Aurora

Parashikimi i motit, 10 maj 2020

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet i kthjellët me vranësira të pakta dhe kalimtare.

Prej orëve të mesditës deri ato të pasdites mot me vranësira mesatare deri të dendura shoqëruar me reshje shiu të dobta në zonën e veriut dhe atë të qendrës.

Në relievet malore të zonës së veriut reshjet lokalisht në formën e shtrëngatës afatshkurtër. Era do të fryjë nga kuadrati i jugut e lehtë e mesatare në bregdet dhe shpejtësi deri në 15m/s. Valëzimi në dete parashikohet 2 deri 3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 10/25 diell shi
Kukës 9/24 diell shi
Lezhë 9/26 diell shi
Dibër 9/24 diell shi
Durrës 12/24 diell shi
Tiranë 12/27 diell shi
Elbasan 12/29 diell shi
Berat 9/29 diell re
Vlorë 10/25 diell re
Korcë 7/24 diell re
Gjirokastër 7/27 diell re
Sarandë 11/24 diell re/atsh

Parashikimi i motit, 10 maj 2020 Read More »

Balla: Nga Vlora janë dhënë gjithmonë mesazhe të rëndësishme për Europën

Dita e Europës është festuar në mënyrë të veçantë këtë vit në qytetin e Vlorës, ku djemtë e aeronautikës shqiptare kanë fluturuar mbi qytetin e Vlorës më flamurin kuqezi.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i grupit parlamentar te Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili në fjalën e tij deklaroi se nga Vlora janë dhënë gjithmonë mesazhe të rëndësishme për Europën.

“Falenderoj djemtë e aeronautikës shqiptare, për organizimin e këtij eventi kaq domethënës, se si aspiratën më të rëndësishme historike të shqiptarëve, integrimin në Bashkimin Europian e mban nën krahët e vet shqiponja dykrenare. Kjo ishte simbolika e këtij aktiviteti të organizuar nga djemtë, duke fluturuar sot mbi Vlorë dhe duke qenë se u ndodha këtu pranova me kënaqësi ftesën dhe nga Vlora do të doja t’i uroja së pari, familjes së madhe europiane ‘Gëzuar Ditëlindjen’, 9 Maji është dita e Europës, ku çdo vend anëtar dhe institucion i BE-së feston këtë ditë. Nga Vlora do të doja të shprehja urimet më të mira dhe nuk besoj se ka një vend tjetër në Shqipëri se ku shqiptarët mund t’i drejtohen më mirë sesa në Vlorë Europës, sepse nga Vlora i janë drejtuar gjithmonë shqiptarët Europës me mesazhe shumë të rëndësishme, sikurse ishte deklarata jonë e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, por edhe në momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë”, deklaroi Balla.

Balla u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të vijnë t’i kalojnë pushimet në Vlorë.

“Si një mik i Vlorës, dua t’i bëj thirrje çdo shqiptari dhe çdo miku të huaj, që në kushtet e pandemisë botërore nga COVID-19 të planifikojë pushimet në një vend të bukur si Vlora. Këtu ku zemra rreh më fort për patriotizmin, kush e ndjen veten patriot, të vijë të bëjë pushimet në Vlorë”, u shpreh Balla.

Duke folur për mbështetjen e operatorëve turistikë nga qeveria, Balla tha se grupi parlamentar i Partisë Socialiste i ka mbështetur të gjitha nismat dhe paketa mbështetëse që ka ndërmarrë qeveria.

“Ne si grup parlamentar i kemi mbështetur të gjitha nismat dhe paketat mbështetëse që ka ndërmarrë qeveria. Dy paketat e para të qeverisë janë fokusuar tek ata që janë prekur drejtpërsëdrejti dhe që janë shtresat në nevojë, ku paga e luftës ishte e domosdoshme për çdo familje. Edhe ndaj biznesit, ju e dini që është miratuar në paketën e dytë garancia për të mbështetur me kredi, ku shteti merr përsipër pagesën e interesit dhe që të pakta janë vendet që e kanë ndërmarrë një nismë të tillë. Gjithçka do të merret në masën dhe kohën e duhur. Ajo që është më e rëndësishme është që jemi në kushtet që Vlora është ‘zonë e gjelbër’ dhe këto pushime nuk do të jenë siç kanë qenë çdo vit me grumbullime të mëdha. Duhet të vazhdojmë të ruajmë masat shtrënguese të distancimit social, sepse ata janë të domosdoshme”, tha Balla. /atsh

Balla: Nga Vlora janë dhënë gjithmonë mesazhe të rëndësishme për Europën Read More »

Meta: Teatri Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare

Presidenti të Republikës Ilir Meta reagoi sot për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Në një deklaratë për mediat, Meta shprehet se, ka ndjekur me vëmendje dhe me shumë shqetësim veprimtarinë më të fundit të organeve shtetërore në lidhje me vullnetin për prishjen e objekteve të “Teatrit Kombëtar”.

