Aurora

Mëngjeset e shëndetit – Çfarë duhet të hani dhe cfarë jo

Cilat ushqime të vijnë ndër mend kur mendon për mëngjesin? Zakonisht, një filxhan kos, një filxhan kafe dhe lëng i freskët portokalli plotësojnë pritshmëritë bazë për një mëngjes perfekt në dukje.
Për fat të keq, të paktë janë ata që janë të ndërgjegjshëm mbi pasojat që disa ushqime lënë në stomakun tonë kur konsumohen me të hapur sytë.

Për këtë arsye, AgroWeb.org ka krijuar këtë udhëzim, që do t’ju udhëheqë në lidhje me ushqimet që duhen konsumuar me stomakun bosh dhe ato që duhen shmangur.
Ushqimet që nuk duhen ngrënë në mëngjes
Brumërat
Gatimet që përmbajnë maja irritojnë shtresat e stomakut dhe shkaktojnë fryrje.
Ëmbëlsirat
Sheqeri rrit nivelet e insulinës, e cil nga ana tjetër shton barrën që rëndon mbi pankreasin e sapozgjuar. Një barrë e tillë ushqimore shkakton diabet.
Kosi dhe produktet e tjera të fermentuara
Nëse konsumoni kos me stomakun bosh, veçanërisht kur është i thartë, atëherë acidi hidroklorik që formohet në stomak shkatërron bakteret e acidit laktik. Ngrënia e këtyre produkteve në mëngjes nuk është e mirë për organizmin.
Domatet
Domatet përmbajnë sasi të larta të acidit tanik që rrit aciditetin në stomak, duke shtruar rrugën e formimit të ulçerës gastrike.

Trangujt dhe perimet e tjera të gjelbra

Perimet e pa gatuara janë burime të pasura amino acidesh, megjithatë ato mund të shkaktojnë urth, fryrje dhe dhimbje sidomos kur konsumohen me stomak bosh.
Erëzat pikante
Ushqimet pikante dëmtojnë dhe irritojnë mukozën gastrike dhe rrisin prodhimin e acidit në stomak. Një gjë e tillë shkakton probleme dhe çrregullime në sistemin tretës.
Pijet e ftohta të gazuara
Pijet e gazuara dëmtojnë membranën e stomakut dhe pakësojnë furnizimet me gjak në stomak duke shkaktuar urth dhe rritur rrezikun e gastritit dhe ulçerës.
Ushqimet që duhen konsumuar në mëngjes
Tërshëra
Ajo krijon një shtresë mbrojtëse në stomak dhe parandalon çlirimin e acidit hidroklorik që është mjaft i dëmshëm për muret e stomakut. Tërshëra përmban fibër të tretshme që është mjaft e mirë për uljen e kolesterolit në organizëm.
Vezët
Shkencëtarët kanë zbuluar që ngrënia e vezëve në mëngjes jep energji dhe njëkohësisht pakëson nivelin e kalorive ditore në mënyrë të ndjeshme. Ndaj ju do të ndjeheni të lehtë gjatë gjithë ditës.
Boronicat
Studime të kohëve të fundit tregojnë se ngrënia e boronicave në mënyrë të rregullt dhe veçanërisht në mëngjes përmirëson kujtesën dhe rregullon tensionin e gjakut dhe metabolizmin.
Arrorët
Arrorët duhen ngrënë për mëngjes sepse përmirësojnë sistemin tretës dhe normalizojnë pehashin në stomak. Kujdes me sasinë.

Mjalti

Mjalti zgjon organizmin dhe i jep atij forcë dhe energji. Aktiviteti i trurit përmirësohet dhe nivelet e serotoninës, hormonit të humorit të mirë rriten.

Mëngjeset e shëndetit – Çfarë duhet të hani dhe cfarë jo Read More »

Barbaroza – Vlerat e mbretëreshës së kopshteve Shqiptare

Barbaroza është një bimë e bukur mjaft popullore, e njohur si Mbretëresha e Kopshteve.

Ajo është një lule që rritet në krahinat e jug perëndimit të Ballkanit dhe veçanërisht Shqipërisë.

Në Shqipëri gjendet edhe me emra të tjerë si hidërsha ose nishadër. Ajo është përdorur shumë edhe si erëz për t’i shtuar shije reçelërave dhe ëmbëlsirave.

Barbaroza është pjesë e familjes botanike Geranium që përmban 200 varietete bimësh dhe lulesh. Megjithatë, AgroWeb.org ju tregon se vetëm Barbaroza (Pelargonium graveolens) mund të konsumohet nga të gjitha simotrat e saj.

Barbaroza arrin të luftojë inflamacionin, përmirësojë shëndetin e veshkave, çlirojë nga dhimbjet, ulë nivelin e stresit, forcojë sistemin imunitar dhe të lehtësojë tretjen.

Gjethet e bimës janë përdorur gjithashtu me tepricë në mjekësinë popullore. AgroWeb.org ju tregon se gjethet e dhe lulet e thara të bimës ngjyrë rozë përdoren për një çaj që ka një aromë të veçantë.

