Aurora

Thaçi dekoron Era Istrefin për promovimin e Kosovës nëpër botë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar me medalje presidenciale këngëtaren Era Istrefi, si mirënjohje për kontributin e saj për promovimin e Kosovës nëpër botë.

Istrefi i solli një dhuratë presidentit Thaçi, një top futbolli me autografet e futbollistit Ronaldinjo dhe këngëtarëve Will Smith dhe të saj.

Presidenti Thaçi e çmoi kontributin e Erës, për të cilën tha se me punën dhe sukseset e saj ka arritur të krijojë një imazh pozitiv për Kosovën.

“Edhe pse s’i kishim ekipet futbollistike, prezenca juaj ishte simbolikë, ishte mesazh, ishte Kosova, ishte zëri i Kosovës, prandaj, për afirmimin e vendit, shtetit tonë të ri, për imazhin shumë pozitiv që e keni krijuar me punë e përkushtimin, zellin dhe suksesin e jashtëzakonshëm global, unë kam vendosur që të ndaj dekorimin për ju, për kontributin për vendin, si president i vendit”, u shpreh Thaçi.

Era Istrefi është shprehur e lumtur që po nderohet me një mirënjohje të tillë pikërisht nga vendi i saj dhe ka thënë se ndihet edhe më shumë e motivuar.

“Unë jam shumë e lumtur që e kam aftësinë me e bo botën  të lumtur me muzikën time. Po gjithashtu, edhe kjo medalje mua më motivon edhe më shumë për të promovuar Kosovën sa më shumë që të mundem në të ardhmen ”, u shpreh Era.

Presidenti Thaçi, i pyetur se a e përfaqësojnë më mirë Kosovën politikanët apo artistët, ka thënë se artistët po i japin imazh më të mirë vendit dhe se ndihet krenar me ta.

“Era, Dua, Ora janë  më të njohura dhe më të mëdha se gjithë ne, janë njerëz me ndikime dhe zëri i tyre është dhe global për Kosovën. Urimet më të mira, ne gjithë kudo që kemi qenë, kemi qenë krenarë me arritjet e Erës”, ka thënë Thaçi. /KosovaPress/

Thaçi dekoron Era Istrefin për promovimin e Kosovës nëpër botë Read More »

Tatimet bllokojnë 9 hotele në jug, u gjetën të pa regjistruar

Administrata Tatimore vijon aksionet në zonat turistike të vendit me qëllim reduktimin e informalitetit dhe garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik.

Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Jugor është duke ushtruar kontrolle të detajuara verifikimi, në subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike në Sarandë, Ksamil, Himarë, Dhërmi etj.,

Gjatë prezencës së këtyre strukturave hetimore është konstatuar se ka ende tatimpagues, të cilët ushtrojnë aktivitet të paregjistruar apo që nuk lëshojnë kupon tatimor për çdo shitje.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, u evidentuan 9 hotele të paregjistruara në organet tatimore, të cilat u bllokuan deri në regjistrimin si subjekt me TVSH.

Dy subjekte u penalizuan për moslëshimin e kuponit tatimor për herë të dytë dhe bllokim i ushtrimit të aktivitetit për 30 ditë kalendarike./atsh

Tatimet bllokojnë 9 hotele në jug, u gjetën të pa regjistruar Read More »

Basha: Shqiptarët i meritojnë negociatat, qeveria i pengon

“Shqipëria ka një krizë të trefishtë”, – u shpreh sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët.

“Shqipëria ka një krizë ekonomike. Nuk ka asnjë investim të huaj prej 5 vitesh. Dy investimet e huaja të mëdha po mbarojnë si TAP-i, edhe Kaskada e Devollit. Siç e ka thënë FMN, me mbarimin e tyre mijëra vende pune do të humbasin. Së dyti, kemi një politikë të kapur nga krimi. Kaluam nga një ministër të Brendshëm që bënte trafik droge me kushërinjtë e tij, në një ministër të Brendshëm që mbron vëllain që merret me trafik droge. Së treti, kemi një reformë në drejtësi, e cila është tërësisht e kapur nga kjo qeveri që në vetvete është e kapur nga krimi. Pra kemi një krizë të trefishtë, krizë ekonomike, kushtetuese dhe morale”, – tha Basha.

