Irina

Moti i keq/ Rrëzohen pishat në qafën e Llogorasë, prefekti Mamaj për ATSH: Rruga po pastrohet

Qyteti bregdetar i Vlorës është përfshirë sot nga moti i keq me erëra të forta, ku si pasojë në qafën e Llogorasë janë rrëzuar disa pisha duke penguar qarkullimin e automjeteve.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha për ATSH-në se “si pasojë e erës së fortës në qafën e Llogorasë kanë rënë disa pisha në rrugë, që kanë pezulluar qarkullimin. Po merren te gjitha masat në bashkëpunim me Policinë që në të dy krahët e rrugës të mos ngjiten automjetet”

“Ndërkohë policia rrugore po punon për heqjen e pishave nga rruga”, – theksoi Mamaj.

Ndërkohë që në portin e Vlorës është pezulluar puna, për shkak të motit të keq.

Drejtori i portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “për shkak të erës 7-8 ballë në det të hapur trageti “St.Damian, që u nis dje nga porti i Vlorës nuk ka ardhur nga Brindizi”.

Ndërsa kapiteneria e Vlorës ka urdhëruar ndalimin e lundrimeve të gjitha mjeteve të peshkimit.

OSHEE Vlorë njofton se si pasojë e erërave të forta janë dëmtuar disa shtylla elektrike duke nxjerrë jashtë funksioni fidrin R1 në nënstacionin Radhimë. Për pasojë kanë mbetur pa energji zonat si me poshtë: Dukat, Tagjas, Llogara. OSHEE Vlorë ka ngritur grupin e punës dhe në kushte të pafavorshme po punojnë për të rikthyer energjinë. /atsh

Moti i keq/ Rrëzohen pishat në qafën e Llogorasë, prefekti Mamaj për ATSH: Rruga po pastrohet Read More »

Basha te spitali i Traumës: Dhunuesit, përgjegjësi ligjore

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar sot se përgjegjësit e dhunës te banorët e “Astirit” do të përballen me drejtësinë.

Pas takimit në Spitali i Traumës me banorë të Unazës së Re, kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se gjendja e banorëve vazhdon të jetë e rëndë, ata janë dhunuar në mënyrën më barbare.

“Kam parë disa të moshuar mbi moshën 70 vjeç të gjakosur nga dhuna me shkopinj dhe me grushta, gra të alivanosura nga përdorimi genocidal i gazit lotsjellës, prania një numër i madh i banorëve të lënduar. Një pjesë prej tyre ndodhen të shtruar, një pjesë nuk janë shtruar në spital dhe ne po marrim të gjitha masat për ti dhënë ndihmën e nevojshme. Sipas raportimeve janë plagosur dhe 5 efektiv të policisë të cilët janë larguar nga Spitali Ushtarak, pasi kanë marrë ndihmën e parë. Ky është një bilan i një goditje të planifikua ndaj qytetarëve të pafajshëm që mbronin shtëpitë e tyre. Ky është një skenar i përgatitur me kujdes dhe ka një qëllim të çonte drejt gjakosjes dhe përgjakjes së qytetarëve dhe konfrontimit me forcat e rendit për të fshehur vjedhjen e madhe që Erjon Veliaj ka planifikuar tek i ashtuquajturi projekt i unazës së re”, tha ai.

Po ashtu Basha shtoi se “Është e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë sot se nuk bëhet fjalë për një projekt zhvillimi”. Basha theksoi se përgjegjësit e dhunës do mbajnë përgjegjësi para ligjit.

“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë sjellje kriminale, pralajmëroj gjithsecilin përgjegjës për këtë nga urdhëruesi, ekzekutorët se do të mbajnë përgjegjësi para ligjit për këtë dhunë barbare mbi qytetarët. Do t’i bëj thirrje qytetarëve dhe punonjësve të policisë që të mos bien pre e këtij skenari që zhvendos lajmin nga vjedhja e 40 milionë eurove tek dhuna që kanë planifikuar kundër banorëve të Unazës së Re”, tha ai.

Gjithashtu, Basha tha se kemi një zotim politik me shkrim, çdo centimetër do të kompensohet me vlerën e tregut me ardhjen e PD-së në pushtet.

