Emerging-Europe: Shqipëria ndalon me ligj përdorimin e qeseve plastike
Emerging-Europe: Shqipëria ndalon me ligj përdorimin e qeseve plastike Read More »
Emerging-Europe: Shqipëria ndalon me ligj përdorimin e qeseve plastike Read More »
Mozaikët në Bazilikën e Linit, në Pogradec janë të vizitueshëm gjatë sezonit turistik.
Sot u zbulua për vizitorët ambienti i Baptisterit, i cili shërben për pagëzimin e kandidatëve të bashkësisë kishtare.
Në qendër të tij ndodhet vaska e pagëzimit në formën e një luleje katërfletëshe dikur e veshur me pllaka mermeri. Në këtë ambient dominon motivi i pjergullës.
Për të gjithë të interesuarit, ambienti i cili do të jetë i vizitueshëm është pastofori, ambient polifunksional i cili shërbente për ruajtjen e teksteve ungjillore dhe sendeve të shenjta të përdorimit liturgjik.
Gjatë zbulimit të mozaikëve së bashku me specialistët e IMK-së, Gon Islami, dhe arkeologen Froseda Angjellari, ishte i pranishëm dhe profesori i Historisë së Artit dhe Muzeve në Universitetin e San Franciskos, Nathan Dennis./atsh
Sazani dhe Karaburuni, vijojnë të mbeten ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone.
Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha sot për ATSH-në se “deri në fund të muajit korrik rreth 6000 turistë kanë zgjedhur portin e Vlorës për të udhëtuar drejt këtyre destinacioneve turistike”.
“Pjesa më e madhe e turistëve që kanë vizituar Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë të huaj. Sipas statistikave nga rreth 6000 turistë, 3675 janë shtetas të huaj të ardhur nga vende të ndryshme si Polonia , Italia, Amerika, Rusia, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja etj”.
Sipas tij, qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.
Në portin e Vlorës operojnë anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.
I shpallur në vitin 2010 Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistik që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.
Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.
Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.
Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore. /atsh
6000 turistë me anije turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit/Foto Read More »
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko konfirmoi të mërkurën se, “ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej 4.45% në tremujorin e parë, dhe të dhënat e tërthorta flasin për ritme pozitive rritjeje edhe në tremujorin e dytë”.
“Përshpejtimi i ritmit të rritjes ekonomike në tremujorin e parë të vitit pasqyroi rritjen e shpejtë të prodhimit të energjisë elektrike, në përgjigje të kushteve të mira hidrike”, tha Guvernatori.
Sipas tij, në terma më afatgjatë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik u bazua te rritja e konsumit dhe e investimeve private, ndërkohë që deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë u rrit dhe politika fiskale vijoi të mbetet në kahun konsolidues.
“Të dhënat e tërthorta sugjerojnë se këto tendenca zhvillimi janë mbartur edhe në tremujorin e dytë”, theksoi Sejko. /atsh
Ekonomia shqiptare vijoi rritjen pozitive edhe në 3-mujorin e II-të 2018 Read More »
Shkruan: Brilant GASHI
Ti je zemra e të gjithë Shqipërisë etnike , ti je një gjakë shqiptar , që kurrë nuk mund të falet nga askush , ti je vet populli ynë i copëtuar shqiptar , ti je një pjesë e pandarë e jona .
Mund të më tregosh se cili shqiptar nuk t’a di dhimbjen tënde ? Ai që nuk t’a di dhimbjen tënde është vetëm një injorant dhe asgjë më shumë , sepse dhimbja jote nuk mund të shlyhet nga historia jonë . Kjo është dhimbje , që akoma nuk njihet nga shqiptarët , por disa shqiptar e dijnë këtë histori të dhimbshme të kësaj pjese të madhe shqiptare .
Një gjysmëshekull , ke kaluar një dhimbje të madhe e cila nuk mund të përshkruhet as me fjalët më të mëdhaja . Jemi përballuar dhëmbë me dhëmbë me armikun tonë .
Gjatë një gjysmëshekulli të plotë , në këtë tokë binte shi i kuq , shi që binte nga gjaku i gjithë atyre trimave që ranë për lirinë e Çamërisë nga krimet makabre të andartëve grekë .