Duke folur për negociatat me Bashkimin Europian Basha tha se, “vendimi i 28 qershorit për ta shtyrë me një vit shqyrtimin e vendimit nëse do i hapen apo jo negociatat Shqipërisë, është një tjetër leksion për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe në veçanti për Edi Ramën, që në Europë nuk hyhet me gënjeshtra. Në Europë hyhet vetëm me të vërteta. E vërteta është që Shqipërisë nuk iu hapën negociatat këtë vit edhe pse kishte një mbështetje pa kushte nga Komisioni Europian. Kjo është e vërteta”.

Basha theksoi se, “Shqipërisë nuk iu hapën, sepse shtetet e mëdha anëtare Gjermania dhe Franca ngritën shqetësimin se Shqipëria nuk ka treguar rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në veçanti kundër trafikut të drogës. Ky është një mesazh për qeverinë, jo për popullin. E dinë europianët që 97% e shqiptarëve e duan integrimin në Europë. Ky nuk është një mesazh ndaj shqiptarëve. Shqiptarët i meritojnë negociatat, qeveria i pengon negociatat”.

Basha foli edhe për amendimin e ligjit të Magjistraturës që kërkon edhe votat e opozitës për të kaluar në Kuvend. Basha u shpreh se ky amendim i ligjit nuk e zgjidh problemin e reformës në drejtësi.

“Në fillim na thanë kaloni ligjin për Vetingun se do futeni në Europë. Ju thamë që kjo nuk është e vërtetë. Nuk është çështje e kalimit të një ligji. Është çështja e zbatimit të reformave në tërësi dhe në veçanti të reformës në drejtësi. Tani na thonë kaloni ligjin e Magjistraturës. Çfarë është ligji i Magjistraturës? Është të futësh një kuotë studentësh, të cilët pas 3 vitesh do të mbarojnë shkollën. Reforma siç e parashikuan këta me ligjet që kaluan në mënyrë të njëanshme, thotë që kjo është detyrë e KLGJ-së dhe KLP-së. Por nuk ka KLGJ dhe KLP. Procesi zvarritet. Vetingu ecën me ritme shumë të ngadalta”, – tha Basha.

“Ta zëmë se e pranuam amendamentin për të kaluar këtë problem që ka shkaktuar vetë qeveria. E zgjidh kjo problemin e Gjykatës Kushtetuese jofunksionale? A e zgjidh kjo faktin që kemi një Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur në mënyrë partizane, në kundërshtim me Kushtetutën? A e zgjidh kjo faktin që s’kemi KLGJ dhe KLP dhe nuk e dimë se kur do t’i kemi? A e zgjidh kjo faktin që nuk kemi SPAK dhe BKH? Përgjigja për të gjitha këto është jo. Pra duke rendur pas diçkaje sipërfaqësore dhe duke injoruar reformën në drejtësi për shkak të ligjeve të bëra në mënyrë të njëanshme, jo vetëm nuk e zgjidhim problemin, por e thellojmë atë. Ligji për Magjistraturën nuk zgjidh asnjë nga këto çështje”, – u shpreh Basha.

“Kjo do të thotë që dyert e Europës për Shqipërinë edhe pas një viti do të mbeten të mbyllura”, – shtoi Basha.

I pyetur për një bashkëqeverisje me Edi Ramën, Basha tha se, “Partia Demokratike nuk do të bëhet kurrë pjesë e së keqes. Nuk do të bëjmë pakt me qeverinë e lidhur me krimin”.

Basha tha se, PD do t’i ofrojë qytetarëve alternativën e saj për një të ardhme të sigurt.

Sipas tij, opsioni është udhëheqja pa një qeveri të lidhur me krimin. /atsh

Basha: Shqiptarët i meritojnë negociatat, qeveria i pengon Read More »

Pjekja prehistorike, zbulohet receta për bukën më të vjetër në botë

Merrni miell nga gruri dhe elbi i egër, përzijeni me pluhurin e rrënjëve të bimëve, shtojini ujë dhe pastaj piqeni.Sipas shkencëtarëve, kjo është receta për bukën më të vjetër në botë, që daton më shumë se 14.000 vjet.

Buka e pjekur ishte e sheshtë, jo e fryrë me maja dhe kishte pak shijen e bukës së sotme.Bukë ka qenë prej kohësh pjesë e dietës sonë kryesore. Por pak dihet për origjinën e bërjes së bukës.

