Aurora

Veliaj: Basha, njeriu që ka humbur shumë shanse në jetë

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha sot se “Lulzim Basha është ndoshta njeriu që ka humbur më shumë shanse në jetë se kushdo tjetër dhe mund ta shfrytëzonte shumë mirë punën në bashki dhe në qeveri”.

“Më vjen keq për humbjet e tij në jetë. Ne jemi njohur kur kemi qene 20 vjeç dhe unë jam 40 sot. Jeta ikën shumë shpejt dhe nëse Perëndia apo zgjedhësit të japin një shans duke të zgjedhur duhet ta maksimizosh. Nuk mund të jetë nofka jote gjumash, nuk mundet pasi është një shans që i jepet 1 në një milionë dhe koha ikën shpejt”, tha ai, në një intervistë televizive.

Veliaj tha se përvoja si kryetar Bashkie është ndër më të bukurat në jetë. Ai ndër të tjera theksoi se është një profesion që të jep kënaqësi dhe nuk do e ndryshonte me asgjë.

“Përvoja si kryetar bashkie është më e bukura në jetën timë, të vdisja dhe të lindja 100 herë këtë punë nuk do e ndryshoja, është një ndër më të bukurat. Nuk më vjen në mendjen një profesion tjetër që një vendim që merr në mëngjes jep shumë impakt në darkë dhe se si një aktivitet që ndërmerr transformon jetën e vendit ku je rritur dhe ku ke kujtime”,tha Veliaj.

Ai komentoi edhe shembjen e godinës së Gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet e cila u dëmtua nga tërmeti. Ai theksoi se kjo ishte një ndër vendimet që i ka ngjallur shumë kujtime për kohën e kaluar në këtë godinë.

“Nëse nuk do të kisha shumë nostalgjinë dhe melankolinë e prishjes së shkollës ‘Sami Frashëri’ nëse nuk do të isha vetë aty. Sa veta në qytet mund të thonë se rindërtuan shkollën ‘Sami Frashëri’. Nostalgjia është njerëzore kujtimet, arkiva e memories janë gjëra njerëzore por tashmë nuk mund të mbetemi peng i së kaluarës, ajo ishte një shkollë që është ndërtuar në vitin ’62. Ishte një shkollë që kanë qenë presidenti Meta, ish-kryeministri Nano, kreu i PD-së Lulzim Basha, shkollë që ka prodhuar kampionë të olimpiada të shumta. Vitet e vështira 97’-98’ i kam kaluar në atë shkollë, ku mësimi bëhej ose në distancë ose me orë të shkurtuara. Në atë shkollë nuk mësoje vetëm në klasë por dhe nga dinamikat përreth”, është shprehur kryebashkiaku./atsh

Veliaj: Basha, njeriu që ka humbur shumë shanse në jetë Read More »

Nga Gjirokastra në Dibër/Qytetet ku do të ketë lehtësim të lëvizjes nga java tjetër

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të ketë lehtësim të lëvizjes në disa zona që nuk janë të prekura nga infeksioni COVID-19.
“Ne do të bëjmë lëvizje të përshkallëzuar në një sërë zonash që janë me risk të ulët”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri deklaroi se do të mbetet e mbyllur lëvizja ndërqytetase.

Sipas Kryeministrit, në qarkun e Gjirokastrës në qarkun e Dibrës, në bashkinë e Divjakës në Bashkinë e Sarandës, në Konispol e Himarë, Pogrades Përrenjas e Librazhd do të ketë më shumë liri lëvizjeje.

Në Sarandë, Konispol e Himarë, si dhe në Pogradec, Përrenjas e Librazhd, u shpreh Kryeministri, do të ketë liri lëvizje të ndërmjetme, pra edhe mes njëra-tjetrës.

Kryeministri theksoi se ministrja e Shëndetësisë do të bëjë të ditura edhe rregullat që do të funksionojnë në këto zona.

Hapja, sipas Kryeministrit, është një proces që duhet filluar.

