. Ato do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor dhe të shërbejnë si mjet pagese. /atsh

Kartëmonedhat ndryshojnë pamje, Banka e Shqipërisë prezanton serinë e re Read More »

Shqiptari zgjidh problemin në Suedi mesazh kryeministrit, Rama: Nuk të pyeta për kë voton

Një emigrant shqiptar në Suedi, pas një mesazhi drejtuar kryeministrit Edi Rama, zgjidhi problemin në lidhje me mosshërbimin nga ana e Ambasadës shqiptare në Stokholm.

“Po ju shkruaj nga Suedia, shtetas shqiptar jam, shkova në Ambasadën shqiptare këtu në në Stokholm për dëmtim pasaporte. Zero shërbim dhe njerëz të paedukatë”, i shkruan emigranti Kryeministrit.

Pasi iu zgjidh problemi, emigranti i rishkroi kryeministrit Rama. “Jam ai djali që të shqetësova në lidhje me problemin me pasaportën në Suedi. Falë teje jam kontaktuar direkt nga Ministria e Jashtme, pastaj jam kontaktuar me ambasadorin këtu në Suedi, dhe morëm një rrugëzgjidhje. Të kam 3 vota borxh”, shprehet emigranti.

Në komunikim me emigrantin në Suedi, kryeministri Rama i ktheu përgjigje duke u shprehur: “Nuk të pyeta për kë voton e as më ke borxh ndonjë votë! Rëndësi ka që mbarove punë”./atsh

Shqiptari zgjidh problemin në Suedi mesazh kryeministrit, Rama: Nuk të pyeta për kë voton Read More »

Lufta ndaj Informalitetit, Braçe: Deklarimi i shitjeve, rritje në përqindje dyshifrore për gushtin

“Gjatë muajit gusht deklarimi i shitjeve është rritur me përqindje dyshifrore, ashtu se siç mund të themi në tregun e shitjes me pakicë të karburanteve deklarimi për muajin gusht, rezulton të jetë rritur me 40-45%”, deklaroi në emision televiziv, zv.kryeministri Erion Braçe, ndërsa theksoi se do të adoptojmë një sistem të ri monitorimi në çdo pikë karburanti.

“Kaq mjafton se kushtet e paligjshmërisë në transaksionet tregtare në treg kanë qenë të larta, për fat të keq kjo është një situatë paligjshmërie që nuk vjen vetëm nga operatorë ekonomikë, ka qenë e dyanshme mes operatorëve ekonomik dhe elementëve të korruptuar të administratës fiskale, qoftë në dogana, qoftë në tatime, ashtu siç janë edhe elementë të tjetër që kanë marrë të drejtën koncesionare për të kryer shërbime në këtë fushë, përfshirë kompanitë e kasave fiskale apo kompani të tjera që kanë operuar në treg të pa regjistruar në organet fiskale, duke ofruar shërbime kriminale duke e nxjerrë të gjithë sistemin jashtë regjimeve të përcaktuar me ligj”, shprehet ai.

Në lidhje me situatën e informalitetit, Braçe tha se ne jemi përqendruar te tregjet e mëdha dhe kompanitë e mëdha.

“Nuk jemi marrë me biznesin e vogël për arsyen themelore se ne jemi përqendruar aty ku aktiviteti është më i madh dhe natyrisht dhe përfitimet janë më të mëdha, kështu jemi marrë gjerësisht me tregun e karburanteve që është një treg i madh. Natyrisht nuk kemi bërë gjithçka në këtë treg pasi ka veprimtari kriminale dhe po merren organet e specializuara Ne do t’i shkojmë deri në fund luftës ndaj paligjshmërisë në këtë treg. Nga ana tjetër po mundohemi të adoptojmë një sistem gjurmimi të çdo pike karburanti, jo vetëm për të mbrojtur nga pikëpamja fiskale buxhetin e shtetit por për të mbrojtur qytetarët nga mishelimi, por dhe sasisë që u shitet qytetarëve. Ky sistem i ri që ne po mundohemi që në një periudhë afatshkurtër ta adoptojmë në të gjithë territorin e vendit”, tha ai.

Në lidhje me ndërhyrjet për sa i përket luftës kundër informalitetit, Braçe thotë se askush nuk duhet t’i bjerë telefonit. “Iu kushton më lirë të paguajnë detyrimet e shtetit dhe të jenë të ligjshëm, sesa të paguajnë inspektorët e karburantit, pasi do të përballen me ligjin”, tha ai, duke shtuar se përgjatë muajve cilësia e karburantit do të jetë më e mirë fal adoptimit të sistemit të ri.

Për sa i përket luftës kundër informalitetit në sezon turistik, Braçe tha se kjo luftë nuk është kundër njerëzve.

“Njerëzit duhet të kuptojnë se kjo nuk është kundër njerëzve, është në favor të tyre. Është shumë e qartë që transaksionet nga operatoret ekonomik shkojnë në buxhetin e shtetit dhe i kthehen qytetarëve në investime publike, pagat, shëndetësi, pensione arsim. Tre muaj rresht mars, prill dhe maj të gjithë punonjësit e organeve fiskale kanë qenë pranë sipërmarrjes, dhe pikërisht në këto sipërmarrje ku kemi zhvilluar aksionin gjatë muajve të verës, si dhe i kanë njoftuar”, tha ai. /atsh

Lufta ndaj Informalitetit, Braçe: Deklarimi i shitjeve, rritje në përqindje dyshifrore për gushtin Read More »

Kryemadhi me ambasadorin e ri gjerman: Nevojë për të tejkaluar krizën

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, ka zhvilluar ditën e sotme një takim ambasadorin e ri të Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf.

Kryemadhi u shpreh se i ka përcjellë ambasadorit falënderimet dhe ndjenjat e konsideratës më të lartë për mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë për afrimin e rajonit me Bashkimin Europian, e në veçanti për mbështetjen e Shqipërisë përmes investimeve nga Banka Gjermane për Zhvillim, KfW dhe projekteve zhvilluese nga GTZ.

Gjatë takimit, sipas Kryemadhit, ka nënvizuar nevojën e Shqipërisë për të tejkaluar sa më parë krizën aktuale, për t’i hapur vendit rrugën drejt Bashkimit Europian.

”Të majtë e të djathtë duan që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Integrimi në BE është i rëndësishëm për familjet shqiptare, pasi do të shtojë mundësitë për punësim të mirëpaguar, do të rrisë cilësinë në arsimim dhe shëndetësi, e do të përmirësojë standardet e jetesës në Shqipëri. LSI ka objektiv të saj Integrimin e Shqipërisë në BE. Gjithashtu i shpreha vlerësimin për kontributin e qeverisë gjermane për hartimin e Reformës në Drejtësi. LSI kërkon që Reforma në Drejtësi të vazhdojë përpara me integritet, ashtu siç është shkruar në Kushtetutë, e cila është miratuar unanimisht nga 140 përfaqësuesit e popullit në Kuvend”, tha Kryemadhi./atsh

Kryemadhi me ambasadorin e ri gjerman: Nevojë për të tejkaluar krizën Read More »