Aurora

Mrekullitë e Sarandës që nuk duhet t’i humbisni këtë verë/Foto

Megjithëse kam shkruar disa artikuj mbi Sarandën dhe kam qenë disa herë vitet e fundit, vetëm këto javët e fundit po mësoj ta njoh më mirë dhe e vlerësoj, sepse, e pranoj, nuk e ka pushtuar kurrë zemrën si vendet e tjera të Shqipërisë si Tirana, Korça, Drimadhes.

Kështu e nis shkrimin e saj Sara Perico, themeluese e portalit të informacionit turistik mbi Shqipërinë “Vado in Albania”.

Qyteti i Sarandës shtrihet në një gji të mbushur me hotele, pallate dhe ndërtesa, nuk është shumë për t’u parë për të treguar të vërtetën, por para se të ndiheni të zhgënjyer, duhet të dini se kjo garë për ndërtimin e egër është pasojë e ngjarjeve historike, politike dhe ekonomike që prekën Shqipërinë në epokën postkomuniste.

Në një mënyrë apo tjetër, muret e bardha të betonit që na përballen nga Korfuzi janë gjithashtu pjesë e historisë së vendit dhe përfaqësojnë një aspekt të tij.
Megjithatë, këto ditë po punohet për shtrimin e shkallëve me një dysheme prej guri të bardhë që e stolis shumë qendrën e qytetit.

Megjithatë, nga pikëpamja e shërbimeve, asgjë nuk mund të thuhet, Saranda ka gjithçka: super markete mjaft të mëdha, dyqane të freskëta të mishit dhe peshkut, dyqane, lokale të frutave dhe perimeve, shërbime administrative dhe madje edhe spital. Ajo është gjithashtu plot me restorante, bare, klube nate, bare plazhi, taverna tradicionale, dyqane suvenire, shesh lojërash për fëmijë, një port tregtar, turistë dhe një shëtitore të gjerë dhe të këndshme për të kaluar.

Sipas mendimit tim, gjëja më e tmerrshme në Sarandë është trafiku, në verë edhe më i mbushur se Tirana. Natyrisht, gjithçka përqendrohet në qendër dhe në rrugën kryesore që çon në Ksamil në njërën anë dhe në Himarë në anën tjetër. Por, duhet të thuhet se për të qëndruar në qytet dhe për të lëvizur nga një plazh në tjetrin, nuk keni nevojë ta merrni makinën dhe gjithashtu për të arritur në Ksamil dhe plazhet përreth, ju mund ta bëni me lehtësi me autobus.

Saranda dhe plazhet përreth

Saranda ka plazhe të ndryshëm, disa hotele private. Personalisht unë gjithmonë kam disa rezerva për të ndaluar në plazhet e qyteteve që kanë portet, sepse sigurisht pastërtia e detit është prekur nga trafiku detar i anijeve gjithashtu të mëdha si anijet dhe anijet turistike.

Kështu që nuk ndalem kurrë në ndonjë plazh në qendër të Sarandës, por isha në vendet fqinje që janë në shtrirjen e tokës, që bashkohet me Sarandën në Ksamil.

Plazhi i Manastirit, Pasqyrat dhe Pulëbardha janë tri mrekullitë që absolutisht nuk duhet t’i humbisni për asnjë arsye në botë! Natyrisht, në qershor dhe në shtator do të ishte më mirë, por unë ju siguroj se ata janë të bukur edhe tani! /atsh

Mrekullitë e Sarandës që nuk duhet t’i humbisni këtë verë/Foto Read More »

NATO flet për herë të parë për bazën ajrore në Shqipëri

Zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet i pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare për investimin e Aleancë së Atlantikut të Veriut në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, tha se investimi kap vlerën e 51 milionë eurove.

“NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri. Paratë do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në bazë, përfshirë edhe depot e karburantit”, konfirmoi për ATSH, Cazalet.

Në prononcimin për ATSH, ai sqaroi më tej se “financimi është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate me qëllim përmirësimin e sigurisë në hapësirën e NATO-s. Ky program është pjesë e financimit të përbashkët të NATO-s në të cilin kontribuojnë të 29 vendet anëtare”.

