Aurora

I ktheu ligjin në Kuvend, ministri i ekonomisë me diplomë anglishteje tallet me presidentin: Ndoshta e ka bërë pa dashje

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar pas kthimit për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti Ilir Meta të ligjit “Për të ardhurat” .

Përmes një deklarate për media ministria e Financave sqaron se ndryshimet e propozuara ne ligj, per tatimin mbi lojerat e fatit, nuk sjellin asnje ndryshim apo relaksim te tatimit per kategorite e lojerave te fatit nga ligji i vitit 2015, perkundrazi, unifikojne proceduren e tatimit, per te gjithe kategorite e lojerave te fatit, perfshire Lotarine Kombetare qe me ligjin e vjeter ka qene e perjashtuar.

Reagimi i plotë i ministrisë së Financave:

Nuk ka asnjë ndryshim në ligjin “Për lojrat e fatit” dhe asnjë relaksim sa i përket tatimit mbi lojrat e fatit, përkundrazi ka njehsim të aplikimit për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit

Kuadri rregullator dhe fiskal i lojrave të fatit është vendosur dhe standardizuar në vitin 2015 me Ligjin 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërise” i cili përcakton konceptet, përkufizimin dhe mënyren se si tatohen të gjitha kategoritë e lojërave të fatit.

Neni 52/2 i këtij ligji përcakton shprehimisht se të gjitha kategoritë e lojërave të fatit tatohen në masën 15 për qind mbi të ardhurat bruto.

Në ligjin e sipërcituar, Neni 4, pika 40, përcaktohet qartësisht baza e tatueshme, që është e ardhura bruto nga loja.

Eshtë ky sistem fiskal dhe rregullator të cilin Presidenti në argumentat e tij e cilëson si “regjim fiskal dhe rregullator të rreptë, që synon shtimin e barrës fiskale, me qëllim dekurajimin e këtij aktiviteti”.

Dhe është pikërisht ky sistem fiskal të cilin synon të unifikojë ndryshimi i miratuar nga Parlamenti dhe i kthyer nga Presidenti.

Kjo, sepse e vetmja kategori që bënte përjashtim nga ky rregull, ishte Lotaria Kombëtare, e dhënë me ligj të veçantë nga Qeveria Berisha në vitin 2013, nr. 95/2013 “Për miratimin e marrëveshjes së licencës për Lotarinë Kombëtare ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet i autorizuar, dhe shoqërisë “Oesterreichische Lotterien”, Gmbh, nëpërmjet shoqërisë “Olg project” Shpk, sipas të cilit kjo kategori lojrash është e tatueshme në masën 10%.

Ndryshimi i propozuar, jo vetëm që nuk bie ndesh me rregullimin e vendosur në vitin 2015, por e unifikon këtë rregullimin duke përfshirë edhe Lotarinë Kombëtare në të njëjtin kuadër fiskal.

Pra, nuk ka asgjë të re përsa i përket shkallës tatimore apo bazës së tatueshme lidhur me tatimin mbi lojrat e fatit, por qëllimi i ligjëvënësit i shprehur qartë në këtë parashikim ligjor ështe përcaktimi i një regjimi fiskal dhe rregullator të njejtë, njësoj i aplikueshem, për të gjitha kategoritë e lojrave të fatit.

Presidenti, nëpërmjet mos dekretimit, ndoshta pa dashje, ka rrëzuar pikërisht parimin që synon të mbrojë, pra parimin e një sistemi të rreptë dhe njësoj i aplikueshem për të gjithë.

Nëse ndryshimet e kthyera nga Presidenti nuk do të hyjnë në fuqi, atëhere do të kemi një trajtim të diferencuar të një subjekti në treg, i cili do të vijojë të tatohet me shkallë tatimore 10%.

I ktheu ligjin në Kuvend, ministri i ekonomisë me diplomë anglishteje tallet me presidentin: Ndoshta e ka bërë pa dashje Read More »

Sot ka shumë rrezik nga zjarret në Shqipëri, del harta e qyteteve që po “përvëlohen”

IGJEUM thote se sot pasdite (e mërkurë, dt.01) dhe nesër (e enjte, dt.02) pritet rrezik “I MODERUAR” në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, rrezik “I ULËT” në qarqet Dibër, Elbasan, Berat dhe Vlorë ndërsa në qarqet Kukës, Korçë dhe Gjirokastër “S’KA RREZIK” (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Por në zona të lokalizuara mund të ketë nivel më të lartë rreziku, konkretisht qarku Kukës (Qendër), qarku Elbasan (Perëndim). Rreziku do tё jetё mё i lartё gjatё ditës sё sotme.

