Aurora

Njihuni me fshatin shqiptar, ku jeton vetëm 1 banor dhe jetesën e çuditshme që ai bën

Nëse ne jemi mësuar të kemi miq, fqinj, të shkëmbehemi me njerëz në rrugë apo të jetojmë pranë familjarëve tanë, dikush ka preferuar të jetojë për çdo ditë i vetëm.

Bëhet fjalë për 70- vjeçarin Sabit Maliqi, që jeton në fshatin Graxhanik të Kosovës, shtëpia e të cilit gjendet buzë një përroi.

Në një reportazh për RTV21 i moshuari tha se është i kënaqur dhe nuk pranon kurrsesi ta lërë jetën e fshatit.

“Dy ditë në Prishtinë më duken si dy javë. ”

Maliqi është mësuar me vetminë dhe me t’i bërit gjërat vetë. Ai gatuan dhe kujdeset për gjithçka tjetër që i siguron ushqim.

Për shkak të rrugës së keqe, e cila mund të kalohet veçse me traktor 70- vjeçari rrallëherë lëviz nga fshati i tij.

“Sabiti është interesant. Edhe ne befasohemi se si e organizon jetën. Me përjashtim të 3 muajve verë nuk ka mundësi asnjëherë tjetër të lidhet me rrugën kryesore. E para për shkak të baltës dhe e dyta sepse bie borë shumë. ” tha njëri prej banorëve të një fshati fqinj.

Njihuni me fshatin shqiptar, ku jeton vetëm 1 banor dhe jetesën e çuditshme që ai bën Read More »

BE ultimatum Shqipërisë për hapjen e negociatave: 1 vit kohë për arrestimin e politikanëve, ministrave e ish-ministrave

Bashkimi Europian i ka vendosur ultimatum Shqipërisë, që brenda një viti të nis arrestimin e politikanëve të korruptuar në Shqipëri. Për këtë arsye ditën e djeshme u vendos që Shqipërisë t’i hapen negociatat në qershor të vitit të ardhshëm. Duke parë ecurinë e reformave në vendin tonë si dhe qendrimet e Francës dhe Holandës, Brukseli ka vendosur të kërkojë progres në reformën në Drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gati arrestimet VIP

Vendimi BE dje ka dhënë sinjale se në Shqipëri do të nisë reprezalja në radhët e politikës. Edhe pse nuk do ketë negociata këtë vit, Brukseli ka paralajmëruar se deri në qershor 2019 do të ketë arrestime në nivele shumë të larta. Gazeta ”SOT” ka siguruar raportin e miratuar dje nga ministrat e Jashtëm dhe aty kanë një sërë kushtesh që duhet të përmbushen nga Shqipëria. Kryesorja është se BE kërkon luftë të ashpër ndaj korrupsionit në nivele shumë të larta.

“Këshilli nënvizon se Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj në të gjitha këto fusha dhe duhet të sigurojë se rezultatet e mëtejshme duhet të arrihen edhe në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë, si dhe në çmontimin e rrjeteve kriminale të organizuara. Në kuadrin e reformës së drejtësisë, institucionet e specializuara për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar ende duhet të krijohen sipas kuadrit ligjor tashmë në fuqi.

Krijimi i një procesi solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të gjitha nivelet, mbetet një objektiv thelbësor afatgjatë që kërkon përpjekje të mëtejshme, të strukturuara dhe të qëndrueshme”, thuhet në raport. Me këtë vendim të BE, sinjalet janë se shumë shpejt do të nisin arrestimet në nivele ministrash, ish-ministrash dhe deputetësh. Brukseli dje ka qenë i qartë se nëse politikanët e korruptuar nuk dalin para drejtësisë, atëherë nuk do ketë hapje të negociatave.

Ngritja e SPAK dhe e BKH

Në dokument kërkohet po ashtu që të përshpejtohet vetingu dhe të ngrihet me urgjencë Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Struktura e Posaçme antikorrupsion. “Kërkohet avancimi i mëtejshëm i procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti duke plotësuar të gjitha dosjet prioritare dhe finalizimin e themelimit të strukturave të pavarura gjyqësore siç parashihet me reformën kushtetuese.

