Aurora

Receta tradicionale e byrekut me 12 barishte dhe monedhë brenda

Tradita shqiptare e gatimit është e pasur me shije e aroma të dashura, pas të cilave shumëkush që i ka provuar, ka mbetur i magjepsur.

Mes mjeshtërisë së recetave në kuzhinën shqiptare padyshim tradita unike e byrekut me 12 barishte është unike e vendit tonë.

12 barishtet simbolizojnë 12 muajt e vitit dhe përgatiten me dëshirën dhe shpresën për sa më shumë begati, mbarësi dhe shëndet në familje përgjatë gjithë vitit.

AgroWeb.org ju kujton se byreku me 12 barishte ka jo vetëm një shije unike, por dhe vlera të larta ushqyese që vijnë nga lakrat e egra dhe barishtet me të cilat përgatitet.

Sipas traditës, amvisat gjatë përgatitjes së këtij byreku fusin mes petëve edhe një monedhë. Pasi përgatitet, byreku ndahet në pjesë dhe i serviret gjithë familjes.

Anëtarit të familjes që i bie pjesa e byrekut me monedhë brenda cilësohet si personi që do të ketë fat dhe mbarësi gjatë gjithë vitit.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën tradicionale të byrekut me 12 barishte.
Përgatitja krejt lehtë në shtëpi
Përbërësit
100 gr Pazi

100 gr Lëpjetë

100 gr Spinaq

100 gr Hithra

100 Qumështore

100 gr Labot

100 gr bishta të hudhrave të njoma

100 gr bishta të qepëve të njoma

100 gr bishta presh

Një tufë nenexhik

Një tufë majdanoz

Një tufë kopër

500 gr Miell

250 ml Ujë

Kripë

Vaj Ulliri

1 kokërr vezë

Sodë Buke

Dy lugë gjelle djathë i bardhë i thërrmuar
Përgatitja e Brumit
Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin. Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.

Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.

Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër. E lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e lakrave të egra dhe barishteve.
Përgatitja e Mbushjes
Grijmë hollë përmes një thike të mprehtë të gjitha barishtet.

U hedhim kripë dhe i shtypim me duar, i vendosim në zjarr me pak ujë sa të marrin një valë dhe uji të ketë shterruar.

U shtojmë djathin e thërrmuar dhe i përziejmë.

Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës, AgroWeb.org ju sugjeron që në një gotë të vogël të hidhni një lugë miell dhe treteni me dy lugë kos.

Këtë masë, më pas e shtojmë tek barishtet dhe përzjejmë masën. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me qumësht në vend të kosit.

Në fund, gjellës me lakra i shtojmë vezën e rrahur dhe e përziejmë që masa të njëtrajtësohet.
Procesi i pjekjes në furrë
Pasi e përgatisim gjellën me barishtet, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.

Brumin e ndajmë në 10 toptha të vegjël.

Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer me disa pika vaj ulliri, shtrojmë petën tjetër, e spërkasim me disa pika vaj ulliri dhe vijojmë kështu derisa të kemi shtruar petën e katërt.

Më pas, shtrojmë gjysmën e mbushjes me lakra, në këtë moment vendosim edhe monedhën, të cilën e pastrojmë mirë me ujë dhe e mbështjellim me një letër kuzhine.

Më pas, vijojmë të shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur me disa pika vaj ulliri.

Hedhim pjesën tjetër të lakrave dhe vijojmë me shtrimin e katër petëve të tjera.

Në fund petëve u kthejmë pak anët.

Më pas, byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë deri sa të marrë pjekjen e duhur.

Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me pak gjalpë fshati./AgroWeb.org>

Receta tradicionale e byrekut me 12 barishte dhe monedhë brenda Read More »

Basha dhe fjalimi që “vrau” protestën

Gjatë gjithë fjalimit Basha u përpoq të fshinte zhgënjimin e tij me numrin e ultë të pjesëmarrjes, i solli tension dhe shpërqendrim, nuk arriti ta fshehte para dëgjuesve. Numri i pjesëmarrësve ishte shkruanim, kishte menduar se sheshi do mbushej plotë, por siç pamë nga ekranet e televizioneve numri i mbështetësve ishte i vogël, madje dhe mazhoranca priste një pjesëmarrje më të gjerë.
Shkruan Xhuljo Ferzaj

– Gjatë protestës së opozitës fjalim u mbajt vetëm nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, ndërsa Monika Kryemadhi zgjodhi të mos flasë para pjesëmarrësve. Ligjërata e Bashës nisi me një nga thëniet e Naim Frashërit “Dielli për shqiptarët lind nga Perëndimi”. Më pas kaloj direkt te shifra e pjesëmarrësve duke thënë se ishin mbledhur qindra e mijëra, krahasimi i vitit 2018 me periudhën e komunizmit ku vendi ishte i izoluar nga bota perëndimore, ripërtëritë “Diellin, Perëndimi, Lirinë, Demokracinë”, krahason qeverinë “Rama 2” si qeveri bizantine, osmane, anti eurpiane. Në minutën e 5 të fjalimit tregon se opozita nuk është mbledhur për përfitim politik, por shkatërrimin e “Sundimtarin shkatërrues”, betejë midis të mirës dhe të keqes.

