Aurora

Rektori Gjata: Epidemia në Shqipëri e mirëkontrolluar, zbulim i hershëm i rasteve

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, e cilësoi sot lajm shumë të mirë faktin që në 24 orët e fundit nuk kemi pasur asnjë rast të diagnostikuar me koronavirus në vendin tonë, por vetëm raste të lidhura me persona që kanë rezultuar pozitivë.

Në një intervistë televizive, Gjata theksoi se “imuniteti ka të bëjë me popullatën e re që kemi, por edhe zbulimi i hershëm i rasteve. Besoj se këto janë elementet kryesorë që kanë bërë që të kemi shërueshmëri të lartë, mbi 50%”.

Sipas tij, kjo është një shenjë e mirë drejt kontrollit të epidemisë.

“Në Shqipëri ka qenë një epidemi e mirëkontrolluar”, -shtoi ai.

Rektori Gjata u shpreh se “mosha mesatare e lartë e Europës ka ndikuar në numrin e vdekjeve. Në Kinë popullata është më e re ndaj edhe numri i vdekjeve ka qenë më i vogël. Sëmundja shkakton më shumë fatalitete tek të moshuarit”, tha ai.

I pyetur lidhur me deklaratën e një dite më parë të OBSH, e cila në një kohë kur disa vende po nisin hapjen graduale deklaroi se e keqja më e madhe s’ka ardhur ende, Gjata u shpreh se “nuk është mbyllur cikli. Ka zona të botës ku nuk ka kaluar sëmundja ku pritet të shkaktojë vdekje dhe çështja tjetër lidhet me rrezikun e rikthimit të kësaj sëmundjeje. Detyrim për të bashkëjetuar një kohë të gjatë me këtë sëmundje”.

“Shpresojmë të zbulohet sa më shpejt vaksina. Është e vetmja rrugë që kemi”, – tha rektori Gjata.

Ai tha se “lajmi i testimit të vaksinës në Britaninë e Madhe është shumë pozitiv, edhe pse ajo do të dojë kohën e vet të prodhohet dhe shpërndahet në masë”./atsh

Rektori Gjata: Epidemia në Shqipëri e mirëkontrolluar, zbulim i hershëm i rasteve Read More »

Epidemiologët nga veriu në jug, angazhim maksimal për gjurmimin e rasteve të dyshuara me COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, falënderoi sot epidemiologët në të gjithë vendin për punën shembullore për gjurmimin e rasteve me COVID-19 dhe izolimin e vatrave në territor.

“Nga veriu, në jug, me vigjilencë e angazhim maksimal epidemiologët e strukturave vendore të shëndetësisë vijojnë punën pa u ndalur, për gjurmimin e rasteve të dyshuara për COVID-19”, – thekson Manastirliu.

Sipas saj, epidemiologët në terren po bëjnë një punë të palodhur,

Përveç mjekëve dhe infermierëve që janë në vijën e parë të luftës ndaj COVID-19, edhe epidemiologët në qytete të ndryshme të vendit po bëjnë një punë për tu vlerësuar për gjurmimin e rasteve./atsh

Epidemiologët nga veriu në jug, angazhim maksimal për gjurmimin e rasteve të dyshuara me COVID-19 Read More »

Javën e ardhshme zgjerohet orari i daljes për pazar, në 4 maj lehtësohet lëvizja ndërqytetase me taksi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se javën e ardhshme do të rritet orari i daljes në pazar, do të hapen edhe rrugët ndërqytetase për shërbimet taksi, për të lehtësuar sadopak njerëz që kanë nevojë të lëvizin nga një qytet në tjetrin.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë, Kryeministri Edi Rama tha se “nga e hëna, 4 maj, do ta lehtësojmë shumë lëvizjen ndërqytetase qoftë në këmbë, qoftë në makinë, madje pa e kufizuar vetëm tek makinat, që duan të shkojnë në punë”.

“Situata sot është goxha pozitive, por ju lutem të më kuptoni të gjithë se do të mbajmë mend disa gjëra të thjeshta. Kush është i mërzitur unë e kuptoj plotësisht, por nuk është nevoja të më besojë mua, thjesht të shikojë se ç’bëhet në vende rreth e rrotull nga Anglia, në Itali apo edhe në Amerikë”, – tha Rama.

