Aurora

Partia e 8 Dhjetorit, “çiflik” i bijëve të partisë së 8 Nëntorit

Nga PD e ‘90-ës ka mbetur vetëm Saliu me Tritanin, nga KOP i 2005-ës ka mbetur vetëm Luli me 3 “ushtarë”
Janë bërë shumë komente e analiza të shumta në media, po debatohet përditë në mjediset publike e politike, se përse PD e drejtuar zyrtarisht nga Lulzim Basha në këto 5 vite, është katandisur në atë farë derexheje, sa specialistët, inteligjenca dhe qytetarët e thjeshtë, deklarojnë se e kanë për turp të anëtarësohen në këtë parti “çiflik privat”, të uzurpuar dhe përdorur nga një “çetë” indivdësh me lidhje zullumesh në këto 26 vite, me trashëgimi familjare postesh deputeti e partiake, ku të puthin vetëm për vota e protesta, por nuk të përfill askush as kur i përshëndet!

PD-ja është tashmë një parti e 240 mijë anëtarëve dhe mbështtësve që e kanë braktisur në zgjedhjet lokale 2015 dhe zgjedhjet parlamentare 2017, duke firuar çdo ditë e më tepër ky numër, “hemoragji” që e tregoi edhe protesta e 26 majit 2018. PD është parti, që sa merr pushtetin, krijon rrjetën nepotike në administratën publike, duke bushur zyrat me ata që dinë zhavtin e t’u çojnë lekë shefave!

PD është parti, që prej 15 vitesh nuk mbledh dot asnjë qindarkë kuotë anëtarësie, madje as vetë Saliu, Luli, Muli, Salinaji, Balliu e Mziu nuk e paguajnë këtë detyrim statutor. PD është parti, që gazeta e saj “RD” shitet vetëm 70 copë në ditë në gjtihë Shqipërinë, ndërkohë që PD-ja e Lulit ka 25 anëtarë kryesie, 220 anëtarë të Këshillit Kombëtar, 43 deputetë, 24 koordinatorë, 13 shefa departamentesh, 14 kryetar e punonjës bashkie, me qindra këshilltarë në pushtetin lokal dhe 1275 drejtues e të zgjedhur të PD në rrethe, të cilët nuk lexoj as gazetën e partisë së tyre!

PD e Lulit u “vyshk” shumë shpejt si frymë politike, degradoi si program, degjeneroi si lëvizje partiake, u bë komike si opiztë. Shak është uzuprimi dhe monpolizimi i kësaj partie 23 vjet prej familjes “Berisha” dhe prej 5 vitesh falur familjes së Lulit, si trashëgimi vetëm me letra! PD e Saliut dhe e Lulit, degradoi mbasi ajo u krhye në “çiflik” privat të tyre dhe çetave të tyre të bindura, që veprojnë vetëm me urdhëra, kundrejt shpërbilmeve me poste e mandate deputeti!

Në momentin e dorëheqjes së Saliut në qershor 2013, u mendua se PD do të shpëtonte nga “kthetrat” e familjeve komuniste, por nuk ndodhi, mbasi familja komuniste “Berisha”, ia trashëgoi partinë familjes komuniste “Basha”. Për të përligjur aktin e trashëgimisë së PD, Sali shpiku “KOP”-in, duke e futur e bërë Lulin 3 herë ministër, deputetë dhe kryetar bashkie të Tiranës, siç shpiku Ramizi në ’90-ën skemën e “angazhimit të intelektualëve të pavarur nëpër parti”, për të deaantuar Saliun në krye të PD!

Ata që e themeluan PD në dhjetor 1990, u përzunë nga partia me skenar eleminimesh nëpër kongrese, me intriga, presione e dhunë fizike nga “çeta” e Saliut, siç u veprua me Edi Ramën të cilin e masakruan pse shkruante “refleksione” kundër Saliut! Edhe ata që themeluan KOP-in e PD në vitin 2005, u përzunë nga partia me skenarët e kartonit të votave nëpër forume, me kërcënime, intriga, shpërfillje, me emërtime departamntesh e lista deputetësh.

Sot pas 28 vitesh, nga PD e viteve 1990-1991, nga 312 themeluesit ka mbetur vetëm Saliu me Tritanin e prasit të Lushnjës, ndërsa nga 45 themeluesit e “KOP”-it të vitit 2005 ka mbetur vetëm Luli me Florjon Mimën, Albana Vokshin e Fatbardh Kadillin! Sipas ditarit historik, PD quhet partia e idealistëve të 8 Dhjetorit, por u kthye në “bunker” i bijëve të partisë së 8 Nëntorit!/Pamfleti

Partia e 8 Dhjetorit, “çiflik” i bijëve të partisë së 8 Nëntorit Read More »

Saga Fevziu dhe fillimi i fundit i emisioneve tallava

Të ndodhur nën presionin e konkurencës, për të fituar publik, secili zgjodhi një rrugë alternative. Fevziu zgjodhi atë të spektaklit dhe për hir të tij nuk kurseu asnjë parametër profesional. Të gjithë jemi dëshmitarë se pjesa e dytë dhe e tretë e emisionit ktheheshin në një kakofoni ku folësit mbivendoseshin me njëri-tjetrin.
Shkruan Dritan Hila

Përfolja për largimin e gazetarit Blendi Fevziu nga televizioni Klan, pavarësisht përpjekjeve të miqve të tij gazetarë për ta paraqitur si eveniment, kaloi pa u vënë re, ashtu sikurse blerja e supozuar nga Top Channel nuk është një ngjarje e merkatos televizive.