Nuk mund të përshkruhet kjo dhimbje . Lotët e shqiptarëve pikojnë për këtë tokë që padrejtësisht na e ndanë fuqitë e mëdha . Pas ndarjes së tokave tona , Europa i vendosi në treg këto toka për t’i shitur . Greqia e mori tokën e bukur të Çamërisë dhe popullsinë e saj e spastroi etnikisht dhe gjithashtu e shprënguli me të gjitha mjetet më të mira që mund të egzistonin në atë kohë .
Mjet i mirë padyshim se ishte edhe Traktati i Laussanes për shprënguljen e popullsive greko-turke . Ky traktat kishte për qëllim që Grekët e Turqisë të vinin në Greqi kurse myslimanët çamë (të etiketuar si turq) të shprënguleshin me të madhe . Nga kjo , edhe plaga shqiptare u hap edhe më shumë . Kjo plagë ishte e tmerrshme dhe të dhemb sa herë që e kujton !
Kjo plagë nuk do të mbyllej ende deri në vitet e errëta të Luftës së II-të Botërore , ku do të masakroheshin me mijëra shqiptar të pafajshëm nga gjak-pirësi me origjinë shqiptare Napoleon Zervas . Të gjitha këto masakra ishin të nxitura nga Kisha greke .
Por ajo që unë nuk mund t’a pranoj është se drejtësia në këtë shekull mungon për ne shqiptarët , por edhe fajin e kemi vet ne : Që nuk e kërkojmë drejtësinë të cilën ne e meritojmë si popull i traditave dhe i kulturës . Medet për këtë komb që quhet shqiptar !
Masakrat më 27 qershor 1944 , nuk paskan zgjuar interesim të madh tek politika ndërkombëtare dhe për popujt e vegjël si ne nuk janë munduar që t’i hapnin sytë për të parë më qartë barbaritë e mëdha greke . Zoti im , jepi mend këtij populli , të lutem , të përgjërohem sa më shumë ! Fale këtë popull .
Këto ishin fjalët e fundit të gjeneralit gjak-pirës Napoleon Zervas para se të ikte për në ferr :
“Po vdes i lumtur dhe i qetë , e bëra atë që doja . Lashë mbrapa tym e rrëke gjaku , gërmadha , blozë , ulërima fëmijësh , nuse e gra të zhveshura që i kallëm në furrat e ndezura për të mos lindur kurrë më shqiptarë të rinj ! Pastaj lashë mbrapa burra të shpuar me bajoneta , trashëgova shumë gjëra të mira për grekët , bëra që gjuha shqipe të mos flitet më në tokën helene ! Pra , kjo më kënaq mua ashtu siç kënaq çdo shpirt greku!” .
Në vitin 1924 , Musa Demi kishte dërguar një letër Mit’hat Frashërit , një letër të madhe dhe shumë brengosëse ku shkruan :
“Neve po na hiqen pronat , po torturohemi dhe po persekutohemi nga qeveria greke dhe nuk kemi asnjë mbrojtje nga askush!” .
Po në të vërtet , ne kurrë nuk e kemi pasur përkrahjen e askujt sepse nuk i ka interesuar askujt nëse ne egzistojmë apo jo . Çamëri , nëse je gjallë atëherë duhet të të tregojmë se ne do të jemi përherë me ty , si në luftë dhe si në paqe . Edhe nëse politikanët tanë flenë , ne do të jemi me ty !
Ky holokaust do të pranohet nga bota . Të jesh e bindur për këtë nënë Çamëri !
Nga Pëllumb Gorica
Një udhëtim drejt Ujëvarës së Sotirës së Gramshit, pavarësisht
kapërcimit të shtigjeve të vështira herë-herë me pengesa të ngjan se hap brenda teje, një hapësirë të mrekullueshme gjelbërimi dhe uji. Është një hapësirë e çuditshme që shoqërohet me dashurinë për natyrën. Me ndërtimin tektonik, natyra ka krijuar mjedise të bukura, peisazhe tërheqëse dhe veçori: male, shpella, kanione, ujëvara, liqene. Mjafton që ne të dimë t’i eksplorojmë ato. Me kureshtjen për eksplorimin e kësaj natyre, si një nga arsyet më interesante, ajo të ofron mundësi t’i largohesh paksa përditshmërisë stresuese.
