Aurora

Udhëtoi në 180 vende të botës për disa muaj. Njihuni me vajzën që bëri ‘çmendurinë’

Çdo njeri prej nesh do të dëshironte të udhëtonte në çdo vend të botës. Por e dimë të gjithë që mundësitë kohore dhe fizike nuk mjaftojnë për të bërë një gjë të tillë.

Mirëpo ndonjëher ka njerëz, që e bëjnë këtë gje dhe ne as nuk e mendojmë se mund ekzistojnë. Është pikërisht Cassie DePecol nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, e cila e ka provuar këtë gjë, duke thënë se është e mundur.

Ajo filloi udhëtimin e saj në korrik 2015 kur ishte 25 vjeç. Ajo është tani 27 vjeç dhe brenda 15 muajve ka vizituar 180 shtete dhe ka udhëtuar 254 herë me avion. Por kjo nuk është e gjitha.

Cassie ëndërron të bëhet gruaja e parë në histori që ka vizituar 196 shtetet e botës. Ajo ka qëllim të kompletojë misionin e saj për 45 ditë. Cassie thotë se gjithmonë ka dashur të vizitojë çdo shtet që ndodhet në hartë dhe të mësojë për kulturën, traditat, historinë dhe besimet e këtyre vendeve. Sigurisht, udhëtimi i saj ka kushtuar. Udhëtimi i Cassie-t nëpër botë ka kushtuar 198,000$.

Cassie i ka fituar këto para nga sponsorët të cilët e kanë paguar të bëjë reklamën e hoteleve të tyre ndërkohë që Cassie është akomoduar. Në këto momente Cassie ndodhet në Kubë. Jemi të sigurtë që ajo do ta arrijë rekordin si femra që ka udhëtuar në 196 vendet e botës.

Udhëtoi në 180 vende të botës për disa muaj. Njihuni me vajzën që bëri ‘çmendurinë’ Read More »

Shpella e shkruar e Lepenicës

Shpella e shkruar e Lepenicës

Bota ka vetem 28 vende te ketilla (që i perkasin një periudhe qe shkon deri ne 50.000 vjet me parë).

Sipas profesor Emmanuel Anati-t, drejtor i arkivit botëror të protohistorisë, këto piktograme kanë një vlerë të jashtëzakonshmedhe për të kuptuar origjinën e kulturës Europiane.
Sipas tij ekzistojne rreth 28 të tilla që i perkasin një periudhe rreth 15.000 vjet me parë në të gjithë zonën e kulturave indeoevropiane.
Sipas prof Anati-t:
Duke filluar që 50.000 vjet më parë, praktikohej përdorimi i shenjave abstrakte konvencionale dhe të ripërdorura më vonë në Mesopotami dhe Kinë më shumë se 5.000 vjet më parë…

Merita për zbulimin e Shpellës së Shkruar të Lepenicës, rreth viteve ’70, i përket Prof.Dr.Myzafer Korkuti. Po në këto vite realizohet dhe kopja që sot gjendet në Muzeun Historik Kombëtar, në sallën numer 1, ku fillon dhe Historia e Shqipërisë.
Përdorimi i piktogrameve në vend të tingullit të parë të fjalës quhet akrofoni dhe përbën hapin e parë në rrugën e krijimit të ALFABETIT ose të sistemit të shkrimit mbi parimin; “Një tingull – Një shkronjë”.
Egjyptianët përdornin akrofonet si një sistem bashkëtingëllor përkrah sistemit të tyre rrokjesor (silabik) dhe ideografik. Kështu, deri në në këtë periudhë alfabeti nuk kishte lindur ende.

Parimet akrofonike të egjiptianeve influencuan mjaft në shkrimin Protokanaitik dhe ate Protosinaitik rreth 1700 vjet para erës sonë.

