Aurora

Habisin shkencëtarët me super zbulimin e ri: Gomari shikon djallin ndërsa gjeli shikon engjëjt

Ta dëgjosh këtë thënie profetike, prej njerëzve që thonë: Besojmë vetëm në atë që shohim, të tillët do ta quanin besëtytni një thënie të tillë. Mirëpo, shkenca vërteton se këto fjalë janë të një standardi tepër të lartë për t’u përfillur prej saj. Në fakt kemi të bëjmë me një mrekulli shkencore.

Aftësia e sistemit të shikimit të njeriut është e limituar. Gjithsesi krijesa të ndryshme kanë nivele të ndryshme në dallimin e dritës dhe rrezeve.

Kështu njeriu nuk mund të shikojë mbi nivelin e rrezeve Infra të kuqe dhe as nën nivelin e rrezeve Ultra Violet. Mirëpo te gjelat dhe gomarët limiti ndryshon.

Rrezet Infra të kuqe= 527 watt. Syri i njeriut maksimumi që arrin të shohë është deri në 445 watt që është edhe temperature e dritës normale. Ndërsa rrezet Ultra Violet janë nën nivelin e shikueshmërisë njerëzore. Ato janë vetëm 32 watt.

SHTROHET PYETJA:

Si kanë mundësi që gomarët të shohin djajtë dhe gjelat të shohin engjëjt?

Gomarët kanë mundësi të shohin përtej rrezeve infra të kuqe. Ndërsa djalli i cili është prej xhindeve është i krijuar nga zjarri. Dhe rrezet infra të kuqe më se shumti kanë origjinë nga nxehtësia dhe zjarri. Temperaturat mbi 527 vatt janë rreze Infra të Kuqe.

Nga ana tjetër gjelat e fushës shohin përtej rrezeve Ultra Violet. Ndërsa, engjëjt janë krijuar prej dritës ndërsa rrezet Ultra Violet janë niveli më i ulët i temperaturës pra 32 watt i pakapshëm për syrin e njeriut. Mirëpo, jo i tillë edhe për syrin e gjelave të fushës.

Habisin shkencëtarët me super zbulimin e ri: Gomari shikon djallin ndërsa gjeli shikon engjëjt Read More »

Letra e Cekës për Metën: Mos i përlani eurot e Durrësit

FEJTON/ Letër bashkëfshatarit
O Like, o babuç, po si të kam o vëlla, si më je o flori, ça ke bërë ore shejtan, se na ke harruar fare o t’u mbylltë, u bëre firar, o mos të shkoftë syri keq!

Po jemi vëllezër, jemi nga një fshat o derdimen, pse u katandisëm që të shihemi në televizor, unë duke tallur politikën me humor dhe ti duke tallur popullin me seriozitet! Po si ore qafir, kalon mes për mes Beratit me 100 vetura, kur shkon për të parë guroret në Skrapar dhe nuk kthehesh tek babuçi yt, që nuk të heq nga goja ditë e natë, që të kam bërë hero në gjithë zonën?!

Po të kam shpirt ore rrufjan, të kam zemër, të kam flori, ti dhe Sazan Guri jeni “bekri” (dredharakë) në zonën tonë, ju e keni nderuar fshatin tonë, që ju do aq shumë dhe betohet për ju “Rrofshi sa mali Tomorrit”, apo nuk ke lindur edhe më 24 mars-ditën e Novruzit.

O babuç, o flori, nuk të dua për vend pune në presidencë, se edhe një Komi që kishim atje (Kozam Dushi) e hoqe dhe ke futur ata që nuk të bëjnë për të qeshur, por për të qarë..

O Flori, o babauç, dua të takoj si vëlla, se po më djeg malli për ty, po më kalbet xhani për ty, por dhe për të bërë ndonjë punë nga ato që di ti, se na plasi shpirti nga varfëria, se që ta dish ti Like vëllai, këtej nga ne leku është shpallur në kërkim, nuk jemi si puna jote, që po të kërkon leku.

Kur më thanë, se do kaloje herën e fundit këtej nga zona jonë, porosita Tofikun, atë mikun tënd polic rrugor në Berat, që të sjell mishin, verën, arrat, reçelnat dhe qershitë në Tiranë, por ai më tha se nuk kishe kohë të ktheheshe, ngaqë kishit një “takim pune” ti, Bajrami i Fondit “Besa” dhe ata të TAP-it, që po punojnë në Skrapar.

O babuç, o flori, o bekri, a e di pse po ta dërgoj këtë letër?

Jo, nuk e di, le që ku e ke mendjen tek letrat e mia, ty të zjen koka për hallet e popullit, të ka helumar shytrja e datës së negociatave, të pashë në televizor, dukeshe i “vrarë” në fytyrë!

Po ta them ashiqare o babuç, fshatçe siç flasim ne nga Skrapari, ose me “transparencë brilante”, siç thotë Mona, nusja jonë që sikur na e solli si me porosi drit-ploti i bekuar “Abaz Aliu” e që na ka ndritur gjithë zonën dhe na ka mbajtur lart nderin e fshatit.

Të kam parë e dëgjuar në televizor, që je llafosur me aktorët dhe u ke dalë në krahë, tamam si burrat, për të mos lejuar prishjen e Teatrit, jo atë teatrin tonë në Berat që e ka dhënë Nasip Naço me qira, por teatrin e Tiranës.

O babauç, o flori, besoj se e dëgjove haberin, që artistët që u takuan me ty, ranë dakort me bashkinë dhe qeverinë, për ta shembur teatrin e vjetër! Meqë puna shkoi kështu si punë teatri, po munde, gjeje terezinë siç di ta gjesh ti dhe ulu e fol fshatçe me Ramën, Salën e Lulin, që ato eurot e Durrësit të mos “humbasin”, të mos “përmbyten” nga shirrat në depot e policisë, ose të mos dalin “fallco”, por të hidhen për ndërtimin e teatrit të ri. Kaq kisha o babuç, mos harro ore shejtan, bëhu të fala të gjithëve o flori, o tu bëfsha unë o Likja ynë president!/Pamfleti

Letra e Cekës për Metën: Mos i përlani eurot e Durrësit Read More »

Zbardhen përgjimet e bandës së heroinës

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 131 vite burg në total për 9 të akuzuarit si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që trafikonte drogë nga Turqia.

Bëhet fjalë për grupin e famshëm të Jurgen Mollës, i cili u shkatërrua gjatë operacionit “Ballkan” në vitin 2016, i shtrirë në disa vende të rajonit.