Vlerat shëndetësore që ka Barbaroza

Largon stresin:Barbaroza ka ndikim në sistemin nervor dhe reputacioni i këtyre aftësive ka kapërcyer breza të tërë. Çaji që mund të prodhoni nga gjethet e barbarozës është i shijshëm por edhe qetësues.

Vlerat e çajit shumëfishohen falë përbërësve dhe substancave organike që kanë një ndikim në sistemin endokrinal dhe ulin faktorët që shkaktojnë ankth dhe stress.

Pini një çaj barbaroze kur jeni të stresuar dhe shpejt do t’ju përmirësohet humori.

Lufton inflamacionin: Një nga përdorimet më të shpeshta të barbarozës është ai kundër inflamacionit në organizëm.

Nëse ju dhembin gjymtyrët, muskujt ose keni inflamacion të brendshëm në stomak ose në sistemin kardiovaskular, një gotë çaj barbaroze largon barrën e rëndë të inflamacionit nga trupi juaj.

Heq dhembjet:Barbaroza është përdorur prej vitesh kundër dhembjeve të kokës dhe atyre të tjera.

Nëse vuani nga dhembjet kronike ose migrenat, çaji i barbarozës arrin të çlirojë endorfinën dhe të heqë dhembjen shumë shpejt.

Mbron shëndetin e veshkave: Shkencëtarët akoma janë duke studiuar mbi efektin kimik të përbërësve të barbarozës dhe ndikimin e tyre në shëndetin e veshkave.

Por ata nuk kanë dyshim, që çaji i barbarozës stimulon nxjerrjen e lëngjeve. Ai ndihmon në largimin e kripërave të tepërta, yndyrnave dhe ujit nga trupi.

Si rrjedhojë, veshkat janë më të çliruara dhe funksionojnë më mirë

Ndihmon sistemin imunitar: Barbaroza lufton bakteret dhe mykun. Rrjedhimisht është e mrekullueshme kundër ftohjeve, virozave dhe gripit.

Përgatisni çaj me gjethet dhe do të arrini të largoni nga trupi bakteret, forconi imunitetin dhe shëroheni më shpejt.

Tretja: Nëse vuani nga ngërçet, fryrjet ose tretja problematike, pirja e çajit të barbarozës është mënyra më e lehtë dhe më pa dhimbje për të kuruar këtë problem.

Substancat organike që gjenden tek çaji zbusin inflamacionin, eliminojnë bakteret dhe kthejnë në normalitet sistemin tretës.
Çaji i Barbarozës dhe Përgatitja
Është shumë e rëndësishme që të mbani mend që vetëm barbaroza ngjyrë rozë me aromë trëndafili mund të konsumohet nga njeriu.

Në shumicën e rasteve Barbaroza gjendet në formën e gjetheve të thara, të plota apo të shtypura në çdo farmaci ose dyqan organik gati për çajin tuaj. Por njëlloj mund ta merrni edhe nga bimët e kopshteve tuaja.

Një lugë çaji me lulet dhe gjethet e thata të bimës janë të mjaftueshëm për një kupë çaji. Këtë mund ta pini të ngrohtë ose të ftohtë, si edhe të shoqëruar me pak mjaltë.

Shtypni një grusht lulesh dhe gjethesh të thara dhe vlojini për 5 minuta në ujë. Dy kupa me çaj të tillë në ditë mjaftojnë për të përfituar vlerat e mësipërme.

Barbaroza – Vlerat e mbretëreshës së kopshteve Shqiptare Read More »

Pista Olimpike e Fluturimeve në Llogara ,për të gjithë të apasionuarit e sportit (Foto)

Pista Olimpike e Fluturimeve për të gjithë të apasionuarit e sportit të aventurës së fluturimeve të lira, në Llogara.

“Mediterranean Heart”, ndër investimet e fundit të qeverisë shqiptare në midis aksit rrugor Llogara – Himarë, vjen përmes kësaj pamje edhe si atraksioni më i ri turistik .

Fotografia e ONETV VLORA

“Ballkoni” i bukur i Rivierës Shqiptare, për të marrë menjëherë statusin e Pistes Botërore Olimpike të Fluturimeve të Lira.

Fotografia e ONETV VLORA

Pista Olimpike e Fluturimeve në Llogara ,për të gjithë të apasionuarit e sportit (Foto) Read More »

Gradica ndodhet në Londër. Kush është kapur në Spanjë për 1 ton kokainë?

Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, deklaroi se Dritan Gradica është identiteti i një prej dy shqiptarëve të arrestuar në Spanjë si pjesë e grupit prej 5 personash që trafikoi 1 ton kokainë kolumbiane.

Lala u shpreh në studion e emisionit ‘Opinion’, se nga të dhënat e gjendjes civile rezulton se me këtë emër ekziston vetëm një person i regjistruar, ndërsa dyshohet se i është vjedhur identiteti.

Ajo u shpreh se Dritan Gradica ndodhet në Angli dhe ka mbaruar dy universitete, kurse ditën e sotme ka folur edhe me të atin.

Sipas saj, ai quhet Dritan Shaqir Gradica, i datëlindjes 5 korrik 1975, lindur në Vlahej, Has dhe banues në Tiranë.

