Irina

Stërvitja e përditshme e Brandit, qenit policor që zbuloi njerëz nën rrënojat e tërmetit

Brandi është heroi me 4 putra i Policisë së Shtetit, dhe efikasiteti që ai tregoi në kërkimin e banorëve nën rrënojat që la pas tërmeti i 26 nëntorit, vjen nga një stërvitje e përditshme e mirorganizuar nga ana e trajnerëve të tij.

Policia e Shtetit publikoi sot pamje të stërvitjes së përditshme të Brandit, qenit që tashmë e njohin të gjithë nga transmetimet televizive të kërkimeve nën rrënojat e pallatit 6-katësh në Durrës, të rrëzuar nga tërmeti.

Ky nuk ishte misioni i parë i Brandit, pasi ai është përdorur për kërkimin e njerëzve të gjallë nën rrënoja edhe në shërbime të tjera më herët në Shkodër e Tiranë. /atsh

Stërvitja e përditshme e Brandit, qenit policor që zbuloi njerëz nën rrënojat e tërmetit Read More »

Koncert i artistëve në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, maratona e bamirësisë edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut

Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula organizoi mbrëmjen e sotme, koncertin humanitar me pjesëmarrjen e rreth 50 artistëve të njohur brenda dhe jashtë kufijve, me qëllim mbledhjen e fondeve për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit, titulluar “Nesër është një ditë e re”.

Koncerti u mbajt në në sallën pranë Katedrales së Kishës Ortodokse në Tiranë. Ftesës së sopranos iu bashkuan rreth 50 artistë nga fusha e muzikës dhe aktorë të shumtë të cilët përmes kësaj mbrëmjeje u solidarizuan për të mbledhur fonde në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

Këngëtari Albano Karizi dhe tenori i njohur shqiptar Saimir Pirgu u bashkuan me nismën përmes videomesazheve, sikundër edhe fotografi Fadil Berisha dhe artistë të tjerë që jetojnë jashtë kufijve. Të pranishme në sallë ishin ambasadorja e Francës dhe ambasadorja spanjolle në Tiranë.

Pasi falënderuan të pranishmit, organizatorët njoftuan se nisma do të udhëtojë edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

“Kjo mbrëmje bamirësie del nga zemra e neve si artistë. Ky publiku që na admiron ka nevojë të shikojë që ne si artistë jemi pranë jo vetëm me fjalë po konkretisht”, tha Inva Mula.

Ky koncert ishte një mbrëmje humanitare ku secili nga artistët përcolli mesazhin e vet për të prekur aty ku mundet në mënyrë që të mblidhen sa më shumë ndihma për të prekurit nga tërmeti.

“Ky është vetëm fillimi i një aksioni humanitar pasi nis një maratonë të gjithë zhanreve artistike”, tha Inva Mula.

Nisma është një lëvizje e hapur gjatë gjithë muajit dhjetor, që përkon dhe me muajin e festave. Organizatorët shpresojnë që më 31 dhjetor, kontributi i artistëve të arrijë aty ku ka nevojë, duke dëshiruar që të ndërtonin një shkollë apo një qendër shëndetësore. /atsh

Koncert i artistëve në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, maratona e bamirësisë edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut Read More »

Fëmijët e Manzës, nis të ndihet atmosfera e festave të Fundvitit

Fëmijët e Manzës kanë nisur të ndjejnë atmosferën e bukur që shoqëron festat e fundvitit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se falë punës së psikologëve, punonjësve sociale, vullnetarëve dhe shumë punonjësve të intitucioneve në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, këtyre vogëlushëve po u rikthehet buzëqeshja nga atmosfera e festave.

“Me fëmijët e Manzës, ku ka nisur të ndihet sadopak atmosfera festive, falë punës fantastike të psikologëve, punonjësve sociale, vullnetarëve, Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, Shërbimit Social dhe organizatave partnere, që po ndihmojnë çdo fëmijë për t’ju kthyer sa më parë normalitetit që meriton secili prej tyre”, -thotë Manastirliu./atsh

Fëmijët e Manzës, nis të ndihet atmosfera e festave të Fundvitit Read More »

“Zbulimi i atraksioneve turistike”, projekte investimesh në bashkinë e Klosit

Bashkia Klos është një nga përfitueset e projektit ndërkufitar “Zbulimi i atraksioneve turistike”, që do zbatohet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Pak ditë më parë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me bashkinë Demir Hisar në Maqedoninë e Veriut dhe organizatave partnere.

