Aurora

Ministria e Shëndetësisë: 10 raste të reja, shkon në 842 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se në 24 orët e fundit janë identifikuar 10 raste te reja me COVID-19, duke e çuar në 842 numrin e të prekurve në vendin tonë.

Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 275 testime për persona të dyshuar me COVID-19 dhe prej tyre kanë rezultuar pozitivë 10 qytetarë, kontakte të rasteve të mëparshme. Rastet pozitive të ditës së sotme janë të shpërndara si vijon: 2 të infektuar në Kamëz, 3 të infektuar në Krujë, 2 të infektuar në Shkodër dhe 3 të infektuar në Tiranë”.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 842 qytetarë, ndërsa 605 prej tyre tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 206 persona aktivë me COVID-19. Pjesa më e madhe e të prekurve po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 38 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.

Të shëruar 605 qytetarë, 206 janë raste aktive ndërsa zonat më të prekura janë Tirana, Kruja, Shkodra dhe Kamza.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë.

Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID-19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus.
Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (7 Maj 2020)

Teste të kryera 9806
Raste pozitive 842
Raste të shëruara 605
Raste Aktive 206
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 96
Krujë 69
Shkodër 16
Kamëz 8
Kurbin 4
Elbasan 3
Fier 3
Mirditë 2
Berat 2
Durrës 1
Korçë 1
Lezhë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 10 raste të reja, shkon në 842 numri i të prekurve Read More »

Kalo: Shqipëria në parametra optimal, të vijojmë respektimin e rregullave me hapjen graduale

Mjeku infeksionist, Tritan Kalo në takimin virtual të Komitetit Teknik të Shëndetësisë së ngritur me qëllim në situatës së krijuar nga COVID, u shpreh se vendi ynë ndodhet në parametra optimalë të evolucionit të sëmundjes, situatë kjo që mund të ruhet nëse vijojnë të respektohen rregullat.

“Në opinionin tim si mjek infeksionist por edhe si pjesë përbërëse e Komitetit, fatmirësisht jemi në një stad kur falë përkujdesjes që është bërë dhe duke respektuar maksimalisht 7 elementë , si sjellja në mjedisin, familjar, sjellja në mjedisin publik, distancimin fizik, përdorimin e maskave në fashat orare të lejueshme, higjiena individuale, kolektive, ajrimi, ushqimi, aktiviteti fizik ka bërë që të jemi sot në parametra optimale të evolucionit të sëmundjes”, tha ai.

Me hapjen graduale, sipas Kalos, duhet vijuar me respektimin e masave përsa kohë që do të na duhet të bashkëjetojmë me virusin.

“Ç’ka është tejet e rëndësishme, me hapjen graduale që do të vijojë përsëri, ajo që mua më brengos mua si specialist është që të mos heqim dorë nga këto premisa të mirë të sjelljes ndaj vetes dhe mjedisit që punojmë dhe jetojmë por ti respektojmë ato në vijimësi duke bindur vetveten që tashmë do të jetojmë me një kohë ku rreth nesh do të ketë COVID sikundër ka edhe infeksione të tjera respiratore që janë me dhjetëra. Tashmë egzistojnë dhe do të shtohen më shumë me hapjen e stinës së vjeshtës dhe nëse do të bindemi dhe vijojmë në këtë rrugë, do të jemi në situatë optimale.

Sipas Kalos, “përmes kësaj rruge mund të mundësohet që Shqipëria të mbetet në nivelin e vendeve që menaxhojnë si duhet një epidemi të kësaj natyre. Shtimi i rasteve do të mundet të ndodhë vetëm nëse nuk respektojmë ato që përmenda më lart. Nuk do të ketë rikthim të COVID në vjeshtë pra të valës së Covidit në vjeshtë por do të ketë thjesht që COVIDI do të jetë i përzierë me infeksione të tjera respiratore të stinës, që në mjedisin tonë qarkullojnë mbi 75 deri në 150 infeksione. Me përzierjen e këtyre infeksioneve do të kemi edhe COVID. Por individët të cilët kanë mundur të respektojnë siç duhet masat e marra dhe duke jetuar tashmë në kushte pas shfaqjes së COVID, do të mbajmë situatën që kemi dhe të mos tejkalojmë kapacitetet që kemi, të mirëmenaxhojmë situatën dhe të mbetemi në situatë optimale deri më tani. Përsa kohë që nuk kemi preparate specifik dhe vaksinë, do të jetë vetë infeksioni gradual, ajo që duhet imunizimi masiv aktiv i popullatës që do të realizohet në një moment të caktuar, shkëputjen e zinxhirit të infektimit. Them se jemi në momente oportune të dobishme që duhen ruajtur dhe nuk duhen shkelur”. z.tosku