Prokurori Eugen Beçi, gjatë seancës së ditës së djeshme, kërkoi 17 vjet burg për Jurgen Mollën, i cili ishte kreu i grupit të strukturuar kriminal; 16 vjet burg për Shyqyri Kotorrin, ndërsa për Anesti Koromanin, prokurori Beçi kërkoi 15 vite burg.

Këta të tre, sipas Prokurorisë, janë edhe tri kokat e grupit. Prokurori Beçi kërkoi 15 vjet burg për ndërmjetësin Arif Çiço, shtetas kosovar.

 

Ndërsa për ty ndërmjetësit turq, Abubekir Tuncdemir dhe Mehmet Kulug, u kërkuan 15 dhe 14 vjet burgim. Ndërsa për Elmi Thaçin, Orges Myftarajn dhe Blerim Ukimerajn u kërkuan 12, 13 dhe 14 vjet burg.

Hetimet për këtë grup të strukturuar kanë qenë relativisht të gjata dhe në dosjen hetimore ka shumë përgjime.

Interesante është një bisedë e përgjuar mes Jurgen Mollës dhe nënës së njërit prej transportuesve, pasi ky i fundit ishte arrestuar.

Molla i premton nënës së transportuesit se do të paguante para që ta nxirrte atë nga burgu.

Ai madje përmend edhe një shembull se si, sipas tij, kishte mundur të transferonte një prokuror nga Tirana në Shkodër, i cili “po i prishte punë”.

Panorama sjell të plotë dosjen hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për grupin e Jurgen Mollës.

Paratë e fituara nga droga, Molla i pati investuar në fushën e ndërtimit.

Tashmë pritet që në seancën e ardhshme të mbahen edhe konkluzionet e mbrojtjes dhe të jepet vendimi për grupin.

 DOSJA

Të pandehurit, Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Anesti Koromani, nga provat e administruara, rezultoi të jenë në rolin e financuesit dhe të organizatorit të aktivitetit kriminal për sigurimin e trafikimin e lëndëve narkotike nga Turqia në drejtim të Shqipërisë, për llogari të interesave të grupeve kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit.

Ndërsa të pandehurit Orges Myftaraj e Klaudio Veizaj dyshohet të jenë në role ndihmëse, duke marrë e kryer të gjitha porositë e dhëna nga Jurgen Molla, në funksion të organizimit të trafikimit të lëndëve narkotike.

Në funksion të ndërmjetësimit dhe sigurimit të heroinës u provua të jenë shtetasi kosovar Arif Çiço, si dhe shtetasit turq Enver Kurtuluº, Abubekir Tuncdemir, Mehmet Kulug, etj.

Transportues të lëndëve narkotike të këtij grupi kriminal u provua të jenë shtetasit: Arben Prendi (dënuar me vendimin nr. 93 dt. 06.07.2016), Mirislav Perovic, Erol Belir dhe Songul Erek (të arrestuar tashmë).

Nga hetimi i këtij procedimi penal janë evidentuar tri raste të trafikimit të lëndës narkotike. Gjatë muajit qershor 2015, të pandehurit Jurgen Molla, Arif Çiço, Abubekir Tuncdemir, kanë realizuar një sërë takimesh në Kosovë dhe në Shqipëri, në funksion të arritjes së marrëveshjes për trafikimin e një sasie heroine, e cila do të sigurohej nga shtetasi Abubekir Tuncdemir, ndërsa i pandehuri Jurgen Molla, së bashku me të pandehurin Anest Koromani, ishte blerësi i heroinës.

Pas arritjes së marrëveshjes, ku pala kosovare kërkonte garancinë e pagesës nga shtetasi Jurgen Molla, ky i fundit, më datë 27.06.2015, dyshohet se ka dërguar në Prizren, Kosovë, lidhjen e tij më të besuar, shtetasin Orges Myftarajn, me një sasi të konsiderueshme rreth 230.000 euro.

Njëkohësisht, po më datë 27.06.2015, Jurgeni ka takuar në Patok shtetasin Arben Prendi, ku dyshohet se i ka dhënë dhe shumën prej 8000 euro, si pagesë për transportin e ngarkesës së Heroinës.

Shtetasi i dënuar Arben Prendi po në këtë ditë është nisur për në Kosovë me kamionin tip MAN, me targë AA090IF.

Nga data 27- 29.06.2015, nga bisedat midis shtetasve të mësipërme, rezultonte fakti se heroina ndodhej në afërsi të Prishtinës, ku ishte e magazinuar dhe për këtë vend kishin dijeni shtetasit turq dhe kosovarë Abubekir Tuncdemir, Enver Kurtuluº, Arif Çiço.

Gjithashtu, nga kontaktet telefonike u kuptua se Jurgen Molla ka pasur një borxh për të paguar, një transport të mëparshëm kundrejt të pandehurit Enver Kurtuluº, i cili fillimisht nuk ishte dakord për t’i dhënë heroinën, por më pas, më datë 29.06.2015, të pandehurit Abubekir Tuncdemir dhe Enver Kurtuluº, në një valixhe ia dorëzojnë ngarkesën e heroinës transportuesit Arben Prendi në një vend në Kosovë.

Më datë 29.06.2015, ora 17.00, u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Prendi në PKK, Morinë, pasi gjatë kontrollit në mjetin kamion tip “Man”, me targë AA 090 IF, në kabinën e mjetit, iu gjet dhe bllokuan me cilësinë e provës materiale 15 kg e 224 gr. lëndë narkotike e llojit Heroinë.

Kjo sasi lënde narkotike dyshohet se ishte për llogari të shtetasit Jurgen Molla dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Më datë 30.06.2015, në kuadër të procedimit penal Nr. 81, të vitit 2015 kanë vazhduar verifikimet dhe veprimet me metoda speciale të hetimit për shtetasit: Jurgen Molla, Orges Myftaraj, Klaudio Veizaj e të tjerë të dyshuar se kanë bashkëpunuar me shtetasin Arben Prendi në lidhje me trafikimin e sasisë prej 15 kg e 224 gr. lëndë narkotike e llojit “heroinë”, kryer me datë 29.06.2015.

PËRGJIMET

-Nga studimi i transkripteve të bisedave të datave 27.06.2015, 28.06.2015 dhe 29.06.2015 rezulton që më datë 27.06.2015 shtetasi Jurgen Molla ka dërguar në Kosovë sasinë e nevojshme të lekëve me anë të shtetasit Orges Myftaraj, ka dërguar gjithashtu dhe shtetasin Arben Prendi me kamionin me targa AA090IF dhe me targë karrocerie AB R 200 për të bërë të mundur transportimin e lëndës narkotike heroinë nga Kosova në Shqipëri.