Kërkohet finalizimi i themelimit të organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (NBI) dhe Gjykatës. Kërkohet forcimi i procesit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe në nivel të lartë”, theksohet më tej. Sinjalet janë se duke filluar nga muaji korrik e deri në qershor 2019 do të nisë një luftë e ashpër ndaj korrupsionit. Plani është që SPAK të ngrihet brenda vitit dhe kushdo që ka bërë zullume do të përballet me drejtësinë.

Paraskenat e negociatave

Vendimi i BE për të shtyrë në 2019 vendimin për negociatat e Shqipërisë erdhi pas debateve të gjata mes vendeve anëtare në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, i cili u mblodh në Luksemburg, ku disa vende kërkonin shtyrjen pa afat të procesit. Në përfundim të pjesës së parë të mbledhjes, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias tha se ka dy grupime. Njëri që përfaqëson shumicën, me 25 vende që mbështesin hapjen e bisedimeve deri në verën e 2019 dhe tre vende të tjera, Franca, Danimarka dhe Holanda që mendojnë se duhet të shtyjmë të gjithë procesin.

Qëndrimi i Francës është ndikuar nga një sërë faktorë. Nga njëra anë janë ato që lidhen me situatën e brendshme, duke qenë se gati gjysma e forcave politike franceze dhe shumica dërrmuese e opinionit publik, janë kundër idesë së zgjerimit. Ndërkohë që përpara nisjes së takimit Ministri i Jashtëm holandez Stef Blok përsëriti qëndrimin hezitues të vendit të tij.

BE ultimatum Shqipërisë për hapjen e negociatave: 1 vit kohë për arrestimin e politikanëve, ministrave e ish-ministrave Read More »

Integrimi i Shqipërisë në BE, Rama publikon videon e KE, lutja që ka Kryeministri për shqiptarët

Ditën e djeshme ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian vendosën që Shqipërisë t’i happen negociatat më 29 qershor të vitit 2019. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili në një status në rrjetet sociale ka shkruar se esadistët e rinj të Shqipërisë hedhin gurët e akuzave të tyre vulgare kundër qeverisë.

Statusi i Edi Ramës në Facebook:

MIRËMËNGJES! Mbrëmë, në të njëjtat orë që Këshilli Europian postonte këtë kartolinë përgëzimi për të gjithë shqiptarët, pas dakordësisë aspak të lehtë për datën e çeljes së negociatave me Shqipërinë, esadistët e rinj të Shqipërisë hidhnin gurët e akuzave të tyre vulgare kundër qeverisë si fajtore për një dështim imagjinar në Europë! Me lutjen që të mos u’a harroni këto shfaqje të pafundme brutaliteti kundër qëllimit tonë të përbashkët dhe vetë Shqipërisë, ju uroj një ditë të bukur.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155913804076523/?t=0

Integrimi i Shqipërisë në BE, Rama publikon videon e KE, lutja që ka Kryeministri për shqiptarët Read More »

Shqiptarja Elena Peshkopia, e para në botë me doktoraturë në filozofi

Elena Lucrezia Peshkopia është e para grua shqiptare në botë që në vitin 1678 ka arritur të marrë doktoraturën në filozofi.
Gjatë shekullit ku jetoi ajo ishte gruaja më e ditur në Europë. Statuja e Elenës që u gjet në Universitetin e Padovës, një prej universiteteve më të vjetër dhe ndër më të njohurit në Europë, siç shkruan atsh, dëshmon për vlerat e arritjeve të jetës së saj.

Portreti i saj është gjithashtu edhe në dritaren e qelqit rreth 7 metra të lartë në bibliotekën “Frederick Ferris Thomson” në kolegjin Vassar të Nju Jorkut në SHBA ku Elena është portretizuar duke mbrojtur tezat e saj mbi Aristotelin.

Elena Peshkopia lindi në Venecia në 1646, ajo përfundoi shkollën e shqiptarëve “Santa Maria dhe San Gallo” në Venecia (Scuola di Santa Maria e di San Gallo degli Albanesi).

Shkolla ku Elena mësoi është themeluar nga fisnikët e edukuar shqiptarë në 22 tetor 1442 dhe për rreth 200 vite vazhdoi të funksionojë për arsimimin e shqiptarëve deri në fund të shekullit të 18-të. Që prej fillimit, djemtë dhe vajzat e frekuentonin këtë shkollë së bashku, institucioni financohej nga taksat që paguanin shqiptarët.