30 shenja të tilla janë gjetur në minierën e Serabit-al-Khadim në Sinai dhe që përbëjnë një paraqitje të qartë të një alfabeti bashkëtingëllor në vend të një sistemi rrokjesor (silabik).
Tabelë ku paraqitete shkrimi protosinaitik:

Ky alfabet ishte paraardhës i atij Fenikas, prej te cileve e moren alfabetin edhe Greket e Latinet. Ndërkohë në Veri (Mesopotami) po kryhej një tjetër provë me alfabetin bashkëtingëllor. Gërmimet në qytetin antik Ugarit, sot Ras Shamra, nxorën në dritë tekste të punuara në shkrimin kuniform i cili ishte gjithashtu një shkrim bashkëtingëllor./Shpend Bengu

Shpella e shkruar e Lepenicës Read More »

Tumankuqja këndohet në Turqi, të gjithë njëzëri: Dil moj dil ti në dritare, vajzë çame lozonjare

Tumankuqja” këndohet e kërcehet thuajse në çdo festë familjare shqiptare apo dasmë, të gjithë ia dinë fjalët.

Vajzës çame lozonjare, këtë herë i kanë kënduar në Turqi gra e vajza shqiptare shoqëruar nga këngëtarët Hysni Allushi e Enkeleda.

Edhe pse shteti grek do ta fshi camërinë nga harta apo sikur ska ekzistuar kurrë,  po historia tregon të kundërtën përderisa ekziston një popull i tërë i shpërndarë në të gjithë botën që ruajnë zakonet dhe kulturën çame.

Dëgjoheni këtë këngë aq të bukur nga Hysni dhe Enkeleda Alushi perla të muzikës çame.

https://www.facebook.com/nsepit/videos/10156356645694931/?t=5

Tumankuqja këndohet në Turqi, të gjithë njëzëri: Dil moj dil ti në dritare, vajzë çame lozonjare Read More »

Donald Lu largohet nga Shqipëria, Shtëpia e Bardhë zbulon në cilin shtet do të dërgohet ambasador

Donald Lu do të largohet nga Shqipëria.

Në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë sqarohet të enjten se iu dërgua Senatit lista me 7 caktime dhe një tërheqje në nivel diplomatësh dhe njeriu që drejtoi misionin diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri do të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm e i Gjithëpushtetshëm i Amerikës në Republikën e Kirgiztanit, thuhet aty.

“Donald Lu, Kaliforni, Anëtar i Karrierës i Shërbimit të Lartë të Jashtëm, të emërohet Ambasadori i Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kirgistanit“, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Ambasadori që pati ndoshta ndikimin më të madh në politikën shqiptare ka meritën e nxitjes së reformës në drejtësi e falë përpjekjeve të tij, dy zyrtarë të lartë shqiptarë kanë marrë “ndalim publik” nga DASH-i, diçka që ndodhte për herë të parë.

Donald Lu largohet nga Shqipëria, Shtëpia e Bardhë zbulon në cilin shtet do të dërgohet ambasador Read More »

Kush janë dy ministret me më pak të ardhura në kabinetin “Rama”, Qato bën diferencën, bashkëshorti biznes me shitje makinash nga Gjermania

Zonjat në kabinetin qeveritar rezultojnë me më pak të ardhura krahasuar me ministrat. Kryeministri Edi Rama kur mori qeverinë vendosi që të bënte një ndarje të barabartë duke emëruar 7 femra dhe 7 meshkuj.

Në deklaratat e pasurisë të dorëzuara për vitin 2017 pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, zonjat rezultojnë me pasuri disi më të ulët se kolegët e tyre.
Ministrja e Brendshme, Olta Xhaçka është ajo që ka deklaruar pagën e saj, pagën e bashkëshortit dhe të ardhura nga qeratë.

“Paga si ministre e MMSR, 259.300 lekë; Paga si Ministre e Mbrojtjes, 437.994 lekë; Të ardhura si deputetë, 575.436 lekë Honorare nga komisionet, 20.910 lekë; Kredi 1824.07 euro; Bashkëshorti të ardhura nga qeraja e dyqanit, 1.601.320 lekë; Bashkëshorti vijon pagesën e kredisë me vlerë 2301.56 euro për blerje automjeti”, është pasuria e deklaruar nga Xhaçka. Krahasuar me vitin 2016 ajo ka një rritje. Xhaçka ka deklaruar në 2016: Të ardhura nga paga dhe dieta si deputete, 2 528 836 lekë;
Në proces marrje kredie për shlyerjen e detyrimeve sipas kontratës së blerjes së një apartament banimi 2+1 në Tiranë, për të cilën ka parapaguar 19 000 euro në vitin 2012.

