Aurora

Ekskluzive/ Motra e Kadri Roshit tregon pengjet e Liri Belishovës: Ç’më tha për Nexhmije Hoxhën

Gruaja që servir kafen për njerëzit e shumtë që hyjnë e dalin këto ditë në shtëpinë e Liri Belishovës, është po ajo që i ka shërbyer të ndjerës për 20 vite me radhë.

Rasti i saj nuk i përket një punonjëseje të zakonshme shërbimi, por një përkushtimi njerëzor ndaj një të afërmi, që i detyrohet shumë.

E veçon këtë aspekt që në krye të bisedës 70-vjeçarja Ëngjëllushe Luga, jo thjesht që me Lirinë janë vajza tezesh, por më së shumti për faktin që me të nuk kanë komunikuar për 40 vite me radhë për rrethana të njohura.

“E tani në liri,- shton ajo,- unë duhej t’i rrija pranë, edhe për ditët e dekadat që na ndau për së gjalli diktatura”.

Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, gruaja që i ka qëndruar pranë deri në çastet e fundit, ka dëshirë të flasë për ato histori që Liri Belishova nuk i konsumoi në publik.

Ndër to veçon brengën e madhe që përjetonte për shpërfilljen vrastare të Nexhmije Hoxhës ndaj kërkesës së saj për t’i shkuar vajzës që po shuhej në spital, por edhe braktisjen e madhe nga ish- shoqet e institutit femëror “Nëna Mbretëreshë”, me të cilat dikur kishin ndarë shumëçka sikur të ishin motra.

Ëngjëllushe Luga shprehet se ka biseduar disa herë me Belishovën për një përballje të mundshme të saj me to, por në të gjitha rastet ka marrë të njëjtën përgjigje: E pamundur, përbindësha të tillë që gëlltitën jetë njerëzish, nuk kthehen kurrë te viktima e krimit të tyre.

Lugës i ka bërë përshtypje këmbëngulja e Belishovës për të rendur nëpër arkiva në kërkim të të vërtetave të mbuluara me mister në vitet e diktaturës.

Zonja Ëngjëllushe, ju i keni shërbyer 20 vite pa shkëputje Liri Belishovës dhe keni qenë pranë saj deri në çastet kur ndërroi jetë. Çfarë ju tha në momentet e fundit?

ishte i papritur. U rrëzua në shtëpi ditën e premte dhe pësoi një frakturë në këmbë. E çuam me urgjencë në spital dhe aty u operua po atë ditë.

Operacioni kaloi mirë dhe një moment kujtuam se shpëtoi. Ditën e shtunë dhe të diel në përgjithësi nuk pati shqetësime serioze. Pothuajse të gjithë parametrat i kishte normal. Të hënën pastaj ndodhi ajo që nuk e prisnim. Aty nga ora pesë pasdite u shua. U shua në qetësi, si shuhen flakët e qiririt. Kaq e kishte e gjora…

Pati ndonjë amanet të fundit…

Iku pa folur fare. Me sa duket e ndjeu dhe vet që ishte fundi.

Dhe u mjaftua me një zgjatje dore, aq sa mund ta komandonte në ato kushte.

U lëshua në krevat pa ndjenja, ashtu si engjëlli që bie në gjumë. Se engjëll ishte, paçka se kishte bërë një jetë të tmerrshme plot plagë e brenga…

Ju qëndronit 16 orë në ditë bashkë dhe, pa dyshim që flisnit dhe për gjëra që Liria nuk i konsumoi kurrë në publik…

Në shtëpinë e saj. Unë Lirinë e kisha vajzën e tezes dhe i kam shërbyer si nënës sime. Isha ndarë me të kur isha maturante në politeknikum dhe u ritakuam pas viteve ’90.

E tillë ishte ajo periudhë e regjimit komunist, të ndante për së gjalli me tërë të dashurit. Asokohe e deshi fati të isha e lirë dhe në rrethanat e krijuara vendosa t’i ofroja të gjitha shërbimet për t’ia bërë jetën më të lehtë.

Ajo jo vetëm që më mirëpriti, por më besoi çdo gjë. Dhe të them të drejtën, kemi kaluar mrekullisht. Tani do më mungojë, do më mungojë shumë zëri i saj i ngrohtë, rituali i përditshëm me kafet e përbashkëta të mëngjeseve e pasditeve, me bisedat pa fund për kohët që lamë pas, për pabesitë e pushtetarëve dhe kurthet e politikanëve pa moral. E si ishte ajo, çfarë zemre që kishte…

Çfarë kujtoni ndonjë histori të veçantë, që u ka lënë mbresa të thella?

