Pesëdhjetë e pesë vite nga lindja e Nutella, kompania “Ferrero” nxjerr në treg biskotat e para të mbushura me krem lajthie ndër më të famshmet dhe më të dashurat në botë.
Ata janë biskotat e reja Nutella, të gatshme për t’u ulur në raftet e supermarketeve në fillim të nëntorit.
“Biskota me Nutella, kombinon brishtësinë dhe brishtësinë tipike të biskotave me shijen dhe strukturën e Nutella, e cila përfaqëson 40% të produktit. Brumi përgatitet me përbërës të zgjedhur si miell gruri dhe kallami i sheqerit”, nënvizoi kompania “Ferrero”.
Biskotat Nutella prodhohen në fabrikën Balvano, në provincën e Potenza, ku “Ferrero” ka investuar mbi 120 milionë euro për një linjë prodhimi ad hoc.
Biskotat e reja prezantuan në prill në Francë dhe qëllimi i “Ferrero” është që t’i tregtojë ato në të gjithë tregun europian. /atsh
Është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare akademiku i njohur Salvatore Bushati. Homazhet do të mbahen të shtunën në sallën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga ora 14.00-15.30.
Ai ishte nismëtar i ndërtimit të Observatorit Gjeomagnetik në Shqipëri dhe i programit Edukimi në Shkencë, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Akademik Bushati u lind në Tiranë, në vitin 1949, në një familje me emër si ajo e Bushatllinjve të Shkodrës. Salvatore Bushati, inxhinier gjeofizikan, profesor, akademik u diplomua inxhinier gjeofizikan në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës (1970–1974). Punoi në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar me detyrën inxhinier gjeofizikan. Kreu një sërë kualifikimesh pasuniversitare në Shqipëri dhe jashtë saj si në Universitetin “Pierre Marie Curie” dhe pothuaj në të gjitha vendet e Europës e më gjerë. Ka një karrierë të pasur shkencore, profesionale dhe pedagogjike. Në fillimet e para të veprimtarisë së tij ai drejton grupin kërkimor shkencor në studimet eksperimentale mbi mundësitë e përdorimit të metodave gjeofizike në kërkimin e mineralit të kromit në Shqipëri, duke vendosur bazat metodike gjeofizike, teorike dhe praktike të përdorimit të gravimetrisë e magnetometrisë në kërkimin e kromit (1974–1980), studime këto, që u konkretizuan me projektime e zbulime të shumta të kromit në Shqipëri. Në vitin 1981 krijon dhe drejton departamentin e kërkimeve krahinore gjeofizike dhe gjeokimike dhe ndërmerr kryerjen e disa studimeve, që kryheshin për herë të parë në Shqipëri. Gjatë viteve 1995–1999, drejton Qendrën e Kërkimeve Gjeofizike, Gjeokimike dhe të Mjedisit, të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, duke e fuqizuar atë në një institucion bashkëkohor të studimeve e kërkimeve aplikative e bazë.
Në vitin 1999 konkurron dhe punësohet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, krijon dhe drejton një strukturë të re: Njësinë e Projekteve të Kërkimit, Zhvillimit Teknologjik e Inovacionit; më 2002 emërohet sekretar shkencor i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike; më 2008 zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe më pas zgjidhet nga Asambleja e Akademisë, sekretar shkencor i saj (2009–2013) duke dhënë një kontribut të çmuar në këtë institucion. Në vitin 2010 zgjidhet anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve, Austri. Në vitin 2014 zgjidhet kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike të ASHSH-së.
Gjatë veprimtarisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Salvatore Bushati drejton dhe bashkëpunon në realizimin e shumë projekteve në kuadrin e programeve kombëtare, bilaterale e ndërkombëtare (me partnerë të Rrjetit të Akademisë së Shkencave në Europë – ALLEA; të Botës – IAPartnership e TWAS; të institucioneve prestigjioze si CNR – Itali; rrjetit të universiteteve italiane – CONISMA etj.), në vitet e fundit në “Studimin e Liqenit të Shkodrës dhe Bunës”; në projektimin e Qendrës Ndërkombëtare të Shkencave Detare – CISM; në realizimin e projektit europian madhor “Studimi hidrogjeologjik, hidrologjik dhe hidraulik të Liqenit të Shkodrës në sistemin ujor Drin – Moraça – Liqeni i Shkodrës – Lumi Buna”, në kuadër të programit IPA.