Pasuria e Nikollës

Një tjetër ministre që nuk renditet mes më të pasurve është ajo e Arsimit, Lindita Nikolla. Gjatë vitit 2017 ajo ka deklaruar: Të ardhura nga paga, 1.015.567 lekë; Të ardhura nga dietat, 22.500 lekë; Të ardhura kalimtare pas largimit nga funksioni, 524.280 lekë; Bashkëshorti nga paga si dekan, 109.000 lekë; Bashkëshorti honorare anëtar Senati UPT, 215.825 lekë dhe paga e vajzës në BSH, 85.314 lekë. Nëse bëjmë një krahasim me vitin 2016 situata është në të njëjtat nivele, pasi dhe një vit më parë të ardhurat e vetme të Nikollës ishin paga e saj, e bashkëshortit dhe e vajzës.

Pasuria e Sonila Qatos

Krahasuar me Nikollën dhe Xhaçkën, Sonila Qato është një ministre me shumë të ardhura. Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes rezulton me 6 llogari bankare. Po ashtu ka të ardhura nga qeraja e një apartamenti në Tiranë. Ajo që bie në sy është se gjatë vitit 2017 bashkëshorti i saj është marrë me tregti automjetesh. Ai ka blerë makina në Gjermani dhe më pas i ka shitur në Shqipëri.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka një numër të madh të ardhurash. Përveç pagës si ministre, ajo ka deklaruar dhe të ardhura të tjera nga pozicioni i zv/ministres së Drejtësisë që mbante më parë. Po ashtu dhe shumë të ardhura si komisionere pranë Avokatit të Popullit. Ndërsa bashkëshorti i saj ka pasur të ardhura nga shitja e aksioneve në një biznes që ai ka pasur.

“Bashkëshorti të ardhura nga shitja e kuotave të shoqërisë “23 Option” shpk, 10,000 Euro. Bashkëshorti të ardhura si i punësua në “23 Option” shpk, 387.907 lekë”, thuhet në deklaratë.

Një tjetër ministre me të ardhura të larta është ajo e Kulturës, Mirela Kumbaro. Ajo që bie në sy është se krahasuar me një vit më parë, Kumbaro ka hapur llogari bankare në Francë. “Llogari në La Banque Postale Paris, shtuar me 1.857 euro; Interesa depozite në La Banque Postale Paris, +113 euro; Pakësuar depozita në La Banque Postale Paris, 9.261 euro”, thuhet në deklaratën e ministres së Kulturës. Ajo që bie në sy është se të ardhurat më të larta i ka bashkëshorti i saj, gazetari i njohur Aleksandër Furrxhi, i cili në vitin 2017 ka përfituar rreth 35 milionë lekë të vjetra nga puna si gazetar.

Parashikimet në ligj

Në ligjin për deklarimin e pasurisë janë përcaktuar dhe kategoritë e të ardhurave dhe shpenzimeve që duhen deklaruar. Sipas ligjit, çdo zyrtar deri më 31 mars duhet të deklarojë për vitin që la pas: pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to; pasuritë e luajtshme, të regjistrueshme në regjistrat publikë, dhe të drejtat reale; sendet me vlerë të veçantë mbi 300 000 lekë; vlerën e aksioneve, të letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në zotërim; vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash jashtë sistemit bankar, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, në lekë ose në valutë të huaj; detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, të shprehura në lekë ose në valutë të huaj; të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale; licencat dhe patentat që sjellin të ardhura. dhuratat dhe trajtimet preferenciale, përfshirë identitetin e personit fizik ose juridik, prej nga vijnë apo krijohen dhuratat a trajtimet preferenciale; angazhime në veprimtari private me qëllim fitimi dhe çdo shpenzim i deklarueshëm, me vlerë mbi 300 000 lekë, i kryer gjatë vitit të deklarimit/ Sot

Kush janë dy ministret me më pak të ardhura në kabinetin “Rama”, Qato bën diferencën, bashkëshorti biznes me shitje makinash nga Gjermania Read More »

‘’Dallimi i madh mes një lideri të vërtetë dhe një papagalli që s’di të pushojë’’. Karagjozi i SHQUP-it që bëri si vetja gjithë opozitën