Më datë 28.06.2015 në orën 00:11:27 shtetasi Orges Myftaraj telefonohet nga shtetasi Arben Prendi.

Arben Prendi: A të tha ai ku me ardhë?

Orges Myftaraj: Jo more vlla ktu të rringi jam, te center, e ke parasysh?

Arben Prendi: Po, futu rrugës takohemi në rrugë or urrë.

Orges Myftaraj: E po s’kam pritë të marrë një taksi e të vij se s’kam.

Arben Prendi: Merre një taksi e futu rrugës së Gjakovës e shehe kamionin te parkum krahit të djathtë gjithkonë sa të kalosh.

-Në orën 00:34 shtetasi Orges Myftaraj i ka dërguar shtetasit Jurgen Molla një sms, duke e njoftuar se e kishte takuar Arben Prendin.

Orges Myftaraj: Po iki në dhomë, ok? Mbarova.

Jurgen Molla: E takove at B? (Arben Prendi)

Orges Myftaraj: Po, po iki n’dhomë.

Jurgen Molla: Po thirre tako atë “C” (Arif Çiçon), që ta dinë e më shkruj te tjetri.

Orges Myftaraj: OK, s’kam wireles, sa të iki në dhomë.

Jurgen Molla: Po shkruj me numrin që dhash mo, po lekët i morët.

Orges Myftaraj: OK.

Jurgen Molla: A u rehatove? Shkruaj pra, me numër të Kosovës

Orges Myftaraj: U lidha me ‘C’ (Arif Çiçon). Të marr unë tha. I thashë që jam këtu.

Jurgen Molla: Ok, kur të vijë takoje dhe më shkruaj, po mos gabon me m’i dhanë lek topa më pyt mu dhe mer një numër të Kosovës që të lidheni me Ben. (Arbenin) Ok? I sigurt që lekët i ke ti?

Orges Myftaraj: Po atë po bëjmë. Jo pa merak.

-Më datë 29.06.2015, në orët e para të mëngjesit, shtetasit e sipërpërmendur vazhdojnë negociatat për ngarkesën e drogës.

Pasi arrihet marrëveshja, droga ngarkohet në kamion dhe kamioni niset për në Shqipëri. Në orën 13:54:43, shtetasi Jurgen Molla i dërgon mesazh shtetasit Orges Myftaraj në numrin e telefonit.

Jurgen Molla: Hë mo!

Orges Myftaraj: Ala! Më pas në orën 14:00:17 Orgesi i dërgon Jurgenit mesazhin me tekst: “Aty afër është”.

-Më datë 29.06.2015, në orën 14:19:01 shtetasi Jurgen Molla, duke mos e ditur akoma çfarë ka ndodhur me shtetasin Arben Prendi dhe lëndën narkotike të llojit heroinë që po transportonte ( i kapur ne pikën doganore), i dërgon mesazh shtetasit Orges Myftaraj.

Jurgen Molla: Fole më me të ti, ose fol dhe i her prite, zot me u ba gja jan të arift makinat porosite me lezet vlla.

Orges Myftaraj: Të presim dhe pak vlla

Jurgen Molla: Ok mo, po porosite te numri kosovar, a ka.

-Në orën 15:14:31 shtetasi Jurgen Molla i telefonon të vëllait dhe ndër të tjera i thotë të lëvizë, pasi kishin arrestuar shoferin.

Jurgen Molla: Ik iher lëviz, ik der te shpia meri ato lek ça jan në shpi mbaji, meri lekt çoi në bankë, lëviz meri ato lek çoi te banka që jan te shpia.

Vëllai: Po.

Jurgen Molla: E vjen Lola se a problem.

Vëllai: Hajt, ku jeti?

Jurgen Molla: Po lëviz unë.

-Në orën 15:16:59 shtetasi Jurgeni i telefonon shtetasit Orges Myftaraj dhe e njofton për arrestimin.

Jurgen Molla: O lëviz…se e kan kap k**n.

Orges Myftaraj: Ouuu?!

Jurgen Molla: Po.

Orges Myftaraj: Hajt se pres telefonin kteja un, hajt.

Jurgeni Molla: Preja telefonat, ato tjerat priti.

Orges Myftaraj: Po un nga t’shkoj?

Jurgen Molla: Ik diku, ndalu diku i her sa t’mar gja vesht.

Grupi i strukturuar në çdo moment ka bërë përpjekje të fshehjes së aktivitetit kriminal dhe për këtë arsye një nga organizatorët dhe drejtuesit e grupit, Jurgen Molla, ka tentuar në çdo moment të kontrollojë çdo detaj të aktivitetit dhe të familjarëve të të dënuarit Arben Prendi, me qëllim shmangien e tij nga dënimi.

Nga studimi i procesverbaleve të përgjimit të telekomunikimeve midis shtetasit Jurgen Molla dhe shtetases që thërritet “Katerina”, rezulton se Molla i kërkon ta takojë në mënyrë që të diskutojnë për ta ndihmuar shtetasin Arben Prendi.

Më datë 10.12.2015, në orën 18:02:59 shtetasi Jurgen Molla kontaktohet nga “Katerina” dhe gjatë bisedës, Jurgeni i përsërit disa herë se i ka vënë punët në terezi, si dhe e porosit që t’u thotë personave të tretë të mos flasin, pasi prishin punë.

Katerina i ka treguar Jurgenit se e ka telefonuar i biri, Arben Prendi, personi nga burgu, i cili i ka thënë se i ka humbur shpresat dhe e ka porositur, që t’i thotë Jurgenit të mos e lërë në burg për lekë dhe se deri tani nuk është dhënë asnjë lekë.

Jurgeni i thotë se nuk mund t’i tregojë se ku po i jep lekët, pasi i del fjala, por i thotë se lekë janë dhënë dhe po vazhdojnë të jepen përditë.

I biri i ka thënë Katerinës se po rri në burg, ngaqë nuk janë dhënë lekë.

Në vijim të kësaj bisede, Jurgeni i thotë se një prokuror që i ka prishur punë e kanë transferuar në Shkodër

Jurgen Molla: Një që ka qenë, që ka pas prish punë aty ku është ai, një X prokuror që ka pas fut atë, e kanë shkarkuar sot.

Janë dhënë lekë që është shkarkuar, nuk po të them më gjatë…E kanë heq nga aty e kanë dërguar në Shkodër, prej këtyre punëve…

Katerina: E keni pas kundra atë?

Jurgen Molla: Po, një legen, që e kemi pas kundër. Më gjatë nuk flas dot. Çoja me amanet, thuaji për punë lekësh.