Gjithashtu, në prononcimin për ATSH, zëdhënësi i NATO-s tha se Aleanca i është mirënjohëse Shqipërisë për kontributin në Aleancë.

“Ne jemi mirënjohës për kontributin e çmuar të Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët, përfshirë misionet tona në Afganistan dhe Kosovë. Shqipëria gjithashtu i jep një mbështetje të fortë partnerëve tanë, përfshirë kontributin në Fondet tona të Kujdestarisë për Ukrainën, ndihmën në mbrojtjen kibernetike dhe tranzicionin e karrierës ushtarake”, deklaroi ai.

Shqipëria, theksoi Cazalet për ATSH, luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftën kundër ISIS-it, duke kontribuar me pajisje dhe trajnime për Irakun.

“Shqipëria gjithashtu na ndihmon të rrisim sigurinë duke promovuar bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Vendi juaj është një avokat i fortë I politikës së dyerve te hapura të NATO-s dhe i integrimit të fqinjëve tuaj në familjen Euro-Atlantike”, tha Zëdhënësi i NATO-s Piers Cazalet për ATSH.

Përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për polic-imin ajror; si dhe trajnime dhe stërvitje të Aleancës.

Kuçova do të shërbeje gjithashtu edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe investimi i NATO-s në Shqipëri do të sjellë një standard të ri për Forcat e Armatosura dhe investime për zonën e Kuçovës.  /atsh

NATO flet për herë të parë për bazën ajrore në Shqipëri Read More »

Louis Arnaud: Filipi, Aleksandri dhe Aristoteli ishin shqiptarë

Shqiptarët që lexojnë Shekspirin – njoh nja katër a pesë -, prej disa javësh e kanë patur të pamundur për të mos sjellë e risjellë në mendje monologun e famshëm të Hamletit To be or not to be, that is the question.

Për ta çështja që shtrohej ishte: A do të jetë Shqipëria një mbretëri e pavarur, apo serbi a greku, pavarësisht nga përpjekjet e Vienës apo Konsultës [Italisë] do të vërsulen për të copëtuar territorin e saj?

Por, së pari, ç’është në të vërtetë Shqipëria? Pyetje e çuditshme, të themi. Por jo dhe aq sepse, megjithëqë hasen shqiptarë kudo në Ballkan, nga perëndimi i Vardarit gjer në rrethinat e Athinës dhe në pjesën veriore të Peloponezit drejt Kanalit të Korinthit, Megarës dhe ishujve, ku që prej tre shekujsh ata përbëjnë bazën e popullsisë, prapë është tepër e vështirë të përcaktohen teorikisht kufijtë e një vendi që do të mbante emrin Shqipëri.

Me përjashtim të kohës së Skënderbeut, shqiptarit Gjergj Kastrioti i Krujës, që luftoi si hero epopesh kundër turqve të Muratit, nuk ka patur kurrë mbretëri shqiptare. Dy a tre vjet pas vdekjes së tij, që ndodhi në Lezhë më 1466 [1468], trupat turke rinisën pushtimet e tyre.

Po ashtu, sa më thellë të futemi në histori, do hasim shqiptarët. Janë banorët më të hershëm të gadishullit dhe dorët, që pushtuan Greqinë në shekullin XII [p.e.s.] duke i dhënë fund qytetërimit kretë me themelimin e fuqisë së Spartës, ishin, brenda të gjitha gjasave, një fis shqiptar zbarkuar nga Epiri drejt Jugut. Mbreti Pirro ishte shqiptar. Dijetari Momsen i përafron me pellazgët dhe me fiset italoste. Në atë kohë të largët, ata mbushnin krejt Maqedoninë.

Dhe maqedonët, që shtinë në dorë, me Aleksandrin në krye, Greqinë e Jugut, Egjiptin dhe Azinë, për aq sa njihej kjo e fundit, ishin pasardhësit e tyre.

