Aurora

48 orë në perlën bregdetare të Shqipërisë, Durrësin

Qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, Durrësi ka qenë prej kohësh portë ballkanike në botë. Grekët, romakët dhe bizantinët e shfrytëzuan tërësisht portin e mrekullueshëm natyror dhe sërish mbetet një nga portet më me fluks në Adriatik.

Pse ta vizitoni tani?

Aty gjeni amfiteatrin më të madh romak në Ballkan, muret bizantine të qytetit, prodhimet e detit të mrekullueshme dhe netët e gjallëruara. Durrësi është qytet me stil bregdetar, pak qytete në vend mund t’i afrohen dhe çmimet mbeten të leverdishme.

Merrni koordinatat tuaja

Durrësi është një udhëtim i shkurtër nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë: pak më shumë se gjysmë ore, edhe pse varet nga trafiku. Taksitë do t’ju sjellin këtu nga aeroporti i Tiranës për rreth 30-40 euro. Nga qendra e qytetit të Tiranës ka autobusë dhe mini-autobuza që kushtojnë gati asgjë, të cilët nisen çdo 30 minuta nga stacioni i autobusëve të kryeqytetit.

DITA 1

Grekët dhe Romakët

Nisni ditën tuaj në Muzeun Arkeologjik (Rruga Taulantia 32), ndoshta muzeu më i mirë në vend dhe një abetare e vërtetë mbi historinë shqiptare. Kthehu pranë amfiteatrit romak. Në shikim të parë ju mund të mendoni se nuk janë kujdesur mirë për të: e vërteta është që, duke u ndërtuar gjatë sundimit të Hadrianit rreth vitit 100 pas Krishtit, u dëmtua nga tërmeti (dy herë) dhe pastaj u “varros” nga osmanët në shekullin e16-të.

Marrëveshja me hijen

Në veri të sheshit Shatërvani ka një hapësirë mjaft të këndshme e rrethuar nga ndërtesat moderne. Banorët e moshuar të qytetit kalojnë pasditen e tyre të verës këtu duke biseduar në hijen e pemëve. Nëse keni fuqi, një ngjitje në kodrën e Durrësit do t’ju dërgojë në Vilën e braktisur të Zogut, mbretit të shqiptarëve që mbretëroi në vitet 1928-39. Ndërtesa është përdorur si shtëpi pritje për të huajt gjatë diktaturës ekonomiste, por më pas u grabit gjatë trazirave të 97-s.

Mbrëmjet Veneciane

Sheshi elegant Epidam, rruga kryesore e qytetit të vjetër, e veshur me palma, kafene rruge, restorante, dyqane dhe bare të çon deri në port, ku qyteti mblidhet për një mbrëmje kundruese. E ashtuquajtura Kulla Veneciane në buzë të ujit dhe muri që rrjedh prej saj janë mbetjet më të ruajtura të fortifikimeve bizantine të qytetit. Ka disa vende të mira për të ngrënë në këtë zonë (duke përfshirë një kafene në kullë), por ia vlen të shëtisni 10 minuta përgjatë bregdetit në perëndim të diellit në Aragosta (Rruga Taulantia 71), vendi më i mirë për ushqim deti.

DITA 2

I gjerë, dhe i bekuar me rërën e artë e të butë, plazhi i Durrësit është pothuajse një qytet i gjallë në vetvete. Në fundjavë gjatë verës do të duhet të shkosh herët për të gjetur një vend: nëse kërkoni një plazh të shkretë duhet të shkoni më në jug. Sapo të instaloheni në shezllonin tuaj, nuk do të keni nevojë të lëvizni gjatë gjithë ditës. Shitësit do iu enden gjithë kohës nga çadrat me thirrjet: kafe, çaj, kokteje, snacks dhe çdo gjë tjetër që ju nevojitet. Ndërsa baret e plazhit garojnë me njëri-tjetrin për të parë kush mund të luajë muzikën e tyre më lartë, të gjitha këto e bëjnë pushimin kaotik dhe të shkëlqyeshëm “alla-Ballkan”.

Ditët larg

Nëse mund qëndrosh larg nga plazhi për një pasdite, shpejt do të zbulosh se ka shumë gjëra përtej Durrësit në bregdetin shqiptar (në të vërtetë, shumë njerëz lokalë do të pëshpëritin në veshin tuaj se më e mira e Rivierës Shqiptare gjendet në jug të vendit).

