Irina

Homazhe në nderim të figurës së ish-deputetit, Azem Hajdari

Në 12 shtator të vitit 1998, u vra në Tiranë deputeti Azem Hajdari, ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik.

Në nderim të figurës së tij, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kuvendi organizoi sot homazhe në varrin e ish- deputetit Azem Hajdari te Varrezat e Dëshmorëve, në Tiranë ku morën pjesë përfaqësues nga të gjitha grupimet parlamentare.

Ka qenë e bija e Azem Hajdarit, deputetja Rudina Hajdari së bashku me deputetë të opozitës parlamentare që kanë vendosur kurora me lule në varrin e Azem Hajdarit.

Në homazhe ishte e pranishme edhe nën/kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi e cila vendosi një kurorë me lule në varrin e Hajdarit, ndërsa shoqërohej dhe nga shumë deputetë.

Ndërsa Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vendosi kurora me lule te memoriali i Azem Hajdarit.

“Sot ishte një detyrim për ta nisur ditën me nderimin e kujtimit të përjetshëm të veprës së Azem Hajdarit, udhëheqësit të Lëvizjes Studentore, që solli demokracinë dhe pluralizmin politik në Shqipëri. Përulje me mirënjohje e respekt para kontributit të jashtëzakonshëm të Azem Hajdarit, për rivendosjen e Shqipërisë në rrugën e duhur të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut, pluralizmit politik dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kolonat vertebrore të çdo sistemi demokratik që duhen mbrojtur me çdo çmim nga të gjithë”, u shpreh Meta.

Edhe Partia Demokratike do të zhvillojë në orën 10:00 një ceremoni përkujtimore pranë memorialit ndërsa në orën 10:45 do të zhvillohet ceremonia përkujtimore tek varrezat e dëshmorëve.

Azem Hajdari ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas periudhës së diktaturës. Hajdari është nderuar me një sërë medaljesh presidenciale.

Hajdari u vra pak metra larg ish-selisë së PD-së, më 12 shtator 1998, dhe bashkë me të mbeti i vrarë edhe Besnik Çerja, ndërsa u plagos një tjetër truprojë e tij./atsh

Homazhe në nderim të figurës së ish-deputetit, Azem Hajdari Read More »

Studentët që studiojnë në SHBA, ambasada publikon rregullat për rinovimin e vizës

Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar sot mbi procedurat që duhet të ndjekin të gjithë studentët që studiojnë në SHBA dhe që duhet të rinovojnë vizën.

Ambasada sqaron se nuk është e nevojshme që studentët të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të rinovuar vizën, pasi për sa kohë që studentët frekuentojnë rregullisht Universitetin, ata mund të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara edhe nëse viza iu ka skaduar.

“Mbajtës të vizave studentore. Nuk është e nevojshme të bëni gjithë atë udhëtim për në Shqipëri gjatë pushimeve verore vetëm për të rinovuar vizën tuaj. Për sa kohë që frekuentoni rregullisht universitetin tuaj, ju mund të qëndroni në Shtetet e Bashkuara edhe nëse viza ju ka skaduar. Gjithsesi, nëse largoheni nga Shqipëria dhe viza juaj është duke skaduar, sigurohuni që të caktoni një takim për ta rinovuar vizën. Planifikoni në kohë”, thuhet në njoftimin e ambasadës./atsh

Studentët që studiojnë në SHBA, ambasada publikon rregullat për rinovimin e vizës Read More »

Ceremoni përkujtimore për Azem Hajdarin, Basha: Amaneti dhe sakrifica e tij, përjetë shembull frymëzimi

Partia Demokratike zhvilloi sot homazhe në memorialin e Azem Hajdarit, i cili u vra në 12 shtator të vitit 1998 në Tiranë.

Të pranishëm në ceremoninë përkujtimore ishin drejtuesit më të lartë të PD si dhe familjarë të Azem Hajdarit.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas ceremonisë përkujtimore në memorialin e Azem Hajdarit, ku vendosi kurorë me lule, deklaroi se amaneti dhe sakrifica e tij janë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane.

