Irina

23 aplikime për shërbime dhe licenca nga MIE online/ Rama: Qytetarët shpenzonin më shumë se 300 ditë në radhë

23 aplikime për shërbime dhe licenca që jepen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, tanimë kryhen online vetëm përmes platformës “e-albania.al”.

Kryeministri Edi Rama përmes një video të publikuar bën të ditur se “më shumë se 300 ditë shpenzoheshin në radhë për 33 mijë aplikimet që kryheshin çdo vit vetëm për licencat në fushën e projektimit dhe zbatimit”.

“Falë revolucionit dixhital 2020, aplikantëve nuk u kërkohen më plot 46 dokumente shtetërore. 33 mijë aplikime që kryhen mesatarisht çdo vit vetëm për licencat në fushën e projektimit dhe zbatimit, sot bëhen direkt nga smartfonë apo kompjuteri më i afërt pa ecejake, pa radhë, pa ryshfet. Administrata në këmbë për qytetarin. Jo më qytetari në këmbë për administratën”, shprehet Kryeministri Rama.

Një lajm i mirë edhe sa i takon dokumenteve shoqëruese, numri i të cilave është reduktuar me 46 më pak.

“Tashmë jeni të lehtësuar me sigurimin e tyre, pasi nga 128 të tillë ju duhet të siguroni vetëm 82, duke ja lënë shtetit t’u vijë në ndihmë për pjesën e mbetur”, theksohet në videon e publikuar.

Ndërkohë edhe 27 shërbime të tjera të agjencive në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë qytetarët i përfitojnë tashmë vetëm online./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/190638892080214/?t=0

23 aplikime për shërbime dhe licenca nga MIE online/ Rama: Qytetarët shpenzonin më shumë se 300 ditë në radhë Read More »

Sejko takon ambasadorin norvegjez Grøndahl/ Turizmi, bujqësia, minierat, sektorë me potencial për investime

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim zyrtar me ambasadorin e ri të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Mbretërisë së Norvegjisë në Shqipëri, rezident në Prishtinë, Jens Erik Grøndahl.

Gjatë takimit të mbajtur në Tiranë, Sejko e njohu ambasadorin Grøndahl me zhvillimet financiare në vend, ku u shpreh se sistemi bankar shqiptar është likuid, i kapitalizuar dhe me tregues të mirë rentabiliteti. “Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e fokusuar në mbikëqyrjen e kujdesshme të riformatimit të sistemit bankar në vend, duke kontribuar në konsolidimin e tij”, deklaroi Sejko.

Duke u ndalur tek ecuria ekonomike e vendit, Guvernatori Sejko, theksoi se rritja ekonomike ka vijuar trendin pozitiv.

“Ndërkohë që ambienti i jashtëm makroekonomik mbetet sfidues, autoriteti monetar dhe institucionet e tjera në vend do të japin të gjithë kontributin e duhur për të mbështetur ruajtjen e parametrave makroekonomikë”, tha ai.

Guvernatori Sejko u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve të konsumit dhe stabilitetit financiar të vendit. “Banka e Shqipërisë ka ndjekur dhe do të vazhdojë të ndjekë edhe në periudhën në vijim një politikë monetare lehtësuese”, nënvizoi Sejko.

Nga ana e tij, ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, falënderoi Guvernatorin Sejko për takimin dhe shprehu vlerësimet e tij për kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Grøndahl, theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave ekonomike e strukturore dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria vitet e fundit në këtë drejtim. “Zbatimi i mëtejshëm i reformave në përputhje me standardet evropiane do të ndikojë pozitivisht në hapjen e negociatave me Bashkimin Europian si dhe në krijimin e një ambienti tërheqës për investitorët e huaj”, deklaroi ai.

