Aurora

MJEDIS – WWF mobilizim për shpëtimin e Mesdheut nga plastika

Mesdheu është i kërcënuar të transformohet në “det plastik”, paralajmëroi sot WWF, që propozoi një sërë masash për ta shpëtuar nga mbetjet plastike që po e asfiksojnë si asnjë det tjetër në botë.

”WWF ka mbledhur një sërë të dhënash shkencore alarmante”, në një raport të publikuar sot.

Deti Mesdhe përmban një nivel rekord të mikroplastikës, grimca prej të paktën pesë milimetrash, që helmojë të gjithë zinxhirin ushqimor deri në kërcënimin e jetës njerëzore.

”Në total, përqendrimi i mikroplastikës është rreth katër herë më i lartë në këtë det pothuajse të mbyllur sesa në ‘kontinentet’ e mbetjeve plastike të gjetura në oqeane”, nënvizoi WWF.

Për të ndryshuar situatën, OJQ-ja kërkon një marrëveshje ndërkombëtare të detyrueshme për reduktimin e mbetjeve plastike apo për luftën kundër materialit të peshkimit “fantazëm”, të braktisur në ujë.

Në nivelin e vendeve bregdetare, WWF kërkon amplifikimin e riciklimit dhe mbledhjen e mbetjeve, si në veri ashtu dhe në jug, ndalimin e të gjitha qeseve plastike njëpërdorimshe dhe të shtimit të mikroplastikës si përshembull në detergjentë apo kozmetikë, deri në 2025.

Industria duhet të zhvillojë alternativa të riciklueshme apo të dekompozueshme për plastikën dhe të prodhojë duke u nisur nga lëndët e rinovueshme dhe më nga derivatet e naftës./ATSH

MJEDIS – WWF mobilizim për shpëtimin e Mesdheut nga plastika Read More »

Agroturizmi, Rama: Investitorët të kthejnë sytë nga fshati

Investimet në sektorin e agroturizmit do të kenë një impakt të lartë në ekonominë e familjeve të cilat ndodhen në zonat rurale të vendit.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në inaugurimin e një hoteli në Golem, theksoi se shumë familje e kanë të vështirë që të tregtojnë produktet e tyre, për shkak se ndodhen në zona të thella, por përmes agroturizmit do të jenë turistët ata që do të shkojnë në zonat e tyre.

“Zhvillimi i investimeve në agroturizëm do të sjellë shumë impakt në ekonominë e turizmit, në ekonominë rurale dhe në ekonominë e shumë familjeve në fshat, që për momentin ndihen pa një perspektivë të qartë zhvillimi.

Dhe në të gjitha zonat ku bukuria është e mahnitshme, por izolimi është i fortë, ku terreni, aksesi në treg, nuk e mundësojnë pjesëmarrjen e individëve apo të familjeve në zhvillimin e një bujqësie intensive, është plotësisht e mundur që të krijohet një rrugë tërësisht e re, produktive dhe fitimprurëse përmes agroturizmit.

Shumë familje e kanë të pamundur që atë që prodhojnë në zona disi më të largëta ta tregtojnë, ose tregtimi i asaj që prodhojnë është me një kosto aq të lartë, sa është thjesht për mbijetesë, por është plotësisht e mundur që në vend se këto familje të kërkojnë rrugën për të dalë drejt tregut, në rrugën që i ndan nga tregu të vijnë turistët tek ata”, – theksoi Kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë u bëri thirrje banorëve të cilët kanë kapital për të investuar që të zgjedhin agroturizmin si një mundësi e suksesshme fitimi, duke u bërë thirrje këtyre të fundit që të nxitojnë për ta bërë diçka të tillë pasi lehtësirat në këtë sektor nuk do të zgjasin përjetë.

“Paketa për mbështetjen e agroturizmit duke ulur tatimin mbi TVSH 6%, duke ulur tatimin e fitimit vetëm 5% dhe duke financuar projekte bashkarisht, pra nëpërmjet kontributeve të shtetit nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), është një bazë që të gjithë ata që janë të interesuar, të mendojnë dhe të punojnë për të pasur projekte për të cilat ne mund të japim mbështetje.

Është edhe një bazë për sipërmarrësit e mëdhenj që të kthejnë sytë nga vendlindja e tyre, të kthejnë sytë nga bukuritë e këtij vendi në zonën rurale dhe të marrin pjesë në këtë iniciativë.

