Irina

Reforma Zgjedhore, Pëllumbi: E rëndësishme është të fitojë elektorati, zgjedhjet parlamentare në 2021

“Zgjedhjet parlamentare do jenë në qershor të 2021, përsa kohë kemi mazhorancë në Kuvend e institucionet e shtetit funksionojnë”, tha sot i ftuar në një emision televiziv deputeti i PS-së Arben Pëllumbi.

Në lidhje me me Reformën Zgjedhore, deputeti i PS-së tha se më e rëndësishme është të fitojë elektorati shqiptar dhe në fund të fundit humbësi t’i japë dorën fituesit.

Pëllumbi sqaroi se ka pasur raporte vëzhgimi në tre zgjedhjet e fundit, që kanë dhënë opinione që “kemi patur dëshirë t’i marrim parasysh”.

“Ne kemi patur qëndrimet tona, PD qëndrimet e veta dhe partitë e vogla qëndrimin e tyre. Në fund fare ky proces vazhdoi të ecë në rrugën institucionale. Kështu është një lajm pozitiv që opozita u rikthye në tryezë dhe biem dakord ta çojmë të gjithë bashkë deri në fund. Ne si PS jemi të hapur të diskutojmë për gjithçka”, tha ai.

Në lidhje me zgjedhjet e parakohshme dhe protestat nga ana e opozitës, Pëllumbi tha se PS e ka shprehur qëndrimin e saj. “Zgjedhjet do jenë në qershor të 2021, përsa kohë kemi mazhorancë në Kuvend, institucionet e shtetit të funksionojnë dhe elektorati shqiptar të mos na japë një mesazh të drejtpërdrejt dhe të qartë që ka nevojë të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Këto janë kanalet demokratike që shkohet në zgjedhje të parakohshme. Pastaj nëse do shihet të bëhet një marrëveshje që unë nuk e shikoj, ne nuk na tremb asgjë si PS, pasi jemi gati që nesër të shkojmë në zgjedhje, strukturat janë në punë në organizim. Ne po përmbyllim një proces organizimi dhe rinovimi të PS-së. Por në këto momente të mos japim hamendësime. Reforma Zgjedhore të përfundojë, të japë rezultatet e veta, por për momentin nuk kemi mundësi për zgjedhje të parakohshme”, tha ai./atsh

Reforma Zgjedhore, Pëllumbi: E rëndësishme është të fitojë elektorati, zgjedhjet parlamentare në 2021 Read More »

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, Shqipëria shpëtoi më shumë se 2 mijë hebrenj

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri përkujtoi sot 27 Janarin, Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, ndërsa vlerësoi kontributin e Shqipërisë në shpëtimin e mijëra jetëve.

“Sot në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit duhet të qëndrojmë së bashku për të sfiduar urrejtjen dhe të punojmë drejt një të ardhmeje më të mirë”, deklaroi Delegacioni i Bashkimit Europian.

Po ashtu, delegacioni i Bashkimit Europian vlerësoi kontributin e Shqipërisë për të shpëtuar më shumë se 2000 hebrenj.

“Shqipëria është një shembull i shkëlqyeshëm i kësaj, duke shpëtuar jetën e më shumë se 2000 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa miliona të tjerë po shfaroseshin në të gjithë Europën”, deklaroi Delegacioni i BE-së. /atsh

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, Shqipëria shpëtoi më shumë se 2 mijë hebrenj Read More »

Platforma e bashkëqeverisjes, 32 362 ankesa të zgjidhura

“Shqipëriaqeduam.al” është kthyer në një nga platformat më të besueshme për qytetarët shqiptarë, ku përmes një mesazhi shumë shpejt mund të gjendet zgjidhje për problemet dhe ankesat e tyre.

Këtë javë numri ankesave të zgjidhura nga platforma e bashkëqeverisjes në nivel qendror është 32 362, ndërsa numri ankesave të regjistruara është 48807.

Në nivel vendor janë regjistruar 8841 ankesa dhe janë zgjidhur 4317, në rastet e biznesit numri total i ankesave të zgjidhura është 588, ndërsa ka arritur në 1120 numri total i ankesave të regjistruara.

