Aurora

Petulla gënjeshtare , receta unike e gjysheve Shqiptare

Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat.

Vështirë t’u rezistosh! Të ngrohta, me pak mjaltë, sheqer pluhur a kanellë, reçel apo djathë. Por edhe pa i shoqëruar fare, me asgjë, shija e tyre e plotë të përfshin tërësisht.

Fantastike për mëngjes dhe shoqëruese të këndshme për drekë, petullat mbeten një nga gatimet speciale jo vetëm për familjen  por edhe miqtë e të afërmit

AgroWeb.org sugjeron më poshtë një recetë të lehtë dhe të shpejtë për përgatitjen e petullave gënjeshtare në shtëpi. Një mënyrë fantastike për t’i shijuar me familjen a me miqtë.

Quhen gënjeshtare sepse janë të fryra nga jashtë dhe bosh nga brenda. E megjithatë, shija e tyre është fantastike.

Petullat gënjeshtare janë traditë e zonës së Korçës dhe rrethinave të saj.

Dikur gjyshet i gatuanin ato mëngjeseve dhe i shërbenin të ngrohta për nipërit e mbesat teksa gjithë shtëpia kënaqej me shijen e tyre të mrekullueshme.
Përgatitja e Petullave Gënjeshtare në Shtëpi
Përbërësit
500 gr miell gruri

2 kokrra vezë të freskëta

1 gotë e gjysmë kos

Dy lugë kafeje me sodë

Kripë
Përgatitja
Në një tas të madh shtojmë miellin, sodën dhe kripën.

Krijojmë një gropëz të vogël në mes dhe aty shtojmë dy vezët dhe kosin.

I përziejmë të gjithë përbërësit dhe punojmë brumin me dorë derisa të krijohet një masë e njëtrajtshme dhe homogjene.

Pasi brumi është gati, AgroWeb.org ju sugjeron ta lini të pushojë përreth një orë.

Më pas, brumin e ndajmë në dy pjesë të barabarta dhe secilën prej pjesëve e hapim në një petë me trashësi rreth 1 centimetër.

Petën e presim në katrore, rrethore ose trekëndore të vogla me madhësi nga 5-6 centimetra.

Vendosim tiganin në zjarr dhe hedhim vajin, pasi ky i fundit të jetë ngrohur nisim skuqjen e petullave./AgroWeb

Petulla gënjeshtare , receta unike e gjysheve Shqiptare Read More »

Rrudhat e syve ,si t’i largoni me metoda natyrale

Rrudhat në pjesën e poshtme të syve mund të jenë acaruese sepse janë ndër shenjat e para të plakjes.

Ato dalin më shumë në pah kur buzëqeshni, rrudhni vetullat ose qeshni me të madhe.

Shpesh, rrudhat mund të tjetërsojnë paraqitjen tuaj dhe t’ju bëjnë të dukeni të mëdhenj në moshë.

Lëkura poshtë syve është shumë delikate dhe rrudhat mund të shfaqen edhe në një moshë shumë të re si pasojë e mungesës së lagështisë.

Humbja e kolagjenit, ekspozimi në diell dhe humbja e elasticitetit të lëkurës janë të gjithë kontribues në shfaqjen e rrudhave.

Në treg mund të gjeni shumë kura premtuese që mund t’i përgatisni në shtëpi.

Megjithatë këto kura janë ideale për zbutjen e rrudhave dhe jo zhdukjen e tyre.

Kurat e rekomanduara nga AgroWeb kanë për synim ushqimin e zonës rreth syve.

Sa më e ushqyer të jetë kjo zonë aq më të zbehta do të jenë rrudhat.
Shkaktarët E Rrudhave Të Syve
Sipas të dhënave të AgroWeb.org me humbjen e kolagjenit dhe elastinës, vijat e holla transformohen në rrudha.

Ekspozimi i lartë në diell është një nga shkaktarët më të mëdhenj të shfaqjes së rrudhave.

Një tjetër arsye është kontraktimi i muskujve të fytyrës si pasojë e të qeshurës, ose duhanpirja.
Kurat Kundër Rrudhave Në Pjesën e Poshtme Të Syve
Sipas studimeve të cilave u referohet AgroWeb.org përdorimi i rregullt i një kremi hidratues mund të zbusë paraqitjen e tyre.

