Aurora

Vëllai dhe motrat e Azem Hajdarit kërkojnë azil politik në Francë. Kush i ka kërcënuar që u rrezikohet jeta, Berisha apo Haklajt?!

Një ngjarje vërtetë e habitshme po ndodh në shtetin francez ku familjarë të liderit të dhjetorit Azem Hajdari kanë kërkuar zyrtarisht që të përfitojnë azil politik në Francë.
Më konkretisht vëllai dhe motrat e Azem Hajdarit bashkë me familjet e tyre kanë kërkuar azil politik në Francë, ndërkohë që avokati i tyre shprehet i sigurtë se do ta përfitojnë.

Një nga argumentet kryesore që është përdorur nga familjarët e Azem Hajdarit për të përfituar azilin politik në Francë është kërcënimi i jetës së tyre dhe të familjarëve respektivë.

Mbetet mister se nga kush u kërcënohet jeta, ndërkohë që pritet të zbardhet në ditët në vijim një fakt i tillë teksa të botohet e plotë kërkesa e vëllait dhe motrave të Azem Hajdarit për azil politik në Francë.

Pas rikthimit të Izet Haxhisë ish truprojës së Sali Berishës, njeriut që e ka akuzuar fort ish kreyministrin, është deklaruar se do të hapet dhe njëherë dosja Hajdari për tu shqyrtuar nga fillimi pasi e kërkon dhe ligji.

Vlen të theksohen dy elementë kryesorë: Njëra nga motrat e Hajdarit ka qënë shumë aktive gjatë pushimit të Radiotelevizionit shtetëror dhe kryeministrisë më 14 shtator 1998 në grushtin e dështuar të shtetit.

Ishte aq aktive, se dhe në ngujimin një ditor në TV, bënte pilafin në katin e parë për protestuesit, ndërkohë që vëllai i saj Azem Hajdari ende nuk kishte zbritur në banesën e fundit.

Ndërkohë që mister mbetet fakti se përse kanë kërkuar azil politik vëllai dhe motrat e Hajdarit, përderisa bashkëshortja e tij gjyqtare Fatmir Hajdari, vajza deputete Rudina Hajdari dhe djemtë biznesmenë nuk kanë lëvizur nga Tirana.

Për më tepër që nuk kanë bërë me dije ndonjë largim të mundshëm nga Shqipëri, apo ndoshta e mbajnë të fshehur një dëshirë dhe kërkesë të tillë.

Por një qytetar përmes një mesazhi publik këmbëngul se vëllai dhe motrat e Hajdarit kanë kërkuar azil politik në Francë nga frika ose e Berishës ose e Haklajve. Po familja Hajdari?!

“Vertet tallen me Shqipot. Shikoj ne Rrjet se vellai i Azem Hajdarit, motra e familjet e tyre kane hapur kerkesat per Azil Politik ne France.

Avokati i tyre shprehet i sigurt qe familjet e tyre duhet ti siguroje shteti francez por pa dhene detaje se nga kush rrezikohet jeta e familjeve te tyre, nga familja Berisha apo nga familjaret e Haklajve apo dikush tjeter?

Kush eshte motivi qe duan ti eleminojne? A kane kerkuar me pare ndihmen e shtetit te tyre dhe ajo u eshte rrefuzuar?

Behen keto pyetje pasi vete familja e Azem Hajdarit me Fatmira Hajdarin gjyqtare, Rudinen vajzen e saj deputete dhe djalin 19 vjeçar biznesmen te sukseshshem ne Tirane nuk duhen aspak te rrezikuar.

Personalisht mendoj se eshte nje abuzim ekstrem me te drejten nderkombetare te mbrojtjes se jetes.

Kryeministri, Ministri i Rendit z.Xhafa duhet te pergjigjen sepse nese ky eshte rasti ku shteti duhet te paguaje avion te posacem e ti ktheje ne Shqiperi keta abuzues, ashtu si ka kthyer mijera shqiptare vertet te rrezikuar.