“Sot shqiptarët nderojnë Azem Hajdarin, liderin e lëvizjes studentore të ’90, që u vra mizorisht nga kriminelët e veshur me uniformën e shtetit”, tha Basha.

“Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane dhe demokratike, ku qytetarët janë zotë të fateve të tyre me një politikë të ndarë nga krimi, ku kriminelët të jenë para drejtësisë dhe pas hekurave dhe fatet e vendit të merren me përgjegjësi të plotë nga ata që shqiptarët i gjykojnë me votë të lirë dhe të ndershme”, u shpreh ai.

“Sot në këtë 21 vjetor akoma është aktuale plaga e hapur, krimi vijon që të ketë mbrojtjen dhe postet shtetërore”, theksoi kreu i PD.

E sotmja, shtoi Basha, “është po kështu edhe një thirrje për bashkim mes të gjithë shqiptarëve të ndershëm, demokratëve dhe socialistëve të ndershëm që kurrë nuk e kanë pranuar politikën e lidhur me krimin dhe vjedhjen me ligj si politikën e vetme për t’u bërë bashkë për të hapur rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa”.

“Ka ardhur koha që rinia shqiptare ta mbyllë tranzicionin dhe të hapë rrugën e vlerave, demokracisë, lirisë dhe barazisë para ligjit. Ky është nderimi më i madh për Azem Hajdarin dhe qindra të tjerë”, tha ai.

Më pas Basha dhe drejtuesit më të lartë të PD u drejtuan në varrezat e dëshmorëve ku zhvilluan homazhe në varrin e Azem Hajdarit./atsh

Ceremoni përkujtimore për Azem Hajdarin, Basha: Amaneti dhe sakrifica e tij, përjetë shembull frymëzimi Read More »

Marrëveshja për pensionet/Përfitojnë dhe shqiptarët me dy shtetësi që kanë lëvizur drejt Kandasë

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko theksoi sot se falë marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kandasë për mbrojtjen shoqërore, përfitojnë dhe ata shtetas shqiptarë me dyshtetësi që lëvizin nga shtete të tjera drejt Kanadasë.

Majko tha se, “me urdhër të kryeministrit është krijuar një koordinator shtetëror vetëm për çështjen e marrëveshjeve për pensionet. Ky është zv/ministri i jashtëm. Një delegacion permanent i ministrisë së jashtme me ministrinë e Financave dhe sigurisht dhe nga Agjencia e Diasporës diskuton në komunikim me kancelaritë përkatëse për marrëveshjet”.

Këto tha Majko, “nuk janë marrëveshje të lehta. Për disa shtete si Italia dhe Greqia kanë kosto të jashtëzakonshme. Këto marrëveshje kanë rëndësi jo vetëm për numrin matematikor të prezencës tonë atje, pra të shtetasve tanë që kanë edhe dokumente kanadeze. Por kjo ka rëndësi sepse krijon hapësira ligjore për mbrojtjen e emigrantëve tanë, përveç se në Kanada edhe në vende të tjera me të cilët të dy vendet kanë marrëveshje dypalëshe”.

“Ka shumë sot shtetas italianë me kombësi shqiptare, pra që kanë dy shtetësitë apo nga Greqia që kanë shkuar në Kanada. Përshembull ne kemi marrëveshjen me Zvicrën. E njëjta gjë ndodh kur shtetasit tanë nga Greqia shkojnë në Zvicër. Përfitojnë pension dhe këtë e merr ndërmjet shtetit zviceran. Edhe me këtë marrëveshje kush shtetas shqiptar me letra greke ka shkuar për në Kanada është një përfitues”, u shpreh ministri Majko.

