Irina

Vaksinimi falas kundër gripit, 138 mijë doza në gjithë Shqipërinë

Në të gjithë qendrat shëndetësore të vendit ka nisur vaksinimi kundër gripit falas për grupet e rrezikuara.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale këtë vit ka siguruar 138 mijë vaksina kundër gripit, të cilat kryhen pranë çdo qendre shëndetësore.

Kryeministri Edi Rama ftoi sot qytetarët të shkojnë pranë qendrave të tyre shëndetësore për të bërë vaksinën kundër gripit.

“Mirëmëngjes dhe dhe me ftesën për të shkuar pranë qendrës suaj shëndetësore për të marrë vaksinën kundër gripit, të cilën grupet më të rrezikuara si të moshuarit, fëmijët (2-5 vjet) dhe të sëmurët kronikë do ta kenë falas, ju uroj një javë të mbarë”, u shpreh Rama.

Një e moshuar thotë se vaksina e gripit sidomos për moshën tonë është shumë e rëndësishme. Duhet patjetër të mos neglizhojmë.

Ndërsa një tjetër thekson se këto vaksina ne i përsërisim çdo vit, nën kujdesin e mjekes tonë familjare dhe kemi ngelur gjithmonë të kënaqur.

Një tjetër i moshuar shprehet se më njoftuan në telefon me thanë hajdeni të bëni vaksinë, pra ka interes për shëndetin e popullit.

Një mjek thotë se nëse vitet e tjera kanë ardhur me vonesë këtë vit ka pasur kërkesë jashtëzakonisht të madhe edhe nga pacientët vetë të cilët janë ndërgjegjësuar , janë programuar që të vijnë të bëjnë vaksinën e gripit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, thekson se janë 138 mijë vaksina që po shpërndahen në të gjitha qendrat shëndetësore në të gjithë Shqipërinë për të realizuar vaksinimin e grupeve të rriskuara.

Tek grupet e rriskuara këtë vit janë edhe fëmijët e moshës 2-5 vjeç, përveç grupeve të tjera që janë të moshuarit të cilët kanë sëmundje kronike apo personeli shëndetësor.

Nga ana tjetër janë 50 frigoriferë të rinj të standardeve më të larta, janë shpërndarë në 50 qendra shëndetësore, aty ku ishte e nevojshme rifreskimi i zinxhirit ftohës.

Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, janë të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Vaksinimi do të kryhet falas në çdo qendër shëndetësore dhe sipas specialistëve, është koha më e mirë për të bërë vaksinën tashmë që ende nuk ka qarkullim të virusit të gripit në vendin tonë./atsh

Vaksinimi falas kundër gripit, 138 mijë doza në gjithë Shqipërinë Read More »

SHBA, krenare dhe e palëkundur në partneritetin me Shqipërinë

Në takimin e zhvilluar sot me temë “NATO dhe siguria përballë teknologjisë”, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones është shprehur se infrastruktura e teknologjisë 5 G është vërtetë komplekse.

Ajo nënvizon faktin se në gjithë këto 20 vite të karrierës së saj, nuk ka parë asnjë temë që kërkon më shumë kuptim, në mënyrë që të formulohet një politikë koherente.

Leyla Moses Ones tha në fjalën e saj, “SHBA ka në plan promovimin e paqes dhe të begatisë në rajon në përputhje me planin për paqe”.

Ajo shtoi gjithashtu se e quan veten me fat që përfaqëson Shtetet e Bashkuara në Shqipëri duke nënvizuar se “ka pak vende në botë që janë kaq të palëkundura në këtë partneritet me SHBA dhe Shqipëria me të drejtë na bën shumë krenar për këtë”.

vijon…/atsh

SHBA, krenare dhe e palëkundur në partneritetin me Shqipërinë Read More »

“Travelling Balkans”: Të jetosh në Shqipëri si një nomad dixhital

Nëse ndiqni faqen time të udhëtimit Anita Hendrieka, atëherë do ta kuptoni që unë aktualisht ndodhem në Shqipëri. Dy vitet e fundit kam jetuar në Shqipëri dhe tani kam një vizë qëndrimi, që më lejon të qëndroj për një vit, shkruan travellingbalkans.com.