“Opozita ka qenë dhe është në krah të banorëve të Astirit, ndaj opozita është njësh me qytetarët për të mbrojtur ligjin, Kushtetutën dhe interesin publik”,-tha në fund ai. /atsh

Basha te spitali i Traumës: Dhunuesit, përgjegjësi ligjore Read More »

Hyseni: Kuvendi dëshmoi kush e dëshiron vërtet funksionimin e institucioneve kushtetuese

Seanca e djeshme parlamentare, ku u votuan anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke e bërë më në fund funksional këtë institucion pas kohësh pa kuorumin e nevojshëm të anëtarëve, tregoi qartë ndarjen mes atyre që i duan, apo jo institucionet kushtetuese në Shqipëri. Kështu u shpreh, i ftuar në një studio televizive mbi ngërçin për Kushtetuesen, deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni.

“Deri dje, shumë aktorë artikulonin dashurinë e madhe për institucionet kushtetuese, por seanca e djeshme tregoi ndarjen e qartë mes atyre që duan institucione kushtetuese dhe thellimin e reformave dhe atyre që kanë penguar reformën në drejtësi dhe plotësimin e Gjykatës Kushtetuese,” u shpreh Hyseni.

Duke iu referuar Presidentit të Republikës, i cili nuk e shfrytëzoi të drejtën e tij për përzgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, deputeti socialist tha se detyra e vetme e kreut të shtetit është zbatimi i Kushtetutës, por edhe këtë detyrë ai nuk e zbaton.

“Roli i vetëm i Presidentit është të bëjë Presidentin. Ftesa është të zbatojë Kushtetutën, edhe pse ka një dispozitë, që është reminishencë e kuptimit të kaluar të Kushtetutës, flas për nenin 129, besoj që është një akt ceremonial dhe Presidenti është i detyruar pikërisht të bëjë këtë akt,” deklaroi më tej Hyseni.

Institucionet, sipas tij, janë shprehur vetë për anëtarët: “Dy ditë para skadimit të afatit ngriti pretendime që s’janë as kushtetuese, as koherente me qëndrimin e artikuluar për kompletimin e Gjykatës Kushtetuese një orë e më parë. Presidenti e ushtroi të drejtën e tij në vakancën e parë, por nuk e ushtroi në vakancën e tij, automatikisht personi i parë i shpallur në atë listë u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese,” tha më tej deputeti Hyseni, duke shtuar se, “Kuvendi zgjodhi ta ushtrojë këtë kompetencë në të dy rastet më një kuorum të tillë që dha edhe mesazhin se është vullneti i shqiptarëve për të kompletuar këtë institucion të rëndësishëm”.

Nga ana tjetër, Hyseni tha se tashmë me 5 anëtarë, Gjykata Kushtetuese fillon funksionimin. “Ne do vazhdojmë me plotësimin e vakancave të tjera, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara. Ndërsa sa i takon Gjykatës së Lartë, me fillimin e vitit do të kemi plotësimin me minimunim e nevojshëm të anëtarëve”, u shpreh më tej deputeti i PS, Alket Hyseni. /atsh

Hyseni: Kuvendi dëshmoi kush e dëshiron vërtet funksionimin e institucioneve kushtetuese Read More »

Merkel: Të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Nga Italia ku po zhvillon një vizitë zyrtare, Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se “duhet të bëjmë ende shumë punë për të ecur përpara dhe sidomos për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministri italian Giuseppe Conte, Merkel tha se “më vjen shumë mirë që ndajmë të njëjtën strategji, për sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, edhe këtu, duhet të bëjmë ende shumë punë për të ecur përpara dhe sidomos për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse nëse aty hapet një boshllëk, atëherë ky boshllëk do të mbushet nga të tjerë”.

Kjo, theksoi kancelarja gjermane, nuk u përgjigjet interesave tona strategjike europiane, aq më tepër që shumë nga këto vende janë anëtare të NATO-s.

“Edhe këtu ne ndajmë të njëjtën strategji atlantike, pra në favor të NATO-s”, deklaroi Merkel.