Katerina: Me amanet ia çoj, faleminderit prej teje, nesër do të them çfarë më ka thënë. Jurgen Molla: Thuaji, për lekë nuk rri brenda sa të jem unë gjallë.


-Në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit 2015, të pandehurit Jurgen Molla, Arif Çiço dhe Abubekir Tuncdemir hynë në tratativa për arritjen e marrëveshjes për trafikimin e një sasie heroine, e cila do të sigurohej nga Abubekir Tuncdemir, ndërsa Jurgeni dhe Anesti Koromani ishin blerësit e saj.

Abubekir Tuncdemir mundi të trafikojë nga Turqia për në Greqi sasinë prej 15 kg. heroinë. Ai, duke pasur këtë sasi heroine në Selanik, Greqi, u lidh me Jurgen Mollën nëpërmjet shtetasit Arif Çiço (ky i fundit në atë kohë po qëndronte në Laç dhe kryente rolin e ndërmjetësit midis Abubekirit dhe Jurgenit).

Jurgen Molla, për të realizuar transportin e heroinës nga Selaniku për në Athinë, i kërkoi ndihmë Shyqyri Kotorrit, i cili kishte rrjetin e tij të trafikimit, transportimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në Greqi. Jurgen Molla ra dakord për të marrë një sasi prej 5 kg heroinë.

Si rrjedhojë e bashkëpunimit të Policisë Shqiptare me Zyrën e DEA-s në Greqi dhe Policinë Greke, në Greqi u arrestuan dy korrierët turq, shtetasit Erol Belir dhe Songul Erek, të cilëve iu sekuestrua një sasi prej 5 kg.

lëndë narkotike e llojit heroinë. Autoritetet policore greke vijuan ndjekjen e grupit të Shyqyri Kotorrit, si rezultat i së cilës, në datë 21.12.2015, forcat e Antidrogës së Drejtorisë së Policisë së Athinës arrestuan shtetasit shqiptarë Edmond Kotorri (vëllai i Shyqyr Kotorrit), Artan Mucelli, Armando Allajbej, Emolina Agalliu, Edmond Balaj, Kreshnik Prendi, Sandër Pemaj e Mentor Pali.

Më datë 12.09.2015 dhe 13.09.2015, shtetasi Jurgen Molla shkëmben mesazhe me shtetasin Shyqyri Kotorri dhe bisedojnë në telefon me njëritjetrin, për trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit heroinë për në Greqi.

Bisedat bëhen të koduara, duke përdorur shprehje si “hedhjen e betonit”, me të cilën kuptohet lënda narkotike.

Shyqyri Kotorri: Bëre nanji telefon.

Jurgen Molla: A janë lidh ata, di gja.

Shyqyri Kotorri: Ja të flas çik un dhe të them.

Jurgen Molla: Pyt i her e më kallzo.

Shyqyri Kotorri: Bëji nonji telefon atyre ustallarëve o burr, janë punëtorët atje.

Më pas shtetasi Shyqyr Kotorri bisedon me shtetasin Jurgen Molla dhe diskutojnë se si mund te lidhen shtetasit që do të çojnë “betonin” me ustallarët që presin, ku lënë të kuptohet se duhet të takohen shtetasit që kanë çuar lëndën narkotike me ata që do ta marrin.

Nga hetimet rezulton se dërgimin e sasisë prej 5 kg heroinë në Greqi e ka organizuar shtetasi Arif Çiço dhe shtetasi që thërritet “Plaki”, duke përdorur si transportues shtetasit turq Erol Bilir dhe Songul Erkek.

dsxNë Greqi, për llogari të shtetasit Jurgen Mollla, po prisnin të merrnin lëndën narkotike lidhjet shoqërore të shtetasit Shyqyri Kotorri./Panorama

Zbardhen përgjimet e bandës së heroinës Read More »

Durrës, bregdeti i pushtuar nga ndërtimet e paligjshme

Qershorin e vitit të kaluar në Zonën e Plazhit në qytetin e Durrësit, disa subjekte private shtuan një sipërfaqe prej rreth 12.000 m2 me beton dhe rërë kundrejt detit.

Megjithë përgjegjësinë ligjore, institucionet dështuan në mbrojtjen e vijës bregdetare nga ndërtimet e paligjshme.

Porta Vendore ka kryer një vëzhgim 2 mujor në qytetin e Durrësit, ku rezulton se në plazhin e Currilave dhe në Zonën e Plazhit, subjektet private kanë ndërtuar dhe vijojnë të shtojnë territorin e tyre me beton kundrejt detit.

Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në bashkinë Durrës është përgjegjës për kontrollin dhe ndalimin e ndërtimeve të paligjshme në bregdetin e Durrësit.

Megjithatë nisja e sezonit turistik po shoqërohet paralelisht me punime në një tjetër zonë të qytetit, në plazhin e Currilave.

Aty subjektet private i kanë “hipur në kurriz” detit me ekskavatorë, duke hedhur gurë e ndërtuar platforma.
Sipas administratorëve të subjekteve private, shkak për këto punime është bërë fenomeni i erozionit.

Por teksa qytetarët shprehin indinjatën se po humbasin hapësirën për të bërë plazh, për hidrobiologun Olsi Nika këto ndërtime mbi det po shkatërrojnë katet ku jetojnë gjallesat ujore dhe po ndotin cilësinë e ujërave.

Ndërsa planifikuesi i territorit, Artan Kacani, i sheh si të dështuara këto iniciativa të biznesit privat, pasi sipas tij duhet një studim dhe plan ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.

Inspektoriatet ekzistojnë vetëm në dokumente

Inspektorët e IMT-së në bashkinë Durrës dhe ata të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) kanë për detyrë kontrollin dhe ndalimin e ndërtimeve të paligjshme në bregdet.

Por nga dokumentet që Porta Vendore siguroi nga institucionet, zbuloi se në vitet 2017-2018 për disa raste ndërtimesh mbi det, megjithëse në sipërfaqe të konsiderueshme dhe pranë zonave urbane, në asnjë rast procedurat ligjore nuk i kishin nisur këto inspektoriate, por ishin informuar nga punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB).

IKMT bëri me dije për Portën Vendore se është IMT e bashkisë Durrës që ka kompetencë direkt mbi territorin dhe puna e IKMT-së është mbështetëse.

Këtyre dy institucioneve ju drejtuam Kërkesë për Informacion, që morën përgjigje vetëm pas dy muajsh pritje dhe ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Vitin e kaluar në Zonën e Plazhit ekskavatorët u futën në det dhe pas punimeve për disa muaj, u ndërtua një platformë betoni prej rreth 12.000 m2. Llogaritje e bërë nga Porta Vendore me anë të “Google Earth”.