Mediat nuk duhet ta kalojne ne heshtje”, shkruan për “Pamfleti” një lexues i rregullt.

Mw parw statusin e azilantit nw Francw e ka marrw djali i xhaxhait tw Azem Hajdarit.

“Pershendetje miqt e mi desha te ndaj me juu Vendimin e qeverse France per mbrojtje politike te familjes Hajdaraj. Flm zotit flm qeveris Frances flm mikut tim Leon Molla per ndihmen juridike zoti juu bekofte gjithe Shqiptarte kudo jane”, shkruan Arben Hajdasri djali i xhaxhait tw Azem Hajdarit.

“Familja Hajdari (djali i xhaxhait të Azem Hajdarit) fiton Statusin Politik në Francë.

I uroj suksese e të mira. Urime z. Arben Hajdari”, reagon avokati Leon Molla./Pamfleti

Vëllai dhe motrat e Azem Hajdarit kërkojnë azil politik në Francë. Kush i ka kërcënuar që u rrezikohet jeta, Berisha apo Haklajt?! Read More »

Bizneset private ”ngrijnë” pagesat mujore për punonjësit/ Cilat janë profesionet e ‘pasura’ dhe të varfëra’

Në vitin 2017, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 48.967 lekë. Kjo shifër, sipas publikimit të djeshëm të INSTAT-it, është 3 për qind më e lartë krahasuar me vitin 2016. Kjo do të thotë se vjet paga mesatare u rrit me 3 për qind. Por realisht, të dhënat tregojnë se rritje kanë pasur pagat e sektorit publik, ndërsa bizneset private i kanë ngrirë pagesat mujore për punonjësit.

Të ndarë sipas kategorive, siç tregohet edhe në tabelë, pagat janë rritur me gati 10 për qind për nëpunësit, nga 47.826 lekë në muaj në vitin 2016, në 50.878 lekë në muaj në vitin 2017. Vjet para fushatës qeveria vendosi të rrisë fort pagat e administratës me justifikimin se kishte 3 vjet pa ia lëvizur pagesën nëpunësve të vet.

Ajo çka bie në sy në tabelat e INSTAT-it është ulja e pagës për drejtuesit, pra, elitën e kompanive dhe qeverisë. Duket se ulja e pagave, pasi INSTAT raporton mesataren, ka qenë më e fortë në sektorin privat, pasi shteti vjet i indeksoi rrogat e larta. Në grupin, “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, pagat u ulën nga 95.961 lekë në muaj në vitin 2016, në 95.380 lekë në muaj në vitin 2017.

Sipas INSTAT-it, “Gjatë vitit 2017, 29,6% e kontribuuesve në kategorinë e të punësuarve me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare”. Paga minimale e lejueshme është 24 mijë lekë në muaj dhe sipas statistikave, gati 1 në 3 të punë- suar paguhet në këtë limit.

PROFESIONET “E PASURA” DHE “TË VARFRA”

Vetëm 6,9 për qind e 1,195 milionë të punësuarve në Shqipëri paguhen mbi 95 mijë lekë në muaj. Profesionet më të paguara që kalojnë pagën 50 mijë lekë në muaj, pra mbi mesataren, janë “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, “Teknikë dhe specialistë në zbatim” dhe “Nëpunësit”.

Në pagat e larta hyn edhe ushtria, me një mesatare prej 58.075 lekë në muaj. Ndërsa profesionet me pagë nën mesataren janë “Punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve”, “Punonjës të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit”, “Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to”, “Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve” dhe “Punëtorë (Profesione elementare)”. Pra, përgjithë- sisht e gjithë kategoria që merret me biznes të vogël apo që nuk punon në shtet, ka një pagë të deklaruar nën mesataren e të gjithë vendit.

Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë 95.380 lekë/muaj Specialistë me arsim të lartë (profesionistë) 66.297 lekë/muaj Teknikë dhe specialistë në zbatim 54.088 lekë/muaj Nëpunësit 50.878 lekë/muaj Punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve 36.844 lekë/muaj Punonjës të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit 29.910 lekë/muaj Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to 33.604 lekë/muaj Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve 34.123 lekë/muaj Punëtorë (Profesione elementare) 28.990 lekë/muaj Forcat e armatosura 58.075 lekë/muaj./Panorama

Bizneset private ”ngrijnë” pagesat mujore për punonjësit/ Cilat janë profesionet e ‘pasura’ dhe të varfëra’ Read More »

“Rally Albania”, promovim të pasurive natyrore dhe turistike të Shqipërisë

Rreth 180 sportistë nga 15 vende të ndryshme të botës do të garojnë nga data 9-16 qershor në edicionin e 14-të të garës më të vjetër në Ballkan “Rally Albania”.

Pjesë e trofeut mesdhetar “Mediterranean Rally Raid Trophy”, i cili përfshin garat e tre shteteve Marok-Greqi-Shqipëri, në “Rally Albania”, sportistët do të konkurrojnë mes tyre në 4 kategori Moto, Quad, Car, Ssv.

Itinerari me gjatësi prej rreth 2000 km do të përshkruaj Shqipërinë Outdoor, për 7 ditë nga veriu në jug, duke startuar në Tiranë dhe në vazhdim në Burrel, Peshkopi, Lurë, Pukë, Fierzë, Bulqizë, Librazhd, Pogradec, Ersekë, Përmet, Gjirokastër, Ksamil, Zagori, Borsh, Berat dhe Elbasan dhe duke prekur pothuajse të gjitha pasuritë natyrore dhe turistike vendase.

Ky aktivitet do të kthehet në një ngjarje promovuese të Shqipërisë, për pjesëmarrësit e huaj dhe jo vetëm.

Këtë vit do të ketë dhe një hapësirë dedikuar fansave të Motoçiklizmit, kjo fan zone do të ngrihet në qendër të sheshit “Nënë Tereza”.

Aty të gjithë dashamirësit do të mund të njihen nga afër me garuesit dhe mjetet, si dhe nën shoqërinë e tingujve të një programi artistik do të mund të kalojnë një mbrëmje mes miqve të motorave.

Ceremonia e hapjes do të organizohet më 9 qershor në sheshin “Nënë Tereza”, më 10 qershor do të jëtë fillimi i garës dhe më 16 qershor do të organizohet ndarja e çmimeve po në sheshin “Nënë Tereza”, Tiranë./k.s/ATSH

“Rally Albania”, promovim të pasurive natyrore dhe turistike të Shqipërisë Read More »

Të eksplorosh bukuritë natyrore shqiptare me biçikletë/Foto

Është një turizëm ekologjik dhe i pavarur nga rrugët, thyerjet gjeografike të terrenit apo distancave të përshkuara.

Turizmi me biçikleta po futet gjerësisht në vendin tonë dhe po praktikohet nga të rinjtë.

Këtë mundësi e japin edhe rrugët e asfaltuara apo shtigjet e hapura posaçërisht për këtë lloj turizmi sidomos në Parqet tona Kombëtare.

Ka nisur në qytetin e Shkodrës në rrugët dhe fshatrat rreth qytetit si Shiroka, Zogaj, Velipojë për t’u ngjitur  drejt lartësive të Shalës dhe Thethit.

Në këto zona, në vitin 2014 u hapën edhe shtigje të posaçme për turizmin me biçikleta.

Më shumë e praktikonin  çekët e polakët si turizëm aventure e më pas edhe vendasit.

Sot, në të Gjitha Parqet Kombëtare janë hapur shtigje për turizmin e biçikletave si në Parkun e Llogarasë, atë të Shebenik-Jabllanicës,Thethit, të Divjakës, Lezhës etj.

Sezoni veror është më i përshtatshmi  për këtë lloj turizmi dhe më i preferuar mbetet në Zonën e Mbrojtur të Shkodrës ku biçikleta si një mjet tradicional i lëvizjes, shfrytëzohet sot si mjet sportive transporti në terrene të vështira.