Në detyrimet përfshiheshin edhe gratë por ato edhe do të mund të përfitonin. Godina e shkollës ishte dizenjuar nga shqiptari Viktor Karpaçi, artist i njohur gjatë periudhës së Rilindjes Europiane, ai mbikëqyri ndërtimin e ndërtesës dhe dekorin e fasadave të shkollës, pikturat e tij janë gjetur në galeritë e Venedikut, Milanos, Parisit (Luvër), Vjenë, Londër.

Prezenca e madhe e shqiptarëve në Republikën e Venecias është lidhur me zhvendosjet e tyre sa më shumë drejt perëndimit si pasojë e pushtimit osman.

Elena, e talentuar edhe në muzikë vazhdoi studimet në filozofi dhe astronomi duke ndjekur edhe programin e doktoraturës në Universitetin e Padovës. Ajo mbrojti teoritë e saj të doktoraturës në 25 qershor 1678 para profesorëve të filozofisë dhe logjikës, mjekësisë dhe teologjisë. Ajo u bë një lektore në matematikë në Universitetin e Padovës ku qëndroi deri në fund të jetës së saj së shkurtër.

Elena Peshkopia ndërroi jetë nga tuberkulozi në 26 korrik të vitit 1684 në moshë shumë të re, vetëm 38 vjeç. Ajo prehet në kishën e Shën Lukës në Padova të Italisë./koha.net/

Shqiptarja Elena Peshkopia, e para në botë me doktoraturë në filozofi Read More »

Shqiptarët janë të ashpër dhe të pamposhtur, të zgjuar, bujq dhe ushtarak

Përkthyer në shqip nga studiuesi i përjetshëm:  Altin Kocaqi
Jakob Philipp Fallmerayer për shqiptarët;
Ekziston në Gadishullin Ilirik një etni e tillë që gjuha e saj, sipas tipeve dhe rrënjëve të fjalëve, nuk ka as më të paktën ngjashmëri me gjuhën greke(!!!), as me gjuhën turke  dhe as me vëndet e afërta veriore të Danubit që sot flasin gjuhën sllave.
Ky popull e quan veten shqiptarë ndërsa vendin që banon e quajnë Shqipëri ose në dialekt Shqipni.
Etnitë e tjera të afërta dhe të largëta i njohin dhe i quajnë shqiptarët nga fillesat kur shfaqen në histori si Alvanus, Arvanites, Arnaute; ndërsa vendin e quajnë  Alvanian, Arvanian, Arbënian.
Atdheu i shqiptarëve, ose banesa e shumëvjetër që në kohën që e njohu historia, ishte një vend malor rreth 100 orë në gjatësi dhe rreth 300 orë në gjerësi me kufinjtë jugor në gjirin e Amvrakias  dhe deri në liqenin e Shkodrës; nga perëndimi fillon nga detet Jon e Adriatik  mbi malin Pindit, i ngushtë dhe i gjatë me male e dete. Njëra pjesë në jugperëndim  që në lashtësi quhej Epir dhe tjetra në veri quhej Iliri .
Në kohët kristiane nuk përmendet asgjëkundi as etnia  dhe as Atdheu i shqiptarëve.

6.Vetëm në Bibliotekën Akademike të Aleksandrisë gjendet në  shek II mb.kr një shënim gjeografik  që tregonte ekzistencën e qytetit ‘Albanopoli mali Albanon dhe etnos Albanon  ose Arvanitas në kufijtë e Epirit dhe të Ilirisë .
Në analet historike Shqiptarët erdhën dhe u shfaqën nën Bizantin  jo para shek XI mb. kr. Të pavarur dhe mbajtës të vendeve të tyre u shfaqen në horizontin politik sidomos në kohën e Turqisë në fillim të shek XIV e s.