Por, mjaft t’i thuash një heleni, as më shumë e as më pak që “Filipi, Aleksandri dhe Aristoteli ishin shqiptarë”, e veç kur do ta shohësh të iki nga mendja apo të arrijë kulmin e shovinizmit.

Një mbrëmje, kur isha në Apirantos për ekskursion, i lodhur pas një marshimi tërë ditën nën diell dhe nëpër dhiare, apo në shtigje mushkash, me potinat që m’u bënë copë, pyeta një naksiot: “Ishulli juaj është i banuar që prej tremijë e pesëqind vjetësh, apo jo? – Oh, ma ktheu, shumë më tepër!

Naksiotët janë bij të pellazgëve, të atyre pellazgëve hyjnorë, siç thotë Homeri. – Bukur, thashë, po si shpjegohet atëhere që, pas kaq e kaq shekujsh, ju ende nuk keni ndërtuar në ishull as edhe një rrugë të vetme?” Më nguli ca sy të çuditshëm, por jo gjatë, për të më thënë: “Po ne këtu s’jemi në Europë dhe s’kemi nevojë për rrugë!”

Kurse tek shqiptarët, ca më keq akoma. Që prej katër mijë vjetësh a më shumë, ata flasin gjuhën e tyre dhe ende nuk e shkruajnë atë.

Shqiptari kurrë nuk ka shkruar dhe kurrë nuk ka patur një libër të tij, si fshatari grek apo muzhiku sllav. Nuk po flas për libra modernë botuar nga propaganda italiane, greke, madje edhe turke me synim politik.

Folkloristë të Athinës dhe Epirit kanë botuar me germa greke këngë shqipe dhe rrëfenja popullore. Por alfabeti grek i përdorur në shqip është i pamjaftueshëm sepse i mungojnë dy a tre germa, j dhe v, për shembull. E njëjta vërejtje vlen edhe për turqit në përpjekjet e tyre.

Po e njëjta vërejtje dhe për librat shqip të shtypur me germa latine. Shqiptarë të greqizuar, që flisnin me lehtësi pothuaj të barabartë frëngjisht, greqisht e shqip, si lexuan një faqe të një broshure shtypur në Siçili, më thanë: “E kuptojmë si gjuhë, si të kuptonim greqisht me germa franceze.

Për ne është një ortografi artificiale dhe shumë nuanca të shqiptimit shqip nuk jepen. Por librat shqipe që përdorin germat greke janë shumë më të vështira për t’u kuptuar”.

Dhe kësaj mungese të një alfabeti praktik shqip i duhet shtuar dëmtimi i kësaj gjuhe gjatë tridhjetë shekujsh nga ndërhyrje dukurish të tilla që e ndryshojnë pa kuptuar fonetikën, si dhe nga prurja e vazhdueshme e fjalëve greke, turke, serbe, italiane apo nga të gjithë popujt me të cilët shqiptarët kanë qenë në lidhje.

Nga Shkodra në Himarë, gjuha vjen e ndryshon, ose të paktën në drejtim të prapashtesave dhe të shqiptimit, sepse Himara pothuaj është greqizuar. Po kush do të jetë gjuha e vërtetë? Ja pra vështirësitë për ortografinë. Dhe vetë kjo fjalë, “ortografi”, a është shqip? Shohim kështu të kapen pas njëri-tjetrit filologë, gjuhëtarë dhe gramatikanë.

E megjithatë, gjuha shqipe ekziston, e pasur me poezi shpërthyese, me përralla gjithë fantazi, me këngë djepi gjithë ngrohtësi, me këngë vaji, satirike a humoristike, si në llojin e pastishit të famshëm të Prosper Merimesë, apo me këngë dashurie e luftarake, që kujtimet e çmuara i kanë regjistruar prej shekujsh të paprekura në kujtesën e këtyre fshatarëve dhe malësorëve kaçakë që kurrë nuk kanë shkruar a lexuar një rresht të gjuhës së tyre. Ja pse ekziston nje Shqipëri.

Por këtë, nuk duhet t’ua kërkosh as grekëve që, ashtu si serbët e reduktojnë në një shirit toke midis liqenit të Ohrit dhe detit Adriatik, as diplomatëve të Romës apo të Vienës, që kanë arsyet e tyre për ta zgjeruar sa më shumë.