Edhe kryeministri italian theksoi se “duhet të punojmë së bashku për arritjen e objektivit të zgjerimit të Bashkimit Europian me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është një temë mjaft e rëndësishme për ne që e përballem se fundi pa zgjidhjen e duhur./atsh

Merkel: Të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut Read More »

Lleshaj: Pas Alvinit, do të mundësojmë largimin e të tjerë shqiptarëve nga kampi Al-Hol

Ministri i Punëve të Brendshëm, Sandër Lleshaj i ftuar në një studio televizive foli për operacionin e shpëtimi të Alvin Berishës nga kampi Al-Hol dhe për situatën e shqiptarëve të tjerë të ndodhur atje, pas vizitës së tij në Beirut.

I pyetur mbi nismën e këtij operacioni, ministri tha se “nisma për operacionin është ndërmarrë nga Republika e Shqipërisë, na kanë ndihmuar Italia, Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna e Kuqe. Ata kanë vepruar në emër dhe për llogari të shtetit shqiptar. Kemi marrë dhe autorizimin nga babai i tij për lirimin e djalit dhe gjithashtu qeveria italianë ka punësuar ngushtësisht me ne”.

Lleshaj foli rreth vizitës së tij në Beirut ku mbështeti oficerët shqiptar në terren dhe për të vendosur kontakte me autoritetet në vend. “Kam vajtur për të ndërtuar një kanal që do të mundësoj largimin e më shumë fëmijëve që aty. Qëllimi kryesor i vizitës time ka qenë vendosja e kontakteve për të hapur një kanal që do na mundësojë dhe shpëtimin e të tjerëve”.

Sipas ministrit të Brendshëm rruga nga Beiruti ishte rruga më e përshtatshme për të mundësuar kalimin lirisht të Alvinit. Ai thotë se shteti ka dijeni për praninë e grave dhe fëmijëve shqiptar në kampin e Al-Hol ku numri total shkon rreth 70 000 veta.

“Qeveria ka ndërtuar një plan të bazuar mbi gjendjen e para disa javëve që ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Ka ndryshuar kontekstin gjeopolitik. Me largimin e amerikanëve, me futjen e turqve, na u desh të rishikonim planin. Pra ka ndryshuar situata rrënjësisht. Ky plan ka nisur para gati një viti. Plani është ndërtuar në bazë të disa premisave. Këto premisa kanë ndryshuar. Kjo ka bërë që situata të ndryshojë rrënjësish. Pozicioni i kurdëve në raport me gjithë partnerët ka ndryshuar. Kështu u desh të mendohej një zgjidhje tjetër”, – tha ministri Lleshaj duke folu për operacionin për shpëtimin e Alvinit.

Ai shton se, “vizita në Beirut vlen për të ndërtuar kontakte shumë të rëndësishme, me autoritetet fetare në Liban, me shumë titullarë të rëndësishëm, me autoritet të Gjysmë Hënës së Kuqe në Siri dhe kemi shpresë që shpejt do jemi në gjendje që do bëjmë një zgjidhje të këtij problemi. Ne besojmë që ky kanal i ri do funksionojë. Kemi marrë disa garanci. Sigurisht që nuk punojmë me një opsion. Po punojmë në disa krahë me qëllim që t’i japim udhë këtij problemi. Shpresa ime personale është që mund të përdorim këtë kanal për të tërhequr dhe të tjerë”. /atsh

Lleshaj: Pas Alvinit, do të mundësojmë largimin e të tjerë shqiptarëve nga kampi Al-Hol Read More »

Dita e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare, grupi “Bilbili” koncert në Zagreb

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko shprehet se përmes aktiviteteve kulturore, promovohet identiteti ynë kombëtar në Zagreb.

“Në qytetin e Zagrebit në Kroaci, këtë fundjavë komuniteti shqiptar festoi Ditën e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare, përmes aktiviteteve kulturore ku u promovua identiteti ynë kombëtar”, tha ai.

I ftuar në aktivitet ishte edhe grupi folklorik “Bilbili”, i cili interpretoi disa nga këngët më të njohura të Labërisë e Bregut të Detit.

Mes të ftuarve të nderit ishte dhe kryetari i bashkisë së Zagrebit, Milan Bandić, Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda, Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, Kryetari i Shoqërisë se Pakicës Kombëtare të qytetit të Zagrebit, Gëzim Rexhepi.