Projekti ka si qëllim zbulimin e atraksioneve të turistike në dy vendet fqinje, duke bërë të mundur zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në Klos do investohet në ndërtimin e muzeut etnografik, përmirësimin e infrastrukturës turistike në zonën e Balgjaj, Ura e Vashës e zona të tjera potenciale, si dhe në mbështetjen e promovimin e ofruesve të produkteve lokale.

Projekti financohet nga Bashkimi Europian, në kuadër të programit ndërkufitar 2014-2020 midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. /aths

“Zbulimi i atraksioneve turistike”, projekte investimesh në bashkinë e Klosit Read More »

E quajti masakrën e Reçakut fabrikim, Rama-Vuçiçit: Mjaft me vetëvlerësime për një luftë të ndyrë, ecni para

“Mjaft me vetëvlerësime për një luftë të ndyrë që bëri një regjim i vjetër i përgjakshëm në Beograd! Ecni përpara!”, tha Kryeministri Edi Rama, pas deklaratës së djeshme të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili e quajti masakrën e Reçakut një krim të fabrikuar.

Kryeministri Rama tha se ajo që na takon të bëjmë është të ndërtojmë paqe dhe prosperitet për të gjithë fëmijët tanë dhe ta shndërrojmë rajonin tonë në një model.

“Miq kudo që jeni! Mjaft me vetëvlerësime për një luftë të ndyrë që bëri një regjim i vjetër i përgjakshëm në Beograd! Ecni përpara. Lërini të vdekurit të varrosin të vdekurit” dhe le të bëjmë atë që të gjithëve na takon të bëjmë: të ndërtojmë paqe dhe prosperitet për të gjithë fëmijët tanë dhe ta shndërrojmë rajonin tonë në një model”, tha Kryeministri Rama

20 vjet më parë, mëngjesin e 15 janarit, forcat serbe të sigurimit vranë 45 civilë shqiptarë në Reçak në Komunën e Shtimes, Kosovë, masakër e cila tronditi botën dhe bëri kthesë në diplomacinë ndërkombëtare.

Kjo ngjarje bëri që bota të kthejë sytë nga Kosova, dhe i parapriu fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe. /atsh

E quajti masakrën e Reçakut fabrikim, Rama-Vuçiçit: Mjaft me vetëvlerësime për një luftë të ndyrë, ecni para Read More »

“Heronjtë e heshtur” pranë banorëve të prekur nga tërmeti

Forcat e Armatosura të Shqipërisë vijojnë punën për të lehtësuar sado pak vështirësitë e familjeve të prekura nga tërmeti, të cilat e kanë të pamundur të strehohen nëpër hotele.

Pas angazhimit të menjëhershëm të operacioneve të kërkim – shpëtimit, eliminimit të rrezikut nga objektet e klasifikuara si të pabanueshme nga ekspertët, Forcat e Armatosura janë angazhuar edhe në ngritjen e çadrave dhe transportin e ndihmave.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka duke shprehur mirënjohjen për punën e tyre publikoi disa foto të “heronjve të heshtur”, në ndihmë të të prekurve nga tërmeti./atsh

“Heronjtë e heshtur” pranë banorëve të prekur nga tërmeti Read More »

Gjirokastër/ Fondi Social medikamente falas për disa kategori fëmijësh

Fondi Social mundëson një tjetër shërbim falas për disa kategori fëmijësh.

Bashkia e Gjirokastrës bën të ditur se “krahas mbështetjes për kujdestarinë alternative, veshmbathje, ushqime, transport, së fundmi, disa kategori fëmijësh do të përfitojnë medikamente”.