“Armiku i padukshëm që po luftojmë nuk ikën, për faktin se ne mbyllemi brenda, po nuk doli vaksina, prandaj ne duhet të bashkëjetojmë me të. Kjo do të thotë se hapja do të jetë graduale, vigjilenca e secilit duhet të jetë maksimale dhe imponimi dhe vetimponimi i rregullave duhet të vazhdojë, përndryshe gjithçka që bëmë humbet çdo vlerë dhe kthehemi në pikën zero”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “e di që ju kanë lodhur, mërzitur e stresuar lejet, autorizimet, kufizimet, ndryshimet, por duhet të kuptoni të gjithë se kjo është një dhimbje koke për ju, është një dhimbje koke edhe për ne, edhe për mua që kam një përgjegjësi kaq të madhe, që t’ju mbroj nga e keqja më e madhe”./atsh

Javën e ardhshme zgjerohet orari i daljes për pazar, në 4 maj lehtësohet lëvizja ndërqytetase me taksi Read More »

Kafenetë dhe qendrat tregtare të fundit që do të hapen, pagesat e sigurimeve shoqërore nuk shtyhen

Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur interesit të qytetarëve, deklaroi sot se qendrat tregtare do të hapen të fundit, si edhe kafenetë do të jenë të fundit që do të hapen.

“Insisto sa të duash, por kafenetë do të jenë të fundit që do të hapen. Kështu po bën e gjithë bota dhe ne nuk do dalim jashtë të tjerëve. Nëse ke kafene, je përfituese e pagës së luftës”, – tha Rama, duke iu përgjigjur një qytetareje.

Lidhur me pagesat e sigurimeve shoqërore, Rama shtoi se “nuk ka shtyrje! Me sigurimet shoqërore nuk luhet, janë si fatura e dritave, nuk kanë shtyrje afati. Nëse shtymë afatin e sigurimeve, i bie të mos paguajmë pensionistët, e pamundur!” – nënvizoi Rama.

Sa i takon udhëtimit me makinë private për në punë, Rama nënvizoi se duhet që pasagjeri dhe drejtuesi i mjetit të jenë ulur diagonal.

“Në makinë përpara, gruaja diagonal, pas, sepse po u hap për ty, të gjithë të tjerët do të thonë se ky mbrapa është gruaja ime, dhe pse mund të jetë burrë. Prandaj të gjithë të njëjtin rregull për pak kohë besoj, duke parë sesi do shkojnë gjërat në luftën me armikun e padukshëm”, – tha Rama.

Lidhur me turizmin, Rama tha se nuk ka afate. “Nuk e di të të them se kur, por çështja e turizmit ka mbetur dhe është e hapur nga e gjithë bota dhe deri më sot s’kam dëgjuar asnjë lider nga shumë vende që unë ndjek që të ketë folur ndonjë gjë konkrete. Lokalet e dasmave me prenotime, ose do presin të bëjnë një dasmë të madhe, ose do bëjnë një të vogël online, për të bërë një të madhe më vonë”, – tha Rama. /atsh

Kafenetë dhe qendrat tregtare të fundit që do të hapen, pagesat e sigurimeve shoqërore nuk shtyhen Read More »

Horoskopi ditor, e dielë 19 prill 2020

Dashi
Jini të kujdesshëm nga njerëzit që flasin për një marrëveshje të mirë dhe ju premtojnë gjithçka. Ju mund të bllokoheni nëse mbështeteni tek njerëzit që nuk bëjnë atë që thonë. Ndihuni të lirë për të marrë pjesë në aktivitete sociale, por mos firmosni asnjë marrëveshje këtë periudhë.

Demi

Fuqia juaj pozitive do të vihet re sot. Ju mund të rrezatoni para njerëzve që ju rrethojnë dhe e gjitha shkaktohet nga natyra e qetë dhe e ndjeshme që ju karakterizon. Ju jeni xhevahiri që nuk vihet re gjithnjë e nuk vlerësohet aq sa duhet. Zakonisht, ju ia lini të tjerëve mundësinë që të bëjnë hapin e parë. Sot do të mendoni që ta merrni vetë këtë veprim.