Duke folur historikisht, Fevziu dhe brandi i tij Opinion është themeluesi i debatit televiziv i ndjekur vetëm një vit më vonë nga “Dritare” i Rudina Xhungës. Për shumë vite ata do të mbeteshin të vetmet tribuna elitare të komunikimit të politikanëve me publikun por edhe të debateve televizive mes gazetarëve dhe politikanëve apo specialistëve, dhe publiku priste me padurim orarin e tyre. Por kjo kohë ka vite që ka mbaruar.

Të ndodhur nën presionin e konkurencës, për të fituar publik, secili zgjodhi një rrugë alternative. Fevziu zgjodhi atë të spektaklit dhe për hir të tij nuk kurseu asnjë parametër profesional. Të gjithë jemi dëshmitarë se pjesa e dytë dhe e tretë e emisionit ktheheshin në një kakofoni ku folësit mbivendoseshin me njëri-tjetrin.

Askush nuk e mbante mend përse fillonte sherri; vendin e specialistëve dhe profesionistëve e zunë bulldogë dhe pitbullë të skenave televizive të cilët të vetmen aftësi kishin për të debatuar pa e pasur në vesh se çfarë thoshte bashkëbiseduesi dhe rëndësi kishte shfaqja. Ishte lloji i spetakli me më pak kosto pasi aktorët ishin falas. Ky format solli që shumë specialistë apo intelektualë të mos merrnin pjesë në emisione duke sjellë zëvendësimin e tyre me gjithfarëditës që flasin me kompetencë nga çrregullimet seksuale e deri në udhëtimet në Mars.

Rrjedhojë e kësaj ishte rënia e nivelit të ndjekësve. Mjaftonte të shikoje komentet e shikuesve për të kuptuar nivelin e tyre kulturor, dhe pas kësaj bezdinë akoma më të madhe të intelektualëve për të marrë pjesë në debate të tilla.

Si një ndër dy emisionet më të mëdha për kohën, tërhoqi nga mbrapa edhe ata që erdhën më vonë. Për shkak të presionit të audiencës; të pronarëve që kërkojnë shikueshmëri; për mungesë stafi që të bëjnë emisione cilësorë apo të kollajllëkut duke mbledhur gjashtë veta me të vetmin preokupim që të stimulosh sherrin, solli rënien e cilësisë dhe rrjedhimisht të audiencës.

Futja e emisionit katër herë në javë ishte grushti i fundit në shkatërrimin e këtij formati emisionesh. Shqipëria nuk prodhon aq shumë ngjarje dhe personazhe që të ketë vend për katër emisione në javë, krahas dhjetërave që janë në kanalet e tjerë. Detyrimisht gjithçka do binte në mediokritet.

Gjithë historia tjetër është llogjika e biznesit e Aleksandër Frangaj. Mbase Frangaj i ka kërkuar zhvendosjen në kohën e dytë; mbase i ka kërkuar reduktimin e emisioneve dhe të shpenzimeve. Fevziu nuk do ketë pranuar pasi e konsideron rënie prestigji. Kuptohet në intervistën që jep se Fevziu është i trembur dhe e kërcënon se Klan do pësojë fatin e TV Arbërisë nëse nuk ka emision politik, e cila për hir të së vërtetës falimentoi për shkak të shkujdesjes së pronarit dhe jo sepse i munguan muhabetet politike.

Kalimi ose jo e Fevziut në Top Channel është thjesht një çështje teknike. E vërteta është që njerëzit janë lodhur nga emisionet tallava. Nuk kishte si ndodhte ndryshe me këto krijimtari sui generis të tregut shqiptar. Le të shërbejë kjo ngjarje për riformatimin e tregut ku gazetarët ose të bëjnë emisione politike ose spektakle, ku politika ka fashën e saj elitare të publikut dhe nuk ka pse konkuron spektaklin. Në u mbyllshin fare, askush nuk do t’i qajë.

Saga Fevziu dhe fillimi i fundit i emisioneve tallava Read More »

Kur bëhen bashkë “Babalet” dhe “Baftjarët”!

Ata, deri më sot nuk kanë dhënë as më të voglin kontribut në interes të vendit përveç shpifjeve, baltosjes dhe mashtrimit… Kultura osmane e “Babaleve” dhe “Baftjarëve” vazhdon. Jo më kot shkruante Faik Konica: “Kultura osmane kufizohej vetëm në përdorim pomadash dhe shpërdredhje çupëlinash”!
Shkruan Pandeli Bardhi

Që bëhen bashkë është një gjë e mirë dhe ku ta gjesh sikur të gjitha partitë të bëhen bashkë. Do të ishte një shembull i shkëlqyer sikur “Babalet” dhe “Baftjarët” të bëheshin bashkë dhe të lobonin që Shqipëria të hapte negociatat me BE-në?

Por, a e dini përse janë bërë bashkë “Babalet dhe “Baftjarët”? Janë bërë bashkë, që Shqipërisë të mos i hapen negociata me BE-në. “Babalet” dhe “Baftjarët, bëhen tok që të lobojnë edhe me “djallin” në botë që Shqipërisë, të mos i hapen negociatat sepse ka një qeveri të “krimit dhe të drogës”. Ata bëhen bashkë, sikur duan të thonë që edhe bashkimi midis tyre të fillojë nga “pika zero” si edhe për hajdutët e tyre të mëdhenj! Kjo është e para që i bashkon.

E dyta që i bashkon, si hajdutë që janë, “Baftjarët” kanë bërë një propozim. Tërë hajdutët LSI-stë, kanë vjedhur ç’kanë vjedhur këtej e tutje, të quhen sikur nuk kanë asnjë qindarkë në xhep dhe të fillojnë mbushjen e tyre nga e para, pra të fillojnë nga “pika zero”! Kjo “shpikje” mund të quhet edhe shpikja e shekullit! O tempora o Mores.