Lala tha se ky person rezulton të ketë kryer shumë udhëtime jashtë vendit duke zgjedhur aeroportin e Vjenës, si tranzit, për të shkuar më pas në destinacionin final.

Gradica ndodhet në Londër. Kush është kapur në Spanjë për 1 ton kokainë? Read More »

”Si na lutej pështirshëm Sali Berisha ne ‘karrige thyerve’ në PD”, ish-krahu i djathtë i ish-kryeministrit tregon të vërtetën

Përjashtimi im ishte i kundërligjshëm, në shkelje të çdo lloj neni e principi të Statutit të PD. Iu drejtova PD, por edhe popullit, por shokët e mi të PD, por edhe populli, nuk u ngritën të vinin në vend padrejtësinë, shkeljen e ligjit.

Shkruan Bashkim Kopliku

Pas Kuvendit të 29 prill 2018, të PD, ka zhvillime të reja, shkëputje nga PD të disa personaliteteve të saj, prandaj sqarimi im në vijim, lidhet indirekt edhe me ata…historia përsëritet…

Një mik në Facebook , zoti K., shkroi sa vijon:

“Zoti Bashkim, që nga koha kur ishe ministër i brendshëm u zhduke për shumë kohe, tani ke dale prapë në skene, tu mbaruan paret??. Punë pazaresh hesapi”

Të nderuar miq në FB, bëj pjesë tek ajo pjesë e politikanëve që nuk përtoj, apo nuk neglizhoj t’ u përgjigjet akuzave publike, po publikisht. Natyrisht akuza e ka origjinën nga kuzhina e PB, partia e Berishës, apo e Bashës. Në vijim, po postoj përgjigjen time:

K., e keni bërë pis Facebookun me shpifjet tuaja, e tani më duhet ta pastroj, në respekt të miqve të nderuar të fb. Në vijim po pastroj me radhë të tri pisllëqet e tua:

1–Shpifni ju z. K, kur shkruani se “u zhduka”, që nga koha kur isha ministër i brendshëm”.

Faktet janë të njohura botërisht, dhe zyrtarisht: në prill të 1993, kam kaluar nga funksioni i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Rendit Publik (i Brendshmi), në funksionin e zëvendëskryeministrit që mbulonte reformën ekonomike, dhe kam vazhduar të jem në funksionet më të larta të shtetit dhe partisë deri në prill 1997; kur isha edhe deputet edhe kryetar i Komisionit parlamentar të ekonomisë, edhe etj, kur papritmas u përjashtova nga kryesia e PD, me një votim të paligjshëm.

Votimi ishte krejt i paligjshëm, sepse për përjashtimin tim votoi kryesia e PD, e cila nuk kishte kurrfarë të drejte të votonte, pasi organi që mund të votonte për shkarkimin e një anëtari të Kryesisë së PD, ishte Këshilli Kombëtar, dhe jo ajo: nuk ishin shpikur akoma në PD, ato ngrirjet etj. që u futën në Statut më vonë.

Natyrisht që nuk ka asnjë vlerë as justifikim i kolegëve të mi, se “i urdhëroi anëtari i kryesisë, presidenti i Republikës, Sali Berisha”, nuk kanë të drejtë as ata që votuan që unë të mos përjashtohesha–ata duhet thjeshtë të mos pranonin të votohesh, të zbatonin ligjin, statutin, e justifikimi i tyre veçse i ngarkonte dhe më tepër me faj.

Përjashtimi im ishte i kundërligjshëm, në shkelje të çdo lloj neni e principi të Statutit të PD. Iu drejtova PD, por edhe popullit, por shokët e mi të PD, por edhe populli, nuk u ngritën të vinin në vend padrejtësinë, shkeljen e ligjit.

Si rezultat, u binda përfundimisht se PD e 1991, kishte vdekur, dhe ishte zëvendësuar me PB (partia e Berishës, një parti neokomuniste), por u binda edhe se populli im kishte mbetur po ai që kishte duruar Enver Hoxhën për 45 vjet me radhë.

Nuk u ktheva më tek PD, as në vitin 2005, kur “ne, karrige thyerve”, na luti pështirshëm zoti Berisha, që të vinte në pushtet së bashku me ne. Ai erdhi në pushtet, së bashku me shumë ish-“karrige-thyer”, duke blerë zgjedhjet e vitit 2005, duke paguar zgjedhësit pushtues të tokave, me premtimin e faljes së tokës së pushtuar, që natyrisht ishte tokë e shtetit, pra pronë e të gjithë popullit shqiptar. Pushtuesit e tokave ishin rreth “një e treta e popullit shqiptar”, dhe ata votuan për PB, pavarësisht se shumica e tyre nuk ishin fare me PB, siç e treguan në votimet e 2013.

Nejse, duhet kuptuar mirë se blerja e votave për të ardhur në pushtet e PB, është një nga turpet e mëdha që bëri populli ynë, që shiti votën e tij për të paguar vetëm me “4000 lekë” për parcelë toke, kur parcela kushtonte me miliona lekë. PB e hapi rrugën e blerjes masive te votave, me premtimin për legalizim.