Kremi ose kura e duhur mund të zbusë paraqitjen e rrudhave me 20%.
Vaji i Arrës Së Kokosit
Nëse aplikoni vaj të arrës së kokosit në pjesën poshtë syve do të vëreni një zbutje të konsiderueshme të rrudhave.

Ky vaj e ushqen ndjeshëm lëkurën delikate.

Ai nxit prodhimin e kolagjenit dhe përmban shumë antioksidantë që shkatërrojnë radikalet e lira të cilat kontribuojnë tek plakja.

Vajin e arrës së kokosit duhet ta përdorni dy deri në tre herë gjatë ditës, përfshirë në mbrëmje përpara gjumit.

Pas aplikimit bëni një masazh të lehtë duke përdorur mollëzat e gishtave.
Aloe Vera
Xheli i aloe verës është shumë i mirë për të zbehur vijat e holla dhe rrudhat e syve sepse e bën lëkurën më elastike.

Xheli i aloe verës e ushqen lëkurën shumë mirë sepse është i pasur me antioksidantë.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org përbërësit e xhelit kanë aftësi shtrënguese për lëkurën dhe e bëjnë atë më të tendosur falë nxitjes së prodhimit të kolagjenit dhe fibrës.

Përdoreni xhelin dy ose tre herë në ditë dhe bëni një masazh të lehtë.

Aloe vera është ideale për të trajtuar paraqitjen e lodhur të syve dhe heqjen e rrathëve të zinj.
Vaji i Avokados
Vajin e avokados mund ta përzieni me vaj limoni apo qitroje dhe të krijoni një kurë shumë të mirë kundër rrudhave.

Përzieni një pikë vaj limoni me një lugë gjelle me vaj avokadoje.

Më pas me mollëzat e gishtave masazhoni zonën rreth syve duke përdorur disa pika nga kombinimi i mësipërm.

Përsëriteni kurën dy ose tre herë në ditë.
Kastraveci
Ekstraktet e kastravecit ndihmojnë në rritjen e elastinës dhe ushqimin e lëkurës me antioksidantë.

Kastraveci jo vetëm që e ushqen dhe freskon lëkurën por zbut ndjeshëm shenjat e plakjes së saj.

Mbajini fetat e kastravecit për 10-15 minuta dhe më pas fërkojeni zonën lehtë me vaj të arrës së kokosit.
Si Të Parandaloni Rrudhat
Mënyra më e mirë për të luftuar rrudhat është të mësoni se si t’i parandaloni ato.

Rregullat e arta për një lëkurë elastike në zonën e syve sipas të dhënave të AgroWeb.org janë:

Përdorni krem kundër diellit

Mbani syze dielli

Pini 8-10 gota ujë në ditë për të përmirësuar kompleksitetin e lëkurës.

Hidratimi është i rëndësishëm.

Në mos kundër rrudhave, hidratohuni për të mirën e shëndetit./AgroWeb.org

Rrudhat e syve ,si t’i largoni me metoda natyrale Read More »

Kujdes këto ditë, vala e nxehtë afrikane “pushton” Shqipërinë

Shqipëria do mbetet në periferi të valës së të nxehtit afrikan, e cila gjatë mesditave të kësaj fundjave, sjell temperatura mbi 30°C në 90% të territorit shqiptar.

Sipas MeteoAlb, në zonat malore temperaturat maksimale variojnë nga 31 në Juglindje deri 35°C zonat Verilindore (Kukësi); në bregdet dhe zonat e ulëta temperaturat maksimale ngjiten në 35 – 36°C por në zona specifike pritet që temperaturat maksimale të ngjiten lehtësisht mbi 38°C.

Dita e hënë sjell rënie të ndjeshme të temperaturave, vlera të cilat janë lehtësisht mbi maksimumet tipike mujore dhe do të vijojnë me luhatje të lehta deri në mesjavën tjetër.

10-ditëshi i fundit i korrikut do të jetë kryesisht i kthjellët në bregdet dhe pjesën më të madhe të zonave të ulëta por vranësira të shpeshta dhe rrebeshe të here pas hershme shiu do ketë në zonat malore, kryesisht Veriu dhe Juglindje por më pak zonat Qendrore (më e riskuar shtrirja Tiranë – Elbasan).

Në ditë të veçanta të këtij 10-ditori, shirat do përfshijnë thuajse të gjithë Shqipërinë.