Kujtonte shumë të tilla, por kur zinte në gojë tjetërsimin e shoqeve, me të cilat kishte qenë në institutin “Nëna Mbretëreshë”, gati shpërfytyrohej.

E niste me Nexhmijen. Jemi dashur shumë, jemi dashur si motra, më thoshte, megjithëse ajo ishte dy- tri vjeçe më e madhe. Kishin ndarë kafshatën e bukës, rrobat, gëzimet dhe shpërthimet e moshës bashkë.

Aq të afërta ishim, kujtonte Liria, sa mendoja se mikeshë të tillë nuk do të kisha tjetër në jetë. Por ndodhi ajo që ndodhi dhe miqësia krejt papritur u kthye në armiqësi. Jo vetëm e pabesë, thoshte Liria, por Nexhmija u bë zemërgur, e pamëshirshme, katile nga shpirti.

As atëherë kur i kërkova ndihmë për t’u gjendur te vajza që po vdiste në spital, nuk reagoi. E përmendte këtë detaj dhe rrëmbushej në lot. Atëherë kishte qenë e internuar në Cërrik dhe e bija kurohej me kancer në Tiranë.

E vetmja gjë që i kërkoi Nexhmijes ishte një leje te organet e sigurimit për t’i shkuar së bijës pranë në çastet e fundit, por gruaja e Enverit e kishte shpërfillur dhe këtë, madje poshtërsisht.

Nuk u kujtua as më vonë, thoshte, të më dërgonte qoftë dhe tërthorazi një fjalë të ngrohtë për gjëmën që më ra. Ajo tregonte se dhe më parë i kishte shkruar letër Nexhmijes dhe Enverit për ta riparë dënimin e saj, se nuk e lidhte asgjë me akuzat për lidhje me armiqtë dhe tradhtarët e vendit, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

Kishte ndodhur kështu edhe me ish- miqtë dhe mikeshat e dikurshme, që vazhdonin në postet zyrtare. E kishin braktisur dhe harruar të gjithë. Kjo e lëndonte më shumë nga vet represioni që e ndiqte ngado…

Po për Vito Kapon, çfarë kujtonte? E ka pasur shoqe dhe atë në Institutin “Nëna Mbretëreshë”…

Vitoja ka qenë disa vite më e madhe kur ishin në shkollë, por i kishte bashkuar lëvizja ilegale. Në vitet e luftës ishin ndarë, Vitoja kishte shkuar pas Enverit në Shtab të Përgjithshëm, ajo në formacione të tjera. E kishin rigjetur shoqërinë fill pas luftës.

Kishin shkuar mirë bashkë, por kur Lirinë e kryqëzuan, e harroi dhe ajo flakë për flakë, bile sa ishte në pushtet sa gjente rastin, nuk reshte së foluri kundër saj…

Bile, Vito Kapoja e akuzon edhe sot në gazetën “Panorama”, e quan agjente të sovjetikëve që ka tentuar të eliminojë Hysni Kapon…

Kjo është edhe më e dhimbshme. Mëse e turpshme. Edhe sot pas kaq e kaq vitesh të vazhdosh me avazin e qëmotshëm, tregon se nuk je mirë mendërisht.

Po nuk kanë për t’u kthjelluar ndonjëherë njerëz si Vitoja e Nexhmija, që mbajnë mbi supe dhjetëra e dhjetëra krime. Më ka treguar Liria histori të ndryshme për Viton, bile disa të tilla i ka lënë të shkruara, me amanetin që të botohen pas vdekjes.

Do kenë rast njerëzia të njihen edhe me bëmat e Vitos, sikundër dhe të simotrës së saj, Nexhit…

Ka lënë kujtime të shkruara Liria?

Ka një sepete plotë me letra e dorëshkrime të shumta. Kur e pyesja pse nuk i boton, më thoshte kur t’u vijë koha.

Pastaj, shumë gjëra nga dëshmitë e mia, më thoshte, dua t’i verifikoj me dokumentet e arkivave. Dhe sa bëhej një çikë mirë, me vrap te arkivi.

Sa te Arkivi i Shtetit, te ai i Ministrisë së Brendshme. E brengoste shumë fakti që aty rrallë gjente diçka për të qenë.

Ju kujtohet për çfarë interesohej më shumë në arkiv?

Të them të drejtën, nuk i ndërhyja shumë në këtë punë. Mbaj mend që për ditë e ditë të tëra ka shfletuar dhjetëra dosje në arkiv për historinë e Nako Spiros.

