Gjatë sezonit veror të këtij viti, për periudhën 1 qershor-13 gusht janë regjistruar 1531 biznese të reja në zonat turistike.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ky numër është 58% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Në qytetin e Sarandës ka patur një rritje me rreth 44% të bizneseve të reja, në qytetin e Lezhës me rreth 33% të bizneseve të reja dhe në qytetin e Vlorës, një rritje me rreth 24% të bizneseve të reja.
Administrata Tatimore vazhdon të jetë e fokusuar me prioritet në zonat turistike, për të garantuar zhvillimin e konkurrencës së ndershme, rritjen e të ardhurave, si dhe reduktimin e shkallës së informalitetit.
Po ashtu, Administrata Tatimore siguron se do të vazhdojë t’ju vijë në ndihmë tatimpaguesve, në respektimin e detyrimeve ligjore, si dhe duke u kujdesur për të siguruar transparencën e kërkuar nga turistët./atsh
ë ditën Botërore të Fotografisë, ministria për Europën dhe Punët e Jashtme inkurajon qytetarët të tregojnë bukuritë e Shqipërisë, duke postuar foto në “Colours of Albania”.
“Një foto vlen më shumë se një mijë fjalë. Vazhdoni t’i tregoni bukuritë e Shqipërisë duke postuar foto me #coloursofalbania”, thuhet në faqen zyrtare të ministrisë së Europës.
Fotografia i ka fillesat tek shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë dot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.
Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ‘ngrijnë’ momentet.
Në historinë e fotografisë shqiptare vlen të përmendet fototeka “Marubi” që përfshin fotografi të vjetra më shumë se 150 viteve që ruhen në Shkodër. /atsh
“Toka e Shqiponjave” duket se ka zgjedhur rrugën e duhur për rimëkëmbjen e saj ekonomike: atë të një territori të ndodhur në një pamje të bukur të Mesdheut, në kufirin midis Jonit dhe Adriatikut, që më në fund ka arritur të përmirësojë gjendjen e saj detare dhe turistike pas dekadave të gjata të diktaturës komuniste.
Turizmi në Shqipëri është bërë tashmë një temë debati midis institucioneve politike dhe komerciale të “Tokës së Shqiponjave”.
Kështu e nis artikullin e botuar në përditshmen italiane “Magazine”, presidenti i Institutit të kërkimit të Ekonomisë dhe Politikës Ndërkombëtare, Domenico Letizia.
Fluksi i vazhdueshëm turistik që shikon Shqipërinë protagoniste absolute ka krijuar një rrjedhë të vazhdueshëm të kapitalit për investime të shumta në sektorët e mikpritjes dhe hotelerisë.
Flukset turistike, vazhdimisht në rritje në Shqipëri, kanë çuar gjithashtu në një rritje të kërkesës për ndërtimin e hoteleve në vend. Vetëm në vitin 2017 janë dhënë leje për ndërtimin e 53 hoteleve, në një sipërfaqe totale prej 89 mijë metra katrorë.
Kjo, 6 herë më e lartë se ajo e ndarë në objektet e akomodimit në vitin 2016. Vetëm në Tiranë po punohet për ndërtimin e një hoteli të madh me 5 yje, një investim prej rreth 30 milionë euro. Edhe “Hilton Garden Inn” gjithashtu po punon për një hotel të ri në kryeqytetin shqiptar. Shumica e lejeve të ndërtimit kanë të bëjnë me ndërtimin e strukturave hoteliere në bregdet. Qeveria shqiptare ka miratuar kohët e fundit lehtësira fiskale për ata që ndërtojnë hotele me 5 yje, duke i përjashtuar ato nga një sërë taksash.
Kryeministri Edi Rama në fillim të sezonit të verës theksoi se “masat e marra kohët e fundit nga qeveria në mbështetje të turizmit do të ndihmojnë zhvillimin në këtë drejtim të Shqipërisë”. Në mënyrë të veçantë, reformat e thella janë të lidhura me taksën e turizmit, e cila është reduktuar në 6% nga 20%. Pa harruar përjashtimin e pagesës së TVSH për hotele luksoze me 4 ose 5 yje. “Këto janë nisma konkrete, të cilat qeveria i sjell në mbështetje të zhvillimit të këtij sektori”, thotë Kryeministri shqiptar. Qëllimi i qeverisë është ta transformojë Shqipërinë në një destinacion kryesor turistik në Mesdhe.
Ndër projektet në zhvillim për promovimin e turizmit, Kryeministri ka nënvizuar ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës. “Tuneli është një domosdoshmëri strategjike për të përmirësuar dhe shkurtuar distancën me bregdetin jugor”, ka përsëritur Rama, “ndërsa aeroporti i Vlorës do të jetë një hyrje dhe dalje për Shqipërinë, duke lehtësuar udhëtarët dhe turistët që duan të ndalojnë në jug të vendit tonë “.
Për më tepër, katër muze të rinj janë ndërtuar vitet e fundit. Në Tiranë, bunkerët e famshëm të kohës komuniste janë shndërruar në muze të vërtetë, si “Shtëpia e Gjetheve”, ku diktatura komuniste ka kryer aktet më të neveritshme. Është një ndërtesë jo shumë larg sheshit qendror të Tiranës, Sheshit Skënderbej, ku midis viteve 1944 dhe 1990 mijëra shqiptarë u morën në pyetje dhe torturuan nga shërbimet sekrete të regjimit komunist. I fshehur plotësisht nga pemët të gjithë e njihnin, por askush nuk e dinte saktësisht se çfarë ndodhte brenda.
I braktisur pas rënies së regjimit, “Shtëpia e Gjetheve” u rindërtua nga arkitektja italiane Elisabetta Terragni dhe dokumentet e gjetura brenda saj u bënë publike, siç janë procesverbalet e gjykimit të famshëm politik dhe përgjimet telefonike të kryera me pajisje të sofistikuara elektronike. Nga këtu, ministritë, ambasadat dhe hotelet kryesore kontrolloheshin me lidhje direkte në çdo dhomë të vetme. Pas Tiranës, kryeqytetit, Durrësi është qyteti i dytë shqiptar në aspektin e historisë dhe numrit të banorëve. Këtu gjenden amfiteatri romak, një forum bizantin dhe muzeu arkeologjik.
Bashkia shpenzon 8 milionë euro në vit për të rikualifikuar ndërtesat dhe strukturat. Burime të mëdha janë të destinuara për modernizimin e rrjeteve elektrike dhe të kanalizimeve: pastruesi i Durrësit, një impiant i gjeneratës së fundit, u realizua nga një kompani nga Puglia.
Megjithatë, shumica e përpjekjeve janë të përqendruara në port. Ashtu siç thekson kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, “ai duhet të jetë i qytetarëve”, sepse nuk është më vetëm industrial, por një impiant i destinuar për publikun, që përfshin edhe kroçerat.
Flukset kryesore turistike në Shqipëri mbeten të përqendruara përgjatë më shumë se 450 kilometrave të bregdetit Adriatik dhe Jon, ku është në zhvillim e sipër oferta e shërbimeve për turizmin e verës, i cili këtë vit shënoi një rekord të ri të pranisë së të huajve në vend.
Duke ofruar kushte të mira dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit detar, edhe pse aktualisht infrastruktura është pak e zhvilluar.
Në periudhën janar-qershor të këtij viti, vizitorët që mbërritën në Shqipëri nga jashtë kanë tejkaluar pragun e 1 milion e 900 mijë njerëzve që kanë qëndruar në “Tokën e shqiponjave”, në shumë raste kthehen nga një vit në tjetrin ose gjatë periudhës së njëjtë gjashtëmujore. Hyrja në sezonin e verës ka rritur intensitetin e ardhjeve, të cilat në muajin qershor të këtij viti kanë prekur gjysmë milioni vizitorë, duke u rritur me 13.3% krahasuar me të njëjtin muaj të 2017 dhe kundrejt një mesatare prej + 9.1% në krahasim me tërë gjysmën e parë të vitit 2018.