Kujdes këto ditë, vala e nxehtë afrikane “pushton” Shqipërinë Read More »

Bëri shakanë “pa kripë” me vajzën e shëndoshë, “masakrohet” dietologia shqiptare

Ndonjëherë, edhe ndonjë shaka e vogël mund të keqkuptohet dhe të keqinterpretohet, veçanërisht nëse je person publik dhe ndiqesh nga një numër i madh personash që besojnë dhe kanë pritshmëri tek ty.

Kështu i ka ndodhur dietologes Blerina Bombj Troci, e cila ka publikuar foton e disa personave, mes të cilëve ndodhej edhe një vajzë mbipeshë.

Blerina shkruan me humor:

“Dikush t’i tregojë kësaj vajzës së mesit që zgjidhja është Blerina Diet. Kush nuk e merr dot me humor këtë status, të kalojë në faqe tjetër për moralin”.
Mirëpo, edhe pse e ka sqaruar që është shaka, ndjekësit e kanë “mbytur” në komente. Disa prej tyre i gjeni edhe më poshtë.

Bëri shakanë “pa kripë” me vajzën e shëndoshë, “masakrohet” dietologia shqiptare Read More »

8 ushqimet më të shëndetshme për stinën e verës

Gjatë stinës së verës konsumimi I ushqimeve duhet të jenë sa më të shëndetshme.

Ja disa nga ushqimet:
1.Misri
Dy antioksidantët që ndodhen tek misri, lutein dhe zeaksantinë – na ndihmojnë kundër rrezeve dëmtuese të diellit. Për sytë, ato janë si syze dielli natyrale.
2. Kafe me akull
Një kafe e shoqëruar me akull është një mënyrë e mirë për të nisur mëngjeset e verës. Një filxhan në ditë ul rrezikun e zhvillimit të kancerit të lëkurës
3. Qershitë
Ato sjellin një sërë përfitimesh shëndetësore. Lëngu i qershisë na ndihmon të bëjmë një gjumë më të mirë gjatë netëve të nxehta të verës. Antioksidanti antocianin i ndodhur tek qershitë redukton yndyrnat.
4. Domatet
Padyshim që kremi për trupin do të jetë në radhë të parë për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit në verë. Por duke konsumuar domate, i bëni një tjetër të mirë vetes duke e mbrojtur lëkurën nga djegia. Kjo falë antioksidantit likopene që domatja e kuqe përmban
5. Shalqiri
Duke qëndruar të hidratuar mbani në formë kujtesën tuaj dhe humorin. Mbani trupin tuaj të freskët gjatë muajve të nxehtë të verës
6. Manaferrat
Manaferrat janë një burim i mirë fibrash që ndihmojnë në uljen e nivelit të kolesteroli. Gjithashtu ndihmojnë në parandalimin e rritjes së peshës.
7. Çaji i ftohtë
Sigurisht një gotë me çaj të ftohtë në një ditë të nxehtë do t’ju freskojë. Përveç kësaj ndihmon në parandalimin e sëmundjes së diabetit dhe sëmundjes Alzheimer.
8. Boronica
Boronica e freskët janë një trajtim special. Antioksidantët që boronica përmban ndihmojnë në shmangien e lodhjes së muskujve.

8 ushqimet më të shëndetshme për stinën e verës Read More »

Aleko Pojani Heroi i heshtur i nëndetëseve shqiptare/Nga Clirim hoxha

Aleko Pojani Heroi i heshtur i nëndetëseve shqiptare.

