Irina

Shqipëri-Francë/Lleshaj i lë vendin e tij në “Air Albania Stadium” efektives së plagosur, Ina Nuku

Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj,ia ka lënë vendin e tij në stadiumin “Air Albania Stadium”, për të ndjekur ndeshjen historike mes Shqipërisë dhe Francës efektives së policisë, Ina Nuku, e cila mbeti e plagosur nga shpërthimi i një mjeti pirroteknik gjatë një protestë të opozitës.

“Sot në këtë ditë të rëndësishme për futbollin shqiptar, preferova të dërgoj Ina Nukën në vendin tim në stadium, si shenjë respekti për sakrificën e kësaj punonjëse të Policisë së Shtetit”, deklaron Lleshaj, duke postuar edhe një foto të efektivës Nuka brenda stadiumit të ri të veshur kuqezi.

“Bashkë me urimet më të mira për gjithë sportdashësit shqiptarë, që sot si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e futbollit janë mbledhur nën ngjyrat kuqezi për të përkrahur ekipin tonë kombëtar. Rroftë Shqipëria!”, shprehet Lleshaj./atsh

Shqipëri-Francë/Lleshaj i lë vendin e tij në “Air Albania Stadium” efektives së plagosur, Ina Nuku Read More »

17 nëntori- Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme

Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme, 17 Nëntori, konsiderohet si një mundësi për të tërhequr vëmendjen ndaj problemeve dhe dhimbjeve që ajo shkakton.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shprehet se lindje e parakohshme e bebit, konsiderohet lindja përpara javës së 37-të të shtatëzënisë, pavarësisht peshës së tij.

Slogani i këtij viti “Të lindësh para kohe, të marrësh kujdesin e duhur, në kohën dhe vendin e duhur”, vjen si mesazh gjithëpërfshirës për politikëbërësit, ofruesit e kujdesit shëndetësor, prindërit, familjen etj; për një partneritet në kujdesin ndaj këtyre foshnjave, përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me sfidat që u duhet të përballen familjet e këtyre foshnjave si dhe mundësi për të folur lidhur me zgjidhjet e mundshme.

Për parandalimin e lindjes së parakohshme është e rëndësishme që gjatë shtatëzënisë gruaja të ndjekë një stil jetese të shëndetshëm, bazuar në një dietë ushqimore të pasur dhe duke ndjekur në mënyrë të rregullt rekomandimet e mjekut.Lindja e parakohshme (shkaktari kryesor i vdekshmërisë tek të porsalindurit), mund të shkaktojë probleme shëndetësore kronike të mushkërive, vonesa në zhvillim dhe paralizë cerebrale.

Faktorët mjekësorë dhe stili i jetesës, ndikojnë në lindjet e parakohshme.

Zakonisht gratë që kanë shtatëzëni me binjakë ose që pritet të sjellin në jetë më shumë se 2 fëmijë, si edhe ato që vuajnë nga ndonjë patologji kronike (si p.sh. hipertension ose diabet), janë më të rrezikuarat për të lindur fëmijë para kohe.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit në shkallë globale lindin para kohe rreth 15 milionë foshnja.

Për fat të keq, komplikimet prej lindjes së parakohshme, janë ndër shkaqet kryesore të vdekjes së foshnjave në pesë vitet e para të jetës.

Statistikat tregojnë se shifrat e lindjeve të parakohshme kanë pësuar rritje. Ekspertët deklarojnë se kjo vjen si pasojë e shtimit të përdorimit të trajtimeve për fertilitetin apo trendit të shtatzënive të mëvonshme. /atsh

17 nëntori- Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme Read More »

Leximi mbron trurin nga çmenduria

Leximi dhe shkrimi mbrojnë shëndetin e trurit pasi njerëzit që nuk mund ta bëjnë këtë kanë gati tre herë rrezik për t’u çmendur, sipas një studimi të Jennifer Manly, nga universiteti ”Columbia Vagelos College”, botuar në revistën ”Neurology”.

Studimi përfshiu rreth 1 000 individë me një moshë mesatare 77 vjeç, përfshirë 237 analfabetë.

Në fillim të studimit, 35% e analfabetëve rezultuan se kishin shenja çmendurie ndaj 18% të atyre që dinin të lexonin dhe të shkruanin.

Pas rreth katër vitesh, numri i analfabetëve me çmenduri u rrit në 48% ndaj 27% të atyre që dinin të lexonin dhe shkruanin.

Ekspertët kanë vlerësuar se analfabetët kanë një rrezik pothuajse tre herë më shumë për t’u çmendur se të tjerët, me kushte të barabarta siç janë mosha, seksi, statusi socio-ekonomik dhe shëndeti kardiovaskular.

“Të jesh në gjendje të lexosh dhe të shkruash lejon njerëzit të ndërmarrin më shumë aktivitete që përfshijnë burime mendore, të tilla si leximi i gazetës ose ndihmesa ndaj nipërve dhe mbesave me detyrat e shtëpisë”, tha Manly.