Sipas shifrave të publikuara nga “Pasqyra e qeverisjes” këtë javë, rezulton se janë dhe 8 raste të spikatura të zgjidhura përmes platformës së bashkëqeverisjes. Konkretisht janë 3 raste nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, 2 raste nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë dhe 2 raste nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe dhe Rinisë dhe 1 rast “Biznesi im”.

Numri i “log in” në faqen e platformës për javën që sapo mbyllëm ishte 125 964, ndërsa numri numri i regjistrimeve të reja është 20818./atsh

Platforma e bashkëqeverisjes, 32 362 ankesa të zgjidhura Read More »

Rama niset drejt Berlinit, takim me Kancelaren Merkel në vigjilje të Konferencës së Donatorëve

Kryeministri Edi Rama u nis sot për në Berlin, ku do të zhvillojë një takim me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Kryeministri Rama informoi se takimi zhvillohet enkas për Programin e Rindërtimit në vigjilje të Konferencës së Donatorëve, që do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt.

“Për në Berlin për takimin me Kancelaren Merkel, enkas për Programin e Rindërtimit në vigjilje të Konferencës së Donatorëve, që do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt”, tha Rama.

Tre ditë më parë, në 23 janar, Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë në Itali, ku u prit nga homologu italian Giuseppe Conte dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, me të cilët diskutoi për organizimin e Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt në Bruksel, për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit./atsh

Rama niset drejt Berlinit, takim me Kancelaren Merkel në vigjilje të Konferencës së Donatorëve Read More »

Dëmet nga tërmeti/ Specialistë italianë dhe shqiptarë inspektojnë monumentet e kulturës

Një sërë monumente kulture në vendin tonë janë inspektuan ditët e fundit nga një grup specialistësh italianë dhe të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë dhe Shkodër.

Ministria e Kulturës pas ngjarjeve sizmike të ndodhura në 26 nëntor ka kërkuar pjesëmarrjen e ekspertëve të huaj për të ndihmuar autoritetet shqiptare në administrimin e urgjencës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ambasada Italiane iu përgjigj thirrjes dhe mbështeti me misionin “Task Force Italiana U4H”. Ky mision i parë konsiston në njohjen dhe vlerësimin e nevojave aktuale nëpërmjet studimeve në terren.

Në vijim të punës, grupi i specialistëve italianë dhe specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore e DRTK Tiranë inspektuan ndërtesën e Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, “Banesën Shtetërore (ish Esat Mlika – Muzeu Etnografik dhe i Tërmetit)”, Lezhë, kalanë e Lezhës si dhe kalanë e Prezës./atsh

Dëmet nga tërmeti/ Specialistë italianë dhe shqiptarë inspektojnë monumentet e kulturës Read More »

200 mijë simulime online për patentë në 10 muaj /Sistem i avancuar monitorimi interaktiv në 15 objekte

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor po vijon punën për instalimin e sistemit më të avancuar të monitorimit interaktiv të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, në marrjen e patentave.

“Pasi rishikuam 63% testin e teorisë, ndërgjegjësuam aplikantët gjatë 2019-ës se e kalon nëse mëson, se testi “lodhu kot, gjej sekser” iku, kemi një reagim fantastik me 200 mijë simulime online të Testit Zyrtar në: www.dpshtrr.al në 10 muaj”, thuhet në një njoftim të DPSHTRR-së.

Tashmë, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor vijon faza e dytë, ku po punohet për instalimin e sistemit më të avancuar të monitorimit interaktiv në 15 objekte.

“Teknologji e pajisje nga Amerika e Veriut! Figurë/zë/zoom live/ID nga sallat e çdo shërbimi deri te Poligonet (edhe këto në procedura) dhe testi i praktikës në mjet në ecje (fazë provash) me synim që të kemi sistemin, sallën qendrore, strukturën, rrjetin, trajnimet, operative brenda 2020”, vijon njoftimi./atsh

200 mijë simulime online për patentë në 10 muaj /Sistem i avancuar monitorimi interaktiv në 15 objekte Read More »

Faqja britanike: Shqipëria një frymëzim i ri për pushime

Në një artikull të saj, faqja e njohur britanike online, inews.co.uk ka rekomanduar edhe Shqipërinë si një frymëzim të veçantë turistik.