Mjeku Kalo hodhi poshtë idenë për qarkullimin më herët të virusit COVID- 19 në Shqipëri, duke shtuar se duhet të plotësohen disa faktorë.

“Për fillimin e epidemisë në vendin tonë duhet të plotësohen disa faktorë. Së pari është faktori epidemiologjik, pra kur ke izoluar rastet e para. Së dyti është faktori serologjik, nëse një përqindje e caktuar e popullatës e kapërcen pragun e 15-20% që janë infektuar më parë që prof. Andi na e shprehu që nuk është arritur në ato vlera. Së treti duhet kombinuar me klinikën e të sëmurëve të cilët janë paraqitur në shërbimin infektiv, ose shërbimin ambulator apo shërbimet e tjera spitalore që përkojnë për nga klinika me SarsCov 2. Tjetër element është shtimi i vdekjeve nga infeksionet respiratore në këto kohë dhe nuk më rezulton i tillë në raport me periudhën pas deklarimit të rastit të parë. Duhen kombinuar disa element së bashku dhe një analizë mes specialistëve për t’i shtrirë këto kufijtë kohorë para datës së përcaktuar si fillimi pandemisë Sars Cov 2 në Shqipëri”, tha Kalo./atsh

Kalo: Shqipëria në parametra optimal, të vijojmë respektimin e rregullave me hapjen graduale Read More »

Testi i shpejtë i pështymës zbulon koronavirusin në disa minuta

Testi i shpejtë i pështymës (Trs) është në gjendje të zbulojë koronavirusin në disa minuta dhe së shpejti do të tregtohet me një kit të vërtetë, njoftoi Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Shtatë Liqeneve, në bashkëpunim me Universitetin e Insubria në Varese.

Mjeti i ri që mund të diagnostikojë pozitivitetin Covid-19 përmes pështymës, “duke marrë 3 deri në 6 minuta”, funksionon në mënyrë të ngjashme me një test shtatzënie.

Pështyma mblidhet në një tampon letre dhe trajtohet me një reagent të veçantë: nëse shfaqet një vijë është negative, nëse dy personi është pozitiv.

Sipas studiuesve testi do të jetë në gjendje të diagnostikojë pozitivitetin edhe tek subjektet asimptomatikë, një veçanti e rëndësishme në dritën e rihapjes progresive të shteteve./atsh

Testi i shpejtë i pështymës zbulon koronavirusin në disa minuta Read More »

“BE gati të hapë negociatat me Shqipërinë”/ Varhelyi: “Korsitë e gjelbra” për lëvizjen e lirë të mallrave në rajon, sinjal pozitiv shumë premtues

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi deklaron se “në samitin virtual të BE me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do duhet të dërgohet një sinjal i qartë: BE kërkon të investojë në mënyrë strategjike me gjithë krizën e Coronës”.

