Aurora

U vëtëvar në burgun e Vaut të Dejës, shefi i komisariatit bën deklaratën e fortë: Shumë mirë që vrau veten

47-vjeçari nga Shkodra, Ardjan Kallami pak ditë më  parë i dha fund jetës duke u vetëvarur., por nga ana tjetër, vajza e tij Romina kërkon drejtësi.

Por shefi i Komisariatit të Vaut të Dejës, Paulin Çuni për emisionin Fiks Fare u shpreh: Shumë mirë që vrau veten. Ministria e Brendshme shkarkoi drejtuesit e komisariatit pas ngjarjes, ndërsa vijojnë hetimet.

Bisedë me shefin e komisariatit, Paulin Çupi

Shefi komisariatit – Problem me atë është, person i shoqëruar pas një ngjarje që ka ndodhur në momentin e flagrancës. I është marrë deklarim, është pyetur dhe është lënë i lirë. Pasnesër, pas dy ditësh, ka ardhur vetë. Ka kërkuar takim me mua, e kam prit në takim. Ka qëndruar rreth 25 minuta dhe ka dalë i lirë, ka ikur në shtëpi.

Gazetari – Ai ka firmosur një deklaratë, shkrimi i vetë është ky këtu?

Shefi komisariatit – Jo, jo. Ka shprehur dëshirën, ku ka kërkuar…

Gazetari – Kush e ka shkruar.

Shefi komisariatit – Ku ka kërkuar për dy ditë…

Gazetari – E ke shkruar ti?

Shefi komisariatit – Jo more, s’e kam shkruar unë.

Gazetari – E ka shkruar një punonjës policie?

Shefi komisariatit – E kanë shkruar këtu, s’e e kanë kërkuar t’a shkruar. Shkrimi është i një punonjësi të policisë.

Gazetari – Ai (viktima) dinte të shkruante?

Shefi komisariatit – Jo. Na ka kërkuar, nuk di me shkru, është ky kusht që ju jap. Më jepni aq kohë që t’ju bie materialet, e mbarojnë këtë punë. Shkrimin e kemi deklaruar, punonjësi i policisë e ka deklaruar që unë e kam bërë shkrimin

Gazetari – Ka dhe një filmim, kishte bërë dhe një filmim.

Shefi komisariatit – Jo, nuk ka filmim fare.

Gazetari – Ka 17 minuta. Ka filmuar, të gjithë ngjarjen.

Shefi komisariatit – Jo, s’ka filmuar. Ka tentuar. Ka ardhur dhe ka kërkuar takim me mua. Dhe ka ardh, kjo tregon se është diçka e inskenuar, e përgatitur nga ata. Dhe ka hyrë në territorin tonë, këtu, në ambientet e komisariatit me telefonin gati për inçizim.

Gazetari – Është kontrolluar banesa?

Shefi komisariatit – Po, normal.

Gazetari – Me çfarë urdhri?

Shefi komisariatit – S’ka urdhër në kushte flagrance.

Gazetari – Po ça flagrance ishte?

Shefi komisariatit – Po a ishte vjedhja e banesës?!

Gazetari – Po ishte, po duhet një urdhër gjykate, prokuroria për të kontrolluar banesën. Policia është futur…

Shefi komisariatit – Jo zotëri.

Gazetari – Duhet një urdhër…

Shefi komisariatit – Në kushte flagrance nuk ka urdhër.

Gazetari – Po s’ishte flagrancë, ai s’ishte flagrancë. Aty ishte informacioni operativ. Personi që iu vodh shtëpia nuk akuzoi Ardjanin. Kush u fut?

Shefi komisariatit – Kemi zbatuar…

Gazetari – Kush u fut në shtëpi?

Shefi komisariatit – Policia, forcat e policisë.

Gazetari – Me urdhër?

Shefi komisariatit – Me urdhër të Kodit të Procedurës Penale.

Gazetari – Në këtë rast, ju i jeni futur në shtëpi, i keni kontrolluar banesën. Nuk i keni gjetur asnjë gjë brenda në banesë.

Shefi komisariatit – Brenda 10 orëve kam të drejtën ligjore të shoqëroj çdo person për dyshime të mundshme.

Gazetari – Shoqërim po, po jo t’i futesh brenda në shtëpi.

Shefi komisariatit – Po shoqërim është pra.