Por sa erdhi në fuqi, PB nuk e mbajti as fjalën e dhënë: ua zvarriti pafund legalizimin, vetëm e vetëm që t’i mbante të lidhur pas vetes, që t’i kishte votues “të sigurtë” për jetë, siç e bënte me ish- të përndjekurit e ish- pronarët e tokave.

Por ja që PS-ja, mësoi nga PB, u bë edhe ajo “praktike”, dhe u bëri të njëjtin premtim “pushtuesve të tokave”, bile duke duke u premtuar që mos tua marrë fare as ata “4000 lekë” për parcelë, si dhe se nuk do t’i mbante peng me zvarritje e me rrena për vite me radhë, si i mbajti PB për 8 vjet. Përfundimi dihet tashmë: fitoi PS duke e fundosur përfundimisht PB.

2–Shpifni ju z. K, kur shkruani: ” u zhduke për shume kohe, tani ke dale prape në skene.”

Jo, ka fakte, dëshmitarë që nuk kanë humbur kujtesën, gazeta e regjistrime televizive pa fund, që vërtetojnë se edhe jashtë radhëve të PB, nuk u zhduka, por kam qenë aktiv në masmedia, me mbi 700 shkrime në gazetat më të mëdha të vendit dhe me biseda në studio, gjithë kohën që PB ishte në pushtet, por kjo deri sa PB u bë aleate me LSI, në 2008.

Në këtë moment, hoqa dorë nga shkrimet publike intensive, se u deziluzionova rëndshëm, tashmë nga pjesa më e madhe e populli shqiptar, pjesa që rezultoi se me hipokrizi mbahesh kot si e djathtë. Ishte ajo së cilës i drejtohesha në radhë të parë, gjoja E Djathta, me shkrimet e fjalët e mia. Por ata aprovuan koalicionin me LSI, që ç’ nuk bënte kundër së Djathtës në përgjithësi, por edhe kundër PB në veçanti, sulme nga pozita të majta hipokrite.

Rezultoi se shumica e popullit gjoja të djathë, shiti principet e veta, vetëm e vetëm për të ndenjur në pushtet. U indinjova tashti më shumë me popullin gjoja të djathtë, se sa me “militantet e PB” që tashmë e dija sa u vlente lëkura, që në 1997…

Nejse, kam shkruar e folur gjatë për këtë blerjen e votave të PB, dhe koalicionet e ndyra “pragmatiste” të PB.

3– Shpifni ju z. K. kur shkruani: “tani ke dale prapë në skene, t’u mbaruan paret??

Fatmirësisht shteti, ne ish-funksionarëve të tij, na ka siguruar një pension relativisht të mirë: marr pension rreth 1 milion e 300 mijë lekë të vjetra në muaj. Me këtë pension mund të jetoj pa iu lutur njeriu për bukën e gojës, por edhe duke më lejuar të ruaj dinjitetin si ish- drejtues i këtij populli shqiptar, që vazhdoj ta dua megjithëse ia njoh mirë të metat e mëdha që ka, vazhdoj të përpiqem vazhdimisht, edhe këtu në FB, t’i tregoj popullit tim, shqiptarëve, rrugën e shërimit, që është ecja drejtë bashkimit me popujt sivëllezër të BE.

Nuk i kam marrë asnjë personi as një lek korruptiv.

Nuk e di kush jeni ju z. K., por edhe po ta dija, nuk do t’jua ktheja shpifjeve e pisllëqeve që keni shkruar, me sharje për shpagim (hakmarrje), siç bëhet fatkeqësisht rëndom mes nesh shqiptarëve.(TemA)

”Si na lutej pështirshëm Sali Berisha ne ‘karrige thyerve’ në PD”, ish-krahu i djathtë i ish-kryeministrit tregon të vërtetën Read More »

Arta Marku bën gati prangat për Tikun e Ilirit/ Hapet dosja e ish-kryeprokurorit/ Llalla në duar të Hajdarmatës

Çështja penale kundër ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla e nisur dy muaj më parë për 4 akuza nga prokuroria e Durrësit, tashmë po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, dhe se prokurorët që janë duke administruar këtë hetim mësohet të jenë Besim Hajdarmataj dhe Klodian Braho. Hajdarmataj është kreu i prokurorisë së Krimeve të Rënda, i cili së bashku me prokurorin tjetër Braho, po hetojnë Llalla lidhur me pasurinë e këtij të fundit.

Çështja penale kundër Adriatik Llallës pak ditë më parë u transferua tek Krimet e Rënda, pasi akuza e Durrësit gjatë verifikimeve të kryera ka konstatuar shkelje ligjore, për sa i përket makinacioneve që Llalla ka kryer për ritjen e pasurisë së tij, nëpërnjet shtetasve Gazmen Brahimaj dhe Edison Dushku.

Por nuk ka qënë vetëm kjo arsyeja e transferimit të dosjes nga Durrësi në Tiranë, pasi prokurorët kanë shfrytëzuar dhe një vendim të Gjykatës së Lartë, e cila udhëzon prokuroritë e rretheve që çështjet penale të rregjistruara për zyrtarë të lartë nga 1 gushti 2017 e në vijim, duhet t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi kjo e fundit ka koopetencat ligjore për të hetuar këtë kategori. Vetë posti i kryeprokurorit që mbante Llalla, konsiderohet si nivel i lartë i këtij zyrtari, që tashmë është nën hetim për 4 vepra penale, shkruan shqiptarja.com.