Iniciativa nuk do të jetë e pakufishme, pra gjithë këto lehtësira do të jenë të garantuara në harkun e tre viteve dhe pas 3 viteve kush do të investojë në agroturizëm nuk do të ketë më lehtësira të tilla.

Unë do t’i bëja apel të gjithëve që të nxitojnë dhe të përfitojnë nga këto lehtësira”, – u shpreh Kryeministri./ATSH

Agroturizmi, Rama: Investitorët të kthejnë sytë nga fshati Read More »

Turizmi alternativ, kalendar me mbi 500 festa në të gjithë vendin

Risia e këtij sezoni është rritja me disa herë e numrit të turistëve të cilët vijnë nga vende europiane dhe e gjithë bota dhe ne jemi përgatitur t’i presim jo vetëm me standarde cilësore, por me kalendar festash që janë 500 gjatë sezonit turistik, tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë inaugurimit sot të një hoteli me pesë yje në Golem.

Në fjalën e tij, ministri Klosi mirë se inaugurimi i këtij investimi me vlerë prej 10 milionë euro është rrjedhojë e politikës nxitëse e qeverisë në fushën e hotelerisë të niveleve të larta. “Në kushtet e rritjes së kërkesave të kaq shumë turistëve nga bota, është e nevojshme të kemi hotele si ky i sotmi me kushte cilësore”, – tha ai.

Më tej Klosi shtoi se risia e këtij sezoni është rritja me disa herë e numrit të turistëve, të cilët vijnë nga vende europiane dhe e gjithë bota.

“Kemi ndryshuar tashmë numrin e pasaportave që hyjnë në kufirin shqiptar duke i shtuar më shumë vende të reja që nuk kanë qenë më parë si, Izraeli, Kopenhageni, Norvegjia, Londra”, – shtoi ai.

Po ashtu, Klosi tha se me rritjen e turistëve rritet përgjegjësia jonë e rritjes së cilësisë së turizmit shqiptar për ta shndërruar atë në një turizëm me shumë alternativa.

“Prandaj ne ju bëjmë thirrje këtyre operatorëve që janë këtu, të kthejnë sytë nga turizmi alternativ, të kemi mundësi t’u ofrojmë turistëve një numër shumë më të madh mundësish për të vizituar bregdetin dhe jo vetëm, për të shkuar me një kalendar festash që janë 500 gjatë sezonit turistik dhe i kemi organizuar në të gjithë vendin nëpërmjet tri institucioneve, Ministrisë së Turizmit, Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Kulturës”, – tha Klosi./ATSH

Turizmi alternativ, kalendar me mbi 500 festa në të gjithë vendin Read More »

500 vende të reja pune, ja pozicionet ku mund të aplikoni

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura do të punësojë 500 persona me kontratë të përkohshëm për sezonin e verës 2018. Vendimi është miratuar pak ditë më parë, e parashikon punësimin e tyre në qendra vizitorësh në pika kufitare, plazhe e zona turistike, shkruan SCAN.

Referuar vendimit, periudha kohore e veprimtarisë sezonale, që do të kryejnë punonjësit me kontratë të përkohshme, është 2 muaj, korrik – gusht 2018. Punonjësit me kontratë të përkohshme do të përfitojnë pagën bazë minimale, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.

Fondi i pagave për 500 punonjësit është në shumën 35 milionë e dhjetë mijë lekë.

(Burimi: SCAN)

500 vende të reja pune, ja pozicionet ku mund të aplikoni Read More »

Fatmir Xhafaj në Kroaci, zbardhet takimi me Bozhinoviç. Çfarë garancie mori ministri shqiptar nga homologu i tij?

Me ftesë të homologut Davor Bozhinoviç, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj zhvilloi një vizitë në Kroaci.

U konfirmua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes 2 vendeve dhe përveç kësaj edhe angazhimi i Kroacisë për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në BE.

Ministrat e Brendshëm ndër të tjera diskutuan dhe ranë dakord mbi problematikën e menaxhimit të flukseve migratore, duke theksuar se në kushtet aktuale BE-ja duhet të ndihmojë më shumë vendet e rajonit.

Përveç se bëri një përmbledhje të reformave, Vettingut në Polici, krimit të organizuar etj, ministri i Brendshëm shqiptar gjatë konferences së përbashkët për shtyp me homologun e tij ai konfirmoi interesin dhe angazhimin për projekte të përbashkëta rajonale për menaxhimin e sezonit turistik.