PARASHIKIMI METEO

RESHJET

Sot pasdite (e mërkurë, dt.01) dhe nesër (e enjte, dt.02) priten reshje të dobëta në shumicën e qarqeve të vendit deri lokalisht mesatare në gjysmën e tyre (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Në zona shumë të izoluara, reshjet mund të shoqërohen edhe me shtrëngata, më të mundshme në zonat kodrinore-malore dhe në zonat pranë tyre, kryesisht gjatë pasditeve.

TEMPERATURAT

Nesër (e enjte, dt.02) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 23 / 33 °C
në vendet e ulëta: 22 / 35 °C
në vendet malore: 15 / 29 °C

ERA

Sot pasdite (e mërkurë, dt.01) dhe nesër (e enjte, dt.02) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, kryesisht në bregdet.

Sot ka shumë rrezik nga zjarret në Shqipëri, del harta e qyteteve që po “përvëlohen” Read More »

Ermal Meta: Po të kisha gjetur një port të mbyllur, nuk do të isha këtu sot

Deri para pak kohësh Ermal Meta qëndronte i veçuar, duke shkruar këngë për të tjerët. Tani, pas suksesit në Sanremo, shfaqet në TV dhe mbush sheshet. Dhe pavarësisht ndarjes së dhimbshme nga e dashura e tij historike, ai dëshiron të rifillojë përsëri: “Në jetë nuk ka përfundime, vetëm fillime”.

Ermal Meta gjithmonë ka kitarën me vete, duart e tij mbështeten në tingujt e saj “Të luaj është gjëja e parë që bëj në mëngjes, kur ngrihem”, shprehet Meta në një intervistë për revistën italiane “Donna Moderna”.

Ai buzëqesh, duket pak i lodhur, ka muaj që nuk ndalon, përkundrazi vite. Në tre vitet e fundit i ka ndryshuar jeta: nga Sanremo Giovani di Odio deri këtë vit kur u ngjit sërish në skenën e Ariston si fitues, së bashku me Fabrizio Moro, me këngën ” Non mi avete fatto niente”.

Këngët që ai shkroi për të tjerët tani janë të tijat dhe këndohen nga mijëra fansa, që e kanë duartrokitur në TV, tek “Amici” dhe e ndjekin atë në mediat sociale.

Ermal luan para se të fillojë intervista. Këndon në mes dhe në fund. Duke vendosur se deri në çfarë pike të tregojë për veten, si gjithmonë. Preferon që të tregojë të jetë muzika.

Kur nuk i pëlqen të flasë për jetën personale, pasi e ka kënduar në albumin e fundit “Non abbiamo armi”.

Është gjithçka ndarja pas 9 vitesh me spikeren radiofonike Silvia Notargiacomo; dhimbja që provoi për Caro Antonello; dëshira për të ecur përpara në këngën e re “Io mi innamoro ancora”.

Le të fillojmë nga këtu. A jeni dashuruar përsëri ?

Sigurisht, jeta vazhdon. Kjo këngë flet për dëshirën për të filluar. Çfarë tjetër mund të bëjmë? Ka pjesë të udhëtimit që bëni me disa njerëz dhe që ndonjëherë përfundojnë. Por për mua nuk ka përfundime, vetëm fillime. Karriera ime është provë e kësaj: deri në dy vjet e gjysmë më parë po shkruaja këngë për të tjerët, u mbylla në gropën time. Unë kurrë nuk e kisha imagjinuar arritjen e qëllimeve të tilla të mëdha.

Çfarë efekti të bën sot?

Ka një përzierje të kënaqësisë dhe mosbesimit. Kam luftuar për të arritur këtu. Ndonjëherë bëja hapa mbrapa, por gjithnjë për të arritur diku. Ashtu si kur mendova se fati im ishte vetëm një autor, pasi me grupet e së kaluarës nuk kishte funksionuar. Por, le të themi se në këtë Silvia ishte thelbësore.

Në çfarë kuptimi?

Më ndihmoi të mos i besoja fatit tim. Më mbajti në krahë kur nuk isha në gjendje të ecja. Është merita më e madhe që ka pasur.

Është normale, shpesh, të mos ia dalësh vetëm.

Nuk mund t’ia dalësh kurrë i vetëm. Dhe takimet e duhura janë gjithashtu të dobishme: thjesht mendoni për “jo”-të që kam marrë para se të arrij në kompaninë time të tanishme diskografike, Mescal. Kështu që mësova të them: “Ok, nuk jam i kënaqur”. Në punë, për shembull, unë them se si duhet bërë diçka, por nuk u jap kohë të tjerëve për të kuptuar se si e dua. Ka shumë pak njerëz që i besoj: problemi është se nuk bëhet fjalë vetëm për muzikën.