Gazetari – Po jo t’i futesh brenda në shtëpi.

Shefi komisariatit – Edhe në shtëpi mo. Rri një ditë, rri sot këtu ti. Të më kërcasë një telefonatë që më ka ndodhur një ngjarje dhe hajde pas meje dhe shif çfarë do të bëj unë. Do i futem kujt në banesë apo jo.

Gazetari – Do i futesh në banesë?

Shefi komisariatit – Po, hajde më shif mua ti. Dhe a jam brenda kushteve ligjore apo s’jam.

Shefi komisariatit – U njoftua që u vodh banesa.

Gazetari – Po. E denoncoi personi që ma ka vjedhur Ardjani?

Shefi komisariatit – Ore denoncoi personi që më është vjedh banesa.

Gazetari – Po pra, jo për Ardjanin.

Shefi komisariatit – Jo për Ardjanin, po për Paulinin…

Gazetari – Pse kontrolluat atë pikërisht?

Shefi komisariatit – Unë futem aty ku kam dyshimet e mia. Të gjitha veprimet proceduriale që janë kryer me këtë person, me këtë shtetas, mbaj përgjegjësi të plotë ligjore.

Gazetari – Ka kamera komisariati?

Shefi komisariatit – Jo nuk ka. Ngjarja, i dëmtuari, ose kush merr dijeni për një ngjarje, në moment njofton sallën operative.

Gazetari – Po.

Shefi komisariatit – Më është vjedhur banesa.

Gazetari – Po, e ka vjedhur Ardjani, apo Sokoli?

Shefi komisariatit – Më është vjedhur banesa, thotë qytetari.

Gazetari – Kaq, si vajtët ju te Ardjani?

Shefi komisariatit – Grupi hetimor shkon në vendngjarje, konstaton vjedhjen.

Gazetari – S’i shkuat te Ardjani?

Shefi komisariatit – Grupi hetimor, me urdhrin tim, dhe me urdhër të tyne, ngre grupin hetimor, çon shërbimet e policisë dhe verifikon problemin. Ka vjedhje, s’ka vjedhje. U konstatua se ka vjedhje . Thirr ekspert për të kryer veprimet proceduriale. Atëherë vazhdon pjesa tjetër, kush mund ta ketë vjedh këtë banesë?!

Gazetari – Po, kush pyetet.

Shefi komisariatit – Policia, pyes veten time, shërbimet e mia. Pyes të dëmtuarin në radhë të parë, a ke dyshime, si, qysh tek.

Gazetari – I dëmtuari tha emrin?

Shefi komisariatit – O zotëri, i pyes thash unë, se çfarë më tha ai s’je ta merr vesh ti. Kush e dinte se ai do vari veten, se është gjynah tani.

Gazetari – Po është një ngjarje e rëndë, që ka vrarë veten.

Shefi komisariatit – Ta mbaroj, po ngjarje e rëndë, shumë mirë…

Gazetari – Normale se do japësh shpjegime

Shefi komisariatit – Normale do i përgjigjem unë. Ore shumë mirë se vret veten.

Gazetari – Normale s’e do japësh shpjegime.

Shefi komisariatit – Po shumë mirë.

Gazetari – Si shumë mirë që vret veten?!

Shefi komisariatit – Po do jap versionin zyrtarisht.

Gazetari – Po si shumë mirë që vret veten!

Shefi komisariatit – Shumë mirë ëë.

Gazetari – Shumë mirë??

Shefi komisariatit – Po.

U vëtëvar në burgun e Vaut të Dejës, shefi i komisariatit bën deklaratën e fortë: Shumë mirë që vrau veten Read More »

Perimet që largojnë fryrjen e stomakut

Nëse ka këshillë që pranohet  nga të gjithë ekipet e ekspertëve është që njeriu duhet të hajë sa më shumë perime.

Zakonisht, ekspertët janë të ndarë për vlerat dhe kundërvlerat e yndyrnave apo karbohidrateve, por kur vjen puna tek perimet të gjithë bien dakord se ato janë një nga bazat e një regjimi të shëndetshëm ushqimor.

Perimet përmbajnë shumë fibër.

Gratë, sipas ekspertëve, duhet të konsumojnë të paktën 25 gramë fibër në ditë.

Një racion me brokoli ofron 4 gramë fibër.