Më treguan një hartë austriake ku fjala “albanien” fillon në zemër të Malit të Zi, kur ky vetë aq i ngushtuar, dhe përfundon në det, më poshtë se ishulli i Korfuzit. Me një fjalë, krejt bregu nga gjiri i Kotorrit në gjirin e Artës.

Ç’përfitim për Austrinë sikur sulltani të kishte njohur me një marrëveshje të fshehtë protektoratin e saj në tërë këtë breg mbi treqind kilometra të gjatë!
Shqiptarët e idesë së madhe, sepse ka gjithashtu një ide të madhe shqiptare nuk do të guxonin të pretendonin aq shumë.

Shqipëria e madhe për ta është një territor i kufizuar nga një vijë shumë e çrregullt, me pikënisje Artën e Epirit, për t’u ngjitur në drejtim të Manastirit, pastaj drejt Shkupit, Gjakovës, dhe që andej drejt Shkodrës, kryeqyteti i tyre i vërtetë.

Dhe pretendimet e tyre mbështeten mbi një arsyetim shumë të habitshëm: “Gjithë vendi ku flitet shqip, është i yni, më thotë G., një shqiptar himariot.

Në fakt, gjuha jonë, si më e vjetra, përherë e më shumë është prapsur nga gjuhët e reja, duke i lënë vendin greqishtes ose serbishtes.

Nuk po flas për turqishten, ndaj së cilës është e kollajtë për t’u mbrojtur. E megjithatë, në Artë e në Janinë, madje edhe në perëndim të Manastirit e në Shkup flitet në radhë të parë shqip…”, thotë G., dhe këtu kuptohet përfundimi.

Nisur nga ky arsyetim, unë mund edhe t’i përgjigjesha: “Dafni, dhjetë kilometra larg Athinës, Menidhi, Eleusias [Elefsina] dhe ishujt më grekë nga vetë Athina, Salamina, Egineja dhe Porosi, ku vdiq Demosteni, qenkan ahere shqiptare”. Po a ia vlente? Më mirë të dëgjoja. Sepse të paktën, kështu mëson diçka.

Një tjetër, me mendim më të moderuar, që kërkon thjesht Shqipërinë, dhe jo Shqipërinë e madhe, përshkon me gisht një vijë mbi hartë.

“Shqipëria, thotë ai, kufizohet nga një vijë që do duhej të nisej nga pika më veriore e liqenit të Shkodrës, drejt Prizrenit, dhe që andej drejt Shkupit, dhe nga Shkupi shqiptar, duke lënë në të djathtë Manastirin, do t’i binte qark nga Jugu dy liqeneve të Ohrit e të Prespës gjer në jug të Haxhii-Sarandës përmbi detin Adriatik [Jon]. “

Po mua nuk më takonte në këtë mes të flisja, për më tepër që, për mendimin tim të ndrojtur, vetë Shqipëria nuk e di ku ndodhet me saktësi brenda kufijëve të saj, ndonëse ekzistenca e saj është mëse e sigurt.

Veçse është për të ardhur keq për paqen europiane dhe për zhvillimin industrial e tregtar të popujve të vegjël ballkanikë që Austria, e mbështetur nga ambiciet e pashpallura të aleates së saj, megalomanes Itali, dhe nga bajonetat gjermane mbron dhe nxit pretendime të tilla.

Që pas sukseseve të tyre të para dhe para se Austria ta shpallte tabu bregdetin adriatik, aleatët, për fat të keq, zunë e hallakateshin përherë e më shumë. Dhe, së bashku me ta, edhe ne.

Malazezët merrnin vijën Alesio [Lezhë] – Skutari – Gjakovë, serbët vijën Shkup – Prilep – Durrës dhe grekët vijën Manastir – Vlorë. Shqipëria vazhdonte të ekzistonte me Elbasanin dhe fushën e tij të pasur vaditur nga Genusosi [Shkumbini], me Beratin, apo me Beogradin e arnautëve, aq shumë e tkurrur.