Deri tani, dëshmia më e vjetër e bukës erdhi nga Turqia 9,000 vjet më parë. Gjetja e fundit, nga një vend arkeologjik në Shkretëtirën e Zezë në Jordani, shtyn përsëri provën e parë për bërjen e bukës për më shumë se 5.000 vjet.

Shkencëtarët zbuluan dy ndërtesa, secila prej të cilave përmbante një oxhak të madh rrethor me gurë, brenda së cilës u gjetën thërrimet e bukës. Analizuar në mikroskop, mostrat e bukës treguan shenja të bluarjes, sitjes dhe përzierjes.

Dr Amaia Arranz-Otaegui i Universitetit të Kopenhagës, e cila zbuloi thërrimet e bukës, tha se kjo ishte gjëja e fundit që ata prisnin të gjenin në vend. “Buka është një lidhje e fuqishme midis kulturave tona të së kaluarës dhe ushqimit të tanishëm,”-tha ajo. “Kjo na lidh me paraardhësit tanë prehistorikë.”

Buka është bërë në disa faza, duke përfshirë bluarjen e drithërave ose zhardhokëve, përzierjen e miellit me ujë për të bërë brumin dhe pjekjen e brumit në hirin e nxehtë të oxhakut ose në një gurë të nxehtë të sheshtë./atsh

Pjekja prehistorike, zbulohet receta për bukën më të vjetër në botë Read More »

Nis “Korça Short Film Fest”, 40 filma shqiptarë dhe të huaj në konkurrim

Festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër “First Step Film Festival”, që çdo vit është zhvilluar në Tiranë, me ndryshimet e tij po zhvillohet në qytetin e Korçës.

Çdo ditë në Teatrin e Korçës dhe në Pazarin i Vjetër, për publikun do të shfaqen filma të huaj, por dhe prodhime të autorëve shqiptarë.

Ky vit sjell për publikun 40 filma dhe në natën e parë u shfaq dhe dokumentari kushtuar jetës së fotografit të njohur, Gjon Mili.

Festivali këtë vit vjen me emër tjetër “Korça Short Film Fest”,nuk do jetë edicioni i parë, por vazhdimi i festivalit “ First Step Film Festival”, që ka nisur në vitin 2010.

Këtë vit janë në konkurrim 40 filma nga 700 që kanë aplikuar. 21 filma garojnë në garën e filmit studentor dhe 19 në garën e filmave ndërkombëtar. Ndërkohë të gjithë filmat shqiptarë dhe shqipfolës do të garojnë dhe në garën kombëtare,sipas kategorive të filmave dhe fushave të studimeve si Filmi artistik më i mirë; Filmi Dokumentar më i mirë; Filmi më i mirë i Animuar; Regjia më e mirë; Skenari më i mirë etj.

Festivali “Korça Short Film Fest” i cili ka nisur më datë 17 korrik do vazhdojë për publikun artdashës korçar deri më 21 korrik në Pazarin e Vjetër të qytetit./atsh

Nis “Korça Short Film Fest”, 40 filma shqiptarë dhe të huaj në konkurrim Read More »

Gjuha shqipe, ja pse është gjuha hyjnore, i dha emrat perëndive

Një racë e harruar, pellazgët dhe pasardhësit e tyre
EDOUARD SCHNEIDER

Hipoteza e pellazgëve, racë primitive, është gjithashtu e pranueshme, sidomos kur t’i kuptojmë raportet e pakta që kanë ekzistuar  ndërmjet gjuhës hipotetike ariane dhe gjuhës së pellazgëve.

Këta të fundit (pellazgët), të cilët ka mundësi të jenë shfaqur në malet e larta të Thesalisë, të Perandorisë së Trakisë dhe Peloponezit, ku edhe i kanë lënë gjurmët e kalimit të tyre dhe të qëndrimit, mund të kenë banuar kontinentin e humbur  Arqipelin, dhe rrafshnaltat  e Azisë së Vogël.

Në të dyja rastet, së paku për momentin, dy hipoteza mund të jenë të pranueshme;  gjurmët e kalimit dhe qëndrimit të këtyre fiseve gjenden  në pjesën e poshtme të Arkipelit aktual sikur tokat e dala sot, që dëshmojnë gërmadhat e Mithoulas mbi  vazhdimet në Lindje te ishullit te Lemnos, të cilët sipas detarëve, duken në fund të detit.