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Durrës, më datë 24.03.2017, ka nxjerrë vendim prishje, dhe në muajin maj, IKMT ka shprehur gatishmërinë për prishjen, duke e mbështetur IKMT Durrës me burime njerëzore.

IMT në bashkinë Durrës bëri me dije për Portën Vendore se ka shkuar për të bërë ekzekutimin e vendimit, me ekskavator, por nuk ka qenë e mundur, pasi platforma e betonit është në det dhe nuk i disponojnë mjetet dhe makineritë e duhura.

Më tej bëhet me dije se mbështetja e IKMT-së ishte në burime njerëzore dhe jo në mjete e makineri që i nevojiteshin për ndërhyrjen.

E njëjta situatë vlen edhe me ndërtime në zonën e bregdetit të Kallmit, ku IMT në bashkinë Durrës shpreh të njëjtin argument për mosndërhyrjen e saj.

Ndërkohë që duket se nuk është parë e arsyeshme marrja e mjeteve me qira, për të kryer prishjen apo që ndërtimet të ndaloheshin që në krye të herës, siç edhe Ligji për Inspektimet e dikton.

“Për vitin 2017 nuk mund t’ju japim informacion të plotë pasi për llogari të procedimit penal… datë 05.10.2017 është bërë sekuestro e protokollit të inspektoriatit nga Prokuroria e rrethit Durrës, duke u bërë kështu një nga arsyet e vonesës së kthimit të përgjigjes ndaj kërkesës suaj”, u përgjigj më tej bashkia Durrës për Portën Vendore.

Porta Vendore tentoi të kontaktonte administratorët e subjekteve private që kanë ndërtuar mbi det në zonën e Plazhit dhe në Currila, për të cilët Prokuroria e Durrësit po kryen hetime prej muajsh, por ata zgjodhën të mos përgjigjeshin.

 

 

Prej vitesh lokalet e ngritura mbi brezin e rërës në Currila, i kanë mohuar qytetarëve të drejtën për të bërë plazh. Por kjo nuk i përket vetëm pjesë e së shkuarës. Në mars të këtij viti, rreth 30 metra nga deti, mbi rërën e zonës Pranë Urës së Dajlanit nisi ndërtimin i një hotel 7 katësh.

Megjithëse ishin ngritur 3 kate, IMT i bashkisë Durrës nuk kishte ndërhyrë për të verifikuar ligjshmërinë e tij dhe u desh nisja e hetimit nga ana e Prokurorisë që punimet të pezulloheshin.

Në ligjin për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore, lidhur me veprimtaritë në brigje ndalohet depozitimi i inerteve në bregdet dhe në tokat pronë private dhe shtetërore, përbri brigjeve të deteve, sepse duhet detyrimisht të lihet një sipërfaqe toke e lirë për përdorim publik, me gjerësi nga 5 deri në 100 metra nga këto brigje.

Por në bregdetin e Durrësit përveçse po ndërtohen pallate 30 m larg bregut, lokalet po ndërtojnë platforma prej betoni mbi det, në Currila dhe Plazhin e Durrësit.

Ashpërsimi i Kodit Penal me dënimin me burgim deri në 1 vit për ndërtimin pa leje në tokën në pronësi të pronarit dhe dënimin me burgim 1-5 vjet kur kjo bëhet në tokën publike ose shtetërore,duket se nuk i ka stepur bizneset për pasojat ligjore nga ndërtimi i paligjshëm në bregdet, kjo edhe për shkak të mos dënimit ende të asnjë prej shkelësve.

 

Bashkia Durrës, shembulli i “zaptimit” të bregdetit

Në dhjetor të vitit 2016 dhe deri më sot , bregdeti përbri portit të qytetit dhe shëtitores “Taulantia” vijon të mbushet me dherat dhe inertet që sillen nga sheshi publik në ndërtim, “Veliera”. Inspektoriati Shtetëror i Ujërave e ka gjobitur kompaninë ndërtuese “Everest” sh.p.k me 2 milion lekë, për ndotje të bregdetit dhe i la detyrë që ta rikthejë zonën siç ishte.

Por ndërhyrja po bëhet me dijeninë e bashkisë Durrës, e cila bëri me dije për Portën Vendore se aty do të ndërtohet një parkim publik. Në Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) të projektit “Veliera”, shkruhet; se vendi i depozitimit të dherave do të bëhet në vijim me autoritetet vendore. Sipas Olsi Nikës nga EcoAlbania, vendi i depozitimit duhej të ishte përcaktuar qartësisht, pasi kështu VNM-ja është e paplotë.

Durrësi, qyteti bregdetar pa plazh

Qytetarët e Durrësit përveç mungesës së hapësirës publike për të bërë plazh, po përballen me zaptimin e brezit të rërës nga ndërtimet shumëkatëshe.

“Është prishur komplet pamja e bregdetit dhe futen njerëz të paautorizuar, duke zënë hapësirën e detit dhe të plazhit. Dalin e na thonë edhe mos shikoni këtu, mos u afroni. Nuk na lejnë të vendosim as çadrat”, tha për Portën Vendore Anxhelin Xhikola, teksa kishte ardhur për të pushuar në Zonën e Plazhit të Durrësit.

 

Përveç zaptimit të hapësirës publike, këto ndërhyrje në bregdet po dëmtojnë edhe ekosistemin detar.
“Së pari dëmtohet kati i Cirkalitoralit, që është ajo pjesë e tokës e cila vetëm laget nga piklat e ujit kur bien dallgët. Më pas vjen kati i Mediolitoralit, ku janë të gjitha ato gjallesa që janë pjesë e zinxhirit ushqimor me të cilat rriten gaforret, peshqit etj.”, u shpreh hidrobiologu OlsiNika.

Specia Livadhet e Posedonias njihen si “mushkëria e gjelbër e Mesdheut”, pasi në 1 metër katror prodhojnë 14 litra oksigjen në ditë dhe strehon rreth 25 % të të gjithë faunës së detit Mesdhe dhe këto ndërtime e rrezikojnë.

“Ato janë brenda në det dhe kur ne shtojmë 2 metra sipërfaqe kundrejt detit, kufiri i tyre shtyhet me 15 metra më larg”, tha më tej Nika.

Porta Vendore kontaktoi disa prej subjekteve që kanë betonizuar detin, të cilët u shprehën në kushtet e anonimitetit se janë të detyruar ta bëjnë këtë si pasojë e erozionit.