Ministri Xhafaj mori garancitë për mbështetjen pa kushte të Kroacisë në procesin e hapjes së negociatave me BE.

Takimi nga të dy palët u vlerësua si shumë i suksesshëm dhe frytdhënës.

Në fund, Ministri Xhafaj e ftoi homologun Bozhinoviç për një vizitë në Tiranë për të konkretizuar më tej projektet e bashkëpunimit mes dy qeverive.

Fatmir Xhafaj në Kroaci, zbardhet takimi me Bozhinoviç. Çfarë garancie mori ministri shqiptar nga homologu i tij? Read More »

Detaje të reja nga gjyqi në Katania. Si u përgjigj Moisi Habilaj pyetjeve për Saimir Tahirin?

Të tjera detaje zbulohen për dosjen ‘Tahiri’ pak ditë pasi dy prokurorët shqiptarë shkuan në Romë për të marrë në pyetje Moisi Habilajn si dhe pjesëtarët e tjerë të arrestuar për trafik droge.

Sipas asaj që raporton Tv Klan, mësohet se Moisi Habilaj dhe Nezar Seitaj kanë refuzuar që t’i përgjigjen pyetjeve të dy prokurorëve Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara sa i përket implikimit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Përpos përpjekjes prej më shumë se 3 orë nga ana e dy hetuesve, Habilaj ka refuzuar t’u përgjigjet.
Në disa raste të tjera, përgjigjet e dhëna prej tij kanë qenë pa shumë vlerë për hetimet, pasi nuk është përfituar thuajse asnjë e dhënë e vlefshme.

Nga ana e saj, prokuroria pretendon se Moisi Habilaj ka patur marrëdhënie të ngushtë me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi ai është personi që ka marrë përsipër t’i rregullojë skafin, kur ky mjet iu prish gjatë pushimeve në Greqi.

Kujtojmë se hetuesit kanë afat deri në fund të muajit Korrik për të hetuar këtë dosje dhe nuk sqarohet nëse do kërkohet tjetër zgjatje e hetimit apo çështja do të dërgohet në gjyq.

Detaje të reja nga gjyqi në Katania. Si u përgjigj Moisi Habilaj pyetjeve për Saimir Tahirin? Read More »

Bukës po i rritet çmimi, por po i ulet pesha dhe siguria, bashkë me të po “hamë” edhe sëmundjet kancerogjene

Furrat duhen skeduar si “Vend krimi ushqimor”
Pas deklaratës së OSHEE, për rritje të çmimit të energjisë elektrike për prodhuesit e bukës, që përevç bukës prodhojnë edhe ëmbëlsira e produkte të tjera brumi si pica, byrekë, torta, bakllava, akullore, biskota etj, ata nuk kanë deklaruar se do t’i vërsulen qeverisë me protesta, por se do të sulmojnë popullin me… “levën” e çmimit!

Natyrisht që rritja e çmimit të bukës, ka krijuar reagim tek të moshuarit të cilët e kanë pensionin mujor, sa dieta e 3 netëve të hotelit të një deputeti e ministri. Rritja e çmimit, ka krijuar shqetësim tek familjet me ndihmë ekonomike, të cilave shteti u jep pagesë mujore sa 1 larje makine ministri, ose vetëm 1 bukë në ditë! Por përpara se prodhuesit, të kërcënojnë me rritjen e çmmit të bukës ngaqë po u rritet çmimi i energjisë që për përdorin për prodhimin e tortave dhe bakllavasë, duhet të japin llagari edhe ligjore, se çfarë buke prodhojnë e na shesin!

Sepse po hamë bukë me infeksione kancergjene. Po hamë bukë, me standarde të falsifikuara! Po hamë bukë të përzierë me lloj-lloj lëndësh krunde, bërsi, tagji kafshësh e kimikate! Këtë krim ushqimor njerëzor, shqiptarët e dinë shumë mirë dhe e fusin në stomak përditë, por furrtarë-zuzarët e prodhimit të bukës e mendojnë popuyllin si “sylesh” ngaqë shteti i futur në “thesin e krundeve” të korrupsionit që nga importi i miellit serb, e ka lënë të bëhët “lesh arapi” problemi i cilësisë dhe sigurisë së bukës,!

