Aurora

Në shtator ndryshon kabineti qeverisës?! Rama: Po shohim “kontratat”, pastaj vendimi

Kreu i qeverisë Edi Rama ka dhënë sinjale se në shtator pritet të ketë ndryshime të kabinetit qeverisës.

I ftuar në emisionin Përballë në TVSH, kreu i qeverisë ka rikujtuar “kontratat” e performancave mes tij dhe ministrave e zv.ministrave në kabinet, të shpalosur një vit më parë kur të majtët morën mandatin qeverisës.

Rama la të kuptohet  se “kontratat” po shqyrtohen dhe vendimi do të merret në fund të muajit gusht.

Keni thënë që mandati s’është i përjetshëm, shtatori vjen dhe a do të ketë rifreskime?

Kemi futur sistemin ekontratës së performacës së Ministrave e zv.Ministrave… po shtrihet dhe në agjencitë kryesore dhe është një proces që e objektivizon performancën e gjithsekujt. Para pak ditësh kemi bërë një analizë të këtyre kontratave,. Kemi disa ovbjektiva për të cilat od të diskutojmë në fund të muajit dhe pastaj do të shikojmë sesi do të hyjnë në shtator, i cili do të jetë një vit politk shumë intensiv.

Në zgjedhje vetëm apo me aleatë?

Ne aleancën e kemi me qytetarët dhe e kemi reale. Duam ta bëjmë sa më të prekshme e sa më reale këtë aleancë. Pastaj përsa i përket kabinetit, do të shikojmë.

Në shtator ndryshon kabineti qeverisës?! Rama: Po shohim “kontratat”, pastaj vendimi Read More »

Rritje e eksporteve të produkteve bujqësore të Divjakës

Prodhimet bujqësore të Divjakës kanë rritur eksportet çdo vit e më shumë.

Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Edi Rama sjell pamje nga Festa e Bostanit në Divjakë, produkt lider për këtë zone.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga Festa e Bostanit në Divjakën e rilindur turistike dhe të prodhimeve fantastike bujqësore që rrisin eksportet çdo vit e më shumë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Festa e bostanit mblodhi mijëra pushues në disa ditë të zhvilluar në sheshin kryesor të Parkut Kombëtar të Karavastasë. Prodhues dhe përpunues të bostanit, ekspozuan dhe tregtuan për pushuesit, varietet e ndryshme të bostanit, gatime me bazë shalqini dhe pjepri, si, lloje të ndryshme sallatash, tortat me bostan, gliko të ndryshme dhe ëmbëlsira të tjera me këtë bazë. 

Bostani është produkti më i eksportuar i zonës, që këtë vit shënoi rekordin e shitjeve jashtë vendit prej 81 mijë ton.

Divjaka këtë herë pret një rritje prej 30 përqind të turistëve më shumë se një vit më parë, kjo falë edhe më shumë ofertave turistike që ofron tashmë zona e mbrojtur./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10156001051856523/?t=0

Rritje e eksporteve të produkteve bujqësore të Divjakës Read More »

Vetingu, konfirmohet në detyrë gjyqtari Dritan Hallunaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj.

Sot Komisionit i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin për gjyqtarin Hallunaj, për të cilin gjatë seancës dëgjimore (pak ditë më parë) u vunë në dukje disa problematika në deklarimin e pasurisë, lidhur me veturën e tij.  Komisioni u ndal gjatë në shtyllën e aftësive profesionale pasi ndaj gjykatësit ishte bërë një ankesë në 2015, por gjithsesi në asnjë rast nuk evidentohen shkelje të kryera nga gjykatësi Hallunaj.

Pasi dëgjoi konkluzionet e hetimeve, Hallunaj kërkoi konfirmimin në detyrë, ndërsa sqaroi dhe dyshimet që ngriti trupa e KPK-së.

Të mërkurën në mëngjes, KPK vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Hallunaj.

Po sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë vendimin për gjyqtarin pranë Gjykatës Administrative Shkalla e Parë Tiranë, Gentian Medja dhe për prokurorin pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besnik Muçi. /atsh

Vetingu, konfirmohet në detyrë gjyqtari Dritan Hallunaj Read More »

Gjyqtarja Brunilda Kadiu kalon vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Brunilda Kadi, teksa vendosi transferimin e një ndër vendimeve të gjyqtares në KLD për të vlerësuar nëse ka shkelje disiplinore

Trupi gjykuese përbëhej nga Lulzim Hamitaj kryesues,  Roland Ilia relator, Fildes Shuli anëtare

Bazuar në raportimin e ILDKPI, KPK ka komunikuar se gjyqtarja Kadiu nuk ka rezultuar të ketë pasuri të fshehura dhe se burimet e saj financiare janë të ligjshme.