Kjo tregon qartë sa shumë perime duhet të konsumojë njeriu në ditë për të plotësuar nevojën për fibër.

Nga ana tjetër, fibra ka edhe një efekt anësor që manifestohet më qartë tek disa njerëz.

Ngrënia e perimeve ka raste që shkakton fryrje në stomak.

Kjo shfaqet kryesisht në momentet kur njeriu kalon nga një regjim ushqimor të pasur me mish dhe yndyrna në një tjetër të pasur me perime.

Për të minimizuar problemet me stomakun, të dhënat të cilave u referohet  AgroWeb.org rekomandojnë përfshirjen graduale të perimeve në regjimin ushqimor.

Me kalimin e kohës, fibra nuk do të shkaktojë më fryrje.

Nëse ju keni një stomak të ndjeshëm, ekspertët rekomandojnë që perimet t’i hani të gatuara.

Një tjetër këshillë e ekspertëve është që të jeni të kujdesshëm në përzgjedhjen e perimeve.

Disa prej tyre kanë shije të shkëlqyer, janë të pasur në vlera dhe nuk shkaktojnë fryrje.

AgroWeb.org gjithsesi ju rekomandon të mos e teproni edhe me sasinë.
Perimet Që Nuk Shkaktojnë Fryrjen e Stomakut
Kastraveci
Kastraveci ofron shumë vitamina dhe antioksidantë.

Nga ana tjetër kastraveci nuk përmban shumë fibër, ndaj gjasat për fryrje në stomak janë minimale.

Për më tepër, kastraveci është hidratues për organizmin.
Shpargu
Shpargu përmban një amino acid që e ndihmon organizmin të largojë lëngjet e tepërta dhe fryrjen.

Megjithatë, me shpargun duhet të tregoni kujdes me sasinë.

Nëse e teproni, do të përballeni me fryrjen në stomak.

Avokado është i pasur me kalium dhe rekomandohet në rastet kur e keni tepruar me kripën dhe ndiheni të fryrë.

Avokado përmban yndyrna të shëndetshme.

Këto yndyrna e ndihmojnë trupin të përthithë ushqyes të tjerë.
Kungujt E Njomë
Shumë perime përmbajnë sheqerna dhe karbohidrate që shkaktojnë gazra dhe fryrje.

Kungujt e njomë kanë më pak nga këto përbërës, ndaj konsiderohen idealë, sipas të dhënave të AgroWeb.org.
Barishtet
Barishtet dhe spinaqi në veçanti përmbajnë shumë vitaminë B që largon ndjesinë e fryrjes.

Barishtet konsumohen të kavërdisura me vaj ulliri dhe limon ose në sallata.
Lakra Turshi
Lakra turshi është e shëndetshme për stomakun dhe përmban shumë probiotikë.

Sigurohuni që ta përgatisni vetë në shtëpi për një rezultat më të mirë dhe kujdes me sasinë.
Domatet
Domatet janë të pasura me antioksidantë dhe konsiderohen një perime që nuk shkakton fryrje.

Megjithatë, reagimi ndaj domates varet nga organizmi i njeriut dhe shëndeti i stomakut./AgroWeb.org

Perimet që largojnë fryrjen e stomakut Read More »

Na ishte dikur – Gurabia e famshme e kuqe nga kohët e kaluara

Gurabiet e dikurshme me sheqer të kuq, apo siç njihen për një pjesë të shqiptarëve “Gurabie 5 lekëshe” janë fantastike me një shije unike dhe tipike shqiptare.

Krahas shijes së tyre të ëmbël dhe të butë, për një brez të tërë shqiptarësh sidomos brezit para viteve ’90 këto gurabie sjellin një nostalgji të veçantë të kujtimeve të fëmijërisë, pasi ishin ndër të vetmet ëmbëlsira me të cilat jo vetëm të vegjëlit por edhe të rritur ëmbëlsoheshin.