Dhe ja ku Shqipëria shpall sot pavarësinë e saj dhe Austria ua ndalon serbëve dorën mbi Durrësin, dhe Italia, nga ana tjetër, grekëve mbi Vlorën. Të plotëfuqishmit e Londrës do kenë kështu një problem të koklavitur për t’u zgjidhur.

Si përfundim, Shqipëria ekziston në perëndim të Ballkanit. Është më e lashtë nga vetë Europa dhe prapë s’ka histori të vetën [si Shqipëri me kufij të përcaktuar]; ka gjuhë, po s’ka alfabet; ka kufij gjeografikë që e shfaqin territorin e saj sipas oreksit të palëve: ose sa një Mal i Zi, ose sa një Greqi. Dhe prapë, në disfavorin e saj.

Po me vete, ajo ka Austrinë e fuqishme që e lakmon për të mbajtur Adriatikun, dhe Italinë që e dëshiron me të madhe për të mbajtur nën kontroll edhe flotën austriake. Sigurisht që është shumë nga ana e tyre.

Ne francezët, për qetësinë e Europës, për përparimin e shpejtë dhe të vazhdueshëm të gadishullit, dhe në interesin e vetë katolicizmit – dhe këtu e kam fjalën për Serbinë – ne duhet të urojmë një Shqipëri të vogël, por zotëruese të vetvetes, të mbrojtur dhe të siguruar ndaj tekave të politikës midis një Serbie tepër të zgjeruar dhe një Hellade të fortë e të lulëzuar./njekomb

Louis Arnaud: Filipi, Aleksandri dhe Aristoteli ishin shqiptarë Read More »

Më pak se 2 përqind e njerëzve, e gjejnë se kush është vrasësi në këtë figurë

Misteret e vrasjeve janë shumë argëtuese, por vetëm në botën e letërsisë dhe kinemasë. A keni zgjidhur ndonjëherë ndonjë kuiz misteri?

Këto lloje misteresh nuk janë vetëm argëtues për t’u zgjidhur, por edhe i japin trurit tuaj ushtrimin aq të nevojshëm. Fatkeqësisht, ndërkohë që ne kujdesemi shumë për trupin, nuk bëjmë të njëjtën gjë për trurin.

Dhe nëse keni nevojë të bëni pak stërvitje për mendjen, ja një gjëzë që d i japë shtytjen që ka nevojë.

Shihni me kujdes figurën. Në të majtë është trupi i vdekur i një gruaje. Po, ajo është vrarë brutalisht, por pyetja është kush e ka bërë. Janë katër të dyshuar; a e gjeni dot cili është vrasësi?

Provojeni një herë ta gjeni dhe më pas, hidhuni një sy përgjigjeve më poshtë.

Vrasësi është Nr. 4. Sepse;

Thika (mjeti i vrasjes që ndodhet në krah të viktimës) mungon në tryezën e tij të ngrënies!

Rrobat i ka të zhubravitura (shikoni mëngën e këmishës), gjë që tregon se mund të ketë qenë në përleshje me dikë.

Në fund, në veshin e tij dallohet një njollë gjaku.

Më pak se 2 përqind e njerëzve, e gjejnë se kush është vrasësi në këtë figurë Read More »

Qosja: Me shkëmbim territoresh nuk ndahet Kosova, por lëviz vetëm kufiri i skajshëm verior

Akademiku Rexhep Qosja është përfshirë në debatin që po zhvillohet së fundmi për një shkëmbim të mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ku i ka dhënë mbështetje presidentit Thaçi.

Në një shkrim për dritare.net Qosja i ka arsyetuar deklaratat e presidentit Hashim Thaçi dhe ka kritikuar ata që kanë dalë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve.

“Mund të them se ata që kanë përdorur konceptin e shkëmbimit të territoreve dhe ata qe kanë përdorur konceptin e korrigjimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë nuk kanë menduar në asnjë menyrë, dhe kurrë, për ndarje të Kosovës. Shkëmbimii territoreve dhe korrigjimii kufirit nuk nënkuptojnë ndarje të Kosovës. Shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufirit nënkuptojnë lëvizje, në të vërtetë ndryshim të kufijve në skaje të Kosovës, në skajin verior të Kosovës”, ka thënë Qosja.