Ky është momenti i parë kur kryetari i PD-së, ngre zërin sipas fjalëve, për të marrë në këmbim brohoritje, duartrokitje, mbështetje por nuk arriti ta realizonte. Gjithsesi vazhdoj të lexonte fjalimin duke e pasur të vështirë të kuptonte se vëmendja e pjesëmarrësve nuk u tërhoq siç duhej. Basha tentoj të krahasonte veten e tij, pjesëmarrësit me njerëzit që duan drejtësinë dhe atyre që se duan dhe i përkasin “Aleancës së krimit”.

Sipas deklaratës së tij problemi nuk është midis opozitës dhe mazhorancës, por dhunimi i demokracisë, të drejtës së qytetarëve, në fund e mbyll fjalinë duke akuzuar se shteti është i kapur nga krimi dhe korrupsioni. Kjo është hera e dytë, gjatë fjalimit kur Basha tenton të bëj për vete pjesëmarrësit por has vështirësi, kuptohet nga reagimi i tyre, disa fishkëllyen, pak veta duartrokitën, vëmendja nuk ishte aspak te fjalët që lexoheshin.

Në minutën e 8 Basha tenton të rregulloj intonacionin dhe tonin, kupton se nuk del siç duhej, kjo nuk u arrit, nervozizmi, mungesa e përqendrimit, dëshira për ta përfunduar sa më para fjalimin, e pengoj të rregullonte problemin, kjo solli një lexim mekanik duke e bërë monoton dhe aspak tërheqës për kontrollin, psikologjinë e pjesëmarrësve. Mund të mbledhësh protestues, është vetëm puna e parë, fjalimi nëse rezulton pa inspirim zbeh shpirtin e protestës, e “vret”.

Këtu ndikuan shumë faktor, së pari, Basha ka vështirësi të mbaj një fjalim para turmave të qytetarëve, kjo kuptohet qartë, lexon në mënyrë mekanike, nuk inspiron, krijon tension te dëgjuesi, që me siguri thotë “kur do mbaroj”. Përveç kësaj ishte vetë Basha, ai që hasi pengës në fjalim, u kuptua qartë, mezi priste ta përfundonte, kjo i solli gabime në renditjen e fjalimit, pasi nuk i lexoj të gjitha, nuk e përcolli me emocion për të marrë shpirtin e protestueseve, fundja në një protestë ky është një ndër synimet kryesore.

Gjestet, lëvizja e dorës së djathë, herë duke treguar me gishtin tregues, me grusht dhe dy gishtërinjtë shoqëruar me ngritjen deri në maksimum të vokalit gjatë fjalëve “Lufta me autokratët e korruptuar”, i dha më shumë fishkëllima se sa duartrokitje dhe brohoritje, në minutën e 11. Provoj të bënte pauzën por kjo nuk ndikoj aspak te duartrokitjet, brohoritjet dhe reagime që tregonin se ishin duke e ndjekur me vëmendje, nuk ndikuan aspak në psikologjinë e pjesëmarrësve, gjithçka pritej të realizohej mbi bazën e skemës së ndërtuar. Nëse kjo do ndodhte protestuesit do duartrokisnin, thërrisnin me zë të lartë emrin e kryetarit të PD, “Basha, Basha”, gjë e cila do kërkonte kohë deri sa të qetësoheshin, nuk ndodhi as kjo.

Gjatë gjithë fjalimit Basha u përpoq të fshinte zhgënjimin e tij me numrin e ultë të pjesëmarrjes, i solli tension dhe shpërqendrim, nuk arriti ta fshehte para dëgjuesve. Numri i pjesëmarrësve ishte shkruanim, kishte menduar se sheshi do mbushej plotë, por siç pamë nga ekranet e televizioneve numri i mbështetësve ishte i vogël, madje dhe mazhoranca priste një pjesëmarrje më të gjerë.

Shumica e qytetarëve që kishin planifikuar pjesëmarrjen hoqën dorë, nuk donin të dëgjonin përsëri historinë e përsëritur me “Babalen”. Në fjalim kishte një kombinim midis akuzave, propagandës, krahasimeve, jo mesazh, pasi vetë Basha premtoj se do tregonte gjëra të reja, që do tronditnin qeverinë, ndodhi që përsëriteshin të njëjtat fjalë si në media dhe kuvend.

Fjalimi u përcoll si propagandë asgjë më shumë, në të gjithë fjalët e përdorura nuk pati asnjë mesazh, përveç 300 fjalëve që lexoheshin e rilexoheshin disa herë. Ka nga ata që thonë se të gjitha fjalët e tij ishin mesazhe, vlerësimi bëhet pas përfundimit të protestës.

Kishte një ngatërresë midis propagandës dhe akuzave, nuk solli asnjë manipulim/ndikim për ti nxitur pjesëmarrësit të kishin një reagim mbi bazën e ndikimit të fjalëve të Lulëzim Bashës. Në një fjalim llogariten mesazhet që do prodhojnë dhe mbushin mediat me lajme, kjo nuk ndodhi pasi llogaria ishte bërë gabim. Reagimi i qytetarëve nuk erdhi nga fjalë e Bashës, për këtë problem është i vetëdijshëm edhe vet. Më shumë lajm prodhoj dëmtimi i kryeredaktorit të Rilindjes Demokratike, se sa fjalimi i Bashës.