Edhe sot, edhe pse pastiçeritë dhe dyqanet e ëmbëlsirave janë përplot të mbushura me ëmbëlsira të shumë llojshme, gurabiet me sheqer të kuq kanë padyshim vendin e tyre dhe mbeten ndër më të preferuarat e shqiptarëve, për shijen dhe kujtimet e dikurshme gjithashtu.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën e veçantë të përgatitjes së këtyre gurabieve krejt lehtë, si një mënyrë fantastike për të sjellë në shtëpi shijen dhe ëmbëlsinë e dikurshme të kujtimeve të fëmijërisë.
Përgatitja e Gurabieve të Kuqe
1 kg miell

500 gr sheqer

2 të verdha veze

2 gota e gjysmë ujë (375 ml)

100-150 ml vaj ulliri ose gjalpë tër tretur

1 lugë kafeje sodë buke
Përgatitja e Kremit të Kuq
Pak ngjyrues të kuq ëmbëlsirash (e gjeni në markete)

1 të bardhë veze

250 gr sheqer pluhur

Përgatitja
Në një tas të madh hedhim miellin dhe sodën e bukës. AgroWeb.org ju udhëzon t’i përzjeni mirë me njëra tjetrën dhe dhe më pas të hapni një gropë në mes ku do të hidhni sheqerin, vajin e ullirit ose gjalpin, të verdhat e vezës.

Përzjeini mirë të gjitha bashkë dhe më pas shtoni ujin.

Brumin punojeni me duar dhe shpejtë. Brumi do të jetë pak i lëngshëm.

E vendosim brumin në tavolinën e kuzhinës, hedhim pak miell dhe e hapim me kujdes përmes një petësi.

Petën e hapim me një trashësi rreth 1.5 cm.

Presim biskotat në forma rrumbullake përmes një thike ose nëse kemi forma ëmbëlsirash.

I nxjerrim nga forma dhe i vendosim në një tavë ku kemi shtruar letër pjekjeje.

Futini të piqen në furrë të parangrohur në 200 gradë përreth 20 minuta.
Përgatitja e kremit të kuq
Në një enë qelqi, AgroWeb.org ju udhëzon të rrihni të bardhën e vezës dhe më pas të shtoni sheqerin pluhur.

Trazojeni me kujdes derisa masa të bëhet e njëtratshme.

Në fund, shtoni nga pak ngjyruesin derisa të arrihet ngjyra tipike e kuqe.

Pasi biskotat të jenë ftohur, lyejini me kremin e përgatitur dhe lërini të ftohet derisa kremi me sheqerin e kuq të ngurtësohet dhe të ngrijë./AgroWeb.org

Na ishte dikur – Gurabia e famshme e kuqe nga kohët e kaluara Read More »

Një caj sherebele kundër mërzisë, ankthit dhe stresit

Në Shqipëri sherebela është një kulturë me shumë rëndësi.
Natyra na ka bekuar me këtë bimë medicinale endemike, duke e pasur me bollëk kryesisht në zonën e Malësisë së Madhe.

Por edhe në malësi të tjeta të vendit të Veriut dhe të Jugut, aq sa dhe e eksportojmë në shumë vende të botës.

Dhe nuk është çudi që amerikanët, gjermanët, francezët apo turqit e duan dhe kërkojnë kaq shumë sherebelën tonë, për shkak të vlerave unike.

Diçka është e sigurt, asnjë vend në botë nuk prodhon këtë cilësi bime, si kjo jona. Sipas burimeve të AgroWeb.org, sherebela shqiptare eksportohet shumë në disa kontinente.

Por kjo duke e lënë tregun vendas pothuajse bosh dhe duke i lënë të apasionuarit e çajit të varen tek bustinat me pluhur çaji të zi apo jeshil apo me gjithfarë shijesh e ngjyrash që vetëm natyrale nuk janë.

Për të mos folur për çajin pudër plot me kimikate aromatike!

Por sherebela mund të gjendet në treg, njëlloj siç gjendet çaji i malit. Me siguri pasi të mësoni mbi vlerat e saj do të nxitoni të gjeni sherebelën e jugut e të veriut.

Sidomos në stinën e verës, preferohet shumë çaji i ftohtë i i sherebelës, i cili përgatitet njëlloj si çaji i malit dhe i nënshtrohet procesit të ftohjes dhe servirjes me akull.

Sherebela ka aftësi anti-inflamatore, antioksiduese and anti-mikrobiale, por gjithashtu ndihmon në hapjen e oreksit.

Për shkak të këtyre cilësive, çaji i sherebelës ka shumë veti të mira shëndetësore, të cilat AgroWeb.org i rendit në vijim.
Efekte antioksiduese
Antioksiduesit shërbejnë si pastrues për të hequr radikalet e lira të metabolizmit dhe toksinat e tjera nga trupi.