Ky propozim i ka entuziazmuar shumë edhe “Babalet” edhe Keidat e Kërpacët. Tërë deputetët dhe ish ministrat e LSI-së mbasi u majmën mirë e mirë me djersën e këtyre qytetarëve, tani edhe tallen dhe duan të vijnë në pushtet për të mos vjedhur! Këtej e tutje do t’i harrojnë zakonet. Këta krerë LSI-sta, të ngjyrës jeshile, të hurit e të litarit, janë bërë bashkë me “Babalet” blu dhe puthen me ta si për të bërë karshillëk para qytetarëve se “nuk po i zë gjumi” për hallet e popullit!

E keqja e këtij bashkimi të “Babaleve” me “Baftjarët” është ajo që, pavarësisht ngjyrave që kanë dhe bindjeve partiake, i bashkon vetëm zelli kundër interesave të Shqipërisë. Është e vërtetë që ata shohin njëri nga “krushka” e tjetri nga “mushka”, por ama e dinë se ku ka “zjarr” e ku del “tym” ku është sofra shtruar e ku ka “raki Skrapari”! “Babalet” dhe “Baftjarët” janë simboli i shpifjeve dhe mashtrimeve dhe i bashkon vetëm e keqja kundër Shqipërisë.

Ata, deri më sot nuk kanë dhënë as më të voglin kontribut në interes të vendit përveç shpifjeve, baltosjes dhe mashtrimit… Kultura osmane e “Babaleve” dhe “Baftjarëve” vazhdon. Jo më kot shkruante Faik Konica: “Kultura osmane kufizohej vetëm në përdorim pomadash dhe shpërdredhje çupëlinash”!

Vetëm aroma e pomadës të “Baftjarëve” u “gërvisht hundën “Babaleve”. Këta japin edhe shfaqje para shqiptarëve dhe puthen për të treguar se sa në “unitet” janë ata, pavarësisht ngjyrave blu dhe jeshile. “Baftjarët” e LSI-së, deri para pak muajve ishin në koalicion me “vulëhumburit” e Rilindjes, ku e shijuan mirë rakinë e Skraparit dhe ishin “djem për së mbari” dhe shpresuan që në të ardhmen “t’u shkonte jeta për së mbari” e “të ndizej zjarr vallja e Baftjarit”.

Fill mbas shkëputjes nga koalicioni, vendi u mbush me drogë e krim dhe ata që nuk u “prekën” nga kjo e keqe, ishin “Babalet” dhe “Baftjarët”! Përveç sa kanë vjedhur LSI-stët dhe “Babalet” janë shijuar edhe me amnistinë, që Rilindja u bëri debitorëve biznesmenë dhe institucioneve të shtetit për energjinë elektrike prandaj kërkojnë amnisti edhe për hajdutët me “çizme” të politikës. Nuk u bë kjo amnisti për të mjerët pensionistë që shkojnë e zënë rradhë të parët për të paguar detyrimet, për të mos mbetur debitorë.

Atyre nuk ua lejon sedra që kanë për të mbetur debitorë ndaj shtetit, kurse atyre “fakirëve” politikanë që nuk u bën përshtypje babëzia që bëjnë, u falen detyrimet! Kush janë në burg? Ata që janë debitorë një apo pesë mijë lekë në shtet. Këta janë “e keqja” e këtij vendi! “Babalet” blu janë bërë edhe prokurorë, janë bërë edhe gjykatës, janë bërë edhe informatorë që qëmtojnë në detaj çdo gjë, bile edhe një “qime” që lëviz qeveria.

“Trarët”, Babalet dhe “Baftjarët që pengojnë rrugën për në Europë, jo vetëm nuk i shohin, por i vendosin vetë dhe bile sa më shumë që mazhoranca të mos i kapërcejë dot. “Hollanda është skeptike dhe nuk do që qeveria e inkriminuar e Ramës të hapi negociata” thërret një “shpellar”, “Me qeverinë e narko trafikut dhe të krimit që ka Edi Rama ta harojë se do të hapen negociatat” e pason Basha.

Më kot bën përpjekje Edi Rama! Këtë e kanë vendosur “Babalet” dhe “Baftjarët”, që Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat! Raporti gjerman e përcakton qartë: “Për Shqipërinë, problem është bojkoti i Parlamentit dhe protestat e opozitës”. Pikërisht këtyre u mëshojnë “Babalet” dhe “Baftjarët”. Vjen dita e enjte dhe “gladiatorët” “Babale” rrethojnë foltoren, sa për t’i dhënë fuqi Bashës dhe largohen. Më pas fillojnë protestat për largimin e Xhafës. “Korbat” Babale dhe Baftjarë, sa më shumë afron njëzet e tetë Qershori, aq më shumë vrer nxjerrin aq më shumë shpifin e shpifin.

“Shashkat” i hedhin sa andej këtej që bota t’i dëgjojë. E sheh Presidentin tek bëhet çakërrqejf nën tingujt e këngës së Baftjarit dhe mendon se këtu çdo gjë shkon si në vaj! Bashkë me të “argaliset” edhe z. Lu. Ky, në fakt është Iliri, i cili siç shprehet, “beson në çeljen e negociatave”! Po Meta nga mbrapa, çfarë thotë? Meta, nga mbrapa i ngul thikën mbas shpine edhe Amerikës së z. Lu, edhe Europës së znj. Vlahutin, kur me gojën e këshilltarit të tij Dritanit, i mallkon këta që “thefshin këmbët dhe kokën” sepse na “hapën” telashe dhe po na presin riskun për të vjedhur!

E ç’mund të thuhet më shumë që “babalet” dhe “baftjarët” nuk kanë qenë dakord e nuk janë as me vetingun e as me reformën në drejtësi “Baftjarët” janë aq të “besueshëm” sa ishte edhe veterineri Panariti, i cili veshi bluzën e bardhë dhe na “mbushi mendjen” që kastravecët në Myzeqe, ishin “bio” dhe “pa pesticide”! Kështu tha veterineri edhe për miellin serb që “është i garantuar për prodhimin e bukës’ dhe tani na e nxjerr skarco, si miell për mëmëlike!