“Nga ky shërbim përfitojnë fëmijët , familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike, ata që u përkasin komuniteteve rom dhe egjiptiane, me status jetimi, me aftësi ndryshe dhe për periudhën e urdhrit të mbrojtjes së prindërve dhe rastet që menaxhohen nga njësia e mbrojtjes së fëmijëve”, thekson bashkia.

Sipas bashkisë, të gjithë fëmijët që i përkasin kategorive të mësipërme, si dhe ata që kanë dy prindërit me AK janë të përjashtuar edhe nga pagesa ushqimore mujore në çerdhe/kopshte./atsh

Gjirokastër/ Fondi Social medikamente falas për disa kategori fëmijësh Read More »

Rama në Konferencën e nivelit të lartë për investimet në Turqi, thirrje për solidaritet: Tërmeti na ka sfiduar si asnjë sfidë tjetër e gjithë historisë moderne

“Dëmi i shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit shkon përtej asaj çka është njerëzisht e përballueshme nga ne”, deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë për investimet publike e private, me ftesë të Presidentit Erdogan.

Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen e thellë për reagimin e menjëhershëm pas ngjarjes tragjike që theu zemrën e Shqipërisë.

“Më lejoni së pari e mbi të gjitha që të shpreh mirënjohjen që jam përballë kësaj audience të nderuar dhe t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për reagimin e menjëhershëm pas ngjarjes tragjike që theu zemrën e vendit tim. Ju ishit atje për mua dhe për popullin shqiptar qysh prej mëngjesit të parë, që na u desh të merreshim me pasojat shkatërrimtare të tërmetit të 26 nëntorit”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “nuk do jem kurrë në gjendje të gjej fjalët që do të përshkruanin se sa shumë thotë për popullin shqiptar e për mua angazhimi juaj personal dhe mobilizimi i njerëzve tuaj që erdhën në Shqipëri me shpejtësi të plot, me zemrën plot, me ndihmën plot”.

Rama tha se “asnjëherë nuk do të harrojmë dedikimin në terren të ekipeve tuaja të shpëtimit që vendosën jetën në rrezik për të shpëtuar jetën e tanëve dhe kurrë nuk do të harrojmë premtimin për të qenë atje për ne, për rindërtimin”.

“Faleminderit shumë për sot që jeni këtu me mua dhe që më keni krijuar këtë mundësi unike për t’ju drejtuar një forumi kaq special personash të pasur, në një kohë kaq vendimtare për vendin tim, që ka nevojë reale për ndihmë për t’i mbijetuar plagëve të thella që i janë shkaktuar”, -tha Rama.

Duke informuar për situatën pas tërmetit, Kryeministri tha se “në vijim të tërmetit të tmerrshëm që goditi Shqipërinë në 26 nëntor, e të përballur me pasojat e tij tragjike me 51 të vdekur, mbi 900 të plagosur, dhjetëra mijëra të pastrehë e dëme të panumërta qëndroj para jush për t’ju kërkuar ndihmë”.

“Cila është vërtetë fytyra më e bukur në Islam? Sipas Profetit të Zotit, paqja qoftë mbi të, të ushqesh atë që është në nevojë, të përshëndesësh, të shpëtosh ata që njeh e ata që nuk njeh. Një parim themelor që gjen jehonë përmes fjalëve të fisme të Profetit të përcjella nga Adi Ibn Hatim: Shpëtojeni veten nga zjarri i ferrit edhe duke dhënë në bamirësi vetëm gjysmë hurme”, – tha Rama.

Kryeministri Rama falënderoi “secilin prej vëllezërve tanë që deri tani kanë qenë shembëllim i kësaj fytyre dhe dua të falënderoj paraprakisht të gjithë ata prej jush që do të bëhen fytyra e këtyre fjalëve. Qoftë bamirësia juaj e pranuar”.

Rama tha se “shqiptarët e të gjitha besimeve e fushave të jetës, të pasur e të varfër, brenda e jashtë Shqipërisë, nga Tirana në SHBA, nga Prishtina në Europë, nga Tetova, Ulqini, Lugina e Preshevës deri në pikat më të largëta të globit dhanë e vazhdojnë të japin gjithçka që kanë”.

