Irina

Dita e Pavarësisë/ Ceremoni solemne në Vlorë, 1 minutë heshtje për viktimat e tërmetit

Dita e Flamurit mblodhi sot në Vlorë autoritetet më të larta shtetërore në një ceremoni solemne me rastin e 107-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Flamuri Kombëtar u ngrit në mënyrë ceremoniale në Sheshin e Flamurit, në praninë e Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, ku u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të jetëve të humbura nga tërmeti që goditi vendin.

Në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti Meta u shpreh se, “sot nuk është një ditë për t’u festuar, por është dita për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar, Ditën e Pavarësisë dhe të krijimit të shtetit tonë”.

“Nderimi më i mirë që mund t’i bëjmë këtij 28 Nëntori dhe të gjithë sakrificave të etërve të Pavarësisë sonë, që kaluan sprova shumë herë më të rënda dhe më të vështira, për të garantuar mbijetesën e kombit dhe ndërtimin e shtetit, është që të vazhdojmë të angazhohemi për të shëruar sa më parë të jetë e mundur plagët e gjithë atyre familjeve që janë dëmtuar në një mënyrë të jashtëzakonshme nga tërmeti”, tha Meta.

Njëkohësisht, shtoi ai, “duhet të jemi sa më pranë të gjithë atyre familjeve që kanë humbur të afërmit dhe të dashurit e tyre më të shtrenjtë në këto ditë, për të përballuar këtë dhimbje, por dhe për të parë me besim tek e ardhmja, në mënyrë që të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre, që u goditën drejtpërdrejt nga tërmeti dhe po vuajnë pasojat e tij, të rifillojnë sa më shpejt jetën normale”.

Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se, “Politika duhet të jetë gjithmonë bashkë për çështjet më të rëndësishme të vendit, të shtetit, të popullit dhe të bashkëjetesës sonë shoqërore dhe demokratike. Aq më tepër për të përmbushur një mision, të cilit nuk i jemi afruar në vitet e fundit, siç është ai i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që është një aspiratë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, e të gjithë forcave politike dhe e mbarë kombit tonë.”/atsh

Dita e Pavarësisë/ Ceremoni solemne në Vlorë, 1 minutë heshtje për viktimat e tërmetit Read More »

Rama paralajmëron portalet: Stop me lajme të rreme që hapin panik

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtëzakonshme, se “do të jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me lajme të rreme që hapin panik”.

“Në këtë situatë të jashtëzakonshme, ku duhet matur çdo fjalë është e patolerueshme që të publikohen sharlatanizma delirantësh vendas a të huaj apo të shtrembërohen, sipas avazit të zakonshëm, prononcimet e shpjegimet e arsyeshme të ekspertëve! Stop dhe Stop tani! Menjëherë!!!”, tha Rama./atsh

Rama paralajmëron portalet: Stop me lajme të rreme që hapin panik Read More »

Bashkia Vlorë nderon zjarrfikësin hero që luftoi me gërmadhat e tërmetit

Luan Kapaj, drejtuesi i skuadrës së zjarrfikëses nga Vlora që mori pjesë së bashkë me të tjerët në operacionin e kërkim shpëtimit të banorëve të Thumanës nën rrënoja është nderuar nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli me titullin ‘Mirënjohja e qytetit’.

“Nuk mund të lija pa vlerësuar heroizmin tuaj, prandaj sot i jap Luan Kapajt titullin mirënjohje e qytetit të Vlorës si drejtues i zjarrfikëseve së Vlorës që sfidoi jetën për nxjerrjen nga rrënojat të jetëve që kërkojnë shpëtim duke u kthyer në simbol heroizmi. Do të shërbejë si burim frymëzimi për qytetarët e Vlorës dhe Durrësit. Tërmeti i jashtëzakonshëm, Luani ishte i pari që nuk pyeti, na bëri krenarë” tha Leli.

Ndërsa Luan Kapaj u shpreh se “ne jemi të betuar që jetën do ta lëmë dhe jetën e njerëzve do ta shpëtojmë’./atsh

Bashkia Vlorë nderon zjarrfikësin hero që luftoi me gërmadhat e tërmetit Read More »

Rama: Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit

“Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit”, shprehet Kryeministri Edi Rama, në kuadër të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.

“Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudoqofshin pa asnjë dallim”, shprehet Rama.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave e thirrur gjatë situatës emergjente të krijuar nga tërmetet në vend, kryeministri Rama bëri të ditur se “dy ditët e rëndësishme të kalendarit të vendit tonë, 28 dhe 29 Nëntori nuk mund të jenë ditë me përmbajtje festive, por me të gjithë solemnitetin e nevojshëm dhe domosdoshmërinë për të mos e shkëputur asnjë sekondë vëmendjen nga situata akute aktuale. Prandaj, unë besoj se meritojnë të shihen dhe të përjetohen si dy ditë solidariteti kombëtar, ku respekti për të shkuarën që ato mishërojnë të njehsohet me kontributin e gjithkujt që ka në zemër nevojën për të kontribuar në funksion të lehtësimit, kurimit dhe shërimit të plagëve të mëdha që ka hapur kjo tragjedi”. /atsh

Rama: Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit Read More »

Tërmeti i 26 nëntorit/ 37 viktima, pas nxjerrjes së 3 trupave të pajetë në orët e para të mëngjesit në Thumanë

37 është numri i viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit, pas 3 trupave të nxjerrë nga rrënojat në Thuamën rreth orës 4 të mëngjesit.

Aktualisht në Thumanë operacioni i kërkim-shpëtimit është ndërprerë pasi nuk ka informacion për trupa të tjerë nën rrënoja.

Bilanci i viktimave të tërmetit u rëndua pasditen e djeshme pas nxjerrjes nga rrënojat nga ekipet e kërkim-shpëtimit të trupave të pajetë të Griselda Lalas, 22 vjeç dhe rreth orës 19 të mbrëmjes edhe trupat e dy viktimave, të identifikuar si Dolora dhe Klaus Reçi, nënë e bir.

Ndërkaq, bëhet e ditur se qytetarët, kompanitë, bizneset që duan të kontribuojnë për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, mund të kontaktojnë numrat e mëposhtëm:

04 22 22 223

04 22 28 250

0688046664

Këta numra janë në dispozicion 24 orë për këdo që kërkon informacion mbi pikën e grumbullimit të ndihmave në rezervat e shtetit dhe në komandën mbështetëse të Forcave të Armatosura me qendër në Vaqar por edhe pika të tjera që po ngrihen në Tiranë, Durres e qytete të tjera. /atsh

Tërmeti i 26 nëntorit/ 37 viktima, pas nxjerrjes së 3 trupave të pajetë në orët e para të mëngjesit në Thumanë Read More »

Kryeministri shpreh anën më njerëzore: Të gjithë të prekurit e tragjedisë, si Gregori im

Me pamje nga rrënojat e frikshme të tërmetit shkatërrimtar ku edhe gjatë orëve të natës vijon pa ndërprerje operacioni për shpëtimin e jetëve njerëzore, kryeministri Edi Rama ka treguar si rrallë herë ndjeshmërinë e tij sa njerëzore aq edhe të përgjegjësisë së detyrës të cilat nuk i ka fshehur përballë një pyetjeje të fundit, pak më personale gjatë një interviste televizive.

“Flasim për impaktin njerëzor që ka sjellë kjo katastrofë edhe te ju. Lexova një status shumë të ndjerë të djalit tuaj, Gregut. Duket se kjo tragjedi ka prekur edhe njerëz të afërt me familjen tuaj”, iu drejtua gazetari Kryeministrit, por ky i fundit nuk ka dashur të personalizojë tragjedinë, as kur është fjala për djalin e tij, kur tha se në këtë fatkeqësi për kryeministrin e Shqipërisë të gjithë mund të ishin Gregu.

“Nuk dua të flas për gjëra që lidhen me aspekte personale apo qoftë dhe të djalit. Unë sot jam në një pozitë që ndoshta është e pamundur ta shpjegoj. Ndoshta është shumë e vështirë të kuptohet, ndoshta shumëkush nga ata që dinë politikën një mizerabilitet, apo një instrument për të vjedhur dhe që kujtojnë se të gjithë jemi njëlloj dhe që kujtojnë se unë rri këtu dhe po jap mish e shpirt për lekë, nuk mund ta kapë, por ndjesia ime shumë e fortë është që sot unë i kam të gjithë këta njerëz të prekur si Gregun,” u shpreh Rama, duke shfaqur anën njerëzore dhe shprehjen e kësaj ndjeshmërie përpara të gjithë shqiptarëve, sidomos kur është fjala për një tragjedi me një përmasë të tillë. /atsh