Ai ka thënë se togëfjalëshin Ndarje e Kosovës nuk e kanë përmendur ata që po akuzohen (Thaçi), por po i vardisen akuzuesit (Ndarjes së Kosovës), duke përmendur disa arsye sipas tij, pse po i bëjnë këto akuza (ndaj Thaçit).

“Mund të jenë disa arsye për këtë. E para, mosdija. E dyta, inatet, që shpesh përcakojnë përmbajtjen e mendimeve të disave prej atyre akuzuesve dhe, e treta, ndoshta kryesorja, përpjekja për të pastruar jetëshkrimin e vet politik në të kluarën e tyre të derivonshme”.

Qosja ka thënë se këta akuzues nuk i merr seriozisht, sepse mendimet e tyre të dikurshme i kanë ndryshuar pas çlirimit të Kosovës.

“Për të gjitha këto arsye pjesëmarrjen e këtyre akuzuesve në diskutimet që po bëhen për bisedimet e ardhshme të quajtura përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, sipas mendimeve të mija, nuk do marrë seriozisht. Në asnjë mënyrë unë këtyre akuzuesve nuk ua mohoj të drejtën që të ndërrojnë mendimet e tyre të dikurshme, të cilat cështë e vërteta i kanë ndërruar pas çlirimit të Kosovës prej pushtimit të Serbisë, por ua mohoj të drejtën që të akuzojnë të tjerët në vend se vetëveten e dikurshëm”.

Por, Qosja ka thënë se merr seriozisht përbërjen e delegacionit që po e përfaqëson Kosovën në bisedime ku sipas tij “mbizotërojnë diletantët”.

“Seriozisht do marrë këtë çështje: çështjen e delegacionit shqiptar që po merr pjesë dhe që do të marrë pjesë në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Kosova ka historianë, ka juristë, ka gjeografë, ka antropologë, ka politikanë, ka intelektualë, me përgatitje të ndryshme historike e të përtashme për të gjitha problemet e çështjet që mund të ngriten në ato bisedime. Por në grupet që deri tani biseduan në Vjenë e në Bruksel e që po bisedojnë edhe tani në Bruksel për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë pothuajse mbizotërojnë diletantët. Prej tyre jo pse nuk do të donin, por pse nuk dinë, nuk mund të pritet ndonjë e mirë për Kosovën”.

Akademiku ndër të tjera ka thënë se “faktorët ndërkombëtarë nuk do t’u pranojnë të drejtën e vetëvendosjes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe t’u mohojnë të drejtën e vetëvendosjes serbëve të Veriut të Kosovës”.

Ata që janë kundër shkëmbimit të territorit, sipas Qosjes duhet ta dinë se “deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njerën edhe tjetrën”.

“Le të thuhet në fund, prandaj, se ata që janë kundër shkëmbimit të territorit mes Luginës së Preshevës duke përfshirë Preshevën, Bujanocin e Medvegjen dhe Veriut të skajshëm të Kosovës, te Mitrovica, deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njerën edhe tjetrën: Luginën e Preshevës si pjesë të Serbisë, kurse Veriun e Kosovës si autonomi substanciale ( si pavarësi) në të cilën pushtetarët e Kosovës, si edhe tani, do t’i përkulen monumentit të madh të Knjaz Llazarit”, përfundon shkrimin e tij Rexhep Qosja./Telegrafi/

Qosja: Me shkëmbim territoresh nuk ndahet Kosova, por lëviz vetëm kufiri i skajshëm verior Read More »

9 fakte shkencore që tregojnë se çokollata është e shëndetshme

Çokollata është e njohur në të gjithë botën si një ushqim i ëmbël dhe i përdorur gjerësisht.

Këto janë përfitimet që ofron kjo ëmbëlsirë e shijshme, transmeton KP/

Redukton rrezikun e sulmit në zemër

Një studim suedez në fund të vitit të kaluar tregoi se gratë që hanë më shumë se 45 gramë çokollata në javë kanë një shans 20% më pak të sulmit në zemër sesa ata që nuk hanë çokollatë.