Vlerat e turizmit malor dhe infrastruktura
Pikërisht me pasionin e udhëtarit jemi nisur në Ujëvarën e Sotirës. High Albania Mountain Club, organizatore e udhëtimeve, ka vite që mundëson grupe vizitorësh vendas, por edhe të huaj të eksplorojnë natyrën shqiptare. Ujëvara e Sotirës është një nga perlat e natyrës sonë. Por, të shkosh atje është një aventurë, edhe pse ajo ndodhet 16 km larg qytetit të Gramshit, nën këmbët e malit Tomorr. Ndonëse, infrastruktura rrugore le shumë për të dëshiruar, kjo vështirësi
bëhet e papërfillshme çdo ditë nga qindra adhurues. Duhet thënë lexuesit, që krahinat e Gramshit janë një vend me kontraste gjeografike dhe peisazhe të mrekullueshme që dita ditës po kthehen në një shkretëtirë të mjerueshme. Në përgjithësi ato i ka mbërthyer një zhgënjim, që vështirë të tejkalohet shpejt. Madje rruga e keqe dhe kushtet më elementare të jetës e kanë bërë pjesën më të madhe të banorëve që të braktisin këtë trevë dhe të largohen. Po çfarë po mbetet pa emigruar? Pyjet po ja shkatërrojnë, gurët po ja marrin. Është fatkeqësi që ajo po shkatërrohet nga babëzia e pandalshme njerëzore nën fjalën zhvillim. Është një katastrofë si shumë të tjera drejt degradimit ashtu si shoqëria, edhe flora e fauna jonë. Me tepër se kurrë, tani njerëzit duhet t’i thërrasin koshiencës dhe të ndalim rrënimin e natyrës, por edhe shteti shqiptar duhet të mendojë më shumë për turizmin malor, pasi natyra e ka bërë punën e saj. Për mendimin tim sektori i turizmit mund të zhvillohet më shumë krahinat e Gramshit, të cilat janë një magji pak e eksploruar. Nëse në Ujëvarën e Sotirës, Kanionin e Holtës, Shkëmbin e Kopaçit, Liqenin e Zi, Shpellën karstike të Kabashit, Grabovën e krishterë, Kanionet e Seraselit, Kalanë e Irmajt apo edhe të Tërvolit, infrastruktura e rrugëve me terrene të vështira e të pashkelura shkon në nivelin e duhur, as diskutohet që e gjithë treva e Gramshit do të ketë gjallërinë e merituar të vendeve turistike. Madje ka premisa të bëhet e zhvilluar nga ana ekonomike dhe sociale. Gjithçka varet nga vullneti, jo vetëm i pushtetarëve, por edhe i banorëve, që kanë mundësi të japin kontributet e tyre. Ndoshta nuk është momenti për të shkruar më gjatë për këtë gjë, por kjo evidenton krizën e thellë morale në thelb të të paaftëve në shoqërinë tonë dhe në pushtet, që përpëliten në kërkim të identitetit të humbur në pellgun ujqelbur të një përditshmërie të amullt dhe pa ide. Ndaj, me potencialin panoramik, kulturor e historik që ka kjo trevë kërkohet më shumë impenjim nga institucionet për ta bërë atë të vizitueshëm jo vetëm nga vendasit, por edhe turistët e huaj. Gjithsesi, duhen përgëzuar iniciativat e individëve nga Gramshi, që në faqet elektronike sensibilizojnë opinionin për bukuritë e peisazheve të trevës. Është e vërtetë që emigrimi si gjithandej në Shqipëri në këto vitet e fundit ka tkurrur edhe fshatrat e krahinave të Gramshit, po përsëri këtu ka jetë. Këtë e tregojnë arat që punohen, pemët me frutat e tyre, njerëzit që kryejnë punët e stinës. Këto janë përshtypjet e çdokujt që krahas vrojtimit të peisazheve, objekteve arkeologjike e ndjen këtë sidomos në stinën e pranverës. E kush nuk e lakmon këtë stinë plot ngjyra. Gjelbërimi dhe lulet kanë ngjallur ngrohtësinë njerëzore dhe janë të papërsëritshme.