”Ne ndihmojmë turistët për të gjetur destinacionet e duhura për të kaluar pushimet dhe Shqipëria është pikërisht një destinacion i tillë për pushimet tuaja”, shkruan inews.co.uk, që rekomandon edhe vende të tjera të globit.

”Pamja e jashtëzakonshme e plazheve të Shqipërisë nuk ka nevojë për shpjegime. E gjendur midis Greqisë dhe Malit të Zi, Shqipëria ka qëndruar prej kohësh nën hijen e fqinjëve të saj, pavarësisht plazheve të artë, ujit të kaltër dhe gjireve të qeta”, thekson faqja britanike.

”Linja ajrore ‘EasyJet’ do të kryejë fluturime të drejtpërdrejta nga aeroporti i Gatwick-ut për në kryeqytetin Tiranë duke filluar nga data 1 maj, për 85 sterlina.

Tirana është më pak se një orë larg bregdetit, ku pikat kryesore përfshijnë plazhin në Durrës që ndodhet 10 kilometra larg kryeqytetit dhe Spillenë që është kryesisht vend pushimi për familjarë.

Më tej në jug ndodhet riviera e kaltër shqiptare që të çon drejt Korfuzit”, përfundon inews.co.uk./atsh

Faqja britanike: Shqipëria një frymëzim i ri për pushime Read More »

180 të dënuar përfitojnë nga amnistia, gati reforma penitenciare

Gratë dhe të miturit janë në qendër të ligjit “Për Dhënie Amnistie”. Nga ky projektligj përfitojnë 180 të dënuar.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë një emisioni televizivi tha se, 50% e grave që përfitojnë nga amnistia do lënë qelitë dhe 50% të tjera do kenë ulje të dënimit.

“Amnistia ka një kohë të gjatë që po përgatitet, në shtatorin e shkuar ka mbërritur në Kuvend. Për shkak të tërmetit diskutimet për amnistinë u shtynë. Ne kemi studiuar të gjitha elementët që kanë përmbajtur dhe amnistitë e kaluara. Janë disa vite që nuk ka pasur amnisti dhe kemi treguar kujdes që me këtë amnisti të përfitojnë ata që e kanë arritur qëllimin e rehabilitimit”,- theksoi ministrja.

“Kjo amnisti i kushtohet grave dhe të miturve duke përcaktuar disa kritere më lehtësues për gratë që do përfitojnë nga amnistia. Një pjesë e tyre kanë kryer vepra penale për shkak të kushteve familjare, ekonomike dhe shpeshherë të përdorura nga persona të tjerë. Një pjesë e grave, 50% e tyre do të lirohen nga institucioni dhe 50% të tjera të cilat kanë disa kritere ndaluese, do të përfitojnë nga amnistia, por me uljen e dënimit me 1/3. Në të njëjtën kategori janë edhe të miturit. Duke pasur parasysh që të miturit përfshihen shpesh herë në vepra penale, ne kemi studiuar të gjithë të dënuarit e mitur në institucionin e veçantë të Kavajës me qëllim që 50% e tyre të lirohen dhe 50% të përftojnë nga ulja e dënimit”,- u shpreh Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë bëri të ditur se me ndryshimet që iu bënë ligjit në Komisionin e Ligjeve, në total numri përfituesve do të jetë 180 burra, gra dhe fëmijë.

“Sot në sistem kemi 54 gra të dënuara me vendim të formës së prerë dhe në momentin që u miratua amnistia disa nga këto gra janë liruar dhe numri është ulur. 22 gra lirohen tërësisht dhe 29 të tjera ulje të 1/3 të dënimit për shkak të shtrirjes kohore nga 30.9.2019 deri në 30.12.2019. Rasti i grave përsëritëse në krim i kemi hequr kriteret ndaluese. Gratë që janë dënuar me vendim gjykate nën 3 vite të lirohen, apo atyre që i kanë mbetur më pak se tre vite u ulën. Veprat penale janë kritere ndaluese, pasi ato vepra penale që lidhen me rrezikimin e jetës së tjetrit nuk përfitojnë lirimin nga qelia, por përfitojnë sipas rastit uljen me 1/3 e dënimit, kur atyre i kanë mbetur nën tre vite dënim”,- tha Gjonaj.

