Aurora

Mjeku Kalo krah Ndrenikës: Me shëmbien e teatrit ra edhe “perdja e teatrit politik” për mbrojtjen e tij si gjoja “vija e kuqe”

Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo, ka deklaruar se me rënien e Teatrit Kombëtar ra edhe “perdja e teatrit politik” e disa partive politike.
Në një reagim Kalo i cili ka publikuar edhe një fotografi me aktorin e madh Robert Ndrenika, thekson se “mjekët janë shumë të lidhur shpirtërisht me artin dhe artistët”.
“Mantelbardhët janë të lidhur shpirtërisht dhe mjaft të ndjeshëm për artin skenik e atë figurativ, si dhe miq të përkorë me artistët e piktorët…Janë të lidhur shumë dhe “konsumatorë” të uritur të letërsisë e shkruesve të saj…Muzika ishte është dhe mbetet një ushqim i përjetshëm, i shpirtit të tyre mjaft të ndjeshëm dhe human….Teatri si ngrehinë u shemb më 17 Maj 2020 pavarësisht përpjekjeve pa fund përmbi 2.5 vjeçare të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrin për ruajtjen e tij…..Kjo datë shënoi njëkohësisht edhe “rënien e perdes së teatrit POLITIK” nga disa parti politike për mbrojtjen e tij, si gjoja “vija e kuqe” e fundit e Demon-kracisë”.
“Një datë e tillë nuk ndikoi aspak dhe nuk e cënoi miqësinë time mbi 40 vjeçare me kolosin e Teatrit dhe të Kinematografisë Shqiptare, Artistin e Popullit Robert Ndrenika, përkundrazi….kurrë të mos heqim nga mendja se miqësitë pa interesa meskine partiake, bazuar vetëm në ndjesitë shpirtërore dhe në respektin reciprok, u rezistojnë gjithmonë kohërave dhe lëkundjeve të këtyre interesave”, shprehet Kalo./atsh

Mjeku Kalo krah Ndrenikës: Me shëmbien e teatrit ra edhe “perdja e teatrit politik” për mbrojtjen e tij si gjoja “vija e kuqe” Read More »

COVID-19/ Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi rezultuan të efektshme

“Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi për parandalimin e përhapjes së COVID-19 rezultuan të efektshme dhe pasojat në humbjen e jetëve njerëzore minimale”, shprehet kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në një letër urimi dërguar kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajović, me rastin e Ditës së Pavarësisë.

“Me rastin e 21 majit, Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi, Ju dërgoj urimet e mia më të ngrohta. Shpallja e pavarësisë së Malit të Zi ishte një arritje e madhe popullit malazes drejt mirëqenies dhe të ardhmes së tij, konsolidimit të institucioneve demokratike dhe avancimit të rolit e kontributit për zhvillimin, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, është shprehur Ruçi.

“Muajt e fundit të dy vendet tona janë përballur me rrezikun dhe pasojat e pandemisë së COVID-19. Kuvendi i Shqipërisë dhe unë personalisht kemi ndjekur përpjekjet e mjekëve dhe sistemit shëndetësor të Malit të Zi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit si edhe masat e Qeverisë për të rimëkëmbur ekonominë e dëmtuar nga pandemia. Për fat të mirë, në të dy vendet tona masat rezultuan të efektshme dhe pasojat në humbjen e jetëve njerëzore minimale. Unë jam i bindur se vendet tona, Europa dhe gjithë njerëzimi do të çlirohen së shpejti nga pasojat e pandemisë dhe do t’u kthehen gëzimeve të jetës”, ka theksuar Ruçi.

“Shpreh gjithashtu bindjen se bashkëpunimi i suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Malit të Zi do të rifillojë dhe kam kënaqësinë t’Ju ftoj për një vizitë në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Ju”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në letrën e urimit që i ka dërguar Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajović, me rastin e Ditës së Pavarësisë./atsh

COVID-19/ Masat e marra në Shqipëri dhe Mal të Zi rezultuan të efektshme Read More »

Albpetrol i rikthehet prodhimit të naftës, përfundon me sukses remonti në Pusin Cakrani

Albpetrol njofton se është gati t’i rikthehet prodhimit të naftës, pas përfundimit me sukses të remontit në Pusin Cakrani-34.