Pra, theksoi ai, “ne e kemi futur në sistem kapilar të gjithë këtë histori. Duhet ta shikojmë sepse kam përshtypjen që ndonjëherë duket sikur janë si puzzle, Kanadaja dhe vetëm atje, vetëm Zvicra dhe vetëm atje, Gjermania dhe vetëm atje, vetëm Austria. Jo në fakt këtu është një sistem kapilar që është shumë i rëndësishëm të ndiqet hap pas hapi. Dhe ne jemi duke e ndjekur., një herë në tre muaj bëhet raportimi dhe çohet në Komitetin Shtetëror të Diasporës. Dhe jemi të gatshëm të ofrojmë çfarëdolloj informacioni”./atsh

Marrëveshja për pensionet/Përfitojnë dhe shqiptarët me dy shtetësi që kanë lëvizur drejt Kandasë Read More »

Planifikimi i koronarografisë, ulet me tri javë në rang vendi

Për rastet e planifikuara, radha e koronarografisë është ulur në rang vendi në 3 javë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thekson se për urgjencat kardiake, shërbimi jepet 24 orë në shtatë ditë Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

“Punë e shkëlqyer e ekipit mjekësor në Shkodër ku po ofrohet shërbimi i koronarografisë për rajonin e veriut.4 qendrat e hemodinamikës në vend kanë mundësuar shërbimin në kohë, në cilësi, afër vendbanimit, falas për qytetarët”, -thotë Manastirliu.

Më tej, ministrja nënvizon se “për rastet e planifikuara, radha e koronarografisë është ulur në rang vendi në 3 javë”./atsh

Planifikimi i koronarografisë, ulet me tri javë në rang vendi Read More »

Marrëveshja Shqipëri-Katar për transportin detar, Balluku: Nxit tërheqjen e kompanive për investime

“Shqipëria ka një marrëveshje në fushën e transportit ajror me shtetin e Katarit dhe thellimi i bashkëpunimeve midis dy vendeve është në interes mjaft të madh për vendin tonë”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë seancës së sotme parlamentare lidhur me ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Katarit për transportin detar.

Balluku theksoi se “shteti i Katarit është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë për gazin natyror të lëngëzuar dhe duke patur në konsideratë që jemi duke punuar për gazifikimin e vendit një nga fushat e bashkëpunimit të ardhshëm mund të jetë edhe në sektorin e hidrokarbureve”.

“Marrëveshje të tilla lehtësuese mund të nxisin tërheqjen e kompanive të gazit të Katarit për të investuar në infrastrukturën dhe importin e përdorimit të gazit natyror në Shqipëri”, u shpreh Balluku.

Ajo shtoi se, “sikundër transporti rrugor dhe ai ajror, transporti detar efikas dhe me kosto të ulët luan një rol thelbësor në zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshme të vendeve, veçanërisht atyre në zhvillim siç është dhe Shqipëria”.

“Ftoj të gjithë të miratojnë projektligjin për “Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Katarit për transportin detar”, pasi transporti detar është shtylla e tregtisë globale dhe nëpërmjet marrëveshjeve të tilla krijohen lehtësira për mbarëvajtjen dhe maksimizimin e përfitimeve prej tij”, përfundoi ministrja Balluku./atsh

Marrëveshja Shqipëri-Katar për transportin detar, Balluku: Nxit tërheqjen e kompanive për investime Read More »

Deputetë të opozitës kthehen në shenjë demonstrative në parlament

Disa deputetë të opozitës janë rikthyer në shenjë demonstrative në punë, në Westminster, megjithë pezullimin e parlamentit britanik, pas vendimit të gjyqtarëve skocezë që e konsideruan si të paligjshëm vendimin e qeverisë së Boris Johnson për mbyllje të përkohshme të parlamentit deri më 14 tetor.

Protesta filloi me një tubim deputetësh përpara në hyrje të ndërtesës parlamentare.

Midis tyre ndodheshin edhe dy presidentë komisionesh laburistë, Hilary Benn dhe Meg Hillier si dhe udhëheqësi demokrat-liberal, Jo Swinson, të gjithë anti-Brexit.