“Hapja sjell jo vetëm rrezikshmëri më të lartë për infektimin, por edhe mundësi që numrat të rriten, pra aty ku ska raste deri tani, mund të kemi shfaqje të infeksionit. Por ne nuk mund të qëndrojmë të mbyllur deri sa të dalë vaksina, pasi ende nuk ka një kohë të caktuar se kur mund të dalë. Jo se do të vdesim për bukë, pasi në historinë e Shqipërisë, nuk ka vdekur njeri për bukë, por se nuk mban më, pasi se di askush kur do të dalë vaksina për 1 vit apo dy vjet”, vuri në dukje Kryeministri.

Por theksoi ai, duhet të garantojmë sjelljen dhe rregullat në të gjitha aspektet.

Sipas tij, këtu nuk është çështja e Kodit Penal, por kodit njerëzor, pasi duke zbatuar rregullat, ti mbron familjen tënde.

Në këto zona , theksoi Rama, do të mundësojmë që lëvizja fshat-qytet të jetë më e relaksuar.

“Do të mundësojmë që pensionistët të dalin në një fashë të tyren në mëngjes, ashtu sikurse edhe për nënat me fëmijë deri në moshën 10 vjeç. Por nuk do të lejohet grumbullimi më shumë se 2 persona, apo në parqe e pikniqe, pasi thyerja e rregullave mund të na kthejë mbrapa”, deklaroi Rama./atsh

Nga Gjirokastra në Dibër/Qytetet ku do të ketë lehtësim të lëvizjes nga java tjetër Read More »

Muaji i Ramazanit/ Soreca: Shëndet dhe forcë për të gjithë besimtarët për të përballur këto kohë të vështira

Besimtarët myslimanë festojnë Muajin e Bekuar të Ramazanit.

Urimeve për këtë Muaj të Bekuar i është bashkuar edhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca.

“Gëzuar Ramazanin! Uroj që ky muaj i shenjtë të sjellë lumturi, shëndet dhe forcë për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për të përballur këto kohë të vështira!”, është shprehur Soreca në urimin e tij.

Si pasojë e përballjes me një situatë jo të zakonshme, të shkaktuar nga COVID-19 pritet që shumë prej ritualeve që besimtarët myslimanë praktikojnë në këtë muaj të Ramazanit të jenë ndryshe./atsh

Muaji i Ramazanit/ Soreca: Shëndet dhe forcë për të gjithë besimtarët për të përballur këto kohë të vështira Read More »

394 të shëruar nga COVID-19/ 9 pacientë të tjerë fitojnë betejën në 24 orë

Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 394 ose 58.1% e totalit të të prekurve.

Aktualisht në vendin tonë 257 ose 41.9% e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID-19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.

“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 30 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavijon”-tha Eugena Tomini, eksperte pranë ISHP-së.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 38 pacientë./atsh

394 të shëruar nga COVID-19/ 9 pacientë të tjerë fitojnë betejën në 24 orë Read More »

Presidenti Thaçi i nënshtrohet një operacioni

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është operuar sot në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Presidenca njofton se operacioni ka kaluar me sukses dhe Thaçi është në kujdesin e personelit mjekësor.

Në njoftimin e presidencës thuhet se Thaçi i është nënshtruar sot një intervenimi endourologjik.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik endourologjik në Klinikën e Urologjisë në Shërbimin Spitalor Kliniko-Universitar të Kosovës.

Sipas personelit mjekësor, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe presidenti është nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor profesional.

Pas përfundimit të këtij intervenimi, presidenti Thaçi është shprehur mirënjohës për profesionalizmin dhe kujdesin e stafit profesional në Klinikën e Urologjisë dhe në tërë SHSKUK-në, thuhet në njoftim./KosovaPress/

Presidenti Thaçi i nënshtrohet një operacioni Read More »

“Shqipëria e përballoi me dinjitet pandeminë”/ Spiropali: Masat drastike dhe efikase, domosdoshmëri shtyrja e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore

“Shtyrja e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në 23 qershor është një domosdoshmëri në mënyrë që e gjithë kjo situatë pandemie të kalojë me sa më pak të prekur ndër qytetarë dhe bluzat e bardha”, deklaroi sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Duke ofruar një tablo të asaj që po ndodh dhe pritet të ndodh në botë si pasojë e pandemisë, Spiropali tha se “pandemia e shkaktuar nga Koronavirusi i ri ka infektuar deri tani mbi 2.6 milionë njerëz në të gjithë botën, ka vrarë mbi 180 mijë dhe vazhdon të infektojë dhe të vrasë përditë, me një ritëm që i afrohet një bilanci luftë.
Të martën e shkruar, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ekonomia botërore pritet të tkurret 3% gjatë 2020-s, rënia më e madhe historike që prej depresionit të madh të 1930-s. Falimentime dhe papunësi masive ishin fjalët kyçe të analizës. Amerika dhe vendet kryesore evropiane do të përjetojnë goditjen më të forte – konkretisht ekonomia e SHBA pritet të tkurret me 5. 9%, vendet e eurozonës me 7.5 %, ku Italia, një nga partnerët tanë kryesore tregtarë, do tkurret me një rekord 9.1 %, Spanja 8 %, Franca 7.2 % dhe Gjermania 7 %”.

Ajo tha se qytetet kryesore të botës të shkreta, rrugë dhe sheshe të zbrazura, nga New Yorku-u në Tokyo, nga Milano ne Bombei, e dëshmojnë me saktë se çdo statistikë, forcën tinzare të këtij armiku të vogël, por të madh, të njerëzimit.

“Shqipëria e ka përballuar me dinjitet këtë luftë të papritur. Nuk na gjeti të papërgatitur, përkundrazi Shqipëria ishte vendi dytë në Europë që mbylli shkollat dhe nga të parët që mbylli kufijtë. Kufizoi lëvizjet dhe shpalli karantinën si masë të domosdoshme. Shqipëria rezulton nga vendet me sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë më të ulët në Europë, por edhe në rajon që ka përgjithësisht një ritëm të ulët të sëmundshmërisë”, tha Spiropali.

“Spitalet tona nuk janë të tejmbushura me njerëz që luftojnë me vdekjen të varur në respiratorë. Morgjet tona nuk janë plot. Mjekët dhe infermierët tanë, falë Zotit dhe kujdesit kanë një shkallë shumë të ulët infektimi”, tha Spiropali.

“Jo se jemi pasardhës të pellazgëve mitikë e s’na gjen gjë, siçc thonë romantikët. As se rron e rron e s’vdes shqiptari, siç thonë Nolistët, apo po ra se se kemi kismet siç thonë optimist-fatalistët, por vetëm e vetëm sepse si qeveri, si shtet e si popull mund të themi me plot gojën se kemi bërë gjënë e duhur”, theksoi Spiropali.

“Masat kanë qenë drastike dhe efikase. Ashtu siç ka qenë ekzemplare rezistenca qytetare. Disiplinë, respekt për bluzat e bardha dhe udhëzimet e tyre, durim shembullor. Mbyllja në shtëpi, respektimi i fashave orare, distancimi fizik dhe shoqëror kanë shpëtuar jetë. Mirënjohje për këtë sakrificë kombëtare”, shtoi Spiropali.

“Plotësisht të vetëdijshëm se COVID-19 nuk hap plagë vetëm në mushkëri, por edhe në ekonomi kemi miratuar dy paketa që ndihmojnë 300 mijë familje dhe biznese me mbi 300 milionë dollar ndihmë direkte nga buxheti dhe garanci sovrane”, tha Spiropali.

“Jemi në një situatë të kontrolluar, por aktiviteti ekonomik dhe shoqëror, duhet të rifillojë gradualisht. Duke nisur nga java e ardhshme do të rritet me 2 orë e 30 minuta fasha orare për individët. Do të hapim një kategori biznesesh, për të lehtësuar ekonomitë familjare, hapje graduale, duke marrë një minimum dy javor nga njëra fazë tek tjetra”, tha ministrja Spiropali.