Pas një pune voluminoze, ekipet e specializuar të Albpetrol sh.a kanë kryer me sukses remontin e programuar në Pusin Cakrani-34.

Testimet e para të pusit kaluan me sukses duke bërë që pusi të jetë gati për t’u rivendosur në punë me kapacitet të plotë.

Albpetrol sh.a zhvillon aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit si dhe në disa blloqe kërkimi, të cilat janë në administrim nga kjo shoqëri, vete ose është pale në Marrëveshjet Hidrokarbureve me kompanitë të tjera (pasi te Licencohet nga Ministria përgjegjëse për hidrokarburet për kalimin e një pjese ose të gjithë të drejtave tek një person juridik), sipas të drejtave dhe detyrimeve të përcaktuar nga legjislacioni që menaxhon aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbure në Republikën e Shqipërisë./atsh

Albpetrol i rikthehet prodhimit të naftës, përfundon me sukses remonti në Pusin Cakrani Read More »

Lleshaj: Mjeranë udhëhumbur kujtojnë se ende Policia vepron me urdhra sipas modeleve të mbrapshta që kanë në kokat e tyre

“Policia e Shtetit e ka kryer këtë detyrë shumë mirë gjatë kësaj periudhe. Urdhri” i saj i vetëm është ligji”, deklaroi sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në reagim të akuzave dhe sulmeve ndaj uniformave blu.

Ministri Lleshaj thotë se nuk vendos policia për shembjen apo ndërtimin e teatrit, por zbaton vetëm ligjin.

“Po. Tek policët qytetarët duhet të shohin Ministrin e Brendshëm. Oficerët e policisë mbajnë në uniformë simbolet e Republikës, kanë atributet e zbatuesit të ligjit, kanë përgjegjësi dhe mbrojtje të veçantë ligjore. Për këtë arsye, tek ata duhet ta shohim Ministrin, madje edhe më shumë duhet të shohim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtuesit e tjerë të saj. Edhe shoqëria jonë mund të shohë tek polici diçka nga vetja. A nuk janë ata, në fund të fundit, një pjesë e saj? A nuk edukohen ata në familjet tona, në shkollat tona, në forumet tona publike?” – tha Lleshaj.

“Unë për vete e kam pranuar këtë sfidë të identifikimit edhe me policët e Shqipërisë. Dhe nuk jam zhgënjyer prej saj. Përgjatë një viti tektonikash politike dhe gjeologjike, por edhe gjatë muajve të një flame që gjunjëzoi planetin, ata kanë qëndruar në këmbë, në shërbim. Të heshtur, profesionistë, patriotë, trima, humanë, plot privacione dhe probleme, modestisht të trajtuar ata kanë mbajtur barrë të mëdha për të gjithë ne”, – shprehet ministri.

“Kur të gjithë sistemoheshin në këndet e shtëpive të tyre, për të ndjekur nga TV “ndeshjen” e radhës të politikës së rrugës, ata rreshtoheshin përballë batareve të molotovëve dhe kapsollave, kur të gjithë interesoheshin për më të dashurit e tyre gjatë tërmetit, ata kujdeseshin për të tjerët, kur të gjithë mbylleshin në shtëpi me familjen për t’iu shmangur valës së pandemisë, ata ishin në zemër të vorbullës së saj”, – shton Lleshaj.

“Ata e lënë përherë familjen, kur të tjerët rendin drejt familjeve të tyre në ditë të vështira. Pavarësisht kushteve, ata kanë arritur të sigurojnë parametra të sigurisë dhe rendit publik, që janë më të mirat në historinë e vendit dhe shumë pranë mesatareve europiane; kanë arritur të fshijnë njolla të mëdha nga portreti i Shqipërisë; kanë kontribuar thelbësisht që vendi të bëjë hapa të rëndësishëm drejt Europës”, – vijon Lleshaj.