Mos lini pa marrë një udhëtim për në Parkun Kombëtar të Divjakës-Karavasta (ose vetëm Laguna e Karavastas) rreth 20 minuta në jug të qytetit. Jo shumë larg nga këtu është një nga manastiret më të vjetra të Shqipërisë, Manastiri i Ardenicës i shekullit të 13-të, kisha e Shën Marisë përmban disa ikona të pikturuara nga Athanas Zograf, një shqiptar i cili ishte një nga artistët kishtarë më të kërkuar të shekullit të 18-të.

Durrësi në një paragraf

Ballkani kaotik me një shije të pagabueshme italiane. Peshk i shkëlqyer dhe ushqim deti me çmime të pakrahasueshme kudo tjetër në rajon. Kushtojini kujdes kulturës së të kaluarës, ku xhamitë dhe kishat mund t’i gjeni shumë pranë njëra-tjetrës. Merrni me qira një makinë dhe bëni një xhiro përgjatë Lagunës së Karavastasë. Burimi: Erging Europe/ Përshtati JOQ.al 

48 orë në perlën bregdetare të Shqipërisë, Durrësin Read More »

Gjuha e Naimit është gjuhë e mallit dhe dashurisë për gjithçka që frymon shqip

Lirim Gashi

Naimi i frymëzuar nga dashuria e zjarrtë për atdheun i këndonte plotë me mall e krenari kombëtare, natyrës së mrekullueshme shqiptare, njerëzve të thjeshtë, barinjve dhe fshatarëve që janë njëkohësisht protagonistët kryesorë të poemës së tij dhe që poema i ngrehë lartë si njerëz të punës fizike e mendore.
Poema e Namit ngjallë respektin ndaj masave popullore, ose më mirë të them pikërisht ndaj atyre masave njerëzish shumëfish të shtypur e të nëpërkëmbur si nga okupatorët e huaj njashtu edhe nga pushtetet marionetë.
Poema e Naimit i bënte gjithnjë homazh njerëzve të shtypur e të mallkuar nga politika dhe tradita e tjetërsuar prej ndikimit të robërisë shekullore të cilët ai me gjuhën e tij autentike e të përzgjedhur poetike i quante “të bekuarit e Perëndisë’, duke aluduar njëkohësisht në mallkimin e projektuar politikisht nga njeriu i huaj dhe shërbëtorët e tij vendor dhe duke tentuar në njëfarë mënyrë që t’ua bënte të qartë njerëzve të rrënuar moralisht, apo shkaktarëve të turpit dhe tmerrit që janë po aq të përkohshëm në këtë botë sa hordhitë e tyre okupatore e vrastare.
Gjuha e Naimit është gjuhë e mallit dhe dashurisë për gjithçka që frymon shqip dhe në harmoni me frymën e rënduar të këtij populli nga brengat e përditshme dhe varfëria e skajshme, por edhe nga ashpërsia e mentalitetit patriarkal dhe brutaliteti i sistemit shoqëror.
Naimi ishte një njeri dhe poet i veçantë njësoj si p

oezia e tij, andaj do të jetojë në kujtesën kolektive po aq gjatë sa ky popull.
Dashuria e Naimit për atdheun dhe gjithçka që frymon shqip ishte aq e pastër dhe e padjallëzuar sa që i bëri për vete edhe ata që nuk ia donin të mirën Shqipërisë ngaqë i konfrontoi brutalisht me ndërgjegjen e tyre të helmuar nga urrejtja dhe synimet barbare.
Lavdi veprës së Naimit të Madh.

Bagëti E Bujqësi

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.

Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;
Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.

Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
– Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!

O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!

Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë,
Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,

Qielli sa ësht’ i kthiellt e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç’janë, që u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver’, o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë.

Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?

Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S’i ka mbetur gas në zemrë, se s’i la vënt idhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzëplasur,
Se përtimn’ e zi, q’e pruri të gjorën më këtë ditë,
Nuk’ e dimë vet’ e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s’thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.

Ah! edh’ atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul’e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm’ e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh’e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.

Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt’ e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
O malet’ e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm’e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn’ e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj’i ftoht’ e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë,
Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?

Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me vërtik si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj’ ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt’ e ballit t’i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap’ aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët’ e djalërisë, o moj kohëz’ e të rit tim?