Mënyra si ai ishte zhdukur e rehabilituar disa herë, por sidomos rrethanat si kishte vdekur, i vrarë apo vetëvrarë, nuk ishin thjesht një kuriozitet i saj, por këmbëngulje për të zbardhur të vërtetën, për ta dokumentuar për historinë e patjetërsueshme

Gjatë kohës kur shërbenit pranë saj, ka pasur ndonjë rast që ajo është përballur me persekutorët e dikurshëm?

Enveri kishte vdekur. Po kështu edhe Hysni Kapoja. Të tjerët ishin ushtarë të thjeshtë që zbatonin urdhrat e tyre.

Ishte gjallë Nexhmija me Viton, ka ndodhur të ketë shkëmbyer ndonjë mesazhe me to?

Këtë pyetje ia bënin shpesh Lirisë kur ishte gjallë, sidomos gazetarët, po ajo i binte shkurt: Ai kapitull është mbyllur një herë e mirë!

Ndodhi një herë që e pyeta se si do të reagonte po ta kërkonte në telefon Nexhmija. “A je në vete?,- më tha dhe ishte e bindur se tipa të tillë si ajo, nuk kthehen kurrë te viktima e krimit të tyre.

A nuk e shikon, vazhdoi, që askush nga përbindëshat e diktaturës nuk denjon të kërkojë falje për mynxyrat që kanë bërë”. Nuk e priste ajo ndjesën e tyre, se e njihte ne detaj llojin e mekanizmit, me të cilin ishin përlyer në krime.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama

Ekskluzive/ Motra e Kadri Roshit tregon pengjet e Liri Belishovës: Ç’më tha për Nexhmije Hoxhën Read More »

Qyteti shqiptar i bastexhinjve!

Rezidenca Studentore Universitare, apo e njohur ndryshe “Qyteti Studenti” duhej të ofronte një ambient të qetë dhe mjedis favorizues për të rinjtë ku të mbizotëronte dija. Por më shumë se librari, apo ambiente studimi, aty fatkeqësisht mbizotërojnë pikat e basteve dhe të kumarit.

Vetëm pak metra larg dhomave të konvikteve, apo auditorëve mund të gjesh sallone bastesh sportive dhe lojërave të fatit. Këto pika janë edhe vetëm pak metra larg stacionit policor dhe Drejtorisë së Rezidencës Studentore.

Nga një vëzhgim sipërfaqësor rezulton se brenda territorit të “Qytetit Studenti” ushtrojnë aktivitetin të paktën 7 pika lotoje sportive, ose lojëra të tjera fati, raporton TCH.

31 dhjetori i këtij viti është afati i fundit që parashikon ligji për zhvendosjen e pikave të kumarit larg institucioneve arsimore dhe fetare në një distancë 100 metra.

Por kur jemi 8 muaj nga skadimi afatit në të gjithë vendin vihet re një numër pa kriter i pikave të basteve, jo vetëm në çdo zonë, por edhe pranë shkollave, xhamive apo kishave.

Qyteti shqiptar i bastexhinjve! Read More »

Pse duhet të hani në të njëjtë orë çdo ditë

Studimi u zhvillua tek minjtë për tre muaj, ku pasi u ndoq një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar, shëndeti i tyre ishte më i përmirësuar, si dhe truri gjithashtu.

Dinamika e jetës ndonjëherë na kushtëzon që të mos ushqehemi me rregull, e aq më pak të ushqehemi çdo ditë në një njëjtën kohë. Mirëpo, kjo duket tejet e rëndësishme për shëndetin.

Kështu ka zbuluar një studim amerikan i Universitetit California, ku thuhet se nëse konsumohen vakte të rregullta në të njëjtën orë, përmirësohet funksioni i trurit dhe luftohet harresa. Më konkretisht ushqyerja e rregullt në të njëjtën orë, lufton sëmundjen e Huntington (HD), një sëmundje gjenetike neurodegjeneruese, e cila prek shumë njerëz, sidomos në Evropë.

Ndjekja e një diete të shëndetshme sipas studimit, bazuar në vakte të rregullta dhe të konsumuara në të njëjtin orar, jo vetëm përmirëson cilësinë e jetës, por ngadalëson avancimin e kësaj sëmundje, e cila është një lloj skleroze.

Pse duhet të hani në të njëjtë orë çdo ditë Read More »

Deklarata e bujshme e Mustafa Nanos sonte do shkaktojë furtunë, ja kë ka “sulmuar”

Sesi më vjen që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare nuk është një shqiptar”.