8.Etnia e shqiptarëve ndahet në  dy fise, Gegët dhe Toskët, të cilët e flasin këtë gjuhë nga kohët e vjetra. Dialektet  ndryshojnë nga njeri tjetri saqë pa përkthyes askush nuk kuptohet ose të paktën kuptohen me vështirësi.
Kufiri midis Gegëve dhe Toskëve është lumi i Shkumbinit (Gjenusi=lindësi): në pjesën e sipërme të maleve të tij mundemi të njohim Elbasanin e qytetin e vjetër Albanopolis të Aleksandrasve.
Nga Shkumbini në kufi me Malin e Zi shtrihet vendi i Gegëve dhe vendi i Toskëve shtrihet  nga jugu i lumit të përmëndur   deri në gjirin e Amvrakias .
Gegët dhe Toskët që sot njihen me emrin e përbashkët Shqipëtar, as në lashtësi dhe as sot, nuk kanë formuluar një politikë bashkuese si në vëndet gjermanike .

12.Banorët e krahinave shqiptare, Gegë e Toskë, nuk banojnë vetëm këtë vend që quhet Shqipëri dhe as e mbulojnë atë të gjithin.

Një pjesë e mirë e rracës shqipëtare, pas pushtimit, lëvizën nga Epiri dhe Iliria në drejtim të Italisë nga Sicilia, ndërsa shumë bashki të këtij vendi sot banohen nga Sllavët, Grekët, Vllehrit.
Pjesë e popullsisë së mbretërisë Greke emigroi si popull marinar dhe bujqësor dhe u vendos edhe në Shqipëri. Arrnautët dhe Arvanitët, të cilët dhe sot flaën shqip, i përkaën krahinës së Toskërisë dhe përfaqësojnë fenë  ortodokse të Lindjes.
Albanët, ose arvanitët apo shqiptarët, nuk ishin as popullsi  bujqërish dhe as filologji etnikë;  ata nuk kishin as alfabet të përbashkët dhe aspak vepra shpirtërore prodhuar për një mijë vjetë egzistencë;  por ata na dhanë një provë të gjallë se edhe  nëse një komb vetëdështon nga njohuritë e qytetërimit njerëzor, ekziston si luftarak e burrëror dhe mund të mbijetojë pa u njohur, pa akademi, pa shkencë dhe pa alfabet dhe të ruajë të pahumbur që nga fillesat këtë forcë në mes etnive të shkolluara.
Për kaq shumë kohë shqiptarët mbetën kudo në vendnumëro në oligarki dhe të pandryshuar; dhe kjo vjen si nga mosveprimi shekullor ashtu dhe nga narkoza e Lindjes.
Shqiptarët, patjetër që munden të zhvillohen të lirë në natyrë, por në karakterin e tyre janë kurdoherë miqësorë, kryengritës, të pafe,  të krishterë,  të ashpër dhe patjetër  të zhdërvjellet, të pamposhtur, të zgjuar, bujq dhe ushtarak. Nuk u pëlqenin idetë e përgjithshme, ndjenjat politike, përveç mendësisë dhe filozofisë për mençuritë e botës.
Pjesa eshte shkepur nga libri autorit arvanit Panajoti Kupitori  STUDIME SHQIPTARE, TËVËRTETA HISTORIKE DHE FILOLOGJIKE RRETH GJUHËS DHE ETNISË SHQIPTARE,Sh.b “Tipografia tu mellondas”  Athinë 1879.

Shqiptarët janë të ashpër dhe të pamposhtur, të zgjuar, bujq dhe ushtarak Read More »

Shqipëria dhe Lufta e Parë Botërore

Jo Ballkani, por e gjithë Evropa ishte në vitin 1914 një fuçi e madhe baruti, në të cilën qenë futur shumë fitila, një prej të cilëve ishte Shqipëria, thotë historiani Michael Schmidt-Neke, i cili në këtë intervistë karakterizon rrethanat politike dhe shoqërore shqiptare të kohës së Luftës së Parë Botërore.

Shqipëria qe duke hedhur hapat e parë si shtet pas shpalljes së pavarësisë, kur ndodhi atentati i Sarajevës më 28 Qershor 1914, që konsiderohet edhe si preteksti për shpërthimin e Luftës e Parë Botërore. Cilat ishin pasojat e këtyre ngjarjeve për Shqipërinë?