Ai u shua, nuk jeton më fizikisht, por ai nuk ka vdekur, sepse nuk mund të vdes një hero, nuk mund të vdes një atdhetar nga ata më të mirët, nuk mund të vdes komandanti legjendar i nëndetëseve shqiptare Aleko Pojani. E takova në vitet 2000 kur Brigada e Nëndetëseve kishte vetëm dy vjet që kishte përfunduar misionin e saj historik 40 vjeçar. Kisha dëgjuar të flitej për të, e njihte e gjithë Vlora, Orikumi dhe Pashalimani. E njihte e gjithë Flota Ushtarako-Detare shqiptare. Aleko Pojani si të gjithë të rinjtë e viteve pas Luftës së dytë Botërore donte të bëhej ushtarak që ti shërbente Atdheut të tij të shtrenjtë. Në fund të viteve ’40 shkoi të studionte në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, por me të mbaruar atë me rezultate të shkëlqyera Atdheu do ta dërgonte në vitin ’53 në Baku të ish Bashkimit Sovjetik, ku Aleko Pojani do të studionte për nëndetëse. Traktati i Varshavës kishte vendosur që Pashalimani të kthehej në Bazë Ushtarako-Detare si avanpost i kësaj aleance të ish Kampit Socialist në Mesdhe. Pesë vjet studime në emër të Atdheut, 5 vjet suksese në përvetësimin e armës së nëndetëses. Në vitin ’58 Aleko Pojani e sheh veten Komandant i nëndetëses së parë në Bazën e Pashalimanit, e cila kishe atëherë 12 nëndetëse në organikën e saj luftarake, por vetëm 4 prej tyre do ti takonin Shqipërisë në fillim të viteve ’60 pas ndarjes së flotës. Takimi me të ishte impresionues. Përpara meje qëndronte një burrë truplidhur me shtat mesatar dhe tepër i komunikueshëm. Pyetjet e mia ishin për të, për misionin e tij dhe të nëndetëseve që drejtoi, për brigadën, për shokët, për marrëdhëniet me sovjetikët, për përplasjen e madhe, për lundrimin historik 22 ditor zhytur në Mesdhe, për…
Prishja me rusët ishte domosdoshmëri për kohën, më tha komandant Alekua. Rusët kërkonin më shumë se sa u takonte nga një shtet sovran dhe donin që të komandonin ata në Bazën e Pashalimanit. Rusët e konsideronin si pjesë të Bazës së Pashalimanit hapësirën nga Ura e Mifolit e deri në Himarë. Kjo ishte në dokumentet e rusëve Baza e Pashalimanit. Rusët për këtë gjë punuan shumë. Përveç brigadës së nëndetëseve, e cila u fuqizua shumë me 12 nëndetëse, filluan të ndërtoheshin edhe sheshet stakimit të raketave. Kështu që, Baza e Pashalimanit do të merrte një prioritet absolut dhe ishte e vetmja bazë ushtarake e ish Kampit Socialistë dhe ish Traktatit të Varshavës të asaj kohe në Mesdhe, tha komandant Aleko Pojani. Mbajtja e 4 nëndetëseve ishte legjitime për Shqipërinë, pasi traktati i Varshavës dhe marrëveshjet ushtarake midis të dyja vendeve përcaktonin qartë që gradualisht me aftësimin e ushtarakëve shqiptar në drejtimin dhe mirëmbajtjen e nëndetëseve, nëndetëset do ti kalonin Shqipërisë, më tha komandant Pojani. Largimi i rusëve nga Baza e Vlorës ishte si çlirim i gjithë gjirit, por rusët nuk e ndalën presionin dhe shantazhin ndaj vendit tonë. Ata përhapnin fjalë se, shqiptarët nuk janë në gjendje që ti mbajnë dot 4 nëndetëset, nuk kanë aftësi drejtuese dhe menaxhuese. Madje ata shkonin deri atje, shprehej komandant Alekua, sa që thoshin se, shqiptarët do ti mbysin nëndetëset. Për të hedhur poshtë këto pretendime, por edhe për të treguar mjeshtërinë dhe gatishmërinë tonë në drejtimin e nëndetëseve, Shtabi i Përgjithshëm dhe Komanda e FLD vendosën që nëndetësja që drejtoja unë, pra ajo që do të njihej më pas me numrin 105 të ndërmerrte një udhëtim sekret në Mesdhe, u shpreh komandanti. Dhe ata u nisën një natë në heshtje të plotë dhe në mënyrën më sekrete të mundshme, por absolute. Detyrat i kishin të qarta dhe i gjithë ekuipazhi me oficerë, nënoficer dhe marinar ishin në gatishmëri të plotë. Misioni nën det do ta çonte nëndetësen në brigjet e Greqisë dhe Italisë, në portet e tyre, në bazat e tyre ushtarake, ku nëndetësja 105 do të vëzhgonte kapacitet ushtarake të Greqisë dhe Italisë dhe do të tentonte të futej poshtë anijeve ushtarake të Flotës së Gjashtë Amerikane të dislokuar në Mesdhe. Komandant Aleko Pojani drejtonte me guxim atë udhëtim historik zhytur 200 metra nën det. Hera herës komandanti urdhëronte që nëndetësja të delte në thellësinë e periskopit për të vëzhguar sipërfaqen e detit dhe pozicionet gjeostrategjike të saj. Komandanti