Aurora

AKU kryen 459 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin, asgjësohen 22.3 tonë produkte ushqimore

Trupat inspektuese të AKU-së si pjesë e Taskforcës antiCOVID kanë kryer sot 459 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit të AKU, “në çdo monitorim kërkohet vëmendje e shtuar në të gjitha bizneset që të zbatohet protokolli i sigurisë kundër përhapjes së COVID-19.”

“Gjatë inspektimeve është bllokuar një sasi prej 100 kg djathë me destinacion asgjësimin, pas rezultatit pozitiv me E. Coli. Ndaj një subjekti që tregtonte mish pa vulë dhe certifikatë veterinare i është bllokuar një sasi mishi prej 10 kg dhe rrjedhimisht është vendosur dhe masë administrative Është bërë asgjësimi i një sasie prej 22.3 tonë produktesh ushqimore me kërkesë të vetë subjektit.”,- njofton AKU.

“Janë dhënë 9 paralajmërime në disa biznese për higjenizim të ambienteve të punës, rinovim të librezës së ujit, rinovim të librezës shëndetësore etj. Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 24 mostra për monitorim të qumështit në fruta-perime për mbetje pesticidesh dhe në molusqe. AKU vijon të jetë pandërprerë në terren në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit”, – përfundon njoftimin AKU. /atsh

AKU kryen 459 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin, asgjësohen 22.3 tonë produkte ushqimore Read More »

Zbulohet varreza tumulare në Himarë, i përket periudhës së Bronzit të Vonë

Një tjetër tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) është zbuluar ditët e fundit në Himarë nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë, së bashku me Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi atë një zbulim të rëndësishëm për datimin e vendbanimit në qytetin e Himarës.

“Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit të Himarës. Varret e dala në sipërfaqe kërcënoheshin të dëmtoheshin nga rrjedha e përroit dhe nga ndërhyrjet klandestine, për këtë arsye, në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë (shek. XV-XII p.Kr) dhe disa varre ciste”, tha Margariti.

Ministrja u shpreh se “për një dokumentim më të plotë të varrezës, dy javët e fundit të muajit qershor, të vitit 2020 u realizua faza e dytë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, ku u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmon ekzistencën e një varreze tumulare pranë qytetit të Himarës”.

Sipas saj, tashmë materiali arkeologjik është zhvendosur në hapësirat e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Vlorë.

“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do të vendosë mbi hapat e mëtejshme, që do të ndërmerren. Tashmë është radha e studiuesve dhe kërkuesve shkencorë, që ta çojnë më tej këtë zbulim të rëndësishëm”, tha Margariti./atsh

Zbulohet varreza tumulare në Himarë, i përket periudhës së Bronzit të Vonë Read More »

Ambasadorja Kim nga Vlora: Reformat, të rëndësishme për mjedis të favorshëm për investime

“Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi, janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë”, u shpreh ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, gjatë një takimi që zhvilloi mëngjesin e së hënës me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Kim theksoi se, “këto dy reforma janë të rëndësishme në funksion të forcimit të demokracisë dhe të përmirësimit të mjedisit të favorshëm për investime, qoftë të qytetarëve shqiptarë, por edhe atyre amerikanë në Shqipëri”.

“Ju falënderoj për mbështetjen që ju jepni për SHBA-në këtu në Vlorë”, ju drejtua ajo kryebashkiakut Leli.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Vlorës vlerësoi vizitën e ambasadores Yuri Kim, duke e cilësuar atë shprehje të mbështetjes dhe të vlerësimit për qytetarët dhe qytetin e Vlorës.

“Vizita e një ambasadori të SHBA-së në Vlorë është rikonfirmim i marrëdhënieve të ngushta reciproke mes dy vendeve, një marrëdhënie shumëplanëshe për të cilën ne, shqiptarët jemi krenarë, duke qenë njëkohësisht një nga popujt me amerikandashës në Europë”, theksoi Leli. Sipas tij, kjo është një vlerë e madhe që mbartin shqiptarët.