”Ka shumë arsye, pse unë zgjodha të jetoj në Shqipëri. Sipas mendimit tim, Shqipëria është lokacioni më i mirë në Europë për nomadët dixhitalë dhe, më thjeshtë, ja përse:

Internet i shpejtë

Për habinë time, Shqipëria ka një internet jashtëzakonisht të shpejtë, më të shpejtë se nga çfarë kam pasur ndonjëherë në Zelandën e Re dhe në Britaninë e Madhe. Dhe më mirë akoma? Unë paguaj 2 000 lekë në muaj (15 €) për shpejtësinë më të madhe.

Gjatë dy viteve që kam jetuar këtu, nuk kam pasur ndonjë problem me internetin. Është i thjeshtë për t’u vendosur. Unë punoj në një kompani të quajtur “Meno” këtu në Sarandë.

Wi-Fi është i arsyeshëm në kafene, restorante e tjerë, kështu që mund të gjesh gjithmonë një vend të mirë për të punuar. Natyrisht, interneti është pika më e rëndësishme kur bëhet fjalë për një nomad dixhital. Gjithmonë duhet të keni një lidhje të shpejtë, të besueshëm dhe të shpejtë dhe Shqipëria e ofron vërtet atë.

Vlera e parasë

Shqipëria është ndër 3 vendet e para në Europë kur bëhet fjalë për të përballuar kostot. Kostoja e të jetuarit këtu si një turist është jashtëzakonisht e arsyeshme. Për një shtëpi me 2 dhoma gjumi, 2 banjo unë paguaj 150 € në muaj. Energjia elektrike është afërsisht 2500-4000 lekë (19 € – 31 €), uji është afërsisht 2000 lek (15 €) dhe Wi-Fi është 2000 lek (15 €).

Kjo do të thotë që kostoja ime totale mujore për të jetuar këtu është afërsisht 200 € në muaj (pa përfshirë ushqimin). Për sa i përket ushqimit, ju mund të keni një vakt të plotë këtu për 1-3 €, birra mund ta gjeni nën 1 € dhe, një bukë është 50 lekë (0,39 €).

Kultura e pasur dhe historia magjepsëse

Vendosa të qëndroj në Shqipëri kryesisht sepse jam vërtet e magjepsur nga kultura dhe historia këtu. Kultura është kaq e pasur, ndryshe nga kudo tjetër në Europë. Ndonjëherë kur udhëtoj në Europë më duket sikur disa vende kanë humbur shumë nga kultura e tyre në vetëm 20 vitet e fundit, por Shqipëria është ndryshe.

Ka kaq shumë për të mësuar këtu dhe më duket me të vërtetë magjepsëse. Jugu dhe Veriu janë krejtësisht të ndryshëm gjithashtu. Unë jetoj në jug, Sarandë, ku njerëzit besojnë në mallkime, bëjnë një sy gjumë në orët e pasdites dhe ndonjëherë flasin duke i kthyer fjalet mbrapsht.

Historia në Shqipëri është gjithashtu tërheqëse pasi komunizmi ra në 1990, dhe më pas në 1997 shpërthyen trazirat civile pasi një skemë piramidale nënkuptonte që një shumicë e shqiptarëve të humbnin gjithçka që zotëronin.

Gjatë periudhës së komunizmit, Shqipëria mund të krahasohet me të njëjtat regjime të tmerrshme si Koreja e Veriut. Gjatë komunizmit u ndërtuan mbi 600,000 bunkerë në të gjithë vendin dhe ju mund të gjeni ende rreth 160,000 të tillë që ekzistojnë ende. Madje, disa janë shndërruar në hotele, restorante dhe madje edhe sallone tatuazhesh.

Historia është shumë e hershme, dhe vendi po rimëkëmbet me një ritëm të shpejtë. Këtë ndryshim vura re që herën e parë që udhëtova në Shqipëri.