“Për burrat mbajmë në konsideratë veprat penale që nuk janë të rrezikshme. Dënimi më pak se 2 vjet për burrat ose atyre që kanë më pak se dy vite për të vuajtur, përfitojnë amnisti. Burrat nuk do të përfitojnë ulje të dënimit për të eliminuar abuzimet”,- tha më tej Gjonaj, duke kujtuar raste kur të dënuar me burgim të përjetshëm kanë përfituar nga amnistia vitet e shkuara.

“Kemi qenë strikt për masat parandaluese. Një specifikë tjetër që ka amnistia është se nuk përfshihet ndjekja penale. Për ata që janë ende në proces dhe ka ndjekjen penale, nuk do të amnistohen. Në rastin konkret në vitin 2015 ka patur një amnisti ku nuk është përfshirë ndjekja penale përderisa nuk ka një dënim. Amnistia ka qëllim rehabilitimin. Nëse ne do të përfshinim ndjekjen penale atëherë duket sikur ne do të favorizonim pandëshkueshmërinë kur ne jemi për ndëshkueshmërinë e të gjithë atyre që shkelin ligjin”,- tha Gjonaj.

“Një sërë masash janë marrë në pjesën e reformës legjislative. Sot në Kuvend është depozituar edhe paketa për reformën penitenciare. Kjo reformë, katër projektligjet janë miratuar nga qeveria. Kjo paketë sqaron një sërë problematikash që ne sot shohim në praktik, ku ka pasur hapësira të ndryshme ligjore, që sot normohen më mirë edhe në ligj dhe nuk i lihen më në dorë urdhrave të ministrit të Drejtësisë, apo Drejtorit të Burgjeve. Kjo paketë rrit dhe masat e sigurisë dhe sjell ngritjen për herë të parë dhe të komisionit të rrezikshmërisë të subjekteve që ndodhen në institucione, që raste të tilla të jenë të parandaluara.”- tha Gjonaj.

“Po ashtu kemi ngritur dhe një trup speciale për të monitoruar punë e “Bis-41″ apo për të verifikuar dhe mbrojtur punonjësit e burgjeve në rastet kur të dënuarit shantazhojnë punonjësit brenda apo jashtë IEPV-ve”, -theksoi Gjonaj.

Ministrja e Drejtësisë bën të ditur se në muajin shkurt priten dhe propozimet e para për të dënuarit të cilët do të vuajnë dënimin në regjimin e izoluar “41- bis”. “Ndryshimet ligjore të 2019 e parashikojnë subjektet që do të hyjnë në 41- bis. Jo vetëm Ministri i Drejtësisë, por edhe prokurorinë e posaçme, ky është një element i ri”,- tha Gjonaj.

“Në shkurt dalin propozimet e para që janë bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke plotësuar informacion edhe në ato dosje që nuk janë plotësuar plotësisht.41- bis ka ngjallur interes dhe mbështetje nga ambasada e SHBA, BE por edhe nga ambasada britanike jo vetëm për të dhënë ekspertizën e zbatimit të këtij regjimi, ku do të izolohen subjekte kriminale me rrezik të lartë, por edhe përsa i përket formimit të trupave speciale.Shumë shpejt do të jepen dhe propozimet e para”, – thotë Gjonaj.

Ministrja Gjonaj, duke folur për lirimin nga burgu të Endrit Dokles, u shpreh se i është drejtuar të gjitha institucioneve të drejtësisë për gjyqtaren që dha vendimin dhe ka kërkuar që të përfshihen në një listë prioritare për vetting gjyqtarë si ajo.

“Për çështjen Dokle ne kemi pasur një sinjalizim dhe më herët nga drejtoria e burgjeve dhe e shërbimit të provës ku ka pasur një indicie të cilën e kemi referuar si shqetësim tek institucionet e drejtësisë. Ka qenë një indicie që mund të lirohej subjekti. Kur është dhënë vendimi nga gjyqtarja kam filluar një hetim administrativ”,- tha ajo.