A janë të besueshëm këta? Kjo u shkon për shtat vetëm Babaleve! “Prokurori” dhe “gjykatësi” Lulzim deklaroi para pak ditëve se “Babales” i janë afruar 200.000 euro që të mbylli gojën për atë që në fakt Babalja ka mashtruar. U bënë bashkë me një palo gazetar si i dalë nga ferrat e Tufinës dhe bënë “shoun e radhës.

“Babalet” dhe “Baftjarët” hedhin ngado shashka dhe turren si egërsirat pas kërmës politikanë analistë gazetarë. Kalon vala dhe më pas bëjnë të njëjtën gjë. Ja, kështu siç turren egërsirat pas kockave. Nuk është faji as i “babalogazetarëve”, as i “babaloanalistëve”, por i oborrit të SHQUP-it që Basha dhe Berisha mbledhin vetëm mbeturina. Brumbujt “ankohen” vetëm atje ku ka pastërti dhe janë të “kënaqur” kur kanë me çfarë të merren për të bërë punën e tyre me “topat” që i rrokullisin. Atyre u pëlqen vetëm atje ku gjejnë ndyrësira. Këtë mundësi, atyre ja krijon vetëm oborri i SHQUP-it.

Vëllai i Fatmir Xhafës ka folur me trafikantët! Që vëllai i Fatmir Xhafës ka qenë trafikant lëndësh narkotike dhe për këtë është dënuar, këtë e di edhe Kejda, por problemi është se çfarë zbulimi është bërë në këtë rast? Trafikantët nuk do të bisedojnë për të bërë dashuri, por do të bisedojnë për të trafikuar lëndët narkotike. Po pse pikërisht tani babalet dhe Baftjarët i mëshojnë këtij problemi? Pse atyre u ka mbetur ora në vitin 2002?

Po marrim rastin sikur kjo të jetë e vërtetë. Po sikur kjo, të jetë një mashtrim siç e kanë zakon “babalet” blu, si do të bëhet? Pse Babalja trembet nga e vërteta dhe shkon në Kosovë? Pse Babalja shkon nga Kulla e Viçidolit të Saliut dhe jo në pikën e kalimit kufitar? Ku është qytetari Dixhital i Saliut? E vërteta është që babalet janë mësuar që të bëjnë vetëm shpifje dhe mashtrime ashtu si i pëlqen Bashës. Hodhi Basha një shashkë në erë për 200.000 eurot që i ofruan Babales dhe kaq. Kush ja dha, kush i mori? Pse nuk merret i pandehur Basha si shpifës ordiner?

Ky shpifës, të gjithë oborrin e tij e ka kthyer në shpifës. Pse nuk e ngre zërin Basha dhe Saliu për ish Kryeprokurorin që ka ikur në drejtim të paditur si dikur Gazidedja? Babalet dhe Baftjarët nuk i mban vendi. Ata rrëmbejnë shkopinj, hekurishte dhe lloj lloj hedhurinash për t’ja vënë në “rrota” Shqipërisë me në krye Sali Lulzimin si njëfarë gazetari Bledi Kasmi, që shkul rrjetën e hekurave për t’ua hedhur policëve dhe më pas akuzon policinë. Ç’deshi ky gazetar me hekurat e gardhit? Cila është detyra e tij? A nuk i mjafton Bledit ajo që vetëm nxin me një fletushkë “paçavure”, me anën e të cilës kërkon të “nxijë” gjithë Shqipërinë.

Pse Bledi nuk qëndron si Parruca në ekranin e televizorit dhe të nxisi që andej protestat, por shkon atje ku kolegët e tij godasin policët me hekurat e gardhit? Nëqoftëse shkoi në protestë si protestues, pse kërkon të mbrohet me statusin e gazetarit? “Është dhunuar fjala e lirë, thotë Albana Vokshi dhe kjo është bërë direkt me urdhër të Ramës”! Sikur të mos i mjaftojnë Ramës kusuret e shumta që i rëndojnë mbi kurriz, jep edhe urdhra për plagosjen e Bledit, “urdhëron” edhe policët që të godasin protestuesit “paqësorë” të Bashës e ç’nuk bën Edi Rama!

“Babalet” po na tregojnë që Edi Rama, aq shumë i ka ushqyer “Babalet” sa që ata, janë në gjendje që të shkulin edhe gardhet prej hekuri dhe t’ua vërvitin policëve si Tarzanë të vërtetë! Çfarë humori shkaktojnë “Baftjarët” e Monikës kur u bën thirrje socialistëve që të “largohen nga Rama” në një kohë që LSI-stët, po ja mbathin një nga një për t’u larguar nga “sofra” e Baftjarit” e cila po boshatiset. “Baftjarë Baftjarë/ Jeni super të paparë? Por, a do t’u shkojë jeta mbarë?

Kur bëhen bashkë “Babalet” dhe “Baftjarët”! Read More »

Plan-propozimi i CIA-s për ndërhyrjen në Shqipëri, tentativat për të rrëzuar Enver Hoxhën në kuadër të Luftës së Ftohtë. Zbardhen detajet

CIA zbardh planin e saj fillestar për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Në një dokument të deklasifikuar nga gazeta, tregohet se më 10 qershor 1949 CIA kishte gati një projekt mbi të gjitha lëvizjet që do të ndiqeshin për të larguar Hoxhën nga pushteti. Aty tregohet se gjithçka bëhej në kuadër të luftës së ftohtë, ndërsa më tej përshkruhen mënyrat që do të ndiqeshin.