“Është absolutisht e domosdoshme që në këtë fazë të re qytetarët dhe bizneset të respektojnë rregullat dhe masat si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit dhe karantinimit të përhapjes së mëtejshme. Më shumë njerëz në rrugë, në punë dhe kudo. Çdo kthim pas do të ishte fatal. Situata vazhdon të jetë e paqëndrueshme pothuajse në gjithë botën edhe tek ne. Për sa më sipër, shtyrja e afatit të fatkeqësisë natyrore deri në 23 qershor është një domosdoshmëri në mënyrë që e gjithë kjo situatë pandemie të kalojë me sa më pak të prekur ndër qytetarë dhe bluzat e bardha”, tha Spiropali. /atsh

“Shqipëria e përballoi me dinjitet pandeminë”/ Spiropali: Masat drastike dhe efikase, domosdoshmëri shtyrja e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore Read More »

Majko: Pas lehtësimit në maj, në Shqipëri do të vihet për të bërë turizëm

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi në një nga mediet e vendit se në muajin maj do të hapen kufijtë e Shqipërisë, megjithatë liberalizimi i lëvizjes do të funksionojë mbi bazën e disa rregullave të caktuara, për mbrojtjen nga infektimi i koronavirusit.

“Puna e strukturave administrative po përpiqet brenda mundësive që maji të na gjejë me një situatë sa më të liberalizuar për të gjithë shtetasit që duan të rikthehen ose ata që duan të largohen nga vendi për tu krijuar atyre mundësi. Por, dua të nënvizoj faktin se nuk do të thotë se do rikthehemi në gjendje normale. Do ketë një lëvizje me rregulla të përcaktuara të cilat hap pas hapi do të tejkalohen. Rregulla të cilat ne i kemi shumë të rëndësishme se kanë të bëjnë me jetën e njeriut”, u shpreh Majko.

Majko dha edhe detaje lidhur me telefonatën që pati sot kryeministri Rama me homologun grek, për shqiptarët që duan të kthehen por edhe për ata të cilët bëjnë punë sezonale në shtetin fqinj.

“Rama ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin grek Mitsotakis, për këtë çështje. Sidomos sa i përket situatës së koronavirusit dhe për të stabilizuar atë marrëdhënie të veçantë e cila rivlerësohet nga shtetasit tanë në një numër të madh që punojnë aktualisht në Greqi. Jo vetëm ata që janë rezidentë, por sidomos ata që shkojnë për punësim sezonal. Ju e dini që Greqia ka shpallur interes të veçantë për këtë”, tha ai.

Ministri sqaroi se flesibiliteti në lëvizje do të shpëtojë këtë vit turizmin.

“Vera që vjen do ta gjejë Shqipërinë më fleksibël, më të liberalizuara qoftë lëvizjes dhe situatës në përgjithësi. Por duhet të kemi parasysh diçka që këtë situatë nuk e parashikojmë dot. Kërkohet një mirëkuptim se kjo që po ndodh, nuk po ndodh vetëm me Shqipërinë. Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria e vuri poshtë atë që mund të na vendoste ne poshtë. Pas lehtësimit në maj, këtu do vihet për të bërë turizëm”, shtoi ministri Pandeli Majko. /atsh

Majko: Pas lehtësimit në maj, në Shqipëri do të vihet për të bërë turizëm Read More »

KE 180 milionë euro mbështetje Shqipërisë/ Balla: Një tjetër shenjë e solidaritetit europian

“Një tjetër shenjë të solidaritetit të Bashkimit Europian”, e ka cilësuar sot kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndihmën prej 180 milionë euro të Komisionit Europian përmes mekanizmit të asistencës makrofinanciare.

Balla ka theksuar se Komisioni Europian ka propozuar përdorimin e ndihmës makrofinanciare (MPJ) për të mbështetur Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor dhe partnerë të tjerë fqinj në kontekstin e krizës COVID-19.

Balla shprehet se ndihma do të merret në formën e kredive afatmesme.

“Një tjetër shenjë e solidaritetit të BE, Komisioni Europian sapo ka propozuar përdorimin e ndihmës makrofinanciare (MPJ) për të mbështetur Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor dhe partnerë të tjerë fqinj në kontekstin e krizës COVID-19. Ndihma do të merret në formën e kredive afatmesme”, është shprehur Balla.

Komisioni Europian propozoi sot 3 miliardë euro pako ndihmë makrofinanciare për të mbështetur dhjetë vendet fqinje, prej të cilave Shqipëria përfiton 180 milionë euro ndihmë./atsh

KE 180 milionë euro mbështetje Shqipërisë/ Balla: Një tjetër shenjë e solidaritetit europian Read More »