O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër’i bagëtisë;
Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh’e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar’ e gjahëtorë, q’u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale…
Kec’i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez’i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell’i shterparit.

Gjuha e Naimit është gjuhë e mallit dhe dashurisë për gjithçka që frymon shqip Read More »

Sa vjeç kanë vdekur vëllezërit Frashëri?

Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit dhe vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros.

Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri para viteve ‘90.

Sami Frashëri lindi më 1 qershor 1850 në Frashër dhe vdiq më 18 qershor 1904 në Stamboll.

Abdyl Frashëri lindi në vitin 1839 në fshatin Frashër dhe vdiq më 23 tetor të vitit 1892 në Stamboll.

Pra kanë lindur të tre në Frashër dhe kanë vdekur të tre në Stamboll.

Është kurioze që kanë ndërruar jetë thuajse në të njëjtën moshë, Naimi dhe Samiu në moshën 54 vjeçare dhe Abdyli në moshën 53 vjeçare.

Figura më e njohur mbetet ajo e Naimit, por në fakt kanë qenë Abdyli dhe Samiu ata që e ndikuan fillimisht atë.

Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqiptare.

Poema e tij e parë e re ishte Shqipëria (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë.

Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të “Revistës Dita”, më pas “Dituria” (1884-1885), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin.

Sa vjeç kanë vdekur vëllezërit Frashëri? Read More »

“Jam edhe unë me ty, në atë qeli…E vërteta zhytet, por nuk mbytet”, fjalët plot forcë për Izet Haxhinë

Izet Haxhia ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Pas disa javësh procedurash, ish-truproja i Sali Berishës u ekstradua nga Turqia dhe tani do të përballet me autoritetet shqiptare, pasi është dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit.

Haxhia mbërriti në aeroportin e Rinasit rreth orës 20:10 me një linjë ajrore turke dhe aty u prit nga policia dhe një grup special shoqërimi i Drejtorisë së Burgjeve. Në avion ai shoqërohej nga 4 policë të Interpol-it, ndërsa më pas u transportua me dy furgona të policisë në burgun 302 në kryeqytet, ku do të mbahet derisa të zhvillohen të gjitha procedurat ligjore.

Ndërkohë në Facebook, e dashura e tij e cila tashmë ka dhe të drejtën e përdorimit vijon ta mbështesë dhe t’i japë kurajo:

Postimi i plotë:

Ti je forca ime, ti je shkembi im, ti je i miri im, Izet Haxhia!
Jam edhe une me ty, ne ate qeli… Dhe do te jem, kudo qe te jesh!
Zoti eshte me ty, sepse ti je me Te Verteten! Qe zhytet, por nuk mbytet kurre!!
Mire se u ktheve ne Atdheun tend, tonin, Dashuria ime e pamposhtur!
Nuk je vetem♥️

“Jam edhe unë me ty, në atë qeli…E vërteta zhytet, por nuk mbytet”, fjalët plot forcë për Izet Haxhinë Read More »

Nikollë Lesi nuk i lë kusur Lulzim Bashës: Frikacak që dridhet nga hija e tij, s’rrëzohet Edi Rama me Facebook

Botuesi i gazetës “Koha Jonë” është shumë i irrituar me pafuqinë e Lulzim Bashës që të bëjë opozitë si dhe e akuzon se “flirton” me kryeministrin Edi Rama në kurriz të demokratëve.

Nikollë Lesi në një artikull në gazetën e tij nuk i lë kusur kreut të PD pa thënë, duke e cilësuar madje dhe një frikacak që është i varur nga kryeministri Edi Rama.

Botuesi i njohur nuk ia fal Bashës shpërdorimin e të gjitha mundësive për të vënë në pozitë të vështirë dhe rrëzuar Ramën nga qeverisja, pavarësisht se qeveria e mazhorancës së PS ka qënë në situata shumë të vështira ndërsa Basha ka qënë gjithnjë jashtë vendit.

Duke përmendur që nga lënia pas dore e mosbindjes civile e deri tek ngjarjet më të fundit, Lesi akuzon Bashën se ka frikë të bëjë opozitë dhe se i kujton se Rama s’rrëzohet nga facebooku.

“Nuk rrëzohet kryeministri Edi Rama me Facebook apo me konferenca shtypi, siç vepron PD. Apo ka një marrëveshje të fshehtë mes Ramës dhe Bashës, duke bërë sikur zihen e shahen, por komunikojnë me sms dhe kanale të fshehta?