”Puna jonë siguron prova të reja që leximi dhe shkrimi mund të jenë faktorë të rëndësishëm në mbajtjen e shëndetit të trurit”, përfundoi ajo./atsh

Leximi mbron trurin nga çmenduria Read More »

Rreziku i sëmundjes së zemrës ”shkruhet” në sy

Thuhet se sytë janë dritarja e shpirtit. Por, ata gjithashtu mund të jenë një dritare për zemrën dhe të ndihmojnë në parashikimin e rrezikut të sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru.

Enët e vogla të gjakut në pjesën e prapme të syrit në fakt preken nga ngurtësia arteriale dhe rritja e presionit të gjakut, sipas një studimi të botuar në revistën ”Hypertension” të Shoqatës Amerikane të Zemrës.

Në këtë studim morën pjesë rreth 55 000 persona të moshave të mesme dhe të treta.

Ekipi kishte qasje në 3,5 milion seksione të enëve të gjakut si dhe një program të automatizuar që ekzaminonte imazhet e tyre dixhitale duke siguruar matjet e enëve të gjakut të secilit pjesëmarrës.

Analiza zbuloi se një lakim më i madh i arterieve retinale shoqërohej me ngurtësi më të madhe arteriale dhe presion më të madh sistolik (vlerë në kohën kur zemra po kontraktohet).

”Ky efekt në retinën nuk ka asnjë ndikim në vizion, por potencialisht mund të na tregojë shumë shpejt nëse personi ka më shumë rrezik të diagnostikojë sëmundje kardiovaskulare”, shpjegon studiuesja Alicia Rudnicka.

“Nëse ajo që ndodh në pjesën tjetër të trupit reflektohet në atë që ndodh në pjesën e pasme të syrit atëherë vlerësimi i morfologjisë retinale duhet të përfshihet në praktikën klinike midis faktorëve të rrezikut kardiovaskular, si mosha, nivelet e kolesterolit dhe presioni’’, theksuan autorët e studimit./atsh

Rreziku i sëmundjes së zemrës ”shkruhet” në sy Read More »

Sot, 75-vjetori i Çlirimit të Tiranë

Si sot, 75 vite më parë, u çlirua nga pushtimi nazi-fashist, qyteti i Tiranës. Operacion i madh, nga më të rëndësishmit, më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë. Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korpomatës së I Sulmuese.

Shtabi i korpomatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme. Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës. Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).

Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10, – 17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.

Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH.

Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij. Menjëherë pas çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor 1944, me urdhër të Qeverisë së Përkohshme Antifashiste, e cila ato ditë ndodhej në Berat, një repart i ushtrisë partizane mori në ruajtje godinën qendrore të Bankës Kombëtare të Shqipnis në Tiranë.

Reparti partizan mori në ruajtje edhe pasurinë e saj monetare, administrative dhe arkivore. Më 15 dhjetor 1944, disa ditë pasi organet e larta të shtetit qenë vendosur në Tiranën e çliruar, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional-Çlirimtar, u ndalua dalja jashtë Shqipërisë e arit, argjendit, platinit dhe gurëve të çmuar. /atsh

Sot, 75-vjetori i Çlirimit të Tiranë Read More »

Rama publikon pamje nga Valbona e mrekullueshme

Të udhëtosh në Luginën e Valbonës, sidomos në stinën e vjeshtës me ngjyrat fantastike të saj është një prej udhëtimeve më të bukura.

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur pikërisht Parkun Kombëtar të Valbonës, me të gjithë mrekullitë që ofron natyra për të ftuar këdo që dëshiron një fundjavë të paharruar për të vizituar këtë të dielë një prej destinacioneve natyrore më të pasura në vend.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga Valbona e mrekullueshme, ju uroj një të dielë të bukur!” shprehet Kryeministri Rama në videon që iu tregon udhëtarëve madhështinë e Valbonës përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë, mikpritjen e saj përmes njerëzve të mrekullueshëm që ka, bukurinë e saj përmes veshjeve shumëngjyrëshe të zonës.

Edhe rruga për në Valbonë është një vrapim i bukur mes malesh e ujrash, nëpër luginën e Fierzës, ku vjeshta ka kthyer peizazhin në një spektakël të vërtetë ngjyrash, nuanca të së kuqes, që pasqyrohen mbi syprinën e gjelbër të liqenit. /atsh

Rama publikon pamje nga Valbona e mrekullueshme Read More »

Restaurohet kisha e Shna Prendes/ Ndreu: E vetmja kishë që ka qartësisht darkën e fundit të Jezu Krishtit

Restaurohet kisha e Shna Prendes në Balldre të Lezhës. Kisha, shpallur monument kulture i kategorisë së I në vitin 1984, tashmë do të jetë një tjetë destinacion për të gjithë turistët.

Gjatë përurimit të restaurimit të kësaj kishe ishte i pranishëm dhe kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu ku shprehet se kjo kishë është një objekt kulturor dhe historik me vlerë të madhe dhe afresket e gjendura në të janë unikale.