Guvernatori Sejko vlerësoi rëndësinë e investimeve norvegjeze të deritanishme në Shqipëri në drejtim të punësimit dhe rritjes ekonomike.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri, në sektorë si ai i turizmit, bujqësisë, minierave etj. /atsh

Sejko takon ambasadorin norvegjez Grøndahl/ Turizmi, bujqësia, minierat, sektorë me potencial për investime Read More »

Studentët shqiptarë, mundësi punësimi sezonal në Gjermani

Studentët shqiptarë kanë mundësi punësimi sezonal në Gjermani gjatë pushimeve verore.

Ambasada e Gjermanisë ka publikuar një thirrje nga Qendra Gjermane e Informacionit për Migracion, Arsim Profesional dhe Karrierë, (DIMAK Albania) në lidhje me 4 hapat që duhet të ndjekin studentët shqiptarë që dëshirojnë të aplikojnë për punësim sezonal në Gjermani.

Së pari ata duhet të lexojnë me vëmendje fletën e informacionit. Më pas duhet të shkarkojnë dhe plotësojnë elektronikisht formularin e aplikimit dhe vërtetimin nga Universiteti/Shkolla Profesionale.

Së treti duhet të fotokopjojnë pasaportën, vërtetimin e dijeve të gjermanishtes (nëse kanë) dhe lejen e drejtimit (nëse kanë).

Së katërti duhen dorëzuar dokumentet origjinale pranë DIMAK Albania deri më 14 shkurt ora 15:00

DIMAK Albania thekson se, “përmes Facebook do të publikojmë edhe sesionet e ardhshme informuese ku ju mirëpresim për një prezantim të programit, si dhe t’u përgjigjemi pyetjeve që mund të keni. Na ndiqni rregullisht për t’u njoftuar në kohë mbi aktivitetet”.

Synimi i qendrës së informacionit DIMAK është sjellja në një vend të përbashkët e ofertës informues gjermane dhe e ofertës ekzistuese në Shqipëri rreth temës së migrimit legal në Gjermani dhe veçanërisht rreth temës së nxitjes së punësimit për qytetarët shqiptarë./atsh

Studentët shqiptarë, mundësi punësimi sezonal në Gjermani Read More »

Përcillet në banesën e fundit,aktori i njohur i skenës shqiptare Xhevdet Ferri

Aktori i njohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Xhevdet Ferri, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, u përcoll sot për në banesën e fundit.

Familjarë, të afërm, kolegë, miq e dashamirës i dhanë lamtumirën aktorit Ferri në një ceremoni të ngushtë.

Lajmi i trishtuar i ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme, nga një sëmundje e rëndë, e aktorit të njohur Xhevdet Ferri ka sjellë mesazhe të shumta ngushëllimi nga institucione të artit e të kulturës, personalitete të kinematografisë, politikanë, por edhe qytetarë të thjeshtë.

Xhevdet Ferri lindi më 26 nëntor 1960. Filmin e tij të parë e realizoi kur ishte akoma student. I fundit nga aktori do të mbahet mend roli në filmin “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit.

Roli i paharrueshëm për shqiptarët do të mbetet ai i Trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara” krah të të madhit, Robert Ndrenika. Ai ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër. Pothuajse në të gjithë filmat ka qenë në rolin e protagonistit./atsh

Përcillet në banesën e fundit,aktori i njohur i skenës shqiptare Xhevdet Ferri Read More »

Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo qetëson qytetarët: Alarm i pabazë për meningjitin, ja arsyet

Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo me anë të një shkrimi qartësues ka sqaruar qytetarët se meningjiti nuk përbën shqetësim kombëtar klinik dhe epidemiologjik në vendin tonë duke bërë thirrje për qetësi për të mos përhapur panik të panevojshëm.“
Infeksionet e shkaktuara nga N.meningitidis apo Meningokoku njihen në vendin tonë, ku midis tyre vendin kryesor e zë Meningitis bacterialis i shkaktuar nga ky bakter. Gjatë viteve 2001 – 2019 janë raportuar 133 raste (pra në 20 vitet 2001-2019 kemi 133 raste të raportuara në të gjithë vendin, ose mesatarisht 6.6 raste në vit, TK). Sa mijëra e mijëra të sëmurë trajtohen në Shqipëri me infeksione nga më të ndryshmet, Përse bëhet gjithë kjo zhurmë për diçka që nuk përbën asnjë shqetësim kombëtar klinik dhe epidemiologjik?”, shkruan mjeku i mirënjohur Tritan Kalo.
Shkrimi i plotë:

Pak vëmendje dhe durim për t’a lexuar deri në fund këtë Informacion qartësues…..Në kuadër të më të fundit PPP (Protagonizëm Panikndjellës dhe Përfues), që përfshihet edhe ajo në lëvizjen KÇK (Kap Ç’të Kapësh), pa asnjë arsye objektive, shkencore, epidemiologjike e logjike, është krijuar një panik i pajustifikueshëm, deontologjikisht i pa pranueshem dhe ligjërisht i dënueshëm, në lidhje me infeksionet e cipave të trurit nga Neisseria meningitidis, ose sikundër më shpesh ky mikroorganizëm njihet, nga MENINGOKOKU….

Ju kolegë, miq e bashkëqytetar që jo pak më keni telefonuar apo shkruar këto ditë, për t’ju sqaruar edhe më shumë po u sjell informacionin më të fundmit të ISHP-së (Institutit të Shëndetit Publik): “Infeksionet e shkaktuara nga N.meningitidis apo Meningokoku njihen në vendin tonë, ku midis tyre vendin kryesor e zë Meningitis bacterialis i shkaktuar nga ky bakter. Gjatë viteve 2001 – 2019 janë raportuar 133 raste (pra në 20 vitet 2001-2019 kemi 133 raste të raportuara në të gjithë vendin, ose mezatarisht 6.6 raste në vit, TK). Gjatë vitit 2019 janë raportuar si Meningit bakterial meningokoksik 5 raste (0.2 incidence raste/100.000 banorë), Meningite bakteriale jo meningokoksik 18 raste (0.6 incidence raste/100.000 banore) dhe si Meningite virale aseptike 7 raste (0.2 incidence, raste/100.000 banore).” (ISHP)…..sa mijëra e mijëra të sëmurë trajtohen në Shqipëri me infeksione nga më të ndryshmet, përse bëhet gjithë kjo zhurmë për diçka që nuk përbën asnjë shqetësim kombëtar klinik dhe epidemiologjik?!?!?!….

Jemi në një situatë jo pak të ngarkuar epidemiologjike me Infeksione stinore respiratore, sidomos me GRIP (AH1N1, AH3N2 dhe por aspak shqetësuese për infeksionet nga N. meningitides….

Përkujdesi për mos përhapjen e këtyre infeksioneve respiratore përfshirë edhe gripin, si infeksione që merren në mënyrë aerogene pra nga rrugët e frymëmarrjes, ndikon njëkohësisht në uljen e mundësisë së infektimit nga mikroorganizma të tjerë, që përhapen me këtë rrugë përfshirë edhe N. meningitidis…..përse gjithë kjo tollovi për vaksinim ndaj Meningokokut, kur një vaksinim i tillë nuk përfshihet në skemat e vaksinimit të detyrueshëm në asnjë vend të botës…..Për profilaksinë e përhapjes në personat e kontaktit të ngushtë me një të sëmurë të tillë, ka mundësi efektive terapeutike antibakteriale (Ciprofloxacin, Rifampicine), gjë për të cilën do të merrni këshillat e duhura dhe shumë të vyera nga mjekët trajtues të tyre, përpos vaksinimit vetëm në disa raste specifike….