Me veprimet apo mosveprimet e tij, kreu i PD-së, në vend të ishte njeriu që duhet të ngrinte peshë opozitën, është kthyer në liderin që demotivon çdo aksion.

Në pak muaj kabineti “Rama” është goditur nga jo pak skandale që do të vinin në pozitë të vështirë ekzistencën e çdo qeverie. Çështja “Tahiri” dhe taksa e Rrugës Durrës-Kukës janë ngjarjet më të fundit, ku reagimi nisi vrullshëm dhe më pas u zbeh si të ishin gjëra pa rëndësi. Ky handikap në vijimin e qëndresës opozitare nuk erdhi për shkak të qytetarëve, por si rrallë herë për shkak të mungesës së opozitës dhe konkretisht të Partisë Demokratike.

Kur fronti opozitar ishte gati për një reagim mbarëpopullor, ai që e frenoi dhe duket se e shpëtoi edhe një herë qeverinë ishte pikërisht kreu i PD-së, Lulzim Basha. Me veprimet apo mosveprimet e tij, kreu i PD-së, në vend që të ishte njeriu që duhet të ngrinte peshë opozitën është kthyer liderin që demotivon çdo aksion.

Demokratët, pas skandaleve të fundit dhe qëndrimeve të ashpra të ndërkombëtarëve ndaj qeverisë, pyesin: Ku është PD, çfarë po pret Basha që të veprojë? Sepse ironikisht, sa herë që ndodhin ngjarje të mëdha, në vend që të jetë qeveria dhe kryeministri ata që struken nga përballja, nga skena zhduket kreu i opozitës, Lulzim Basha.

Përherë me atë buzëqeshjen shqiptaro-hollandeze ai e tkurr opozitën, duke i shkundur motivin dhe shpirtin revolucionar opozitar. Por ajo që po ndodh këto kohë me PD-në nuk është një rastësi. Është një skemë disfate që Lulzim Basha e ka përdorur që nga ardhja e tij në krye të PD-së.

Në ADN-në politike të PD-së ka qenë gjithmonë aksioni, reagimi publik deri dhe përplasja e fortë në rrugë dhe në Kuvend me qeverinë. Pavarësisht të metave që ka kjo sjellje politike, fakti është se PD-ja në të kaluarën ka arritur të ketë sukses vetëm prej shpirtit përballës me qeverinë.

Në pesë vite që drejton Partinë Demokratike Lulzim Basha nuk mbahet mend për asnjë sfidë reale ndaj qeverisë “Rama”. Nuk ka ftuar asnjë palë zgjedhje, por mbi të gjitha në vend të dëmtonte qeverinë, në çdo vit të mandatit të tij vetëm sa ka thelluar përçarjen e PD-së. I vetmi moment kur PD nisi rimëkëmbjen ishte fillimi i çadrës opozitare. Në vend që ky aksion të ishte revolucioni i opozitës, Lulzim Basha më “aftësinë” e tij e kthehu çadrën në dështimin më të madh politik të PD. Marrëveshja me Edi Ramën një vit më parë është gafa më e rëndë politike, pasojat e së cilës vazhdojnë ta ndjekin edhe sot Lulzim Bashën.

Po pse Lulzim Basha nuk i çon deri në fund aksionet e PD-së kundra qeverisë? Në muajin nëntor të vitit të kaluar nisi një gjysmë reagimi ndaj qeverisë. Doli disa ditë në protesta dhe në mes të dhjetorit u tha njerëzve që nxori në rrugë: “takohemi pas festave të Vitit të Ri”.

Për reagimin e radhës u kujtua më 27 janar. Pavarësisht se qytetarët ju përgjigjen thirrjes si asnjë herë më parë, mitingu më i madh i opozitës, u mbyll vetëm me fjalimin e Lulzim Bashës. Edhe këtë herë Basha thirri qytetarët, shau qeverinë dhe e akuzoi për krimin, por nuk dha asnjë zgjidhje sesi dilet nga situata dhe çfarë do të bëjë Partia Demokratike. Vrullin e 27 janarit ku qindra mijëra opozitarë vlonin për ta rrëzuar Edi Ramën, ai iu përgjigj: “Faleminderit, tani shkoni në shtëpi!”.

Kulmi i paradokseve të Lulzim Bashës është fushata e fundit opozitare. Në fillim të muajit prill, pas ngjarjeve që ndodhen në Rrugën e Kombit, Lulzim Basha deklaroi me pompozitet se PD shpallte mosbindjen civile.

