Kolegji i Posaçëm i Apelimit i është përgjigjur interesit të Report Tv lidhur me trupën gjykuese që do shqyrtojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili ndërpreu Vettingun për ish-kryeprokuroin e Adriatik Llalla. Sipas KPA, kryesues i seancës do jetë gjyqtari Sokol Çomo, relator Luan Daçi dhe me relatorë Ina Rama, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari.
“Lidhur me pyetjen tuaj të parë, trupa gjykuese e caktuar me short për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik në lidhje me subjektin Adriatik Llalla, është si më poshtë vijon: Kryesues: Sokol Çomo, Relator : Luan Daci, Anëtarë: Ina Rama, Albana Shtylla, Ardian Hajdari”,thuhet në përgjigjen e KPA.
Komisioni i Posaçëm i Apelimit sqaron ndërkohë se “subjekti Adriatik Llalla do të njoftohet lidhur me nisjen e shqyrtimit të çështjes ndaj tij, kur të caktohet data e seancës”. Ndërkohë ende nuk është caktuar data e seancës për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik mbi procesin e rivlerësimit të subjektit Adriatik Llalla.
Ndërkohë, përballjen me drejtësinë Llalla duket se nuk do ta ketë të lehtë. Kjo pasi Prokuroria e Durrësit ka regjistruar procedim penal për disa akuza si “fshehje pasurie” si dhe “mosdeklarim të shumave të parave në pikat e kalimit kufitar”. Objekt i hetimit do jetë pikërisht nëse Llalla është larguar me para me vete përmes aeroportit të Rinasit për në Gjermani, ku mësohet se po strehohet.
Përgjigjja e KPA për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta
Përshëndetje z.Rusta!
Lidhur me pyetjen tuaj të parë, trupa gjykuese e caktuar me short për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik në lidhje me subjektin Adriatik Llalla, është si më poshtë vijon:
Kryesues: Sokol Çomo
Relator : Luan Daci
Anëtarë: Ina Rama, Albana Shtylla, Ardian Hajdari
Lidhur me pyetjen tuaj të dytë: Subjekti Adriatik Llalla do të njoftohet lidhur me nisjen e shqyrtimit të çështjes ndaj tij, kur të caktohet data e seancës.
Ende nuk është caktuar data e seancës për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik mbi procesin e rivlerësimit të subjektit Adriatik Llalla.
Deri në këtë moment, Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk ka marrë ankime të tjera nga Komisioneri Publik mbi vendimmarrje të KPK-së.
Kryetarja e Akademisë Suedeze, organit prestigjioz që akordon çmimin Nobel në Letërsi, është tërhequr pas një skandali të abuzimit seksual që ka përfshirë organizatën.
Sara Danius rrëfeu për gazetarët se ka qenë vullneti i Akademisë që ajo të largohej nga detyra e saj si Sekretare e Përhershme, për shkak të mënyrës se si organizata po trajton hetimin ndaj pretendimeve për sjellje jo të hijshme të bashkëshortit të një prej anëtareve të këtij institucioni. “Kjo çështje ka ndikuar ndjeshëm Çmimin Nobel dhe ky është një problem i madh,” u shpreh Danius ndërkohë që deklaroi se vendimi i saj do të ketë efekt të menjëhershëm.
Nëntorin e vitit të kaluar, 18 gra të frymëzuara nga fushata #MeToo ngritën akuza për ngacmim seksual ndaj Jean-Claude Arnault, bashkëshort i anëtares së Akademisë, Katarina Frostenson. Pasi Akademia votoi kundër largimit të zonjës Frostenson, tre nga anëtarët e saj u tërhoqën nga komiteti prej 18 vendesh në shenjë proteste. Edhe pse teknikisht ata nuk mund të dorëhiqen për shkak të rregullave për emërim të përjetshëm në Akademi, ata mund të mos marrin pjesë në aktivitetet e kësaj trupe.
Akademia Suedeze ndërpreu çdo lloj kontakti dhe financimi për zotin Arnault pas zbulimit të skandalit. Por ai ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.
I ndjerë në rrezik dhe i pambrojtur në vendin e tij, përballë të shkuarës që e përndiqte prej 18 vitesh, Mario Majollari, i riu 28-vjeçar, i cili ra pre e gjakmarrjes, tentoi për një periudhë të gjatë t’i jepte zgjidhje situatës ku ndodhej.