Ushqim i shijshëm

Unë e dua ushqimin, mbase shumë, kështu që kur vizitoj një vend, më pikon zemra, e thënë fjalë për fjalë. Ushqimi është shumë i rëndësishëm kur udhëtohet. Gjatë vizitës tuaj në një vend, ju mund të provoni ushqimin e Ballkanit që është një nga më të mirët, veçanërisht në Shqipëri!

Në jug, ju mund të gjeni ushqimet e detit më të freskëta, ndërsa ushqimet më të shijshme në veri, mund të gjeni tava me mish dhe perime dhe supa të shijshme. Ajo që adhuroj më shumë në Shqipëri është përdorimi i përbërësve të freskët. Ndihem e ngopur dhe e shëndetshme pasi kam ngrënë një vakt në Shqipëri sepse nuk përmban konservues dhe të gjithë përbërësit janë të freskët dhe zakonisht i kultivojnë jashtë kopshteve të tyre.

Lajmi më i mire për vegjetarianët është se ofrohen edhe shumë pjata pa mish. Ata mund të provojnë një pjatë të quajtur ”Speca te mbushura” e cila është e mbushur me speca, ose një pjatë të thjeshtë me perime të pjekura në skarë do të ishte gjithmonë e shijshme.

Nëse jeni një mishngrënës, atëherë duhet të gëzoheni sepse në Shqipëri gatuhen pula të pjekura në skarë, mish derri dhe qengj. Ofrohet gjithçka për këdo që jeton në Shqipëri. Kur mbërrini në Shqipëri sigurohuni që të filloni me një tur ushqimi për t’u njohur me ushqimin e vendit!

Shumë për të bërë dhe parë në kohën e lirë

Ka shumë gjëra për të bërë në Shqipëri. Unë jetoj në jug të Shqipërisë në bregdet dhe mund të konfirmoj që riviera shqiptare ka plazhet më të bukura që kam parë në Europë.

Ka kaq shumë plazhe dhe limane të fshehura, si dhe fshatra të vegjël tradicionalë, dhe një kryeqytet të gjallëruar. Ju nuk do të mërziteni kurrë nëse jetoni në Shqipëri sepse ka shumë për të parë dhe bërë.

Vendet fqinje epike

Nëse keni këmbë të dëmtuara dhe doni të shihni dhe përjetoni vende të reja, atëherë kjo do të ishte shumë e lehtë këtu. Shqipëria kufizohet me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi, të gjitha këto vende të bukura me një histori dhe kulturë interesante.

Unë do iu rekomandoja të vizitonit Kosovën nëse vendosni të qëndroni në Shqipëri. Natyra është mahnitëse, ushqimi është i jashtëzakonshëm, dhe Prishtina është një nga qytetet më të lezetshme ku kam qenë! //aatsh

“Travelling Balkans”: Të jetosh në Shqipëri si një nomad dixhital Read More »

Feja, si një instrument për paqen në Ballkan

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen”, organizuar në bashkërendim me Departamentin e SHBA ka deklaruar se dialogu dhe paqja duhet të mbizotërojnë si themeli i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vendet e Ballkanit.

“Është fjala e përbashkët, paqe, ajo që është vlera kryesore, e drejtë universale dhe e domosdoshme për të gjithë njerëzimin, pa dallim feje, përkatësie etnike, race, gjinie, kulture, shtrese sociale, ekonomike, apo çfarëdo qoftë kategorizimi tjetër. Mbi të gjitha dhe absolute është përkatësia e grupeve të njerëzimit në të drejtat dhe liritë universale të njeriut të cilat duhet të mundësohen njëlloj nga të gjithë sepse privimi i ndonjë të drejte a lirie natyrisht sjell deri në paqartësi dhe kjo është shprehja më e moderuar, por nëse ajo vazhdon e zgjerohet me përfshirjen e grupit të të pakënaqurve atëherë do të reflektojë në konflikte me përmasa të gjëra me ndjenjë diskriminimi dhe do të pasohet me rezistencë të bashkuar ndaj autoriteteve qeveritare, bashkësive etnike lidhur me përkatësinë e tyre fetare,” u shpreh Xhaferri.