Fushat shkencore të kompetencës së veprimtarisë së Salvatore Bushatit në shkencat e tokës dhe ato gjeofizike janë: inxhinieri gjeofizike (prej 1974); aplikimi i metodave matematikore në përpunimin e të dhënave dhe interpretimin e informacionit me anë të kompjuterit, krijimi i programeve të algoritmit për këto qëllime (prej 1972); aplikimi dhe baza e studimeve mbi metodat e reja gjeofizike, si graviteti dhe magnetizmi (prej 1974) dhe ajo e mikrorilevimeve magnetike (prej 1975) në zbulimin e vendburimeve minerale, të kromit e bakrit; studimet rajonale gjeofizike të gravitetit (prej 1980); studime rajonale gjeofizike magnetike (prej 1981); zgjerimi i fushës së aplikimit të metodave gjeofizike në kërkimin e kromit, bakrit, asbestit, boksiteve, mineraleve të rënda, të rralla e të çmuara; në studimin në fushën e inxhinierisë gjeologjike dhe hidrogjeologjisë; me aplikimin e gravitetit dhe metodat magnetike (prej 1980); rrjeti magnetik i Shqipërisë (prej 1987); kartografimet magnetike (të detajuara prej 1975 dhe ato rajonale prej 1978); rrjeti gravitacional i Shqipërisë (prej 1988); kartografimet gravimetrike (të detajuara prej 1974 dhe ato rajonale prej 1978); studime paleomagnetike (prej 1992); studime gjeotermike (prej 2001). Gjithashtu ai ka kontribuuar në hartimin e politikave në shkencë, teknologji e inovacione, si programe shkencore; programe kombëtare për kërkim-zhvillim e inovacion; strategji të kërkimit e të arsimit të lartë; metodologji e ekspertiza mbi politikat dhe veprimet në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm; strategji për RTD&I (kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare); raporte shkencore kombëtare; hartim dhe menaxhim i projekteve; politika mjedisore e monitorime.
Salvatore Bushati është autor dhe bashkautor i më se 29 librave, monografive e teksteve mësimore, autor i “Rrjetit gravimetrik shqiptar” (1986); i “Hartës së gravitacionit të Shqipërisë, 1:200000” (1988); i “Rrjetit magnetometrik shqiptar” (1996); i “Hartës së anomalisë së fushës magnetike të Shqipërisë, 1:200000” (1998); bashkautor ndërkombëtar i “Hartës gravimetrike të Europës (1990)” dhe i “Hartës magnetike të Europës (1999)”, e shumë studimeve me ndikim teorik e praktik. Gjithashtu veprimtaria e gjerë shkencore e tij pasqyrohet në mbi 200 artikuj shkencorë të shqyrtuar nga borde shkencore, të botuar jashtë e brenda vendit; pjesëmarrës në mbi 150 veprimtari shkencore; 90 studime e projekte; mbi 50 organizime shkencore ndërkombëtare e aktivitete të tjera të botuara; 14 pozicione akademike e dhe 55 anëtarësime në rrjetet akademike, institucione shkencore e borde këshillimore (27 institucione të huaja dhe 28 brenda vendit), një numër i madh publikimesh në medien e shkruar e televizive. Kryeredaktor i bordit editorial të revistës “Journal Natural and Technical Sciences” (JNTS of ASA, ISSN 20174-867); anëtar i bordit editorial të “Journal of Agriculture and Animal Production Science for Rural Development” (ASA & BLEKALB Foundation, ISSN 2224-7718), i “Ëorld Geomagnetic Bulletin”, Australi; i “Dialogo Oggi” (Istituto Cattoliç delle Scienze delle Attivita Sociali e Educative Anton Luli), Albania.