Sipas planifikuesit të territorit, Artan Kacani, shkak kryesor për këtë fenomen natyror janë bërë ndërtimet pa kriter në bregdet dhe marrja e masave për zbutjen e erozionit bëhet nga autoriteti publik përgjegjës dhe jo nga privati me iniciativën e lirë.

“Sipas Planit Ndërsektorial mbi Bregdetin, zona e Plazhit në Durrës ka një situatë nga më të rënduarat në shkallë kombëtare, respektivisht nga 10 deri në 100 ton për hektar gërryen deti në vit. Ndryshe nga zonat e tjera kombëtare, ky nivel i erozionit shtrihet buzë detit”, shtoi më tej Kacani për Portën Vendore.

“Erozioni nuk mund të shmanget me hedhjen e kësaj sasie lëndësh të ngurta, pasi më vonë do të ketë edhe aksidente, pasi rrymat detare do i shkatërrojnë këto struktura pas 5 vitesh dhe veprimtarinë gërryese të rrymave detare mund ta kufizojnë vetëm aluvionet e lumenjve që sjellin vazhdimisht prurje dhe jo veprimtaria njerëzore, në mënyrë spontane”, vëren Olsi Nika.

Teksa ekspertët kritikojnë këtë ndërhyrje të paplanifikuar në territor, qytetarët përballen me mungesën e plazhit për të pushuar.

“Sa vjen e po shohim që plazhet po betonizohen, është bërë pothuajse e pamundur që qytetarët të bëjnë plazh. Tani do fillojmë ta bëjmë plazhin me varkë dhe jo që të marrim çadrën dhe të ulemi në rërë si dikur”, u shpreh për Portën Vendore Pano Ceka, teksa po shëtiste në zonën e Currilave.

 

IMTDurrës, në “rrjetën” e prokurorisë

Fenomeni i betonizimit të bregdetit të Durrësit është aq i vjetër në vite, sa edhe vetë karriera e drejtuesve të strukturave përkatëse në bashkinë Durrës.

Në shkurt të këtij viti bëri bujë pezullimi nga detyra i drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në bashkinë Durrës, Adhurim Qehajaj, pasi kishte lëshuar lejen e ndërtimit për hotelin 7 katësh në zonën pranë Urës së Dajlanit, në një distancë rreth 30 metra nga deti.

 

 

 

 

IKMT pezulloi punimet pasi Prokuroria Durrës njoftoi se leja është dhënë në kundërshtim me ligjet për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, ku u theksua se zona ku është dhënë leja është e përcaktuar si zonë e Rëndësisë Kombëtare dhe është Këshilli Kombëtar i Territorit organi kompetent përgjegjës për të miratuar lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit për zona të rëndësisë kombëtare, e jo bashkia Durrës.

Po në muajin shkurt 2017, policia njoftoi se dërgoi në Prokurori rastin e disa inspektorëve të IMT-së në bashkinë Durrës, pasi nuk kishin marrë masat e duhura për kontrollin dhe verifikimin e punimeve në një objekt në lagjen numër 13.

Edhe vetë kreu i IMT-së në bashkinë Durrës, Artur Çela, u pezullua nga detyra në prill të këtij viti, pasi nuk kishte prishur një objekt disakatësh në lagjen numër 17 të qytetit.

Pas shumë vitesh nga marrja e kësaj detyre, ai u zëvendësua nga avokati Ardian Halili. Drejtorët Çela dhe Qehajaj po hetohen nga prokuroria për “shpërdorim detyre”.

Porta Vendore ju drejtua Prokurorisë së Durrësit, që bëri me dije se përveç hetimit të zyrtarëve të bashkisë Durrës, ka dërguar në Gjykatë 3 raste të ndërtimit të paligjshëm mbi det.

Po ashtu, “Kemi në fazën e hetimit një procedim penal për ndërtim pa leje me vendndodhje në det dhe po verifikohet një material kallëzues për ndërtim pa leje në det”, bëri me dije për Portën Vendore Prokuroria Durrës, nëpërmjet një Kërkese për Informacion.

 

 

Duket se në të gjitha rastet ku IMT në bashkinë Durrës nuk ka ndërhyrë për të zbatuar ligjin, është nisur një hetim ,pasi Prokuroria Durrës na bëri me dije se për ndërtimin e platformës prej betoni në Plazh Durrës, në Currila dhe për punimet e projektit “Veliera”, prej muajsh po hetohen.

 

Rreth autorit
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion.

Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.

Durrës, bregdeti i pushtuar nga ndërtimet e paligjshme Read More »

Prej 106 vitesh shtet, quajmë “FITORE” copëtimet, vetë-izolimet, vetëvetë-izolimet dhe mos pranimet nga bota

Pazare antishqiptare, luftë për pushtet, korrupsion, krim, rrugaçëri, tallje me popullin

Është anromalitet historik në mendësinë e shtetarëve shqiptarë,  prej 1912 e deri sot, ajo ç’ka tha kryeministri shqiptar edhe sot pas 106 vitesh, që humbjen e “provimit” në BE e quajti “fitore” kur  faktet flasin vetë.

  1. Në vitin 1913, Ismail Qemali  ngriti Flamurin e Pavarësisë në Vlorë, quajti “fitore të madhe për Shqipërinë”, vendimin copëtues të Konferencës së Londrës, ngaqë nuk na u grabit gjithë Shqipëria.

  2. Në datën 28 qershor 1915, Esat Toptani, bëri marrëveshje me Serbinë, për t’i dhënë pjesën veriore të Shqipërisë dhe e quajti “fitore” këtë humbje territoresh.

  3. Në gusht të vitit 1924, për t’u rikthyer në pushtet në Shqipëri me ndihmën e Serbisë, Ahmet Zogu fali trojet shqiptare në Shën Naum, lokalitetet Vermosh e Kelmend dhe këtë e quajti “fitore e madhe” për Shqipërinë.

  4. Më 10 tetor 1946, pushteti komunist shkëputi marrdhëniet me SHBA dhe këtë vetë-izolim të parë, Enver Hoxha e quajtit “fitore” të madhe historike të popullit shqiptar, të Markziëm-Leninizmit dhe proletariatit botëror..

  5. Më 22 tetor 1946, pushteti komunist shkëputi mardhëniet me Anglinë dhe këtë vetë-izolim të dytë, Enver Hoxha e quajti “fitore” të madhe të partisë komuniste, të popullit dhe atdheut.

  6. Në fund të vitit 1948, pushteti komunist shkëputi marrdhëniet me Jugosllavinë dhe këtë vetë-izolim të tretë, Enver Hoxha e quajti “fitore të madhe historike” të partisë, popullit dhe Atdheut “shkëmb graniti”.