Si ia bëni atë atëherë?

Besimi sillet rreth familjes sime dhe asaj lloj dashurie që duket si një lehtësim që ju mban dhe ju mbron.

Duke folur për familjen: e juaja është nga Shqipëria. Ju jeni kthyer kohët e fundit nga Tirana për një koncert të madh. Çfarë provove?

Ishte shumë bukur, kishte 100,000 njerëz në shesh. Më dhanë çelësin e qytetit. Në atë moment kuptova shumë gjëra: ndoshta shumë vite më parë kam shkruar “Sperare” për të arritur në këtë moment. Për t’u kthyer, në anën e kundërt, kur unë isha larguar. U ndjeva një hero, pa qenë kështu: në fund të fundit, jeta e vetme që arrita të shpëtoja deri më tani ishte e imja.

Historia juaj është një histori shumë aktuale në një periudhë të porteve të mbyllura.

Nëse ajo që po ndodh tani në Itali të kishte ndodhur 24 vjet më parë (Ermal arriti në Bari nga Shqipëria me nënën e tij, një vëlla dhe një motër në vitin 1994, kur ishte 13 vjeç), unë nuk do të isha këtu për të shkruar këngë, të bëja muzikë, të shkojë në TV dhe të luajë në koncerte. Dhe si unë, shumë të tjerë. Kufijtë ekzistojnë. Por e di që ekzistojnë njerëzit para kufijve, duhet të japim një shans për jetën. Më lëndoi të lexoja disa gjëra kohët e fundit. Nuk ekziston një e drejtë lindjeje më shumë se një tjetër. Sot është një pjesë e botës që vuan dhe përpiqet të shpengojë ekzistencën e saj, të mos vdesë. Shumë vite më parë, kjo pjesë e botës ishte për mua, sepse isha në të. Megjithatë, zgjidhjet nuk duan të gjenden. Ky mendim më frikëson.

Mendimi juaj, megjithatë, ku është tani?

Tek fjalët. Unë tashmë kam njëzet këngë. Dhe po shkruaj një libër, një lloj ditari reflektimesh, gjysmë poezi, tekstesh që kurrë nuk do të bëhen këngë. Tani për tani, unë jam plotësisht i përkushtuar koncerteve ‘live’ momenti më i rëndësishëm për mua. Por,  vitin e ardhshëm do bëj një pushim që të jem në gjendje të bëj një disk të ri./atsh

Ermal Meta: Po të kisha gjetur një port të mbyllur, nuk do të isha këtu sot Read More »

”Hoffpost”: Ksamili, Karaibet shqiptare

Një tjetër media e huaj radhit Shqipërinë mes destinacioneve më të preferuar ku europianët kanë zgjedhur të kalojnë pushimet veror këtë vit.

Zbulimi i Shqipërisë si një atraksion turistik nga ”Hoffpost”, vjen pas një hulumtimi që media e huaj ka bërë tek blogerët më të rëndësishëm europian të udhëtimeve.

Nga kjo ka rezultuar se Shqipëria renditet mes vendeve si Spanja, Indonezia, Suedia, Italia etj, si destinacion europian për të pushuar këtë verë.

Ballkani

“Në vitet e fundit, kam parë gjithnjë e më shumë njerëz që janë të interesuar në vende si Mali i Zi, Shqipëria, Bullgaria . Unë mendoj se është një zhvillim i natyrshëm që kur Spanja dhe Italia janë të populluara shumë në verë dhe jo të gjitha plazhet janë aq të pastra si dikur”, u shpreh Veronika Primm, blogere udhëtimesh në Travel Geekery.

“Në tre verat e fundit , kam gjetur disa vende të reja të preferuara si Shqipëria për shembull, e cila është pak e ngjashme me Greqinë, por shumë më pak e hulumtuar dhe më e lirë. Më pëlqen vërtet Ksamili në pjesën jugore të Shqipërisë. Nëse doni të përjetoni rërë të bardhë dhe me ujë të kulluar kristal të qartë si në Karaibe, atëherë Ksamili është gjëja më e mirë në Europë”, tha blogeria Primm. /atsh

”Hoffpost”: Ksamili, Karaibet shqiptare Read More »

Ministria e Shëndetësisë shpall muajin e mjekut

Ministria e Shëndetësisë e ka shpallur muajin gusht si muaji i mjekut dhe në këtë kuadër ka sjellë në vemendje neurokirurgun Fatos Olldashi.