Ai ishte i bindur se një ditë, hasmi i krijuar pikërisht prej dorës së babait të tij do të lante gjakun e derdhur vite më parë.
Ndoshta Suedia ishte mundësia e tij për të pasur një jetë të sigurt. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, avokati mbrojtës i të ndjerit, Maravgi Staifo, na tregon tentativat e shumta të Marios për të siguruar azil në Suedi. I tronditur nga lajmi, avokati shprehet se bordi i emigrimit e refuzoi kërkesën e Marios për azil me arsyetimin se të riut mund t’i sigurohej mbrojtje nga autoritetet shqiptare.
“I riu e përshkroi situatën në Shqipëri dhe tregoi se nuk ishte e mundur të merrje mbrojtje, ndoshta për shkak të traditave të vjetra që mbart vendi si në rastin e gjakmarrjes. Ai u shpreh se nuk ndihej i sigurt në situatën që gjendej. Mendoj se bordi e dinte situatën në Shqipëri, por i thanë që duhet të përpiqej në çdo mënyrë që të merrte sigurinë në vendin e tij”, tregoi avokati Maravgi Staifo. Pas refuzimit të azilit, Mario u përpoq të qëndronte larg Shqipërisë duke shkuar në destinacione të ndryshme për të jetuar si Belgjikë, Gjermani apo Oman. 28-vjeçari kishte vetëm dy muaj që ishte kthyer në vendit e tij dhe mbrëmjen e 10 prillit, pikërisht poshtë banesës ku jetonte me mamanë dhe të motrën, ai u qëllua me tri plumba dhe gjeti vdekjen e menjëhershme.
Zoti Maravgi Staifo, ju keni qenë avokati i Mario Majollarit në Suedi. Kur daton takimi juaj i parë?
Unë kam qenë avokati mbrojtës i Marios, e takova në vitin 2014 dhe ishte klienti im deri në dhjetor të 2016-ës. Kur dikush aplikon për azil, bordi i emigrimit i cakton një avokat, në qoftë se klienti nuk ka mundësi ta paguajë dhe në këtë mënyrë ai u vu në kontakt me mua.
Çfarë të tha për situatën e tij në Shqipëri, cila ishte arsyeja që kishte aplikuar për azil?
Siç e dini, ai bëri një aplikim për azil pasi ndihej i kërcënuar në vendin e tij, për shkak të gjakmarrjes. Kjo ishte arsyeja reale pse kërkonte të largohej nga Shqipëria. Bordi i emigrimit e besoi historinë e tij, por i thanë se duhet të kërkojë mbrojtje nga autoritet shqiptare. Bordi arriti në konkluzionin që në bazë të informacionit që dispononte, ishte e mundur që Mario të merrte mbrojtje në vendin e tij.
Cila ishte konkretisht arsyeja e refuzimit për përfitimin e azilit?
Bordi vendosi të refuzojë aplikimi e tij, sepse Mario duhet të kërkonte dhe të aplikonte për mbrojtje tek autoritetet shqiptare. I riu e përshkroi situatën në Shqipëri dhe tregoi se nuk ishte e mundur të merrje mbrojtje, ndoshta për shkak të traditave të vjetra që mbart vendi, si në rastin e gjakmarrjes. Ai u shpreh se nuk mund të merrte një mbrojtje në situatën që gjendej. Mendoj se bordi e dinte situatën në Shqipëri, por i thanë që duhet të përpiqej në çdo mënyrë që të merrte siguri në vendin e tij.
Kishte mungesë dokumentacioni që vërtetonte situatën e tij?
Bordi i emigrimit disponon informacione se si është situata në Shqipëri, që nuk është 100% e sigurt, por pavarësisht kësaj, i thanë që autoritetet e vendit të tij mund t’i jepnin mbrojtje. Ata nuk i thanë se nuk e besonin historinë e tij, por se nuk ishte përpjekur mjaftueshëm në vendin vet përpara se të vinte në Suedi. Nuk besoj se bordi ka një kontakt direkt me autoritetet shqiptare, ata kanë informacione nga organizata të shumta ndërkombëtare, të cilat i shpjegojnë cila është situata në shtete të ndryshme.