Pavarësisht se për këtë të fundit u pretendua se u dhunua si gazetar, në të vërtet ai nuk kishte në dorë mikrofon, regjistrues, apo diçka që ta identifikonte si të tillë, ishte protestues si të gjithë qytetarët. Reagimet e deputetëve të PD nisën të ndërtoheshin mbi këtë ngjarje, duke akuzuar qeverinë si të dhunshme dhe polici që mbron krimin, jo mbi fjalimin e kryetarit. Kryeredaktori u bë epiqendra e lajmeve ndërsa vetë kryetari i PD, nuk u bë krijues. Nuk ndodhi se e fshehu informacionin, s’kishte kauzë politike, ky është problemi thelbësor. Mesazh është numri i pjesëmarrësve por jo gjithmonë, mund të bëhet edhe me 50 persona, madje me një figurë satirike nëse je lider.

Një politikan si në rastin e Bashës i cili pretendon të jetë lider politik, përveçse duhet të ketë një fjalim të përgatitur për të ushqyer protestuesit, mediat brenda dhe jashtë vendit, qytetarët që nuk janë pjesëmarrës, përfshirë edhe ata që nuk e mbështesin duhet ta menaxhoj ai dhe jo anasjelltas. Problem ishte përmbajtja e fjalimit, mënyra se si u përcoll, pa dashur të futem te pjesa e organizimit, numrit të pjesëmarrjes, sa veta u dëmtuan, banderolat, flamurat.etj.

Nuk pamë një Basha krijues sipas rrethanave, por një lexues fjalimesh në mënyrë mekanike që mezi priste edhe vetë të mbaronte. Mungesa e menaxhimi i fjalimit pengoj vetë Bashën e qytetarët ta dëgjonin me vëmendje, dukej sikur thoshin të mbaroj sa më shpejtë për të kaluar te Ministria e Brendshme për fazën e dytë të protestës, përplasje verbale dhe fizike, në fakt kjo u duk sikur të ishte qëllim kryesor, u la në dorë të pjesëmarrësve për një kohë të gjatë por dikush i kërkoj Bashës të tërhiqte personat që tentuan konfrontimet.

Gjë të cilën e bëri duke kërkuar largimin nga Ministria e Brendshme. Pa dashur të dal nga kontesti i fjalimi të Bashës, u vu re se fjalët e tij nuk shërbyen si orientim për reagimin e protestueseve, vepruan mbi bazën e planifikimit që ishte bërë në skenarin e protestës. Basha kishte llogaritur të mbante një fjalim më të gjatë, ai lexoj 60 % të tij.

Një sukses që pati lideri i PD ishte mungesa e konkurrencash, mbajtja e fjalimit vetëm nga ai i dha shumë pikë përball Monika Kryemadhit, tashmë ai mund të quhet “Lideri i opozitës” ndërsa kryetarja e LSI e humbi këtë gjë.

Nuk dihet nëse Monika Kryemadhi vendosi vetë të mos mbante fjalim, ishte e gatshme për pjesën tjetër të organizimit të protestës, kjo varet nga talenti. Basha nuk e kishte konkurrent në fjalim Kryemadhin, pavarësisht se kjo në demokraci është diçka e bukur, pavarësisht se nuk u realizua.

Në protestë s’kishte konkurrencë midis fjalimeve por një tërheqje nga ana e Kryemadhit e cila për mendimin tim ka bërë gjënë e duhur, nëse do kujtojmë fjalimin e saj të fundit preferoj të mos e komentoj.

Basha përpiqet ta nisi me sukses fjalimin, gjatë rrugës i dalin shumë probleme, jo vetëm me zërin, hapjen e gojës, gjestet, leximi i protestueseve e mënyra se si përcillet është problematike, duke e kthyer në një ligjëratë vetëm për tu lexuar, pa menduar mesazhet, lajmet që duhet të prodhojnë fjalët.

Këtu nuk diskutohet për menaxhimin e situatës, lidhjen fjalim-protestues, kjo gjë ishte shumë larg për ata që ishin prezent në shesh dhe jo për ne që e dëgjuam nëpërmjet mediave.

Basha dhe fjalimi që “vrau” protestën Read More »

Saimir Tahiri sot te Krimet e Rënda, kërkon heqjen e masës së sigurisë

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të dalë mesditën e sotme para Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Ish-ministri Tahiri do të kërkojë heqjen e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’, të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë. Kërkesa për heqjen e kësaj mase është dorëzuar një javë më parë nga avokati i tij mbrojtës, Maks Haxhia.

Seanca e sotme do të zhvillohet në orën 13:00, ku pritet vendimi i Apelit të Krimeve për ish-ministrin, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në trafikun e drogës me Habilajt.

Prokuroria ka dyshime se ish-ministri i Brendshëm ka takuar në një hotel në Korfuz Artan Habilajn, vëllain e Moisi Habilajt, i arrestuar në Itali në tetor të vitit 2017, si kreu i grupit kriminal të trafikut të drogës.

Nga ana e tij, Saimir Tahiri dorëzoi në fillim të muajit maj mandatin e deputetit, duke deklaruar se do të përballet me akuzat e Prokurorisë, deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës.