Binjakët

Në vend që të gërmoni thellë për të gjetur vetëm gjëra të prishura, përqendrohuni tek gjërat e bukura. Në këtë mënyrë do të sillni të qeshura tek personat që ju rrethojnë. Çfarë do që t’ju dalë përpara ditën e sotme, sigurohuni që të shkaktoni kujtime të bukura jo të hidhura.

Gaforrja

Sot ka shumë vende ku mund të shkëlqeni. Ju keni nevojë të jeni vetvetja për të fituar zemrat e të tjerëve. Ekziston një lloj mirësjellje nga ana juaj që i afron njerëzit, pavarësisht se nuk e keni vënë re më parë.

Luani

Nëse keni nevojë për diçka sot, konsideroni të merrni këshilla nga të tjerët. Personat e afërt mund të hedhin dritë në situatën që ju shqetëson. Ndërkohë, jepini vetes disa minuta argëtuese. Kjo ditë është e përshtatshme për të luajtur lojëra, për të parë një film ose për të lexuar revistën e preferuar.

Virgjeresha

Dilni jashtë dhe merrni pak ajër të pastër sot. Është e rëndësishme të ushtroni duke bërë pak aktivitet fizik. Ju do të ndiheni të gjallë dhe të lumtur për jetën tuaj sot. Bashkohuni me të tjerët dhe vlerësoni gjithçka keni. Mos harroni të falënderoni për ushqimin që keni para.

Peshorja

Marrja e vendimeve sot duket si e pamundur për ju. Kjo është arsyeja përse duhet t’ia lini në dorë dikujt tjetër. Qëndroni me partnerin tuaj në mënyrë që të mos mendoni shumë. Puna juaj për ditën e sotme është të fokusoheni në anën emocionale. Natyra juaj e dashur është tepër e vlerësuar në këto ditë. Mbroje këtë dhuratë!

Akrepi

Kjo do të jetë një prej atyre ditëve kur ju bezdiseni nëse dikush do shumë kohë që të ndajë mendjen për diçka. Ju nuk do të keni durim nëse dikush vazhdon të merret me çdo detaj të një çështje për të cilën po flisni. Ju thjesht dëshironi një vendim të thjeshtë, qoftë i mirë apo i keq.

Shigjetari

Përdorni fuqinë e fjalëve si një mënyrë për të shprehur mendimet tuaja. Ju keni fjalë magjike që shpesh herë nuk mbahen mend. Natyra juaj seksuale është poetike. Nuk duhet t’ia kurseni të tjerëve këtë talent që keni. Ndoshta do të keni dëshirë të shkruani një poemë dashurie për një partner që ka rëndësi të madhe në jetën tuaj. Sado e çuditshme të duket, në fakt është shumë romantike.

Bricjapi

Një punë me të cilën po merreni këtë periudhë mund të zgjerohet me ndihëm e jashtëzakonshme të partnerit, sidomos nëse flitet për diçka krijuese. Një ide e mirë po lulëzon tek krijimtaria juaj. Mos harroni se e vetmja gjë që ju kufizon është imagjinata juaj, kështu që mos hezitoni të ëndërroni.

Ujori

Përfitoni nga ndjenja gazmore dhe paksa e çmendur që ta shijoni ditën. Ju nuk më fshiheni në dhomën tuaj përgjithmonë. Nëse e bëni, do të harxhoni kohë dhe nuk do të viheni re nga askush. Kjo është një ditë e mirë për të dalë jashtë dhe për tu kënaqur me miqtë. Shprehni fjalë të mira dhe pozitive për njerëzit në vend që të mallkoni. Mos harroni të qeshni sa më shpesh të jetë e mundur.

Peshqit

Sa më shumë që flisni me njerëzit, aq më të suksesshëm do të bëheni. Çdo person është një burim i vlefshëm dije. Shkathtësia juaj me fjalë dhe fakte është mbresëlënëse, kështu që përdoreni atë në avantazhin tuaj. Miqtë janë një burim gëzimi i madh dhe kjo është një kohë e mrekullueshme për të qenë me ta.