Për kontributin e tij ai është vlerësuar me Medaljen e Punës: “Për veprimtari të shquar në përpilimin e hartave gjeofizike për Hartën e re Gjeologjike në shkallë 1: 200000 (1984); Diskun e Artë: “Për kontribut të veçantë në shkencën dhe shoqërinë ndërkombëtare”, përzgjedhur nga Bashkësia e Shkencave të Tokës, SHBA (1996); Medalje për kontributin në Simpoziumin I Ndërkombëtar të Studimeve të BSEC-ut (6-7 maj, 2005); Medalje “For the Precious Collaboration”, nga profesorati i Institute of Research and Environmental Didactic” (Ireda, Naples – 21 prill 2011). Gjithashtu, Salvatore Bushati mban një patentë europiane në drejtim të “Polyparametric Sensor to Monitor, in real time, the Quality and the Quantity of the Pollution in Water Systems”. (Organizata Publike Greke e Pronësisë Industriale, prill 2008 si një produkt i projektit: “Development of an Innovative Monitoring Tool for the Quantitative and Qualitative Assessment of the Pollutants at the Agricultural Land of the Shkumbini river side, Lushnja District, in Albania”, realizuar në kuadër të Programit Bilateral në Shkencë dhe Teknologji, Greqi–Shqipëri, 2006–2008).
Veprat kryesore
Studimi gravimetrik krahinor i Shqipërisë, 1988.
Gravity Map of Albania, 1994.
Studimi i fushës gjeomagnetike i Shqipërisë, 1998.
Unification of Gravity and Magnetic Maps of Albania, Greece and other Balkan Countries, 1993.
The first Magnetik Map of Albania,1997.
Quantification of Present Days Tectonic of Albania, 2007.
Gjeofizika e zbatuar në shkencat e Tokës, pjesa e parë, 2012 (bashkautor)./atsh
Në qytetin e Durrësit u arrestuan sot 18 persona, ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim pasi kanë tjetërsuar 68 mijë m2 tokë shtetërore pranë Kepit të Rodonit, të cilën ua kanë shpërndarë personave që nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit.
Në një deklaratë për mediet nga Drejtoria e Policisë së Durrësit, u bë e ditur se u arrestuan 18 persona për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, konkretisht A. I., 35 vjeç, ish-drejtor i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës; E. N., 34 vjeçe, ish-drejtoreshë e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës; A. K., 47 vjeç, ish-drejtor i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës; S. I, 51 vjeç, ish-kryetari i komunës Ishëm; Gj. B., 56 vjeç, ish-kryetari i Komisionit të Ndarjes së Tokës në fshatin Bizë; B. Z, 37 vjeç, ish-jurist në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës; M. D., 34 vjeçe, ish-juriste në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës; R. P., 31 vjeç, ish-jurist në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës; M. Z., 41 vjeç, jurist në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës; R. Z., 34 vjeç, ish-hartograf në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës; D. K., 36 vjeç, ish-hartograf në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës; E. SH., 69 vjeç, anëtar i Komisionit të Ndarjes së Tokave në fshatin Bizë; L. M., 68 vjeç, anëtar i Komisionit të Ndarjes së Tokave në fshatin Bizë.
Sipas policisë u arrestua edhe L. B., 35 vjeç, përfitues toke, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”; Gj. P., 59 vjeç, përfitues, i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” paragrafi 2, 3 dhe “Falsifikimi i dokumenteve” i kryer në bashkëpunim; Gj. B., 57 vjeç, përfitues, i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” i kryer në bashkëpunim; A. D., 31 vjeç, përfitues, i dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” i kryer në bashkëpunim dhe L. N., 68 vjeç, përfitues, i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” paragrafi 2, 3 dhe “Falsifikimi i dokumenteve” i kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u ekzekutuan vendimet e lëshuara nga gjykata për “Detyrim paraqitjeje” para Oficerit të Policisë Gjyqësore, për shtetasit: A. Ç., 40 vjeçe, banues në Vlorë, përfituese, e dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” paragrafi 2, 3 i kryer në bashkëpunim, masë sigurimi “Detyrimi për t`u paraqitur në policinë gjyqësore”, Sh. A., përfitues, banues në Maminas, Durrës, përfitues, i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, masë sigurimi “Detyrimi për t`u paraqitur në policinë gjyqësore”, S. M., 60 vjeç, ish-jurist në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, masë sigurimi “Detyrimi për t`u paraqitur në policinë gjyqësore”, A. Th., 29 vjeç, ish-juriste në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, masë sigurimi “Detyrimi për t`u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 të K. Pr. Penale, L. K., 33 vjeçe, Përgjegjëse e Zyrës Juridike në Agjencia Shtetërore e Kadastrës Durrës, e dyshuar për “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, D. G., 34 vjeç, juriste në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës.