Presidenti Meta, thekson edhe një herë se “kompleksi i Teatrit Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare, vlera këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë dhe të drejtëpërdrejtë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.

“Këshilli i Ministrave ditën e djeshme në datë 8 maj, ka vendosur që këtë pasuri kombëtare t’ia kalojë në pronësi Bashkisë Tiranë, me qëllim ndërtimin e një godinë të re të Teatrit Kombëtar. Kjo vendimarrje në praktikë do të thotë se aktualisht po përdoret një procedurë tjetër “ekstra ligjore” tashmë në përgjegjësinë vetëm të Bashkisë Tiranë, për të prishur godinat e Teatrit Kombëtar.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave dhe vullneti i shprehur i Bashkisë Tiranë, nuk është në përputhje me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, si dhe nuk përkon me vlerat e Bashkimit Europian, institucionet kulturore të të cilit kanë shprehur vullnetin për mbrojtjen e këtij objekti dhe restaurimin e tij”, shton Meta.

Sipas Metës, “ky vendim i djeshëm i qeverisë me të drejtë ka krijuar një reagim të fortë qytetar, pasi veç të tjerash merret në një kohë kur vendi po i nënshtrohet gjëndjes së fatkeqësisë natyrore dhe masave kufizuese të lirisë së qarkullimit, si dhe në një moment kur pikërisht kjo çështje ndodhet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, që prej 3 vitesh nuk është funksionale”.

Presidenti Meta, thekson se në muajin korrik 2019, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë e cila do të duhet ta shqyrtojë në themel këtë çështje.

“Në këtë proces gjyqësor që duhet të shqyrtohet është palë si Këshilli i Ministrave, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës, etj, ndaj marrja e një vendimi të tillë në këtë moment, rëndon pozitën antikushtetuese të veprimtarisë shtetërore ndaj këtij objekti me rëndësi kombëtare’, nënvizon Meta.

Presidenti Meta shprehet se një prej çështjeve kryesore që pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, nuk kanë të bëjë vetëm me faktin nëse ligji special nr. 37/2018 është antikushtetues, por më kryesorja lidhet me detyrimin ligjor që çdo veprim apo vendim shtetëror që synon apo ndërmerret për prishjen e Teatrit Kombëtar, cënon drejtëpëdrejt parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre, parime këto të parashikuara nga nenet neni 3, të Kushtetutës.

“Gjithashtu një tjetër çështje që do shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese ka të bëjë me edhe faktin se veprimtaria administrative shtetërore e pushtetit qendror apo lokal që synon apo ndërmerr veprime për prishjen e Teatrit Kombëtar, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim, të mishëruara edhe në Konventën Europiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, shton Meta.

Ai i bën thirrje autoriteteve shtetërore, se çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo logjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar.

Presidenti Meta, thekson edhe një herë se për këtë çështje Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës, duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenon Teatrin Kombëtar.

“Këto institucione duhet të tregojnë vullnet dhe përkushtim për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa prekur dhe cenuar aspak trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen”, përfundon Presidenti Meta./atsh

Meta: Teatri Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare Read More »

6 bashki mbeten “zona të kuqe”/ Rama: Në fundjavë vetëm automjetet e autorizuara për punë dhe këmbësorët në 2 fasha orare

Kryeministri Edi Rama informoi sot se “nga e hëna e ardhshme do të mbeten vetëm ‘zonat e kuqe’ të përcaktuara në hartën bashkëngjitur, bashkitë Shkodër, Kurbin, Krujë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ku do të vazhdojë i njëjti regjim oraresh lëvizjeje dhe rregullash të qarkullimit si deri tani”.

Kryeministri theksoi se “këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara”.

“E gjithë pjesa tjetër e vendit do të jetë e gjelbër dhe qarkullimi ndërqytetas me automjet privat brenda gjithë kësaj pjese do të jetë i lirë, me një regjim orar që do të shtrihet deri në orën 21:00. Për këtë pjesë do të mbeten në fuqi vetëm rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore e sportive të çdo lloji, transportin publik si edhe njësitë ekonomike ende të mbyllura”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “këtë fundjavë njësoj si fundjavën e shkuar, në të gjithë vendin do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që kanë autorizim për punë dhe dalja e këmbësorëve do të bëhet me dy fasha”.

“Deri në orën 09:30 vetëm pensionistët dhe nga ora 10:30 deri në 17:30 prindërit me fëmijë deri në 14 vjeç. Nëse situata me numrat e të infektuarve dhe të të shtruarve në spital vazhdon të jetë e stabilizuar, kjo do të jetë fundjava e fundit me ndalim daljeje për vajzat e djemtë mbi 14 vjeç”, tha Rama./atsh

6 bashki mbeten “zona të kuqe”/ Rama: Në fundjavë vetëm automjetet e autorizuara për punë dhe këmbësorët në 2 fasha orare Read More »

Masat lehtësuese/ Nga 11 maji edhe 14 bashki “zona të gjelbra”, hapen klinikat dentare, parukeritë, berberët dhe qendrat tregtare

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një deklarate për mediet ka bërë me dije se nga dita e hënë, datë 11 maj, shtohen si “zona të gjelbra” bashkitë: Lushnjë, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejes, Kavajë dhe Vorë me të njëjtat rregulla.