Ndërkohë, pak orë përpara kësaj seance të rëndësishme të gjykatës, është ambasadori amerikan, Donald Lu, i cili ngre hije dyshimi të forta. I dërguari i Uashingtonit ka thënë se vendimi i Apelit duhet të bazohet mbi prova dhe jo presione.

Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin.

Duhet theksuar se deklarata e zotit Lu erdhi menjëherë pas festës me Ilir Metën dhe Fatmir Mediun.

Të shohim a do intimidohen gjyqtarët dhe a do t’i nxjerrë zoti Lu provat për presion mbi gjykatën.

Saimir Tahiri sot te Krimet e Rënda, kërkon heqjen e masës së sigurisë Read More »

Shëndeti mendor i popullatës, ky është qyteti shqiptar që ka numrin më të lartë të skizofrenëve

Gjendja e rënduar ekonomike edhe përmbytjet e shpeshta e kanë bërë Shkodrën një rajon të prekur se tepërmi nga sëmundjet e shëndetit mendor. Ndryshe nga trendet globale ku sëmundjet mendore prekin më së shumti femrat, në Shkodër ajo dominon tek meshkujt dhe më e rënda është se 45 për qind e të prekurve vuajnë nga skizofrenia, e cila futet tek çrregullimet e rënda mendore.

Ekspertet Rajonale të Shëndetit në Shkodër morën në studim të shtruarit në spitalin Rajonal me çrregullime mendore gjatë periudhës 2005-2015 dhe gjetën se 6287 raste që kishin marrë diagnozë dhe ishin shtruar në mënyrë të rregullt në spital. Prevalenca është shumë e lartë me mbi 3700 të sëmurë për 100,000 persona teksa sipas të dhënave të OBSH-së në Shqipëri sipas diagnozave ambulatore janë  1000 të sëmurë mendor për 1000,000 banorë.

Në raportin e tyre të studimit ekspertët rajonale të shëndetit në Shkodër theksojnë se faktorët që kontribuojnë në problemet e shëndetit mendor janë të ndryshme. Sipas edhe të dhënave globale nga çrregullimet mendore vuajnë më së shumti personat me kushte të varfra të jetesës dhe grupe sociale që jetojnë në stres kronik. Gjithashtu përjashtimi social, i përforcuar nga aksesi i dobët në arsim është vlerësuar një faktor madhor që çon në çrregullime mendore.

Nga 6,287 persona të sëmurë mendor në Bashkinë e Shkodrës, burrat ishin më dominues, krahasuar me femrat: 3,766 (59.9% burra) dhe 2,521 (40.1% femra), respektivisht, teksa në botë raportet janë të kundërta, gratë janë të prekura më së shumti.

Çrregullimi më i përhapur mendor në këtë studim ishte Skizofrenia me 2,884 (45,87%) pacientë. Më shumë se 765 (12.16%) pacientë u raportuan depresive, 739 (9.17%) me çrregullime emocionale dhe 477 (7.6%) vonesa mendore. Çrregullime të personalitetit dhe çrregullime të alkoolit ose drogës ishin përkatësisht 3.56% dhe 2.67%.

Më te prekurit u panë të jenë meshkujt e moshës 45-55 vjeç të cilët kanë rëne pre e sëmundjeve mendore shpesh herë nga mospërballimi i peshës për të drejtuar familjet nga mungesa e kushteve ekomomikë.

Studimi tregon se gratë kishin më shumë gjasa të vuanin nga gjendja shpirtërore, ankthi dhe çrregullime depresive në krahasim me burrat, ndërsa burrat nga alkooli dhe çrregullimeve prej abuzimit me drogën.

Ekspertët arritën në përfundimet se çrregullimet mendore ishte një sëmundje mjaft e përhapur në rajonin verilindor, por shqetësues ,mbetet fakti se ato ishin të prekur nga skizofrenia.

Sipas përkufizimeve të mjekësisë skizofrenia është një çrregullim mendor i karakterizuar nga sjellje shoqërore jo normale dhe pamundësia për të kuptuar realitetin. Simptomat e zakonshme përfshijnë besimin e rreme, mendimet e paqarta, dëgjimin e zërave që të tjerët nuk e bëjnë, angazhim të ulët shoqëror dhe mungesën e motivimit./ Monitor

Shëndeti mendor i popullatës, ky është qyteti shqiptar që ka numrin më të lartë të skizofrenëve Read More »

”28 vite ky vend duhet të ishte Zvicër, jo llum. Hallall lekët e drogës”, Edi Rama kapet me komentuesit

Gjatë ditës së djeshme kryeministri Edi Rama projektin më të ri të ndërtuar në Tepelenë. Këtë reagim të tij, ndjekësit nuk e kanë pritur mirë, pasi i kanë kujtuar Ramës gjendjen e autostradës Tiranë-Durrës.