  7. Në nëntor 1961, pushteti komunist shkëputi marrdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe këtë vetë-izolim të katërt, Enver Hoxha e quajti “fitore” të madhe historike të popullit dhe Shqipërisë së sovrane/

  8. Në datën 12 shtator 1968, pushteti komunist nxorri Shqipërinë nga Traktati Varshavës dhe këtë vëtvetë-izolim ushtarak, Enver Hoxha e quajti “fitore” të madhe të partisë, popullit dhe atdheut në rrugën e sovranitetit të vendit.

  9. Më 30 korrik 1978, pushteti komunist shkëputi marrdhëniet me Kinën dhe Enver Hoxha, këtë vetë-izolim të pestë të Shqipërisë e quajti “fitore” të madhe të partisë, popullit e atdheut, nën parullën “Ndërtojmë vendin, me forcat tona”.

  10. Më 21 gusht 1984, pushteti komunist shpërfilli ofertën e bërë nga Shtrauss, për lidhje ekonomike Shqipëri-Gjermaninë dhe këtë vetë-izolim të gjashtë, Enver Hoxha e quajti “besnikëri dhe qartësi në rrugën e fitoreve të ndritura të socializmit, mbi kapitalizmin”.

  11. Më 19 maj 1986, vetëm 1 vit pas vdekjes së Enver Hoxhës, Strauss erdhi për herë të dytë në Tiranë dhe kërkoi lidhje ekonomike Shqipëri-Gjermani, por Ramiz Alia e refuzoi, duke e konsderuar këtë vetë-izolim të shtatë, si ‘vazhdim në rrugën e fitoreve të ndritura të Enverit”,

  12. Më 23 tetor 1987 erdhi në Tiranë, ministri i Jashtëm Gjerman Gensher, i cili kërkoi përsëri lidhje ekonomike Shqipëri-Gjermani, por Ramiz Alia e kundërshtoi, duke e quajtur këtë vetë-izolim të tetë, “Fitore, nga fitorja në fitore, çajmë bllokadën borgjezo-reviziniste me forcat tona””.

  13. Më 12 dhjetor 1990, Sali Berisha e quante “fitore” e madhe themelimin e PD, duke shprehur mirënjohje për Ramiz Alinë që lejoji pluralizmin politik në Shqipëri.

  14. Në mars 1994, Sali Berisha, largoi me dhunë FMN nga Shqipëria, pasi ajo kërkoi mbylljen e firmave piramidale dhe këtë vetë-izolim të nëntë, ai e quajti “fitore e madhe” për demokracinë, ekonominë e vendit dhe sovranitetin e Shqipërisë.

  15. Në vitin 1997, Sali Berisha iu vërsul SHBA-së, me akuzën si organiztore e rebelimit popullor ndaj pushtetit të PD, duke e quajtor këtë sulm “fitore për sovranitetin e Shqipërisë dhe demokracinë”

  16. Në datën 9 mars 1997, partitë politike nënshkruan marrëveshjen mes tyre dhe Sali Berishës dhe PD-PS quajtën “fitore” të madhe për popullin, paçka se në 6 muaj luftë civile të shkaktuar nga Sali Berisha, ishte djegur Shqipëria dhe ishin vrarë 3000 njerëz!

  17. Në qeshor 2000, Ilir Meta e quante “fitore e madhe” për shqiptarët, takimin që bëri me përfaqësues të KiE.

  18. Në dhjetor 2002, Fatos Nano e quajti “fitore” raportin e BE, që shprehte dëshirën të niste procesin e stabilizim Asocimit me Shqipërinë.

  19. Qysh prej vitit 2000 e deri sot, në çdo muaj qershor e dhjetor, BE ka publikuar 36 raporte “vlerësimi” për hapjen e negociatave me Shqipërinë por negocitatat nuk janë hapur dhe të gjitha qeveritë majtas e djathtas, këtë bllokim e kanë quajtur “fitore për Shqipërinë dhe shqiptarët”

  20. Në datën 26 qershor 2018, Shqipëria humbi në BE, mbasi nuk iu hapën negociatat, ndërsa kryeministri e quajti “fitore” shtyrjen edhe me 1 vit!/Pamfleti

Prej 106 vitesh shtet, quajmë “FITORE” copëtimet, vetë-izolimet, vetëvetë-izolimet dhe mos pranimet nga bota Read More »

Kjo histori ka bërë xhiron e botës dhe ka arsye se përse! Zbulimi i papritur i zotërisë natën kur parashikoi fundin e botës

Kjo histori ka bërë xhiron e botës dhe ka arsye se përse!

Lexojeni dhe shpërndajeni!

Një burrë i cili jetoi shumë kohë më parë besonte se mund të lexonte të ardhmen në yje. Ai e quajti veten astrolog dhe e kalonte kohën e tij natën duke parë qiellin.

Ai gjithnjë ishte i zënë duke u shqetësuar për të ardhmen dhe fshatarët shpesh shkonin tek ai, duke shpresuar se do të mesonin çfarë mban e ardhmja e tyre.

Një mbrëmje po ecte përgjatë rrugës së hapur jashtë fshatit. Sytë e tij ishin të fiksuar në yje. Ai mendoi se pa atje që fundi i botës ishte afër. Ai humbi në mendimet e tij për të ardhmen. Ndërsa po vështronte yjet, vazhdonte të ecte pa shikuar poshtë. Papritmas, ai ra në një hendek të madh me baltë dhe ujë.

Ai filloi të fundosej në ujin me baltë, dhe duke u përpjekur të kapej në anët e rrëshqitshme të vrimës në përpjekjet e tij për t’u ngjitur. Ai nuk ishte në gjendje të lëvizte dhe u frikësua për jetën e tij, ai filloi të bërtiste për ndihmë. Thirrjet e tij për ndihmë i sollën fshatarët shumë shpejt.

Ndërsa e tërhoqën atë nga balta, njëri prej tyre tha: “Ju pretendoni ta lexoni të ardhmen në yje, por ju nuk e shihni atë që është nën këmbët tuaja! Kjo mund t’ju mësojë t’i kushtoni më shumë vëmendje asaj që keni para syve, dhe ta lini të ardhmen të kujdeset për veten”.

“Çfarë dobie ka,” tha një tjetër,” leximi i yjeve, kur ju nuk mund të shihni se ku jeni në tokë?”

Morali: Të gjithë duam që e ardhmja jonë të jetë e ndritshme dhe e lumtur, por koha nuk ndalet për askënd. Çdo e nesërme kthehet në të sotme, e tashmja juaj është gjithashtu një pjesë e të ardhmes suaj.

