Irina

Përfunduan Shkollën e Magjistraturës, betohen 15 gjyqtarë të rinj

15 gjyqtarët e rinj të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2018-2019 janë betuar sot në mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Këshillit, Naureda Llagami, u shpreh se gjyqtarët që betohen sot janë brezi i dytë i gjyqtarëve për të cilët Këshilli ka kryer një verifikim të thelluar të pasurisë dhe figurës, përpara emërimit të tyre. Proces të cilin gjyqtarët nën betim e kaluan me sukses.

Në këtë mënyrë, së bashku me brezin e parë të magjistratëve të emëruar në korrik 2019, në më pak se një vit, sistemit gjyqësor shqiptar i shtohen 25 gjyqtarë me integritet dhe aftësi të larta profesionale.

Duke u uruar sukses për emërimin në detyrë, Llagami, theksoi nevojën që ka shoqëria shqiptare dhe vendi për gjyqtarë profesionistë dhe të përkushtuar në zbatim të Kushtetutës dhe kuadrit ligjor në fuqi.

Menjëherë pas përfundimit të betimit, Këshilli vendosi caktimin në pozicion në gjykatat e vendit të 15 gjyqtarëve të rinj, bazuar në vendet e lira në dispozicion të tyre.

Kështu, Erlanda Agaj caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Marko Boshku caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër. Elisabeta Gjoni caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, Klejda Çapja caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Artur Prenga caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, Mirjan Mustafaj caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, Kostandina Kuro caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Iva Zemani caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Enisa Shahini caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë. Ema Shaholli caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër. Shkëlzen Liçaj caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë. Xhevdet Lika caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër. Ligoraq Toshi caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë. Hazbi Balliu caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër. Florin Demollari caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës. /atsh

Përfunduan Shkollën e Magjistraturës, betohen 15 gjyqtarë të rinj Read More »

Lirohet nga detyra zv.ministri i Financave, Erjon Luçi

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme në drejtimin e zv.kryeministrit Erjon Braçe, miratoi vendimin për lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Financave dhe Ekonomisë, Erjon Luçi.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi që Erjon Luçi, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, të lirohet nga kjo detyrë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendim.

Luçi lirohet nga detyra pas 7 vitesh në këtë post. /atsh

Lirohet nga detyra zv.ministri i Financave, Erjon Luçi Read More »

Ndryshimet për “Maturën Shtetërore 2020” paraqiten para maturantëve të “Ismail Qemalit”

Në gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë është organizuar sot takimi me maturantët e këtij viti për prezantimin e risive dhe ndryshimeve të Maturës Shtetërore.

E pranishme në këtë aktivitet ka qenë zëvendësministrja për Arsimin Parauniversitar, Nina Guga dhe drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi.

Ndryshimet thelbësore në rregulloren e “Maturës Shtetërore 2020” kanë qenë fokusi kryesor i këtij prezantimi. Disa prej tyre janë vlerësimi elektronik i provimeve, rritja e cilësisë së administrimit të provimeve, shtimi i masave disiplinore etj.

Njëkohësisht, nxënësit dhe mësuesit u njohën me dy botimet e fundit të QSHA-së: “Matura Shtetërore Gjuha Shqipe dhe Letërsia” dhe “Matura Shtetërore 2019, teste dhe skema vlerësimi, gjuhët e huaja, matematika dhe lëndë me zgjedhje (për gjimnazin)”, të cilat do t’i orientojnë nxënësit dhe do t’i ndihmojnë ata për t’u përgatitur më mirë./atsh

Ndryshimet për “Maturën Shtetërore 2020” paraqiten para maturantëve të “Ismail Qemalit” Read More »

Fatjona Vogli, infermierja që shërben me përkushtim në repartin delikat të neonatologjisë

Fatjona Vogli ka fituar me meritë vendin e punës përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë” dhe sot shërben me përkushtim në repartin delikat të neonatologjisë, tek bebet e porsalindura në maternitetin “Koço Gliozheni”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se 191 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike janë punësuar me meritë dhe transparencë vetëm gjatë 2 muajve të fundit dhe më shumë se 2000 infermierë prej momentit të ndërtimit të platformës unike për punësim “Infermierë për Shqipërinë”.

Manastirliu ka informuar se thirrja e radhës për aplikim në portal për punësim ka afat datën 5 shkurt.

Platforma “Infermierë për Shqipërinë” është lançuar në janar të 2018 për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë dhe është pjesë e ligjit të ri të kujdesit shëndetësor./atsh

Fatjona Vogli, infermierja që shërben me përkushtim në repartin delikat të neonatologjisë Read More »

Peripecitë e bebes Lois përfundojnë me sukses/ Kryhet në QSUT operacioni i parë i korrigjimit të një defekti madhor në zemër

Një ndërhyrje e ndërlikuar kirurgjikale është kryer me sukses në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, operacioni i parë i korrigjimit të një defekti madhor në zemër tek një bebe.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër peripecinë e Loisit, bebes që ka ardhur në jetë 6 muaj më parë me një defekt të lindur në zemër.