10 qershor 1949

Plan-propozimi i CIA-s për ndërhyrjen në Shqipëri

Operacioni që ne kemi parashikuar për Shqipërinë nuk është i madh, sipas standardeve moderne dhe me gjithë suksesin e tij të mundshëm, nuk do të jetë vendimtar për Luftën e Ftohtë. Por ne besojmë se meriton vëmendjen tuaj në këtë kohë, për tre arsye.Së pari ai do të jetë operacioni i parë i balancuar i grupeve OPC me një numër të gjerë teknikash. Operacioni ka sigurisht implikacione ushtarake dhe me të ne kërkojmë të rrisin dhe të demonstrojmë aftësitë e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në operacionet klandestine të SHBA, me kontroll të centralizuar dhe politika të udhëzuara nga Departamenti i Shtetit dhe stabilimenti kombëtar ushtarak.

Projekti shqiptar nisi pas përçarjes politike mes Kremlinit dhe Jugosllavisë, kur dhe u bë e qartë se Shqipëria mbeti fizikisht e izoluar nga pjesa tjetër e bllokut komunist. Prandaj Departamenti i Shtetit mendoi se nisja e trazirave në Shqipëri mund të lehtësojë presionin që ushtrohet në Greqi nga guerrilasit komunistë me bazë në Shqipëri dhe përmbysja e pushtetit në Shqipëri do të kishte kështu efekte të gjera përtej perdes së hekurt. Gjithashtu është e qartë se Bashkimi Sovjetik nuk ka mundësi kundërsulmi ndaj operacioneve klandestine kundër Shqipërisë, prandaj OPC nisi planifikimet në mesin e dimrit është në fazën e gatishmërisë për të nisur operacionet më 1 korrik.

Siç mund ta shihni nga harta Shqipëria është një vend thuajse katërkëndor i kufizuar me Adriatikun, Jugosllavinë dhe Greqinë. Terreni i saj është fushor në zonat bregdetare duke u rritur në kodrinor drejt lindjes, dhe ka një kompleks malor qendror nga veriu drejt jugut. Zona e kufirit me Jugosllavinë është malore me Alpet që ngrohen deri në 3000 metra lartësi. Rruga ka vetëm në zonat bregdetare dhe hyrja klandestine në vend është e thjeshtë si gjatë bregdetit dhe gjatë kufirit grek.

Informacione

Shqiptarët janë një popull i trazuar që gjithmonë kanë pranuar të luftojnë për para ose për të grabitur. Grupet kryesore shoqërore janë klanet familjare, prandaj dhe ata refuzojnë kontrollin e ashpër qendror që përfaqësohet nga komunizmi. Vendi raportohet se është përfshirë nga trazira, ku dominon popullsia gegë në veri, me disa qindra guerrilë anti-qeveritarë në terren. Shqipëria është një vend fshatar po nuk plotëson dot nevojat e saj të ushqimit për nga prodhimi. Industria nuk ekziston, vendi prodhon disa minerale dhe një sasi nafte, të cilat eksportohen në këmbim të ushqimit. Jugosllavia ka qenë partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe ndarja me Titon ka sjellë krizë të gjerë në vend.

Sovjetikët po përpiqen të mbushin këtë boshllëk por deri tani pa sukses. Forcat ushtarake të vendit arrijnë në 65 000 njerëz që janë të pajisur keq dhe nuk konsiderohen të besueshëm. Policia e sigurisë përbën forcën më të madhe dhe janë shumë më të efektshëm se ushtria, por dhe në ta ka elementë rebelë. Qeveria aktuale është radikale komuniste dhe drejtohet nga Enver Hoxha.

Ai erdhi në pushtet në 1945 duke shpallur atë që sot është bërë standardi komunist i “Demokracisë Popullore”. Fillimisht e gjithë makineria e shtetit kontrollohej nga Jugosllavia, si për shembull valuta jugosllave që qarkullonte lirisht në Shqipëri.

Me ndarjen me Titon, Hoxha u bë një ushtar i Moskës dhe duket se është veçuar nga stabilimenti sovjetik për trajtim të veçantë. Por ai duhet të zgjidhë punët me devijacionistët brenda qeverisë së tij, pasi ka raportime për fraksione brenda partisë. Sinjalet e mësipërme tregojnë se Shqipëria është e gatshme për revoltë dhe ajo çka nevojitet është vetëm udhëheqje, pak financim dhe pak armë. Në fushën e politikës së jashtme situata ka disa tipare delikate.

Situata jashtë kufijve

Jashtë Shqipërisë ka rreth 1500 azilantë anti-komunistë të cilët janë të ndarë në fraksione kundërshtare dhe asnjëri nuk është i rangut të lartë. Nga grupet e shumta tre janë më të rëndësishme, ai i ish-mbretit Zog që është përzënë nga italianët në 1939 dhe që përçmohej nga shumica e shqiptarëve. Balli Kombëtar, që është grupi më i fortë ka ide republikane liberale dhe drejtohet nga Mit’hat Frashëri. Grupi tjetër është Blloku Kombëtar Indipendent, monarkist konservator.

Këto grupe antagoniste mund të detyrohen të arrijnë në farë bashkëpunimi në rast të lëvizjes së suksesshme popullore kundër komunizmit. Një tjetër problem lind në lidhje me pretendimet greke për Epirin e Veriut, prej minoritetit ortodoks në rajon, por kjo është kryesisht vetëm për qëllime strategjike. Qeveria greke është e zemëruar me Shqiptarët prej mbështetjes së tyre ndaj lëvizjes së guerrilasve komunistë, prandaj nuk është koha e duhur për t’i nxitur të heqin dorë nga pretendimet. Gjithsesi qëndrimi i tyre duhet mbajtur i moderuar për të evituar akuzat e mëpasshme se revolta ishte pararendëse e ndarjes së territorit.