Si proceduat më tej?
Ne u përpoqëm të përshkruanim përpara autoriteteve suedeze se Mario nuk e kishte të mundur të merrte një mbrojtje, por nuk arritëm të siguronim aprovim për azil. Mesa kuptova nuk ishte e mundur që Mario të merrte siguri në vendin e tij, unë besova tek ai, por nuk u bë e mundur t’i ofrohej azili.
Çfarë ju tregoi Mario për të shkuarën e tij, pse ndihej ai i rrezikuar? Kishte marrë ndonjë kërcënim direkt nga ndonjë person në Shqipëri?
Klienti im, Mario, u shpjegoi autoriteteve në Suedi se ndihej i kërcënuar dhe i rrezikuar në vendin e tij për shkak të së shkuarës dhe u tregua shumë i qartë në atë çfarë e shqetësonte. Ai nuk deklaroi të ketë pasur një kërcënim direkt nga ndonjë person, por ndihej i rrezikuar prej krimit që kishte kryer babai i tij vite më parë. Rreziku ishte karshi familjes së tij për shkak të së shkuarës së të atit.
Kur e takuat për herë të fundit, si mund ta përshkruani gjendjen e Marios, ndihej i frikësuar?
Marion e takova për herë të fundit në dhjetor të vitit 2016, u përpoqëm shumë që atij t’i ofrohej një zgjidhje. Kur dëgjova çfarë i kishte ndodhur, u trishtova shumë. Jam shumë i pikëlluar. Ky është një demonstrim i qartë se kishte të drejtë në atë që na tha. Do dëshiroja shumë t’i ishte ofruar një zgjidhje.G.SH
Policia gjatë 24 orëve të fundit ka proceduar 10 drejtues mjetesh, nga të cilët 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 të papajisur me patenta.
Qytetarët kanë sinjalizuar Policinë Rrugore, duke e informuar se në rrugën “Konferenca e Pezës”, në zonën e Kombinatit, një automjet po ecte në mënyrë të parregullt dhe bënte manovra tejet të rrezikshme, duke u bërë rrezik potencial për jetën e tij dhe përdoruesve të tjerë të rrugës.
Menjëherë pas sinjalizimit u organizuan shërbimet e Policisë Rrugore, të cilët arritën të konstatojnë dhe ndalojnë në kohë drejtuesin e mjetit me iniciale T.K., 31 vjeç. Nga verifikimi me aparat Drager, ky shtetas rezultoi nën efektin e alkoolit në masën 1,09 mg/l në testin e parë dhe 1,10 mg/l në testin e dytë. Në këto kushte u bë kapja në flagrancë dhe arrestimi i këtij shtetasi, për veprën penale të parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt në gjendje të dehur”.
MASAT
25 Leje Drejtimi të pezulluara për shpejtësi tej normave të lejuara,
17 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit,
111 masa administrative për përdorim celulari,
67 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit,
43 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse,
9 masa administrative për shkelje të semaforit.
Në rrugën “Don Bosko”, shtetasi me iniciale D.Z 45 vjeç, është konstatuar dhe arrestuar se drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit në masën 0.73 mg/l.
Në rrugën “Hamdi Pepa”, shtetasi me iniciale A.T ,39 vjeç, është konstatuar dhe arrestuar se drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit në masë 0.53 mg/l testi i parë , testi i dytë 0.57 mg/l.
Në rrugën interurbane dytësore Durrës-Tiranë, shtetasi me iniciale A.C 43 vjeç, është konstatuar dhe arrestuar se drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit në masën 0.50 mg/l, testi i parë, testi i dytë 0.50 mg/l.
Ndërkohë gjatë kontrolleve policore në zonën urbane dhe interurbane, deri në keto momente janë konstatuar dhe proceduar 6 shtetas të tjerë, të cilët drejtonin motomjete, të papajisur me Leje Drejtimi, dhe konkretisht:
Në rrugën “Skënderbej” shtetasi me iniciale H.V., 54 vjeç është konstatuar dhe verifikuar se drejtonte motomjetin pa Leje Drejtimi.
Në rrugën “Skënderbej” shtetasi me iniciale B.D., 61vjeç është konstatuar dhe verifikuar se drejtonte motomjetin pa Leje Drejtimi.