Antioksiduesit ndalojnë radikalet e lira që të sulmojnë indet qelizore, duke ndaluar në këtë mënyrë plakjen e parakohshme dhe rrezikun ndaj sëmundjeve të zemrës.

Çaji i sherebelës është për këtë arsye një burim i fuqishëm me antioksidantë. Sipas burimeve AgroWeb.org ndihmon për t’i mbajtur larg efektet shkatërruese të radikaleve të lira.
Parandalon zhvillimin e qelizave të dëmshme
Çaji i sherebelës mund të ndihmojë në parandalimin e disa formave tumorale të qelizave të dëmshme.

Sipas një studimi të publikuar nga “Revista e Bujqësisë dhe Kimisë Ushqimore” përbërësit fenolikë të sherebelës sigurojnë vlera antioksidante, të cilat mbrojnë ADN-në nga dëmtimet në zorrën e trashë.

Ekstraktet e sherebelës sigurojnë riaftësim të menjëhershëm të ADN-së.
Mëlçi më e shëndetshme
Efektet antioksiduese të çajit të sherebelës mund të përmirësojnë funksionet jetësore të mëlçisë.

Një studim i publikuar nga revista “Ethnopharmacology” tregon se çaji i sherebelës u përdor në vend të ujit për 14 ditë. Rezultatet treguan një rritje prej 24% të nivelit të antioksidantëve në mëlçi.

AgroWeb.org ju tregon se çaji i sherebelës gjithashtu tregoi efekt pozitiv në mbrojtjen e lipideve të mëlçisë nga dëmtimet e shkaktuara nga toksinat e mëlçisë.
Ndihmon kundër ankthit
Çaji i sherebelës mund të ndihmojë në reduktimin e ankthit dhe në përmirësimin e humorit.

Në një studim të kryer, një grup të rinjsh të shëndetshëm morën 300-600 miligramë suplemente të gjetheve të sherebelës përpara dhe pasi u bënë pjesë e një testimi për vlerësimin e nivelit të stresit.

Të dyja sasitë përmirësuan humorin. Sasia më e ulët e përmirësoi ankthin përpara testit por jo gjatë tij. Ndërsa sasia më e madhe përmirësoi vigjilencën dhe qetësinë dhe performoi rezultate më të larta të testeve.
Për të mos u neglizhuar
Çaji i sherebelës shkakton kontraktim të traktit urinar dhe këshillohet të mos përdoret tek gratë shtatëzëna.

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, sasi të mëdha të sherebelës mund të shkaktojnë kriza, marrje mendsh dhe rrahje të shpeshta të zemrës.

Nëse vuani nga diabeti, përdoreni vetëm me këshillimin e mjekut.
Të mira plus
Çaji i sherebelës është shumë i mirë për uljen e temperaturës dhe të ftohtët. Po ashtu për zbutjen e acarimit të fytit, dhimbjen e kokës si dhe për problemet e tretjes./AgroWeb.org

Një caj sherebele kundër mërzisë, ankthit dhe stresit Read More »

Sallata e ujit , vlerat dhe vetitë e barishtes unike

Keni dëgjuar për purqarkun, shelpin ose sallatën e ujit?
Kjo barishte shpesh anashkalohet edhe pse është pjesë e së njëjtës familje botanike si ajo e lakrës dhe rukolës.

Ajo ka gjethe të rrumbullakëta të vogla, të cilat gjatë verës prodhojnë gonxhe lulesh bardhoshe me fara të ngrënshme.

Sallata e ujit është kultivuar në Evropë prej shumë e shumë vitesh me rradhë.

Ajo gjendet në Shqipëri më së shumti si bimë e egër e rritur natyralisht.

Kjo barishte përdoret në shumë mënyra në kuzhinë.

Atë mund ta shijojmë si një sallatë të zakonshme me spinaq të freskët, ose në supa.

Duke qenë se kjo barishte rritet pranë vendeve me ujë, ajo duhet të lahet në ujë të bollshëm dhe pastaj të qëndrojë në ujë të ftohtë me një lugë sodë buke për gjysëm ore, që të garantohet heqja e ndotësve, parazitëve dhe papastërtive të tjera.

Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, për freski të mëtejshme, barishten mund ta mbani në ujë dhe ta ruani në frigorifer për dy deri në tre ditë.

Para ngrënies, shpëlajeni sërish dhe ndani gjethet nga rrënja.

Mund të duket punë e gjatë, por ia vlen pasi vlerat e kësaj sallate janë unike.

Vlerat shëndetësore të sallatës së ujit

Sallata e ujit ka pak kalori por përmban një sërë elementësh të shëndetshëm dhe antioksidantë me vlera parandaluese ndaj sëmundjeve.

Gjethet dhe kërcelli janë të pasur me disa elementë që parandalojnë formimin e radikaleve të lira në organizëm.

Vitamina K formon dhe forcon kockat dhe kufizon dëmet në tru.

Sallata e ujit përmban një sasi të madhe të Vitaminës C, 72% të dozës ditore të rekomanduar dhe 64% të vitaminës A.

Vitamina C ka aftësi fantastike për të luftuar infeksionet, të ftohtin, virozat dhe parandalojë mungesën e hekurit.

Vitamina A, që ndryshe njihet si retinol është thelbësore për funksionimin e duhur të sistemit imunitar.

Ajo prodhon pigmentet në retinën e syrit, mungesa e së cilave mund të shkaktojë humbje të shikimit në errësirë.

Përveç antioksidantëve, kjo barishte përmban edhe mangan dhe kalcium, i nevojshëm për kockat dhe dhëmbë të fortë.

Ndërkohë që kompleksi i vitaminave B6 ndihmon në ruajtjen e funksioneve të metabolizmit.

Sallatën e ujit duhet ta kërkoni tek tregjet e fshatarëve sa herë të keni plane për pregatitjen e një sallate shumë të shëndetshme.

AgroWeb.org ju këshillon ta kërkoni me emrin shelp ose purqark dhe mbi të gjitha kujtoni mirë pamjen e saj që të mos blini tjetër për tjetër.

Fakte interesante për sallatën e ujit

Ekpertët kanë identifikuar më shumë se 15 vitamina dhe minerale në këtë bimë.

Ajo përmban më shumë hekur se spinaqi, më shumë kalcium se qumështi dhe më shumë vitaminë C se portokallet.

Sallata e ujit mund të quhet edhe ushqimi i parë i shpejtë.

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë ajo ishte një mjet jetese.

Asokohe, sallata e ujit njihej si ushqimi i një të varfri.

Gjethet përdoreshin për të mbështjellë ushqime të tjera si në rastin e panines, por në variantin më të lirë të saj./AgroWeb.org

Sallata e ujit , vlerat dhe vetitë e barishtes unike Read More »

‘Dhuntia’ e rrallë e 24-vjeçares

“Shqisa” e saj u zbulua kur ajo ishte në moshën 12-vjeçare dhe vizitoi xhaxhain e saj të vdekur.

Një 24-vjeçare australiane pretendon se mund të nuhasë vdekjen.

Ari Kala thotë se ndjen një aromë si të ëmbël kur qëndron pranë një njeriu që do të vdesë së shpejti.

Ari e përshkruan fuqitë e saj psikike si një “barrë”, sepse ajo nuk është në gjendje të shpëtojë jetën e personit që nuhat dhe kurrë nuk i tregon njerëzve që do të vdesin së shpejti, pasi nuk i takon asaj ta bëjë këtë gjë.

“Është një dhunti e padobishme, nuk i ndihmoj dot njerëzit”, thotë 24-vjeçarja.

‘Dhuntia’ e rrallë e 24-vjeçares Read More »

Në qendrën e Veriut të Shqipërisë, aty mes cdo mrekullie që e karakterizon Veriun, gjendet Puka ime!