Midis vizitorëve, në vend të parë janë qytetarët e Kosovës me 566.263 vizitorë në periudhën janar-qershor të këtij viti.
Bumi i vërtetë është ai që vjen nga vendi tjetër fqinj, Maqedonia, me 285,758 vizitorë në 6 muajt e parë: më shumë se 15,5% në gjashtë muaj dhe madje më shumë se 58,3% vetëm në qershor .
Në vendin e tretë, fqinji i jugut të Shqipërisë: Greqia. Nga gadishulli i Peloponezit, 221.144 turistë arritën në gjashtë muajt e parë, në rritje prej 10.5%. Ndërsa përsa i përket Italisë, renditja jonë duket e dyfishtë: e pesta pas Malit të Zi, duke iu referuar totalit të 6 muajve të parë të vitit; e katërta pas Greqisë, në lidhje me muajin qershor, në të cilin filloi sezoni turistik bregdetar dhe detar.
Nga janari deri në qershor, në Shqipëri erdhën 139,702 vizitorë italianë më shumë se 6.6%), nga të cilët 34,838 nga të cilët vetëm në muajin qershor më shumë se 5,6%).
Një gjë është e sigurt: institucionet shqiptare e shohin fenomenin turistik me interes ekstrem, si për potencialin ekonomik të turistëve, ashtu edhe për promovimin e investimeve të shumta në mikpritje dhe rikrijues.
Elementë thelbësore për ekonominë dhe rritjen infrastrukturore të vendit ballkanik./atsh
Bexhet Rrapo (Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tërbaçi”)
Fshati i Tërbaçit njihet nga më të hershmit në krahinën e Labërisë e Luginën e Mesaplikut të Vlorës. Ai ndodhet midis kurorës së maleve të Stogoit, Qores, Çikës, Bogonicës, Kunjovës, Çipinit e Tartarit, në pjerrësinë jugore të vargmalit të Lungares, rrëzë malit, në lartësinë 552 m mbi nivelin e detit. Mali i Çikës me lartësi 2050 m e kufizon atë me fshatrat e Bregut.
Terreni i tij dhe përreth fshatit është fushor, kodrinor dhe malor i thyer me pyje e shkurre vende – vende të zhveshura. Nga perëndimi ai kufizohet me malet e fshatit Brataj deri në qafën e Shëngjergjit, ku kufizohet me fshatin Dukat. Nga veriu kufizohet me fshatin Brataj dhe nga jugu me fshatin Vranisht e malin e Çikës, pas të cilit ndodhen fshatrat e Bregut. Fshati shtrihet në lartësi, nga 200 m e deri në 2000 m mbi nivelin e detit. Si pasuri kryesore zona ka bagëtinë e imët dhën e dhi. Fshati ka plot kullota verore dhe dimërore, në kodrat me shkurre e pyje dhe malet e larta. Banorët e fshatit Tërbaç, shquhen për tradita të mira në mbarështimin e blegtorisë.
Malet e Tërbaçit janë shumë të mira si kullota, për të veruar e vjeshtuar me mijëra krerë dhen e dhi. Pra, blegtoria e saj nuk e ka të domosdoshme për të shtegëtuar në zona të tjera të largëta. Tërbaçi në kuptimin e përgjithshëm, është me një terren tërësisht të thyer malor. Në aspektin fizik, territori ka mundësi tepër të kufizuar komunikimi. Si i tillë ai përbën një ekosistem tërësisht të veçantë dhe i ndryshëm nga të tjerët, çka i jep karakteristika të tipizuara fshatit dhe e bën atë me emër në të gjithë krahinëne Labërisë.
Emri i Tërbaçit shfaqet për herë të parë në vitet 350 të erës së re dhe i përket fisit ilir, dega e Labjonëve. Paraardhësi i tyre është Gjin Kriqi, i cili përbën edhe familjen fshat-formuese.
Në këto troje, ndoshta edhe nga karakteristikat natyrore, janë rritur burra e gra me karakter të fortë e të besës. Ata vazhdimisht kanë luftuar në mbrojtje të territoreve të tyre si dhe atyre kombëtare. Në vitet 1700-1900, janë dalluar si prijësa e luftëtarë, Lulo Abazi, Labe Aliu, Shako Xhaka, Zenel Hodo, Dulo Koka, Miro Tërbaçe, Gego Bobja, etj. Këta luftëtarë me çetat e tyre kanë bashkëpunuar me çetat e tjera të Labërisë, Mallakastrës, Himarës, etj.
Nga Tërbaçi kanë marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë më 1912, në mbështetje të Ismail Qemalit; në Revolucionin e Qershorit 1924, në Luftën e Vlorës, më 1920 me komandant çete, Selman Gjodedaj.
Në Luftën Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazi-fashist, kanë marrë pjesë mbi 250 vetë, duke u rreshtuar përkrah Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar.
Në luftërat për liri e pavarësi kanë dhënë jetën 102 veta, janë shpallur dëshmorë 61 veta. Tërbaci ka 4 heronj populli: Halim Xhelo, Hysni Kapo, Haredin Bylyshi e Vehbi Hoxha dhe 3 Heronj të Punës.
Tërbaçi është fshati i bashkimit, unitetit, i besës dhe mirkuptimit. Ai kurrë nuk ka qenë shkaktar konfliktesh me fshqinjët. Tërbaçi është fshati që i dha besën 13 birbilejve dhe i strehoi në truallin e tij duke u përballuar me ushtarët turq.
Tërbaçi është nga të vetmit fshatra të lumit të Vlores dhe Labërisë që mbas Luftës Nacionalçlirimtare nuk cilësoi asnjë kundërshtar politik. Nisur nga këto virtyte të komunitetit Tërbaçiot dhe emrit Tërbaç, disa e shpjegojnë se vjen nga fjala tërë-bashkë.
Në vitet ‘90 u bë ndryshimi i sistemit ekonomiko-shoqëror, nga ai i centralizuar në sistemin pluralist demokratiko-kapitalist. Këto ndryshime Tërbaçi i mbështeti. Por ky ndryshim, krahas të mirave që pruri, si ajo e levizjes së lirë që ishte e domosdoshme, boshatisi fshatin. Kjo çoi në largimin e njerëzve nga vendlindja, gjë që rrezikonte të harrohej vetë kjo e fundit dhe vlerat e saj historike, për të cilat folëm edhe më lart, si dhe të ndërpriteshin lidhjet me njëri-tjetrin. Ishte kjo arsye, që një grup intelektualësh tërbaçjot në vitet 1998-2000, krijuan Shoqatën Atdhetare dhe Kulturore “Tërbaçi”, kryetari parë i saj do të ishte intelektuali Gëzim Arshi Xhelili, kurse vendimi i parë i marrë do të ishte një takim në Tërbaç, duke e pagëzuar me emrin “Takim brezash“, shumë kuptimplotë e përbashkues. Qëllimi i këtij takimi ka qënë dhe është bërja bashkë e gjithë tërbaçioteve në një ditë të caktuar dhe në moment të përshtatshëm për të gjitha shtresat dhe moshat duke mos privuar asnjë. Do të ishte më keq në qoftë se do t’i përshtatesh vetëm një shtrese.
Ky aktivitet, “Takimi i brezave“, po bën 16 vite që organizohet nga shoqata Tërbaçi. Që në takimet e para ky ishte mjaft mbresëlënës. Këtu në Tërbaç vinin nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, takoheshin me bashkëfshatar e të afërm, me te cilët kishin shumë vite pa u parë. Në kushtet e emigrimit jashtë shtetit, ky takim ishte shumë më i domosdoshëm për djemtë e vajzat e Tërbaçit, të cilët në vitet e para nuk kishin as dokumente të rregullta për të ardhur pranë familjeve dhe jo më të takonin shumë miq e të afërm që jetonin si në Shqipëri, por edhe jashtë: Greqi, Itali, Angli, Amerikë e deri në Zelandën e Re. Pra ky takim jepte mundësinë e çmalljes me njëri-tjetrin.