Kryeministri shpreh anën më njerëzore: Të gjithë të prekurit e tragjedisë, si Gregori im Read More »

Shqipëria në zi kombëtare, Rama: Përmasa të jashtëzakonshme të tragjedisë, mori 24 jetë njerëzish

Qeveria miraton sot shpalljen ditë zie kombëtare të kësaj të mërkure që vjen me një bilanc tragjik jetësh të humbura për shkak të tërmetit të fuqishëm që goditi vendin mëngjesin e djeshëm. Kryeministri Edi Rama njoftoi marrjen e vendimit në mbledhjen e qeverisë të thirrur për të bërë bilancin e situatës së pas tërmetit, prej të cilt janë konfirmuar deri tani 24 viktima.

“Sot, qeveria do të miratojë vendimin për ditën e zisë kombëtare dhe duhet të shpjegoj se kjo ditë duke qenë se pararend dy ditët e festave kombëtare 28 dhe 29 na e ka bërë të pamundur që të ishte më shumë sesa një ditë zie. Duhet të ishin tre ditë zie kombëtare duke pasur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të kësaj tragjedie që ka marrë 24 jetë njerëzish, një bilanc që sipas të gjitha gjasave nuk do mbetet me kaq. Kjo na e ka pamundësuar të vendosim flamurin kombëtar në gjysmështizë në 28 e 29 nëntor sikundër është normë ndërkombëtarisht e afirmuar se asnjëherë në ditët kombëtare të vendeve nuk mund të ketë zi”, theksoi ai.

Kjo, sipas tij, pasi janë ditë që kanë brenda kujtime të lidhura me jetë të dhëna për atdheun, por është e mirëkuptueshme që në këto rrethana dy ditët më të rëndësishme të kalendarit të vendit tonë 28 29 nëntor nuk mund të jenë ditë me përmbajtje festive.

“Me gjthë solemnitetin e nevojshëm dhe domosdoshmërinë për të mos e shkëputur vëmendjen nga situata aktuale, ditët meritojnë të shihen e të përjetohen si dy ditë solidariteti kombëtar ku respekti për të shkuarën që ato mishërojnë të njehsohet me kontributn e gjithkujt që ka në zemër nevojën për të kotribuar në lehtësimin e të plagëve të mëdha që ka hapur kjo tragjedi”, tha kryeministri Rama. /atsh

Shqipëria në zi kombëtare, Rama: Përmasa të jashtëzakonshme të tragjedisë, mori 24 jetë njerëzish Read More »

Bilanci tragjik nga tërmeti/ 24 të plagosur, 657 të plagosur dhe 45 jetë të shpëtuara nga rrënojat

Tërmeti që goditi vendin mëngjesin e së martës ka një bilanc tragjik me deri tani 24 të vdekur, 657 të lënduar dhe fatmirësisht deri tani edhe 45 jetë të shpëtuara nga rrënojat.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, ndërsa e cilësoi tërmetin shkatërrimtar për mijëra familje dhe sfidues për shoqërinë, shtetin, qeverinë dhe në tërësi për kombin tonë.

Kryeministri nënvizoi reagimin e menjëhershëm domethënës të të gjithë kryeministrave. Po ashtu, Rama vlerësoi reagimin e menjëhershëm të trupave të emergjencave civile, të Policisë së Shtetit, të FA-së, zjarrfikëseve dhe Urgjencës Shëndetësore Kombëtare.

“Në fund të një 24-orëshi që ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit me uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike. Dua që t’u shpreh të gjithë mirënjohjen, respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në vijën e parë të frontit të kësaj përballjeje me një fatkeqësi të përmasave të jashtëzakonshme, që nga ata të cilët rrezikuan jetën e tyre, duke shpëtuar jetë të mbetura pezull në fije të perit, deri tek ata që pritën dhe trajtuan në gjithë infrastrukturën e ngritur të shërbimit shëndetësor me qindra të plagosur, ndër të cilët një numër i vogël në kushte rreziku për jetën”, tha Rama. /atsh

Bilanci tragjik nga tërmeti/ 24 të plagosur, 657 të plagosur dhe 45 jetë të shpëtuara nga rrënojat Read More »