Komentuesi o te lumt ty hallall krejt leket e droges e investuat e bet kukull por rrugen durres tirane ce ka investime 100 fish me shum se kjo bukuri ktu
ce jan gropat me ra mrena si puset. me ate ca do besh apo vl!!!??? ce kalon e gjith shqiperia gjith te huajt mua me vjen turp nga vetja kur shikoj rrulotet hollandes etj ce kalojn aty kush edi ca mendojn per kte udheheqje ce ka ky vend perrallor 28 vite duhet te ishte zvicer jo llum dhe bathorja po ta kalon nga infrastruktura

Edi Rama Rruga Tirane-Durres ka nevoje per nje rindertim me themel dhe do ta bejme, po nuk behen punet si komentet ne fb, duan kohen e tyre

”28 vite ky vend duhet të ishte Zvicër, jo llum. Hallall lekët e drogës”, Edi Rama kapet me komentuesit Read More »

Top Channel publikon të dhëna rrënqethëse për disa deputetë të parlamentit shqiptar

Emisioni “Exsclusive” ne Top Channel tregoi sot se sa të pasur janë ata që përfaqësojnë popullin në Parlament.

Në fushata elektorale ata u premtojnë zgjedhësve se do t’i zgjidhin hallet dhe problemet e tyre. Kur hyjnë në Parlament debatojnë dhe kacafyten me njëri-tjetrin për varfërinë dhe mjerimin e shqiptarëve. Një pjesë e të zgjedhurve vijnë nga bota e biznesit. Ka nga ata që zotërojnë pasuri të frikshme, ndërsa nuk mungojnë akuzat për blerje mandatesh.

E të paktën me atë që deklarohet zyrtarisht, ky parlament me 140 deputetë dhe kushton 150 milionë euro.

Agron Shehaj, deputet i Partisë Demokratike thotë se “Shqipëria është vendi më i varfër në Europë sepse politika ka dështuar”.

“Shumë politikanë kanë pasuri shumë të mëdha jo në emrin e tyre. Personalisht, kam fatin që kompanitë e mia punojnë në tregun e huaj, nuk bëjnë asnjë euro xhiro në tregun shqiptar. Nuk kam përfituar gjë me tendera apo koncesione”, deklaron Shehaj.

Kurse analisti Andi Bushati shpjegon arsyet pse biznesmenët i futen politikës: “Njeriu që ka bërë para’, kërkon të jetë edhe personazh i respektuar përmes politikës. Duan edhe një lloj mbrojtjeje më të madhe se një qytetar i thjeshtë për atë milionin e parë që nuk dihet si e kanë bërë”.

Bushati thekson gjithashtu se “një deputet që ka biznes, kur i duhet të miratojë një ligj fiskal, teorikisht është në kushtet e konfliktit të interesit”.

Sakaq Instituti i Studimeve Politike thotë se në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin gjenden 7 deputetë që kanë aktivitete private prodhuese dhe tregtuese, pra në fushën në të cilën ata shqyrtojnë dhe marrin vendime.

Top Channel publikon të dhëna rrënqethëse për disa deputetë të parlamentit shqiptar Read More »

Spartak Ngjela: PD do të destabilizojë Shqipërinë, krerët e saj janë antiamerikan. Ja pse Xhafaj doli i fituar nga protesta

Shkruan Spartak Ngjela

Partia Demokratike nuk ka më mbështetje, sepse krerët e saj, si forcë antiamerikane, janë të korruptuarit që kërkojnë të destabilizojnë Shqipërinë me metoda të vjetra otomane.
Dje e pamë sesi Sali Berisha donte të dëbonte Amerikën nga aleanca me Shqipërinë me gurrët e 200 individëve të paguar.

Fjala ishte se donin të rëzonin ministrin e Brendshëm.
Ministri i Brendshëm Xhafaj doli edhe më i fortë në një betejë me 11 policë të dëmtuar lehtë, përballë një “grusht i shteti” që u rrek të bëhej me gurë.
Po këta injorantë, nuk e kuptojnë se nuk kanë më kohë politike në Shqipëri, se janë antiamerikanë dhe Shqipëria tani është e kurdisur sipas orës amerikane?

l.
Antiamerikanët që hiqen si perëndimorë dhe që duan të destabilizojnë Shqipërinë për të siguruar gjënë e tyre të vjedhur, dështuan dje plotësisht, sepse shqiptarët këtë herë as që i përfillën fare, ngaqë e kuptuan se korrupsioni shqiptar që po drejton Shqipërinë, është një forcë e dështuar.
Ishte dhe çështja e çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, por atë në fakt nuk e trondit dot asgjë.
Shqipëria e ka të sigurt që i çel negociatat në këtë qershor, duan apo nuk duan një grusht njerëzish të korruptuar që, pasi kanë vjedhur shqiptarët, të kapur, nuk duan ta dorëzojnë gjënë e vjedhur, dhe nuk duan që t’i përgjigjen normalisht akuzës kundër tyre.
Por gjithsesi, e gjithë zallamahia e djeshme sigurisht që në thelb nuk ishte një ndërmarrje e kotë dhe nuk mund të thuash se do të ndalojë si përpjekje antiperëndim, nga të gjithë të korruptuarit.

ll.
I gjithë korrupsioni kryeministror i të dy krahëve të politikës shqiptare dje, më 26 maj 2018, ishte i bashkuar. Që të katër bashkë: Berisha, Rama, Meta dhe Basha pritën dje që të rrëzonin ministrin e Brendshëm Xhafaj.