“Dhe në fakt janë po ata që kanë qenë edhe dje edhe pardje. Megjithatë diçka ka ndryshuar. Rrënjësisht. Dhe Policia e Shtetit ka funksionuar. Plotësisht. Dhe një ndër arsyet themelore për këtë është fakti se ajo nuk vepron me urdhra, por vetëm me ligje”, – tha Lleshaj.

“Mjeranë udhëhumbur kujtojnë se ende Policia vepron me urdhra, sipas modeleve të mbrapshta që kanë në kokat e tyre të mallkuara nga totalitarizmi. Në fakt, policia sot nuk merr urdhra për veprimet e saj operacionale. Jo. Ministri i Brendshëm nuk jep urdhra për veprimet operacionale”, – thekson Lleshaj.

““Urdhri” i saj i vetëm është ligji, përballë të cilit ajo duhet të jetë thjesht e verbër, për të mos bërë interpretime të tipit: ky është me rëndësi, ky është përtej ligjit, ky është mbi ligjin, ky është vetë ligji, ky është antiligji. Atë ditë që ne do t’i kërkojmë policisë që të bëjë vetë interpretime të ligjit, atë ditë vendi nuk ka më ligj”, – thekson Ministri i Brendshëm.

“Nga ana e tij, Ministri kujdeset që, së pari të japë me shembullin e tij një model të mirë të ushtrimit të përgjegjësisë publike, së dyti që policia të udhëhiqet drejt një kursi transformimi dhe modernizmi dhe, së treti, që ajo të mbikëqyret gjatë plotësimit të misionit të saj ligjor në përputhje me interesin publik, ligjet dhe Kushtetutën”, – vijon Lleshaj.

“Ka pasur këto ditë disa “skifterë” të shkretë, që e kanë kërkuar tek policia shënjestrën e tyre, duke harruar se ajo nuk vendos, as për ndërtimin dhe as për shkatërrimin e ndërtesave. Ka pasur disa syresh që nuk e kanë kursyer as dorën frikacake për të goditur ndaj vajzave dhe djemve të policisë”, – shton Lleshaj.

“Dhe pasi hedhin gurin, pasi mbarojnë me kapitullin e thirrjeve për revolucion e gjak, kalojnë paturpësisht tek ai i të drejtave të njeriut. Bërtasin si shpirtra të këqij për të drejtat e veta edhe përballë policëve, a thua se këta të fundit nuk janë njerëz, nuk janë qytetarë dhe nuk kanë të drejta. Bërtasin pikërisht ata që nuk kanë pasur asnjë grimë turp e asnjë grimë humanizëm, kur kanë përshëndetur derdhjen e gjakut nga armët e shtetit në 2011. Pikërisht ata skutha, të pabesë e të pa Zot”, – tha ministri i Brendshëm.

“Njëri prej këtyre shprehej edhe kundër Ambasadës së SHBA, kinse ajo nuk paska mbajtur qëndrimin e duhur për shembjen e teatrit dhe ankohej se Amerika interesohet për vijimësinë e Shtetit Shqiptar!!! Po! Fatkeqësisht po! Shqetësimi i tij ishte vijueshmëria e Shtetit Shqiptar”, – thotë Lleshaj.

“Në të vërtetë, shqiptarët i janë përjetësisht mirënjohës Amerikës, pikërisht për këtë qëndrim “të ngurtë” dhe që nuk ndryshon kurrë, në mbështetje të vijimësisë së Shtetit Shqiptar, tashmë pjesë edhe e NATO-s”, – tha Lleshaj.

“Përgjatë tri dekadave të fundit ka pasur shumë tentativa për ta ndërprerë këtë vijimësi shtetërore, për t’i rrëzuar institucionet në emër të demokracisë. Kjo lojë tinëzare, e veshur me një mantel të rremë sloganesh “demokratike”, për fat të keq, ka dhënë edhe rezultate katastrofike”, – vijon Lleshaj.