Keshtu eshte shprehur me nje deklarate qe pritet te shkaktoje reagime analisti dhe gazetari Mustafa Nano në monologun e tij në emision “Provokacija” në ABC News.

Ai komentoi vizitën e Patriarkut të Moskës dhe gjithë Rusisë Kirillit. Sipas Nanos, në tre ditë në skenën shqiptare protagonistë të ngjarjes më të rëndësishme të javës ishin dy priftërinj të huaj, një grek dhe një rus.

“Sesi më vjen që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare nuk është një shqiptar. Nuk u mësova dot me këtë fakt. I dua grekët, i kam xhan sa s’ka. Më nderojnë edhe po të më hynë në shtëpi.

Por në respekt të historisë së vendit tim, nuk i dua që në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare.

Unë do doja që në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare të ishte një shqiptar, se ja sesi më duket që këto tre ditë në skenën shqiptare protagonistë të ngjarjes të javës të ishin dy të huaj, një grek dhe një rus”.

Por Nano, shkon më tutje. Ai përmend në monologun e tij Fan Nolin, i cili ka themeluar në SHBA së bashku me patriotë të tjerë Kishën Ortodokse Shqiptare.

“Teksa ndiqja këto ditë Kirillin, kreun e Kishës Ortodokse Ruse gjatë vizitës në Shqipëri, që është vizita e parë e një Patriarku rus të këtyre anëve, u ndjeva i ngacmuar në më shumë se një mënyrë. M’u kujtua në fillim Fan Noli, që në fillim të shekullit të shkuar është shuguruar prift, prej një rusi me emrin Platon, që ishte kreu i Kishës Ruse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E mos krijoni iluzione, kjo nuk është provë e marrëdhënieve dhe kontakteve të mira dhe të vrullshme mes ortodoksëve shqiptarë dhe atyre rus. As që bëhet fjalë këto marrëdhënie kanë qenë dhe do të jenë pothuajse zero.

Më tej më erdhi në mendje historia e themelimit të Kishës sonë Ortodokse Autoqefale. Fan Noli së bashku me shqiptarë të tjerë në SHBA iu vunë përpjekjeve për themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare, për motive pastërtisht patriotike, për të mos lënë ortodoksët shqiptarë atje të binin në ndikimin e Kishës Ortodokse Greke. Dihet që Kisha Ortodokse Shqiptare është themeluar përveç të tjerave edhe për të shërbyer si një ledhë ndaj greqizmit të shqiptarëve ortodoksë. Këtë e them në respekt të kronikës së historisë dhe jo për të futur spica brenda komunitetit të ortodoksëve shqiptarë apo midis dy vendeve fqinje. As që më shkon në mendje, kjo e fundit”.

Por, analisti nuk ndalet këtu ai flet edhe për Janullatosin, i cili është prifti që prej 25 vitesh drejton Kishën Ortodokse Shqiptare.

“Dhe ironia e historisë e deshi që në krye i Kishës Ortodokse Shqiptare në 25 vitet e fundit të ishte jetë një grek. Këtu nuk e kundërshtoi njeri emërimin e tij në vitin 1992, por me siguri Fan Noli do të jetë kthyer përmbys në varr kur ka marrë vesh se kjo ndodhi. Dhe afërmendsh kjo nuk ka lidhje me Anastas Janullatos, ky i fundit si person dhe si prifti është mirë. Është një figurë e respektuar dhe më siguri do të mbetet një emër i mirë në historinë e Shqipërisë. Përveç të tjerave ai është Kryepeshkopi më jetëgjatë në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe kushedi dhe sa vite të tjera do të jetë në krye të kësaj kishës. Ai është duke mbushur të 90-a dhe me shëndet është si kokrra e mollës.

Dhe kështu i bie që dy figurat më të rëndësishëm në historinë e Kishës Ortodokse Shqiptare të jenë Fan Noli, që luftoi për të ngritur një Kishë Shqiptare Autoqefale, e cila në atë kohe ishte antigreke dhe Janullatosi, i cili si çdo prift grek është më grek se të gjithë grekët, dhe si Kirilli më rus se të gjithë rusët, apo siç është patriarku serb Irenej më serb se të gjithë serbët, apo siç ka qenë Fan Noli ynë, më shqiptar se të gjithë shqiptarët.

Analisti Nano tha se Janullatos nuk ka lejuar që të bartet një konflikt mes rolit të tij si kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare dhe origjinës së tij greke.