Sa herë ka rritje të çmimit të energjisë elektrike, aq herë rritet çmimi i bukës! Por ndërsa rritet çmimi i bukës, ulet pesha dhe siguria e saj, aq sa shqiptarët bashkë me bukën e paguar me çmim të lartë dhe për nga pesha sipas stilit paguaj 2 dhe merr 1, po “hanë” edhe sëmundjet kancerogjene. Aq me rrezik për shëndetin e jetën ështrë buka që prodhohet në Shqipëri, sa furrat e bukës mund të cilësohen “vend krimi”, por asnjë furrë nuk bllokohet si e tillë, paçka se lënda e parë e prodhimit të bukës e embëlsirave dhe produkteve të promit për fëmijë është mielli kancerogjen e tagji kafshësh, që importohet nga Serbia .

Sipas ekspertëve të miell-bukës, rezulton se buka në Shqipëri është me sëmundjen “Coli Bacil”, por shën deti publik, laboratroi i ISUV dhe specialistët e AKU (Kontrolli Ushqimor) e lejojnë, duke e “certifikuar” si të pastër e me standarde të vendeve të BE! Kjo sëmundje, nis qysh në fazën e prodhimit të grurit dhe shtohet në përmasa të mëdha në miellin që prodhohet prej këtij gruri të infektuar, duke krijuar element infektimi helmues e kancerogjen në organizimin e konsumuesit të miellit ose bukës së prodhuar prej këtij mielli.

Bukë e tillë vazhdon të prodhohet në 95% të furrave në Shqipëri, sidomos të atyre që janë nëpër bodrume e nëpër hyrje pallatesh! Mjekë infeksionistë, shprehen për “PAMFLETI”, se 80% e qytetarëve që kanë dhimbje barku, diare, marrje mendsh, ulje tensioni, të vjella tek fëmijët e moshës 1-10 vjeç, dobësi fizike, nevojë e shpeshtë për ujë, djersitje të qafës e fytyrës, kruarje të lëkurës në duar, në mesin e trupit e në gjoks, rëndesë në sistemin nervor, shpeshtim të rrahjes së pulsit dhe shpërqëndrim vëmendjeje gjatë bisedave, kanë si shkak ekzitencën e sëmundjes “Coli Bacil” që është në bukë./Pamfleti

Ja 8 standardet e dukshme, që duhet të ketë buka

  1. Buka duhet të jetë e shndritshme, e padjegur dhe pa të çara në kore

  2. Korja e bukës shumë e zezë flet për pjekje mbi normën e lejuar ( deri në 210 gradë celsius)

  3. Tuli nuk duhet të jetë i qullët

  4. Tuli i bukës i qullët tregon se buka është prodhuara me grurë në fazë të mbirë

  5. Buka e zezë duhet të përmbajë ashkla të rrëshqitshme në trupin e bukës

  6. Buka e pjekur në temperaturë mbi 220 gradë celsius është me rrezik për shëndetin

  7. Buka duhet të konsumohet të paktën 5 orë pasi ka dalë nga furra e pjekjes

  8. Konsumi ditor i fibrës nuk duhet të kalojë masën 7-9 gram.

Ja 12 produktet me elementë kancerogjenë, që futen nga Serbia në Shqipëri

  1. Drithëra për miell buke masive

  2. Drithëra për prodhim niseshtje

  3. Drithëra që prodhojnë miell për prodhime qumështi

  4. Produkte të gatëshme brumi, bukë, biskota, baza tortash

  5. Produkte të industrisë bluajtëse, malt; niseshte etj.

  6. Miell rifuxhio, i pa matrikulluar

  7. Mbetje dhe kthime të industrisë ushqimore

  8. Tagjia e përgatitur për kafshët

  9. Drithëra të papërgatitur, lëndë e parë për tagji kafshësh

  10. Drithëra të bluara me rreze të lartë, për koncentrat për shpendët

  11. Lloje të ndryshme të ushqimit për kafshë

  12. Drithëra me 17% infeksion fiziko-biologjik.

Bukës po i rritet çmimi, por po i ulet pesha dhe siguria, bashkë me të po “hamë” edhe sëmundjet kancerogjene Read More »

”Mos bëjmë virgjërinë këtu, trim jam dhe ta dish ti”, debate dhe akuza në Komisionin e Medias

Prej shumë ditësh opozita ka bllokuar si punimet e Kuvendit, ashtu edhe ato të Komisioneve. Rasti i fundit është shënuar nga Komisioni i Medias ku PD i ka vendosur maxhorancës qeverisëse 23 ditë kohë për të larguar ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj. Po ashtu në Komision ishte i ftuar edhe Ilir Zela, kreu i AKEP, ku do të fliste për mbylljen e portalit satirik kryeministri.com

Demokratët nga ana e tyre e kanë shfrytëzuar mosprezencën e Zelës si pretekst për të krijuar debat. Demokrati Luçiano Boçi tha se qeveria po përgatit bazë ligjore që të mbyllë të gjitha portalet kritike dhe me mbylljen e portalit satirik, po i mat pulsin opozitës dhe opinionit publik.