Nëse shkoni në Mekë për Peligrinazh në këtë vend të shenjtë, ose për arsye pune në disa vende afrikane, informohuni sepse për shkak të incidencës së lartë, pra të numurit mjaft të lartë të Meningiteve bakterialë nga N. meningitides në këto vende (“African meningitis”), bëhet e detyrueshme vaksinimi para vajtjes atje….ju lutem më pak panik dhe më shumë arsyetim logjik …..Jeta vazhdon!!!”./atsh

Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo qetëson qytetarët: Alarm i pabazë për meningjitin, ja arsyet Read More »

Marrëveshja për njohjen e patentave shqiptare në Greqi pranohet nga komisioni parlamentar grek

Marrëveshja për njohjen e patentave shqiptare në Greqi pranohet nga komisioni parlamentar grek teksa pritet ratifikimi i saj në parlament.

Lajmi është dhënë nga Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili thekson se, dje, Komisioni i Përhershëm për Prodhim dhe Tregti në Parlamentin grek miratoi Projektligjin për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit midis Shqipërisë dhe Greqisë.

“Marrëveshja është firmosur në maj të vitit 2018, por pritet vetëm miratimi i saj nga parlamenti grek”, nënvizon Majko.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, të gjithë shtetasit shqiptarë që zotërojnë leje drejtimi, model i lëshuar nga 1 korriku i vitit 2005, ose ata që janë të pajisur me formatin që ka nisur të shpërndahet nga 24 janari i vitit 2017, mund të drejtojnë automjetin e tyre edhe në territorin grek”, shton ministri Majko.

“Marrëveshja parashikon që në momentin që shtetasit shqiptarë marrin qëndrim në Greqi, ata mund t’i konvertojnë patentat e tyre shqiptare në patenta greke pa pasur nevojë kryerjen e testeve teorike dhe praktike”, thekson ai.

Majko nënvizon se, “konvertimi i patentave vlen edhe për shtetasit grekë që marrin qëndrim në Shqipëri”./atsh

Marrëveshja për njohjen e patentave shqiptare në Greqi pranohet nga komisioni parlamentar grek Read More »

OSHEE: 8.9 miliardë lekë investime në rrjetin e shpërndarjes në 2020-ën

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pritet të investojë gjatë këtij viti rreth 8.9 miliardë lekë, nga të cilat rreth 1.6 miliardë lekë nga kredia e Bankës Botërore.

Sipas raportit të dorëzuar nga OSHEE pranë Entit Rregullator të Energjisë, investimet e deritanishme sollën rezultate në uljen e humbjeve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve.

“Megjithatë ndikimi është pjesor dhe efektet më të mëdha në uljen e humbjeve në rrjet sipas planit të hartuar do të kenë ndikim të plotë në performancën financiare të shoqërisë, pasi investimet të jenë shtrirë në përmirësim të pjesës më të madhe të rrjetit. Investimet janë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështeten kryesisht në burime të brendshme të shoqërisë (fitimi vjetor i realizuar), si edhe në financimin sipas kredisë së Bankës Botërore.
Investimet e parashikuara të kapitalizohen për vitin 2020 janë 8.9 miliardë lekë nga të cilat rreth 1.6 miliardë lekë nga kredia e Bankës Botërore”, thuhet në raport.

Sasia e energjisë së injektuar në sistem për vitin 2020 parashikohet të jetë 6.495 Gwh. Sasia e energjisë së shitur parashikohet të jetë 5.196 Gwh dhe sasia e energjisë për mbulimin e humbjeve parashikohet të jetë 1.299 Gwh duke parashikuar që niveli i humbjeve të jetë 20%.

Si pjesë e strategjisë së zhvillimit të sektorit, qeveria shqiptare hartoi platformën e rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike në fillim të vitit 2015, e cila u pasua nga plani i konsolidimit financiar të sektorit publik elektroenergjetik miratuar në prill të 2019-s, ku fokusi kryesor ishte përmirësimi i treguesve të performancës së OSHEE-së, reduktimi i humbjeve teknike dhe joteknike, rritja e normës së arkëtimit me qëllim krijimin e një shoqërie financiarisht të qëndrueshme për të garantuar furnizimin e energjisë elektrike konsumatorëve.