Udhëtimi ynë drejt Ujëvarës së Sotirës shoqërohet nga një mugëtirë e lehtë që davaritet në qiell e të pengon disi të sodisësh peisazhin që parakalon. Për kilometra të tëra të shoqëron rrjedha e lumit Devoll. Prurjet e ujit, herë në njërin krah e herë në tjetrin gurgullojnë mes gurëve të lëmuar nëpër brigje të gjelbërta. Befasohesh me pamjet e maleve në sfond. Grykat e ngushta dhe majat e thepisura,me ndjesinë e tyre madhështore, herë shfaqen e herë përhumben nga retë. Që këtu imazhi i malit Tomorr të borëzuar të përshëndet ngrohtësisht këtë mëngjes. Pasi përshkon rrugën, që kalon në të djathtë të rrjedhës së lumit Devoll, aty ku H/C i Banjës po hedh shtat e po konturohet si vepër energjitike e Shqipërisë, të shfaqet befasisht qyteti i Gramshit. Konfiguracioni i tij shtrihet në një kodër buzë lumit Devoll rrethuar nga malet hijerënda. Një qytet i vogël dhe me shumë gjelbërim, i krijuar para 60 vjetësh e që e ka zanafillën nga fshati me të njëjtin emër. Dikur, para 40 vjetësh, këtu u ngritën fabrika dhe uzina ushtarake, ndërsa sot kjo industri nuk ekziston. U shkatërruan me një egërsi të pashembullt dhe punëtorët mbetën të papunë, por jo vetëm kaq. Për të përballuar jetën në kushtet e reja që erdhën shumica me familjet e tyre morën rrugën në emigracion e në qytete të mëdha: si Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë. Në një pushim të shkurtër në qëndër të qytetit e ndjen freskinë që vjen nga mali Tomorr. Është një ajër i dlirë dhe i pastër si vet mali i lartë. Grumbuj resh të bardha shtëllunga – shtëllunga rendin me revan drejt qiellit. Ajo që të bën më shumë përshtypje në Gramsh, që në fillim është fakti se, banorët janë të qetë dhe të kulturuar e gjithë respekt, që mishërohet në shpirtgjerësinë e tyre.
Relieve piktoresk rural
Por le të kthehemi tek udhëtimi ynë i mëtejshëm drejt Ujëvarës së Sotirës. Kalojmë Devollin ujëshumë ndërmjet urës që lidh Gramshin me krahinën e Sulovës. Gjelbërimi e bën më të magjishëm udhëtimin. Ndaj bisedat rrjedhin natyrshëm për udhëtimet, vendet e bukura, eksperiencat. Jani më i moshuari i grupit të vizitorëve u jep udhë bisedave me informacione të ndryshme. Aleksandri, Roza, Artani ndërhyjnë dhe ajo bëhet më interesante. Fisniku dhe Dritani në rolin e ciceronëve tregojnë për ujëvarën, vendet ku do kalonim, për malin Tomorr e për çdo gjë tjetër. Me këtë rast është për tu përmendur diçka shumë e veçantë e kësaj krahine të mbushur me lumenj, kodra, pyje, e monumente natyrore, si dhe të shumta janë ato historike. Sulova ka këmbët në ujë. U jep të tjerëve të pinë. Për vete digjet në vapë. Një karakteristikë se rrjedha e dy lumenjve Devoll e Tomorricë kalon përbri saj dhe qindra përrenjve, duke krijuar një peisazh të veçantë. Ajo është një krahinë e punës, mendjes, traditave të rralla e të admirueshme të mikpritjes, respektit dhe bujarisë. Bukuritë e këtyre anëve janë magjepsëse dhe një privilegj për çdokush që i viziton ato. Në valëzime kodrash që zgjaten pa mbarim e që lartësohen drej malit Tomorr, aty këtu shfaqen fshatra me pamjeve mbresëlënëse, ku secili prej tyre paraqitet me veçanti karakteristike. Si kudo gjetkë në Shqipëri edhe shumica e shtëpive janë të mbuluara me çati tjengullash të kuqe dhe plot reflekse. Kushtet e përshtatshme gjeografike dhe klima e kanë bërë Sulovën një trevë të banueshme e të pandërprerë, që nga koha e hershme e zhvillimit të saj. Dora e njeriut i ka qëndisur akoma më shumë peisazhet e gjelbëruara dhe tokat i ka mbjellë me gjithfarë bimësh e drurësh frutorë. Duke jetuar me resurset që ju ka falur natyra, sulovarët arrijnë të jetojnë edhe kështu, por dëshpëruese është rruga e ngushtë dhe e pashtruar ku nuk shkëmbehen dot automjetet. Rrugë e gjatë e lodhshme, që asnjë pushtet nuk ka arritur tua ndërtojë. Një rrugë gjarpëruese që ngjitet e zbret kodrave të buta, të cilat ngrihen e ulen shumë vrazhdë, e ku zgjaturinat e tyre priten nga rrjedha e lumit të Tomorricës, ku kalon përmes zallishteve dhe të shoqëron për kilometra të tëra. Tomorri një nga malet më madhështore në Ballkan pamjen më të bukur e ka në fshatrat e Sulovës. Faqja e tij veriore veshur me pisha dhe majat mbuluar nga bora. Dielli i ngrohtë rrethuar nga copëza qielli të kaltër në kurorën e tij u ka hedhur vellon shkëlqyese. I kam admiruar përherë këto vise dhe i kam shijuar peisazhet që në fëmijëri, duke ruajtur vazhdimisht dëshirën për të ardhur kohë pas kohe me kujtimet më të mira dhe përshtypjet e mbresave këtu. Ndaj, nuk i shmangem dot emocioneve të mia kur shikoj këto peisazhe. Bashkë me mua ecën edhe fëmijëria.