Forcon zemrën

Çokollata ul presionin e gjakut, kolesterolin dhe zvogëlon shanset e sëmundjeve kardiovaskulare.

Largon urinë

Çokollata e errët gjatë ditës është shumë e shëndetshme nëse nuk keni kohë për një drekë cilësore.

Ndihmon në luftën kundër diabetit

Kohët e fundit, kërkimet italiane kanë treguar se njerëzit që vazhdimisht hanë çokollatë rrisin ndjeshmërinë e organizmit ndaj insulinës dhe kështu zvogëlojnë rrezikun e diabetit.

Mbron lëkurën

Çokollata e errët përmban një antioksidant të quajtur flavonoid, i cili siguron një lloj mbrojtjeje kundër rrezatimit UV.

Ndalon kollitjen

Nëse nuk mund ta ndaloni kollën, merrni një kub me çokollatë. Një komponent i çokollatës që quhet teobromin ul aktivitetin e nervit vagus në pjesën e trurit përgjegjës për “shkaktimin” e kollës.

Përmirëson disponimin

Adhuruesit e çokollatës janë më pak të stresuar se të tjerët, dhe një studim në SHBA në vitin 2010 thotë se ata kanë shumë më pak shanse të vuajnë nga depresioni.

Mban përqendrimin

Përbërja e flavonoideve në çokollatë i bën njerëzit të zgjuar, kështu që ata përqendrohen shumë më shumë në detyrat e tyre të përditshme.

Përmirëson shikimin

Dihet se çokollata përmirëson pasqyrën e gjakut dhe hulumtimet e fundit të SHBA kanë treguar se ndikon edhe në përmirësimin e shikimit.

9 fakte shkencore që tregojnë se çokollata është e shëndetshme Read More »

Kura me 8 kokrra trëndafil të egër për shëndetin e gjithë organizmit

Trëndafili i egër (Rosa Canina) është një ndër bimët medicinale më të çmuara për nga vlerat e forta shëndetësore.

Shqipëria është një nga vendet e bekuara me këtë super bimë.

AgroWeb.org  ju sjell më poshtë një kurë të vjetër popullore me përbërës trëndafilin e egër.

Kjo kurë trajton shumë sëmundje në veçanti si reumatizmën, diabetin, problemet me zemrën, por mund të përdoret nga të gjithë pasi është krejt e shëndetshme dhe pa efekte anësore.

Rekomandohet që kjo kurë të përdoret për 30 ditë rresht, ndalet për dy javë, e më pas rifillohet prapë për 30 ditë të tjera.

Përgatitja e Kurës me Trëndafil të Egër

Për përgatitjen e kësaj kure duhet të shtypni 8 kokrra trëndafil të egër të freskët ose të thatë dhe t’i zjeni në një filxhan çaji ujë.

Masën zjeheni për 15 minuta. Më pas, lëreni të ftohet, nëse preferoni mund ta ëmbëlsoni me pak mjaltë.

Këtë kurë mund ta përsërisni dhe ta pini 2-3 herë gjatë ditës.

Parandalon diabetin

Ekspertë të bimëve mjekësore e kanë përdorur shpesh trëndafilin e egër për të trajtuar sëmundje të diabetit.

Sipas studimeve të cilave i referohet AgroWeb.org ethanoli tek trëndafili i egër shërben si antioksidant, hipoglicemik dhe anti-diabetik.

Rezultatet e eksperiementeve i bënë ekspertët më optimistë për përbërësit e trëndafilit të egër dhe vlerat e tyre kundër diabetit.

Ndihmon punën e zemrës

Trëndafili i egër përmirëson shëndetin e zemrës tek pacientët obezë. Sipas të dhënave, të cilave I referohet AgroWeb.org trëndafili i egër ul nivelin e tensionit të gjakut dhe kolesterolin e keq. Si rrjedhojë trëndafili i egër ul shanset për sëmundjet vaskulare dhe vdekje si pasojë e këtyre sëmundjeve.