Mosbindja civile është vendimi thuajse më ekstrem që një forcë politike mund të marrë në një shoqëri demokratike. Basha u duk i vendosur kur e hodhi këtë hap dhe thirri aleatët për të nisur reagimin. Pas disa protestash në rrugët e qyteteve, vet Basha e harroi mosbindjen dhe u paraqit një të enjte në parlament.

Nga mosbindje, fushata e PD u kthye në bindje totale ndaj qeverisë dhe Edi Ramës. Gjithë aksioni i fundit i Bashës u servir si një goditje e ashpër që do ti jepej qeverisë. Ndërkohë mosbindja u harrua dhe sot PD mjaftohet vetëm me deklarata në Facebook, njëlloj si organizatat jo qeveritare që reagojnë për të justifikuar fondet.

Nuk rrëzohet kryeministri Edi Rama me Facebook apo me konferenca shtypi, siç vepron PD. Apo ka një marrëveshje të fshehtë mes Ramës dhe Bashës, duke bërë sikur zihen e shahen, por komunikojnë me sms dhe kanale të fshehta?”, shkruan Lesi në median e tij./TemA

Nikollë Lesi nuk i lë kusur Lulzim Bashës: Frikacak që dridhet nga hija e tij, s’rrëzohet Edi Rama me Facebook Read More »

Skema e korrupsionit dekan –pedagog – student- sekser, policia jep detaje pas arrestimit të 7 personave

Pas arrestimit të dekanit të Fakultetit të Shkencave Humane, shefes së departamentit të gazetarisë dhe 1 pedagogeje, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ka vendosur pezullimin e tyre nga detyra.
Finalizohet operacioni “Dekani”.

Operacioni nga strukturat e D.V.P. Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit. Operacioni me metoda speciale të hetimit prej disa muajsh hetime. Goditet një grup në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, dekan –pedagog – student- sekser në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.

Finalizimi i operacionit mëngjesin e sotëm duke vënë në pranga 7 persona.
Nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan u finalizua me sukses operacioni “Dekani”.

Në kuadër të këtij operacioni pas një hetimi disa mujor me metoda speciale u bë e mundur arrestimi i shtetasve:

1- A.R, 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.

2- E.L, 54 vjeçe, banues në Elbasan, me detyrë Shefe e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”,Elbasan.

3- E.C, 29 vjeçe, banues në Gostime Cërrik, Pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.

4- P.K, 53 vjeç, banues në Elbasan, në rolin e sekserit.

5- A.K, 31 vjeç, banues në Tiranë, në rolin e sekserit.

6- A.N, 51 vjeç, banues në Cërrik, në rolin e sekserit.

7- M.C, 21 vjeç, banues në Gostime Cërrik, student.

Arrestimi i tyre u krye në zbatim të vendimit nr.315, datë 08.05.2018, të Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të parashikuara nga neni 245/1/2 dhe 259 i Kodit Penal, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm, në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve.

Vazhdojnë hetimet për evidentimin e veprimtarisë kriminale edhe ndaj persona të tjerë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Skema e korrupsionit dekan –pedagog – student- sekser, policia jep detaje pas arrestimit të 7 personave Read More »

Skandali CEZ/ Romeo Kara: Pas Ismailajt është rradha e Metës dhe Berishës. Ky është fati i parashkruar i vjedhësve

Gjykata e Apelit ka lënë në burg ish-administratorin e DIA, Kastriot Ismailajn. Ky i fundit u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me 11 vite burg për aferën CEZ-DIA, por nuk u pajtua me vendimin dhe bëri rekurs në Apel. Por ditën e djeshme Apeli vendosi që të lërë në fuqi të njëjtin vendim, duke bërë që Ismailaj të qëndrojë në qeli.

Nga provat e administruara gjatë gjykimit të këtij procesi penal, sipas prokurorisë rezulton se i pandehuri Kastriot Ismailaj, nëpërmjet gënjeshtrës dhe paraqitjes së dokumenteve fiktive, në bashkëpunim me të bashkë të pandehurit e tjerë ka krijuar një mekanizëm të tërë fiktiv, nëpërmjet të cilit ka bërë të mundur vjedhjen e shumës 649, 803, 520 lekë, nga shoqëria “CEZ Shpërndarje”, në vitet 2010-2011.