Kryeministri Rama ka publikuar fotot e Loisit, i cili iu nënshtrua një ndërhyrje delikate dhe tejet komplekse, e cila nuk ishte realizuar më parë në vendin tonë.

Operacioni ka zgjatur disa orë dhe është kryer me sukses nga doktor Altin Veshti dhe ekipi i kardiokirurgjisë në QSUT, duke realizuar për herë të parë në Shqipëri korrigjimin e një defekti madhor.

“Ogerta ka ndjekur nga afër peripecinë e Loisit, bebes që ka ardhur në jetë 6 muaj më parë me një defekt të lindur në zemër. Një patologji shumë e rrallë, që kërkonte një ndërhyrje delikate dhe tejet komplekse, e cila nuk ishte realizuar më parë në vendin tonë. Operacioni që zgjati disa orë, u krye me sukses nga dr. Altin Veshti dhe ekipi i kardiokirurgjisë në QSUT, duke realizuar për herë të parë në Shqipëri korrigjimin e një defekti madhor (Gerbode defect)”, -thotë Rama./atsh

Peripecitë e bebes Lois përfundojnë me sukses/ Kryhet në QSUT operacioni i parë i korrigjimit të një defekti madhor në zemër Read More »

Ekselentët në shërbimin diplomatik/ Pjesë e përpjekjes strategjike për forcim të përfaqësimit

Së shpejti, Ministria për Europën dhe Punët e e Jashtme do të hapë thirrjen tjetër për specialistë e ekselentë të rinj, me qëllim forcimin e diplomacisë së Shqipërisë dhe rritjen e cilësisë së përfaqësimit ndërkombëtar të saj.

Nëntë diplomatë të rinj të cilët i janë bashkuar së fundmi politikës së jashtme. Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj i ka cilësuar ata pjesë të përpjekjes strategjike për forcim të trupës diplomatike të Shqipërisë.

“Tashmë kemi edhe një gjeneratë më shumë të diplomatëve të rinj në sistemin e karrierës së diplomacisë së Shqipërisë! Diplomatët e rinj iu bashkuan sistemit të karrierës diplomatike si pjesë e përpjekjes strategjike për forcim të trupës diplomatike të Shqipërisë dhe ripërtëritjen e kuadrove të saj”, -tha Cakaj.

Më tej, ministri i Jashtëm ka falënderuar edhe ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli i cili do të jetë mentor i kësaj gjenerate.

“Shumë shpejt do të vazhdojmë me një thirrje tjetër të hapur për specialistë e ekselentë të rinj me qëllim që të forcojmë diplomacinë e Shqipërisë dhe rrisim cilësinë e përfaqësimit ndërkombëtar të saj”,-thotë Cakaj./atsh

Ekselentët në shërbimin diplomatik/ Pjesë e përpjekjes strategjike për forcim të përfaqësimit Read More »

Stanishev: BE të mbajë premtimin dhe të hapë negociatat me Shqipërinë

Presidenti i Partisë Socialiste Europiane (PES), Sergei Stanishev, në një takim në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla, rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin e fortë të PES, se “Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimet e dhe të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla,gjatë qëndrimit në Bruksel, zhvilloi një takim me Presidentin e Partisë Socialiste Europiane (PES), Sergei Stanishev.

Gjatë takimit, Balla dhe Stanishev diskutuan mbi situatën në vend, Ballkanin Perëndimor dhe procesin e zgjerimit të BE-së./atsh

Stanishev: BE të mbajë premtimin dhe të hapë negociatat me Shqipërinë Read More »

Situata e gripit, ISHP: Rritet numri i të prekurve në javën e tretë të janarit

Gripi është një sëmundje ngjitëse e rrugëve të frymëmarrjes e cila mund të çojë në gjendje të rëndë shëndetësore me shtrime në spital, e ndonjëherë deri në vdekje.

Instituti i Shëndetit Publik informon se në rrethin e Tiranës prirja e infeksioneve respiratore paraqitet në rritje në javën e tretë të 2020.

Prej fillimit të vitit në vend është evidentuar qarkullimi i viruseve A/H1pdm09, A/H3 dhe B të gripit. Sipas ISHP-së, në javën e tretë të vitit 2020 vërehet një prirje në rritje e numrit të infeksioneve Respiratore të Sipërme dhe të Poshtme dhe ky numër është pothuajse i njëjtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Institutit i Shëndetit Publik i ka bërë apel të gjithë qytetarët të kujdesen për higjienën vetjake dhe të informohen për kujdes ndaj gripit dhe të ftohtit në faqet zyrtare të këtyre institucioneve, ku që prej fillimit të sezonit të gripit ka nisur sensibilizimin me këshilla dhe orientim për periudhën e sezonit të gripit. /atsh

Situata e gripit, ISHP: Rritet numri i të prekurve në javën e tretë të janarit Read More »