“ILDKPI ka dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi është i saktë, ka burime financiare të ligjshme, nuk ka kryer fshehje pasurie. Gjyqtarja ka deklaruar këto pasuri: Apartament 124 m2 në Lanabregas, në pronësi me bashkëshortin, i marrë me kredi. Benz i blerë në 2008-ën, po në bashkëpronësi me bashkëshortin, me vlerë 700 mijë lekë. Ka patur të ardhura te mjaftueshme për blerjen e kësaj makine, si dhe një makinë tjetër tip Toyota”, deklaroi KPK rreth pasurisë së gjykatëses Brunilda Kadiu. /atsh

Gjyqtarja Brunilda Kadiu kalon vetingun Read More »

Turistja angleze frymëzohet nga afresku në Vlorë, e bën tatuazh

Turistja angleze dhe dashamirësja e shpendëve Sheila Phyall është frymëzuar nga afresku më i madh i Ballkanit, i njohur si “Sjellësi i Pranverës” që gjendet në qytetin e Vlorës dhe e ka riprodhuar atë si tatuazh në trupin e saj.

Afresku “Sjellësi i Pranverës” është realizuar nga PPNEA dhe BSPB në kuadër të projektit “Toka e Kështjellave dhe Shqiponjave” në vitin 2016 dhe ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e kalit të qyqes në vendin tonë.

Afresku, përmban dy elementë kryesorë: kalin e qyqes dhe qyqen dhe është realizuar në formë të tillë që të shprehë një legjendë të hershme të popullit tonë që i ka dhënë edhe emrin këtij lloji.

Në prag pranvere të dy këta lloje kthehen nga shtegtimi në të njëjtën kohë dhe mendohej se qyqja, një shpend më i vogël, kishte nevojë për shpinën e një shpendi të madh dhe të fuqishëm si kali i qyqes për ta sjellë nga territoret e shtegtimit.

Sheila Phyall është shprehur se këtë gjest e ka kryer ndikuar nga frymëzimi që i ka shkaktuar afresku i Vlorës dhe në shenjë mbështetje të fortë të veprimtarisë që po kryet për ruajtjen e këtij lloji si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut të gjerë jo vetëm për ruajtjen e kalit të qyqes por biodiversitetit në përgjithësi./shekulli

Turistja angleze frymëzohet nga afresku në Vlorë, e bën tatuazh Read More »

Veliaj: Do transformojmë Piramidën e Tiranës në një qendër alternative arsimi

Tirana mikpriti seminarin mbarëkombëtar “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë”, ku marrin pjesë rreth 165 mësues. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi u uroi mirëseardhjen, i njohu ata me disa nga nismat e marra nga bashkia e Tiranës për të rinjtë dhe për edukimin e tyre.

Veliaj theksoi se është momenti që të lihen pas debatet dhe fokusi të vendoset për të çuar përpara vendin.

“Pyetja është sot, jemi ne akoma personazhe të Konicës dhe Eqerem bej Vlorës apo raca jonë evolon në 100 vjet? Po sot, me kë po zihemi sot, me kë po hamë inat sot, me kë kemi konflikt sot? Pse po rrisim ne një brez me helm, me toksina, shaj këtë, shaj atë, duke harruar që mbi të gjitha jemi shqiptarë, kemi një vend. Kjo është diferenca. Ndaj edhe besoj që në këtë mision për ta çuar përpara vendin tonë, ne pamë në Tiranë në këto tre vite me dashuri janë bërë punë që nuk i imagjinonim dot kurrë. Ne shqiptarët jemi po të njëjtët që zihemi 10 vjet për një shesh dhe jemi po të njëjtët që e bëmë për 10 muaj kur vendosim të punojmë. Ne jemi po të njëjtët që mund të bëjmë debate e lagu, s’e lagu, ama kur e ndajmë mendjen të punojmë, ne mund të bëjmë mrekulli. Ndaj edhe unë besoj shumë që këtë frymë dhe këtë definicion të ri, të çfarë domethënë me qenë shqiptar në vitin 2018 të kemi mundësi ta përkthejmë”, – deklaroi Veliaj.