Pas protestës së dështuar të katër ishin pa gjak në fytyrë, kurse Fatmir Xhafaj qeshte.
Në të vërtetë lufta kundër ministrit Xhafaj është një luftë antiamerikane. Në këtë betejë antikorrupsion të drejtuar nga politika amerikane në Shqipëri, amerikanët i kanë marrë Ramës dhe Berishës ministrin e Brendshëm. I morën me forcë edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, dhe ndërkohë i kanë lënë në mëshirë të reformës në drejtësi, e cila sigurisht që penalizon edhe Ramën, edhe Berishën.
Duhet të theksojmë se pa ministrin e Brendshëm, Reforma në Drejtësi nuk mund të kryhet. Por këtë, ashtu siç e di Rama dhe Berisha, e dinë edhe amerikanët.
Kjo është arsyeja që Lufta kundër ministrit të Brendshëm sot në Shqipëri është një lëvizje antiamerikane.

E gjithë kjo lëvizje, para një jave, pasi paraqiti çështjen qesharakë Babalaj, priti nga Rama shkarkimin e ministrit të Brendshëm. Dhe të gjithë ishin të sigurt për këtë shkarkim: të gjithë të korruptuarit e Shqipërisë.

Kurse politika amerikane heshti.
Rama provokoi rëndë politikën amerikane, dhe ajo iu përgjigj ashpër me ambasadorin Lu. Por menjëherë FBI dhe organet e specializuara amerikane konstatuan nga analiza spektrale e zërit se audiopërgjimi Babalaj, ishte një falsitet destabilizues. Amerikanët e vunë në dijeni kryeministrin shqiptar, dhe ky i përpunuar doli dhe dhe me frikë tha që “analiza e zërit tregon që audiopërgjimi është falsitet”. Ministri nuk u shkarkua dot prej tij.

U kundërpërgjigjën injorantët e korruptuar duke thënë se nuk bëhet analiza spektrale e zërit në dy ditë.
Analiza spektrale e zërit të krahasuar nga FBI bëhet në më pak se një orë, por kur ke të bësh me injorantë, është e kotë të merresh me ta. Ku e dinë këta derëzes e punëzes se çfarë është analiza spektrale e zërit!

Treshja Berisha, Meta dhe Basha të rënë shpirtërisht, u hodhën kundër Ramës, kurse ky në fakt ishte me ta, por i detyruar nga politika amerikane, refuzoi pushimin e ministrit të Brendshëm.
Kurse Xhafaj u tregua më i vendosur kur tha se “jepte dorëheqjen si ministër në funksion të analizës së zërit”. Kuptohet se ky sigurisht që e dinte të vërtetën nga FBI. Po Basha, pse nuk iu përgjigj me të kundërtën, domethënë që edhe ky e jepte dorëheqjen po të dilte falsitet audiopërgjimi Babalaj?
Ku shkoni o të korruptuar të mjerë, pse rendni me vrap drejt shkatërrimit!

lll.
Dje, korrupsioni shqiptar, pati rënie drastik dhe, bashkë me të, edhe media e blerë nga korrupsioni. Në fakt rënia e tyre është nga naiviteti i shpresës se me një revoltë popullore do të mund të ndalonin reformën e nisur në Shqipëri.
Kurse media e blerë nga korrupsioni është e mërzitur.
Edhe Rama, i mërzitur, provokoi dje pas protestës përkrahësit e Partisë Demokratike me shpresë që ata të vinë me shumicë herën tjetër.

Të gjithë bashkë: Berisha, Rama, Meta dhe Basha duan destabilizim.
Por ajo që është më poetikja: të katër këta kërkojnë të rrëzojnë Fatmir Xhafajn si ministër të Brendshëm, sepse ai drejtohet nga amerikanët.
Po dështuan përfundimisht.

IV.
Koha po ndihmon Shqipërinë. Politika amerikane e kërcënoi ashpër dje si Berishën ashtu edhe Bashën. Dhe do të vijojë kështu, sepse këta nuk heqin dorë nga destabilizimi.
Amerikanët duhet t’i bëjnë publike ato që kanë grumbulluar kundër korrupsionit shqiptar, kurse riemërimi ambasador i ambasadorit Donald Lu, ka mërzitur rëndë gjithë korrupsionin kryeministror shqiptar, sepse nuk kanë alibi për të thënë se kundër nesh nuk është politika amerikane, por vetëm ambasadori.

Po kush vjen tani në Shqipëri.
Ende nuk dihet, por koha sot në Shqipëri, në funksion të aleancës shqiptaro-amerikane, kërkon që politika amerikane të sjellë këtu një personalitet të njohur amerikan.
Ambasadori amerikan në Tiranë sot hyn në pesë ambasadorët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të shohim se kush do të vijë. Por kjo politikë amerikane do të vijojë më me forcë kundër korrupsionit shqiptar.

Shqiptarët treguan dje se po presin sa më shpejt rezultatet e Reformës së nisur nga amerikanët në ndihmë të shrrënjosjes së korrupsionit në Shqipëri.
Ajo që dihet me siguri është fakti se të gjithë të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë, sot janë të humbur dhe të gjithëve iu është identifikuar shuma e parave dhe pronave që kanë përfituar nga korrupsioni.