Efekti i këtij takimi brezash është i gjithanshëm. Krahas çmalljes me njëri-tjetrin, rëndësi merr edhe njohja apo vizitat në vendet historike, vendosja e buqetave me lule tek ata që kanë dhënë jetën për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë dhe Tërbaçit, kjo sidomos për më të vjetrit. Shoqata po punon që edhe të rinjtë, deri tek nxënësit e shkollave të njihen me këto vlera e kontribute për vendlindjen dhe historinë. Sa më shpesh që të takohen me këto vende historike e vlera kulturore, aq më shumë do t’u nguliten në kujtesën e tyre. Njohja e brezit të ri me vlerat historike është një investim i madh për të ardhmen.
Qeni i Tërbaçit, si një simbolikë e vendit të origjinës
Në Shqipëri njihen dy raca qenësh që janë unikalë edhe në botë, qeni i Sharrit dhe qeni i Tërbaçit. Në këtë rast do të flasim për qenin e Tërbaçit, që përbën një simbolikë dhe një vlerë të shtuar për vendin e origjinës së tij.
Shpesh, në Labëri përdoret shprehja: “Ma ke kokën si qen Tërbaçi”! Natyrshëm lind pyetja, se përse qentë e kësaj treve janë mbartës të emrit të këtij fshati të zonës së Lumit të Vlorës? Barinjtë tërbaçiotë kanë arritur te krijojnë një tip qeni me nam. Ata i mbanin qentë të ushqyer mirë dhe i mësonin të bëheshin të egër. Qeni i Tërbaçit është shumë i afërt gjenetikisht me ujkun. Si i tillë ai është i lashtë e primitiv, i papërpunuar dhe i pakryqëzuar, rrjedhimisht autokton, sipas studimeve, rezulton se është i lashtë prej rreth 24 shekujsh. Struktura gjenetike qenit të Tërbaçit ka ngelur e pacënuar. Jo vetëm për ta ruajtur, por edhe për ta fuqizuar qenin e tyre, bariu tërbaçot në shekuj ka përdorur në mënyrë empirike, por me shumë rezultat, parimet kryesore të seleksionimit e të çiftëzimit të kafshëve. Mësohet se ata kanë përdorur me sukses në këtë drejtim, çiftëzimin e bushtrave të staneve me ujkun e malit, gjë që njihet edhe shkencërisht.
Përveç kësaj, intuita dhe zgjuarsia natyrore e barinjve tërbaçot, shkonte më tej në “edukimin” e qenve. Këlyshët mbaheshin 1,5-2 vjet brenda në katua në errësirë të plotë dhe larg njerëzve e kafshëve të tjera. Kjo, derisa ata të bëhen të aftë si qen roje stani. Si njeri i vetmuar gjithmonë nëpër male, gërxhe apo livadhe, ditë e natë pas bagëtisë, çobani tërbaçiot detyrohej të kishte të paktën tre “shokë” të përhershëm dhe të pandarshëm: qenin, kërrabën dhe culen (fyelli, xhura).
Miro Tërbaçe, amazona e trimërisë labe
Në luftërat e vazhdueshme për liri, pavarësi e drejtësi shoqërore, krahas trimave kordhëtarë të kryengritjeve popullore, bij të shpatës shqipëtare, kanë luftuar edhe gratë.
Legjenda Miro Tërbaçja është heroinë popullore, që doli nga gjiri i Labërisë, u vesh si djalë, u ngjesh me jatagan si burrat, sepse, mbeti e vetme në familje, pa nënë, pa baba, pa vëlla. Babai i saj Kostë Strati u vra nizam në hapësirat e shkreta të Perandorisë Osmane, ndërsa vëllain, Skëndon ia vranë në Bramyshnjë të Tërbaçit administratorët shërbëtorë të Perandorisë së Murme Osmane. Vajza u betua se do të mirrte hak, të çonte nderin e familjes në vend. Nga person i thjeshtë ajo u kthye në personazh epik, në faqet e historisë dhe në gjirin e këngës epike, të epikës historike. Ajo tregoi një akt të lartë në shërbim të atdhetarizmit. Mirua u betua se do të merrte hak. Preu flokët si djalë, hodhi pallën e argjendtë mbi supe, e veshur si burrë, u vu në ndjekje të gjurmëve të vetë sundimtarit, hipur mbi kalin e saj të shpejtë si era e vetë vetëtimë mbi të, e shoqëruar me kalorës të tjerë tërbeç. Në Vlorë s’e gjeti. U hodh në Mallakastër, kaptoi qafën e Sinjës e zbriti në sarajet e rënda, e ballëpërballë me pallatin e Pashait, ky qe strukur sanxhaktari i Vlorës. Rrufeshëm këtu funksionoi intuita e Miros Kapedane. U kërkoi rojave të sigurisë një takim me sundimtarin e Vlorës, mbasi do t’i dorëzonte një letër shumë sekrete dhe koha nuk priste. Ata e hëngrën (e besuan). Sundimtari po zbriste. Dy plumba në ballë i nisi Mirua dhe ai ra në vend i vdekur. Kjo shqiponjë mali i shoqëroi krismat e kobures me fjalët: “Po të kthejmë borxhin, o sanxhaktar, se shumë ta kemi vonuar!”. Dhe u kthye si suferinë, bashkë me trimat e saj për në Labëri. Në Dhemblan ndodhet varri i kësaj atdhetareje. Në Tërbaç, Flamur Lushaj, si një nga pinjollët e sotëm të mëhallës së Strate, ka mundësuar ngritjen e një shtatorje të Miros në sheshin qendror, në ballkon të fshatit, si dhe ka bërë një varr simbolik me dhè, marrë atje ku mendohet se prehet Mirua, në varret e fisit Meçaj, te dajorit e saj, në Dhemblan.
Në Tërbaç, Lumin e Vlorës dhe në të gjithë Labërinë populli ka përcjellë gojë më gojë e brez pas brezi aktin e saj heroik të Miro Tërbaçit. Ja ç’thotë një variant i saj:
E shkreta Miro Tërbaçe,
Moj e rritura bonjake,
me lakëra burdullake.
nëpër dyer të Tërbaçe;
Ike, te berberi vajte:
“O berber, ore vëllamë,
premi çepetë si djalë,
se do vë dyfek e kamë,
do marr hakë për babanë,
për baban’ e për vëllanë!
dhe për kushurin’ e parë,
për të gjithë shqipëtarë.
Qëllove mbi pashallarë,
Tërbaçit se ç’i le namë!…
Tërbaç (Tërë bashkë)
Kronika e takimit të sivjetshëm
Si çdo vit edhe sivjet, shoqata Tërbaçi mori masat e nevojshme për ta organizuar sa më mirë këtë takim me 20 gusht. Nuk u mjaftua vetëm me organizimin e ndonjë dreke, por u zhvilluan edhe veprimtari të tjera brenda këtij formati, për ta bërë takimin sa më të larmishëm për të gjithë pjesëmarrësit.
Siç dihet, Tërbaçi në të kaluarën është dalluar për grupet folklorike, djem dhe vajza, por koha bëri që ato të pushojnë. Për t’i riaktivizuar iu bë thirrje disa ish-pjestarëve të grupit të vajzave 1974-1978, si Shpresa, Margarita e Liliana Kapo, Baftie Dauti, Shpresa Abazi, Hava Çela e Lavdie Xhaka. Ato u treguan të gatshme, filluan përgatitjet dhe kënduan disa këngë për bashkëfshatarët e tyre, të cilat u mirëpritën për interpretimin e mrekullueshëm. Mësuesja e apasionuar Albana Gjika, si edhe herë të tjera, me kërkesë të shoqatës, organizoi një grup nxënësish me recitime nga krijimtaria e autorëve tërbaçjotë.
Në ambientet e ish-shkollës 8-vjeçare, tashmë e mbyllur, para 12 vjetësh, ishte hapur një muze i vogël historik për Tërbaçin. Me dëmtimin e shkollës edhe ky i fundit kishte pësuar dëmtime. Duke e vlerësuar si të domosdoshëm, shoqata Tërbaçi, punoi dhe e ribëri atë me disa investime modeste. Për ta shpënë në parametra normalë, u freskuan shumë materiale figurative, u zëvendësuan stendat e dëmtuara si dhe u bënë stenda të reja duke i shoqëruar edhe me materiale të reja. Në qendër është historia e heronjve, dëshmorëve dhe luftëtarëve tërbaçjot, në të gjitha kohërat.