Është në natyrën dhe traditën e Kishave Ortodokse që të jenë të lidhura shumë më pushtetin, politikën, kombin dhe me punët që nuk kanë të bëjnë me qiellin. Autoqefale në një mënyrë apo në një tjetër ka marrë kuptimin nacionale, për të mos thënë nacionaliste, s’ka gjë se në Shqipëri e ka humbur këtë kuptim. Ka ekzistuar frika në fillim se konflikti mes priftit dhe grekut mund të bartë në mënyrë dramatike në fronin më të lartë të Kishës Ortodokse Shqiptare, por kjo nuk ndodhi.

Për meritë të Janullatosit duhet thënë që ka ditur ta mbajë të shtruar, ta maskojë këtë konflikt. Jo më kot ortodoksët shqiptarë e duan dhe e respektojnë. Dhe nuk ka të bëjë që prej kohës kur mori pasaportën shqiptare, jo kjo ka qenë më parë.

Kjo është një arsye që më bën edhe mua si shqiptar laik, ta respektoj. Por personalisht nuk kam mund që ta heq prej vetes një sëkëlldi “noliane”. Sesi më vjen që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare nuk është një shqiptar. Nuk u mësova dot me këtë fakt. I dua grekët, i kam xhan sa s’ka. Më nderojnë edhe po të më hynë në shtëpi. Por në respekt të historisë së vendit tim, nuk i dua që në krye të kishës Ortodoksë Shqiptare. Unë do doja që në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare të ishte një shqiptar, se ja sesi më duket që këto tre ditë në skenën shqiptare protagonistë të ngjarjes të javës të ishin dy të huaj, një grek dhe një rus.

Deklarata e bujshme e Mustafa Nanos sonte do shkaktojë furtunë, ja kë ka “sulmuar” Read More »

Si trajtohen fëmijët e Shtëpisë së Foshnjës në Vlorë:Do ju dënoj prapë ëëë… Pse je aq ku*** ti, moj?!

Një situatë skandaloze është ajo e zbuluar në Shtëpinë e Foshnjes Vlorë të administratës dhe stafit që paguhet nga taksapaguesit shqiptare dhe fëmijëve të fëmijëve. Përpos abuzimeve me fondet dhe paratë publike, më e keqja qëndron tek trajtimi që u bëhet vogëlushëve të cilët thirren me nofka dhe epitete nga më të ndryshmet deri edhe k***ve.

Detajet e dialogut mes punonjësve dhe famijëve erdhën përmes emisionit “Stop” i cili mëson se janë shpenzuar 700 mijë lekë te vjetra për servis makinen e drejtoreshës Olta Ganajn e cila ia ka dhënë atë në huapërdorim institucionit i cili nuk ka makinë fare.

Gazetari – E di për çfarë kemi ardhur? Pretendimet janë të shumta nga shumë anë, por ne funksionojmë në bazë të transparencës. Na ka rënë në dorë një shkresë e këtij institucioni.

Drejtoresha – Po, mund ta shoh?

Gazetari – Dhe thuhet servis makine, riparime të ndryshme 70 mijë lekë. Ndërkohë që në një informacion pretendohet se ky institucion nuk ka makinë fare.

Drejtoresha – Kemi një makinë që e kemi në gjendje të keqe, por ndërkohë përdorim edhe furgonin e Qendrës së Shërbimeve.

Gazetari – Ka apo s’ka makinë institucioni fare? Kjo është pyetja ime, shumë e drejtë.

Drejtoresha – Atëherë, makina që tashmë me dokumentat, që i kemi dorëzuar, gjendet jashtë institucionit. Që është… për momentin e kemi jashtë funksionit.

Gazetari – Domethënë lekët shkojnë për atë?

Drejtoresha – Jo, nuk shkojnë më për atë.

Gazetari – Po për kë do shkojnë këto lekë?

Drejtoresha – Të kujt viti e keni këtë?

Gazetari – Ideja është te transparenca.

Drejtoresha – E pra… po prandaj po them të kujt viti e keni?

Gazetari – Unë po them, që nëse ka një dosje si institucion, hajd ta shohim të gjithë, që të gjithë të jemi në rregull. Unë të jap dhe kohë, s’ka problem, që ta shohësh.

Drejtoresha – Po normale! Do bëni edhe një kërkesë pranë institucionit, që t’ju kthejmë një përgjigje.

Drejtoresha Ganaj në përgjigjen zyrtare tregoi se ajo ka dhënë makinën e saj me kontratë huapërdorjeje pa shpërblim për institucionin që drejton vetë.