“Vlerat që ju sillni, janë vlera që rrisin ditë pas dite besueshmërinë tek demokracia, shembulli më i madh i së cilës janë SHBA”, nënvizoi më tej kryebashkiaku Leli.

Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që japin për Reformën në Drejtësi, e cila, sipas tij, “është pika më fondamentale për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të gjithë ata që kanë zgjedhur të ndërtojnë jetën këtu, për fëmijët tanë, për ta parë më më shumë dashuri vendin tonë, Shqipërinë, falë vlerave që po rithemelohen në një dimension tjetër falë mbështetjes së SHBA”.

Leli falënderoi gjithashtu Ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen për Reformën Zgjedhore, duke shprehur besimin dhe optimizmin që pas kësaj reforme të ketë të zgjedhur me më shumë vlera, njerëz që e duan këtë vend, që janë përpjekur të jenë korrektë gjatë jetës së tyre për t’u bërë qytetarë të denjë në një sistem vlerash demokratike.

Ai e cilësoi misionin e Ambasadores së SHBA-së, një mision sa diplomatik po aq edhe human, në funksion të konsolidimit të vlerave të demokracisë në Shqipëri.

Leli e cilësoi Vlorën e këtyre 5 viteve, një shembull të bashkëpunimit mes qeverisjes qendrore dhe pushtetit lokal, për ta ndryshuar faqen e qytetit. Ai vlerësoi mbështetjen e Kryeministrit, Edi Rama për Vlorën, në funksion të shndërrimit të saj në një pol shumë të fuqishëm turistik në të gjithë pellgun e Mesdheut, për të patur zhvillim të qëndrueshëm të turizmit dhe për ta përkthyer atë në ekonomi.

“Investimet e realizuara gjatë 5 viteve të fundit në infrastrukturë janë shoqëruar me ndryshime në investime të biznesit, të cilat as nuk mund të mendoheshin pak vite më parë”, tha ai.

Në emër të komunitetit të banorëve të zonës së Babicës, Leli falenderoi Ambasadoren Yuri Kim, për projektin e financimit dhe transformimit të shkollës “Selam Musai” në këtë njësi administrative të Bashkisë Vlorë, me mbështetjen e ushtrisë amerikane.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ndodhet prej dy ditësh në qytetin e Vlorës. Mbrëmjen e të dielës, ajo ishte në një darkë pune me përfaqësues të shoqërisë civile në këtë qytet, ndërkohë që, në vazhdim do të zhvillojë vizita në objekte muzeale në Vlorë, në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”, ku funksionon edhe Këndi Amerikan, në mjediset e Bazës Ushtarake të Pashalimanit etj./atsh

Ambasadorja Kim nga Vlora: Reformat, të rëndësishme për mjedis të favorshëm për investime Read More »

“Në 2021 fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”/ Spiropali: Qytetet nuk kthehen më tek ata që i mbajtën peng

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zhvilloi një takim në qytetin e Vlorës nga ku bëri të ditur se nuk do të ndalemi në rrugën e transformimit dhe të zhvillimit, për të mos u kthyer kurrë pas tek ata që qytetet tona i mbajtën peng të politikës së tyre të urrejtjes.

“Bashkë, gra dhe burra, nuk do të ndalemi në rrugën e transformimit dhe të zhvillimit, për të mos u kthyer kurrë pas tek ata që qytetet tona i mbajtën peng të politikës së tyre të urrejtjes. Në 2021-shin ne do të fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”, deklaroi Spiropali.

Ministrja Spiropali mori pjesë në takimin “Përfaqësimi gjinor në Partinë Socialiste, vlerë e forcës politike më progresiste”.

Falë vizionit të Kryeministrit Rama, tha ajo, PS është sot forca politike ku gratë dhe vajzat janë pjesë e pandarë e progresit, në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste, këshilla bashkiakë, administratë, Parlament dhe qeveri.