Për të caktuar hipotezën e vërtetë, kemi vetëm gjuhën e lashtë pellazge, të cilën e kanë folur gjithmonë epirotët, thesalitë, helenët, maqedonasit, frigjët, trakët, ilirët, dardanët e iliotët dhe të tjerët, gjuhë të cilën ende e flasin shqiptarët, padrejtësisht të quajtur albanais (albanezi, albanians), ndoshta nga latinët, të cilët i quanin kështu këta njerëz me emrin që sipas tyre  përcaktonin zbardhjen e ditës (mëngjesin).

Përveç gjuhës, për të na udhëhequr në kërkimet tona, ende i kemi zakonet dhe traditat e këtyre  popujve, të cilët ende e ruajnë fenë e tyre, e cila  vetëm para disa shekujve, është zëvendësuar nga krishterimi dhe islami.

Ne u bazuam në gjuhën. Po, a kemi dëshmi se gjuha e folur nga pellazgët është gjuha që sot flasin shqiptarët? Po, pa dyshim, që kemi, madje prova të pakontestueshme.

Atëherë të shohim.

Pellazgët autoktonë apo emigrantë, ishin popujt më të vjetër të Greqisë së lashtë. Fetishizmi, së pari, është prova e parë. Dhe, siç e dimë, pellazgët kishin konsideratë dhe gjithçka që rreth tyre i godiste e konsideronin si një forcë të natyrës, si mendja e tyre primitive, instiktive kafshore, nuk mund t’i referohej asnjë hyjnie materiale, të cilën do ta kishin emërtuar dhe pastaj do t’i kishin dhënë ndonjë formë.

Dihet që gjuha e folur nga pellazgët, apo do të thoshim nga paraardhësit e pellazgëve, duhet të ketë qenë një gjuhë në thelb e admiruar, me pasthirrma, demonstrative dhe imituese. Pra sipas kësaj, një gjuhë koncize dhe monosilabike dhe çdo rrokje, çdo emetim i zërit duhej të jepte një kuptim të plotë.

Ne nuk besojmë, për shembull, që njeriu i asaj kohe, i cili sapo të ketë filluar t’i artikulojë mendimet e tij, ka përdorur një frazë apo edhe një dyrrokësh, për ta emërtuar diellin, qiellin, yjet, tokën, zjarrin, erën, njeriun, kafshën, zogun, frutat, kryet, ujin, etj., etj.

Të gjithë këta emra do duhej të ishin të shkurtër, paraprakisht të fortë sesa të butë, ekspresiv  për të shprehur harmoninë imituese e cila bëhet figura e parë e retorikës, që njeriu primitiv instinktivisht e kishte shpikur.

Megjithatë, në qoftë se e marrim gjuhën e shqiptarëve, gjegjësisht të pellazgëve ne gjejmë se Dielli quhej Diehl; qielli – Qielh, Toka – dhé,  yjet- HylhHyi, zjarri – ziarm ose zierm, era – Erh; njeriu – Nier,  kafshët – Shtans, shpendi (zogu) – Shpen, fruta – Pémdhe druri i frutës, Pemë; Koka  – Kreu, ose Krye, ujë – Uji  , etj.

            Diehl, shpreh idenë e një qendre të ndritshme dhe dielli është toka e ndritshme. Dielli do të ishte një tokë e ndritshme dhe çuditërisht, sikur të shkonim edhe më tutje me këtë fjalë-rrënjë, ne do ta gjejmë se dielli e fillon ditën. Nga Diehl, rezultatin  dit – dritë (ndriçim), dreit – drejtë, delos, orakulli i parë, tempulli i parë i të parëve që ishte i  shenjtë, siç dihet për Diellin.

Qielh, shpreh idenë e përgjithshme të riprodhimit (aktin e bashkimit seksual:  është e njohur në mitologji, se bashkimi i Qiellit dhe Tokës u lindën njerëzit e parë). Nga fjala Qielh rrjedhë nga folja me qî, krijoj; , shumësi i së cilës bën kié (kje); qén, qentë, d.m.th mashkull, krijues.

            Dhé, tokë, shpreh idenë e diçka të  zezë, të errët, kjo është përshtypja e natës mbi njeriun e parë. Ende sot thuhet  si dhé, d.m.th zi sikur toka.