OSHEE: 8.9 miliardë lekë investime në rrjetin e shpërndarjes në 2020-ën Read More »

6 anëtarët e familjes Sala hyjnë në shtëpinë e re, e rindërtuar nga këngëtarja Rita Ora

Nëntori i kaluar do të duhej të ishte muaji festiv, që bashkon çdo vit shqiptarët për festat kombëtare, por tërmeti i 26 nëntorit i bëri të gjithë bashkë në ndihmë të njëri-tjetrit.

Ato ditë të vështira, shumë prej emrave të njohur iu përgjigjën menjëherë thirrjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të adoptuar një banesë të dëmtuar rëndë nga tërmeti apo duke dhuruar ndihma për familjet në nevojë.

E njëra prej tyre ishte këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila vendosi të rindërtonte nga e para shtëpinë e familjes Sala në fshatin Pinar. Sot 6 anëtarët e kësaj familjeje kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re, çelësat e së cilës ua dorëzoi kryebashkiaku Veliaj dhe kushërira e Rita Orës, Amantia.

“Këto ditë kemi qenë me kryeministrin për hapjen e shtëpive të reja që u rindërtuan pas tërmetit, por nuk i bën dot shteti gjithçka. Edhe në Angli, edhe në Amerikë, shteti bën aq sa ka takat, por ama secili bën diçka shtesë. Vetëm ideja që Rita ka njëqind koncerte e gjëra, por i vajti mendja dhe tha: Nuk i bëj dot të gjitha, por një shtëpi do ta bëj, një njeri do ta ndihmojmë”, tha ai, duke kujtuar bisedën që pati me këngëtaren shqiptare ditët e para pas tërmetit.

Familja Sala falënderuan kryebashkiakun Veliaj dhe këngëtaren Rita Ora për shtëpinë e re.

E emocionuar, Edlira Sala tha se nuk kishte mundur që të sistemonte fëmijët e saj në një banesë të tillë.

“S’e kisha menduar ndonjëherë në jetën time që një këngëtare do vinte të më bënte shtëpinë këtu. E falënderoj shumë madje, që e bëri këtë për familjen time. Unë kam mbi 20 vite martesë, nuk arrita të bëj diçka”, u shpreh ajo.

Kryebashkiaku Veliaj tha se koha ka treguar që sa herë shqiptarët lënë pas sherret dhe bëhen bashkë, mund të bëjnë punë të mira.

“Për çfarë zihemi dhe urrehemi?! Kishim një vit, ziheshim të bënim një copë rrugë aty tek Astiri. Ore ti, po merr lekët, po të japim një shtëpi, po të kompensojmë që të bëjmë rrugën… Edhe për Teatrin pyes: Ore, për çfarë zihemi? Një ditë jemi, një ditë jo, vjen tërmeti e shuhet gjithçka. Nëse Zoti do na japë një çikë mend për t’u bërë pak më të mirë, pak më të dashur me njëri-tjetrin, mund të bëjmë më shumë punë. Por, kur vëmë pengesa e shkaktojmë sherre, s’kemi të ardhme”, tha Veliaj.

Lajmin se kishte vendosur të ndërtonte shtëpinë e familjes Sala, Rita Ora e dha në ditën e Flamurit, kur në mediet sociale shkroi: “Gëzuar Ditën e Flamurit Shqipëri! Ditëlindjen time dhe ditët e fundit i kam kaluar duke menduar se cila është gjëja e duhur që duhet të bëj. Familja e parë që kam zgjedhur është familja Sala dhe ne do ta ndjekim procesin në vijim, sepse ka kaq shumë familje që kanë nevojë për të njëjtën ndihmë”./atsh

6 anëtarët e familjes Sala hyjnë në shtëpinë e re, e rindërtuar nga këngëtarja Rita Ora Read More »