Schmidt-Neke:Lufta e Parë Botërore nisi nga Gadishulli i Ballkanit dhe jo vetëm për shkak të vrasjes së arkidukës Franz Ferdinand – trashëgimtar i fronit të Austro-Hungarisë – por, për shkak se Luftërat Ballkanike të viteve 1912-1913 ishin një lloj faze prove. Askund në Evropë gjashtë fuqitë e mëdha të asaj kohe, pra Rusia, Britania, Franca, Italia, Gjermania dhe Austro-Hungaria, nuk ishin aq të përkushtuara për të realizuar interesat e tyre konkurruese në bashkëveprim me shtetet e reja kombëtare. Kjo ishte vënë tashmë re që në vitin 1878 në Kongresin e Berlinit, përfundimet e të cilit ishin të pafavorshme për shqiptarët dhe kjo gjë tani u ashpërsua më tej.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe njohja e saj ndërkombëtare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në korrik 1913, qe nga njëra anë rezultat i natyrshëm i lëvizjes kombëtare shqiptare, sepse në qoftë se askush nuk kërkon mëvetësinë si shtet, ndoshta një i tillë as nuk themelohet. Por, nga ana tjetër, shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912 nuk do të kishte pasur efekt, nëse do të kishin triumfuar pozicionet e Rusisë, apo Francës, të cilat nuk kishin asgjë kundër një zgjerimi të Greqisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi në gjithë Ballkanin Jugperëndimor.

Shqiptarët patën fat, sepse konjunktura politike po ndikonte në favor të një Shqipërie të pavarur dhe fat të keq për shkak se ajo nuk punoi në favor të bashkimit të zonave të populluara me shumicë shqiptare. Kompromisi ishte njohja e Shqipërisë si një principatë prej gjashtë fuqive të mëdha, por vetëm brenda kufijve të ngushtë të saj, siç i kemi sot. Një kompromis tjetër qe emërimi i princit Wilhelm zu Wied si princ i Shqipërisë, sepse për shkak të origjinës, lidhjeve farefisnore dhe fesë, ai nuk ndeshi te asnjëra palë në kundërshtim të pakapërcyeshëm.

Por, në qoftë se gjendet një zgjidhje përmes një kompromisi mes gjashtë palëve, kjo bëhet e pavlefshme, nëse palët papritmas fillojnë të qëllojnë mbi njëri-tjetrin. Me largimin e Princ Wiedit, Shqipëria u kthye në arenën ndërkombëtare, sërish në atë pikë ku kishte qenë para Konferencës së Ambasadorëve: në një tokë që sipas të drejtës ndërkombëtare nuk i takonte askujt.

Kjo përkeqësohej më tej edhe prej faktit, se në vend nuk kishte asnjë faktor qendror që do të qe në gjendje ta mbante shtetin të bashkuar. Romani i Ismail Kadaresë, “Viti i mbrapshtë”, e përshkruan këtë kaos shumë tragjikomik, në të cilin shpejt as shqiptarët dhe as të huajt nuk po e merrnin më vesh se cili qe aleat me kë dhe kush luftonte për çfarë. Si rezultat, pavarësia pas më pak se dy vjetësh u pezullua për të filluar të funksiononte përsëri në janar të vitit 1920 në Lushnjë.

Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Shqipëria qeverisej nga princ Wiedi. Ju keni shkruar në një studim: “Regjimi i Wiedit nuk ishte vetëm një pjesë e historisë shqiptare, por qe një gur i rëndësishëm mozaiku në panoramën e Evropës, në kulmin e krizës së imperializmit, e cila shpërtheu në Luftën e Parë Botërore”. Në ç’mase ishte periudha e qeverisjes së tij një pjesë e rëndësishme në kontekstin politik evropian dhe global?

Schmidt-Neke: Fan Noli, udhëheqësi i Kishës Ortodokse dhe kryeministri revolucionar i vitit 1924, ka thënë për princ Wiedin: “Atë mund ta fajësojmë vetëm për një gjë: që nuk mund të bënte mrekulli”. Në periudhën komuniste flitej për ksenokraci, pra për sundimin e huaj, që do të thoshte se Wiedi kishte shkuar në Shqipëri për të zbatuar interesat e huaja, por jo për t’i shërbyer vendit dhe popullit të saj.