Veprat penale

Hetimi për Llallën është rregjistruar për “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurise, interesave private të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për për deklarim”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale“ dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Ish-kryeprokurori Llalla prej muajsh ndan kohën e tij ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku jeton edhe familja e tij pas një largimi të ngutshëm në mesin e vitit 2016.

Përplasja me ambasadorin Lu
Në vitin e fundit të mandatit të tij, Llalla pati konflikt të hapur me ambasadorin e SHBA në Tiranë Donald Lu, duke e akuzuar këtë të fundit si person që kishte ndikuar tek ai për arrestimin e Ilir Metës dhe për mbylljen e një procedimi penal në Fier, që bënte fjalë për kompaninë e naftës “Bankers Petrolium”. Nga ana tjetër Lu, e ka quajtur Llallën si person të korruptuar dhe që ka dashur të pengojë reformën në drejtësi.

Pas largimit të Llallës nga posti i kryeprokurorit, Departamenti i Shtetit ndaloi publikisht hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se “ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni”. Nga ana e tij, Llalla reagoi në një media amerikane, duke thënë që “vendimi i Departamentit të Shtetit është marrë për shkak të keqinformimit me dashje që është bërë nga ambasadori Lu”.

Ndërkohë që disa javë pas vendimit të Departamentit të Shtetit, Prokuroria e Durrësit nisi hetimin ndaj Adriatik Llallës, për disa vepra që lidhen me pastrimin e parave. Tashmë kjo çështje ka kaluar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku dy prokurorët që janë caktuar për këtë hetim janë Besim Hajdarmataj dhe Klodian Braho.

Arta Marku bën gati prangat për Tikun e Ilirit/ Hapet dosja e ish-kryeprokurorit/ Llalla në duar të Hajdarmatës Read More »

Kufiri detar, diplomati Shaban Murati: Greqia firmosi në vitin 1925

Diplomati i karrierës Shaban Murati, “Mjeshtër i Madh” në diplomaci, bën një analizë të marrëdhënieve shqiptaro-greke, veçanërisht të marrëveshjes së detit të vitit 2008 dhe të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vitin 2010. Sipas tij, Gjykata jonë Kushtetuese ka rrëzuar objektin e marrëveshjes, pasi nuk ka pasur asnjë çështje për detin mes dy vendeve.

Të dy vendet, sipas ambasador Muratit, kanë njohur dhe kanë respektuar kufijtë detarë të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 17 dhjetor 1913 dhe Protokolli i Firences së 27 janarit 1925 dhe të vulosur përfundimisht nga “Akti Final i Delimitimit të Kufijve të Shqipërisë” më 30 korrik 1926 nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris dhe e nënshkruar dhe e pranuar nga qeveria e Greqisë. Këto çështje diplomati i njohur i trajton në librin e ri të tij të dalë pak kohë më parë, “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”

SHABAN MURATI

NJË UDHËKRYQ ARTIFICIAL DIPLOMATIK

Diplomacia dhe qeveria shqiptare e kohës së nënshkrimit të marrëveshjes së detit, jo vetëm ndërmorën një akt të pashembullt të pazareve në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë, por krijuan edhe një vatër të re tensioni dhe përplasjeje në marrëdhëniet midis dy shteteve, që janë të dyja anëtare të NATO-s.

Çdo qeveri shqiptare që do të vinte pas ikjes së qeverisë që nënshkroi marrëveshjen e anuluar të detit, do të ndodhej mes dy zjarresh: nga një anë presionet e shumëllojta të Greqisë për të ringjallur marrëveshjen e anuluar të detit dhe nga ana tjetër, tensionet e reja si rezultat i mospranimit të marrëveshjes nga qeveritë pasardhëse. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, me vendimin e saj të datës 15.4.2010 të anulimit të marrëveshjes së nënshkruar më 27 prill 2009 nga ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, dhe nga ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, në prani të dy kryeministrave, Sali Berisha dhe Kosta Karamanlis, ka shkruar një epokë modeli juridik dhe përgjegjshmërie të rrallë juridike, historike, kombëtare, politike, diplomatike etj.

Emrat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që meritojnë një vlerësim historik, siç pasqyrohet në aktin e vendimit nr.15, datë 15.4.2010, janë: Vladimir Kristo, kryetar, dhe anëtarë: Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, Petrit Plloçi, Vitore Tusha, Sokol Berberi, Sokol Sadushi, Admir Thanza dhe Xhezair Zaganjori, i cili ka qenë edhe relator i çështjes.

Vlera madhore e aktit të saj qëndron, së pari sepse ajo iu kundërvu politikës zyrtare dhe presionit zyrtar të miratimit të një marrëveshjeje të dëmshme antikushtetuese.