Policia theksoi se u shpallën në kërkim shtetasit: L. O., administrator i një shoqërie private, L. B., përfitues toke me banim në Bizë, A. R., përfitues, me banim në fshatin Katund i Ri, Sukth.
Ky aksion u zhvillua nga Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës dhe Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës, bazuar në Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Nr. 98/9 datë 23.10.2019,.
Shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë tjetërsuar sipërfaqe toke prej 68 000 m2, nga tokë shtetërore pa frut në tokë arë dhe ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit. Këtë aktivitet e kanë realizuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, si të akteve të marrjes së tokës në pronësi, kartelave të pasurive në Regjistrat e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës. Këtë sipërfaqe toke ua kanë shpërndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit.
Gjatë operacionit nga Policia janë gjetur dhe sekuestruar shumë prova materiale që shërbenin për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal. Për të gjithë shtetasit e mësipërm ka filluar hetimi pasuror në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, vazhdon hetimin për verifikimin e rasteve të tjera të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës nga punonjësit e administratës publike dhe përfitimin e paligjshëm të pasurisë shtetërore.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e vendosur për të luftuar pa kompromis çdo rast të paligjshmërisë dhe krimin e organizuar e korrupsionin dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112 çdo rast të paligjshmërisë duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm./atsh
Një brumbull i vogël ngjyrë mjalti u pagëzua sot me emrin e aktivistes Greta Thunberg, nga entomologu që zbuloi ekzistencën e tij, njoftoi Muzeu i Shkencave Natyrore i Londrës.
“Zgjodha këtë emër, sepse më ka bërë shumë përshtypje puna e aktivistes së re dhe dua të nderoj kontributin e saj të jashtëzakonshëm në çështjet e mjedisit”, shpjegoi Michael Darby, zbuluesi i këtij insekti.
“Prandaj është mëse e përshtatshme që zbulimi më i fundit të emërtohet sipas dikujt që ka luftuar për të mbrojtur natyrën dhe speciet e rrezikuara”, u shpreh Max Barclay, përgjegjësi i koleksionit të brumbujve./ atsh
Muzeu Historik Kombëtar ka bërë publike shifrat e vizitorëve për periudhën 1 maj – 15 tetor, periudhë kjo që përkon me sezonin turistik. Vizitorët vendas e të huaj nuk ngurruan të vizitonin pavijonet, ku ruhen thesare të trashëgimisë sonë kulturore.
Sipas asaj që njoftoi Muzeu, numri i vizitorëve në total për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 20,33 %. Ndërkohë që numri i vizitorëve të huaj për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 36,75 %.
Sakaq, sipas këtyre të dhënave, raportohet se totali i të ardhurave për vitin 2019 krahasuar me 2018 është rritur me 17,91 %.
Muzeu Historik Kombëtar vijon të mbetet atraksioni kulturor dhe historik për vizitorët vendas dhe të huaj të cilët janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. /atsh
Ditët me diell të muajit tetor dhe ardhja e stinës së vjeshtës ka bërë që vendi ynë të ketë një fluks turistësh të huaj të cilët po shijojnë gjatë këtyre ditëve bukuritë e peizazheve tona natyrore.
Mali i Dajtit është vizituar dje nga një grup i madh turistësh nga Gjermania të cilët kanë shijuar këtë vend. Gjithashtu ata kanë vizituar dhe qendrën e vizitorëve ku janë njohur nga afër me larminë e biodiversitetit që Mali i Dajtit ofron.
Turistët gjerman gjithashtu shijuan dhe ecjen në këmbë në shtigjet dhe bukuritë natyrore që kjo zonë ofron tani në stinën e vjeshtës.