“Vijueshmëria e Shtetit Shqiptar, që në terma konkrete është vijueshmëria e institucioneve të tij, është interesi kombëtar numër një i shqiptarëve. Kontributi maksimal e pa kushte për këtë është detyra e çdo shqiptari, polici, ministri, kryeministri a presidenti.”,- shton Lleshaj.

“Policia e Shtetit e ka kryer këtë detyrë shumë mirë gjatë kësaj periudhe. Ajo nuk është tërhequr, dhe as nuk është stepur përballë tentativave të rrezikshme kundër institucioneve të Shqipërisë. Dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë edhe më mirë, ndonëse ka po ata policë, që dikur edhe nuk kanë mundur ta bëjnë siç duhet detyrën e tyre”, – thekson Lleshaj.

“Ka jo pak vetë që pyesin se si është e mundur kjo? Si është e mundur që të njëjtat struktura, me të njëjtit njerëz, që dikur shpërbeheshin, sapo të fillonin goditjet e para nga grupet e keqpërdorura, sot funksionojnë dhe bëjnë detyrën, pa tejkaluar kompetencat ligjore dhe pa derdhur gjak shqiptari? Është e thjeshtë përgjigja. Sot ata munden pikërisht sepse urdhrat nuk i marrin nga partia nëpërmjet ministrit, por nga Shqipëria nëpërmjet ligjit”, – përfundon Lleshaj. /atsh

Lleshaj: Mjeranë udhëhumbur kujtojnë se ende Policia vepron me urdhra sipas modeleve të mbrapshta që kanë në kokat e tyre Read More »

Nga zgjatja e orarit në “zonat e kuqe”, deri te heqja e autorizimeve të lëvizjes, Rama publikon masat lehtësuese

Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se edhe Fieri tashmë do jetë në “zonat e gjelbra” dhe nga nesër këto zona nuk do kenë kufizim orari.

“Nga nesër për javën në vazhdim, në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë Fieri kthehet në ‘zonë e gjelbër’. Hiqet krejtësisht fasha orare e lëvizjes në ‘zonat e gjelbra’. Fasha orare e lëvizjes në ‘zonat e kuqe’ zgjatet deri në orën 21:00. Hiqen në të gjithë vendin autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve apo automjeteve”, – tha Rama.

“Vazhdon të jetë e ndaluar hyrje-dalja e automjeteve në ‘zonat e kuqe’. Qeveria do të ndryshojë nesër Aktin Normativ për heqjen e ndalesës së studiove televizive për të ftuar jo më shumë se një person. Do të mbetet vetëm kushti që të ftuarit të vendosen në distancë 2 m nga njëri-tjetri”, – shprehet Rama.

“Miq, me heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu! Ju lutem bëni më të mirën tuaj, si deri tani, dhe kujdes në mënyrën më të veçantë më të moshuarit e të sëmurët në familjet tuaja, të cilët duhet të vetëkufizojnë daljet maksimalisht”, – thekson Rama.

“Masa 14-ditore për të vetëkarantinuarit nuk ndryshon dhe shkelja e saj ndëshkohet nga ligji dhe Kodi Penal”, – përfundoi Kryeministri./atsh

Nga zgjatja e orarit në “zonat e kuqe”, deri te heqja e autorizimeve të lëvizjes, Rama publikon masat lehtësuese Read More »

Balla: Shqipëria do ketë shumë shpejt një Teatër të ri Kombëtar dinjitoz

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaron se Shqipëria do të ketë shumë shpejt një Teatër të Ri Kombëtar dinjitoz.

Balla thekson se ,”ne dhe brezat e aktorëve e regjisorëve pas nesh meritojmë një Teatër dinjitoz, që të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe publikut teatërdashës”.