Turizmi i biçikletave është bërë i preferuari për aventurierët e natyrës. /n.lena/ /a.g/ATSH

  

  

  

Të eksplorosh bukuritë natyrore shqiptare me biçikletë/Foto Read More »

Ura e Kamarës, bukuria mesjetare e Elbasanit / Foto

Ura e Kamarës, monument kulture i kategorisë së I-rë ndodhet mbi lumin Shkumbin.

Ajo është një urë mesjetare e ndërtuar rreth viteve 1715,një tjetër atraksion turistik për turistët vendas dhe të huaj.

Përgjatë javës, specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës realizuan një shërbim në Librazhd, në fshatin Mirakë, për të inspektuar nga afër gjendjen e konservimit të Urës së Kamarës.

Inspektimi kishte për qëllim evidentimin e të gjitha problematikave, për të vijuar më tej me hartimin e projektit të restaurimit, i cili parashikon ndërhyrje mirëmbajtjeje dhe konservuese në urë.

Ura e Kamarës ka pasur disa periudha ndërtimi, dhe gjithashtu gjatë periudhës osmane ka pësuar edhe një rindërtim.

Ajo ndodhet rreth 5 km larg qytetit të Librazhdit, në fshatin Mirakë. Kjo urë është asimetrike, me tre qemerë interesante për nga forma dhe lloji i ndërtimit.

Qemeri i madh i urës ka një hapësirë prej 23 metrash dhe qemeri i djathtë është në formë segmenti rrethor. Ndërmjet tyre ka dritare shkarkuese në formë lundre.

Ura e Kamarës është e gjatë rreth 40 m dhe e gjerë rreth 3.5 m dhe midis tyre ndodhen dritare shkarkuese në formë lundre.

Ura është e vendosur mbi tre qemerë, të ndërtuar me gurë ngjyrë gri në të bardhë si vetë përbërja e malit të Murrashit. Bazamenti për kalimtarët është ndërtuar me një kalldrëm me gurë lumi të rrumbullakët./a.a/ /a.g/ ATSH

    

Ura e Kamarës, bukuria mesjetare e Elbasanit / Foto Read More »

Himara me nënstacion të ri elektrik/Foto

“Nënstacioni i ri elektrik 110/35/20 kV në Himarë është një nga investimet më serioze që janë bërë vitet e fundit në energjetike në gjithë zonën e bregut”, deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Gjatë inspektimit të punimeve në këtë nënstacion elektrik nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, Gjiknuri theksoi se “ndryshimi këtu është thelbësor, pasi mjafton që qytetarët të kujtojnë disa vite para, furnizimi me energji në këtë zonë ka qenë problematik. Këto probleme nuk ekzistojnë më, por ne po i paraprijmë zhvillimeve të pritshme turistike për gjithë zonën e bregut”.

Administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Klodian Gradeci tha se “investimi është pjesë e bashkëpunimit shqiptaro-gjerman, falë mbështetjes me kredi të butë nga banka KFW”.

Duke sqaruar se financimi ka nisur që me ndërtimin e Unazës së Jugut 110 kv, Gradeci sqaroi se “faza e fundit ishin dy nënstacionet, ai i Orikumit dhe Himarës me vlerën 6.3 milion euro. Investimi garanton sigurinë e furnizimit dhe cilësinë e tensionit për të gjithë këtë zonë”.

Ndërsa administratori i OSHEE-së Adrian Çela njoftoi se pas këtij investimi nga OST, kompania e shpërndarjes nis në Shtator ndërhyrjen për rrjetin e ri 20 kV që prek gjithë vijën bregdetare.

“Kemi arritur të garantojmë një sezon turistik normal për të gjithë pushuesit. Ky është viti i tretë që kemi aplikuar dhe njësitë e gatishmërisë. Pra, skuadra speciale nga qytete të tjera të Shqipërisë alokohen gjatë 3 muajve të sezonit nga Velipoja, përgjatë gjithë vijës bregdetare, Durrës, Shëngjin, Golem, Vlorë deri në Sarandë”, nënvizoi Çela.