Spartak Ngjela: PD do të destabilizojë Shqipërinë, krerët e saj janë antiamerikan. Ja pse Xhafaj doli i fituar nga protesta Read More »

“Pusho more qen, qepe gojën!”, dy vëllezërit lënë nam tek Arditi, motivi do t’ju bëjë të nxirrni lot inati

Një histori shokuese sot tek “Shihemi në gjyq”.

Protagonistët e sotëm të seancës së ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në Gjyq” ishin dy vëllezër, Rolandi dhe Arbeni, të cilët ndodhen prej vitesh në konflikt për shkak të biznesit familjar. Në studion e emisionit “E Diela Shqiptare” ndodheshin e ëma, motrat si dhe bashkëshortja e Arbenit, Fatimja, të cilat u përfshinë në debatin e ashpër mes vëllezërve.

E gjithë problematika e familjes Resuli nis me blerjen e 100 krerë deleve në vitin 1992, duke krijuar në këtë mënyrë një fermë si biznes familjar. Protagonistët e seancës thanë se paratë për të blerë këto 100 krerë dele i ka dhënë Rolandi, i cili kishte punuar disa kohë në Greqi.

Fillimisht krerët e bagëtive i kishin të ndara, por babai i tyre Ismaili propozoi që tufa të bashkohej dhe të dy vëllezërit bashkë me të atin ta kenë të përbashkët këtë biznes, edhe pse Rolandi nuk ishte dakord.

Pas dhjetë vitesh punë tufa e bagëtive u shtua nga 200 në 1200 krerë. Me paratë e fituara nga ky biznes u ra dakord nga të gjitha palët që të ndërtohen 2 shtëpi; në njërën nga shtëpitë do të jetonte Arbeni me familjen, ndërsa në shtëpinë tjetër do të jetonte Rolandi bashkë me të atin.

Krizat në biznesin familjar u krijuan kur Rolandi u kthye nga Greqia dhe u punësua në Policinë e Shtetit, ku paga ishte shumë e ulët. Arbeni akuzoi Rolandin se është ushqyer me paratë e biznesit, por pa punuar asnjë ditë aty.

“Ti nuk e di se çfarë është ruajtja e deleve. Ke ardhur vetëm 1 vit sa më prishe mua të gjithë pasurinë!”, i tha Fatimja kunatit të saj.

Ndërsa ky i fundit ngriti pyetjen se përse i kalonin të vëllait të gjitha fitimet e biznesit për t’u menaxhuar, ndërkohë që ai nuk ishte më në certifikatën familjare dhe kishte krijuar familjen e tij. Ai pretendoi se në vitin 1992 ka dhënë 2 milionë e 200 mijë lekë të vjetra për biznesin familjar, ndërsa Arbeni dhe e ëma e tyre këmbëngulën që ka dhënë vetëm 1 milion e gjysmë lekë të vjetra.

“Mama mos u përdor, të lutem! Më ke djalë, e ke djalë! Ne këtu kemi ardhur që po mundëm ta zgjidhim, do ta zgjidhim, po nuk mundëm, gjithkush në rrugën e vet, nuk ka asnjë problem. Unë kam ardhur me dëshirën më të madhe për ta zgjidhur!”, u shpreh Rolandi, duke i mohuar të ëmës pretendimin që as ai nuk ishte më pjesë e certifikatës familjare.

Nga ana tjetër Arbeni shpjegoi se ka patur më pak bagëti, ndaj dhe vitin e parë ka marrë vetëm fitimin e shitjes së qumështit. Kur është barazuar sasia e bagëtisë atëherë janë ndarë edhe fitimet në mënyrë të barabartë.

Pas largimit nga puna në polici në vitin 2000, vëllai dhe babai i propozuan Rolandit që të punojë me ta me delet, duke i caktuar kështu një rrogë mujore, por Rolandi iu kthye: “Unë jam investitori. Babai më ka thënë: ‘Roland pse ikën në Greqi, ti ke pjesën tënde këtu’“.

Arbeni – Pusho more qen, pusho të thashë! Mos të të dëgjoj më harbut i qelbur! Qepe gojën!

Rolandi – Mos ofendo!

Arbeni – Pusho të thashë, të mbaroj unë!

Për shkak të gjithë konfliktit, Arbeni vendosi që të ndahet nga biznesi, duke i thënë babait dhe Rolandit që kur të shiteshin bagëtitë, ai donte pjesën e tij. Brenda vitit delet u zhdukën dhe atij i thanë që ngordhën, por ai pretendoi se i kanë shitur. Rolandi bashkë me të ëmën thanë se pas një përmbytjeje që ndodhi në zonën e tyre, dhentë u mbytën.

Arbeni – Ti u dole zot atyre, ti dhe babai. I shiti dhentë i ka dhënë me fajde lekët, i di unë me të dëgjuar nga njerëzit, 60-70 milionë lekë.

Rolandi –E kuptoni që ky merret me thashetheme.

Një tjetër çështje për të cilën konfliktohen dy vëllezërit është blerja e një magazine që në vitin 1995, por procesi i legalizimit të saj është bërë më vonë. Rolandi tha se në vitin 2016 vëllai i tij  shkoi në hipotekë dhe nëpërmjet një ryshfeti prej 10 milionë lekësh ka marrë dhe pjesën e tij.