“Mijëra e mijëra prej tyre kontribuan në fondet e solidaritetit pas katastrofës, duke na ndihmuar të mbledhim një vlerë prej dhjetëra mijëra, që për vendin tonë të vogël është shumë. Të moshuar me një pension vetëm 200 dollarë në muaj kanë ofruar strehë e ngrohtësi për fqinjët e pastrehë, nënat kanë liruar shtretërit e fëmijëve të tyre për jetimët, fëmijët në nevojë për një çati. Të rinj e të reja në diasporë kanë lënë shkollat, punët, për të ardhur e për të punuar vullnetarisht kudo që ka qenë nevoja në atdheun e tyre”, – tha Rama.

Kryeministri tha se gjithë ky solidaritet është një dëshmi e gjallë e poemës së mrekullueshme turke: Në pyjet e netëve me borë, fuqia jonë e çuditshme është kurajoja për të jetuar duke e ditur që do të vdesim.

“Megjithatë nuk ka nevojë të shpjegoj se i gjithë ky solidaritet brenda nesh pavarësisht sesa i madh është për zemrën e vendit është larg së qeni mjaftueshëm për atë që ka nevojë dhe ndihmë për të kapërcyer këtë tragjedi”, – tha Kryeministri Rama.

E pranoj, vijoi Rama, që të mos ishte për dy hadithe të mrekullueshme të Profetit do të kishte qenë thuajse e pamundur për mua të vija këtu para jush dhe të bëja këtë thirrje për ndihmë.

“Ja çfarë thonë ‘Njerëzit që Allahu do më shumë janë ata që janë të dobishëm për të tjerët dhe kushdo që ndihmon një njeri në vështirësi Allahu do ta lehtësojë nga vështirësia në ditën e ringjalljes”. Më lini të jem i qartë miqtë e mi unë nuk ofroj një ringjallje, por po kërkoj dritën në zemrat tuaja me besimin që shkrimtari turk Mehmet Murat Ildan kishte te drejtë kur shkroi se ”Drita më e çmuar është ajo që të vjen në orën më të errët”, nënvizoi Rama.

Më tej, kryeministri Rama , u shpreh “më lini të kërkoj falje nëse përsëris veten, por për të thënë të vërtetën kjo dritë pa tek Turqia një prej rrezeve, fanarëve të saj. Mes dhimbjes së papërshkruar për jetët e humbura dhe për shkatërrimin që ka qenë thuajse apokaliptik në disa zona, Turqia e provoi edhe një herë që i përmbahet urtisë së saj, sepse nuk braktisi një mik e vëlla në nevojë edhe siç thotë edhe thënia e vjetër të ecësh me një mik në errësirë është më mirë se të ecësh i vetëm në dritë”.

“Për të gjithë këtë e për premtimin më shumë se fisnik të zotit President për të ndërtuar menjëherë 500 banesa për të gjithë mirësinë e mbështetjen përmes tij e popullit turk në tokën e plagosur të Shqipërisë kam ardhur këtu t’iu falënderoj dhe me përulësi t’iu kërkoj të gjithëve që të bashkoheni në këtë rrugëtim të dhimbshëm, por të paharruar”, – theksoi Rama.

Duke u ndalur në fjalët e Kuranit, Kryeministri Rama tha se “Kurani i lavdishëm na mëson se asnjë gjethe nuk e prek dot tokën, pa lejen e Zotit, Kurani i madhërishëm gjithmonë na mëson gjithashtu se katastrofat natyrore janë sprova që i jepen njerëzimit në mënyrë që të pastrohet nga mëkatet e të pendohet”.

Rama shprehu dëshirën që katastrofa që po përballemi të kthehet në frymëzim, dhimbja që po ndiejmë ta kthejmë në forcë dhe shkatërrimi që ne po shohim të shndërrohet në një peizazh të bukur në të ardhmen.