Makinat ndaluan njëra pas tjetrës dhe ne zbritëm. Rrugëtimi ynë na solli shpejt në Sotirë e sapo ndalojmë kemi kohë e mundësi t’i hedhim një sy fluturimthi këtij vendbanimi. E ngritur poshtë disa bregoreve, Sotira të shfaqet me ato pak shtëpi çatikuqe nën hijen e pemëve. Diku më tutje të pret një natyrë e zemëruar me formacione erozionesh të degraduara, por edhe egërsia e peisazhit të braktisur nga jeta e banueshme. Mbase kjo ndjesi te shkaktohet kur shikon pamjen mjerane të lagjes së sipërme të Sotirës, që të ngjall trishtim me shtëpitë e saja të gurta në rrënim e sipër. Ashtu të rrënuara e sado të braktisura ato mbeten dëshmitare të pakundërshtueshme të banimit të hershëm, si dhe një trashëgimi për tua përcjellë brezave dhe të ngjallin një zbraztësi në shpirt. Largimi i shumë familjeve e ka shuar gjallërinë. Tani ka mbetur vetëm qetësia dhe cicërimat e zogjve, që e vrasin këtë qetësi, por edhe ndonjë kumbim i zbehtë zile bagëtish. Ndoshta e vetmja gjë që kishin mundur të bënin këtu ishte kanalizimi ekologjik për të përfituar nga uji i Ujëvarës, duke krijuar pak kilometra më poshtë një hidrocentral të vogël.
Bukuri që të le pa fjalë
Duke ngjitur rrjedhën e të lumit të Sotirës, që humbiste mes gurëve ngjyrë gri me madhësi të ndryshme e mes gjelbërimit të një pylli që fëshfërinte lehtë, morëm rrugën për në Ujvarën e Sotirës. Rruga është e vështirë, por ky detaj nuk të pengon të sodisim peisazhin me një ndjesi të pakrahasueshme. Syri të mbushet me kënaqësi. Tingëllojnë ëmbël cicërimat e zogjve përzier me zhurmat e tjera të stinës. Herë pas here ndalojmë dhe sodisim me kënaqësi bukurinë e peisazhit, lëndinat me bar, ajrin e pastër, blerimin e drurëve. Vështrimin e marramenduar s’mund ta largojmë lehtë nga tufa bagëtish të përhapura në një pllajë të gjerë veshur me bar e lule. Era lëkund lehtë degët e pemëve me lule, ku edhe blerimi përthithës i pranverës të shfaqet akoma më i freskët. Kështu të joshur nga pamjet e pashlyeshme. Tomorri madhështor me pamjen e tij mahnitëse kërleshur nga retë e bardha, të tërheq me madhështinë dhe bukurinë natyrore. I magjepsur s’ngopesh, duke vështruar këtë mal. Mahnitës e mbizotërues shpaloset ai gjithmonë, por i mbuluar me qeleshen e bardhë të borës, pamja e tij e paharrueshme dhe emocionale është si një ëndërr. E sodit dhe të jep të drejtën të meditosh në heshtje. Me madhështinë shekullore të shenjtërisë, perënditë e kanë bekuar atë edhe me ujin kristal të burimeve të praruara dhe bukurive të pamata me pyje.