Fjalën e mirëseardhjes në takimin e këtij viti e mbajti kryeplaku Arben Abazi, kurse kryetari i shoqatës Tërbaçi, Bexhet Rrapo, ku foli për vlerat historike të Tërbaçit si dhe punën e bërë nga shoqata. Përshëndetën gjithashtu, Hasan Hoxha, nënkryetar i shoqatës Tërbaçi; Flamur Çela, anëtar i kryesisë dhe kontribues financiar; kryetari i veteranëve të Tërbaçit, Izmir Kapo, Lavdie Nanaj, në emër të shoqatës atdhetare kulturore “Labëria”; përfaqësuesi i bashkisë Himarë, Thoma Seva; veterani nga Tirana, Ali Xhaka etj. Momenti më i bukur ishte drekimi vëllazëror në vendlindje të ndarë grupe-grupe shoqërore apo familjare.
Pjesëmarrja ishte më e mirë se vitet e tjera gjë që i dedikohet vlerësimit të vetë tërbaçjotëve, por edhe organizimit të mirë nga drejtuesit e shoqatës Vlorë, Tiranë e Fier.
Ky takim kishte shumë të veçanta, por më e rëndësishme ishte pjesëmarrja e disa përfaqësuesve të fiseve të larguar prej shumë vitesh nga Tërbaçi, rreth 200-300 vjet si, Siri Petani nga Petanajt dhe Ibrahim Lutaj nga Lutajt (Baçoj). Po ashtu mund të thuhet edhe për Veli Bufin, i cili është aktivizuar në shoqatën Tërbaçi nga fillimi.
“Mirë u takofshim vitin tjetër”! – ky ishte urimi në ndarje nga të gjithë pjesëmarrësit.
Veledin Bilbili e la me gisht në gojë Sigurimin e Shtetit në vitin 1948, ndërsa kishte vajtur ta arrestonte në shtëpinë e tij në Dukat. Ai doli nga një derë e fshehtë e shtëpisë dhe u arrtis. Në prill të vitit 1949, zbarkoi nga një nëndetse në Karaburun dhe mori 9 shokë ideali antikomunist, ndërmjet tyre edhe baban e gjeneralit famëkeq Halim Xhelo që kishte vajtur në Dukat të arrestone të atin.
Kjo ikje e tërboi Sigurimin e Shtetit dhe ushtroi raprezalje çnjerzore mbi famijet dhe bazat e të arratisurve…
Nga Enver Lepenica
1.Organizat Antikomuniste “Rilindja Kombëtare”
Kur Shqipëria ra nën robërinë komuniste, asnjëherë nuk u shuan shpresat e Shqiptarëve për të këputur këta zinxhirë. Edhe në Vlorë ka pasur disa lëvizje e më e rëndësishmja është Organizata “Rilindja Kombëtare”.
Nëse ju referohemi akteve, shkresave dhe historisë së Sigurimit të Shtetit në Vlorë nuk jepet një datë e saktë e formimit të kësaj organizate antikomuniste. Edhe në procesin gjyqësor nuk fiksohet një datë e tillë.
Nga materiali që disponojmë del e qartë se lëvizja antikomuniste e përfaqësuar në Vlorë prej organizatës “Balli Kombëtar” nuk u shua edhe pasi erdhën në fuqi komunistët edhe pse krerët kryesorë të kësaj organizate u vranë, u burgosën ose u arratisën jasht shtetit.
Nacionalistët largpamës si Bego Gjonzeneli, Tahir Hoxha, Maliq Koshena e parashihnin një fund tragjik të diktaturës komuniste. Ata nuk e ndalën asnjëherë luftën dhe punën e tyre kundër diktaturës komuniste, prandaj lëvizja nacinaliste “Rilindja Kombëtare” mund të quhet e filluar që më 1945, megjithëse ajo mori forme organizative në fund të vitit 1947. Ajo u formua në burgun e Vlorës nga Bego Gjonzeneli, Maliq Koshena, Hamdi Gjoni, Meçan Hoxha, Telha Shehu, Murat Demiri, Dilaver Rrapo, Riza Çize, Dushan Koçiu etj. Qëllimi kësaj organizate ishte lidhja me anglo-amerikanët dhe rrëzimi i sistemit diktatorial komunist. Kryetar i organizatës u zgjodh Bego Gjonzeneli. Ata rekrutuan edhe tre polic Loro Simonin, Orhan Bogdanin dhe Hajdar Dushkun me anën e të cilëve mbanin lidhje nga jashtë burgut.
Në vitin 1949 u amnistuan dhe u liruan Riza Çize, Telha Shehu, Murat Demiri etj. Këta dhe të tjerë e shtrinë aktivitetin e organizatës në shumë fshatra të Vlorës, Kurvelesh, Mallakastër dhe në Gjirokastër.
Sigurimi Shtetit ra shpejt në gjurmët e organizatës me anë të bashkëpunëtorit “Gishtëza” dhe e dominoi organizatën duke eleminuar pa mëshirë, me zjarr dhe me hekur kundërshtarët e tij politik. Më 25 nëntor 1949, u arrestuan 81 anëtarë të organizatës. Në grupin e parë u gjykuan me bujë të madhe 25 vetë nga të cilët u dënuan: 11 vetë me vdekje, 4 vetë me 20 vjet, 5 vetë me 15 vjet, 4 vetë më 12 vjet dhe 1 me 7 vjet. Vazhduan pastaj arrestime dhe dënime të shumta. (Arkivi MPB D. 2475)
Arratisja e grupit dukatas.
Një ndër udhëheqësit më aktiv të kësaj organizate jashtë burgut ishte Veledin Bilbil Çapaj nga Dukati, që mundi ti shpëtonte mizorisë komuniste, duke u arratisur në Greqi. Petref Agaj që u dënua me vdekje ka deklaruar në gjyq: “Në maj të 1948 jam takuar në Vlorë me Veledin Bilbilin. Ai më tha se kemi formuar një organzatë dhe duhet të punojmë…” dhe më poshtë: “Kur jesh në pazar më takoi Baftiar Feriku dhe më tha se të do Rushit Grabova. Bashkë me Baftiarin shkuam në zyrën e Piro Xhezos që e kishte në sheshin e Flamurit. Aty takuam: Rushit Grabovën. Veledin Bilbilin, Fejzo Lulon, Qemal Dalanin nga Trevëllazëri, Dervish Hodon, Piro Xhezon dhe Baftiar Ferikun”. Është fjala për një mbledhje të krerëve të organizatës jasht burgu ku me propozim të Veledin Bilbilit e Rushit Grabovës u formua një komitet me emrin “Drita” dhe me sekretar Piro Xhezon.
Aktiviteti organizatës jasht burgut ka filluar me lirimin nga burgu të Veledin Bilbilit, Dervish Hodos, Riza Çizës etj. Këta ishin përgatitur në burg dhe jasht u bënë udhëheqës dhe organizatorë të lëvizjes antikomuniste. Siç pamë më lart ata formuan një komitet për drejtimin operativ të punës si dhe në disa fshatra formuan këshilla sekrete.
Veledini punoi me përkushtim për të krijuar një degë të fuqishme të organizatës në Dukat. Për këtë ai ka bërë disa mbledhje radhazi në të cilat kanë marrë pjesë: Xhelo Koçiu babai gjeneralit të Sigurimit Shtetit Halim Xhelo (Dukatit), Laze Thanasi, Gani Hamiti, Ahmet Blyshi, Laze Berdua, Cane Dervishi, Haxhi Hasko, Halim Hodo, Dervish Cane, Jazo Ademi etj. Në një nga këto mbledhje në Dukat u vendos:
Nga ish ballistët, familjet e të vrarëve dhe të pushkatuarve të formohej fshehtas një çetë e armatosur e cila të ishte e gatshme për veprime luftarake kur t’i kërkohej.