Ne qendren e Veriut te Shqiperise, aty mes cdo mrekullie qe e karakterizon Veriun, gjendet Puka ime! Nje vend i bukur, qe ka prej dhurate nga Zoti te gërshetuara liqenin e Komanit dhe Fjerzes, bjeshkët e Pukes, ujin e pastër nga kroi, kishat e vjetra katolike, Shpellën enigmatike te Kaurit dhe Shqelit, malet e krekosura dhe pyjet e dendur qe kane furnizuar gjysmën e Shqiperise… Me lini t’ju tregoj qe toka ne shume zona te Pukes, eshte e arte. Ne thellësi eshte e pasur me minerale, krom, azbest, bakër, kauline madje edhe ar, kurse mbi te rriten pyjet e bredhit, pishës, ahut qe kane ndertuar me drru shtëpitë dhe mobiljet shqiptare. Dua t’ju tregoj sa vend i pastër eshte, përveç ujit te pasur qe buron nga kroi, aq i ftohte dhe i lehte saqë mund te pish edhe 2 litra edhe s’do ta vesh re, toka rrit bime kuruese, e fruta mali qe ne qytetet e mëdha une gjej, vec esencat e tyre. Do ju këshilloja te vini, te merrni fryme lirisht, per ta lene smogun, pluhurat dhe pisllëkun kanceroz per ca dite menjane, per tu arratisur nga monotonia e teknologjisë dhe kafeneve alla turke. Ka kaq shume vende te bukura si Bjeshkët e Terbunit,Dardha, Pezhva, Bjeshkët e Krrabit, Shpella e Murgjve pranë Komanit, si edhe shume fshatra turistike te panjohur, qe ndoshta ju si njihni, ca as une jo, e ju bashke me mua nuk keni asnjë faj sepse ka munguar infrastruktura, investimet dhe promovimi. Ne shekullin e 21 ku gjithçka postohet ne median sociale sa prej jush kane pare, e dëgjuar per bukurite e Pukes? Madje, edhe nje kërkim te besh ne google, tek tuk gjen ndonjë informacion, sepse per Wikipedian s’po flas fare me mire… Sa projekte turistike janë zhvilluar? Kush ka investuar valle dhe per çfarë? A do hapet ne Puke ndonjë sezon turistik per ski, per camping, per hiking, alpinizëm per te gjithë këto sportet “moderne” qe vdesim ti zhvillojmë jashtë vendit por ne Shqiperine tone jo? Puka ime eshte e pozicionuar mes maleve, por prej nesh po humbet mes atyre maleve … Ekziston nje hendek i madh mes asaj cka eshte bere per Puken dhe asaj qe duhej bere, dhe ky ngërç ka sjelle dëme ekonomike, rreth 32% te popullsisë eshte e papune, shume banore po i/emigrojnë, por ka edhe disa banore trima qe nuk i tremben varfërisë, e as politikes shurdhe e cila nuk i dëgjoi hallet e popullit qe i dha pushtetin, qe qendrojne ende aty. Puka eshte vendi im, nje vend i cili ka ruajtur kulturën, doket, vallet dhe këngët e saj, ejani te shkojmë ne Puke, te hamë ne sofrat e vjetra, te njohim pak nga kultura e nje zone Shqiptare, te jetojmë nje dite si shqiptare te cilët nuk janë pseudoevropianizuar duke harruar, e here-here përbuzur elementet kombetare… se as Evropa nuk e do nje popull qe s’e di çfarë elementesh unifikues ka qe e bëjnë ate te emërtohet si i tille. Ju garantoj se do uleni ne sofër me burra trima dhe gra zonja, qe bujarinë dhe besnikerine e kane karakteristike, “Ca tkete shpia eshte krejt edhe per mikun!”, Me aq pasuri qe natyra, Zoti ja ka fal, Puka sot duhet te ishte nje vend me mirëqenie te larte… e jo sikurse ndodh, qe fatkeqësisht po e them me keqardhje, nje prej vendeve me te varfra shqiptare… sepse u la pas dore, sepse eshte e fshehur ne veriun shqiptar mes maleve, sepse nuk janë administruar fondet ne te mire te vendit, sepse nuk ka patur politika zhvillimore, e as plane te reja ndërtimi, infrastrukture, turizmi … mjere Puka ime e bukur, se faji ne Shqiperi do mbese jetim perhere! Por shpresoj qe kjo perde e zymte qe i venit këto bukuri, do te nise te largohet per ti dhene ngjyrat e mungura. Neser le mos ti rendemi fajit nga pas, se kujt tja leme e ku ta gjejmë fajtorin, por te punojmë me zemer mbi te gjitha per ta vene ne shërbim cdo diplome, kualifikim, aftësi, deshire dhe ëndërr, per ta pare vendin tone, Puken lozonjare qe qëndron mes qendrës se Veriut Shqiptar, gjithe krenari duke jehuar jete! nga Greta. P .Topjana

Në qendrën e Veriut të Shqipërisë, aty mes cdo mrekullie që e karakterizon Veriun, gjendet Puka ime! Read More »

Lufta kundër bimëve narkotike, në 5 muaj 70 mijë kontrolle

Drejtori i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Gjovalin Loka deklaroi sot se “Policia e Shtetit, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2018, po zbaton me përgjegjshmëri të gjitha masat organizuese dhe operacionale në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët e huaj”.