Por ky rezultoi abuzimi më i vogël në Shtëpinë e Foshnjes Vlorë. Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” solli me zë dhe figurë dhunën verbale dhe fizike ndaj fëmijëve që strehohen në këtë institucion.

Punonjësja – Ik Leo ik, se do vijë Vali pastaj, të të veshë kanatiere!

Punonjësja 2 – Hajde këtu ti…!

Punonjësja – O, të keqen una…

Punonjësja 2 – Ulu aty! Një moment të gëzueshëm, ti ta kthen gëzimin në sherr. Unë s’kam nerva sot të bëj sherr me ty Koço.

Punonjësja – Ai u dënua, se u plevitos.

Punonjësja 2 – Je fshirë ti? Merre leckën, fshihu!

Punonjësja 2 – O çuna! Do ju dënoj prapë ëëë… Po kjo Ana ku është? Pse je aq ku*** ti, moj?!

Punonjësja 2 – Pse hë…?! Aty të rrish! M*t! Mbylle, mbylle!

Punonjësja 3 – Hajde se kanë bërë që të gjithë zhurmë, por më shumë Fabio me Anën. I janë qepur Blerinës e s’e lënë rehat. Shoqen time, kolegen e punës ma meruan fare.

Punonjësja 3 – Ik, o çun, o…!

Punonjësja 3 – O idiote! O sa më dhemb mesi… o idiote, o debile, thashë se rashë…

Fëmijët jetimë ndëshkohen e thirren me epitete të neveritshme nga punonjëset e Shtëpisë së Foshnjës, të cilat në fakt paguhen për t’iu shërbyer.

Si trajtohen fëmijët e Shtëpisë së Foshnjës në Vlorë:Do ju dënoj prapë ëëë… Pse je aq ku*** ti, moj?! Read More »

Zonja Meri nxjerr parashikimin e Majit, ja shenjat që favorizohen!

Lexo tani horoskopin. Tani jemi në fillim të muajit Maj dhe të gjithë jemi shumë kuriozë të dimë se si do jetë për ne ky muaj.

E për ata që besojnë në shenjat e zodiakut, astrologia Meri Shehu do të bëjë renditjen e shenjave më me fat për këtë muaj. E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, astrologia tregoi shenjat më me fat.

“Jemi në një nga muajt më të rëndësishëm të vitit. Në Maj ndodh një ndryshim apozicional i fuqishëm i Uranit, pas 7 vitesh që ishte në Dash. Urani futet në shenjën e Demit në datë 15 Maj dhe të gjitha shenjat do të marrim një shije për 7-vjeçarin e ardhshëm i cili do të jetë i furishëm”, tha në mënyrë të përmbledhur Shehu.

Më poshtë gjeni renditjen duke filluar nga shenjat më pak të favorizuara:

12-Gaforrja është në pozicionin e fundit për muajin Maj pasi do të ketë një përballje me Saturnin. Do të ngrihen disa marrëdhënie personale, por do të kenë vështirësi në çështjet ekonomike. Gaforret duhet të përgatiten gjatë Majit për të sqaruar marrëdhëniet e tyre. Por një pikë e fortë e Gaforreve do të jetë jeta sociale, njohjet dhe shoqëritë.

11 – Luanët, janë në këtë pozicion pasi paralajmërohet jo vetëm një Maj i vështirë, por një 7-vjeçar i vështirë. Në fushën e karrierës do të kemi shumë paqëndrueshmëri, do kenë debate dhe ulje nga detyra edhe skandale në detyrë. Luanët duhet të maten jashtë mase mirë pasi do të provojnë një shije që do ta provojnë edhe për 7 vite të tjera. Kujdes pasi ka ardhur koha të provoni tërmetet në jetën tuaj.

10 – Peshqit, janë në këtë pozicion sepse kanë një lloj ndjeshmërie me Hënën në Akrep. Do kenë lajme të mira dhe do të jenë romantike. Fundi i muajit ia përmbys romancën dhe duhet të maten mirë para se të marrin vendime. Ajo që duhet të kenë kujdes është komunikimi me të tjerët pasi këtë muaj do të ndryshojë shumë.

9 – Dashi është në këtë pozicion, por duhet të brohorasim për to sepse ikën Urani nga shenja e tyre. Në fushën e ekonomisë do të marrin një shije të mirë. Kjo që do të përjetojnë këtë muaj do zgjasë për 7 vite në jetën e tyre.

