Aurora

Soreca takim me Lelin: Vlora qytet ndërkombëtar, potenciale të mëdha ekonomike dhe turistike

“Europa është këtu” është fushata më e re e komunikimit që Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë do të lançojë në vendin tonë.

Për këtë arsye, Ambasadori i Bashkim Europian, Luigi Soreca po zhvillon sot një vizitë në qytetin e Vlorës.

Ai u prit në takim nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, ku diskutuan mbi projektet e Bashkimit Europian në këtë qytet si dhe transformimet e mëdha që ka pësuar Vlora duke u shndërruar në një qendër të aktivitetit ekonomik dhe turistik në vend.

Duke falënderuar ambasadorin Soreca, Leli u shpreh se, “Vlora do të shndërrohet në potencialin ekonomik dhe turistik të viteve që vijnë”.

“Uroj dhe shpresoj që të gjithë së bashku do të kemi mundësi që të bëjmë në të ardhmen më shumë projekte, më shumë punë, për të konsoliduar gjithnjë e më tepër besimin e të gjithë shqiptarëve tek Europa, tek BE, tek përparimi në këtë proces”, tha kryebashkiaku Leli.

“Ndaj me ju të gjitha ato që thatë për potencialin e paimagjinueshëm që ka ky qytet. Besoj ju e mbani mend që kur kam qenë këtu herën e fundit së bashku kemi thënë që Vlora do të ishte qyteti ku ne do të organizonim aktivitetet kryesore në lidhje me Ditën e Europës, datën 9 maj. Ju e dini që kjo ishte e pamundur për shkak të COVID-19, por kjo nuk do të thotë që mbyllet me kaq. Unë jam sot këtu me ju që të lançojmë një fushatë tejet të rëndësishme të Bashkimit Europian në Shqipëri. Dhe doja që këtë gjë ta bëjmë në Vlorë për arsye të atij premtimi që ne dhamë bashkë herën e fundit. Ne do të përqëndrohemi në disa aspekte të rëndësishme të punës që BE ka bërë në Shqipëri, sa i përket përshembull transportit dhe ku më mirë sesa në Vlorë. Është në sajë të këtyre investimeve që BE ka bërë në Shqipëri që Vlora sot është një qytet ku jetohet dhe punohet në mënyrë më të mirë dhe është më miqësor ndaj mjedisit”, tha Soreca.

“Ne do të vazhdojmë që të investojmë në Vlorë në këtë destinacion kaq të rëndësishëm turistik dhe ekonomik. Jemi këtu që të lançojmë këtë fushatë të quajtur “Europa është këtu” për të treguar pikërisht se çfarë ka bërë Bashkimi Europian në Shqipëri ndër vite në fusha të ndryshme, si transporti, bujqësia, infrastruktura dhe mjedisi. Kjo fushatë do të zgjasë për 6 muaj, pra do të vazhdojë deri në datën 15 dhjetor 2020, një datë kjo e rëndësishme për Shqipërinë. Kjo për arsye se data 15 dhjetor e vitit 2010, pra 10 vite më parë ishte dita e parë kur qytetarët shqiptarë mundën të udhëtonin në Bashkimin Europian, në zonën Schengen pa viza. Unë mendoj që ky është rezultati më i prekshëm që çfarë mund të bëjë BE për Shqipërinë. Unë personalisht kam qenë në Bruksel në 2010 kur ka arritur avioni i parë me udhëtarët shqiptarë pa viza, ndërsa këtë 15 dhjetor do të jem në Tiranë për të festuar këtë përvjetor”, u shpreh Soreca.

“BE është këtu, për t’iu përgatitur të gjithëve që të bëheni anëtarët e ardhshëm të BE. Është kënaqësi që jam këtu në Vlorë për ta lançuar këtë fushatë, sepse Vlora është vërtet një qytet ndërkombëtar. Sytë i kemi drejt së ardhmes, drejt potencialeve të mëdha për të ardhmen”, theksoi Soreca.