Së dyti, dhe që është më e rëndësishmja, është fakti se Gjykata Kushtetuese, bashkë me marrëveshjen, ka anuluar dhe ka hedhur poshtë objektin e marrëveshjes. Çdo qeveri dhe çdo diplomaci shqiptare pas vitit 2013, pra pas largimit të qeverisë së “detit”, duhet të kishte parasysh se çështja e detit në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë duhet trajtuar në dritën, frymën dhe kornizat juridike të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Kjo do të thotë se çështja e kufijve detarë në marrëdhëniet midis dy shteteve nuk ekziston.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin e saj nuk ka lënë asnjë ekuivok dhe ka konfirmuar në nivelin më të lartë juridik se kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë ekzistuar që me Protokollin e Firences dhe as ekipet negociuese shqiptare dhe greke dhe as marrëveshja e anuluar e detit nuk kishte asnjë të drejtë ta bënte objekt të saj këtë realitet historik ekzistues.

Gjykata Kushtetuese, bashkë me marrëveshjen, ka rrë- zuar edhe objektin e saj dhe konkretisht, ka rrëzuar çdo pretendim grek apo të lobit grek në Shqipëri për ekzistencën e nevojës së ratifikimit të kufijve shtetërorë detarë. E përmbledhur në një fjali, çështja e detit është një çështje e paqenë. Kufijtë janë vendosur me Traktatin dhe Marrëveshjet Ndërkombëtare, që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 17 dhjetor 1913 e deri te Protokolli i Firences së 27 janarit 1925 dhe vulosur përfundimisht nga “Akti Final i Delimitimit të Kufijve të Shqipërisë” më 30 korrik 1926 nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris dhe e nënshkruar dhe e pranuar nga qeveria e Greqisë.

Gjatë veprimtarisë sime në MPJ të Shqipërisë deri në vitin 2015, kam parashtruar idetë dhe rekomandimet e mia se trekëndëshi strategjik, që ka përcaktuar qeveria në programin e saj të politikës së jashtme në vitin 2013, nuk pritet të funksionojë në mënyrë të njëtrajtshme në të tre këndet. Nuk pritet që Greqia t’i japë të njëjtën rëndësi, që Tirana i ka përcaktuar asaj në politikën rajonale të Shqipërisë. Kjo duket vjen nga fakti se pranimi i partneritetit strategjik me Shqipërinë do të thotë pranim i një barazie dhe rëndësie reciproke në marrëdhëniet dypalëshe, gjë që qarqet drejtuese greke duket e kanë të vështirë ta pranojnë.

Athina e konsideron partneritetin strategjik si nevojë të Shqipërisë dhe jo si nevojë reciproke. Kjo do të thotë që bëhet e këshillueshme që edhe qeveritarët e Shqipërisë të mos e përmendin vend e pa vend Greqinë si partneritet strategjik, në qoftë se linja e acarimit të problemeve me Shqipërinë rritet nga ana e tyre dhe në qoftë se qeveritarët grekë nuk e zënë me gojë partneritetin strategjik, siç veprojnë zakonisht. Mendimi im ka qenë që në çështjen e detit nuk ka arsye dhe as interes që Shqipëria të jetë nismëtare e rihapjes së bisedimeve.

Nëse Greqia i kërkon ato bisedime, Athina duhet ta bëjë hapin e parë diplomatik nëpërmjet një note zyrtare, në të cilën do të duhet të parashtrojë pse kërkon rihapjen e bisedimeve. Kjo pikënisje ndikon në tërë procesin e mëtejshëm diplomatik të negocimit. Në kohën e baticës së presionit diplomatik grek mbi Shqipërinë, pas ndryshimit të qeverive në Shqipëri në shtator 2013 dhe në Greqi në janar 2015, disa zyrtarë të mesëm dhe të lartë në Tiranë nisën të hedhin në qarkullim tezën e një rinegocimi të marrëveshjes së vdekur të detit me Greqinë.

Ajo që e bën më shqetësuese këtë dukuri është fakti që disa hallka në administratën shtetërore, të cilat në “përshkrimin e vendit të punës” kanë detyrën e dhënies së rekomandimeve për marrëdhëniet me vendet e tjera, gjithashtu janë përpjekur t’i veshin mantel zyrtar tezës së mësipërme. Çfarë do të thotë të rinegociosh marrëveshjen e vdekur të detit, të hedhur poshtë si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me vendimin e saj historik të 15 prillit 2010? Rinegocimi i marrëveshjes së vdekur të detit do të thotë të përpiqesh të ringjallësh, në një formë apo tjetër, të njëjtën marrëveshje të zhvleftësuar dhe efektet e saj të dëmshme.

Do të thotë të bësh objekt tratativash të reja diplomatike të njëjtën marrëveshje, që ligjëronte humbjen e 350 kilometrave katrorë hapë- sirë detare territoriale shqiptare dhe dhënien e saj Greqisë. Do të thotë të bësh përsëri tratativa diplomatike me të njëjtin objekt të paligjshëm, që kishte qysh në titull marrëveshja e vitit 2009. Do të thotë të pranosh dhe të ribësh pazare me të huajt për kufijtë shtetërorë të Shqipërisë. Do të thotë të hedhësh në tratativa ato 140 koordinata të marrëveshjes së vdekur, që goditnin integritetin territorial në ujërat e brendshme dhe në detin territorial të Shqipërisë.