Ai shtoi se, praktikimi i një feje nuk duhet të jetë në dëm të një feje tjetër, apo në diskriminimin e një feje tjetër, pasi liria e shprehjes u nënshtrohet rregullave të përgjithshme dhe duhet të jetë në përputhje me ligjin e kushtetutën.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Serbisë, Nikola Selakovic, në emër të Presidentit Aleksandër Vuçiç u shpreh se në Ballkan duhet të ekzistojë dialogu ndërfetar për të shmangur sfidat dhe rreziqet kundër paqes. Ai shtoi se në Serbi ekziston sot ligji më liberal në botë sa i takon lirive fetare.

“Parakusht për dialogun është garancia për lirinë e fesë. Barazia e komuniteteve fetare pavarësia e tyre nga shteti dhe ndalimi i çdo lloj rreziku janë ngritur sot në nivelin e Kushtetutës, ku një zë të veçantë zë ligji i kishave dhe komuniteteve fetare, që në vitin 2006, i cili njeh të gjitha fetë që ekzistojnë në Serbi. Është një nga ligjet më liberalë në botë. Model i bashkëpunimit mes kishës dhe shtetit,” u shpreh ndër të tjera Selakovic.

Ndërkohë, Ambasadori amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare, Sam Brownback i pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen” ka vlerësuar Shqipërinë si një vend me tradita fetare dhe si vendin perfekt për të organizuar këtë konferencë.

Në fjalën e tij, Brownback thotë se “për fat të keq është më e thjesht të ndahemi se sa të bashkohemi. Është detyra jonë të përdorim fenë si një instrument për paqen”. Ambasadori amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare inkurajoi ndërveprim mes përfaqësues të ndryshëm fetar dhe ftoi dhe përfaqësuesit politik të dialogojnë.

“Ju inkurajoj të gjeni mënyrat për të ndërvepruar. Inkurajoj dhe përfaqësuesit politikë. Unë shpresoj që të ketë më shumë dialog mes përfaqësueseve të politikës dhe atyre fetarë. Politika është larg fesë, por duhet të shikojmë ndryshime ligjërisht, kështu ne ndërtojmë një shoqëri të qëndrueshme. Dialogu kuptimplotë, mund të ndodhë dhe duhet të ndodhë”, nënvizoi Brownback. /atsh

Feja, si një instrument për paqen në Ballkan Read More »

Manastirliu: Nga 1 dhjetori pagesa e paketës higjeno-sanitare edhe për fëmijët me probleme të rënda

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi sot në komunikimin e përjavshëm me qytetarët se rasti Valbonës i një nëne me fëmijë me aftësi të veçanta e cila kishte probleme me përfitimin e paketës higjeno-sanitare ka gjetur zgjidhje.

Sipas ministres ku rast u zgjidh dhe tashmë duke nisur nga 1 dhjetori pagesa e paketës higjeno-sanitare nuk do të jetë vetëm për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, por dhe për raste të tjera të personave me aftësi ndryshe të cilët janë me aftësi të kufizuar të thellë apo të rëndë.

“Po e nis komunikimin javor do e nis me rastin e Valbonës, nëna e një djali me aftësi të veçanta që përfiton pagesën mujore nga programi i Mbrojtjes Sociale. Valbona me ka shprehur shqetësimin se përse nuk e përfitonin paketën higjeno-sanitare. Valbona duhet të sqaroj se ne po nisim në Tiranë një vlerësim të ri bio psiko-social për vlerësimin e aftësisë së kufizuar ku një vëmendje të veçantë do ti kushtojmë vlerësimit të fëmijëve me aftësi ndryshe. Prej datës 1 dhjetor pagesa e paketës higjeno-sanitare nuk do të jetë vetëm për personat para tetra plegjik por dhe për raste të tjera të personave me aftësi ndryshe të cilët janë me aftësi të kufizuar të thellë apo të rëndë. Ky vlerësim do sjell më shumë mbështetje financiare për personat me aftësi të veçanta dhe kryesisht për fëmijët me aftësi ndryshe”, tha Manastirliu.