Në rrugën e “Dibrës” shtetasi me iniciale H.XH., 43 vjeç është konstatuar dhe verifikuar se drejtonte motomjetin pa Leje Drejtimi.
Në rrugën “Marikaj”, Vorë shtetasi me iniciale E.K., 31 vjeç është konstatuar dhe verifikuar se drejtonte motomjetin pa Leje Drejtimi.
Në rrugën “Hamdi Pepa”, shtetasi me iniciale K.Ç 28 vjeç është konstatuar dhe verifikuar se drejtonte motomjetin pa Leje Drejtimi.
Në Paskuqan, shtetasi N.F është konstatuar dhe verifikuar se drejtonte motomjetin pa Leje Drejtimi.
Policia Rrugore e Tiranës edhe njëherë falënderon qytetarët për adresimin e shqetësimeve, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke kontribuuar të gjithë së bashku për sigurinë rrugore.
U kthye në shtepi i dehur dhe qe te merrte hak, nisi të rrihte me shpulla vajzën 15-muajshe.
Behet fjale per një 48-vjecar shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, i cili jeton ne Itali.
Familjarët e tij lajmeruan policine të shpetonin te mituren nga duart e babait.
Vogëlushja u transportua në spital dhe sipas medieve italiane, ka dy brinjë të thyera dhe një dëmtim të rëndë në daullen e veshit. Ajo ka edhe plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
ilustruese
Babai u arrestua nga karabinierët. Ai punon në një kompani transporti.
“La Repubblica” raporton se në momentin e arrestimit, shqiptari shpërtheu në lot duke thënë: “Më vjen keq, as nuk e di pse u kapa me të”. Sipas deklaratave të 48-vjeçarit, një ditë më parë, ai ishte grindur me gruan e tij dhe këtë mëngjes, para se të shkonte në punë, piu 5 ose 6 gota “Sambuca”.
Gjatë kohës kur ndodhi ngjarja, bashkëshortja e 48-vjeçarit nuk ishte në banesë.
Historitëve e luftes ne Kosove jane nga me te ndryshmet, por kjo e fundit te copeton shpirtin.
Peter Turnley, fotograf i njohur amerikan që ka disa fotografi me pamje nga lufta në Kosovë, ka një fotografi që arrin të depërtoj në ndjenjat e të gjithë atyre që e shohin. Një pikëllim i tillë e ka përshkuar edhe autorin e fotografisë, të cilin edhe për shumë vite e ka përcjellë dëshpërimi i pamjes së personazhit të fotografisë, , shkruan KultPlus.
Mustafa Xaja është personazhi kryesor i kësaj fotografie. Një burrë nga qyteti i Mitrovicës që sapo ishte liruar nga një burg serb dhe ishte detyruar të kalonte kufirin në Shqipëri. Momenti më prekës i kësaj fotografie është kur ai ka nxjerrë dy fotografi të fëmijëve të tij që ai druhej se u vranë nga serbët mirëpo pas kthimit në Kosovë pas luftës e kishte kuptuar se familja e tij është gjallë dhe e sigurt.
Në një artikull të News Week, autori ka treguar gjithë historinë e kësaj fotografie që nga momenti kur i është afruar Mustafa Xajes e deri tek kthimi i fotografit për të kuptuar më shumë rreth jetës së tij.
“Më ra në sy sepse dukej si një burrë i madh dhe i fuqishëm por ai fshehte brenda vetes shumë pikëllim. Ai e nxori kuletën e tij dhe më tregoi dy fotografi të vogla të një djaloshi dhe vajze të mrekullueshme”, ishte shprehur vite më parë fotografi Peter Tunley.
Kjo fotografi ishte vendosur para dy dekadave në ballinën e Newsweek International ndërsa për këtë të përjavshme, autori i fotografisë kishte treguar i kënaqur që gjendja e tij tani po kapërcente pranë syve të shumë njerëzve.
“Ai duke qarë, i vuri fotografitë pranë fytyrës së tij. Fotoja më pas u vendos në koperinë dhe unë isha i gëzuar që kaq shumë njerëz e panë gjendjen e Mustafës, por nuk e dija se çfarë i kishte ndodhur atij më pas”, kishte thënë fotografi Tunley.