më tregoi gjatë intervistës me të se, nëndetësja 105 iu afrua bazave ushtarake të Italisë dhe Greqisë dhe mblodhi të dhëna mbi kapacitetet e tyre. Ditët nën Mesdhe kalonin dhe në Komandën e Bazës së Pashalimanit, në Shtabin e Përgjithshëm dhe në komandën e FLD ndiqej me ankth çdo lajmë që mund të vinte lidhur me misionin sekret të nëndetëses 105 të drejtuar me mjeshtëri nga komandant Aleko Pojani. Një ditë gjatë misionit komandant Pojani e drejtoi nëndetësen drejtë pozicionit dhe koordinatave ku gjendej e dislokuar Flota e Gjashtë Amerikane. Nëndetësja 105 rrëshqiti si ngjalë 200 metra në thellësi të Mesdheut gjatë natës dhe iu afrua grupimit të Flotës së Gjashtë Amerikane. Akustika e Flotës së Gjashtë Amerikane e zbuloi nëndetësen 105. E gjithë flota u vu në gjendje alarmi dhe u gjend në befasi. Menjëherë mbi nëndetësen tonë u instaluan dy destrojer me flamurin e NATO-s për ta mbajtur nënë kontroll, ndërkohë që mbi ne fluturonin helikopterët e flotës amerikane. Ata besonin se nëndetësja që iu ishte future nga poshtë të ishte një nëndetëse ruse. Ata urdhëruan që nëndetësja jonë të dilte në sipërfaqe, por kjo nuk ishte e mundur. Komandant Aleko Pojani urdhëron nëndetësen që të kthehej në Bazën e Pashalimanit. Nëndetësja çau ferrën dhe u zhduk pa lenë gjurmë. Komanda e Flotës së gjashtë u frikësua seriozisht dhe gjendja e gatishmërisë luftarake u mbajt për disa ditë non stop. Kishin kaluar rreth tre javë poshtë Mesdheut, 22 ditë pa e parë dritën e diellit, 22 ditë jetë në temperaturat +45 gradë brenda nëndetëses, 22 ditë me oksigjen të rigjenerueshëm, 22 ditë në shërbim të Atdheut dhe sigurisë së tij. Kur nëndetësja mbërriti në bazën e Pashalimanit kishin dalë të gjithë për ta pritur dhe përshëndetur. Ishte diçka emocionuese dhe në sytë e gjithsecilit ndihej krenaria e përmbushjes me sukses të një misioni. Komandant Aleko Pojani zbriti i pari në tokë ku ishin rreshtuar efektivat e bazës dhe ku autoritetet më të larta ushtarake dhe politike e uruan dhe falënderuan që e ngriti krenarinë kombëtare të nënujësve në nivelet më të larta. Ai udhëtim 22 ditë dhe net nën detin Mesdhe u quajt “PERL” për nëndetëset e Pashalimanit dhe Flotës tonë Luftarako Detare, por në radhë të parë për nëndetësen 105 dhe komandantin e saj legjendar, heroin e heshtur të marinës shqiptare Aleko Pojani.
Biseda me komandant Alekon rrodhi e qetë, unë e pyesja dhe ai, pasi mendohej pak duke i thirrur kujtesës, përgjigjej me përpikmëri si një nënujës i sprovuar në furtunat e kohës, ku dallgët e detit përplaseshin furishëm mbi trupin e çeliktë të nëndetëses së tij.
E pyeta në lidhje me një incident të ndodhur në njërën nga nëndetëset, e cila mori flakë dhe ai tregoi: Ishte një pakujdesi e marinarëve të lokalit të baterive që nuk kishin bërë matjen e pranisë së hidrogjenit, e cila nuk lejohej më tepër se 2%, por niveli i hidrogjenit ishte më i madh dhe pas një shkëndije elektrike shpërtheu zjarri, i cili mori jetën e 4 marinarëve. Nëndetësja u riparua përsëri, duke u zëvendësuar i gjithë rrjeti elektrik i saj, më tregoi komandanti. Të mos harrojmë, më vuri në dukje ai. Një nëndetëse ka 24 mijë km rrjet elektrik të vendosur në trupin e saj.
E pyeta komandant Alekon edhe për Teme Sejkon dhe ai më tha: Teme Sejko ishte komandant i Flotës atëherë. Bëhet fjalë për vitin 1959 kur grupi i ashtuquajtur i Teme Sejkos u eleminua. Unë nuk mund të flas shumë se nuk kisha njohuri se sa të vërteta ishin ato akuza agjenturale kundër Teme Sejkos, më tha shkurt komandant Pojani.
E pyeta komandant Akelo Pojanin mbi vizitën e Nikita Hrushovit në Pashaliman dhe ai më tha se, e kishte shoqëruar Hrushovin në të gjithë udhëtimin e tij me anije nga Vlora në Pashaliman dhe nga Pashalimani në Sarandë. Pra, anija komandohej nga komandant Aleko Pojani, i cili kishte lënë për pak orë nëndetësen e tij në liman dhe ishte emëruar oficer lundrimi në anijen Baza Lundruese siç quhej ajo. Hrushovi doli nga Vila 5 në Ujin e Ftohtë dhe zbriti në Plazhin e Ri ku ndodhej motoskafi që po e priste në mol. Hipi në të dhe ne u nisëm drejtë Pashalimanit. Pas vizitës në bazë, Hrushovi u nis me anijen Baza Lundruese drejtë Sarandës shoqëruar nga udhëheqësit e partisë të asaj kohe, tha komandanti.