Reagon Romeo Kara

Mbi vendimin e djeshëm të Apelit ka reaguar për gazetën “SOT” juristi i OSHEE Romeo Kara. Ai është një ndër personat që e njeh Ismailajn dhe ka bërë një padi në prokurori pikërisht për aferën CEZ-DIA.

“Shpreh kënaqësinë që për herë të parë finalizuam me sukses deri në vendimin e formës së prerë, të Gjykatës së Apelit Tirane, luftën dhe përpjekjet për të dënuar një nga mashtruesit më të rrezikshëm që ka njohur Shqipëria. Ky mashtrues ndërkombëtar, në shpirt antishqiptar, krijoi pasoja të rënda në Kongo, por këtu u ndalua në momentin e duhur. Tashmë fitorja jonë pothuaj u plotësua, pas asaj që u fitua në Arbitrazhin e Vjenës, ku u parandalua një humbje prej 170 mln eurove dhe shpalljes debitor të këtij keqbërësi me 9.5 mln euro nga Gjykata Civile e Tiranës. Fitorja do të quhet e plotë, kur në zbatim të vendimit të Gjykatës Civile Tiranë, strukturat shtetërore dhe ato përmbaruese të realizojnë kthimin e kësaj shume në arkën e shtetit, si pronar i vetëm i OSHEE. Të gjithë shqiptarët e ndershëm duhet t’i gëzohen kësaj fitoreje të parë mbi të keqen. I siguroj se nuk do të jetë fitorja e fundit”, tha Romeo Kara.

Akuza Metës dhe Berishës

Juristi Kara deklaroi dje se pas Ismailajt tani është radha e ish-kryeministrit Berisha dhe e presidentit Meta. Sipas tij, edhe ata janë të përfshirë në këtë skandal.

“Nën shembullin e Ismailajt duhet të shkojnë në burg të gjithë mashtruesit, sidomos ata publik, që përdorin politikën dhe pushtetin për të rrjepur pa mëshirë këtë vend e këtë popull. Ismailaj nuk ka qenë i vetëm në aferën e tij, përkundrazi ka pasur bekimin e Ilir Metës dhe Sali Berishës si dhe atë të drejtuesve të “CEZ-Group” dhe “CEZ-Shpërndarje”.

Të shpresojmë, që kjo ngjarje të ndikojë sadopak në afrimin e ditës kur këta bajlozë të korrupsionit do të marrin dënimin e merituar, shoqërinë e Ismailajt në burg si dhe konfiskimin e të gjithë pasurisë së tyre. Shpresoj që fatin e tij të kenë sa më shpejt të gjithë ata që janë të ngjashëm me të, pavarësisht se kujt gajde partiake i bien. Shpresoj gjithashtu që të gjithë të babëziturit, që administrojnë asetet publike, ta kuptojnë më në fund se, ky është fati i parashkruar i vjedhësve”, tha ai. Romeo Kara pak kohë më parë ngriti një padi penale ndaj Berishës dhe Metës po për aferën CEZ-DIA, por deri më tani nuk ka pasur asnjë zhvillim nga prokuroria

Skandali CEZ/ Romeo Kara: Pas Ismailajt është rradha e Metës dhe Berishës. Ky është fati i parashkruar i vjedhësve Read More »

BE-BERZH ”hapin thesin”, 35.5 milionë euro për ndërtimin e dy linjave hekurudhore në Shqipëri

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe Bashkimi Europian kanë bërë publik lajmin e mire për shqiptarët. Sipas tyre do të financohen 35.5 milionë euro për përmirësimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës.

Përveç kësaj linje hekurudhore, po ashtu do të ndërtohet edhe një linjë tjetër hekurudhore Tiranë-Aeroporti Nënë-Tereza. Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit, DG NEAR, Christian Danielsson, si dhe Drejtori i i zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Tiranë, Matteo Colangeli do të prezantojnë edhe projektin.

Më datë 24 shkurt të këtij viti Këshilli i Ministrave miratoi marrëveshjen e grantit, ku më pas iu kalua Kuvendit për diskutim dhe votim. Përmes këtij projekti synohet rehabilitimi dhe modernizimi i linjës hekurudhore me standardet e Bashkimit Europian.

BE-BERZH ”hapin thesin”, 35.5 milionë euro për ndërtimin e dy linjave hekurudhore në Shqipëri Read More »