Shumë studime janë bërë tek njerëzit mbi peshë që kishin nivele të larta të kolesterolit dhe të tensionit dhe zbuluan rolin pozitiv dhe superior të trëndafilit të egër në krahasim me ilaçet farmaceutike për këto dy simptoma.

Lufton të ftohtin

Trëndafili i egër ka një përmbajtje të lartë të vitaminës C. Si rrjedhojë mund të përdoret në kurat kundër të ftohtit. Për më tepër trëndafili i egër i vjen në ndihmë gjakut dhe kockave.

Trajton problemet e lëkurës

Përdorimi i ekstrakteve të trëndafilit të egër është mjaft i mirë në trajtimin e disa problemeve të lëkurës. Vajrat e trëndafilit të egër janë terapeutike. Shuajnë njollat e lëkurës, e hidratojnë atë dhe zbut shenjat në lëkurë.

Trajton çrregullimet në stomak

Trëndafili i egër mund të përdoret për të trajtuar sëmundjet e stomakut, spazmat, irritimet dhe ulcerat.

Kryesisht është përdorur si një tonik për stomakun dhe për tretjen. Ai ka qetësuar dhe trajtuar probleme dhe simptoma si diarea, zorrët, fshikëzën e urinës dhe infeksionet në traktin urinar.

Forcon sistemin imunitar

Trëndafili i egër është një nga elementët që duhen përdorur në mekanizmat mbrojtës të trupit.

Parandalon infeksionet bakteriale dhe virale. Lufton temperaturën, forcon funksionet imunitare, lodhjen, rrit qarkullimin e gjakut në gjymtyrë, rrit fluksin e qarkullimit të ujit në trup dhe shuan etjen./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Kura me 8 kokrra trëndafil të egër për shëndetin e gjithë organizmit Read More »

Ikën edhe 1.3 milion USD, u paguan borxhet e marra nga Nano e Berisha në vitet 1991-1998

Shtetarët vjedhin, populli paguan

Shqiptarët paskan “lindur” për të shlyer borxhet e shumta, që qeveritarët i marrin në emër të ekonomisë dhe mirëqenies së popullit, por që nuk ka ndodhur kështu dhe prej 27 vitesh po paguajmë taksa, për të paguar kreditë e marra tek bankat dhe konsorciumet e huaja për lobime partiake, rrugë, blerje energjie, shkolla, spitale, investime për mos përmbytje nga lumenjtë, blerje helikopterësh e lloj-lloj shpenzimesh të tjera, por që shtetarët i kanë bërë pasuri, biznese e luks për vete dhe shtatë brezat e ardhshëm të tyre.
Defterët e “listës së zezë” të detyrimeve financiare që ka shteti shqiptar nëpër botë, janë hapur dhe dje, me 2 korrik 2018, ka hyrë në fuqi ligji për shlyerjen e një borxhi të marrë nga Nano, Berisha e Majko në vitet 1991-1998, si detyrim shërbimesh në favor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).


Vlera e borxheve, që kryeministrat shqiptarë i kanë marrë 20-27 vite më parë, kur Berisha ishte sa Majkua dhe Majko ishte “Gjino”, do të paguhen tani që Majko është bërë gjysh në parlament dhe kapin shumën 1 288 348,27 (një milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e tetë, presje njëzet e shtatë) USD.

Ja Ligji Nr. 35/2018 datë 21. 06. 2018 “Për pagesën e detyrimeve të prapambetura në favor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”

Kryerjen e pagesës për aksionet e nënshkruara (paid-in) dhe të pa paguara nga shteti shqiptar, të periudhës 1991–1998, në favor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Shuma prej 1 288 348,27 (një milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e tetë presje njëzet e shtatë) USD paguhet nga buxheti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me një këst, brenda vitit 2018.

Shpallur me Dekret Nr. 10820, datë 28.6.2018 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta/Pamfleti

Ikën edhe 1.3 milion USD, u paguan borxhet e marra nga Nano e Berisha në vitet 1991-1998 Read More »