Ndërsa në orën 14:00, ambasadori Soreca dhe kryebashkiaku Leli do të jenë në një aktivitet në bypass-in e Vlorës, që financohet nga BE, ku do të lançojnë fushatën e re të komunikimit të Delegacionit të BE-së: “Europa është këtu”.

Fushata gjashtëmujore synon t’i informojë më mirë qytetarët shqiptarët se si Bashkimi Europian po i mbështet ata për t’u bërë qytetarë të ardhshëm të BE-së./atsh

Soreca takim me Lelin: Vlora qytet ndërkombëtar, potenciale të mëdha ekonomike dhe turistike Read More »

Elisabeta Manaj, infermiere e palodhur e Infektivit në shërbim të pacientëve si ditën e parë të epidemisë

Elisabeta Manaj, infermiere e palodhur e urgjencës së Infektivit është në shërbim të pacientëve që po vuajnë pasojat e virusit të rrezikshëm, si ditën e parë të epidemisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se energjinë dhe përkushtimin e Lizës, e njohin të gjithë në këtë spital ku çdo ditë luftohet për jetën, me shpirtin e sakrificës që ekipi i Infektivit ka treguar sot e çdo ditë.

“Sapo ka mbushur të 60-at, por Elisabeta Manaj, infermiere e palodhur e urgjencës së Infektivit është në shërbim të pacientëve që po vuajnë pasojat e virusit të rrezikshëm, si ditën e parë të epidemisë. Energjinë dhe përkushtimin e Lizës, e njohin të gjithë në këtë spital ku çdo ditë luftohet për jetën, me shpirtin e sakrificës që ekipi i Infektivit ka treguar sot e çdo ditë. Liza nuk e shpreh dot me fjalë padurimin për të parë nipin e porsalindur, të cilin ende nuk e takon dot, por është e vendosur t’i shkojë deri në fund kësaj lufte me armikun e padukshëm”, shprehet Manastirliu.

“T’i japim një dorë stafit mjekësor, me sjellje të kujdesshme, për të ndalur zinxhirin e transmetimit të infeksionit, që po merr jetë, çdo ditë! Ruani distancën, zbatoni rregullat e higjienës, vendoseni maskën. Bashkë kundër COVID-19”,apelon ministrja/atsh

Elisabeta Manaj, infermiere e palodhur e Infektivit në shërbim të pacientëve si ditën e parë të epidemisë Read More »

“Mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju”/Peng Kuvendin e zgjedhësit nuk i merrni dot

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me marrëveshjen e 5 qershorit, duke theksuar se “lërini sharjet e kërcënimet ju lutem e mos thoni u prish marrëveshja, se ajo marrëveshje u bë me ju e për ju, jo për ne”.

Rama the se “ne s’donim e s’duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos na provokoni se s’ua kemi borxh as ne, as populli jo e jo, pasi morët gjithçka deshët”.

“Një këshillë miqësore për Lulzim Bashën e kolegët opozitarë jashtë Kuvendit: Lërini sharjet e kërcënimet ju lutem e mos thoni u prish marrëveshja, se ajo marrëveshje u bë me ju e për ju, jo për ne! Ne s’donim e s’duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos na provokoni se s’ua kemi borxh as ne, as populli jo e jo, pasi morët gjithçka deshët! Peng Kuvendin e zgjedhësit, të cilëve do t’u japim mundësinë të votojnë për deputetin e jo vetëm për partinë, nuk i merrni dot! Po mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju po na lini ta votojmë”, – tha Rama. /atsh

“Mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju”/Peng Kuvendin e zgjedhësit nuk i merrni dot Read More »

“Maska ul mundësinë e infektimit me COVID-19 deri në 95%”/ Pipero: Nëse nuk na bëhet mënyrë jetese, duhet të vendoset me ligj

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero thotë se numrat e shtuar të të infektuarve javët të fundit si dhe të rritjes së shtrimeve në spital referojnë një situatë shqetësuese ku qytetarët duhet të ndërgjegjësohen duke vendosur maska.