Natyrisht që dështimi qe i parashikueshëm, edhe për shkak se ai nuk sillte me vete asnjë lloj kualifikimi për këtë funksion. Ndryshe nga princët dhe mbretërit gjermanë, që ishin vendosur në Greqi, Rumani dhe Bullgari, ai nuk kishte kohë për të mësuar nga gabimet e tij dhe për të përmirësuar mungesën e njohurive për vendin. Edhe vendimi i tij për të marrë pjesë si oficer gjerman në luftë, tregon se sa pak ishte adoptuar ai me rolin e tij si kreu i shtetit.

Çështja që është diskutuar me shumë forcë, përsëri këtë vit, është nëse Lufta e Parë Botërore qe e predestinuar të shpërthente, sepse konkurrenca e gjashtë fuqive imperialiste e kishte bërë të pashmangshme, apo nëse ishte e mundur një stabilizim i rendit të paqes. Kjo mospërputhje e politikës së atëhershme evropiane u bë e qartë në mënyrë mjaft shembullore në Shqipërinë e vogël. Nga njëra anë u bë e mundur të gjendej një konsensus në formën e një Shqipërie të pavarur me princin Wilhelm zu Wied në krye, nga ana tjetër, më pas, në qeveritë kombëtare fitoi përparësi politika për ndjekjen e interesave të veta me çdo kusht.

Jo Ballkani, por e gjithë Evropa ishte në atë kohë një fuçi e madhe baruti, në të cilën qenë futur shumë fitilë, një prej të cilëve ishte Shqipëria.

Shqipëria nuk ka qenë pjesëmarrëse aktive në Luftën e Parë Botërore dhe konsiderohet si top loje, apo plaçkë tregu e interesave të fuqive, që merrnin pjesë në luftë. Edith Durham ka thënë në këtë kontekst: “Shteti i sapokrijuar i Shqipërisë ju hodh përpara ujqve për të shpëtuar shtetet më të vjetër”. Sa qëndrojnë këto pohime?

Schmidt-Neke: Shqipëria nuk mund të ishte si shtet palë ndërluftuese, sepse nuk kishte shtet shqiptar. Shqipëria qe territor i pushtuar nga austriakët, serbët, malazezët, grekët, francezët, bullgarët, italianët, dhe secili prej tyre kishte aleatët e vet shqiptarë. Kushtet e vitit 1913 u rikthyen edhe më me forcë.

Ekzistonin ide krejtësisht të ndryshme, se si do të organizohej Ballkani pas luftës. Nëse do të kishin fituar Fuqitë e Treshes, Jugosllavia nuk do të kishte lindur, dhe ekzistencës së Serbisë dhe të Malit të Zi do t’i kishte ardhur fundi prej një zgjerimi të mëtejshëm të Austro-Hungarisë drejt Juglindjes dhe ekspansionit perëndimor të Bullgarisë. Rikrijimi i Shqipërisë si shtet i pavarur nuk kishte ndonjë prioritet të lartë për askënd.

Parrulla e “vetëvendosjes së popujve”, që propagandonte presidenti amerikan Wilson drejtohej kryesisht kundër Austro-Hungarisë, dhe pas luftës u bë e qartë se në atë rast nuk bëhej aspak fjalë për një e drejtë universale të njeriut.

Kishte vetëm pak njerëz, që angazhoheshin për Shqipërinë, dhe për fat të keq ata nuk kishin shumë ndikim, si Edit Durham, Leo Freundlich apo Aubrey Herbert.

Sa dhe në ç’formë kanë ndikuar ngjarjet e Luftës së Parë Botërore, krahas Luftërave Ballkanike, në krijimin e përfytyrimit të shqiptarëve për fqinjët?

Schmidt-Neke: Këto ngjarje kanë polarizuar shumë dhe kanë përkeqësuar sidomos marrëdhëniet reciproke midis serbëve, shqiptarëve dhe grekëve.