Karvane resh udhëtojnë qiellit dhe pylli i gjelbëruar fëshfërin e të çlodh. Lulet me ngjyrat e ndezura shpërndajnë aromën e tyre. Tingujt e paqtë dhe flladi i freskët që vjen prej malit të japin kënaqësi të veçantë. Rrezet e diellit tashmë të ngrohta e po aq të këndshme në këtë stinë janë një emocion i veçantë dhe e çiltërsojnë peisazhin. I gëzohemi kësaj gjallërie buisëse. Venitet lodhja nga pesha e emocioneve e sytë përplasen në masivin e mbuluar me borë të malit Tomorr. Shushurima e zhurmshme e rrjedhjes së ujit vjen si muzikë magjepsëse. Përballë shfaqen konturet e një shkëmbi gëlqeror me një pamje tërheqëse. Ecën dhe ndjen një shprushje kënaqësie në shpirt nga magjia që të shfaqet. Nuk mund ta përfytyrosh kënaqësinë që ndjen, e yshqyer nga atmosfera magjike e ujëvarës së Sotirës me mrekullinë e saj të veçantë. Shumë rrallë të ndodh në jetë e natyrisht sytë dhe shpirti të fluturojnë nga gëzimi i pushtuar nga kjo kënaqësi si pjesë e realitetit të një mrekullie. Padyshim rruga e gjatë e aspak e përshtatshme në ngjitje, mbërritja aty dhe pamja mrekulluese me zhaurimën gurgulluese e të fuqishme të ujit të freskon ledhatueshëm e të heq si me dorë lodhjen. Artani, më entuziasti i grupit tonë tund kokën, buzëqesh duke shijuar pamjen. Jemi përpara një mikrobote mrekullie, një peisazhi të zemërimit të shkumbëzuar të ujërave, që vërshon me tërsëllimë prej barkut të shkëmbit e teksa rrjedh papushim shpërndanë përreth piklat. Përballë ujëvarës hijëzimi i pyllit me drurë të llojeve të ndryshme dhe të harlisur, por edhe lëndinat me bar e lule, të dhurojnë një tjetër kënaqësi e çlodhje, ashtu si ajri i lagësht që drithërohet nga forca e ujit e i shpupurit flokët tanë.
Ujëvara e Sotirës është veçanërisht tërheqëse në pranverë, kur edhe bora e malit fillon e shkrin, por në periudhën e verës ajo shteron prej uljes së nivelit të ujërave. Lidhur me këtë ujëvarë, gjeologu Selim Marishta, bir i Sotirës shkruan se ajo buron në rrugëfshehjen brenda shkëmbinjve gëlqeror të malit të Tomorrit. Më shumë shton ai, ajo është një ujëvarë unikale në vendin tonë, si për nga forma e daljes dhe e derdhjes së ujit në trajtë çurgjesh. Ujërat e saj dalin nga dy tre çarje, njëra përmbi tjetrën. Pak metra nga ujëvara gjendet edhe një katarakt që rrjedh nga përroi i fshatit Dardhë të Beratit. Uji rrëzohet me uturimë mbi 100 m dhe në fund të shkëmbinjve mbi disa gurë të mëdhenj, duke krijuar një pellg të vogël me ngjyrë të gjelbër. Pas rënies ujëvara krijonte edhe një lumë të vogël, por këto dy vitet e fundit pak metra më poshtë rrjedhës ujërat përfshihen në një kanal ekologjik të nëndheshëm që i shërben një H/C të vogël, duke e bërë më ekonomike atë me fuqinë prodhuese.
Epilog përshtypjesh
Ja kështu të ngazëllyer nga ajo ç’ka vështruam në udhëtimin tonë magjik me qetësinë e lëndinave të gjelbëruara, Tomorrin madhështor dhe ujëvarën, pikërisht aty ku edhe u çlodhëm, nisëm sërish rrugën e kthimit nën morinë e përshtypjeve. Në ambientet mirseardhës të një lokali teksa pimë kafenë e kthimit ke dëshirë që të shohësh sy më sy malin shekullor dhe banorët e tij. Është një dialog pa zë, por shumë nënkuptues. Ndaj, epitetet më të zgjedhura për të janë të pamjaftueshme dhe jo aq metaforike. Sepse, këtu e prek gjelbërimin, ndjen freskinë, aromën flladitëse të luleve, vështron bardhësinë e borës, lëndinat, ngjyrat e këndshme, dëgjon tingujt gjallërues, blegërimën e bagëtive në kullota, ndaj në shpirt lumturohesh. Duke falenderuar, shtrënguam duart miqësisht me ata, që na dhanë mundësinë e shijimit të kësaj kënaqësie, që rrallë ndonjëherë mund ta përjetosh, duke ëndërruar për rikthimin.