Çela theksoi se ky investim i paraprin një investimi tjetër të madh që do të nisë Operatori i Shpërndarjes për të cilin puna do të nisë në muajin shtator.

“Është një investim në shifrën rreth 16 milion euro vetëm për zonën e bregdetit ku është Himara, Dhërmiu, Qeparoi, Vunoi, Livadhja, Jala e Palasa do bëhen 7 fidera të rinj”, tha Çela./k.s/a.g//ATSH

  

Himara me nënstacion të ri elektrik/Foto Read More »

Tirana, qyteti i parë në Ballkan që sjell sistemin e biçikletave pa stacion “Mobike”

Pas revolucionit të gjelbër me mbjelljen e mbi 120 mijë pemëve, Tirana është gati të bëhet qyteti i parë në Ballkan që sjell sistemin e biçikletave pa stacion “Smart Bike Share”.

Gjiganti “Mobike”, kompania që zbaton me sukses në shumë qytete të mëdha të botës, si Parisi apo Firence, sistemin e biçikletave pa stacion, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet, këtë javë do të nisë zyrtarisht edhe në Tiranë.

Në Ditën Botërore të Biçikletave, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i “Mobike”, Massimiliano Rubin, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit që sjell në Tiranë 4 mijë biçikleta “Mobike”.

Bashkë me aktivistët e EcoVolis, ata testuan mënyrën e funksionimit të biçikletave të para të ardhura në kryeqytet, ndërsa Veliaj lajmëroi se nga java tjetër në rrugët e Tiranës do të shohim me qindra biçikleta ngjyrë portokalli “Mobike”.

“Mobike është një kompani e cila në Shqipëri do të operojë si një bashkëpunim kinezo-italian. E pamë herën e fundit që ishim në Bashkinë e Firences, ndaj pa humbur kohë, duke parë se edhe shumë bashki të tjera në Holandë kanë futur konceptin e Mobike, jemi gati që javën tjetër të sjellim qindra biçikleta në Tiranë, për ta bërë masive përdorimin e biçikletës në qytetin tonë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se ardhja e biçikletave do të sjellë një ndryshim të vërtetë në Tiranë. Kjo e rendit Tiranën si qyteti i parë në Ballkan që fut një koncept të tillë të lëvizjes së qytetarëve.

“Siç Tirana sjell gjithmonë risi dhe ka qenë e para në nisma të tilla, me ardhjen e Mobike bëhemi qyteti i parë në Ballkan që fusim sistemin e biçikletave pa stacion. Pra, secili me celularin e vet, shkarkon aplikacionin dhe duke skanuar barkodin e biçikletës, mund ta përdorë atë. Gjatë kësaj jave do të bëjmë disa testime, kurse nisjen zyrtare e kemi në datën 8 Qershor. Për të gjithë ata që kanë pritur që teknologjia dhe mobiliteti të transfomojnë Tiranën, ka ardhur dita. Ky është momenti ynë për të transformuar Tiranën me një celular dhe një biçikletë”, theksoi Veliaj.

Aktivisti Ened Mato do të ndjekë ecurinë e sistemit “Bike Share” në Tiranë, tashmë si kryebashkiak i Biçikletave. Gjithashtu, do të mbikëqyrë edhe zgjerimin e rrjetit të korsive të dedikuara për çiklistët, si dhe promovimin e biçikletës tek të rinjtë, si mjeti më i mirë për të lëvizur në një qytet si Tirana.

“Lajmi tjetër i mirë është se Tirana do të ketë një kryetar bashkie vetëm për biçikletat dhe ky është Ened Mato: një aktivist, i cili gjithsesi e bën këtë punë, por tani besoj se ka ardhur koha të kemi dikë me kohë të plotë që të kujdeset jo vetëm për përdorimin e biçikletave, por edhe për korsitë, për mësimin e biçikletave në shkolla, kopshte, e mbi të gjitha të promovojë kulturën e biçikletës. Qyteti ynë ka vetëm një shpëtim: duhet të përqafojmë biçikletën, nuk mund të jemi robër të makinës. Ndaj, dua t’i uroj Enedit mirë se erdhe në skuadër dhe shumë suksese në këtë sfidë të jashtëzakonshme, të cilën mund ta fitojmë të gjithë bashkë”, tha Veliaj.