Në zbatim të këtyre masave në të gjithë vendin, tha Loka, që prej muajit janar deri në fund të majit, janë ushtruar kontrolle intensive për të parandaluar, evidentuar dhe goditur kultivimin e bimëve narkotike, si dhe për të çuar para drejtësisë autorët e kësaj veprimtarie antiligjore.

“Rastet e konstatuara të kultivimit në këto 5 muaj të vitit 2018, janë 23 parcela me 2579 bimë dhe 878 bimë të asgjësuara në kubikë. Dhe për krahasim me vitin 2017, kur Shqipëria doli përfundimisht nga harta e vendeve problematike që kultivonin kanabis, janë 53 parcela më pak, ose rreth 21,500 bimë më pak të kultivuara”, – tha ai.

Që nga ditët e para të vitit, theksoi Loka, Policia e Shtetit ka zhvilluar rreth 70 mijë kontrolle dhe ri-kontrolle masive të territorit, në ambiente të hapura, ish-objekte ushtarake, serra, magazina e shtëpi të braktisura.

Ai tha se të gjitha grupet e kontrollit janë monitoruar nga drejtues të lartë policorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).

Këtë vit, për një kontroll më të plotë të territorit kanë nisur më herët në kohë monitorimet ajrore nga Guarda di Finanza.

“Nga fillimi i prillit deri sot janë kryer 29 misione fluturimi. Misioni ka hartuar 17 raporte monitorimi ajror, por nuk është konstatuar asnjë bimë narkotike e kultivuar. Këto monitorime ajrore do të vijojnë deri në vjeshtë, duke zgjatur periudhën kohore të kontrollit të territorit”, – tha ai.

Ditën e djeshme, në mbarë vendin, 220 grupe kontrolli të Policisë së Shtetit kanë ushtruar 3590 kontrolle.

Policia ka evidentuar 2 raste të kultivimit të narkotikëve, konkretisht 1 rast në pyllin e fshatit Nikël, Krujë, me 23 bimë dhe 1 rast në fshatin Frashër, Përmet në një zonë të pyllëzuar ku u asgjësuan 1800 bimë narkotike.

Në Përmet është arrestuar në flagrancë autori i dyshuar banues në Frashër.

Që nga fillimi i vitit, janë arrestuar 13 autorë të dyshuar për kultivim, 6 shtetas janë në kërkim dhe 5 ndiqen në gjendje të lirë.

Gjithashtu, Policia ka proceduar penalisht 4 persona, administratorë të Njësive Administrative dhe inspektorë të shërbimit pyjor, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.

Në 15 raste, Policia ka zbuluar dhe sekuestruar rreth 21 mijë fara kanabis duke vënë para ligjit personat përgjegjës.

Policia e Shtetit, në zbatim të Planit Kombëtar Antikanabis ka bashkëpunim konstant me agjencitë e zbatimit të ligjit në vend si dhe vijon shkëmbimin e informacionit me partnerët, për goditjen e tentativave të implikimit të grupeve kriminale që operojnë jashtë Shqipërisë në këtë aktivitet kriminal.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është funksional sistemi dixhital GIS-Narkotik, për monitorimin e territorit.

Loka vlerësoi bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe strukturat e tjera shtetërore, bashkëpunuese në këtë luftë.

“Kontributi i partnerëve tanë është i çmuar, e këtu veçoj misionin e Guardia di Finanzas. Gjithashtu vlerësojmë mbështetjen e opinionit të gjerë publik ndaj punës së Policisë së Shtetit për goditjen e këtij fenomeni. Këtë betejë do ta fitojmë të gjithë bashkë, për një të ardhme më të mirë dhe Shqipëri më të sigurt”, – përfundoi ai. /e.malaj/  /a.g/ATSH

Lufta kundër bimëve narkotike, në 5 muaj 70 mijë kontrolle Read More »