Transferimi i nëndetëseve në Porto Palermo ishte një gabim.
Duke e pyetur komandant Aleko Pojanin për nëndetëset e Pashalimanit dhe transferimin e tyre në Porto Palermo, ai pasi u mendua pak vazhdoi: Për mua transferimi i nëndetëseve nga Pashalimani në Porto Palermo ishte një gabim. Në Porto Palermo po ndërtohej një tunel për strehimin e katrave silurues 100 tonësh raketa lëshues, të cilët do të vinin nga Kina në bazë të një marrëveshjeje midis të dyja qeverive. Tuneli do të kishte dy hyrje-dalje nga të dyja anët nga 100 m të gjata të bërë posaçërisht për katrat silurues me një gjerësi 3.5 m dhe me një thellësi rreth 2 m. Në pjesën tjetër të tunelit të sipërm, atë të pa hapur nën ujë, me anë të shkallës do të kalonin katrat nga njëra anë e tunelit në anën tjetër që ishte 960 m. Për atë kohë ky tunel u gjykua që do të ishte vetëm për katrat silurues dhe atë funksion pati. Më vonë, me prishjen e kësaj marrëveshje dhe mosardhjebn e katrave silurues 100 tonësh raketa lëshues nga Kina, u mendua që tuneli të hapej për nëndetëset. Nuk do të doja të flisja më shumë për këtë, pasi ai ka qenë budallallëku më i madh i asaj kohe, shprehej komandant Pojani. Ky tunel, vazhdoi ai, nga gjerësia 3.5 metra u hap në 7.5-8 m gjerësi dhe aq më tepër u thellua në thellësinë 6 m nën ujë. Kanë punuar me vite të tëra polumbarët për të nxjerrë shkëmbinjtë nga thellësia deri sa u hap i gjithë tuneli në gjatësinë 960 m, me qëllim që nëndetëset mund të kalonin nga njëra anë në anën tjetër të tunelit. Qysh në fillim përpara transferimit të nëndetëseve në Porto Palermo u mblodh një komision i flotës ku bëja pjesë edhe unë. Shumica e komisionit ishte kundër transferimit të nëndetëseve në Porto Palermo. Porto Palermua kërkonte për nëndetëset kapacitete të tjera që ne nuk i kishim dhe vështirë se do ti siguronim, shprehej komandanti. Ne nuk kishim ventilime të fuqishme, ne nuk arrinim dot të bënim heqjen e lagështirës dhe të gjitha këto sollën atë që nëndetëset u dëmtuar pjesërisht në Porto Palermo dhe qëndrimi i tyre atje nuk zgjati më shumë se dy vjet. Ato u kthyen përsëri në Bazën e Pashalimanit. E pyeta komandantin se, sa vjet vazhduan punimet për hapjen e atij tuneli në Porto Palermo të Himarës dhe ai më tha: Punimet vazhduar rreth 10 vjet. Këtë mund ta them, por nuk mund të them koston e hapjes së tij për një shtet si Shqipëria. Nuk mund të them shifrën me sa zero mbrapa që u shpenzuan për atë tunel, më tha Komandanti.
E pyeta komandant Aleko Pojanin në lidhje me nëndetësen e huaj që hyri fshehtas në gjirin e Vlorës në tetor të vitit 1981 dhe ai më tha: Të gjitha çfarë janë thënë mbi origjinën e nëndetëses së huaj janë hamendime, u përgjigj ai. Askush nuk e pa se e kujt kombësie ishte ajo nëndetëse. Mund të mendosh që ishte edhe e rusëve, sepse rusët e njihnin shumë mirë Bazën e Pashalimanit, jo vetëm mbi sipërfaqen ujore dhe mjedisin që e rrethonte, por edhe tabanin e detit në Gjirin e Vlorës. Ata kishin harta shumë të specifikuara për të gjitha thellësitë, për të gjitha kthesat e shkëmbinjve nënë ujor etj, kështu që nuk përjashtohet mundësia që ajo nëndetëse të ishte ruse. Por mund të ishte edhe amerikane. Për të tjera kombësi nëndetësesh nuk mendojë se mund të hynin në Gjirin e Vlorës, tha komandanti. A mund të kapej ajo nëndetëse, e pyeta komandant Alekon dhe ai tha: Ajo nëndetëse faktikisht u kap nga mjetet tona, por u vonua shumë urdhri për asgjësimin e saj. Në atë kohë mbajë mend se, dy gjuajtësit tanë që shoqëronin nëndetësen vazhdimisht kërkonin urdhër për hapje zjarri, por urdhri nuk u dha, ose u dha me aq vonesë sa lejoi që nëndetësja të dilte nga Gjiri i Vlorës. Gjuajtësit hapën zjarr, por zjarri ishte i padobishëm për ta asgjësuar nëndetësen, e cila kishte hapur shtegun dhe ishte larguar në dalje të Gjirit të Vlorës. U hodhën disa bomba thellësie, por pa efekte asgjësimi pasi nëndetësja po largohej dhe ndodhej larg rrezes së shpërthimit.