“Duke iu bashkuar çdo mëngjes dhe darkë shqiptarëve të mi në lutjen “Zot mbaje dorën” nuk mund të resh së kujtuari e të menduari se tërmeti shkatërrimtar më i madhi që kemi pasur na ka sfiduar në mënyrë të pakrahasueshme me asnjë sfidë tjetër gjatë gjithë historisë modern. Ka përkulur qytetet tona më të rëndësishme Tirana dhe Durrësi”, tha Rama.

Kryeministri tha se, Durrësi është qyteti që udhëtari otoman e eksploruesi Evlija Çelebie përmend në librin e tij të udhëtimeve në 1670 për Limanin, portin e vet të rëndësishëm, rrënojat e kështjellës së rrënuar nga tërmeti i mëparshëm dhe xhaminë e mrekullueshme Fatihe ndërtuar për nder të Mehmet pushtuesit në 1502. Vite më vonë udhëtarë të tjerë do të përshkruanin bukurinë marramendëse të xhamisë Fatih e gjendur në një kodrinë hijerëndë e rrethuar nga tulipanë e narcisë, lulet e preferuara të tulipanëve.
Tani e njëjta xhami rrethohet nga rrënoja”.

Rama tha se “dua të besoj se edhe me ndihmën tuaj do të arrijmë për Durrësin e të gjitha zonat e tjera të prekura nga tërmeti atë që Turqia bëri për Izmirin pas tërmetit shkatërrimtar të 1999”.

“Të dhënat tona paraprake janë tronditëse dhe shumica e ndërtesave të shkatërruara janë banesa të ndërtuara me ndërtime të dobëta nga periudha komuniste apo nga koha kur nuk ka patur, plan kontroll apo përgjegjësi. Shumica e këtyre ndërtesave janë struktura shumëkatëshe, ku secila prej tyre përmban dhjetëra familje. Kjo është arsyeja që edhe pse nuk kemi një shifër finale zyrtare pas shumë ndërtesave që po kontrollohen e inspektohen nga ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata turq, që janë ende në terren ne besojmë se dëmi i shkaktuar shkon përtej asaj çka është njerëzisht e përballueshme nga ne”, tha ai.

Pa kontribute nga jashtë, – sipas Kryeministrit Rama, – koha që do të na duhet për të shëruar plagët tona do të jetë shumë e gjatë për durimin që njerëzit mund të kenë dhe për frymën e shpresës në të ardhmen e vendit dhe koha me dimrin në Shqipëri dhe rrëmujën shpërqendruese të politikës ndërkombëtare është për fat të keq një komoditet që nuk e kemi.

“Megjithatë përtej debateve tokësore le të kemi besim në Hadithin e çmuar që i thotë gjithsecilit që do të dëgjojë se zoti pranon vetëm atë çka është e drejtë. Dhe ndërkohë që ju kërkoj ndihmë më lejoni t’i bëj thirrje ndjenjës suaj të dashurisë dhe mirësisë fjalë që kanë 50 sinonime në Kuranin e shenjtë, fjalë që askund nuk përshkruhen kaq bukur e në mënyrë kaq të gjithanshme sa në Librin e shenjtë”, tha Rama.

E më shumë se kaq, Rama tha se “Kurani i madhërishëm ka një përkufizim unik për bujarinë, një akt sinqeriteti ndaj krijuesit, çfarëdo që ju shpenzoni nga ajo që është e mirë, është për prindërit, për të afërmit, për jetimët, për ata në nevojë e për udhëtarët. E çfarëdo që të bëni që është e mirë Allahu e di më së miri”.

“Duke iu kërkuar falje që ndërhyra në konferencën tuaj me një çështje kaq të rëndë e shqetësuese për një vend që shumica prej jush nuk e njohin e duke ndarë me ju të njëjtën bindje të atit themelues të këtij shteti të madh, Qemal Ataturk i cili besonte se njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb gjymtyrë e këtij trupi ju falenderoj me zëmër për durimin falënderoj presidentin Erdogan për dhimbshurinë e tij”, tha Rama./atsh

Rama në Konferencën e nivelit të lartë për investimet në Turqi, thirrje për solidaritet: Tërmeti na ka sfiduar si asnjë sfidë tjetër e gjithë historisë moderne Read More »