Ministrja gjatë këtij komunikim bëri dhe një panoramë të punëve që do bëhen gjatë kësaj jave të re. Në fokus të kësaj jave janë pikat e reja të vlerësimit të aftësisë së kufizuar të cilat tashmë do të jenë pranë qendrave shëndetësore.

“Gjatë kësaj jave do jem në një prej pikave të reja të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, të cilat tashmë do të jenë pranë qendrave shëndetësore, duke garantuar më shumë akses dhe transparencë maksimale duke u vlerësuar nga një ekip mjekësh, punonjësish social dhe psikologësh. Do ta fillojmë në Tiranë për t’u shpërndarë më pas në gjithë Shqipërinë”, theksoi ministrja.

Gjithashtu një tjetër rast i një qytetari me sëmundje zemre i cili kishte probleme me marrjen e barnave të rimbursueshme gjeti zgjidhje.

“Janë të shumtë qytetarët që këtë javë më kanë shkruar për disa shqetësime dhe ne i kemi adresuar me ekipin e shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të zgjidhur çdo kërkesë apo ankesë të tyre. Ka një prej tyre që tregon mundimin e vërtetë që në disa raste kalojnë pacientët me sëmundje kronike për të përfituar barnat e rimbursueshëm, siç është rasti i Xhevdetit. Ai endej sa në një zyrë në një qendër shëndetësore për të përfituar barnat me rimbursueshëm për sëmundjen e zemrës. Në pamundësi për të gjetur zgjidhje ai na shkruajti dhe ne ndoqën rastin e tij, kemi bërë hapa në drejtim të lehtësimit të procedurave. Ka ende shumë për të bërë për të lehtësuar qytetarët për të përfituar barnat me rimburësim. Siguroj Xhevdetin dhe për gjithë ju se po punojmë për paketën e thjeshtëzimit të procedurave për barnat e rimburësueshme me synim ndjekjen tek mjeku i familjes për sëmundjet kronike të përcaktuara”, tha ministrja.

Gjithashtu ministrja Manastirliu solli dhe një herë në vëmendje programin e vaksinimit që u zhvillua gjatë javës që shkoj ku 138 mijë doza vaksinash janë vënë në dispozicion falas për vaksinimin ndaj gripit për kategoritë në risk.

“Gjatë javës që lam pas nisëm një program shumë të rëndësishëm kombëtar për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, programin e vaksinimit falas ndaj gripit për kategoritë në risk. 138 mijë doza vaksinash janë vënë në dispozicion të të moshuarve , personelit mjekësor, grave shtatëzëna, të sëmurëve kronik dhe fëmijëve 2-5 vjeç për tu mbrojtur nga komplikacionet e gripit”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja gjatë këtij komunikimi bëri dhe apel në kuadër të muajit për ndërgjegjësimin ndaj diabetit duke i ftuar qytetarët të gjejnë pak kohë për të bërë falas kontrollin periodik për parandalimin e diabetit.

“Ky është një muaj tjetër i rëndësishëm, është muaji për ndërgjegjësim ndaj diabetit. Dua ti bëj një ftesë publike të gjithëve ju që të gjeni pak kohë për të bërë kontrollin periodik falas për të parandaluar komplikacionet e diabetit”, tha ministrja.

Në fund ministrja tha se, ” gjatë kësaj jave do jem në Shkodër për disa investime shumë të rëndësishme qoftë në kujdesin parësor ku kemi përmirësuar shërbimin për komunitetitin ashtu edhe në spital ku po funksionon më së miri shërbimi i koronarografisë që është një shërbim që shpëton jetë dhe ofrohet afër vendbanimit edhe në Shkodër”.