8 – Peshorja shpëton nga pozicioni i Uranit përballë tyre. Do kenë një çështje të rëndësishme për të parë. Do kenë paqëndrueshmëri, por mund të kenë edhe fitime paparash. E rëndësishme është se këto ditë do të ketë një kontratë shumë të rëndësishme.

7 – Bricjapi do të merret në konsideratë. Priten çudira, do modernizohen dhe do të marrin shije shumë të mirë. Do të arrijnë sukses në qëllimet e tyre.

6 – Virgjeresha do ketë pozicionim të mirë nga ana sociale dhe ekonomike. Do të jenë më dhurues ndaj të tjerëve. Do ta marrin këtë 7-vjeçar si mësim të mirë.

5 – Shigjetarët kanë qenë melankolikë dhe do vazhdojnë të jenë edhe për disa ditë të tjera. Ajo që ka më shumë rëndësi për ta është puna. Ata do të kenë një punë të re dhe më vonë premtohet ndryshim thelbësor për ta.

4 – Akrepat ndoshta kanë qenë frymëzues për të tjerët dhe për vetën. Me futjen e Uranit në shenjën e tyre fillon një periudhë e re për ta dhe çdo gjë e re do të bëhet pjesë e tyre. Do bëjnë ndryshime të konsiderueshme. Pritet një 7-vjeçar që do të trondisë themelet e tyre.

3 – Ujori. Do kemi një shkëndijë të fortë në marrëdhënie me të tjerët dhe do bëhen protagonistë ngjarjesh të rëndësishme.

2 – Binjakëtjanë në muajin e tyre, dielli futet në shenjën e tyre. Duhet të merren me punën sepse do të kenë lajme të mira. Por për ta nuk vijnë lajme të mira për 7-vjeçarin e ardhshëm. Do kemi prapaskena, armiq, kundërshti, bllokime të rëndësishme dhe skandale. Presim një 7-vjeçar tronditës për ta por muaji Maj do të jetë i mirë pasi kemi pozicionime të planetëve që i bën pozitivë. Do përgatiten për një përballje titanësh.

1 – Demat janë protagonistë jo vetëm të Majit. Do dëgjojmë shumë për ta 7-vjeçarin e ardhshëm. Futja e uranit në shenjën e tyre do sjellë një rinovim në jetën e tyre. 7-vjeçari i ardhshëm do të jetë shumë pikant dhe do t’iu duhet shumë për t’u mësuar./tvklan

Zonja Meri nxjerr parashikimin e Majit, ja shenjat që favorizohen! Read More »

Arsyet pse mpihen duart – Kur duhet të shqetësoheni

Duart përmbajnë disa nga nervat më të ndjeshëm në trupin tuaj.

Sikur edhe njëri nga këto nerva ose një pjesë e tyre është e ndrydhur ose disi e dëmtuar, fillojnë problemet.

Truri juaj nuk mund të marrë të gjitha informacionet ndjesore që duart tuaja po e dërgojnë.

Rezultati është mpirja. Studimet thonë se një nga shkaqet më të zakonshme të mpirjes së dorës është sindroma e tunelit të kyçit të dorës.

Nervi i mesëm, që shkon poshtë parakrahut deri në pëllëmbën tuaj, qëllon të ndrydhet.

Kjo gjendje është mjaft e zakonshme për njerëzit që shpenzojnë shumë kohë duke punuar në kompjuter ose edhe në telefonat celularë.

Së bashku me mpirjen, simptomat e tunelit të kyçit të dorës përfshijnë një ndjesi që një ose më shumë gishtërinj – fryhen dhe japin pickime.

Çfarë tjetër mund të jetë shkak për mpirjen e duarve tuaja? Edhe disa faktorë të tjerë me rëndësi. Vazhdoni të lexoni.
Çrregullime të tiroides
Edhe një çrregullim i tiroideve mund të çojë në mpirjen e dorës. Një gjendër tiroide nën-aktive ose hipotirodizmi mund të rezultojë në dëmtimin e nervave që transportojnë informacion midis trurit, palcës kurrizore dhe gjymtyrëve.
Teprimet me alkoolin
Pirja e rëndë afatgjatë mund të çojë në neuropati alkoolike ose dëme nervore.

Afërsisht gjysma e të gjithë përdoruesve të alkoolit të rëndë zhvillojnë një formë të kësaj gjendje, thonë studimet.