Në takim morën pjesë disa prej deputeteve dhe përfaqësueseve të Partisë Socialiste./atsh

“Në 2021 fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”/ Spiropali: Qytetet nuk kthehen më tek ata që i mbajtën peng Read More »

“Fletërrufeja ndaj Thaçit e Veselit “/ Drejtësia të mos transformohet në një proces padrejtësie ndaj Kosovës dhe luftës Çlirimtare

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “një proces gjyqësor i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një Gjykate Speciale për të zbardhur deri në fund të gjitha pretendimet dhe akuzat lidhur me krimet në luftë, nuk duhet të deformohet duke u transformuar në një proces padrejtësie ndaj Kosovës, padrejtësie ndaj luftës Çlirimtare, padrejtësie ndaj autoriteteve të shtetit sovran të Kosovës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, Kryeministri Rama foli për “situatën e krijuar nga shpallja publike e një fletërrufeje në adresë të Presidentit të Kosovës”.

“Dëshiroj që të rinënvizoj edhe njëherë me këtë rast, atë që u përpoqa të përcjell qoftë në Kuvendin e Shqipërisë, qoftë gjatë vizitës time në Prishtinë, lidhur me situatën e krijuar nga shpallja publike e një fletërrufeje në adresë të Presidentit të Kosovës. Theksoj se ajo fletërrufe duhet të përbëjë një motiv shumë të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqipfolës, qofshin këta në Kosovë, qofshin në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut apo kudo, për të qenë të njëzëshëm në raport me domosdoshmërinë që drejtësia të jetë e drejtë. Një proces gjyqësor i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një Gjykate Speciale për të zbardhur deri në fund të gjitha pretendimet dhe akuzat lidhur me krimet në luftë, të mos deformohet duke u transformuar në një proces padrejtësie ndaj Kosovës, padrejtësie ndaj luftës Çlirimtare, padrejtësie ndaj autoriteteve të shtetit sovran të Kosovës”, tha Rama.

Rama tha se se “natyrisht që për fat të keq janë të pritshme keqinterpretimet qoftë mes nesh në mjedisin shqipfolës, qoftë edhe në mjedisin anglishtfolës të këtij qëndrimi duke ngatërruar pikërisht thelbin, pasi ky qëndrim nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me ndonjë përpjekje apo tundim për të nënvlerësuar, e lëre më pastaj për të penguar politikisht një proces të drejtë ligjor”.

“Por ka të bëjë me krejt të kundërtën, me diskretitimin publik të këtij procesi përmes një shpalljeje mediatike të panjohur në praktikën e mirë të drejtësisë të një fajësie të supozuar të Kreut të Shtetit të Kosovës dhe të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës së bashku me të tjerë. Në këtë pikë nuk ks mundësi të bëhet asnjë kompromis në heshtje”, tha Rama.

Rama shtoi se “unë i kam parë dhe i kam ndjekur jo pa shqetësim deklaratat ndërkombëtare inkurajuese me demek për drejtësinë dhe deklaratat ku konsiderohet me demek një hap pozitiv ajo që të gjithë bota mbarë lexoi, por aty vetëm hap pozitiv nuk ka”.

“Ai është një hap shumë shqetësues që e kthen organin e specializuar të akuzës në një organ të paragjykuar detyrimisht dhe jo të respektuar”, tha Rama. /atsh

“Fletërrufeja ndaj Thaçit e Veselit “/ Drejtësia të mos transformohet në një proces padrejtësie ndaj Kosovës dhe luftës Çlirimtare Read More »

Eksodi historik i 2 korrikut/ Basha: Ambasada gjermane dhe seli të tjera diplomatike u shndërruan në qiellin e lirisë për shqiptarët

Kryetari i PD-së Lulzim Basha kujton sot ditën e hapjes e dyerve të Ambasadës gjermane në Tiranë duke e konsideruar goditjen më të fortë të diktaturës komuniste dhe fillimin e ndryshimit të madh për shqiptarët.