Ujëvara e Sotirës, perla shqiptare që të befason Read More »
Një sasi prej 2 ton pije të skaduara janë sekuestruar nga AutoritetiKombëtar i Ushqimit në në një pikë shitje me shumicë në qytetin e Korçës.
Trupa inspektuese e DRAKU, Korçë ka sekuestruar rreth 1740 litër pije të ndryshme, çaj i ftohtë, pije të gazuara, por edhe 40 kg produkte ushqimore (patatina, çibuke) të skaduara, janë sekuestruar në një pikë shitje me shumicë me emër subjekti “Argentil”.
Gjithashtu, në këtë subjekt u konstatuan produkte ushqimore pa kundraetiketë në gjuhën shqipe. Ndaj subjektit u morën masa administrative bazuar legjislacionit në fuqi si dhe u bë bllokimi i produkteve të skaduara deri në momentin e asgjësimit nga institucionet përkatëse.
Ky subjekt është gjobitur 300 mijë lekë për mungesë të kushteve higjieno- sanitare, 500 mijë lekë për tregtim të produkteve të pasigurta dhe 50 mijë lekë për etiketim të parregullt në gjuhën shqipe.
AKU thekson se do të jetë gjithmonë në mbështetje të konsumatorit me qëllim garantimin e Sigurisë Ushqimore. Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët./korrieri
Zbulohet vendi nga ku dilnin pije që po helmojnë shqiptarët këtë pikë vere Read More »
Njihuni me parashikimin e astrologut italian Paolo Fox, për punën, shëndetin dhe ndjenjat, si do të ecë muaji për të lindurit e çdo shenje.
Nuk do ju pëlqejë që të rrini të mënjanuar dhe në punë, do të doni të merrni një rol protagonist. Ky muaj nuk sjell të reja të rëndësishme për të lindurit e kësaj shenje, kështu që më mirë përqendrohuni në pushimet dhe rikuperimin e energjisë. Ndonëse në disa raste do të ndiheni të detyruar të ndaloni, duke marrë parasysh sezonin veror, mendja juaj do të vazhdojë të përpunojë strategji dhe zgjidhje të dobishme për suksesin profesional. Yjet janë mjaft të favorshme për ndjenjat, ku do të arrini të kaloni një krizë dhe do të rigjeni paqen duke u rikthyer në lojë.
Demi
Ndikimi negativ i Marsit, do të shkaktojë disa luhatje humori dhe tensione, të cilat nuk do të jenë të lehta për tu menaxhuar. Por pavarësisht kësaj do të arrini të kapërceni me vendosmëri çdo situatë. Do ju duhet të sforcoheni, në mënyrë që të jeni më optimist, ndërkohë që muaji që sapo po nis do të jetë i tensionuar jo vetëm në punë, por edhe për dashurinë. Keni nevojë për kohë dhe vetëm ata që ju njohin mirë, do dinë ti kuptojnë nevojat tuaja.
Binjakët
Ky muaj është mjaft interesant për ndjenjat, pasi mund të lind një dashuri e re, ose mund të zgjohet një pasion i vjetër. Edhe pse sapo keni dalë nga një krizë, do të jeni më të vetëdijshëm për dëshirat dhe nevojat e partnerit/es. Tashmë do e keni më të lehtë të gjeni paqen. Ndërkohë ata që janë vetëm do të kenë një dëshirë të shfrenuar për aventura. Do të keni një rikuperim psiko-fizik, ndërkohë që në punë duhet të tregoheni të kujdesshëm. Keni nevojë edhe për pak më shumë siguri, në mënyrë që të planifikoni më mirë të ardhmen.
Gaforrja
Gjatë këtij muaji mund të ketë tensione në familje, kryesisht për arsye ekonomike. Venusi dhe Marsi nuk do bien dakord, kështu që nuk do e keni të lehtë të shmangni polemikat. Javët më të vështira do të jenë ato të gjysmës së dytë të gushtit. Në vendin e punës shmangni prishjet e qejfeve, pasi vetëm kështu do të çoni përpara një projekt që e keni përzemër. Mundohuni që të angazhoheni dhe të jepni maksimumin tuaj, vetëm atje ku ja vlen vërtetë.