Një tjetër drejtim i çështjes që duhet të kemi parasysh është koncepti i Maqedonisë së pavarur që mbrohet nga blloku sovjetik. Ky rrezik nuk është ende urgjent por mud të zhvillohet më vonë. Kemi gjithashtu çështjen e ndërhyrjes direkte ruse në Shqipëri, prej rrezikut për rreth 3000 rezidentë rusë në vend, në formë teknikësh dhe këshilltarësh. Por gjithsesi shifra mund të jetë e fryrë dhe ne besojmë se në rast të zgjatjes së operacioneve sovjetikët mund të forcojnë kuadrin e sigurisë. Dhe në fund kemi problemin e Titos, për të cilin Shqipëria është një gjemb në këmbë.

Ai mund ta eliminojë lehtësisht Shqipërinë me anë të forcës ushtarake, por përmbahet prej tensioneve të shumta që ekzistojnë në Ballkan. Tito me sa duket ka tentuar operacione guerile në rajonin e Ohrit por nuk ka arritur rezultatet konkrete. Dhe në fakt duhet pranuar se një Shqipëri e lirë do të ishte më shumë objekt tentativash nga Jugosllavia sesa në sistemin aktual komunist, prandaj ne besojmë se mund të ushtrojmë presion të mjaftueshëm për ta mbajtur Titon në linjë.

Bashkëpunimi me britanikët

Gjatë mbledhjes së të dhënave e gjykimeve të mësipërme ne zbuluan se Shqipëria ishte gjithashtu objekt operacionesh të tjera sekrete. Pasi përmendën tentativat jugosllave, kohët e fundit mësuam se britanikët po nisin një operacion në Shqipëri. Koncepti i tyre është më i kufizuar se i yni, duke përfshirë një masë më të vogël grupesh guerile dhe operacione njohjeje në zonën e Epirit, me qëllim prishjen e mbështetjes për guerrilasit grekë. Për operacionin tonë duhet të marrim parasysh veprimet e armiqve dhe aleatëve tanë pro në rastin e britanikëve ne kemi vendosur të bashkojmë përpjekjet tona.

Ne do të kemi politika të përbashkëta drejtuese nga Uashingtoni. Ne insistuam dhe britanikët ranë dakord të vendosim operacionet tona nën mbulimin e Komitetit Kombëtar SHqiëptar. Ne ramë dakord që çdo palë të veprojë sipas politikave të saj, që do të thotë se britanikët nuk janë të detyruar të bëjnë më shumë nga plani i tyre origjinal, por dera do të jetë e hapur për përfshirje më të madhe nëse ata e dëshirojnë.

Plani i operacionit

Teksa plani ynë është ende në zhvillim, fazat e tij kryesore janë ajo politike, propaganda, veprimi direkt dhe shfrytëzimi. Në fazën politike është thelbësore krijimi i grupit politik shqiptar të diasporës që do të prezantohet si drejtues i operacioneve. Kjo është e rëndësishme pasi SHBA nuk mund të jetë në pozitën e autorit direkt të nxitjes së trazirave në Shqipëri. Kjo do të ishte e sikletshme pasi mund të ngrihet kundër nesh në Kombet e Bashkuara. Prandaj ne kemi nisur krijimin e Komitetit Kombëtar Shqiptar, me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve përveç fashistëve dhe komunistëve. Përfaqësuesit tanë kanë nisur kontaktet me grupet e emigrantëve dhe kanë siguruar një masë të konsiderueshme dakordësie për të bashkëpunuar për përmbysjen e regjimit të Hoxhës.

Komiteti do të marrë formë konkrete prej 1 korrikut, nën drejtimin e Frashërit nga Balli Kombëtar. Komiteti është në fakt agjenti ynë dhe do të veprojë nga ambientet që ne kontrollojmë. Fjalët që ata do të thonë në radio do të diktohen nga ne dhe njerëzit që do të dërgohen në Shqipëri do të zgjidhen dhe do të stërviten nga ne. Një problem dytësor politik është influencimi i zyrtarëve grekë në qasjen e tyre ndaj Shqipërisë. Ne shpresojmë që të bindim grekët të ndalojnë pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë për momentin, dhe pas përmbysjes së pushtetit në Shqipëri dhe rivendosjes së rendit në Greqi, t’i ngrenë ato në OKB.

Rreth dy javë pas inaugurimit të komitetit shqiptar, pra rreth 15 korrikut ne do të nisim në emër të tij një fushatë propagande kundër regjimit në Shqipëri, me mjete klandestine dhe gjysmë-klandestine, pra me të gjitha mjetet e mundshme, duke përfshirë transmetimet radio, materialet e shtypura dhe thashethemet. Ne besojmë se kjo fushatë do të ketë efekte të ndjeshme në prishjen e stabilitetit të regjimit.

Trajnimi

Prej 1 korrikut do të nisim trajnimin e një grupi prej rreth 50 agjentë për operacione në Shqipëri. Agjentët do të jenë shqiptarë dhe do të stërviten në mënyrë të tillë që të mos tregojnë se janë trajnuar nga amerikanët apo nga britanikët. Po hasim disa vështirësi në gjetjen e vendit për kampin e stërvitjes dhe mendojnë të vendosemi në Maltë. Bashkë me kampin e stërvitjes do të krijojmë një bazë të specializuar me britanikët në Korfuz. Deri në 1 shtator ne planifikojmë të kemi nisur infiltrimet e grupeve të vogla të agjentëve të pajisur me radio-transmetues.