Horoskopi ditor, e dielë 19 prill 2020 Read More »

Ekipi mjekësor shqiptar në Itali, Balla: Heronj që po nderojnë Shqipërinë me profesionalizmin dhe devotshmërinë në luftën kundër COVID-19

Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla i cilësoi mjekët dhe infermierët që u dërguan nga Qeveria shqiptare në Itali, heronj të vërtetë të cilët po ngrenë lart emrin e vendin tonë përmes profesionalizmit dhe devotshmërisë së tyre në vijën e parë të luftës kundër COVID-19.

Teksa ka publikuar në sërë fotosh nga puna e tyre e përditshme në Itali, Balla thotë se ekipi shqiptar po i afrohet përmbushjes së misionit të tyre një mujor në Spitalin Civil të Breshias, në prej zonave më të prekura nga COVID-19.

“Teksa ditët kalojnë, mjekët dhe infermierët shqiptarë të cilët u dërguan nga Qeveria shqiptare në Itali, po i afrohen përmbushjes së misionit të tyre njëmujor në Spitalin Civil të Breshias, një prej zonave më të goditura nga COVID-19. Ata janë heronj të vërtetë dhe kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë sonë, duke shërbyer me profesionalizëm dhe devotshmëri në vijën e parë të luftës”, tha Balla. /atsh

Ekipi mjekësor shqiptar në Itali, Balla: Heronj që po nderojnë Shqipërinë me profesionalizmin dhe devotshmërinë në luftën kundër COVID-19 Read More »

Bashkia e Vlorës/ Më shumë se 2 mijë pako me ndihma me ushqime për familjet në nevojë

Bashkia e Vlorës vijon të shpërndajë ndihma për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë në kuadër të aksionit të gjerë humanitar.

Punonjës të administratës nga të gjitha hallkat dhe të tjerë të përfshirë në këtë proces si vullnetarë, janë bërë pjesë e këtij aksioni që po vazhdon me intensitet gjatë gjithë orëve të ditës.

Bashkia e Vlorës, bën të ditur sot për ATSH-në se “deri tani janë shpërndarë më shumë se 2000 pako, 1340 nga bashkia Vlorë dhe rreth 660 nga donatorë të ndryshëm”.

Sipas bashkisë, janë shpërndare pako për komunitetin rom dhe egjiptian si në Vlorë dhe në njësitë e tjera administrative.

“Jane kontaktuar rreth 3500 pensionistë, të cilët jetojnë vetëm, ndërkohë që mbahet kontakt i përhershëm me ata të cilët kanë kërkuar ndihmë në blerjen e ushqimeve”, – tha bashkia.

Përveç të moshuarve, pensionistë të vetmuar, të sëmurë, familjeve në asistencë, janë përfshirë në targetin e familjeve në nevojë edhe të tjera me probleme që nuk arrijnë të sigurojnë nevojat ushqimore.

Bashkia e Vlorës ishte ndër të parat në shkallë vendi që filloi shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë dhe pensionistët. /atsh

Bashkia e Vlorës/ Më shumë se 2 mijë pako me ndihma me ushqime për familjet në nevojë Read More »

Të gjithë në shtëpi/ Nesër lejohen pensionistët deri në orën 11:00 si dhe automjetet e autorizuara për punë

Kryeministri Edi Rama tha sot se nga nesër pensionistët do të lejohen të dalin në qendra urbane në këmbë deri në orën 11:00, si dhe do lëvizin me automjete, punë-shtëpi të gjitha kategoritë e lejuara.

Rama tha se “nesër në qendrat urbane do të dalin në këmbë vetëm pensionistët deri në orën 11.00″.

“Me automjet do të lëvizin shtëpi-punë-shtëpi me asnjë ndalesë rrugës, të gjithë ata që kanë autorizim për të punuar gjatë fundjavës me makina”, tha ai.

Po ashtu Kryeministri thekson se “të gjithë të tjerët, në shtëpi dhe të gjitha dyqanet mbyllur deri të hënën në orën 05.00, siç është njoftuar më parë nga ministrja e Shëndetësisë”./atsh

Të gjithë në shtëpi/ Nesër lejohen pensionistët deri në orën 11:00 si dhe automjetet e autorizuara për punë Read More »