Veledin Bilbili të binte në kontakt me diversantët dhe të shkonte në Greqi për të raportuar situatën e dhunës që ishte në Shqipëri.
Për këtë mbledhje Gani Hamiti ka deklaruar: “Duhet t’ja bëjmë “bamp” që Europa ta marrë vesh që nuk e durojmë skllavërinë e të na ndihmojë të përmbysim pushtetin e shtrigave”.
Në një mbledhje tjetër ku mori pjesë Veledin Bilbili si drejtues, Dervish Hodua, Piro Xhezua etj u ndanë detyra për sejcilin dhe u kërkua që të raportohej për zabtimin e tyre.
Sigurimi Shtetit me anë të komunistëve, njerëzve të dobët dhe frikacakë që ishin bërë spiunë e bashkëpunëtor të tij e ndiqte organizatën. Ata punonin që sa më shumë “armiq” të binin në rrjetën e tyre dhe shpresonin që ti kapnin në flagrancë kur ata do të bënin takim me aleatët, siç mendohej. Mirëpo ky moment po vonohej, kështu që Sigurimi vendosi që krahas spiunëve të tjerë të rekrutonte edhe Laze Thanasin, shok besnik i Veledin Bilbilit. Në zyrat e Sigurimit Laze Thanasi pranoi të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit dhe e firmosi deklaratën. Porsa u kthye në Dukat Lazia u tregoi shokëve çfarë i kish ngjarë, duke u thënë se ditët i kishin të numëruara dhe se grupi ishte në rrezik, prandaj ai propozoi të arratiseshin, si e vetmja rrugë shpëtimi.
Veledini Bilbili u porpozoi Cane Dervishit, Shaqir Bejos dhe Ahmet Blyshit, që të bënin një lojë për të shpëtuar: të shkonin me Vlorë tek kryetari Degës Punëve të Brëndshme dhe ti propozojnë atij bashkëpunim për çfarë ai ka nevojë. Ashtu bënë edhe ata. Por dhelpërat e vjetra të trajnuar prej ujqërve Serb e nuhatën lojën dhe e refuzuan bashkëpunimin.
Pas dy ditësh Sigurimi dërgoi në Dukat, të birin e Xhelo Koçiut, Halim Xhelon gjeneralin famëkeq të Sigurimit që përfundoi i varur në birucat e Burrelit prej shokëve të tij komunist. Halim Gjenerali ose Halim Stalini siç e quante ai veten duke kërkuar nëpër fshat të atin Xhezo Koçiun anëtar aktiv i grupit, arriti tek shtëpia e Dervish Canes dhe pyeti për babanë. E shoqja e Dervishit i tha se kanë shkuar në fshat të vjetër. Halimi nxitoi për atje por nuk gjeti gjë, atëherë u kthye përsëri tek shtëpia e Dervishit, por edhe atje e gjeti shtëpinë bosh.
Veledin Bilbili (djathtas) me një emigrant shqiptar
Ç’kishte ngjarë në fakt? Kur Halim Xhelua kishte trokitur në shtëpi të Dervish Canes atje ndodheshin nëntë burra: Xhelo Koçiu, babai i Halimit, Cane Dervishi djali Dervishit, Gani Hamiti, Laze Berdo, Shaqir Bejo, Halim Hodo, Laze Thanasi, Ahmet Blyshi, por e zonja e shtëpisë e kishte gënjyer duke i thënë se babai tij kishte shkuar në fshat të vjetër. Ndërkohë që gjenerali udhëtonte në drejtim të fshatit të vjetër për të arrestuar babanë e tij, të nëntë burrat trima, dualën fshehtasi nga shtëpia dhe udhëtuan në drejtim të kundërt, kështu ata burra fshatarë e lanë gjeneralin, ujkun e vjetër të Sigurimit me gisht në gojë!
Më 27 prill 1949 ky grup ra në kontakt me mikun e besës dhe udhëheqësin e rezistencës antikomuniste të Dukatit Veledin Bilbilin, i cili kishte ardhur nga Greqia në Dukat me nëndetëse me detyrë për të shpëtuar shokët e tij të idealit.
Në historinë e Sigurimit të Shtetit ky akt është fiksuar me këto fjalë: “Grupi Hodo Metos nga Tragjasi, Ilia Konomit nga Palasa, Jorgji Martikos nga Dhërmiu dhe dy oficera grek më 27 prill 1949 morën me vete 10 dukatas midis tyre edhe Xhelo Koçiun dhe pesë veta nga Dhërmiu”.
3.Terrori Sigurimit të Shtetit mbi familjet, strehuesit e të arratisurve.
Arratisja e grupit të Dukatit tregoi dëshirën dhe trimërinë e dukatasve për të mos ju nënshtruar mizorisë dhe dhunës të Halim Xhelos e Kadri Hazbiut, të Hysni Kapos e Mehmet Sehut. Kjo arratisje e tronditi armën mizore të Sigurimit të Shtetit dhe e bëri atë më mizore dhe më të pashpirt. Me dhunën, terrorin dhe pabesinë që ushtruan në Dukat ata hodhën vëllanë kundër vëllait, duke shkelur çdo kod zakonor e ligjor të Shqipëtarëve.
Bashkë me grupin prej 9 vetash ishte nisur edhe Jazo Adem Jazaj në atë kohë 63 vjeç i cili nuk mundi t’i ndiqte shokët sepse u sëmur. Shokët e porositën të strehohej te fshatari tyre besnik Sinan Ali Hamiti. Pas Sinanit, Jazo Ademi u strehua te Dervish Iliazi dhe në fund te Shyqyri Bodua, ku u kap më 31.8.1949, pas katër muajve në arrati në pyjet e Dukatit. Pas arrestimit të Jazo Ademit u arrestuan edhe14 burra të tjerë, për të cilët Gjykata e Shkallës së Parë me kryetar Vangjel Kocani dha për ta dënime çnjerzore:
Jazo Ademi, Sinan Ali Hamiti, Beqir Qamil Jazo, Haxhi Hasko, Mete Ali Myftari u dënuan me vdekje me pushkatim. Hysni Aliaj, Sinan Jazo, Dervish Jazo, Haxhi Qepi, dhe Shyqyri Bodo me 20 vjet burgim. Siri Jazaj, me 15 vjet, Zini Hamiti me 8 vjet, Dervish Ahmet Hibraj dhe Alem Blushi me 7 vjet dhe Hasim Hamzo, me 2 vjet punë të detyruar.(Vendimi nr. 116, dt. 23.12.1949)
Por dora e ngrohtë e partisë siç dihet “mendonte” per popullin dhe dënmet me pushkatim i ktheu me burgim dhe të zezs dukatas u dergjën burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar për 25 vjet.
Për të gjith të dënuarit u vendos sekuestrimi i pasurisë dhe humbja e të drejtave elektorale.
Të dhjetë familjet e të arratisurve u internuan .
Çfarë kishin bërë këta burra që u dënuan me vdekje dhe familjet e tyre u internuan?
Të 15 burrat e dënuar ishin fshatarë, bujq e blektorë, pa arsim ose e shumta me arsimin fillore. E tërë jeta e tyre kishte shkuar pas bagëtive ose në ara, por ata ishin me ndjenja kombëtare dhe nuhatja e mençurisë popullore i kishte shpurë në përfundimin se komunizmi ishte sistem çnjerzor prandaj duhet të luftonin dhe të mos nënshtroheshin.