Ndonëse komplikacionet më të mëdha vijojnë t’i paraqesin të moshuarit apo të sëmurët kronikë ka dhe të rinj që kanë nevojë për trajtim spitalor.

“Moshat e reja janë në marrëdhënie punë janë më të ekspozuar. Së dyti, moshat e vjetra ende vazhdojnë të kenë më shumë kujdes Kanë kujdes të shtuar dhe ne vazhdojmë t’i bëjmë presion që të ruhen, kësisoj në numrat e shtuara prevalojnë moshat e reja. Graviteti dhe komplikacionet më të mëdha janë te të sëmurët kronikë, tek obezët dhe të moshuarit. Numri i shtuar i rasteve të konsideruara, të konfirmuara pozitivë është shoqëruar me rritjen e numrit të rasteve të shtuara në spital, disa prej tyre në format e rënda të sëmundjes dhe midis tyre humbje jetësh. Në kompleks situata është shqetësuese por besoj fort që nuk është ende problematike”, shprehet Pipero.

“Askush nuk e di nëse është pozitiv. Sot bota trembet nga transmetuesit e heshtur. Kam qenë dhe jam në parim kundër maskës në rrugë. Por nëse maska nuk na bëhet mënyrë jetese, duhet të vendoset me ligj, me detyrim edhe në rrugë. Është e domosdoshme në mjedise të mbyllura dhe hapësira publike, qofshin në grumbullime, qofshin në biseda, qofshin në lokale. Kudo ku mjediset janë të mbyllura, ku distanca është e pamundur të ruhet, duhet doemos të vendoset maska. Një maskë sado e thjeshtë e ul mundësinë e infektimit së paku deri në 95%”, tha Pipero.atsh

“Maska ul mundësinë e infektimit me COVID-19 deri në 95%”/ Pipero: Nëse nuk na bëhet mënyrë jetese, duhet të vendoset me ligj Read More »

Ambasadorja Kim mesazh sensibilizues: Nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur, vendosim maskat dhe ta mposhtim COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka shpërndarë sot mesazhin sensibilizues për COVID-19 drejtuar qytetarëve të ambasadores së Shteteve të Bashkuar të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim.

Kim në mesazhin e saj drejtuar qytetarëve thekson dhe njëherë nevojën e vënies së maskës në ambientet ku nuk është i mundur distancimi social.

“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, por lufta kundër COVID-19 ende nuk ka mbaruar. Masat e rrepta kanë ndihmuar në kontrollin e virusit, por tani nuk është koha për t’u çlodhur. Tani më shumë se kurrë duhet të sillemi me përgjegjësi. Le të bëjmë të gjithë pjesën tonë për njëri-tjetrin”, shprehet Kim në mesazhin e saj.

“Unë do të vendos maskë për ty, nis ti do ta vendosësh maskë për mua. E pranoj, ndonjëherë jam fajtore, sepse nuk e kam vendosur maskën, por nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur. Prandaj, kur distancimi social nuk është i mundur, le të vendosim maskat dhe ta mposhtim COVID-19 së bashku”, përfundon Kim mesazhin e saj drejtuar qytetarëve./atsh

Ambasadorja Kim mesazh sensibilizues: Nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur, vendosim maskat dhe ta mposhtim COVID-19 Read More »

Listat e hapura/ Basha: Rama prishi thelbin e marrëveshjes së 5 qershorit

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi sot se Edi Rama e prishi në esencë marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore pas deklaratës se mbështet kërkesën e opozitës parlamentare për hapjen e listave.

“Në esencë Rama ka prishur sot marrëveshjen e 5 qershorit, në të cilën u investuan forcat politike me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së. Në këtë marrëveshje ishte miratimi me konsensus i Reformës Zgjedhore që do të plotësonte një kusht për hapjen e negociatave. Ne si opozitë në këto 7 muaj kemi bërë gjithçka për të arritur një marrëveshje konsensuale”, – theksoi Basha në një konferencë për shtyp.