Komandanti i nëndetëses 105 Aleko Pojani më tha se, i vinte keq që misioni 40 vjeçar i nëndetëseve shqiptare mbaroi, por, shtoi ai, ky mision një ditë do të përfundonte. Aq më shumë për nëndetëset, të cilat kanë një dhjetëvjeçar që nuk janë riparuar. E pyeta nëse mund të vihen në punë 4 nëndetëset e Pashalimanit, por komandanti legjendar më tha: Jo, nuk mund të vihen në punë. Kërkojnë shpenzime të mëdha, por gjatë këtyre viteve humbi eksperienca, humbi përvoja, humbi drejtimi. Komandanti kërkonte që njëra nga nëndetëset të kthehej në muze për të ruajtur historinë në breza dhe për të treguar se në Bazën e Pashalimanit ka ekzistuar një brigadë nëndetësesh.
Kjo intervistë u regjistrua rreth 17 vjet më parë me komandant Aleko Pojanin. E gjeta në një dyqan kancelarisht, ku ai shiste lapsa, fletore e gjithfarë mjetesh kancelarie përgjatë bulevardit “Ismail Qemali” përpara ish Fabrikës së Orizit në Vlorë. Edhe sot e ruaj në kasetën e diktofonit tim zërin e tij. Nuk qëndroi më shumë në Vlorë qytetin e marinarëve, sepse familja e tij u shpërngul në Tiranë. Gjatë këtyre viteve nuk kam pasur asnjë informacion për komandant Aleko Pojanin. Thoshin se merrej me biznes në një dyqan shumice, por unë nuk e kisha takuar dot “Delfinin syshqiponjë”. Në vitin 2013 komandanti botoi një libër historik me kujtime me titull: “Nëndetësja 105, kujtimet e një komandanti”, i cili ende nuk më ka rënë në dorë. Të mërkurën në mbrëmjen e 11 korrikut Komandanti i parë nëndetëses 105 Dr. Aleko Pojani u shua fizikisht në Tiranë, për të mos vdekur kurrë shpirtërisht, sepse nuk mund të vdesin kurrë heronjtë legjendar. Aleko Pojani ishte një hero i heshtur në shërbim të Atdheut të tij. Ai komandoi nëndetësen e parë shqiptare të quajtur “Nëndetësja 105” dhe shkroi me të historinë e udhëtimit më të gjatë të nëndetëseve shqiptare në thellësitë e detit Mesdhe, të Adriastikut dhe të Jonit gjithashtu. Komandant Aleko Pojani do të mbetet si gur i çmuar në analet e historisë së detarisë shqiptare, si frymëzim për brezat e detarëve që do të nxjerrë në vite, dekada e shekuj ky vend, për mbrojtjen e të cilit shkriu gjithçka kishte komandanti legjendar Aleko Pojani.
Sot në këtë ditë të trishtë për familjen e tij, për shokët dhe bashkëluftëtarët, për Flotën Ushtarako-Detare Shqiptare ne përulemi përpara veprës së tij dhe lëshojmë kushtrimin se, ky Vend, ky Atdhe duhet ruajtur dhe mbrojtur në breza dhe shekuj sepse është Atdheu i të parëve tanë, është Atdheu i gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, është identiteti i kombit më të vjetër të Europës dhe Mesdheut, është atdheu i Skënderbeut dhe i të gjithë heronjve dhe dëshmorëve që duhet trashëguar në breza i fortë dhe i begatë për çdo shqiptar.
Dhe së fundi, largimi nga jeta i një komandanti si Aleko Pojani do të shoqërohej me ceremoni ushtarake nga Flota Ushtarako-Detare dhe Ministria e Mbrojtjes në çdo vend të botës, por në vendin tonë njerëzit dhe meritat harrohen shpejtë. A duhet që komanda e Flotës të mbajë lidhje me familjet e ish komandantëve apo ish ushtarakëve?! A duhet të Ministria e Mbrojtjes të organizoi ceremoninë funebre për legjendat e ushtrisë së këtij kombi?!
Çlirim Hoxha