Sipas saj, në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbra me automjet privat (duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njëjtës familje) deri në orën 21:00.

“Ndërkohë që mbeten në fuqi rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore dhe sportive të çdo lloji dhe transporti publik, si dhe njësitë ekonomike ende të mbyllura. Po kështu, nga data 11 maj lejohen të ushtrojnë veprimtari sipas protokolleve strikte të sigurisë, me të cilat bizneset janë njohur përgjatë kësaj kohe, aktivitetet si më poshtë: klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare”, – theksoi Manastirliu.

“Theksojmë se është shumë i rëndësishëm zbatimi i distancimit fizik dhe kushteve të higjienës në këto aktivitete biznesi, ku ashtu siç po realizohet në vijimësi, taskforca do të vijojë kontrollin për zbatimi e protokolleve të sigurisë. Duke filluar nga data 11 maj të gjithë të riatdhesuarit do të vetëkarantinohen në banesë”,- vijoi Manastirliu. /atsh

Masat lehtësuese/ Nga 11 maji edhe 14 bashki “zona të gjelbra”, hapen klinikat dentare, parukeritë, berberët dhe qendrat tregtare Read More »

Të gjitha veprat varen prej qëllimeve dhe çdo njeri shpërblehet sipas qëllimit të tij

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot të tjera fjalë të shenjta për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që gjithë bota po përballet me pandeminë e COVID-19.

“Të gjitha veprat varen prej qëllimeve dhe çdo njeri shpërblehet sipas nijetit (qëllimit) të tij”, citoi Rama fjalët e Profetit Muhamed përmes rubrikës “Fjalë të Shenjta”.

Kryeministri zgjodhi këto fjalë të shenjta nga Profeti Muhamed a.s, për të përcjellë mesazhin e tij, ndërkohë që vendi po lehtëson masat kufizuese kundër përhapjes së COVID-19./atsh

Të gjitha veprat varen prej qëllimeve dhe çdo njeri shpërblehet sipas qëllimit të tij Read More »

Drejtoresha e OBSH-së në Shqipëri: U morën masa rigoroze që në fazën e parë të pandemisë, trendi i deritanishëm lejon hapje graduale

“Shqipëria ndërmori masa rigoroze që në fazën e parë të pandemisë për të parandaluar përhapjen e virusit dhe mbajtur nën kontroll kurbën e infeksionit. Trendi i deritanishëm në statistikat zyrtare na lejon për optimizëm e për një hapje graduale, por me shumë kujdes, bazuar në 6 hapa të nevojshme”, u shpreh sot në një intervistë televizive Bettina Menne, e sapoemëruar si drejtoreshë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Tiranë.

Në intervistën për Top Channel, ajo sqaroi se këto hapa janë: Pasja e një evidence të qartë se përhapja e COVID-19 është e kontrolluar. Pasja e kapaciteteve të nevojshme shëndetësore në identifikim, izolim, testim dhe trajtim të të gjitha rasteve. Minimizim të rrezikut për mundësinë e prekjes nga virusi atyre më të dobëtëve në kushtet e azilit apo burgje. Masa parandaluese në vendet e punës duke zbatuar distancimin fizik, ambiente të dedikuara larje duarsh dhe pajisje ventilimi të ajrit. Kontroll për të eliminuar eksportin dhe importin nga komunitetet të virusit, si dhe nga jashtë, dhe e fundit, duhet një bashkëpunim me të gjithë komunitetin.

“Dua të theksoj se kalimi nga njëra fazë në tjetrën duhet të jetë e mirë planifikuar dhe duhet të ndërmerret vetëm atëherë kur rënia e kurbës të jetë e qëndrueshme dhe me pak rrezik për 14 ditë”, u shpreh Menne.

Sa i takon mundësisë së një vale të dytë me COVID-19 në dimër, drejtoresha e OBSH-së, Bettina Menne tha se, megjithëse është e panjohur se si pandemia do të zhvillohet më tej, OBSH parashikon tre skenare.

“Skenari parë, është përfundimi transmetimit nga njeriu tek njeriu. Skenari i dytë përsëritje e valës së epidemisë në formë të madhe ose të vogël dhe skenari i fundit, vijueshmëri në nivel të ulët të përhapjes së virusit. Bazuar në të dhënat e deritanishme skenari më i mundshëm mbase do të jetë përsëritja e valës së shpërndarjes ku niveli transmetimit do të jetë i ulët”, tha ajo. /atsh

Drejtoresha e OBSH-së në Shqipëri: U morën masa rigoroze që në fazën e parë të pandemisë, trendi i deritanishëm lejon hapje graduale Read More »