Pak ditë më parë, me një ndërhyrje të vështirë por të suksesshme, neurokirurgu Fatos Olldashi shpëtoi një 18-vjeçar që rrezikonte të mbetej i paralizuar pas aksidentit në plazhin e Velipojës.

Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se mjekët e spitalit universitar të Traumës përballen thuajse çdo ditë me raste ekstreme por me kurajë dhe profesionalizëm ja kanë dalë të shpëtojnë jetë. /atsh

Ministria e Shëndetësisë shpall muajin e mjekut Read More »

Ndryshojnë rregullat në spitale, si do përzgjidhen shefat e shërbimeve

Ndryshojnë disa nga kriteret për emërimin e shefave të shërbimit në Qendrat Spitalore Universitare.

Për t’u bërë shef shërbimi mjafton edhe kryerja e një doktorature në vend. Në listën e vendeve ku njihet grada, përpos universiteteve të njohura të BE-së, Kanadasë, Turqisë, Australisë dhe Japonisë është shtuar edhe Shqipëria. “Të zotërojë titullin “Profesor”, “Profesor i asociuar” ose të ketë Doktoratë/PhD të mbrojtur në një nga universitetet e Shqipërisë, të BE-së, SHBA-ve, Kanadasë, Turqisë, Australisë ose Japonisë”.

Po ashtu, në rast se kandidati nuk ka përvojën e duhur akademike si pedagog me kohë të plotë, mund të bëhet shef shërbimi edhe në rast se ka punuar me kohë të pjesshme. Por ndryshimi i ri kërkon tetë vite punë rresht pa ndërprerje, ndryshe nga më parë ku mjaftonin gjithsej po kaq vite punë si pedagog i jashtëm. Për të vlerësuar kandidatët në garë për të drejtuar një shërbim të caktuar, do të hartohet një udhëzim i përbashkët midis dy ministrive: ajo e Arsimit dhe Shëndetësisë, duke shfuqizuar përcaktimet dhe kriteret e përcaktuara nga VKM-ja e mëparshme.

Një tjetër ndryshim është kontrata e personit që bëhet shef i një pavijoni. Ajo nuk do të jetë më vetëm midis tij dhe strukturës drejtuese, por trepalëshe, duke futur në këtë mes edhe drejtuesin e universitetit.

Ligji i ri i arsimit të lartë i trajton strukturat shëndetësore universitare si pjesë e institucioneve të arsimit të lartë, për vetë faktin se përpos trajtimit mjekësor, ato shërbejnë edhe si qendra mësimore e kërkimore shkencore. Kështu, edhe shefat e shërbimeve duhen medoemos të kenë qenë pjesë e sistemit akademik për një periudhë të konsiderueshme kohe, ashtu siç nevojitet përvoja klinike për jo më pak se një dekadë në një specialitet të caktuar. Ndryshimet u përcaktuan me vendimin e Këshillit të Ministrave. /atsh

Ndryshojnë rregullat në spitale, si do përzgjidhen shefat e shërbimeve Read More »

Elisabeta Ymeraj merr drejtimin e Prokurorisë së Tiranës

Elisabeta Ymeraj merr drejtimin e Prokurorisë së Tiranë.

Zyra e Shtypit e Prokurorisë konfirmoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se emërimi i Elisabeta Ymerajt vjen pas shkarkimit të Dritan Rreshkës nga Prokuroria e Tiranës, pasi nuk ka kaluar Vetting-un.

Rreshka u shkarkua nga KPK të martën pasi ndaj tij kishte dyshime lidhur me deklarimin e pasurisë. Vetë Rreshka tha se do ta apelojë vendimin e KPK.

Ndërkohë që Elisabeta Ymeraj merr menjëherë drejtimin e Prokurorisë, teksa ajo ka qenë deri më sot, Prokurore tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. /atsh

Elisabeta Ymeraj merr drejtimin e Prokurorisë së Tiranës Read More »

Sezon turistik, stafi mjekësor i qendrave shëndetësore në gatishmëri/Foto

Ndërsa shumë qytetarë kanë nisur tashmë pushimet, për stafin mjekësor të qendrave shëndetësore verore kulmon puna.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në Shëngjin, një prej plazheve më të populluar, qendra shëndetësore është e hapur 24/7 për pushuesit.

Në të gjithë vendin janë në dispozicion 26 qendra shëndetësore verore që ofrojnë shërbim të pandërprerë në zonat turistike. /atsh

 

Sezon turistik, stafi mjekësor i qendrave shëndetësore në gatishmëri/Foto Read More »