“Nga verifikimi paraprak që kemi kryer, ka rezultuar që vendimi i gjyqtares është marrë në kundërshtim me Kodin Penal dhe vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë. I jam drejtuar të gjitha institucioneve të drejtësisë edhe KLGJ që të marrë menjëherë masën për pezullimin e gjyqtares dhe KLP dhe ONM me qëllim që këtë gjyqtare apo subjekte të tjera t’i përfshijnë në mënyrë prioritare për vetting”, deklaroi ministrja.

Ajo tha se nuk është rasti i parë. “Nëse ka pasur një reagim të fortë nga ana ime ka qenë pikërisht që këto fenomene të parandalohen. Ka pasur me të njëjtën gjyqtare të njëjtën situatë. E njëjta situatë dhe me gjyqtarë të tjerë që kanë dhënë vendime të paligjshme për të cilët Ministria e Drejtësisë ka dhënë sinjalizimin, por është kërkuar dhe procedim disiplinor. Por është një aspekt që Ministria e Drejtësisë nuk mund ta parandalojë. Unë kam nxjerrë urdhra që detyrojnë Drejtorinë e Burgjeve dhe shërbimit të provës që të informojnë për kërkesat që çojnë në gjykatë për të informuar për ato subjekte që janë të dënuar me mbi 15 vite burg”,- u shpreh ajo.

“Situata e burgjeve nuk është se lindi sot me të njëjtën problematikë. Dhe në rastin e Dokles kishte një çedim, një shkelje nga drejtori i shërbimit të provës në burgun e Fushë-Krujës dhe ndaj u pezullua por ka pasur dhe një kallëzim penal ndaj tij për raportin e paraqitur”,- u shpreh ajo.

Sa i takon ndryshimeve në Kodin Penal, Gjonaj tha se, “këto janë vendimmarrje në kundërshtim me ligjin, me kodin penal. Sa i përket masave të reja që duhen marrë është pikërisht një paketë me ndryshime ligjore që qeveria ka përgatitur e ka dorëzuar në parlament me qëllim që të përfshihen disa mekanizma për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Për të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë të mund të pezullohen me vendim të inspektorit të lartë të drejtësisë dhe me vendimmarrje të këshillave. Besoj se do miratohen shpejt nga parlamenti këto masa dhe do jenë ndihmë për institucionet e drejtësisë që raste të tilla të parandalohen”.

Duke folur për akuzat e PD lidhur me emërimin e Artur Metanit në krye të ILD, Gjonaj i cilëson si të pabazuara. “Z. Metani i zgjedhur nga Kuvendi ka qenë një ndër kandidatët më të mirë profesionalisht me një CV shumë më të pasur se kandidatët e tjerë. Kuvendi ka respektuar vendimmarrjen e KED duke emëruar të parin në listën e të kandidaturave”,- tha Gjonaj.

“Me Artur Metanin kam punuar për disa vite dhe kam respekt maksimal për punën e tij profesionale dhe eksperiencës së tij në nivelet drejtuese dhe besoj se është një nga emrat që do t’i japi vlerë të shtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Nuk mund të ndalojmë vëllezërit e motrat të çdo deputeti të kandidoj. Në fund të fundit nuk është kuvendi ai që zgjedh dhe zgjodhi të pestin që ishte Metani, por jo, Artur Metani ishte i pari dhe Kuvendi e respektoi KED-në në vendimin e tij. KED ka gjyqtarë e prokurorë të të gjitha niveleve dhe për sa kohë KED bëri një zgjedhje të tillë, ne respektuam vullnetin e KED. Edhe PD ka persona, deputet, ish deputet që kanë vëllezër e motra gjyqtarë e prokurorë dhe kjo sdo të thotë që ne duhet të ndikohemi nga kjo lidhje për të vlerësuar gjyqtarët dhe prokurorët në detyrën e tyre”,- tha Gjonaj./atsh

180 të dënuar përfitojnë nga amnistia, gati reforma penitenciare Read More »