Me këtë rast, përshëndeti edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Riza Poda.

Drejtori i grupit folklorik “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, u shpreh se “folku i bashkon popujt, por në këtë rast ai ndezi dhe bashkoi zemrat e shqiptarisë dhe këtë mision e kreu me sukses ansambli “Bilbili””.

“Duartrokitjet që nuk reshtnin, shoqëruan të gjithë numrat artistikë, këngët polifonike të grupit dhe ato te kënduara nga këngëtarja Ludmilla Baballëku”, – tha Gjokoli.

Grupi folklorik “Bilbili” juridikisht është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare./atsh

Dita e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare, grupi “Bilbili” koncert në Zagreb Read More »

Margariti: Mbi 1 milion turistë të huaj në monumentet e kulturës dhe sitet arkeologjike

Mbi 1 milion vizitorë të huaj kanë vizituar monumentet tona të kulturës, sitet arkeologjike, kishat etj., nga periudha janar deri në tetor 2019.

Shifrën e ka bërë publike ministrja e Kulturës Elva Margariti, e cila thotë se kjo, “do të thotë më shumë shërbime, më shumë kujdes ndaj trashëgimisë sonë dhe më shumë të ardhura për ekonomitë lokale”.

Kjo shifër prej 1 milionë e 16 mijë vizitorësh është 7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. /atsh

Margariti: Mbi 1 milion turistë të huaj në monumentet e kulturës dhe sitet arkeologjike Read More »

105 vota pro/ Kuvendi voton Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese

Kuvendi votoi sot me 105 vota pro Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi sqaroi se, Këshilli i Legjislacionit e ka konsideruar kushtetuese procedurën e ndjekur, ndaj edhe vijoi me procesin e votimit.

“Për transparencë sot jemi në seancë që e kemi zhvendosur nga e enjtja, në të hënë, kjo për të plotësuar afatin 30-ditor që detyron Kuvendin të shprehet lidhur me kandidaturat që KED i ka çuar Kuvendit. Deputetët janë vënë në dijeni të qëndrimit të Presidentit, lidhur me këtë i jap drejtuar KED-së, e cila i është përgjigjur kërkesës me arsyetimet përkatëse, dhe konkludon se kandidatja e parë automatikisht është e zgjedhur anëtare. Duke pasur parasysh që kishte vlerësime politike dhe proceduriale i jam drejtuar këshillit legjislacionit që është i vetmi mekanizëm që ka Kuvendi, që jep mendimin për kushtetutshmërinë. Këshilli ka konkluduar se duke parë propozimet e KED etj., dhe procedurën që do të votojmë ka arritur në konkluzionin që është tërësisht kushtetuese”, – tha Ruçi.

“Në listën e KED ishin renditur: Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muçi, ky i fundit i dekretuar nga Presidenti. Nga lista e paraqitur nga KED, Arta Vorpsi rezulton të jetë shpallur emëruar për vendin vakant, pas plotësimit të afatit 30-ditor, dhe në mungesë të ushtrimit të dekretimit, është botuar në fletore zyrtare. Kandidati i tretë gjithashtu i botuar në Fletoren Zyrtare, me dekret të Presidentit”, – tha Ruci.

“105 vota pro. Elsa Toska shpallet fituese për anëtare të Gjykatës Kushtetuese pas votimit të Kuvendit”, u shpreh Kryeparlamentari në përfundim të procesit të votimit.

Kuvendi gjithashtu votoi edhe Fiona Papajorgjin me 105 vota pro si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi miratoi sot projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar për Eksplorimin Shkencor në Detin Mesdhe”.

Gjithashtu Kuvendi rrëzoi projektligjin “Për faljen e gjobave të vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndaj operatorëve të biznesit ushqimor”

Në Kuvend u miratua edhe zgjedhja e Pranvera Strakoshës në postin e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.

Kuvend miratoi edhe kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 25 nëntor – 13 dhjetor 2019.

Kuvendi miratoi edhe kalendarin e veçantë të shqyrtimit të projektligjit të buxhetit dhe të projektligjeve financiare që kanë lidhje me të.

Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për Luftën Kundër Falsifikimit të Monedhës”./atsh

105 vota pro/ Kuvendi voton Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese Read More »