            Vran, mbuluar me re.  Qielh u-vran, qielli është i mbuluar me re, u errësua. Prandaj grekët e kanë marrë fjalën u-vran-os, qielli, duke lënë jashtë dallimin karakteristik në gjuhën shqipe  në mes  një qielli të pastër dhe të qetë dhe një qielli me re.

Ziarm ose zierm, (zjarri) imiton kërcitjen apo fërshëllimën e drurit të njomë,  që digjet në shtëpi, në të njëjtën kohë sikur lëvizja dhe dendësia e ajrit të ambientit. Andaj, është krijuar  fjala Ziermî, ethe.

Erh, ajri, era, jep idenë e një lëvizje të vazhdueshme;  andej erdh, vij, me ardh,të përcaktuar andej, nga kjo grekët e kanë krijuar fjalën Hera,  perëndesha xheloze, gjithmonë e shqetësuar dhe nervoze.

Nir, njeriu, qenie e krijuar që korrespondon me Vir latine, shpreh gjendjen e njeriut të parë, i vëmendshëm dhe meditues para natyrës. Në të vërtetë, në qoftë se e dekompozojmë këtë  fjalë, i gjejmë këto dy rrënjë: Ni, nga foljame nî, dëgjoj, dhe rî, nga folja me rî,  rri, që do të thotë, dëgjoj dhe rri në një gjendje mendore karakteristike.
VIJON / Perktheu: Sefedin Krasniqi

DEDIKIM

Shumë miq të nënës tënde dhe të mi, më se njëzetë herë,  më kanë thënë të shkruaj atë që dija për Shqipërinë, për vendin ku e kam njohur nënën tënde me të cilën jam martuar dhe e cila të solli në këtë botë.

Në venat tua rrjedh gjak shqiptari, dhe nëse ta dedikojë këtë libër është nga shkaku që ti duhet ta keshë gjithmonë afër vetes, që kurrë mos ta harrosh Atdheun tënd dhe gjuhën amtare, të cilës e ardhmja do t’ia njoh vlerat.

Në këtë moment, ti ende nuk di të lexosh, por ti tashmë e flet më mirë se unë këtë gjuhë burrash (ashpër), por e ëmbël në gojën tënde, edhe pse  u ke buzëqeshur vetëm katër pranverave. Madje, ti qysh tash tregon fabula dhe legjenda, dhe duke më parë vazhdimisht duke shkruar, në gjuhën tënde të fëmijërisë, ti i tregon gjithkujt se po punoj për ty, për të fituar para që do të sjellin lodra.

Kur ta lexosh këtë libër të vogël dhe kur ta njohësh më mirë botën sesa në moshën që ke tash, si vajzë e rritur, pastaj  grua dhe nënë familjeje, ti do të kuptosh se qëllimi i shkrimeve të mia mbrëmjeve,  nuk ka qenë  të fitojë para për lodrat tua, por për të ngjallur kujtimin e racës primitive (lashtë) të harruar siç janë Pellazgët, të cilët i kanë lindur shqiptarët dhe nënën tënde.

Shekulli në të cilin ti do të jetosh do t’i takojë sikur njeriut (burrit) dhe femrës (gruas); pra nëse do të dëshiroje që hiri i babait tënd të jetojë në varr, bëj si ai, edhe pse nuk ishte shqiptar; puno aq sa do të mundesh, për ta ringjallur gjuhën e pasur të stërgjyshërve tanë të përbashkët, sepse edhe unë si evropian, jam pasardhës i Pellazgëve autoktonë të cilët e populluan Evropën, këtë kontinent, ishull i madh i cili e ka parë të shfaqet mbi tokë stërgjyshin e familjes së madhe dhe inteligjente të njerëzimit.

Konstantinopojë, më 31 dhjetor 1893

Edouard Schneider

PS: Ju vendosni se si do ta bëni publikimin, në herë apo disa herë, por kam deshirë që para çdo publikimi teksti i më poshtëm të përseritet dhe të vendoset në kyre të faqes. 