Komunikimi javor është një tjetër mënyrë për të marrë nga qytetarët shqetësime që lidhen me shëndetësinë apo mbrojtjen sociale dhe në të njëjtën kohë për të adresuar çështje që do të përfshihen në axhendën javore të ministres. /aatsh

Manastirliu: Nga 1 dhjetori pagesa e paketës higjeno-sanitare edhe për fëmijët me probleme të rënda Read More »

Soreca viziton panairin “Shqipëria punon tokën”: BE mbështet me krenari Shqipërinë

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca ka vizituar panairin bujqësor “Shqipëria punon tokën” në Tiranë, ku fermerë nga i gjithë vendi janë mbledhur për të paraqitur pasurinë e prodhimit bujqësor të Shqipërisë.

Ambasadori shprehet se ndjehemi krenar të shihnim edhe fermerë që kanë përfituar nga fondet IPARD dhe projektin e financuar nga BE-ja që mbështet sigurinë ushqimore në Shqipëri

“Krenarë të shihnim edhe fermerë që kanë përfituar nga fondet IPARD dhe projektin e financuar nga BE-ja që mbështet sigurinë ushqimore në Shqipëri. BE-ja mbështet me krenari Shqipërinë në zhvillimin ekonomik të sektorit të saj bujqësor”, thekson Soreca.

“Jam i gëzuar që u takova edhe me Altin Prengën nga “Mrizi i Zanave” dhe Alfred Markun nga “Rapsodia”, të cilët e kanë bërë të njohur ushqimin tradicional shqiptar në të gjithë botën. Bashkimi Europian do të vazhdojë t’i mbështesë fermerët shqiptarë, përmes fondeve IPARD, për diversifikimin e aktiviteteve dhe shërbimeve bujqësore”, tha Ambasadori i BE-së Luigi Soreca. /atsh

Soreca viziton panairin “Shqipëria punon tokën”: BE mbështet me krenari Shqipërinë Read More »

Meta: Nuk ka Rilindje lokale dhe ndërkombëtare që e shpëton Dvoranin nga përgjegjësia penale

Presidenti i Republikës, Ilir Meta e ka cilësuar skandaloz presionin politik ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha. Presidenti akuzon Ardian Dvoranin si të vetmin përgjegjës për këtë akti kriminal.

“Skandaloz presioni politik ndaj KED dhe anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha! I vetmi përgjegjës për aktet kriminale të militantit Ardian Dvorani është vetëm ai, përndryshe Katica jonë i Reformës në Drejtësi”, shprehet Presidenti Meta.

Meta shprehet se askush nuk mund ta shpëtojë Ardian Dvoranin nga përgjegjësia e rëndë penale.

“Nuk ka Rilindje lokale dhe ndërkombëtare që e shpëton atë nga përgjegjësia e rëndë penale. Katica jonë bëri një akt shumë më të rëndë se vendosja e gjobës së një biznesmeni. Katica jonë donte të vidhte gjithë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Provat po shtohen. Garantet e krimit kushtetues po dalin vetë. Video po përgatitet”, tha Presidenti. /atsh

Meta: Nuk ka Rilindje lokale dhe ndërkombëtare që e shpëton Dvoranin nga përgjegjësia penale Read More »

504 të punësuar në një javë nga Zyrat e Punës

Zyrat e Punës po funksionojnë si instrumente strategjikë të punësimit në të gjithë vendin. Vetëm në një javë (7-14 nëntor) në gjithë vendin janë 504 të punësuar përmes Zyrave të Punës.

Konkretisht, duke iu referuar shifrave të punësimit sipas qarqeve, vihet re se numri më i madh i të punësuarve është në Tiranë me 174 persona dhe Durrës ku janë punësuar 57 persona.

Ndërsa në Berat rezultojnë 44 persona të punësuar, në Fier 37 të punësuar, në Korçë 16 të punësuar, në Dibër 17 të punësuar, në Elbasan 46 të punësuar, në Gjirokastër 25 të punësuar, në Kukës 16 të punësuar, në Lezhë 19 të punësuar, në Shkodër 25 të punësuar dhe në Vlorë 28 persona të punësuar.

Falë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, çdo shtetas tashmë ka mundësinë që jo vetëm të kërkojë punë, por edhe të trajnohet për përmirësimin e aftësive personale./atsh

504 të punësuar në një javë nga Zyrat e Punës Read More »