“Diskutimi i sotëm nuk është për listat e hapura është për koalicionet parazgjedhore që prej fillimit të demokracisë kanë qenë një realitet politik e sanksionuar në Kushtetutë. Rama ka vetëm një tmerr dhe frikë, zgjedhjet me koalicionin opozitar përballë. Maskat ranë se kishte vënë si alibi një grup njerëzish që nuk përfaqësojnë asnjë nga partitë politike të opozitës, njerëz që në këtë sallë nënshkruan heqjen e mandateve dhe më pas u blenë si gjë e gjallë me para të thata në dorë, leje ndërtimi dhe premtime për t’u nxjerrë njerëz nga burgu. Ishin mall i blerë nga Edi Rama”, – tha Basha.

Basha tha se “PD kurrë nuk e ka përjashtuar diskutimin për sistemin. Ne jemi për mazhoritar të pastër me dy dhoma që asnjë kryeministër nesër të mos i ngjajë as hijes së Ramës që kontrollon të gjitha pushtetet. Ndaj jemi të vendosur që një diskutim ta bëjmë por jo me Balla-opozitën, por me gjithë shqiptarët. Jemi gati dhe për referendum në këtë drejtim”, – tha Basha.

“Nëse Rama do kishte interes për lista të hapura nuk do e linte për një pazar fundkorriku, kur OSBE e ka hedhur poshtë 2 ditë më parë si shkelje flagrante ndaj zgjedhjeve të lira e të ndershme. Shqipëria s’mund të jetë peng i Ramës. Marrëveshja e 5 qershorit është e qartë. Nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit. Jo sepse nuk deshëm ne, por sepse Rama donte depolitizim. Por ai do të heqë koalicionet parazgjedhore”, – tha Basha. /atsh

Listat e hapura/ Basha: Rama prishi thelbin e marrëveshjes së 5 qershorit Read More »

New York Times: Shqipëria dhe Kosova ndër vendet që këshillohen për të kaluar pushimet gjatë pandemisë

Prestigjozja amerikane New York Times rendit Shqipërinë dhe Kosovën ndër vendet ku këshillon qytetarët amerikanë për të kaluar pushimet gjatë periudhës së pandemisë.

Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili ndau edhe shkrimin e New York Times.

“Kufijtë janë hapur që në qershor dhe ka një numër të ulët të të prekurve”, shkruhet në artikull./atsh

New York Times: Shqipëria dhe Kosova ndër vendet që këshillohen për të kaluar pushimet gjatë pandemisë Read More »

Meta: Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve të jenë 2 objektivat madhore për të gjithë

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot situatën e qetë dhe atmosferën e sigurisë në Maqedonin e Veriut para zgjedhjeve.

“Edhe pse zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Maqedoninë e Veriut do mbahen vetëm pas pak ditësh, një atmosferë sigurie dhe demokracie mbizotëron falë pjekurisë të lidershipit politik në tërësi, por edhe funksionimit normal të institucioneve. Ndërsa fatkeqësisht te ne edhe pse nuk ka as datë zgjedhjesh ende në horizont kemi një tension artificial sikur zgjedhjet do jenë nesër”, u shpreh Meta.

“Ndërkohë që edhe pandemia është në rritje së bashku edhe me deficitin dhe borxhin publik. Verbëria për mbajtjen apo marrjen me çdo çmim të pushtetit na ka bërë që të dukemi me fqinjin tonë lindor sikur u përkasim dy kontinenteve të largëta. Ndaj s’duhet humbur më asnjë minutë në përmbushjen e kushteve thelbësore për çeljen e negociatave në mënyrë që të ecim së bashku me fqinjët tanë drejt Bashkimit Europian. Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve duhet të jenë dy objektivat madhore për të gjithë. E para mbron shëndetin dhe jetën e çdo qytetari, ndërsa e dyta shpëton të ardhmen europiane të vendit për të cilën të gjithë përbetohen me fjalë dhe programe. Koha për vepra të mira është tani”, tha ai. /atsh

Meta: Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve të jenë 2 objektivat madhore për të gjithë Read More »