Do të thotë, në fund të fundit, të ripranosh dhe të ringjallësh marrëveshjen e vjetër të pavlefshme, me kënaqësinë infantile, që përpiqen të përhapin sirenat e lobit grek në Shqipëri, se tani Greqia mund të tregohet gjeneroze dhe të na rikthejë disa kilometra katrorë nga hapësira e madhe që i dhuroi asaj qeveria e vitit 2009. Shfaqja e tezës së rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit nuk është e rastësishme. Në radhë të parë duhet thënë se ajo është një tezë greke, pjesë e strategjisë së diplomacisë së Athinës për t’i imponuar Shqipërisë cedimin e ujërave territoriale shqiptare.

Plani diplomatik grek për këtë temë përbëhet nga dy faza. Faza e parë është ajo e imponimit nëpërmjet presionit diplomatik dhe fizik grek të zbatimit të marrëveshjes së vdekur, pa marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Në këtë fazë përfshihen edhe përpjekjet arrogante për të zbatuar në mënyrë të njëanshme arbitrare marrëveshjen e vdekur dhe për të dërguar misione eksplorimi për hidrokarbure në detin Jon në blloqet detare që i përkasin Shqipërisë.

Në funksion të këtij presioni grek janë edhe idiotët e dobishëm të Greqisë në Tiranë, sipas të cilëve, për hir të “marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” të Shqipërisë me Greqinë, ia vlen të sakrifikohen territoret dhe integriteti territorial i vendit. Faza e dytë është ajo e rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit, të cilën Greqia dhe klakerët e saj në Tiranë duan ta shesin si lëshim dhe të pranojë të ulet në bisedime të reja diplomatike, për të diskutuar të njëjtën marrëveshje dëmtuese, të njëjtin objekt të paligjshëm marrëveshjeje, të njëjtat koordinata gllabëruese të marrëveshjes së vjetër etj..

Lobimi i tezës së rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit ka në Shqipëri grupin e vet të interesit. Në këtë grup përfshihet së pari lobimi politik nga qeveria e mëparshme e vitit 2009, e cila është aktori dhe fajtori i nënshkrimit të marrëveshjes së vjetër të aneksimit të detit shqiptar. Duke zhurmuar për rinegocimin e marrëveshjes, politikanët dhe ish-ministrat e lidhur me atë akt antikushtetues, tentojnë t’i bëjnë retushin dhe apologjinë një krimi shtetëror.

Me një gur ata tentojnë të vrasin dy zogj; edhe realizojnë angazhimet dhe detyrimet, që kanë marrë në skenë dhe në prapaskenë ndaj Athinës, kur firmosën marrëveshjen e detit, dhe nga ana tjetër, synojnë “të bëjnë pis” dhe të përziejnë në skenën e krimit kombëtar qeverinë e Partisë Socialiste të pas vitit 2013, e cila në fondin e saj ka regjistruar një kredit historik me padinë në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes së detit, të firmosur nga qeveria e vitit 2009.

Një grup tjetër interesi janë hijet e ekipit diplomatik dhe ushtarak, që u angazhua në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e cedimit të integritetit territorial të Shqipërisë në bisedimet me palën greke në vitet 2008-2009. Të lënë në paqe nga shteti, nga qeveria dhe nga prokuroria, hienat e detit shqiptar janë rizgjuar dhe për fat të keq, siç ndodh në shtetet që ende nuk janë bërë shtete, ata janë në poste kyçe të diplomacisë dhe të administratës shtetërore.

Një rinegocim i marrëveshjes së vdekur do të hiqte nga supet e tyre çdo lloj apo formë akuze për aktin e rëndë të papërgjegjësisë profesionale, juridike dhe morale, që ata realizuan kundër interesave të vendit të tyre në vitin 2009. Grupi i tretë i interesit për rinegocimin e marrëveshjes janë njësitet e lobit grek në politikën shqiptare, në të dy krahët, tek e majta dhe tek e djathta, të cilët janë të lidhur nga interesa financiare dhe jofinanciare me institucionet e ndryshme greke dhe përpiqen të realizojnë një detyrë të vjetër të bërjes fakt të kryer të rrudhjes territoriale të Shqipërisë dhe të ekspansionit territorial të Greqisë.

Ajo që bie në sy është fakti se të tre grupet e mësipërme janë në sinkron në objektivin për të krijuar një lloj alarmi publik dhe politik brenda në Shqipëri për “kataklizmën” që mund të ndodhë nëse zemërohen drejtuesit e shtetit fqinj. Sipas lobistëve grekë në Tiranë, për të shmangur “kataklizmën”, Shqipëria duhet të japë edhe detin, edhe Vjosën, edhe tokën, edhe nëntokën, edhe qiellin, me përjashtim të pronave private të pjesëtarëve të tri grupeve të mësipërme. Por çdo përpjekje për rinegocimin e marrëveshjes së detit ka bllokadën e pakapërcyeshme juridike dhe kushtetuese, të vulosur nga vendimi historik i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese e ka zhvleftësuar dhe e ka bërë nul atë marrëveshje, kështu që asnjë institucion zyrtar i Shqipërisë, tani dhe në të ardhmen, nuk mundet të bëjë objekt bisedimesh atë marrëveshje të vdekur. Çdo përpjekje për të rinegociuar marrëveshjen e detit përbën një faj penal. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shpallur në verdiktin e saj si antikushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes dhe në radhë të parë objektin e saj. Asnjë institucion zyrtar në Shqipëri, tani dhe në të ardhmen, nuk mund të guxojë të ulet në tavolinën e bisedimeve me të njëjtin objekt të marrëveshjes së vjetër të zhvleftësuar, e cila kërkonte të legalizonte ratifikimin e kufijve shtetërorë të Shqipërisë, të caktuar dhe të sanksionuar në dokumente dhe akte formalo-juridike ndërkombëtare.