Jazo Ademi ka deklaruar në hetuesi nën tortura çnjerzore: “Jam analfabet, me profesion bari dhe bujk… Pushteti më ka marrë më tepër se njemijë kokë bagëti: dhën, dhi, lopë e qe. Kam biseduar me Xhelo Koçinë, sot i arrtisur, dhe thoshim si do bëjmë se keshëm frikë mos na arrestojnë si kulakë dhe na vrasin se Xhelua më thosh kulakët në Rusi i kanë vrarë… Traktorë për tokën ne nuk na jepnim se ishim kulakë. Kështu ditën vejm me dhën dhe natën diheshim jashtë… Kështu që unë u nisa për t’u arratisur, por në rrugë u sëmura dhe rashë si i vdekur, Gani Hamiti dhe Xheloi Koçiu më vunë dorën në ballë dhe më thanë kur të mngrihesh shko te Sinan Ali Hamiti, se atje do vim të të marrim” (Arkivi MPB, F.1, D. 1474)
Ky ishte i tërë faji i Jazo Ademit, ndërsa faji i Sinan Hamitit, i Shyqyri Bodos që dënoheshin me vdekje ishte se kishin strehuar Adem Jazon që siç thoshin hetuesit komunistë ishte armik i popullit!
4.Jeta e mundimshme e Veledin Bilbil Çapaj (1903-1981)
Veledini ruante zakonet, traditat dhe ishte njeri bujar. Ai i urrente komunistet dhe thosh: “Këta brashnjarë duan të bëjnë popullin të hajë në gavetë si ushtarët. Dinte italisht e nuhaste të keqen dhe e evitonte. Paratë i kthente në kapital.
Ai u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe më 5 gusht 1943, ka marrë pjesë në luftën në Llogora. Pas kësaj lufte italianët bënë raprezalje dhe kontrolle në fshat dhe arrestuan: Veledin Bilbilin, Xhafer Asllan Çapaj, Sadudin Ahmet Alushi dhe Musa Goxhon. Musa Goxhua ju dha italianëve 3-4 qypa me mjaltë dhe shpëtoi. Tre të tjerët i çuan për ti pushkatuar. Veledini e dinte italisht dhe e kuptoi që do i pushkatonin, prandaj u thotë shokëve të iknin me vrap. Ndërsa Veledini u nis me vrap, shokët hezituan për momentin dhe pastaj u nisën dhe ata. Xhafer Çapaj dhe Sadudin Alushi u vranë nga plumbat e fashistëve dhe u shpallën dëshmor, Veledini shpëtoi.
Në pranverën e vitit 1943, zbarkoi në gadishullin e Karabarunit misioni Anglo-Amerikan i cili u prit nga Skënder Muço, Hodo Meto, Veledin Bilbili, Sulejmën Meço, Maliq Koshena, Gani Hamiti, Halim Hodo, Çane Dervishi, Axhem Imeri, Xhelil Imeri etj.
Veledini zotëronte një pasuri të madhe tokë arë, kullota e pyje si dhe 4 shtëpi 2 në Dukat dhe 2 në Kepin e Gjuhzës Karaburun, 750 dynym tokë etj.
Ndërmjet burrave të shquar të Dukatit si Shaqir Bejua, Xhelo Koçiu , Cane Dervishi, Azem Shehu, Jazo Ademi, Ahmet Blyshi, Shyqyri Mislliu, Xhezo Mislliu, Axhem Imeri, Maliq Koshma, Xhelil Imeri, Çelo Imeri, Ahmet Mëhilli, Selman Hamiti, Hamdi Gjoni etj., përmëndej edhe emri Veledin Bilbil Çapaj.
Më 1943 komunisti Salo Petoshati po u fliste fshatarëve të tij Dukatas dhe u tosh: “Partia jonë i ka rrënjët në shkëmb…” Aty kaloi edhe Veledin Bilbili shoqëruar me Shaqir Bejua e Cane Dervishi. Kur e dëgjoi Veledini i tha Salo komunistit: “Partia juaj i ka rrënjët tek gënjeshtra e pabesia vrasëse, e në i pastë në shkëmb, një ditë ai shkëmb do të bëhet pluhur dhe do ta marrë era, të m’i mbash mënt këto fjalë o Salo komunisti.
Nën shtypjen e komunistëve,tre herë i arrestuar, dy herë i shpëton arrestimit.
Oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit Mustafa Hoxha, ka lënë kujtimet e tij në shërbim të diktaturës komuniste, ku shkruan ndërmjet të tjerave edhe për Veledin Bilbilin: “Veledini, pas çlirimit, nisi një fushatë të hapur anti-qeveritare. Ai propogandonte parulla për të përmbysyr rendin socialist. Në Dukat njihet historia e Murat Goxhos i cili kish qenë ushtar në Turqi, erdhi lajmi se qe vrarë dhe njerëzit e qanë. Më pas Murati erdhi i gjallë në fshat dhe dukatasit thoshin: “U ngjall Murati”. Veledini e përdorte këtë shprehje “U ngjall Murati” që kishte kuptimin që u ngjallën Anglo-Amerikanët dhe po vijnë!”.
Në vitin 1947, i sigurtë se do t’ja merrnin mallin e gjënë një pjesë të plaçkave i transportoi dhe i fshehu tek miku i tij besnik Musa Gaxho.
Ai ishte i lidhur edhe me desantët ose emisarët e lirisë që vinin nga bota e lirë për të luftuar këtu në atdheun e tyre me kuçedrën e kuqe. Kështu ndërmjet të tjerëve ai ka strehuar në Zabrek të Dukatit në një kasolle për 15 ditë rresht Izet Vrazhdon, Lahe Nuron dhe Ahmet Kukën. Këto lëvizje të tij kishin rënë në sy të Sigurimit dhe spiunëve dukatas që përgjonin natë e ditë, prandaj ai ishte në shënjestër.
Për këtë veprimtari antikomuniste Veledini u arrestua tre herë, por falë inteligjencës tij natyrore, shkathtësisë, miqsisë dhe qëndresës, komunistët nuk mundën në asnjë rast të provonin fajsinë e tij. Dy herë të tjera ai me guxim dhe shkathtësi i shpëtoi arrestimit, kur bandat e ndjekjes i trokitën në derë të shtëpisë.
Herën e parë e arrestuan më 1945 për vrasjen e një partizani dhe për arrestimin e Ramadan Alushit. Për 45 ditë rresht u torturua në hetuesi, por u lirua për mungesë provash.
Herën e dytë e arrestuan në shtator 1948 në Himarë, ku Veledini kish vajtur për të biseduar me miqt e tij për t’u arratisur në Greqi. Këtë herë ai u ndihmua nga Izeir Nuhu, çam, oficer Sigurimi, por që kish ndenjur në Dukat e qe ndihmuar prej familjes së Veledinit.
Kështu vazhduan ta arrestonin Veledin Bilbilin. Herën e katërt që vanë për ta arrestuar, Sigurimi e gjeti Veledinin maje çatisë duke rregulluar tjegullat.
Hyni brenda, – u tha Veledini – se po zbres!
Në fakt Veledini zbriti dhe kaloi nga dera e pasme e shtëpisë dhe nga ai moment u hodh në arrati, i ndjekur kudo këmba këmbës prej bandave të Sigurimit të Shtetit dhe spiunëve të tyre.
Në vitin 1949, ai u dënua me vdekje në mungesë dhe në vitin 1959, ai nuk u fal prej qeverisë shqipëtare.
Në arrti në tokën mëmë.
Ai flinte me net të tëra jashtë. Në netët e ftohta gdhihej në kasollet e bagëtive në mal, që ishin bosh. Kur vinte darka bashkë me errësirën e shoqja Velideja bashkë me të birin Idain vinin përpara një ka të cilit i kishin lidhur posht barkut një trastë me ushqime dhe ia shpinin Veledinit. Po të takonin njeri do të thoshin se po ja çojnë të zotit Musa Goxhos. Dhe nëse do ta takonin kur të ktheheshin do të thoshin se na pati ikur kau dhe e gjetëm këtej nga Goxhajt! Kështu ngryseshin dhe gdhiheshin netë të tëra.
Veledini sipas sinjalit që merrte nga e shoqia dhe i biri vente edhe në shtëpi për t’u ndërruar. Ata ishin marre vesh për këtë sinjal: E shoqia dhe i biri kontrollonin territorin dhe nëse nuk do të shihnin ndonjë gjë të dyshimtë të hidhnin në mur një qylym të kuq. Një ditë në të errur Veledini pa qilimin e kuq dhe mbriti në shtëpi me shpejtësi të madhe. Nuk kaluan as pesë minuta dhe trokiti porta. Ishte hera e parë që Veledini nuk e mendoi të keqen dhe doli vetë e hapi derën. Kur ç’të shoh forcat e ndjekjes të armatosur.