Gjithmonë ka një të ardhme për të parë dhe për të përmirësuar, por ju nuk mund të ktheheni në djeshmen. Pra, ruani ekuilibrin e jetës tuaj të tanishme gjatë punës për një të ardhme më të mirë.

Kjo histori ka bërë xhiron e botës dhe ka arsye se përse! Zbulimi i papritur i zotërisë natën kur parashikoi fundin e botës Read More »

Bëhet ambasador spikeri i njohur i televizionit shqiptar

Virgjil Kule, emërohet ambasador i Shqipërisë në Suedi. Ai njihet si folësi i pangatërrueshëm të RTSH, ku ka mbajtur edhe postin e drejtorit por tashmë ai do të shërbejë në diplomaci.

Virgjil Kule u lind më 1952. Studioi për gazetari dhe punoi për një kohë të gjatë në Televizionin Shqiptar si gazetar, folës dhe drejtor i këtij institucioni.

Ka drejtuar televizione private dhe një studio komplekse multimediale. Janë të shumtë emisionet dhe dokumentarët televizivë që ai ka përgatitur gjatë një karriere të pandërprerë në këtë fushë.

Zëri i tij si tregimtar është i pranishëm në disa qindra dokumentarë video. Me dëshirën për të zbuluar dhe propaganduar të bukurën në botën shqiptare, ka realizuar kohët e fundit dokumentarët turistikë për Vlorën dhe Sarandën.

Njohu shumë vende e kultura të botës nëpërmjet punës disavjeçare si regjisor dokumentarësh, misionar i organizatës ndërkombëtare humanitare “Mjekët pa kufij” (seksioni holandez). Një seri videosh me tema humanitare i ka realizuar në Rusi, Ukrainë, Kaukaz dhe në Azinë Qendrore.

Kontribuon si konsulent mediatik në fushën e hartimit të strategjive të komunikimit dhe realizimit të fushatave ndërgjegjësuese për programe të ndryshme zhvillimi. Zotëron disa gjuhë të huaja dhe ka përkthyer në shqip vepra letrare.

Ushqen një pasion të veçantë për historinë, gjeografinë e filozofinë dhe është marrë me studimin e çështjeve të harmonisë sociale në diversitet.

Bëhet ambasador spikeri i njohur i televizionit shqiptar Read More »

“Babale” 2

Por personalisht dua ta shfajësoj Lulzim Bashën dhe besoj tek një skenar pak më banal, që i përngjan “Babale 2”.
Shkruan Mero Baze

Vëllai i dy personave të shpallur në kërkim për pritjen e rreth 4 milionë eurove me “Toyota Yaris”, është njeri i afërt politikisht dhe personalisht me Lulzim Bashën. Përveçse komisioner i Partisë Demokratike në zgjedhje, ai është më shumë se aq. Është nga ata që Lulzim Basha i pret në zyrë të tij dhe fotografohet.

Nuk është një foto e rastësishme në rrugë si Ben Blushi me Lul Berishën. As ndonjë foto në fushatë elektorale, ku dikush do të pozojë me ty dhe ti nuk e di kush është. Është dikush që e ka ftuar në zyrën e tij dhe ka dalë fotografi me të në shenjë respekti.

Pra, është njeri i Lulzim Bashës, ashtu si dy vëllezërit e tjerë trafikantë. Nëse kontrollon faqet e tyre në Facebook, e shikon se ata janë miq të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD, kanë biseda publike me ta dhe është shumë e qartë që janë pjesë e një rrethi politik konfident me Lulzim Bashën.

Tani, nëse do ishim në një vend normal, me drejtësi të pavarur nga politika, prokurori i çështjes duhet të trokiste në derën e Lulzim Bashës. Por prokurori ka goditur vëllai i Bujar Nishanit, i cili është duke e përcjellë çështjen tek Krimet e Rënda.

Normalisht, nëse një lider politik, i afërt politikisht dhe personalisht me një rreth trafikantësh që pastrojnë para, dekonspiron publikisht një aksion zyrtar të policisë, ai është duke u dhënë sinjal njerëzve të vet të ruhen, se policia po i ndjek.

Ky është versioni më i ftohtë dhe ligjor që duhet të çojë në pranga Lulzim Bashën.

Por personalisht dua ta shfajësoj Lulzim Bashën dhe besoj tek një skenar pak më banal, që i përngjan “Babale 2”. E gjitha çfarë ka ndodhur ishte se më 20 qershor, policia ka marrë njoftim zyrtar nga shërbimet partnere për ngarkesën në makinën “Toyota” dhe më 21 qershor, një oficer i Shërbimit Informativ, edhe pak për t’iu servilosur Lulzim Bashës, ja ka raportuar atij, duke e sheqerosur me emrin e Taulant Ballës. Kjo i ka shijuar Bashës dhe atë ditë në Kuvend ka akuzuar Ballën se “po vjen një Toyota me 1.5 milionë euro për ty”.

Kur policia finalizoi aksionin, edhe pse trajleri ndërroi port nga Ankona në Bari, u pa që u gjetën 3.7 milionë euro në dy “Toyota” dhe se si dërguesit dhe pritësit e mallit, janë njerëz të lidhur me rrethin më të ngushtë të Lulzim Bashës, nga qendra e Kamzës, ku pi kafe Mziu me dibranët e Lulit, deri në Lurë. Janë njerëz që shfaqen në shoqërinë e njerëzve të afërt politikë të Bashës, që mbulojnë Dibrën dhe Kamzën, dhe të mirëpritur në zyrën e tij.

Versioni më shfajësues për Bashën, është që ka rënë në kurthin e “Babales” së SHISH, siç ra në kurthin e Babales së Salianjit, dhe ka dalë si idiot dy herë para shqiptarëve, me një histori të shëmtuar kove plot baltë e urinë, që tani i është derdhur në kokë të tij.

Pra, nëse duam ta shfajësojmë Bashën nga akuza e pastrimit të parave dhe tellallit publik të mafias, duhet ta konsiderojmë idiot, që tallen trafikantët. Kjo së paku e shpëton nga burgu, por duhet ta nxjerrë nga politika. Version i parë serioz e çon drejt e në burg, si lajmëtar i mafias, që nxiton të çojë fjalë se janë në pritë të policisë. Ai të zgjedh këtë të dëshirojë, pasi këtë javë besoj Prokuroria nuk duhet ta lërë me kaq këtë punë, por më leverdi ka të dalë budalla e të iki nga politika, se e bëri qesharake atë parti.

“Babale” 2 Read More »