Për më tepër, qeveria ka përsëritur gatishmërinë e saj për të mos bërë hapa pas dhe të mos mbledhë Dhomat, para vendimit përfundimtar të Gjykatës Supreme për ankesën kundër akt-vendimit skocez./atsh

Deputetë të opozitës kthehen në shenjë demonstrative në parlament Read More »

Basha paralajmëron deputetët që do të rrëzojnë dekretet e Metës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi sot deputetët që do të votojnë pro rrëzimit të dekreteve të Presidentit Meta që ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend disa ligje, sikurse atë për “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”, për koncesionin e rrugës Orikum – Llogara, Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat si dhe për koncesionin e rrugës Milot – Balldren.

Në një deklaratë për mediet, Basha tha se emrat e deputetëve do të mbahen shënim dhe ata do të hetohen nga Antimafia.

“Dua të paralajmëroj çdo anëtar të seancës që ngre dorën për të miratuar vjedhjen me ligj se nesër do të jetë subjekt i ligjit Antimafia. Sot po ju vëzhgojmë dhe do ju mbajmë shënim emrat. Nesër do ju ndjekim këmba-këmbës. Çdo qindarkë dhe çdo pronë do të jetë nën lupën e ligjit Antimafia dhe të SPAK-ut”, tha Basha.

Ndërsa denoncoi votimin sot në parlament për koncesionin e rrugëve Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren të cilën e konsideroi si grabitjen më të madhe në 30 vite, Basha tha se koncesionet e pastrimi masiv i parave në ekonomi, përbëjnë rrezik për destabilizimin e vendit, për sigurinë kombëtare dhe për ndalimin e integrimit europian të vendit.

Basha tha se të gjithë personat, duke nisur nga punonjësi më i thjeshtë e deri te kryeministri do i nënshkruhen ligjit Antimafia, në bashkëpunim me SPAK e BKH.

“I vetmi përjashtim është vjedhja e grabitja e pasurive të shqiptarëve. Çdo akt, çdo veprim e çdo firmë e Ramës, ka për qëllim grabitjen e shqiptarëve. Pasojat e aktivitetit kriminal janë shkatërrimtare për vendin për buxhetin për pasuritë kombëtare dhe kanë pasoja të rënda politike, në kapjen e pushtetit nga krimi, destabilizimin e vendit. Koncesionet korruptive kanë sjellë dëme kolosale, qindra miliarda euro të grabitura, të gjitha paratë e buxhetit po kontraktohen nga Rama për 15-20 vitet e ardhshme, do të shkojnë në xhepat e Ramës apo 4 – 5 oligarkëve të lidhur me të”, tha Basha.

Kreu i PD theksoi se, dëmi është i pallogaritshëm edhe në ekonomi. “Dëmi është i pallogaritshëm edhe në fushën e ekonomisë, po zhvendosen nga tregu bizneset e ndershme, për të vendosur monopolet”.

“Bashkë me paralajmërimin që i drejtoj sot parlamentit të cunguar dhe çdo anëtari të këtij parlamenti e bëj të qartë se nuk ka gjë më të rëndësishme se zhdukja e ndikimit e pasojave kriminale me të cilën Rama ndan plaçkën e vjedhur shqiptarëve. Hetimi në nivel i korrupsionit të lartë, është prioritet absolut, çdo kontratë do të konsiderohet vepër penale dhe do t’i nënshtrohet ligjit Antimafia në bashkëpunim me SPAK e BKH. Çdo kompani private e person privat publik i përfshirë në këto afera, nga më i thjeshti deri te kryeministri do i nënshtrohen hetimit të pasurisë e të ardhurave, të gjithë zyrtarë në detyrë ministra e ish-ministra që janë larguar pasi kanë mbushur xhepat, asnjë prej tyre nuk do i shpëtojë hetimit. Askush nuk do të shpëtojë. Të gjithë shqiptarët e dinë fare mirë se alternativa që kemi është ndëshkimi i tyre për të shpëtuar Shqipërinë. PD e ka bërë zgjedhjen e tyre, jemi në krah të shqiptarëve për të shpëtuar Shqipërinë”, theksoi Basha.atsh

Basha paralajmëron deputetët që do të rrëzojnë dekretet e Metës Read More »