Hyrja e tyre do të bëhet nga bregdeti ose nga kufiri grek. Misioni i tyre do të jetë krijimi i kontakteve me grupet opozitare në Shqipëri, organizimi i tyre dhe demonstrimi se është koha e duhur për nisjen e operacioneve guerile dhe për ndihmat në armë e para. Në besojmë se fushata e infiltrimit do të na japë deri në nëntor një ide të qartë nëse revolta e armatosur do të jetë e suksesshme apo jo. Nëse raportimet janë të favorshme, atëherë deri në pranverën e ardhshme do të kemi nisur revoltën. Ajo do të ketë si bazë forcën e vogël të emigratëve shqiptarë por për vendime të mëtejshme duhet të presim deri në vjeshtë.

Ne parashikojmë një periudhë prej nëntë deri në 18 muaj deri në arritjen e suksesit. Ne po marrim në konsideratë gjithashtu operacione dytësore siç mund të jenë veprimet për shtypjen e ekonomisë shqiptare me anë të lëshimit të parave fallto. Kjo do të ishte një detyrë e lehtë pasi të kemi hyrë fizikisht në vend. Së dytë, sipas informacioneve tona ndihmat ushtarake ruse për Shqiëprinë vijnë me anije polake që lundrojnë nga Balltiku deri në Adriatik prandaj në të ardhmen, ne mund të ndalojmë këtë trafik.

Ne kemi zgjedhur ndërkohë komandantin në terren për operacionin shqiptar dhe ai tashmë është nisur drejt Mesdheut. Kostot e operacionit nuk mund të llogariten me saktësi në këtë kohë, por pritet të jenë nga 200 000 deri në 1 milionë dollarë./SOT

Plan-propozimi i CIA-s për ndërhyrjen në Shqipëri, tentativat për të rrëzuar Enver Hoxhën në kuadër të Luftës së Ftohtë. Zbardhen detajet Read More »

Plot 350 mijë Euro fatura të pashlyera, sekuestrohen llogaritë bankare të ”GULF-it”

Kompania përmbarimore “AEF Bailiff Service” ka urdhëruar  së fundmi vendosjen e masës së sekuestros konservative në llogarinë e “Sun Petroleum Albania Trading”. Kjo e fundit ishte treguesi me shumicë i markës Gulf dhe u largua nga tregu pak javë më parë, duke lënë pas fatura të pashlyera tek tatimet, furnitorët e individët.

Bllokimi është bërë pasi “Sun Petroleum Albania Trading” ka fatura të papaguara ndaj kompanisë Genklaudis, operatori i dytë me i madh i tregtimit me shumicë të naftës në vend. Shuma e faturave të papaguara është rreth 18 mijë dollarë dhe një faturë tjetër prej 42 milionë lekësh.

Këtyre u shtohen dhe shpenzimet përmbarimore prej 2.1 milionë lekë, duke e çuar detyrimin në total prej 46 milionë lekësh, apo rreth 350 mijë euro. Krahas llogarive bankare, përmbaruesi ka kërkuar dhe vendosjen e sekuestros mbi aksionet e kompanisë, me qëllim mostjetërsimin e tyre si dhe bllokimin e të gjitha automjeteve në pronësi të Sun Petroleum.

Më herët, ishin tatimet ato që në 19 prill kërkuan vendosjen e masës së sigurimit të detyrimit tatimor për kompaninë e tregtimit me pakicë Sun Petroleum Albania. Tatimet i kërkuan Qendrës Kombëtare të biznesit, të mos lejojë tjetërsimin e mbi pasuritë dhe të drejtat pasurore që i përkasin këtij tatimpaguesi deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve tatimore, rezulton që detyrimi i krijuar nga kompania, përfshirë interesa dhe gjoba është 40.7 milionë lekë, ose rreth 300 mijë euro.

Në mes të muajit prill, Sun Petroleum Albania shpk (e cila bën tregtimin me pakicë të naftës) ndërpreu furnizimin me naftë, ndërkohë që deri në ditën që ndërpreu aktivitetin kishte shitur tek klientët qindra tollona, në një skemë që rezultoi mini piramidë, teksa nafta ka mbaruar dhe tollonat kanë mbetur në duart e konsumatorëve.

Të dy kompanitë e lidhura me të Sun Petroleum Albania (e pakicës) dhe Sun Petroleum Albania Trading (e shumicës) janë offshore dhe si të tilla është e pamundur të identifikohen aksionerët. Aksioner zyrtar është Universal Energy Group, me seli në Delaware të SHBA-ve, një zonë e njohur për krijimin e kompanive guackë.

Prokuroria ka nisur hetimet, pas denoncimeve të shumta, por deri tani nuk ka një shifër zyrtare se sa është dëmi që u është shkaktuar konsumatorëve që blenë tollonat, sa është detyrimi që Gulf ka ndaj furnitorëve të tjerë privatë dhe si do të bëhet shlyerja e këtyre detyrimeve./Monitor

Plot 350 mijë Euro fatura të pashlyera, sekuestrohen llogaritë bankare të ”GULF-it” Read More »

Ushqimet që nuk duhet t’i konsumoni gjatë verës

Gjatë sezonit veror është shumë e rëndësishme shmangia e disa ushqimeve, që jo vetëm ndikojnë keq në organizmin tonë, por edhe mund të bëhen shkaktarë për infeksione.

Nuk duhet të konsumoni ushqimet pikante dhe gjithashtu ushqimet që nuk janë vegjetariane. Ushqimet pikante rrisin temperaturën e trupit duke qenë se rritet norma e metabolizmit.

Gjithashtu vera nuk është koha më e mirë për të konsumuar mish, peshk apo të gjitha llojet e ushqimeve të detit. Nëse konsumoni shumë mish do të djersisni më shumë dhe do të keni probleme me tretjen.