Kushdo që do ta  lexojë komplet librin e Edouard Schneider mbi Pellazgët, përkthimit të cilit i kam kushtuar një kohë të çmuar, do të kuptojë se, përveç të vërtetës së madhe që shqiptarët janë pasardhësit direkt të tyre, të gjithë emrat e zotave dhe perendeshave greke kanë kuptim në gjuhën shqipe. Të gjithë bijtë dhe bijat e tyre, gjithashtu,  kanë emra që zbërthehen dhe kanë kuptim vetëm në gjuhën shqipe. Emrat e të gjithë heronjëve  të luftërave antike kanë emra që autori me shumë kujdes i ka zbërthyer në gjuhën shqipe. Pra, Pellazgët flisnin gjuhën e cila, sipas autorit, edhe sot flitet në Mirditë (Veriu i Shqipërisë). Ne, shqiptarët, nuk jemi bijtë e Evropës, por baballarët e saj…Sefedin Krasniqi

Gjuha shqipe, ja pse është gjuha hyjnore, i dha emrat perëndive Read More »

3 kartëmonedhat shqiptare më të rralla që sot kushtojnë qindra dollarë

Ashtu si në çdo vend tjetër, edhe në Shqipëri ka treg koleksioni, ku një ndër më dinamikët është ai i kartëmonedhave. Por cilat janë tre kartëmonedhat shqiptare më të rralla e që kushtojnë më shumë?  Janë padyshim ato të vitit 1926 që janë edhe kartëmonedhat e para të emetuara nga Banka Kombëtare e Shqipnis’.

Në vend të parë

Në vend të parë është kartëmonedha 1 frang/5 lekë e emetuar në vitin 1926.  Kjo kartëmonedhë ka qarkulluar shumë pak kohë në Shqipëri dhe është tërhequr nga qarkullimi për shkak të një “problemi vizual”.

Studiuesi Haxhi Shkoza shkruan se kartëmonedhat 1 frangëshe (5 lekë) të printuara nga “Richter &Co” u hoqën nga qarkullimi shpejt pasi qeveria shqiptare nuk i pranoi ato. Shkak u bë fakti se kartëmonedhat 1 frang (5 lekë) kishin si element identifikues shqiponjën romake me 1 kokë dhe jo atë shqiptare dykrenare.

Christoph Zellweger në artikullin “Asi, mbreti e mbretëresha e kartëmonedhës shqiptare” të publikuar në revistën e shoqërisë së kartëmonedhave në vitin 2000, shkruan se kjo prerje është ndër më të vështirat për t’u gjetur. Duke iu referuar botimit “I Soldi d’Italia”, ai shkruan se në tetor të vitit 1926 1 frang /5 lekë e prodhuar në Itali nga kompania Richter & Co e Napolit.

Në këtë studim shkruhet:
Ndryshe nga kartëmonedhat e tjera që patën një përhapje të gjerë, kjo kartëmonedhë pati një jetë të vështirë dhe qarkulloi për një kohë fare të shkurtër. Pse? Sepse nga një dëshmi e mbledhur nga një cashier italian në vitet ’60 që kishte punuar dikur në Bankën Kombëtare të Shqipnis’, pak kohë pasi kjo kartëmonedhë nisi të qarkullojë dikush i tregoi Zogut se shqiponja romane ishte e pikturuar në kartëmonedhë ashtu sikurse ishte në monedhën 5 lira të Italisë. Zogu, i mërzitur për këtë, vendosi që ta tërheqë nga qarkullimi atë.”
Kjo kartëmonedhë, referuar informacionit nga Banka Kombëtare e Shqipnis’, duke filluar nga janari i 1927 shënoi një rënie graduale të qarkullimit të tyre nga 11 mijë kartëmonedha në 3 mijë të tilla në fund të këtij viti.  Kartëmonedha mban firmën e Mario Albertit, Presidenti i Bankës Kombëtare të Shqipnis’ dhe të Amadeo Gambinos.

Vlera e kësaj kartëmonedhe origjinale vlerësohet se shkon në qindra dollarë.

Në vend të dytë

Në vend të dytë sa i përket çmimit e shpeshtësisë së gjetjes në treg, është kartëmonedha 100 franga ari me imazhin e mbretit zog, e printuar po ashtu në vitin 1926.

Zellweger shkruan se fillimisht si koleksionist kishte menduar se kjo kartëmonedhë, por e vulosur me shqiponjën dykrenare nga italianët në 1939 për të mbuluar imazhin e mbretit të arratisur ishte më e rralë megjithatë pas viteve të kërkimit kishte ndryshuar mendim. Sipas tij, në fakt kartëmonedha origjinale me imazhin e mbretit Zog është më e rrallë dhe më e kushtueshme në tregun e koleksionistëve dhe kushton qindra dollarë.