Këtu është edhe dallimi i madh midis një lideri të vërtetë dhe një papagalli që s’di të pushojë. Martin Luter-it i mjaftoi vetëm një fjali: “I have a dream” (Unë kam një ëndërr) që të ndryshonte historinë e Amerikës. Kjo fjali ishte e barabartë sa i gjithë fjalimi që ai mbajti, për të cilin hyri edhe vetë në histori.
Shkruan Altin Ketro

Nuk është shumë etike ta etiketosh liderin e opozitës me këtë fjalë, por sjellja e tij në çdo seancë të Kuvendit, nuk na lë shteg tjetër interpretimi. Tashmë kushdo e kupton se strategjia e Partisë Demokratike në çdo seancë plenare është që t’i prishë ato. Shkojnë me paramendim në godinën ku populli opozitar i ka votuar që t’i përfaqësojë dhe e shpërdorojnë mundësinë e artë të fjalës, duke dhënë shfaqje banale të forcës.

Skenari tashmë është i njohur. Pasi opozita regjistron një duzinë emrash deputetësh për diskutim, i pari e merr fjalën lideri Basha dhe nis e flet pa pushim a thua se nuk ka rregullore që normon diskutimet. Qëllimi është i qartë; diskuto përtej limiteve, rezisto kërkesave të kryetarit Ruçi për të respektuar rregulloren, ngri deputetët pranë foltores dhe uzurpo seancën parlamentare.

Tashmë, me kushtet e teknologjisë, kanë gjetur edhe një mënyrë tjetër duke shfrytëzuar rrjetet sociale për të vijuar diskutimin live edhe pse seanca plenare është ndërprerë. Se çfarë do të thotë lideri Basha nuk ka pikë interesi, sepse mendimet e tij dihen ende pa i artikuluar me gojë. Ai mund të flasë aq orë sa i janë caktuar partisë së tij në total për të diskutuar, dhe mund të mos thotë asgjë; mund të diskutojë edhe 10 minuta, aq sa i takon me rregullore, e të thotë gjithçka.

Këtu është edhe dallimi i madh midis një lideri të vërtetë dhe një papagalli që s’di të pushojë. Martin Luter-it i mjaftoi vetëm një fjali: “I have a dream” (Unë kam një ëndërr) që të ndryshonte historinë e Amerikës. Kjo fjali ishte e barabartë sa i gjithë fjalimi që ai mbajti, për të cilin hyri edhe vetë në histori.

Por Lulzim Basha nuk arrin ta kuptojë këtë dhe vijon të kopjojë modelin berishian të diskutimeve me fjalime të gjata, plot akuza, të cilat përsëriten vazhdimisht, aq sa e lodhin edhe militantin më të vendosur për të pasur nerva për t’i dëgjuar deri në fund.

Të vetmet gjëra që ai thotë janë: droga-droga-droga, krimi-krimi-krimi, Tahiri-Tahiri-Tahiri (dje), Xhafaj-Xhafaj-Xhafaj (sot). Sado i uritur që të jesh, kur të shërbehet i njëjti ushqim çdo ditë, vjen një moment që thua: mjaft, mos ma nxirrini më këtë gjellë për nja 6 muaj se më vjen për të vjellë.

Çfarë humbte opozita nëse lideri i saj diskutonte 10 minuta dhe i linte hapësirë edhe të tjerëve nga kampi i vet të shfrytëzonin minutazhin e diskutimeve? Absolutisht asgjë. Kemi 8 muaj që refreni i opozitës bie vetëm në një vrimë dhe kurrë deri më sot nuk e kemi parë që të diskutojë me frymë kritike e konstruktive për projektligjet që qeveria çon në Kuvend. Kjo e nxjerr opozitën në sytë e opinionit publik si e paaftë që të ofrojë alternativë qeverisëse dhe e vetmja gjë që dinë të bëjnë është që të akuzojnë vazhdimisht kundërshtarin për të njëjtën temë.

Lulzim Basha kujton se më këto shfaqje teatrale që bën në Kuvend frymëzon më shumë militantë rreth partisë së vetë. Por është e padiskutueshme që një forcë politike të vijë në pushtet nuk mjaftojnë kurrsesi votat e vetëm anëtarësisë së saj. Dhe, që të fitosh mbështetje popullore, përtej asaj partiake, duhet një lider frymëzues që të jetë dinjitoz edhe kur flet në Kuvend, që vizioni dhe shpresa që ai përcjell në elektorat të shkojë përtej interesave personale. Gjithashtu, kjo gjë vlen edhe kur gjithë grupi i tij parlamentar sillet me personalitet.