Është shumë e rëndësishme të shmangni ushqimet e gatshme apo të ‘fast-food’-eve që janë të pasura me yndyrna dhe vaj. Gjithashtu nuk duhet të konsumoni salcat, sepse përmbajnë sasi të lartë të një lënde që ndikon në shtimin në peshë.

Ushqimet mund t’i konsumoni në gjendjen e tyre natyrale dhe nuk keni pse t’u shtoni salcë. Duhet të tregoni një kujdes shumë të madh edhe ndaj ushqimeve të mbetura nga vaktet e kaluara.

Sapo mbarohet ushqimi, pjesën që ngelet duhet ta ruani në ambient të ftohtë ose të ngrohtë, në varësi të llojit. Ushqimi i lënë jashtë mund të kthehet në një problem, sepse hyn në një zonë problematike të temperaturës.

Nëse ushqimi lihet jashtë për më shumë se katër orë, duhet hedhur menjëherë në kosh të plehrave./a.a/ /a.g//ATSH

Ushqimet që nuk duhet t’i konsumoni gjatë verës Read More »

Destinacionet e reja turistike në Shqipëri që do të tërheqin mijëra turistë

Ndërsa mediet e huaja çdo ditë e më shumë po referojnë Shqipërinë si një vend me potencial turistik të lartë, ministri i Turizmit ka zbuluar disa nga destinacionet më të spikatura të këtij sezoni, çka sipas tij do të tërheqë me mijëra turistë.

Klosi deklaroi se falë një plani të mirëmenduar nga ana e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit ekziston mundësia për ngritjen e resorteve turistike.

Sipas tij, veriu i Shqipërisë ka mundësi ideale për zhvillimin e resorteve turistike, plazhi i Adriatikut, Velipojës, Shëngjinit, që janë të paprekura e që me hapësirat e tyre ofrohen si destinacione të zhvillimit të resorteve me kapacitete të mëdha.

“E kemi ndarë mundësinë e zhvillimit të turizmit në 4 pole. Së pari, Adriatiku nga Karaburuni në grykëderdhjen e Bunës ku mund të zhvillohet turizmi familjar. Zonë unikale me kaq shumë plazhe me rërë që mund të transformohen në resorte familjare. Poli i dytë është Jugu, ku politika jonë e turizmit në Rivierë duhet të kombinohet me politikat tona të agroturizmit. Në pellgun Berat, Gjirokastër, Përmet, Sarandë, Vlorë mund të zhvillohen edhe aktivitete agropërpunuese. Poli i tretë unik që duhet të reklamohet janë Alpet. Poli i katërt, Tirana si kryeqytet”, – tha Klosi.

Ndërkaq, është parë me përparësi edhe krijimi i rrjetit të festave lokale, ku sipas Klosit, këto të fundit shërbejnë edhe si mundësi për të tregtuar produktet lokale. Ai bëri të ditur se bashkë me Ministrinë e Bujqësisë është ngritur edhe një festival kulinarie nga veriu në jug. /ATSH

   

Destinacionet e reja turistike në Shqipëri që do të tërheqin mijëra turistë Read More »

E quajtën “kurvë”, shpërthen gazetari: Spurdhjakë! Nëse jeni kaq të ”moralshëm” shihni si ju shkojnë në shkollë dhe në mejhanet e Bllokut vajzat

Po me Rita Orën ç’patët xhanëm?
Shkruan Mentor Kikia

Lexova sot shumë qëndrime të njërëzve të ndryshëm për koncertin e Rita Orës. E gjeta kohën dhe durimin në fakt, enkas për të mësuar se deri ku shkon mbrapështia e shumë njerëzve. Me pak fjalë, shumica e bënin Ritën fajtore se po u merrte shqiptarëve një shumë parashë që ishte e taksave të tyre.

Ca të tjerë, e bënin fajtore që vjen e bën aheng në Tiranë, kur njërëzit kanë halle të tjera e s’kanë bukë për të ngrënë një pjesë. Disa të tjerë e përçmonin se doli në skenë e veshur jo në mënyrë serioze, se me ato “breçkat” e verdha po na ç’edukonte fëmijët. Madje një kritik këngëtaresh e kishte quajtur edhe kurvë (nga pikëpamja estetike).

Po mirë more njerëz, nëse Rita Ora ju ka marrë paratë, mos ua vodhi apo grabiti gjë? Nëse jeni vërtet të revoltuar se paratë tuaja prishen vënd e pavend, dilni e protestoni. Tregoni sa të revoltuar jeni. Nëse jeni kaq të ”moralshëm” sa ua prishi moralin Rita Ora, shikoni se ashtu siç Rita doli të këndojë, vajzat po na shkojnë në shkollë, apo dalin për kafe mbrëmjeve nga mejhanet dhe aheng-hanet e Bllokut.

Rita Ora është një yll në rritje i këmgës botërore. Eshtë një vajzë që ka kapur majat e suksesit, që është e pasur, dhe sërish vjen e kërcën vallen e Rugovës duke u paguar në mënyrë modeste, dhe që nuk e mohon, por e pohon me zë të lartë që është shqiptare. Ndërsa këtu ka ca spurdhjakë, që dalin tre herë në televizor dhe i thonë vetës VIP e s’u flasin me gojë gjysmës së fisit e shoqërtsë dhe shesin dëngla tërë ditën nëpër rrjetet sociale.

Suksese Rita Ora! Ata që të adhurojnë të ndoqën dhe u kënaqën.
I lumtë bashkisë, që edhe pse me ato para mund të kishte hedhur noj dorë asfalt, e solli në Tiranë. Pasi njerëzi kanë nevojë edhe të argëtohen.

E quajtën “kurvë”, shpërthen gazetari: Spurdhjakë! Nëse jeni kaq të ”moralshëm” shihni si ju shkojnë në shkollë dhe në mejhanet e Bllokut vajzat Read More »