Por konflikti i vëllezërve nuk përfundon me kaq. Testamenti që ka lënë babai i tyre është kthyer në sherr jo vetëm për vëllezërit, por për të gjithë familjen.

Më 17 Prill të vitit 2010, Ismail Resuli, babai i djemve ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë që ai vuante. Ndërsa testamenti është nënshkruar në datën 15 Prill 2010, pra dy ditë para se i ndjeri të ndërronte jetë.

Juristja Çobani shtroi pyetjen se si është e mundur që të shkohet përpara një njeriu me sëmundje të rëndë dhe të merret një testament. “A ka qenë ai në gjendje të dëshifrojë ato që janë shkruar në testament?”, u shpreh ajo.

Në 15 Prill, më vjen ky (Rolandi), pa lajmëruar fare, më solli aty testamentin të përgatitur”, tha zonja Krisanthi, mamaja e djemve, duke u shprehur se ka firmosur qorrazi, pa ditur se çfarë është shkruar në testament.

Eni Çobani iu drejtua zonjës duke thënë: “Zonjë po thoni një të vërtetë shumë të rëndë, nëse testamenti është hartuar përpara dhe është  sjellë përpara zotërisë për të firmosur, ky është një gabim shumë i rëndë, një paligjshmëri shumë e madhe, një vepër penale e kryer nga noterja në fjalë, kështu që ju lutem bëni kujdes për gjërat që thoni. Noterja Arjana Dodi mban përgjegjësi për këtë testament të hartuar në datën 15 Prill, para një njeriu që jepte jetë sepse në datën 17 Prill ai ka ndërruar jetë.”

Me anë të këtij testamenti Ismail Resuli ka lënë si trashëgimtar të tij të vetëm, djalin Roland Resuli, duke përjashtuar nga trashëgimia çdo person tjetër të mundshëm. Motrat në studio replikuan duke thënë se janë gjashtë fëmijë dhe jo vetëm një, ndaj dhe ato duhet të ishin pjesë e kësaj trashëgimie.

“Kjo është një pasuri nga gjyshi
ynë, nuk ka as Beni e as Landi të drejtë. Ata çfarë kanë të dy, le ta zgjidhin”, tha motra Alma.

Eni Çobani vijoi duke lexuar testamentin: “Testatori nuk është në gjendje të nënshkruajë për shkak të sëmundjes, por është në gjendje të kuptojë dhe të komunikojë shumë mirë. Për këtë shkak aktin ia lexon me zë të lartë dhe të kuptueshëm e besuara e tij, bashkëshortja Krisanthi Qako Resuli. Testatori pasi e dëgjoi aktin nga zonja dhe e gjeti në përputhje me vullnetin e tij të lirë, e miratoi dhe e nënshkroi me gisht, duke autorizuar të besuarën e tij, bashkëshorten për të vërtetuar nënshkrimin”.

Por Krisanthi këmbënguli që ka firmosur qorrazi, pasi Rolandi i solli njerëzit pa e lajmëruar, ndërkohë që bashkëshorti i saj ishte duke vdekur.

Ardit Gjebrea ndërhyri duke pyetur trashëgimtarin: “Roland pse mendon se babi ta ka lënë ty pasurinë?” Rolandi iu përgjigj: “Sepse të gjithë i ndihmoi, unë isha më i vogli i shtëpisë. Vazhdimisht thoshte: ‘Landi janë të tuat, këta t’i ndihmojmë e t’i rregullojmë!’”

Zonja Eni u shpreh: “Gabimi i parë dhe i vetëm është hartimi i këtij testamenti. Forma në të cilën është marrë ky testament është totalisht e paligjshme dhe detyrimisht i pavlefshëm sepse testamenti është vullnet i brendshëm. Nuk mund të jetë prezent asnjë anëtar i familjes apo trashëgimtar, që mund të përfitojë nga kjo trashëgimi. Ligji shikon firmën e zonjës Krisanthi dhe që normalisht ky testament është totalisht i vlefshëm nga ana formale. Por në momentin që ky testament është hapur gjykata ka patur për detyrë të verifikojë që a ka ndalesa nga rezerva ligjore që ky testament të qëndrojë në fuqi”.

Si përfundim vetë Rolandi propozoi një zgjidhje. Ai kërkoi 100 metra katrorë nga magazina, për të cilën ai dhe vëllai janë bashkëpronarë dhe nëse bëhet kjo, atëherë Rolandi do të shikojë mundësinë e rindarjes së pasurisë që ka përfituar nga testamenti.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë Arbenit, i cili nuk pranoi marrëveshjen nga i vëllai.  Ndërsa Rolandi tha: “Më ke grabitur aq vjet, më rrope. Më ke katandisur si një zot e di!”

Debati vazhdoi deri në momentin e fundit të seancës së ndërmjetësimit, ndaj dhe juristja Çobani u shpreh se kjo çështje do të vijojë të ndiqet në zyrën e saj.

“Pusho more qen, qepe gojën!”, dy vëllezërit lënë nam tek Arditi, motivi do t’ju bëjë të nxirrni lot inati Read More »