Pas disa vitesh ai ishte kthyer përsëri në Kosovë, ndërsa kishte marr rrugën për në Mitrovicë, në vendin ku jeton Mustafa Xaja dhe kjo për të kuptuar fatin e Xajes dhe familjes së tij.
“Shumë më vonë u ktheva në Kosovë dhe shkova në Mitrovicë, në qytetin e Mustafës. I tregova fotografitë njerëzve në rrugë dhe e gjeta Mustafën duke qëndruar vetëm pak metra larg meje. Më gëzoi më së shumti fakti që bashkëshortja dhe fëmijët e tij ishin gjallë dhe familja ishte ribashkuar. Gjetja e tyre së bashku ishte një mënyrë e shkëlqyer për t’i dhënë fund vitit”, kishte përfunduar fotografi Peter Tunley.
Dom Zef Gila, pinjoll malsie i mbështjellun me virtyte që e karakterizojn malsorin, qe fisnik e mendjemprehtë.
Pasi mbaroi studimet në Romë, shugurohet meshtar nga Papa Piu Xll. Në kohën kur lufta e Dytë Botërore tashma ishte ndez, do të vihej në udhëtim për në Shqipëri përmes Adriatikut ku siç e përshkruan vetë “nga lart qiellit bombardierët plumbues të aleateve, në det minat e siluret e nëndetseve që ndanin më dysh anijet n’udhëtim Itali-Shqipëri.
Nxënësi dhe pasardhësi i dom Ndre Mjedes, meshtari që fliste 6 gjuhë të huaja nuk u kursye duke i shërbyer Zotit dhe besimtarve madje pa dallim feje.
Gjatë shërbimit të tij baritor e vuri jetën në rrezik disa herë, si atëherë kur një fshatar muslimanë nga Barbullushi kishte vrarë një ushtar gjerman, ku sipas ligjeve të rrepta gjermane për një ushtar të vrarë duhej të vriteshin 101 burra si hakmarrje. Me ta marrun vesh dom Zefi që ishte i vetmi qe fliste gjermanisht u del përballë 4 mitrolozave gjermanë dhe gjeneralit. Me zgjuarsinë e butësin e tij arriti ta bindë gjeneralin që t’u falet jeta këtyre burrave me pëkatesi muslimane.
Një tjetër akt fisnik i tij ishte shpëtimi i tre ushtarve italianë (robër lufte) nga ushtria gjermane ku do i kërcënohej jeta seriozisht.
Por siç e pershkruan ai “e keqja e madhe erdhi nga të(mit) komunizmi”.
Në moshën 35-vjeçare e arrestuan dhe për një vit e izoluan duke e rrahë dhe torturuar. Atëher, për munges provash e dërguan në kampin e Tepelenes, Vlores e Tiranes. Ato vite atje ai thoshte me dhembje:
“Nëse ferri ka formë kampi, ai ishte realizimi perfekt”.
Nëse këto dëshmi nuk u mjaftojnë atyne që e mbrojnë regjimin a nuk shohin t’kqija të mëdha në atë kamp; nëse nuk u mjaftojnë dëshmitë për të kuptu tmerrin, ligësin e atij vendi dhe të atyne që e kanë ideu, nuk mbetet tjetër gjë për të ba, vetëm me përsërit me At’Gjergj Fishtën
“Ta dijë Shqypnija pra e sheklli mbarë, se ma mbas sodit, un s’jam shqyptar”.
Nuk mund të shtosh asgjë më shumë se “Fali o Zot, se nuk dinë ç’thojnë”.
Konsiderohet si “i forti i rrugës Myslym Shyri”, i arrestuar disa herë për krime të ndryshme, por përsëri ka fituar lirinë në Gjykatë.
Gjergji Cukali është vënë sërish në pranga nga Policia e Tiranës. Mbrëmjen e djeshme (12 Prill 2018), ai u arrestua pasi kishte thyer vendimin “arrest shtëpie” të Gjykatës së Lartë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Cukali u gjet larg banesës së tij, duke shkelur kështu vendimin e dhënë.