“Kisha e Shna Prendes në Balldre Lezhë është një objekt kulturor dhe historik me vlerë të madhe. Afresket e gjendura aty janë unikale. Është e vetmja kishë në vend që ka qartësisht darkën e fundit të Jezu Krishtit, por me shumë se 200 vjet para se ta pikturonte Da Vinçi, çka i jep kësaj kishe vlera të pakrahasueshme”, shprehet Ndreu.

“Respekt për Dom Nike Ukgjini, Gjergj Liqejza e shume aktorë të tjerë që bënë të mundur këtë punë kaq të dobishme”, tha Ndreu.

Kisha e Shna Prendes në fshatin Balldren të Lezhës është ndërtuar në shek.XII-XIII.

Kjo kishë ndodhet në fshatin Balldre, ndërtuar mbi kodrën shkëmbore të një vendbanimi mesjetar. Burimet historike shënojnë në fshatin Balldre (balli i Drinit) që nga mesjeta me popullsi të ardhur nga alpet e veriut (Kelmendit).

Ndërtimi i kishës tregon përkushtim dhe funksionin fetar të këtij komuniteti dhe më gjerë në luginën e poshtme të lumit Drin. Ajo i përket tipit Gotik, më vonë kisha pati një restaurim, i cili mendohet që është i vitit 1462 sipas mbishkrimit të vendosur në anën e jashtme të Apsidës ku shkruhet: “Në vitin e Zotit 1462 kujto o ZOT shërbëtorët e tu, Perlatët së bashku me të gjithë miqtë e tyre”.

Kjo kishë e stilit romanik ndërtuar mes shek. XIV-XV paraqet një ndërtim drejtkëndësh, mbuluar me qemer të mprehtë. Kisha nga brenda ka qenë e zbukuruar me afreske ku dallon prej të tjerave tek absida “Darka e fundit”.

Me të njëjtin lloj harku janë edhe dyert e dritaret origjinale një pjesë e të cilave janë të murosura. Nga gërmimet e viteve 1985-86 në pjesën jugore të kishës janë evidentuar mure dhe një Apsidë, vazhdim i ekzistueses, duke përcaktuar në këtë mënyrë se forma planimetrike origjinale ka qenë e përbërë në dy Anijata dhe dy Apsida. /atsh

Restaurohet kisha e Shna Prendes/ Ndreu: E vetmja kishë që ka qartësisht darkën e fundit të Jezu Krishtit Read More »

75 vjetori i çlirimit/Bashkia e Tiranës nderon 4 organizatat e veteranëve të LANÇ dhe personalitete të luftës

Me rastin e jubileut të 75 vjetorit të çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazifashist, bashkia e Tiranës ka nderuar sot organizatat dhe disa nga veteranët e luftës antifashiste nacional-çlirimtare.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu mirënjohjen për kontributin që dhanë të gjithë ata burra dhe gra që luftuan kundër pushtuesve, ndërsa theksoi se është detyrë e brezit të sotëm që të vlerësojë sakrificën e tyre.

“Më vjen mirë që çdo hallkë e qeverisë tonë, duke filluar nga kryeministri, qeveria, parlamenti, të gjitha bashkitë, komunat tona, të gjitha këshillat bashkiakë, autoritetet vendore dhe qendrore janë mobilizuar që ky 75 vjetor të jetë një tur kujtese nëpër Shqipëri. Jam i nderuar që sot në emër të Këshillit Bashkiak, të qytetarëve të Tiranës, ne do të nderojmë disa organizata dhe disa personalitete”, tha Veliaj.

Në emër të bashkisë së Tiranës ai i dha titullin “Simbol i qytetit” katër organizatave të veteranëve të LANÇ dhe më konkretisht Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ, Organizatës së veteranëve të LANÇ, Dega Tiranë, Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve të Luftës dhe Organizatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ.

Gjithashtu kryetari i bashkisë së Tiranës i dha titullin “Mirënjohje e qytetit” edhe disa nga familjeve të dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, veteranë që vijojnë të mbajnë gjallë atë përpjekje ekzistenciale të popullit shqiptar, si dhe figura të tjera që kanë kontribuar për të përcjellë këtë luftë te brezat e rinj.

Me këtë titull u nderuan Gjergji Velo, Gjergj Frashëri, shkrimtari Nasho Jorgaqi, Ilir Shkëmbi, Hamdi Mëzezi, Osman Hysa, Dalan Buxheli, Ziqiri Mero, Rustem Peçi, Odhise Porodini, Faik Aliaj, Sevo Tarifa, Servet Agalliu, Hamit Myftari, Mesaret Ymeraj Karagjozi, Mynevere Shuteriqi, Përparime Abazi (Grabocka) dhe Naxhi Zhupa. /atsh

75 vjetori i çlirimit/Bashkia e Tiranës nderon 4 organizatat e veteranëve të LANÇ dhe personalitete të luftës Read More »