Fotografia e Clirim Hoxha

Aleko Pojani Heroi i heshtur i nëndetëseve shqiptare/Nga Clirim hoxha Read More »

Siguria ushqimore sipas modelit irlandez

Ambicia e qeverisë shqiptare është që standardet e sigurisë ushqimore në vendin tonë, të maten me standardet e vendeve të Bashkimit Europian.

Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi bëri të ditur sot gjatë një interpelance online me grupe interesi se, mbështetur edhe në sugjerimet e Komisionit Europian, sektori i sigurisë ushqimore në Shqipëri, do të ketë si pikë referimi sistemin irlandez.

Një grup pune nga Ministria e Bujqësisë tha Peleshi, kanë qenë në Irlandë dhe jemi duke adaptuar sistemin më të mirë të sigurisë ushqimore irlandeze në vendin tonë.

Peleshi u shpreh optimist se edhe me ndihmën e teknologjisë dhe inovacionit, sektori i sigurisë ushqimore do të dalë nga problemet e trashëguara dhe do të shënojë standardet e kërkuara bashkëkohore.

Në përgjigje të pyetjes së agrobiznesmenit Alban Zusi, për implementimin e mendimit të ekspertëve në politika e vendimmarrje, ministri Peleshi dha shembuj konkretë të këtij bashkëpunimi, si në skemat e mbështetjes, edhe në politikat fiskale.

“Ministria e Bujqësisë e sheh vlerë të shtuar bashkëpunimin me ekspertë të fushës dhe e vlerëson mendimin akademik të specialistëve të fushës. Ne do të ngremë një bord të qëndrueshëm me pjesëmarrjen edhe të ekspertëve dhe specialistëve të bujqësisë për të kontribuar akoma dhe më mirë në shërbim të këtij sektori”, – tha Peleshi. /atsh

Siguria ushqimore sipas modelit irlandez Read More »

“Bilbili” Folk drejt Kroacisë/Pjesëmarrje në edicionin e 52-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar të Zagrebit.

DREJT ZAGREBIT…

“Bilbili” Folk drejt Kroacisë.
Për pjesëmarrje në edicionin e 52-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar të Zagrebit.
Mes 16 shteteve pjesëmarrëse, prej dt. 20 deri 23 korrik 2018.
Së bashku me vëllezërit tanë të “ Lidhjes së Prizrenit”, Kosovë./seimen Gjokoli

Fotografia e Sejmen Gjokoli

Fotografia e Sejmen Gjokoli

 

“Bilbili” Folk drejt Kroacisë/Pjesëmarrje në edicionin e 52-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar të Zagrebit. Read More »