Asnjë institucion dhe qeveri shqiptare, asnjë zyrtar shqiptar, tani dhe në të ardhmen, nuk mund të guxojë të ndërmarrë ndonjë hap për tratativa me të huajt për kufijtë shtetërorë të ujërave të brendshëm dhe të detit territorial të Shqipërisë. Duke zbërthyer karakterin antiligjor të marrëveshjes së detit, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin e saj historik të 15 prillit 2010 thekson: “Marrëveshja në fjalë nuk ndan Shelf Kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në titull, por kryesisht Ujërat e Brendshme dhe Detin Territorial. Mbi këto ujëra, në hapësirën ajrore mbi to dhe në shtratin e detit dhe nëntokën poshtë këtyre ujërave, shteti shqiptar ushtron sovranitet të plotë territorial. Ato janë pjesë integrale e territorit të shtetit shqiptar”….

….Shqipëria nuk ka asnjë arsye as të ngutet e as të krijojë alarme false. Shteti mbron interesat dhe integritetin e tij dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi në 27 maj 2015 se “Ne nuk kemi ndër mend ta negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë”. Intriga e rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit synon pikërisht negocimin e interesit kombëtar. Shqipëria mund të hapë bisedime me Greqinë vetëm për objektin fillestar, për të cilin Athina zyrtare ka kërkuar bisedime në vitin 2007. Greqia ka kërkuar zyrtarisht bisedime vetëm për shelfin kontinental. Qeveria e asaj kohe i është përgjigjur kërkesës greke me vendimin për të filluar bisedimet për shelfin kontinental.

Nëse qeveria dhe diplomacia shqiptare e vitit 2009, për arsye që i dinë vetëm ata, bënë devijimin e madh dhe hynë në rrugën e rrezikshme të cedimit të sovranitetit dhe të integritetit territorial, kjo nuk është faturë që paguhet nga interesi kombëtar dhe nga pavarësia e Shqipërisë. Bisedimet për shelfin mund të jenë objekt dhe këtë start, sipas interpretimit dhe praktikës diplomatike, duhet ta kërkojë përsëri pala greke. Recetat e tjera, po të përdorim një metaforë të stërkonsumuar, që e kanë qejf fshatarët e politikës shqiptare, “shpien ujë në mullirin e Greqisë”./Panorama

Kufiri detar, diplomati Shaban Murati: Greqia firmosi në vitin 1925 Read More »

”Qenke qeth sot”, nis me batuta mbledhja e komisionit hetimor për çështjen ‘Tahiri’

Komisioni hetimor parlamentar për ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri është mbledhur gjatë ditës së sotme, ndërsa është shoqëruar me debate dhe batuta që në nisje të tij. Debati nisi për shkak të rendit të ditës, ku përfaqësuesja e PS, Ermonela Felaj kërkoi kalimin e disa pikave të diskutuara në mbledhjen e kaluar ku opozita nuk mori pjesë.

Por kreu i Komisionit, Edi Paloka tha se mbledhja e kaluar ishte nul dhe mazhoranca ka uzurpuar postin e tij. Sipas Palokës komisioni u mblodh për të bërë zhurmë, pasi atë ditë zhvillohej gjyqi për ‘kuksianët’ dhe mazhoranca kërkonte të bënte zhurmë.

Debatet:

Paloka: Ju atë ditë keni uzurpuar postin tim dhe nuk keni pasur të drejtë që të mblidhni komisionin. Ju e bëtë që te bënit zhurmë, pasi atë dite ishte gjyqi për kuksianët. E ashtuquajtura mbledhje ishte në shkelje të ligjit dhe është nul. Sot është mbledhja e tretë dhe jo e katërt.

Flamur Noka i drejtohet Bashkim Finos: Bashkim qenke qeth mirë sot.

Felaj: Duhet të vazhdojmë në atë pikë që e kemi lënë dhe jo kur të doni ju. Ne jemi paraqitur në ketë mbledhje dhe ju nuk ishit paraqitur. Unë nuk kam marrë kompetencën tuaj. Ju na akuzoni se ne vonojmë komisionin, por ne kemi qenë korrekt dhe kemi ardhur në çdo mbledhje.

Noka: Pa marrë autorizimin tim ju nuk duhet të ishit mbledhur dhe të shqyrtonit çështjen. Keni uzurpuar postim tim.

”Qenke qeth sot”, nis me batuta mbledhja e komisionit hetimor për çështjen ‘Tahiri’ Read More »