Në një intervistë për DW, Varhelyi tha se “samiti trajton të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ju e dini, që Ballkani është një rajon me diversitet. Kemi dy shtete, me të cilat ne negociojmë për anëtarësimin. Po ashtu kemi dy shtete, me të cilat kemi vendosur të fillojmë negociatat. Kemi edhe dy shtete të tjera, që as nuk janë kandidatë. Zgjerimi pra është vetëm një element. Natyrisht që do të jetë temë. Bëhet fjalë për perspektivën europiane, që është një fjalë tjetër për zgjerimin. Por edhe për vendime strategjike, që duhet të marrim për Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Varhelyi tha se, “BE është gati. Në mars pati një përkushtim të qartë, kur të gjithë miratuan fillimin e negociatave. Jam shumë optimist, se do ta bëjmë këtë. Mendoj, se këto gjëra janë pjesë e kulturës europiane të negociimit, që herë pas here ka si hapa mbrapa edhe progres. Por në fund vlen rezultati. Nëse i shikoni arritjet e këtij Komisioni Europian, atëherë do të dalloni, që ne e kemi vënë Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin sërish në axhendën e ditës. Krerët në BE do të merren me këtë, madje në mesin e krizës së Coronës. Mendoj, se ky është një konfirmim i qartë nga ana e BE”.

I pyetur nëse ka një datë konkrete për fillimin e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, Komisioneri për Zgjerimin tha se, “më kuptoni, me krizën e Coronës në rend të ditës është shumë e vështirë që t‘ju japim tani një datë. Por mund t’ju siguroj, se ne nga ana jonë punojmë fort, shumë fort që të përgatisim raportin vjetor të zgjerimit. Aty ne do të bëjmë një propozim për kuadër konkret të negociatave. Ky është hapi i parë drejt negociatave të vërteta. Komisioni Europian nuk humbet kohë, për të çuar përpara sa më shpejt të jetë e mundur procesin”.

I pyetur sesi po e ndryshon pandemia e Coronës strategjinë dhe politikën në drejtim të Ballkanit, Varhelyi tha se, “besoj, se pandemia e ka përforcuar angazhimin tonë për Ballkanin Perëndimor. Nëse shikoni, se çfarë po bëjmë aty, e kuptoni që kemi nisur ndihmë konkrete në të gjashtë shtetet. Kemi kërkuar që nga dita e parë kontakt për të ndihmuar në këtë krizë. Elementi i dytë i rëndësishëm është natyrisht nevoja që të investojmë në rajon në mënyrë strategjike. Kjo vlen si për politikën edhe për ekonominë. Nga ana ekonomike ne mundemi e duhet të bëjmë më shumë. Shpresoj, që në këtë drejtim nga samiti mundësisht të vijnë mesazhe të qarta të krerëve të shteteve e qeverive”.

I pyetur se kur do të marrë një zgjidhje konflikti mes Kosovës dhe Serbisë për kufijtë dhe shtetin, Varhelyi tha se, “besoj, se do të kemi një mundësi pas zgjedhjeve në Serbi. Shpresoj që pastaj të fillojmë shumë shpejt të punojmë për një zgjidhje. Kam parë sinjale shumë pozitive në lidhje me virusin Corona. “Korsitë e gjelbra” që u ngritën në të gjithë unionin për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kamionëve të transportit janë ngritur po ashtu edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky është një sinjal pozitiv shumë premtues, kur të bëhet fjalë që të zgjidhim edhe problemet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë”.

I pyetur nëse është SHBA konkurrencë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Varhelyi tha se, “shikoni këtu nuk bëhet fjalë për një garë. Ky problem është shumë më i rëndësishëm, se pyetja, se kush do të marrë kurorën e dafinave në fund me suksesin e negociimit. E rëndësishme është që të kemi një zgjidhje. Ne jemi partnerët strategjikë të SHBA në këtë rajon dhe duhet të punojmë së bashku. Për sa i përket kontributit tim, jam më se i gatshëm që të luaj një rol këtu. Do të angazhohem sa më shumë të jetë e mundur”.

I pyetur se çfarë perspektive shikon për Bosnje-Hercegovinën sa i përket zgjerimit, Varhelyi tha se, “qeveria e re ka marrë vendime serioze, që me ardhjen e saj. Para disa ditësh qeveria ia ka dalë, të bjerë në ujdi për 14 detyra prioritare, që duhet të përmbushen, para se Bosnja të jetë një vend kandidat. Ne kishim ofruar një listë me 14 kërkesa, që duhen plotësuar në rrugën e anëtarësimit, kemi miratuar edhe një plan kohor. Kjo më jep shpresë, që po ecet përpara dhe se me qeverinë ne Bosnje-Hercegovinë shpejt do të futem në bisedime”.