Së fundmi 39-vjeçari ishte arrestuar në Korrik të vitit 2016, si pjesë e një rrjeti kriminal të përbërë nga 16 persona, të cilët shpërndanin kokainë të cilësisë së parë në Tiranë. Fitimet e tyre shkonin në 50 mijë Euro në muaj, tha në atë kohë Policia e Tiranës, e cila arrestoi “të fortin e Myslym Shyrit” pas hetimeve disa mujore.
Por si u zhvilluan ngjarjet që prej arrestimit në vitin 2016 deri në lirimin e tij? Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur “arrest shtëpie”, gati një vit pas arrestimit.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumenton se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në arrest shtëpie për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuan nga astma bronkiale dhe ka kriza të shpeshta. Për këtë arsye, thotë Gjykata e Lartë, Gjergji Cukali nuk mund të mjekohet në Institutin e Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë.
“Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nr. 473, datë 16.03.2017 (faqe 14-20 e dosjes gjyqësore të apelit) ka rezultuar se: “…gjendja aktuale e personit nën hetim vlerësohet e paqëndrueshme… 3. Kushtet e izolimit në paraburgim në ambiente me lagështirë ndikojnë negativisht në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të kërkuesit (arrestuarit) Gjergji Cukali, duke sjellë për pasojë insuficiencë respiratore acutae (pamundësi të frymëshkëmbimit) ose tromboemboli pulmonare acuate.
Ndërlikimet e tromboembolisë mund të jenë vdekja e menjëhershme nga hypotendioni dhe insuficienca e ventrikulit te djathtë, zemra mushkërore kronike. Sipas akt vlerësimit të gjendjes shëndetësore të të arrestuarit, hartuar nga mjekët e Spitalit Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi” Tiranë, në mënyrë të përmbledhur, u arrit në përfundimin se: “…1) kërkuesi është diagnostikuar me Tromboemboli pulmonare dextra periferike, Asthma bronkiale, Poliadenopathia sistemike….2) gjendja aktuale vlerësohet e paqëndrueshme…3) nuk kemi kompetencë për tu përgjigjur, por ti referohen përgjigjes së Institutit të veçantë shëndetësor të të burgosurve)… 4) kushtet e qëndrimit në ambiente me lagështirë të paajrosura mirë, ndikojnë negativisht në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të kërkuesit”, argumentohet në vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Nisur nga ky raport mjekësor, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë dy masat e sigurisë “arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të Apelit Tiranë, duke vendosur “arrest shtëpie” si masë më të përshtatshme duke parë gjendjen e të pandehurit.
Gjykata e Lartë thotë se masa e sigurisë “arrest me burg” ndaj Gjergji Cukalit mund të përkeqësonte gjendjen e tij shëndetësore, duke theksuar se në spitalin e burgut nuk mund të trajtohej sëmundja e tij kronike, madje qëndrimi në paraburgim do të përkeqësonte gjendjen e 39-vjeçarit.
“Në rastin e kërkuesit Gjergji Cukali u vërtetua nëpërmjet; i) akt-ekspertimi mjeko-ligjor Nr. 145 datë 20.01.2017 të hartuar nga ekspertët e IML-së; ii) akt-ekspertimi mjeko-ligjor Nr. 473, datë 16.03.2017 të hartuar nga ekspertët e IML-së; iii) akt vlerësimi i gjendjes shëndetësore të të arrestuarit, hartuar nga mjekët e Spitalit Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi” Tiranë; iv) shkresa Nr. 95/1 prot., datë 25.01.2017 të Institutit të Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë, është vërtetuar plotësisht pamundësia e trajtimit të tij nga strukturat mjekësore të Institutit të Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë dhe qëndrimi në kushtet e paraburgimit ndikojnë negativisht në gjendjen shëndetësore të tij, duke sjellë për pasojë insuficiencë respiratore acutae (pamundësi të frymëshkëmbimit) ose tromboemboli pulmonare acuate. Ndërlikimet e tromboembolisë mund të jenë vdekja e menjëhershme nga hypotendioni dhe insuficienca e ventrikulit te djathtë, zemra mushkërore kronike”, thotë gjykata.
Për këto arsye, trupa gjykuese e përbërë nga Edmond Islamaj kryetar dhe anëtarët Shkëlzen Selimi, Guxim Zenelaj, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca vendosën rrëzimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhe lënien e tij në “arrest shtëpie” me mbikëqyrje elektronike./klan