Sipas shkrimit të Zellweger, në qarkullim janë 20-30 kartëmonedha të tilla.

Në vend të tretë

Në vend të tretë renditet kartëmonedha 100 franga ari e vulosur me shqiponjën dykrenare. Ajo mban firmën e Mario Albertit dhe të Amedeo Gambinos. Vulosja u bë mbi imazhin e mbretit Zog. Sipas Zellweger, vulosja u bë në vitin 1939 dhe vetëm mbi zonën ku ishte imazhi i mbretit të arratisur, me një vulë që kishte imazhin e një shqiponje dykrenare me sipërfaqe 57 milimetra e 44 milimetra, me bojë të zezë.

Vulosja u krye menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë në 1939 dhe ato kartëmonedha që ishin të pavulosura humbisnin vlerën e tyre e nuk kishin kurs ligjor. Kjo kartëmonedhë e vulosur qendroi në qarkullim për një vit gjatë pushtimit Italian.

Edhe kjo kartëmonedhë vlerësohet se sot kushton qindra dollarë në tregun e koleksionistëve./Scan

3 kartëmonedhat shqiptare më të rralla që sot kushtojnë qindra dollarë Read More »

Alarmi i merimangës violinë, shtohen rastet e pickimeve helmuese – Ja rreziqet serioze

Ndryshe nga shumë lloje merimangash që jetojnë në Shqipëri, kjo merimangë është helmuese.

Dhe nxehtësia, sipas ekspertëve, mund të shpjegojë rritjen e rasteve të pickimeve gjatë periudhës së fundit.

Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik sidomos në qytetet e jugut të vendit, numri i rritur i raportimeve është për shkak të faktit se ky insekt tërhiqet nga nxehtësia.
Pse quhet merimanga violinë?
Quhet kështu prej karakteristikave që ka në trup. Insekti ka përmasa mjaft të vogla, rreth shtatë milimetra dhe femrat janë më të mëdha se meshkujt.

Emri shkencor i merimangës violinë është Loxosceles rufescens.

Kjo merimangë ka ngjyrë të verdhë në kafe, këmbët e saj janë të gjata, të holla dhe të mbuluara me push të lehtë.

Ndryshe nga tetë sytë e shumicës së merimangave, ajo ka gjashtë grupuar në tre çifte.

Në kohët e fundit po regjistrohen mjaft raste të kafshimeve nga ky insekt i vogël, e cila shpjegohet me faktin se merimanga violinë bëhet agresive në kohë të nxehtë.

Një tjetër pamje nga afër e merimangës violinë.

Burime shkencore të konsultuara nga AgroWeb.org raportojnë se zakonisht merimanga qëndron larg njerëzve duke zgjedhur vende ku mund të fshihet, si këpucë, kuti të vjetra, etj.

Por me raste shëtit edhe në sirtarët e rrobave dhe vende të tjera të izoluara.
Çfarë shkakton pickimi i merimangës violinë?
Pickimi i insektit shkakton kruajtje, djegie dhe skuqje brenda dy apo tre ditësh nga pickimi.

Pickimi i merimangës violinë mbart baktere anaerobe, të cilat, nga ana tjetër, arrijnë të shkaktojnë dëmtime në lëkurë, tek muskujt dhe te veshkat, madje arrin të sjellë edhe hemorragji.

Prandaj, sipas ekspertëve, është e rëndësishme të shkoni menjëherë në urgjencën mjekësore.

Pickimi i kësaj merimange nuk sjell ndonjë dhimbje të fortë kur ndodh madje lëkura nuk tregon menjëherë ndryshime apo shenja.

Gjatë orëve pas pickimit, vendi bëhet i kuq dhe jep ndjesi shpimi.

Çfarë duhet të bëni në rast të një pickimi?

Plagë e shkaktuar nga pickimi i merimangës violinë.

Lani zonën e prekur nga pickimi me sapun dhe ujë të rrjedhshëm. Dezinfektojeni zonën e pickimit me alkool dhe paraqituni tek mjeku./AgroWeb.org

  • Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Alarmi i merimangës violinë, shtohen rastet e pickimeve helmuese – Ja rreziqet serioze Read More »