Teksa renditi disa nga investimet e bashkisë së Tiranës si rehabilitimi dhe ndërtimi i shkollave, krijimi i shkollave komunitare etj., Veliaj prezantoi edhe nismën më të re, atë të transformimit të Piramidës së Tiranës në një qendër alternative arsimi me fokus teknologjinë.

“Një nga gjërat që do të bëjmë dhe nuk e di nëse një nga kolegët e bashkisë do të ketë kohë që ta shpjegojë më vonë në një nga workshop-et, është transformimi i Piramidës së Tiranës në një qendër alternative arsimi. Në thelb Piramida do të jetë një pallat i madh pionierësh, por për këto gjuhë të reja që shqiptaria duhet t’i mësojë sot, inteligjenca artificiale, robotika, informatika, kodimi, design, animacioni. Gjuhë që sot fëmijët e botës po i mësojnë njëkohësisht me gjuhën e nënës. Unë besoj se nëse ne i targetojmë këto hendeqe si kulturore, po si edhe të aftësimit, ne mund të bëjmë realisht mrekulli si në Shqipëri dhe në Kosovë”, – tha Veliaj. /atsh

Veliaj: Do transformojmë Piramidën e Tiranës në një qendër alternative arsimi Read More »

Hapja e negociatave, Rama: Rekomandim pozitiv nga KE, punë intensive këto 12 muaj

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për emisionin “Përballë” në Televizionin Publik Shqiptar theksoi se hapja e procesit të skanimit është një arritje e madhe, pasi sipas tij edhe nëse negociatat do të ishin hapur, procesi i “Screening” do të bëhej.

“Së pari, besoj që njerëzit e kanë kuptuar sepse nuk ka qenë e vështirë për t’u kuptuar që procesi ka dy nivele. Ka një nivel të objektivitetit teknik, që është procesi që shkon në komision dhe që përfundon me raportin e komisionit dhe ka edhe një nivel tjetër të subjektivitetit politik, që është procesi që shkon nga Komisioni në Këshill, ku janë vendet anëtare që vijnë aty me gjithë bagazhin e problematikave të veta të brendshme. Dhe e vërteta është që vendet anëtare u ndanë në 25 vende që ishin për hapje të menjëhershme të negociatave dhe pastaj në vendet që ishin për një shtyrje. Por ajo që është e rëndësishme është që pavarësisht se negociatat nuk u hapën menjëherë formalisht, u hap procesi i skanimit, që ishte një kompromis i artë sa na takon, sepse faktikisht edhe nëse negociatat do të ishin hapur formalisht, ne do të bënim skanimin”, – theksoi Kryeministri.

Kryeministri u shpreh i bindur se pas 12 muajsh pune intensive në përmbushjen e objektivave të vendosura nga Brukseli, Komisioni Europian do të japë rekomandim pozitiv për Shqipërinë.

“Kjo është një mënyrë që përdoret për herë të parë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, nuk është përdorur për të tjerët. Mos të harrojmë që Mali i Zi e ka marrë hapjen formale të negociatave dhe më pas i janë dashur 6 muaj për t’i hapur ato de facto. Serbia e ka marrë hapjen formale dhe i janë dashur më shumë se një vit për t’i hapur ato de facto, sepse procesi i skanimit është një proces goxha kompleks. Ne kemi 12 muaj që i kemi fituar dhe nuk i kemi humbur dhe çka do të ndodhë në qershor do të jetë përsëri një rezultat i asaj që ne do të kemi bërë dhe patjetër, nuk e diskutoj fare, që do të jetë me rekomandim pozitiv nga Komisioni dhe asaj që do të jetë situata brenda vendeve anëtare. Megjithatë duke patur parasysh që do të jemi në momentin, kur do të kemi të njëjtin Komision dhe vendet anëtare do të kenë kaluar zgjedhjet për në Parlamentin Europian, që ishin arsyeja kryesore e rezervës së Francës, në radhë të parë, nuk kemi arsye pse të dyshojmë seriozisht në një rezultat pozitiv”, – u shpreh Rama.

I pyetur për vendet skeptike si Danimarka, Franca dhe Holanda, nëse nuk do të jenë më të tilla pas 12 muajsh, Kryeministri theksoi se nga kompromisi i arritur mbeti i kënaqur, pasi sipas tij procesi nuk është një provim për të marrë një certifikatë se kalove klasën në Bruksel apo Europë, por një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar Shqipërinë europiane.