Luani
Horoskopi i muajit parashikohet mjaft pozitiv, ku në punë po i afroheni gjysmës së dytë të vitit më të mirë. Kush është përfshirë në iniciative të reja, mund të marrë suksesin e dëshiruar në vijim. Organizoni më mirë gjërat që keni për të bërë dhe mos i nënvlerësoni kontaktet. Në dashuri do e keni më të lehtë që të harroni të kaluarën. Emocione intensive dhe aventura emocionuese, mund ti bëjnë speciale takimet e kësaj vere.
Virgjëresha
Edhe pse ky është një muaj i cili i dedikohet pushimit, të lindurit e kësaj shenje do e kenë të vështirë të lënë mënjanë disa shqetësime. Puna do të mbetet prioritet, sidomos nëse keni investuar para dhe energji në realizimin e një projekti të rëndësishëm. Gjatë muajve në vijim do të keni më shumë autonomi, për të përmirësuar gjendjen për të ardhmen tuaj. Edhe në jetën tuaj sentimentale do të ketë të reja të rëndësishme, ku do të gjeni kurajën të merrni vendime drastike, të cilat deri më tani nuk i kishit konsideruar.
Peshorja
Horoskopi i muajit është mjaft pozitiv, ku mund të mbështeteni në kalimin tranzit të Venusit, i cili do e bëjë vërtetë speciale sferën e ndjenjave. Më të favorizuar janë çiftet që janë bashkë prej kohësh, të cilët mund të rigjejnë intensitetin e humbur edhe nga pikëpamja fizike. Në punë, janë mjaft të favorizuara eksperiencat e reja. Mundohuni që të qëndroni në lojë, duke bërë diçka ndryshe,
Akrepi
Pas muajve të vështirë më në fund, po afron një rikuperim i mirë. Urani është ende tranzit në shenjën tuaj, ku nuk përjashtohet një transferim apo propozime të reja, të cilat mund të përmirësojnë gjendjen tuaj. Ka shumë mundësi që brenda muajit gusht të merrni një propozim i cili do ju ndihmojë që të ktheni faqe. Favorizohen historitë e reja të dashurisë, të cilat do të bëhen edhe më të rëndësishme dhe speciale në fund të muajit.
Shigjetari
Fillimi i muajit gusht do të jetë i mbushur me energji dhe gjallëri. Dëshira për të planifikuar nisma të reja për të ardhmen do ju mbajë të angazhuar, pavarësisht se është muaj pushimesh. Do të keni një dëshirë të madhe për të punuar. Ky muaj është mjaft i favorshëm edhe sa i takon ndjenjave, ku do të ketë takime tejet interesante.
Bricjapi
Nis një rikuperim i mirë, ku më në fund do të gjeni sigurinë dhe pavarësinë, e cila do ju kthejë një lider të padiskutueshëm në çdo situatë. Në vendin e punës mos kini frikë të guxoni, pasi idetë dhe nismat e reja janë mjaft të favorshme. Ky muaj është i rëndësishëm edhe për çiftet që kanë një kohë të gjatë bashkë. Më në fund do të merrni konfirmimet e dëshiruara, dhe do të bëni hapa më shumë për të ardhmen.
Ujori
Horoskopi i muajit ju fton që të përfitoni nga javët e ardhshme, për të rikuperuar forcat dhe energjinë. Po merr fund një periudhë shumë e komplikuar, gjatë së cilës jeni lodhur shumë për të marrë konfirmimet e shpresuara. Tashmë ka ardhur momenti që të lini pas shpine pakënaqësitë dhe shqetësimet që kanë të bëjnë me të kaluarën. Mund të nisë një etapë e re e jetës, ndërsa vjeshta do të sjellë shumë risi.
Peshqit
Ndonëse ndodheni në mes të verës, nuk do e kurseni veten në përfshirjen në punë. Keni ngut për të mbyllur një projekt për të cilin po punoni prej kohësh. Për të lindurit e kësaj shenje nuk ekziston pushimi dhe relaksi, ku çdo rast është i dobishëm për të realizuar planet tuaja. Dashuria do ju shpërblejë, sidomos nëse prej kohësh jeni të përfshirë në një histori. Mbështetja tek personi që dashuroni, është themelore për ju, ndaj tani do të ndjeni nevojën për të qenë të përqendruar dhe për ti dhënë hapësirë ambicieve tuaja.
Erdhi Horoskopi i plotë i muajit Gusht i parashikuar nga astrologu më i mirë! Read More »