– Erdha, u tha Veledini, sa të marr kapelen! Ai u fut brenda dhe me shkathtësinë që e karakterizonte iku nga dera e pasme e shtëpisë duke kaluar mure e gjerdhe.
Kjo ishte hera e pestë që ai u shpëtonte bandave komuniste dhe dita e fundit në shtëpinë e tij, prej asaj dite ai nuk u kthye më kurrë në shtëpi dhe nuk i pa as gruan, as të dashurit e tij dhe as shtëpitë dhe pronat e tij të shumta që i kish ngritur me aq punë e djersë.
Sigurimi i Shtetit e ndiqte tashmë këmba-këmbës. Ai ku gdhihej një natë nuk gdhihej një natë tjetër. Sa merrte vesh Sigurimi se ku gjendej, ai kishte ikur që andej. Nder dhe respekt gjithë familjeve dukatase që e mbajtën e fshehën dhe e strehuan birin e tyre, ashtu si shumë bij të tjerë të tyre. Pas vitit 1990, në liri këto familje trime e fisnike tregojnë për Veledinin se ai e kalonte natën më shumë në këmbë se sa shtrirë në ato krevata dërrase që i ofronte fshatari i varfër por i ndershëm dhe që priste orën katër të mëngjesit që të mund të largohej e të mos e gjenin aty hijet e zeza të Sigurimit.
Fadili, djali i Veledinit shkruan në kujtimet e tij: “Babai iku, por si iku shpirti i tij e di. Si u shkëput nga ajo shtëpi me dhimbje e mall, për gruan që e la vetëm në moshë të re, me dhimbje për 6 fëmijët e tij të dashur, që po i linte prapa. Po linte prapa gjithë djersën e tij, gjakun e tij. Punën që e kish kthyer në kapital, por koka vlente më shumë se gjith kapitali etj. Gruaja nuk do të shihte më burrin, strehën e shtëpisë që për pak vite që jetuan bashkë, kaluan një jetë të mire. Fëmijët do qajnë dhe s’do u thotë më goja baba. Nuk do të bëjë më hije në atë vend ku kish jetuar, punuar e luftuar për 45 vjet me rradhë. Fëmijëve ju mbetej vetëm çiftja e varur në mur. Këtë armë nuk do ta preki më dora e atij burri trim, hije rëndë dhe mëndjemprehtë”. Fadili vazhdoi më poshtë:
“Por që tragjedia familjare të quhej e plotë dhe që të kënaqte bishat komuniste duhej që bashkë me arratisjen e babait të internohej edhe nëna. Një nënë shqipëtare e re në moshë duhej të largohej me dhunë nga çerdhja e saj familjare edhe pse ishte e pastër e ndershmë dhe pa asnjë faj. Ajo çerdhe e porsa krijuar me dallëndyshe të vogla duhej të prishej. Edhe pse dallëndyshet e vogla sapo kishin filluar të cicëronin. Ende nuk kishin lëshuar krahë për të fluturuar. Edhe më të mëdhenjtë që mendonin se kishin krahë, ua preu komunizmi dhe i la cung”.
Kuçedra e kuqe qe vërsulur me egërsi, si e tërbuar mbi një grua me një foshnjë dy muaj në gji dhe 5 fëmijë të mitur, njerëz të pafajshëm, por Sigurimi duhej të realizonte qëllimet e tij makabre. Kështu gruaja e Veledin Bilbilit, me një foshnjë në gji dhe me dy djemtë e mëdhenj u internuan në disa kampe. Tre fëmijët e tjerë të mitur mbetën vetëm në mes të katër rrugëve.
Siç ka treguar në emigracion, Veledini diku i fshehur e kishte parë nga larg me hidhërim këtë skenë tragjike të internimit të gruas dhe fëmijëve të tij të mitur.
Para kësaj skene Veledini mendoi se s’kishte ç’të bënte më në Dukat. Iku në Dhërmi tek miqtë e tij Thanas Dallfa për ta ndihmuar që të arratisej në Greqi. Miku i besës shpejt i gjeti një anije greke dhe nga Spileja e Himarës Veledini u gdhi të nesërmen në Greqi. Ishte 15 nëntor 1948.
Në emigracion dhe desant i lirisë.
Jetën e vështirë të emigracionit Veledini e nisi në një kamp refugjatësh në Greqi e Itali. Por ai nuk hoqi dorë asnjëherë dhe deri në fund të jetës nga lufta kundër komunizmit. Janë këto arsyet që ai tre- katër herë ka ardhur si desant në Shqipëri.
Në Greqi ai bije në kontraditë me disa shqiptarë për bindje politike dhe jep dorëheqje përfundimisht prej Ballit Kombëtar dhe kalon në Partinë e Legalitetit. Në dasmën e Leka Zogut ai ka shpurë si dhuratë një mijë dollarë, shumë e cila tërhoqi vëmendjen e trashëgimtarit të fronit dhe prej atij momenti ata mbeten miq deri në fund të jetës.
Më vonë kushëriri i tij i parë Shaqir Bejo e tërhoqi atë në Kanada së bashku me Cane Dervishin dhe djalin e tij, pas ca kohe shkoi në Çikago dhe së fundi jetoi në Detroid së bashku me kunatin e tij Jaup Xhezo nga Tragjasi.
Veledin Bilbili e mbylli jetën në korrik të vitit 1981, nga një aksident automobilistik në Detroid të ShBA, zemërdjegur që nuk i pa asnjëherë as fëmijët dhe as Shqipërinë për të cilën luftoi tërë jetën. Dyvjet pas tij ndërroi jetë edhe Velideja, bashkshortja e tij besnike.
Takimi i Fadilit me nënën pas 12 vjet ndarje, që nuk e njohu.
Mbasi u arratis Veledini, komunistët internuan gruan e tij. Këtë grua fisnike dhe besnike ndaj të shoqit dhe Shqipërisë fillimisht e çuan në Tepelenë, pastaj në Lozhan të Korçës, Valias të Tiranës, Cërrik të Elbasanit dhe së fundi në Plug dhe Saver të Lushnjës. Po vazhdojmë tregimin, tashmë sipas kujtimeve të djalit të Veledinit, Fadilit:
“Nënën na e rrëmbyen në vjeshtë të vitit 1948, me një vajzë 2 muajshe në gji dhe dy djem mbi 14 vjeç. Tre fëmijë të tjerë të Veledinit më i madhi 7 vjeç, mbeten në fshat, në mes të katër rrugëve.
Zoti vetë ndërhyri dhe i tha një njeriu të mirë të merrte tre fëmijët e Veledinit e t’i mbante në prehërin e tij së bashku me fëmijët e tij. Zoti i dha atij njeriu të mirë forcën e mendjes për të ndriçuar udhën e mirësisë. Ashtu bëri një njeri i mirë Gani Çapaj. Në atë kohë të trazuar ku njeriu vuante nga urija po më shumë nga dhuna e Sigurimit të Shtetit një veprim i tillë është më shumë se heroizëm.
Gani Çapaj kish kurajon, trimërinë, zgjuarsinë, shpirtin e bukur dhe zemrën e madhe. E kjo barrë e rëndë që mori përsipër nuk ishte kohë e shkurtër por plot 12 vjet që nga 1948 deri më 1960-tën. Kështu tre fëmijët e Veledinit u rritën së bashku me pesë fëmijët e Ganiut. Ja çfarë bëri një njeri i ushqyer me ndjenjat e larta të dashurisë ndaj atdheut, me besimin tek Zoti, me mirësinë e shpirtit, ai u dha jetë krahas pesë fëmijëve të tij edhe tre fëmijëve të vegjël të Veledin Bilbilit të mbetur në rrugë.