Përfaqësuesi i Mobike, Massimiliano Rubin, u shpreh i lumtur për përfundimin me sukses të këtij projekti, i cili e rendit Tiranën krah qyteteve me zhvillim më të madh dhe në thelb ka ruajtjen e natyrës. “Është gëzim i madh për ne që ia dolëm të sillnim biçikletat “Mobike” këtu. Faleminderit kryetarit, stafit të tij që kanë punuar për të mbështetur projektin që synon të “gjelbërtën”, që e prezanton Tiranën si një qytet që po zhvillohet gjithnjë e më shumë, si një qytet inovativ dhe ‘green’”, tha Rubin.

Aktivisti Ened Mato përshëndeti nismat e bashkisë që nxisin përdorimin e biçikletave dhe ftoi të rinjtë që të pedalojnë, si një mënyrë e mirë jo vetëm për të mbajtur trupin në formë, por edhe për të kontribuar për një qytet të pastër.

Për të përdorur biçikletat pa stacion duhet të shkarkoni aplikacionin “Mobike” në celularin tuaj. Regjistrohuni me numrin tuaj të telefonit dhe zgjidhni në hartë biçikletën më të afërt. Më pas, me anë të telefonit, bëni skanimin e “barcode” të biçikletës dhe nga ky moment mund ta përdorni atë në qytetin e Tiranës./k.s/ /a.g/ATSH

Tirana, qyteti i parë në Ballkan që sjell sistemin e biçikletave pa stacion “Mobike” Read More »

Korça çel sezonin turistik me paradën madhështore të Karnavaleve

Për të 11-tin vit radhazi, Korça ka çelur sezonin turistik me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve.

Korça e njohur për Karnavalet e famshme, e ka shndërruar këtë traditë në një nga festat më të bujshme të qytetit.

Grupe korçare, por dhe  të ardhur nga qytete të tjera e nga jashtë vendit pushtuan bulevardin e Korçës, duke parakaluar me madhështi në një paradë ku çdo pjesëmarrje shoqërohej me nga një fabul.

Personazhet e përrallave, ata mitik dhe të jetës reale sollën përmes paradave shumëngjyrëshe atmosferë fantastike që tërhoqi vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

28 grupe të përbërë kryesisht nga të rinjtë marshuan në rrugët e qytetit juglindor ku si çdo vit nuk munguan ballot me maska si dhe serenatat tradicionale korçare.

  

   

Kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo tha se investimet e bëra në qytet do të rrisin numrin e turistëve vendas e të huaj.

Filo tha se ky është një festival ndërkombëtar pasi përveç grupeve të qytetit, pjesë e karnavaleve janë bërë edhe grupe nga Maqedonia, Bullgaria dhe Brazili.

Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve 1940, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Kjo festë u ndërpre rreth viteve 60 për të rinisur pas viteve ‘90.

  

  

  

Korça është një ndër qytetet e para që rizgjoi traditën e karnavaleve duke krijuar në vitin 1992 Shoqatën e Karnavalit si pjesë e Shoqatës Kombëtare të Karnavalit Shqiptar. Në 10 Prill të vitit 1994, në Korçë organizohet Festivali i Parë Ndërkombëtar i Karnavalit në Shqipëri.

Një vit më pas organizohet Festivali i dytë Ndërkombëtar i Karnavalit me përmasa akoma më të mëdha. Që nga ky vit dhe deri në vitin 2008, grupi i Karnavaleve të Korçës është përfaqësuar në një sërë festivalesh ndërkombëtare të organizuara në vende të ndryshme europiane. /a.g//ATSH

 

Korça çel sezonin turistik me paradën madhështore të Karnavaleve Read More »