“Nuk mund të thoni që është projekt pilot, se të ishte i tillë, duhet të mbylleshin 30 portale”, ka thënë socialistja Milva Ekonomi. Por për Albana Vokshin, AKEP duhet të mbyllte “ERTV”-në, sepse ka përmbajtje të dëmshme për qytetarët.

“Pse nuk mbyllet ‘ERTV’, është i paligjshëm, ka përmbajtje të paligjshme dhe përmbajte të dëmshme. Ka monopolizuar tregun. Është pa licencë”, ka thënë Vokshi. ‘’Ti duhet të distancohesh nga ministrat e Brendshëm të lidhur me drogën dhe krimin. Jeni për të ardhur keq. Keni vetëm 23 ditë kohë që të shkarkoni ministrin e Brendshëm”, iu është drejtuar kryetarja Albana Vokshi, socialistëve.

SHERRI TE KOMISIONI I MEDIAS

Albana Vokshi: Unë e quaj të paprecedentë dhe të pafalshme mospjesëmarrjen dhe refuzimin që zoti Ilir Zela i ka bërë Komisionit të Medias. S’mund të refuzohet një komision parlamentar në mënyrë kaq flagrante dhe po bëhet në mënyrë sistematike. Ne çdo javë kemi refuzime ose të kabinetit qeveritar, ose drejtuesve të institucioneve. Edhe të deputetëve sepse marrin urdhër direkt. S’mund ta tolerojmë këtë gjendje…

Luçiano Boçi: Është skandal mbyllja e faqes ‘kryeministri.com’ nuk është rastësi, por është projekt pilot. Është testim për median online, si do jetë reagimi i opozitës dhe reagimi i medias. Pas kësaj do vijnë dhe mbylljet e tjera. Është parapërgatitur nga ana ligjore..

Milva Ekonomi: Nuk mund të thoni që është projekt pilot se të ishte e tillë duhet të mbylleshin 30 portale..

Albana Vokshi: Nuk do lejojmë Edi Ramën të mbyllë portalet.

Milva Ekonomi: Nuk i mbyll Edi Rama dhe nuk i hap. Se Edi Rama i ka lënë të bëjnë ç’të duan.

Albana Vokshi: Pse nuk mbyllet “ERTV”, është i paligjshëm, ka përmbajtje të paligjshme dhe përmbajte të dëmshme. Pse nuk mbyllet?

Milva Ekonomi: “ERTV” është video-live në “Facebook”. Shko pyet Mark Zuckembergun.

Albana Vokshi: Të mbyllet, pse të mos mbyllet, është e dëmshme. Ka monopolizuar tregun. Është pa licencë.

Milva Ekonomi: Ju keni frikë nga ndjekësit që ka “ERTV”. (Deputetët e PD-së qeshin)

Genc Pollo: Ilir Zela, me përgjigjen e tij, ia ka lënë fajin në derë zotit Kryeministër, Edi Rama. Ai thotë qartë që unë nuk e kam mbyllur me iniciativën time, por kam qenë i urdhëruar nga AKCES, agjencia e Kryeministrit. Sulmet ndaj kësaj faqeje nisën vetëm pasi u bë parodia për ministrin e Brendshëm të lidhur me krimin.

Florion Mima: Është e qartë për të gjithë tashmë që negociatat nuk do hapen sepse nuk do Partia Socialiste. Unë kam bindjen që mes jush kolegë të maxhorancës ka njerëz që duan ta mbajnë kokën lart, një pjesë fare e vogël e lidhur me Rilindjen, ata mund të kenë arsye ta mbajnë kokën poshtë. Le ta mbajnë për këtë zarar të madh që po i bëjnë vendit. Cilat janë klanet? Shikoni rotacionin e klaneve në Ministrinë e Brendshme. Klani i marijuanës iku.