“Qoftë Franca, qoftë Holanda, sepse Danimarka ishte si të thuash një vend që u shfaq në krah të tyre vetëm në momentet e fundit, nuk është se e kishin me Shqipërinë. Ishin në një pozicion që ishte vijimësi e natyrshme e pozicionit të tyre në raport me Europën dhe në kontekstin e brendshëm si pozicion më i përshtatshëm. Procesi nuk është një provim për të marrë një certifikatë se kalove klasën në Bruksel apo në Europë, procesi është një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar këtu Shqipërinë europiane dhe në këtë aspekt, procesi nuk ka ndalim, procesi ka vazhduar me skanimin që, siç e thashë, është faza që pason çeljen formale të negociatave dhe kjo më ka bërë, na ka bërë, që të jemi të kënaqur me rezultatin”, – theksoi Kryeministri.

Duke u ndalur te plotësimi i prioriteteve të vendosura nga BE si, lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike, reforma zgjedhore si dhe reforma në drejtësi Kryeministri Rama theksoi se përmbushja e këtyre objektivave janë prioritet i qeverisë shqiptare.

“E para, të kemi të qartë se këto fraza do të na shoqërojnë deri kur të bëhemi anëtarë, madje këto fraza janë fraza që po shoqërojnë jetën politike të Rumanisë apo të Bullgarisë edhe sot që janë anëtarë, të jemi të qartë.

E dyta, nga pikëpamja e objektivave konkretë që ka brenda në ato fraza, ne sigurisht që do t’i bëjmë, sepse janë gjëra që do t’i bënim si me negociata, si pa negociata. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë është detyrim i një procesi që ka filluar dhe që po ecën sipas parashikimeve. Thellimi i luftës ndaj korrupsionit është një proces që ka filluar dhe po ecën sipas parashikimeve, se këtu flasim për luftë ndaj korrupsionit dhe flasim për peshq të mëdhenj, po a ka diskutim që gjithë këto gjykatës dhe prokurorë që po shfaqen si “peshkaqenë” në të gjithë dimensionet e veta duke u përzënë nga pallati i drejtësisë janë pjesë e një lufte të përshkallëzuar kundër korrupsionit? Nuk mund të ketë diskutim. Sigurisht që këta kanë qenë figura në një pushtet në hije, edhe pse hija ka qenë shumë e rëndë në shpatullat e gjithkujt që ka patur punë me gjykatat, por nga pikëpamja e influencës së këtij pushteti, nga pikëpamja e korrupsionit të këtij pushteti, ky është pushteti më i korruptuar në Shqipëri. Nuk diskutohet fare. Kështu që është një proces që është kompleks”, përfundoi Kryeministri Rama.//atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10156000692216523/?t=0

Hapja e negociatave, Rama: Rekomandim pozitiv nga KE, punë intensive këto 12 muaj Read More »

Vetingu, opozita merr në mbrojtje njerëz të pambrojtshëm

Duke u ndalur tek akuzat e opozitës kundër këtij procesi, Kryeministri theksoi se këta të fundit kanë marrë në mbrojtje njerëz të cilët janë pastruar nga “sita” e Vetingut, duke sulmuar ata të cilët e kanë kaluar atë.

“Jo, opozita këtë po thotë çdo ditë, po bëhet keq pastrimi. Opozita ka marrë në mbrojtje njerëz të pambrojtshëm, pse janë pastruar nga fshesa e Vetingut dhe ka sulmuar të tjerë pse e kanë kaluar filtrin e Vetingut. Unë besoj që njerëzit në përgjithësi, dhe partitë politike në veçanti, nuk maten thjesht me atë që thonë, por maten me atë që bëjnë. Opozita i thotë këto, por bën tjetër gjë pastaj. Pasi i thotë këto: bën fletërrufetë kundër atyre që kalojnë filtrin dhe merr në mbrojtje ata që janë të pambrojtshëm. Besoj që asnjë nga temat që kemi sot nuk është më e rëndësishme se tema e pastrimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ristartimit të saj me duar të pastra. Kjo është kryesorja dhe për asnjë nga ato temat e tjera unë nuk do dilja kundër Vetingut dhe për asnjë nga ato temat e tjera unë nuk do të çoja shtatë pika për të kthyer mbrapsht reformën në drejtësi”, – u shpreh kreu i ekzekutivit./atsh

Vetingu, opozita merr në mbrojtje njerëz të pambrojtshëm Read More »