Në sytë e opinionit publik grupi i PD-së ngjan si një çetë truprojash që rrethojnë kryetarin sa herë atij i ndërpritet me rregullore fjala. Jo vetëm kaq, po ata sillen hëm si kameramanë, hëm si regjisorë, hëm si teknikë transmetimi televiziv, duke dalë jashtë çdo funksioni për të cilin kanë shkuar në atë sallë.

Lulzim Bashës me gjithë grupin e deputetëve, në radhë të parë u ka humbur respekti për veten përderisa regjistrojnë emrin për diskutim dhe kërcasin e ikin nga puna për të cilën paguhen nga taksat e popullit. Taksapaguesit shqiptarë i paguajnë që të jenë gardianë gjatë miratimit të ligjeve, me qëllim që mazhoranca të mos gabojë. Por jo, ata e kanë humbur sensin e seriozitetit dhe kanë marrë tiparet e karagjozëve politikë. Xhanëm, si vetë kryetari i tyre!

‘’Dallimi i madh mes një lideri të vërtetë dhe një papagalli që s’di të pushojë’’. Karagjozi i SHQUP-it që bëri si vetja gjithë opozitën Read More »

Ish deputeti demokrat krijon poezi për Ramën: Po na e heq trurin!

Ish deputeti i Partisë Demokratike Sherefedin Shehu i ka thurur disa vargje Ramës si Kryeministër

“Rama po na heq trurin! Del e tregon përralla dhe thotë po jap llogari. Ka 5 vite që na qeveris dhe akoma na tregon se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Si nuk thotë një fjalë për ato që nuk ka bërë? Si nuk kërkon ndjesë që po na përzë nga Shqipëria? Ai po na heq bukën e gojës që të na kontrollojë më lehtë. Ai po ngre lavdinë e tij mbi vendin e rrënuar. Atij i rritet kënaqësia kur i merr frymën biznesit. Ai nuk ka mëshirë për qytetarët kokëulur. Prandaj u përpoqa që ta përshkruaj më poshtë Ramën e vërtetë”, shkruan Shehu.

Ramë O Ramë

E fillove me aksione,
I quajte reforma,
Të na hypësh lehtë,
Mbi kurrizet tona.

Ta parat ishin taksat,
Pastaj drita e llampës,
Nuk harrove ujin,
Dajakun e radhës.

Je i paparë,
Se nuk ke të ndalur,
Në rritjen e taksave,
Edhe pse të varfër.

Na takson tokën,
Na takson krevatin,
Takson dhe tavolinën,
Ku ne hamë vaktin.

Na takson arën,
Na takson traktorin,
Thua e do ligji,
Dhe vazhdon zakonin.

Na takson punën,
Na takson pagën,
Na bëre për kothere,
Por mos e çaj kokën!

Na takson dhinë,
Na takson lopën,
Na takson pantallonat,
Por harrove kopsën.

Na takson këpucët,
Na takson këmishat,
Na takso dhe pluhurin
Që ju mbulon të krisurat.

Na takson pijet,
Na takson duhanin,
Taksoji dhe mendimet
Nëse guxojnë e dalin.

Na takson ujin
Dhe bukën që hamë,
Na takso dhe lotët
Nëse guxojmë të qajmë.

Na takson naftën,
Na takson makinën,
Dhe gjej ndonjë mënyrë
Edhe për prapanicën.

Na takso çfarë kemi
Dhe na e bëj të qartë
Se nuk ke të ndalur
Deri në qindarkë.

Nëse dikush bërtet
Dhe kundërshton me forcë
Mos ja ndaj taksat
Deri në atë botë.

Pastaj taksoji arkivolin,
Taksoji dhe varrin,
Aty ku i pushon shtati
Taksoji dhe barin.

Mbi pllakën e gurtë,
I shkruaj këto fjalë,
“Taksat nuk do të ndahen,
Edhe këtu në varr”.

Dhe pasi ta varrosësh,
Mos rri rehat,
Vazhdo dhe taksoje,
Nëse ka lënë gjë pas.

Ish deputeti demokrat krijon poezi për Ramën: Po na e heq trurin! Read More »