Basha shprehet se “si sot 30 vjet më parë hapja e dyerve të Ambasadës gjermane në Tiranë shënoi fillimin e ndryshimit të madh për shqiptarët dhe një nga goditjet më të forta për diktaturën komuniste. Mijëra qytetarë shqiptarë që u strehuan për gati dy javë në Ambasadën gjermane, u bënë ato ditë simboli i qëndresës dhe kurajos ndaj një regjimi që edhe në grahmat e fundit kishte treguar mizori çnjerëzore”.

“Edhe pse në kushte të vështira, Ambasada gjermane dhe të tjera seli diplomatike në Tiranë, u shndërruan në qiellin e lirisë së munguar për mijëra shqiptarë që diktatura ua kishte mohuar të drejtat për 50 vite me radhë. Ditët e nxehta të korrikut ’90 ishin vendimtare për ndryshimin e madh që ndodhi në Shqipëri vetëm pak muaj më pas. Shumë të rinj sot, të lirë për të udhëtuar kudo në Europë, e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë ndodhi ato ditë të nxehta korriku në Tiranë. Të tjerë, në moshë më të madhe i kane ende të freskëta në kujtesë ngjarjet e Rrugës së Ambasadave, pasigurinë për të ardhmen e atyre që ishin brenda dyerve, padurimin për t’u larguar drejt perëndimit të ëndërruar, apo dyzimin dhe frikën e të tjerëve që shihnin nga larg se si regjimi po shkërmoqej”, tha ai.

Po ashtu Basha shtoi se “sot si 30 vjet më parë ëndrra e shqiptarëve që thyen muret e diktaturës për të mos u kthyer më pas është liria dhe Europa. Janë vlerat e një bashkimi që na frymëzon dhe na shtyn përpara. Shqiptarët përmbushën një pjesë të kësaj ëndrre kur 10 vite më parë ne mundësuam liberalizimin e vizave. I jam kthyer jo pak herë me mendje dhe me emocionet e pashlyeshme të 16-vjeçarit, 2 korrikut 1990, e në veçanti ditën kur si Ministër i Brendshëm ndërmora bashkë me një grup të rinjsh dhe studentësh udhëtimin e parë pa viza të shqiptarëve drejt Europës”.

“Le të jetë kjo ditë një shtysë dhe frymëzim për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve, për të rrëzuar çdo mur që na mban larg Europës së cilës i përkasim”, shprehet ai./atsh

Eksodi historik i 2 korrikut/ Basha: Ambasada gjermane dhe seli të tjera diplomatike u shndërruan në qiellin e lirisë për shqiptarët Read More »

Shtimi i rasteve me COVID-19/ Tomini: Agresivitet më i lartë, mjekët më të mirë reanimatorë po trajtojnë të shtruarit

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi sot se javët e fundit virusi i COVID-19 ka treguar agresivitet të lartë.

Në një intervistë televizive, Tomini theksoi se “në katër javë virusi ka treguar se po kryen rolin fiziologjik”.

“Grupet e popullatës që janë në risk, të klasifikuara edhe më parë, kanë pësuar edhe raste vdekjesh apo kanë qenë raste me një klinikë agresive. Virusi ka treguar se ka transmetueshmeri dhe agresivitet. Ka zgjeruar fashën e të prekurve ndërkohë që kemi vënë re, që kemi një zgjerim të fashës së grupmoshës, 30-40 vjeç, me simptoma të shfaqura. Kjo tregon se ky pik i rasteve në këto momente përkundrejt pikut në karantinë nuk mund të krahasohet, se kemi një rrjedhë fiziologjike të transmetimit të virusit në vend. Agresiviteti është më i lartë”, u shpreh Tomini.