Kreu misionin e vet, e kanalizoi vendin me një xhiro vjetore 9 miliardë euro, thotë EUROPOL. 4 miliardë është buxheti i shtetit. Në ikje e sipër është klani i kokainës, 2.5 miliardë e gjysmë euro, thotë OKB. Krimi më i madh është se 2.5% e popullsisë është e varur nga kokaina. Ka dhe një klan që po bëhet gati, është klani i heroinës, por edhe ai siç do vijë, do ikë shumë shpejt.

Ismet Beqiri:Sa për drogën dhe krimet e tjera, Shqipëria nuk u kanabizua për 4 vjet, por ka 27 vjet dhe zotërinjtë mos të bëjnë apologjinë, mos të bëjmë virgjërinë këtu. E dimë ç’është Shqipëria, e dinë Shqiptarët jashtë kësaj salle n.q.s ju keni ardhur dhe do ta vazhdoni deri në fund derisa të japë Europa vendimin përfundimtar për Shqipërinë. Unë kam shumë shpresë se mendojnë më shumë për shqiptarët se për ato ekipe politike, që janë dhe ikin në pushtet. Ne nuk i bëjmë mirë çështjes në këto momente, duke hedhur baltë dhe duke nxirë gjithë veten tonë. Le ta shikojmë gotën gjysmë plot dhe jo vetëm gjysmë bosh.

Albana Vokshi: Ti duhet të distancohesh nga ministrat e Brendshëm të lidhur me drogën dhe krimin. Jeni për të ardhur keq. Keni vetëm 23 ditë kohë që të shkarkoni ministrin e Brendshëm dhe të tregoni që e keni seriozisht plotë- simin e kritereve. Po mbani peng një Shqipëri të tërë, po mbani peng rininë.

Ismet Beqiri: Rininë po e mbani ju peng , me politikat që po bëni.. Injektoni pozitivitet në mendjen e njerëzve, ju lutem.

Aldo Bumçi: Është mbyllur një portal kritik me qeverinë.

Milva Ekonomi: I paligjshëm..

Aldo Bumçi: Këtë e vendos Gjykata. Por sot nuk ekziston më Gjykata Kushtetuese, sepse e mbylli Edi Rama. Nuk mundet të mbyllet një institucion se anëtarët e saj nuk justifikojnë dot të ardhurat e tyre.. Institucioni ka më shumë vlerë se dy anëtarë, se me këtë logjikë, as doganat, as polici dhe asnjë institucion tjetër. Gjykata Kushtetuese është ajo gjykatë që na mbron të drejtat.

Albana Vokshi: O Ismet, ti e ke marrë sot rolin se pardje e kishte Fideli…

Fidel Ylli: Ça halli ke që provokon. Çfarë halli ke që provokon moj zonjushë? Pse ma përmend emrin..

Albana Vokshi: Thashë vetëm që bërë zhurmë herës tjetër.

Fidel Ylli: Nuk bëj zhurmë asnjëherë unë, flas me fakte. Dal me fakte me argumente. Ju kam thënë deri në datë 28 ne do ju durojmë, dhe do ju respektojmë. Na paskan vënë dhe përgjuesin se ça flasim ne me njëri-tjetrin, qenkemi të mërzitur nga qeverisja. Këta i dinë të gjitha.. Mos e streso veten. Albana vetëm di të provokojë edhe kur s’duam të flasim.

Albana Vokshi: Lexoni rregulloren dhe pastaj e respektojmë.

Fidel Ylli: E kuptoj unë dhimbjen që ke kur je në opozitë.

Albana Vokshi: Mos kini frikë nga fjala..

Klevis Balliu: O Ismet trimi..

Ismet Beqiri: Po, trim jam. Trim jam, ta dish ti…

Fadil Nasufi: Boll e ndotëm ambientin publik me akuza…

Albana Vokshi: Me drogën? Me drogën? Me drogën që mbushet gjithë Shqipërinë.

Fadil Nasufi: Drogë është dhe kjo mënyrë e të folurit dhe të përbalturit.

Albana Vokshi: S’mund të thuash ti për kolegët e mi që kanë ndodhur ambientin. Ju e ndotët me drogë. Është turp, tregoni respekt dhe etikë. Kemi miratuar Kod Etike.

”Mos bëjmë virgjërinë këtu, trim jam dhe ta dish ti”, debate dhe akuza në Komisionin e Medias Read More »