Mali i Dajtit me peizazhet pyjore të ahut, dushkut, gështenjave, qershive, frashërit, pishave të zeza, të fton të shkëputesh tërësisht nga jeta urbane e Tiranës për t’u bërë pjesë me natyrën.
Gjithashtu ky vend i përcjell turistëve një pamje spektakolare ku në perëndim ata shijojnë ngjyrat e qiellit që mbi 1000 metër lartësi, ofrojnë një spektakël të mahnitshëm.
Eksplorimi dhe turizmi i aventurës në vitet e fundit në Shqipëri po kthehet në një atraksion mjaft interesant për vizitorët e huaj, kjo dhe për shkak të terrenit mahnitës dhe të shumëllojshëm që ofron vendi ynë. /atsh
Të gjithë pasagjerët që fluturojnë drejt Italisë dhe anasjelltas duhet të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre, për shkak të një greve kombëtare nga disa operatorë të transportit në shtetin fqinj.
Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) apeloi sot të gjithë pasagjerët që fluturojnë drejt Italisë dhe anasjelltas, të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre, për shkak të një greve kombëtare nga disa operatorë të transportit në shtetin fqinj.
Për të shmangur pritjet e gjata, AAC këshillon të gjithë personat që kanë parashikuar të udhëtojnë nga dhe drejt Italisë të kontrollojnë dhe të komunikojmë me kompanitë ku kanë rezervuar biletat e udhëtimit.//atsh
“Ballkani Perëndimor nuk është “delja e zezë” e BE”, deklaroi : Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në Konferencën e kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, Strasbourg.
“Si përfaqësues i një vendi të vogël dhe periferik të Europës së sotme, kam arsye më shumë të përfytyroj realizimin e ëndrrave të vendeve të vegjël si Shqipëria. Të vendeve që edhe pse jetojnë nën çatinë e shtëpisë së përbashkët me 47 anëtarë që quhet Këshilli i Europës, janë ende, disa jashtë dhe disa në prag, të familjes me 27-28 anëtarë që quhet Bashkimi Europian”, tha Ruçi.
“Europa është sot vendi më i bukur në botë. Programet dhe skenarët e zhvillimit të 70 vjetëve të fundit e kanë bërë kontinentin më pak konfliktual dhe më shumë solidar. Por megjithatë, Europa jonë mbetet kontinenti i asimetrive. Besoj se në dekadat që pasojnë, Europa do t’i ketë zbutur mjaft prej tyre, theksoi kreu i Kuvendit.
“Bindja ime e parë është se dy-tre dekadat e ardhshme, familja europiane do të jetë e gjitha brenda shtëpisë europiane. Europa do të vuajë më pak nga pasojat e asimetrive midis Veriut super të zhvilluar dhe Jugut, në zhvillim e përpjekje për të arritur Veriun”, u shpreh ai.
“Gadishujt e Europës, Skandinavia, Gadishulli Iberik, Apeninet dhe Ballkani nuk do të jenë më kaq të ndryshëm për nga ritmet e zhvillimit, aftësitë konkurruese, niveli i mirëqenies dhe kontributi për paqen. Ballkanasit nuk do të kenë më nevojë për negociatorë skandinavë për tú qetësuar midis tyre”, tha Ruçi.
“Europa Jug-Lindore si koncept ndoshta nuk do të ekzistojë më sepse diferencat që e lindën këtë nocion do të jenë zhdukur, të paktën zbutur shumë. Ballkani Perëndimor nuk do të jetë më “delja e zezë” për udhëheqësit europianë, por një vlerë e shtuar për familjen europiane”, theksoi Ruçi.
“Konstruktivizmi dhe jo obstruksionizmi do te jene filozofia e marrëdhënieve midis rajoneve të kontinentit tonë. Kufijtë kulturorë dhe politikë të Europës do të bëhen më pak të përfillshëm dhe do të përputhen, ndoshta, me kufijtë gjeografikë të saj. Për ata që do të mblidhen në këtë Pallat pas 70 vjetësh, arsyet që mbajnë gjallë konfliktet fetare do të jenë zbutur. Mjafton që shtetarët dhe politikanët europianë të ndjekin modelin e bashkëjetesës që ofron Shqipëria ime”, u shpreh Ruçi./atsh