“Siç thanë aktorët dhe regjisorët: “nuk përballojmë dot më as edhe një kokërr loti krokodili në mexhelis për teatrin tonë! 50 vjet në atë ndërtesë-karantinë dhe të harruar nga politika na dalin e na teprojnë! Ne dhe brezat e aktorëve e regjisorëve pas nesh meritojmë një Teatër dinjitoz, që të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe publikut teatërdashës”.

“Shqipëria do të ketë shumë shpejt një Teatër të ri Kombëtar dinjitoz”, tha Balla./atsh

Balla: Shqipëria do ketë shumë shpejt një Teatër të ri Kombëtar dinjitoz Read More »

Basha thirrje qytetarëve: Dilni protestoni

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu bashkua protestës në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në afërsi të Ministrisë së Brendshme.

Basha në daljen e tij për mediat ka theksuar se qytetarët e Tiranës duhet të ngrihen përballë këtij “regjimi”, ndërsa shtoi se grupi parlamentar i PD dhe organet drejtuese të PD do të jenë shumë shpejt në një takim për të marrë vendime të rëndësishme.

“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës që të njohin një të drejtë, të drejtën e tyre legjitime për t’u përballur me këtë regjim palaçosh e kriminelësh dhe të shpërfillin çdo gjë tjetër, që s’ka bandit si Edi Rama që t’jua heqë”,- theksoi Basha.

“Ka shumë pak banditë në dispozicion të regjimit për tu përballur me zemërimin e popullit që po fryhet çdo ditë me më shumë. Sot jemi këtu, për të dhënë një mesazh të qartë që PD e Lulzim Basha dhe opozita është këtu”,- shtoi Basha.

I pyetur nga një gazetarë se vendi po kalon një periudhë pandemia dhe lëvizja është e kufizuar, Basha theksoi se, “këtu po bllokohet demokracia, është mohuar buka e gojës. Ky regjim nuk njeh ligj, prandaj duhet vetëm përballje, kushdo tjetër që mendon ndryshe është vetëm një patericë e regjimit. Sa të jetë e nevojshme do të jem këtu. Prej 24-orësh non stop jemi në përballje me këtë regjim gangsterësh. Opozita e bashkuar ka dhe organet drejtuese të PD do vijojnë me një mbledhje të jashtëzakonshme të PD ku do merren vendime. Edhe një njeri të ngrihet përpara padrejtësisë është protestë kombëtare. Ramavirusi është virusi më i tmerrshëm se koronavirusi i ri”,- tha Basha.

“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, rinisë të derdhet në rrugët e Tiranës sonte, është nata për të treguar se Tirana nuk blihet, por ngrihet. Asgjë nuk është koronavirusi përpara Ramavirusit”,- tha Basha./atsh

Basha thirrje qytetarëve: Dilni protestoni Read More »

Aktorja Eni Jani përgënjeshtron Aleancën: Kam firmosur për ndërtimin e Teatrit të Ri, mos keqpërdorni emrin tim

Aktorja e njohur Enerjeta Jani Fuga ka përgënjeshtruar listën e shpërndarë nga Aleanca për Teatrin sipas së cilës ishte edhe emri i saj kundër prishjes së godinës së teatrit duke e konsideruar si të pavërtetë.

Aktorja e njohur që numëron me dhjetra role në skenën e teatrit, thotë se është pro godinës së re të teatrit dhe ka firmosur vetëm peticionin drejtuar Presidentit dhe krerëve politikë, ku kerkohet hapja e rrugës se ndërtimit të nje teatri te ri.

“Unë jam shprehur që në fillim që jam për një Teatër të rI. Procesi i teatrit të ri ka kaluar shumë faza dhe mund të jetë arsye që kolegët e mi të jenë keqkuptuar apo kanë keqpërdorur emrin tim. Unë mbrëmë kam firmosur dhe e theksoj përsëri që jam për teatër të ri”, thotë aktorja Enerjeta Jani Fuga./atsh

Aktorja Eni Jani përgënjeshtron Aleancën: Kam firmosur për ndërtimin e Teatrit të Ri, mos keqpërdorni emrin tim Read More »