Në politikën zyrtare, Shqipëria u largua nga bashkëpunimi mbarëballkanik, për të cilin u tentua në Lidhjen Ballkanike, duke përjashtuar Bullgarinë dhe nën mbretin Zog Shqipëria u vu në varësi të përgjithshme ndaj Italisë, gjë e cila do t’i kushtonte Shqipërisë më vonë sërish me pavarësinë e saj. /DW/

(Historiani Michael Schmidt-Neke ka mbrojtur disertacionin me temën Lindja dhe zgjerimi i diktaturës mbretërore në Shqipëri (1912-1939). Ai është autor i shumë shkrimeve për historinë e Shqipërisë si dhe për sistemin politik dhe shoqëror të vendit)/Njekomb

Shqipëria dhe Lufta e Parë Botërore Read More »

Mot i “tërbuar”, ky është qyteti ku sot ra borë

Për çudinë tyre, banorët e Larisas në Greqi janë zgjuar me një surprizë që nuk e prisnin. Të paktën në fund qershori jo!

Ashtu si edhe në Shqipëri, në këtë qytet të Greqisë moti nuk ka qenë shumë karakteristik për stinën dhe sipas banorëve, temperatura të ulëta si këto të ditëve të fundit (maksimalet 18 gardë celsius) nuk kishin parë ndonjë herë.

Ditën e sotme janë zgjuar duke parë reshjet e borës jashtë dritares. Sipas mediave greke, banorët po thonë se Larisa është bërë si Londra, me shi dhe borë në mes të qershorit.

Ndërkohë që kapriçot e motit vazhdojnë edhe në Shqipëri me reshje shiu dhe temperatura relativisht te ulëta për stinën.

Mot i “tërbuar”, ky është qyteti ku sot ra borë Read More »

Anët e errëta të diktaturës: Enver Hoxha u përpoq të joshte mbretëreshën Geraldinë

Alfred Peza është shprehur se Enver Hoxha u përpoq të joshte mbretëreshën Geraldinë.
Ja biseda e videos:

Zoti Peza, jemi në vitet ’30- ’40 dhe ju ndodheni në një lokal me Sarah Blloshmin, çdo bënit?

Do bëja atë që do bënte instikti i çdo mashkulli përballë femrës më të bukur të vendit të vet, të cilën nuk e ka përditë aq afër sa e kisha unë dhe e kam unë në këto çaste. Do mundohesha ti tërhiqja vëmendjen dhe të flirtoja me të. Nuk e di sesa do ia arrija!

Një nga njerëzit që shihej në shoqërinë e saj ishte Enver Hoxha…

Të gjithë ambiciozët e kësaj bote, e nisin nga fustanet rrugën e tyre drejt majës dhe është e pashmangshme që edhe Enver Hoxha të ketë flirtuar me Sarah Blloshmin, ashtu siç thuhet që ka flirtuar edhe me një nga Princeshat. Ashtu siç do të flirtonte edhe me Mbretëreshën vetë më prapa. Arsyeja? Vetëm e vetëm që ti fitonte zemrën Mbretit Zog, për të arritur ambicien dhe synimin e tij.Ju thoni në libër që Enver Hoxha është përpjekur që të joshi edhe Mbretëreshën Geraldinë u shpreh Peza në një promo të realizuar nga Mapo Edition, në një bisedë me Alda Bardhylin.

Po. Sepse në mendjen e ambiciozit shkon gjithçka dhe flirti me Mbretëreshën është rruga më e shkurtër për të fituar vëmendjen e Mbretit.Ju thoni që Mbretëresha Geraldinë e ka ditur gjithmonë raportin e Ahmet Zogut me Sara Blloshmin…

Unë besoj se po. Është e pashmangshme. Po të lexosh me vëmendje kujtimet e saj, Ajo e kupton se deri në momentin që janë njohur, zemra e Tij, e gjithë vëmendja e Tij dhe Mbretëresha e Tij ka qenë dikush tjetër. Sepse ajo pranon me dhimbje që dashuria e tyre, është ajo e një rreth 50 vjeçari tashmë. E Ahmet Zogut në emigrim, larg atdheut, larg Pallatit Mbretëror, larg ballove, larg vëmendjes, larg tapeteve. Ishte një dashuri tjetër (përpara kësaj), ndryshe. Ishte vetëm një dashuri e atillë, si ajo që mund të ketë patur, vetëm Sara Blloshmi me Ahmet Zogun.

Anët e errëta të diktaturës: Enver Hoxha u përpoq të joshte mbretëreshën Geraldinë Read More »