Shenjat përfshijnë mpirje në krahë ose këmbë, ndjesi të çuditshme dhe pickime në gjymtyrët tuaja, dhe dobësi të muskujve.
Kistet dhjamore
Këto janë grumbullime dhjamore jo-kancerogjene që mund të formohen kudo në trupin tuaj, por kanë tendencë të shfaqen edhe rreth kyçeve tuaja.

Sipas studimeve mjekësore, kistet dhjamore janë shumë të zakonshme. Dhe nëse formohet në dore, mpirja është një simptomë e zakonshme. Këto kiste nganjëherë zhduken vetë.
Skleroza e shumëfishtë
Skleroza e shumëfishtë është një sëmundje në të cilën sistemi imunitar sulmon një substancë yndyrore që mbron fibrat nervore të trurit dhe palcës kurrizore. Kjo mund të rezultojë në mpirjen e dorës.

Ndërkohë që sëmundja mund të godasë në çdo moshë, ka më shumë gjasa të shfaqet gjatë moshave 20 dhe 30 vjeçare.

Femrat kanë dy herë më shumë të ngjarë se meshkujt të vuajnë nga skleroza e shumëfishtë.
Goditja në tru
Mpirja e duarve ose ndjesia e shpimeve mund të jetë një shenjë se jeni duke marrë një goditje në tru. Rreth 10% e të gjitha viktimave të goditjes janë më të rinj se 45 vjeç.

Edhe duke qenë të aftë dhe fizikisht aktivë, nuk do të thotë që nuk jeni në rrezik.
Diabeti
Deri tani ju ndoshta e dini se urinimi i shpeshtë, etja e tepruar dhe nivelet e larta të sheqerit në gjak janë të gjitha shenjat e paradiabetit.

Por shumë njerëz që zhvillojnë diabet të tipit të plotë 2 nuk e kuptojnë atë. Dhe, nëse nuk trajtohet, mpirja e duarve mund të zhvillohet si pasojë e dëmtimit nervor të lidhur me diabetin, thonë studimet.

Arsyet pse mpihen duart – Kur duhet të shqetësoheni Read More »

Pulë Ali Pasha – Shije nga oborri i pashallëkut të Janinës

Quhet e tillë sepse është gatuar posaçërisht për Ali Pashanë, sundimtarit të njohur të jugut të Shqipërisë, kryengritës kundër pushtetit të Portës Osmane.

Receta për Pulë Ali Pasha, një gatim i shndërruar në tradicional të sofrës shqiptare. Famoz për të huajt që vizitojnë Shqipërinë e sidomos restorantet me gatimet e traditës.

Një recetë e shijshme, e përgatitur me më të mirat e kuzhinës, duke kombinuar mishin e bardhë të pulës me një mbushje perfekte nga gështenjat e deri tek rrushi i thatë.

Ja receta tipike si të traditës së pulës së mbushur Ali Pasha.
Përgatitja e Pulës Ali Pasha
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

Pulë 1 kg

1 filxhan çaji me gështenja të qëruara

2 filxhan kafeje me oriz

2 lugë gjelle me rrush të thatë

1 kokërr qepë

1 lugë gjelle me gjalpë të freskët

Piper

Kanellë

Një grusht bajame
Përgatitja
Merret një pulë mesatare, e majme dhe e re. Pula pastrohet, lahet dhe mbushet.

Zgjidhen gështenja të mëdha, vendosen të ziejnë për 5 minuta. Qërohet lëvozhga dhe cipa e brendshme dhe copëtohen në katërsh.

Merren bajame të qëruara nga cipa dhe priten hollë.

Po ashtu edhe rrush i thatë pa fara dhe vendoset në ujë të vakët që të zbutet dhe bymehet.

Në tenxhere me gjalpë kaurdiset qepa, hidhen mëlçitë e pulës të grira dhe orizi dhe më pas kaurdisen së bashku.

Shtohen gështenjat, rrushi i thatë, bajamet, pak kripë dhe lëng pule ose ujë.

Masa lihet të zjejë, derisa të ketë pirë lëngun dhe të jetë bërë një pilaf i shkrifët dhe i papërfunduar mirë.

Kur e heqim nga zjarri, hedhim kanellë të bluar. Me këtë masë mbushet barku dhe gusha e pulës, të cilat më pas qepen në mënyrë që masa e përgatitur të mos dalë.

Pula lyhet me gjalpë, kripë, piper dhe piqet në furrë.

Pas pjekjes, gatimi shërbehet në pjata, duke vënë thelën dhe pjesë nga mbushja si dhe spërkatet me lëngun e mbetur nga pjekja.

Pulë Ali Pasha – Shije nga oborri i pashallëkut të Janinës Read More »