“Me rajonin po të shikoni numrin e vdekjeve, e kemi në të njëjtat nivele, ku Shqipëria renditet ndër të fundit. Karantina solli atë impakt që sistemi shëndetësor të kishte kohën e parapërgatitjes, ndërkohë aktualisht ka kapacitete për të përballuar fluksin”, – tha Tomini.

Tomini u shpreh se duhet të zbatohen masat nga popullata, sistemi shëndetësor e të gjithë hallkat e tjera.

“Sistemi shëndetësor në Shqipëri aktualisht është përforcuar jo vetëm në sajë të karantinës, por edhe në sajë të mobilizimit e të anagazhimit edhe të strukturave të tjera joqeveritare në mbështetje dhe fuqizimit qoftë të sistemit reanimator, për respiratorë, monitorë, për trajtimin renaimator, ekipe dhe grupe pune. Ekspertët më të mirë sa i përket reanimacionit, janë duke punuar në grupe të përbashkët në Spitalin Infektiv për të trajtuar e menaxhuar rastet që kanë kërkuar terapi intensive”, – tha Tomini.

Sipas saj, të shtruarit në Spitalin Infektiv janë në gjendje të rëndë/atsh

Shtimi i rasteve me COVID-19/ Tomini: Agresivitet më i lartë, mjekët më të mirë reanimatorë po trajtojnë të shtruarit Read More »

“Do të tërheq padinë ndaj Ramush Haradinajt”, Rama: Është shumë më e madhe ajo që sot duhet të na bashkojë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të tërheqë padinë që ka ngritur ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Në konferencën për shtyp që mbajti në Prishtinë pas vizitës zyrtare dyditore, kryeministri Rama sqaroi se “Ramushit i kam kërkuar takim si gjithë të tjerëve për ta vizituar në selinë apo shtëpinë e tij, siç pata kënaqësinë të vizitoja Isa Mustafën në shtëpi”.

“Si paditës te i padituri, besoj nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën. Më tepër do të doja të diskutoja me të, për këtë çështje që është më e madhe se unë, Ramushi dhe se emrat e përveçëm, sepse implikimet e kësaj historie mund të jenë marramendëse për Kosovën në të ardhmen”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha se e kishte vënë në dijeni Haradinajn se nuk do të bënte komunikime me median gjatë takimeve, por do të kishte një konferencë në fund të vizitës, ku do ta bënte publike se do të tërhiqte padinë.

Kryeministri Rama theksoi se tërheqja e padisë nuk bëhej se ajo ishte një gjë e vogël për të, por sepse është shumë më e madhe ajo, që sot duhet të bashkojë të gjithë.

Rama tha se Ramush Haradinaj nuk është kryeministri, apo politikani, por një prej figurave historike dhe ka vendin e vet në histori dhe nuk e heq dot askush, as vet Haradinaj veten e tij, sado kryeministër i keq të ketë qenë.

Më tej, Kryeministri Rama informoi se kishte 22 padi me figura politike.

“Arsyeja është se dëshiroj që të kem mundësinë që djalit tim të vogël t’i lë një tufë fletësh që t’i ketë dhe ta ndihmojnë të kuptojë si mund të interpretojë lajmet e pafundme që do të ndeshë kur të hyjë në google dhe ku do të lexojë për një “monstër” të të gjitha të zezave të mundshme e të paimagjinueshme e mbase mund të mos e ketë mundësinë të më pyesë mua”, theksoi ai.

Rama tha se shpifja ndaj tij , nuk është shpifje e zakonshme. “Mitologjia e pazarit të territorit është një ndytësi, ku historia do të tregojë si një hapësirë debati u transformua në një arenë ku disa shqiptarë u përpoqën që të ‘vrasin’ disa shqiptarë”./atsh

“Do të tërheq padinë ndaj Ramush Haradinajt”, Rama: Është shumë më e madhe ajo që sot duhet të na bashkojë Read More »