I pyetur nëse do të përsëritet Samiti i Zagrebit në një takim të vërtetë, Varhelyi tha se, “e rëndësishme tani është që krerët e shteteve dhe qeverive kanë vendosur të mbajnë takimin, me gjithë situatën, edhe pse është një takim virtual. Ky është një sinjal për të gjithë, jo vetëm për rajonin, që ne e kemi vërtet seriozisht, kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor. Ne e shohim atë si një prioritet europian. Natyrisht, do të ishte shumë e rëndësishme të ulemi në një tavolinë, nëse flasim për planin për investime ekonomike pas krizës. Shpresoj që këtë ta bëjmë së shpejti”./atsh

“BE gati të hapë negociatat me Shqipërinë”/ Varhelyi: “Korsitë e gjelbra” për lëvizjen e lirë të mallrave në rajon, sinjal pozitiv shumë premtues Read More »

5 Maj/Ruçi: Dëshmorët, legjionarët e lirisë dhe progresit shoqëror

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi me rastin 5 Majit, i ka konsideruar Dëshmorët e Atdheut, legjionarët e lirisë dhe progresit shoqëror.

Në mesazhin e tij, Ruçi shprehet se Dita e Dëshmorëve të Atdheut është ndër ditët më të shënuara të kombit, vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat, që janë flijuar për lirinë .

“Është dita kur Shqipëria përkujton vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat, që janë flijuar për lirinë dhe mbrojtjen e saj. Çdo komb krenohet me të rënët për lirinë. Nuk ka virtyt më të lartë për një shoqëri se sa nderimi për dëshmorët. Dëshmorët nuk janë thjesht krenaria e të kaluarës, ata janë mesagjerët e të ardhmes. Qëndrimi ndaj dëshmorëve është shenjë e emancipimit dhe qytetërimit të shoqërisë. Çdo kohë ka pasur luftëtarët, vetëmohuesit dhe dëshmorët e saj. Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare është kujtesë e luftërave çlirimtare të popullit shqiptar dhe dëshmorët e saj janë legjionarët e legjonarëve të lirisë dhe progresit shoqëror. Jeta e tyre është shkrirë në jetën e Shqipërisë. Heroizmi i tyre e fisnikëroi më tepër Shqipërinë. Sot buqeta me lule të freskëta në Monumentin “Nënë Shqipëri” është përbetimi se Shqipëria meriton gjithçka dhe është mbi gjithçka”, shprehet ai.

Po ashtu, Ruçi tha se vite më parë e kujtonim këtë ditë me me nënat e tyre, sot me nipat dhe stërnipat.

“Vite më parë, i përkujtonim dëshmorët bashkë me nënat e tyre. Sot kemi midis nesh mbesat, nipat e stërnipat e tyre. Kjo është dialektika e jetës. Familjet shqiptare do të ruajnë përjetësisht kujtimin dhe nderimin për të rënët për atdheun dhe lirinë. Unë jam krenar që kontribuova që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësojë ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, familjet dhe organizatat e tyre”, tha ai.

“Sot shërbimi për atdheun kërkon mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe ne i jemi kushtuar me gjithçka”, shprehet kryeparlamentari Ruçi, në mesazhin e tij me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut. /atsh

5 Maj/Ruçi: Dëshmorët, legjionarët e lirisë dhe progresit shoqëror Read More »

Përmbajtja e testit të Maturës, Vrapi: Janë të hequra temat e realizuara nga marsi e në vijim

Çdo test i Maturës Shtetërore bazohet në një program orientues, i cili publikohet nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar.

Kështu u shpreh drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi mbi përmbajtjen e testit të Maturës Shtetërore.

Nëpërmjet një videomesazhi drejtuar maturantëve, ajo thekson se “çdo test i Maturës Shtetërore bazohet në një program orientues, i cili publikohet nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP)”.

Në këtë kuadër, Vrapi nënvizon se “kjo agjenci, para disa ditësh, bëri publikimin e testeve të rishikuara ku janë hequr temat, të cilat janë bërë nga marsi e në vijim, pra në kushtet e të mësuarit online”.

Ndër të tjera, drejtoresha e QSHA shprehet gjithashtu se “kujdesi i çdo specialisti hartues testi në QSHA është që të bazohet në programin e rishikuar. Prandaj, gjithçka që po bëjnë maturantët në këtë fazë është që të përsërisin pikërisht temat, të cilat janë publikuar në programet e rishikuara”.

Linku për programet e reja orientuese për testet e Maturës Shtetërore: https://arsimi.gov.al/programet-orientuese-2019-2020-te-rishikuara-covid-19/atsh

Përmbajtja e testit të Maturës, Vrapi: Janë të hequra temat e realizuara nga marsi e në vijim Read More »

67% e të prekurve nga COVID-19 janë shëruar, në total janë 233 të infektuar aktivë

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 795 qytetarë, por në këto momente pothuajse 67% e tyre rezultojnë të shëruar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se gjatë 24 orëve të fundit një tjetër zonë e Shqipërisë rezulton me risk të ulët për transmetim të infeksionit, që është Fieri dhe numri total i të shëruarve shkon në 531.

Sa i përket personave që aktualisht janë aktivë me COVID-19, Kruja është në vend të parë me 91 raste, e ndjekur nga Tirana, Kurbini, Shkodra dhe në total janë 233 persona aktivë me COVID19.

Pjesa më e madhe e rasteve aktive po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.

“Ky është një tregues i rëndësishëm që evidenton faktin që masat e marra kanë bërë të mundur që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të përballojë me sukses rastet të cilat kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitale”, -bën të ditur ministria e Shëndetetësisë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive, është si vijon:
Krujë91
Tiranë90
Kurbin20
Shkodër17
Kukës5
Elbasan2
Mirditë2
Berat2
Korçë1
Lezhë1
Lushnje1
Mat1/atsh

67% e të prekurve nga COVID-19 janë shëruar, në total janë 233 të infektuar aktivë Read More »

Meta: Liria e medies është tregues për gjendjen e Demokracisë

“Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen sot lirinë e medies në Shqipëri të përkeqësuar në krahasim me disa vite më parë, sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve”, tha sot Presidenti Ilir Meta.

Meta shprehet se “ndarja preferenciale e reklamave publike, financimet jotransparente të bizneseve private, kufizimet dhe presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, janë bërë shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë”.

“Pasojat e paralajmëruara të paketës antikushtetuese të ligjeve “anti-shpifje”, si dhe krizat e njëpasnjëshme të tërmetit dhe COVID-19, po e thellojnë regresin, duke i detyruar botuesit aktualë të bëjnë përpjekje të sforcuara për të mbajtur ende në treg median në print, që po rrezikohet seriozisht. Gazetarët vetë raportojnë se kushtet e tyre të punës, informaliteti, çensura dhe autoçensuara janë në nivele të papranueshme”, tha ai.

Po ashtu, Meta shton se “liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë dhe kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut. Veçanërisht mbrojtja e lirisë së shprehjes në kohë pandemie, siç thekson edhe Këshilli i Europës, ka një rëndësi jetike. Duke ndarë të njëjtat shqetësime me organizatat botërore të gazetarëve dhe duke shprehur solidaritetin tim me të gjithë komunitetin e medies në vendin tonë, që duhet ndihmuar seriozisht në këto momente të vështira që po kalojmë, nxis dhe inkurajoj gazetarinë e lirë e të pavarur që pyet, kërkon përgjigje, investigon dhe flet në emër të opinionit publik, që mbron dhe është zëdhënëse vetëm e interesave të ti”.

“Për Shqipërinë, aspirante për anëtare në Bashkimin Europian, regresi në raport me lirinë dhe pavarësinë e medies është i papranueshëm”, tha ai. /atsh

Meta: Liria e medies është tregues për gjendjen e Demokracisë Read More »