Na e morën nënën. Kurrë nuk mund ta harroj atë skenë të dhimëshme edhe vdekja do të ishte më e lehtë. Na e morën nënën bashkë me dy vëllezër dhe një foshnjë. Përse na e morën nënën çfar kish bërë? Çfar mund të bëj një foshnjë e porsa lindur, që ia prishën çerdhën ku po flinte!
Motra dy muajshe kish si burim ushqimi gjirin e nënës. Po nëna e shkretë ku do të gjente pakë bukë që të mbante gjallë veten dhe foshnjën e sajë?
Ne të tre e kishim një çerdhe ku mblidheshim, shtëpin e xha Ganiut. Nga ne më e madhja ishte motra 7 vjeçe. Ajo zëvendësoi nënën që na e morën bishat. Motra e mjerë ngrihej natën na mbulonte. Na pyeste shpesh a kishim uri, sa për ta ditur se dhe ajo s’kish ku të gjentë asnjë kafshat bukë.
Xha Ganiu na dërgoi dhe në shkollë. Unë mësoja shumë. Kur vija nga shkolla veja më dhën. Por ngado që veja mëndjen nuk e hiqja nga nëna. Ah! Mendoja të kisha nënën do më thoshte ndonjë fjalë të ngrohtë e cila do ma ngrohte trupin e sfilitur, dhe fjala e ngrohtë është e ngrohtë!…
Kisha 12 vjet që isha ndarë me nënën dhe nuk e kisha parë asnjëherë. Më kishte lënë 8 vjeç më 1948-tën kur u ndamë dhe tani më 1960, unë isha 20 vjeç. Edhe nëna kishte 12 vjet të kaluar në vuajte e mjerim, pa bukë e pa ujë, pa dashuri, pa familje e ndarë për së gjalli me njerëzit dhe me fëmijët e saj. E kishin plakur shumë, por nuk ja kishin prishur shpirtin e saj të bukur…
Kështu pas 12 vjetësh xha Ganiut në Dukat i erdhi një letër nga nëna, e që morëm vesh se ajo ishte internuar në Savër të Lushnjës. Ajo shkruante: “I dashur vëlla Gani! Të lutem me përgjërim m’i sill një herë të tre fëmijët ti shoh dhe le të vdes”. Burri fisnik na veshi e na ngjeshi me ato që kish dhe me të u nisëm për të takuar nënën pas 12 vjetëve pa e parë.
Në Plug të Lushnjës mbritën pas mesdite. Në arat e pafundme të Lushnjës shumë gra ishin duke prashitur. Mua më dërgoi xha Ganiu të pyesja për nënën:
– Ku është Velide Çapaj? – pyeta gratë e para që takova.
– Çfarë e ke? – më pyetën ato.
– Nënë! – u thash unë.
– Është në fund të arës, më thanë ato gra të lodhura dhe të drobitura, ajo me atë fëmijën pranë.
Pasi mbrita në fund të arës ju drejtova gruas që prashiste dhe që kish pranë një vajzë rreth 10-12 vjeçe.
-O shoqe, i thashë asaj gruaje, a e njihni Valide Çapajn?
– E ç’e do a të keqen nëna? – më tha ajo.
– E kërkojnë në xhade, – i thashë unë.
Gruaja e vuajtur mi nguli sytë mirë, filloi të marrë frymë si me zor dhe më pyeti:
– Po ti i kujt je dhe nga je mor bir?
– Jam nga Dukati, i biri i Gani Çapaj, e gënjeva unë.
Gruaja mu qas pranë dhe po më vështronte nga lart poshtë, po ashtu bëri dhe vajza e saj, të dyja më vunë në mes dhe po më shikonin si të shastisura. Mua filloi të më rrihte zemra fort.
– Mos më gënje, të keqen nëna, më tha ajo. Gani Çapaj nuk ka djalë të madh, mos je ti Fadil?, – më pyeti me zë të dridhur.
– Po, i thashë unë.
Nëna e mjera ra përdhë, ndërsa vajza e saj mu hodh në qafë duke më puthur.
Të keqen motra, të keqen motra!
Ajo plakë që nuk e njoha ishte nëna ime, ajo vajzë që nuk e njoha ishte motra ime. Ishim ndarë me të kur ishte 2 muajshë dhe tani po e shihja 12 vjeçe.
Kjo është drama ime, po sa drama të tilla ka në Shqipëri shkaktuar prej komunistëve barbarë. Hodha sytë nga fusha dhe pyeta veten mos vallë edhe fëmijët e këtyre grave të mjera, nuk i njohin nënat e tyre kështu si dhe unë?
Prej atij moment edhe ne të tre fëmijët e mbetur jetim me nënë dhe babë gjallë u bashkuam me nënën pas 12 vjetësh dhe jetuam në Savër të Lushnjës”.
Sot, deri më datë 25 gusht, në Berat do të nisë pelegrinazhi në malin e Tomorrit.
Nisur nga kjo, burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, në bazë të një plani të detajuar masash, janë angazhur plotësisht me qëllim, sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë rrugore, lëvizjen e qarkullimit normal të mjeteve e këmbësorëve në rrugë dhe në zonat turistike, gjatë zhvillimit të pelegrinazhit në “Malin e Tomorrit”.
Në kuadër të masave të marra për zhvillimin e pelegrinazhit, do të bashkëpunohet me Organet e Pushtetit Vendor, P.M.N.Z.SH, Spitalin Rajonal Berat si dhe me Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjëve.
Shërbimet e policisë më të përqëndruara do të jenë përgjatë akseve rrugore:
Berat-Poliçan-Pronovik-Novaj–Teqe.
Poliçan -Çorovodë.
Çorovodë-Gjerbës–Teqe e Kulmakut, pika të tjera që do të vendosen si dhe në territorin ku zhvollohet aktiviteti i pelegrinazhit.
Do të rritet prezenca e shërbimeve të Policisë Rrugore në akset kryesore, për përballimin e fluksit të automjeteve, orientimin dhe marrjen e masave ndaj përdoruesve të rrugës me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve gjatë periudhës së pelegrinazhit për në “Malin e Tomorrit”.
Janë marrë të gjitha masat për bllokimin e mjeteve të tonazhit të lartë si dhe janë vendosur tabela kufizuse për mjetet mbi 3.5 ton, gjithashtu janë marrë masa dhe për përcaktimin e vendqëndrimeve të automjeteve të Personaliteteve të Larta Shtetërore, pelegrinëve dhe Policisë së Shtetit, me qëllim disiplinimin e lëvizjes së automjeteve.
Këshillohen të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke evituar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, gjithashtu për drejtuesit e autoveturave këshillojmë se rruga më e përshtatëshme për tu ngjitur në Malin e Tomorrit është aksi Poliçan-Çorovodë-Gjerbës-Teqe.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve për zbatim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor.
Të gjithë qytetarët të cilët do të ndeshen me probleme apo shqetësime të ndryshme, janë të lutur të telefonojnë në numrin 129, 112 të Policisë së Shtetit./albeu
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon të godasë ata subjekte që mbajnë mallra të skaduar ose që mbahen në kushte higjenike të tmerrshme. Kështu, AKU ka bllokuar tetë litra qumësht, 1032 copë çokollata, 9 copë biskota, 20 copë patetina, 833 litra birrë, 95 litra lëngje, si dhe 10 kg suxhuk.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se ka evidentuar tre subjekte Lushnje, Gramsh dhe Kukës të cilët kryenin veprimtari në kundërshtim të plotë me ligjin e sigurisë ushqimore. Duke u nisur nga faktet e lartpërmendura, subjekteve iu është vënë gjobë, e gjithashtu u janë sekuestruar mallrat./shekulli
Ka rreth 6 vite që ruan ish-Laboratorin e Mbrojtjes së Mjedisit në Pogradec dhe për këtë punë nuk e paguan askush. Kjo është historia e 65-vjeccarit Isa Balliu, i cili u punësua nga një shoqëri e sigurisë private për ruajtjen e këtij objekti 17 vite më parë, por marrëdhënia e tij e punës u ndërpre në dhjetor të vitit 2012, kur ky laborator rreshti së funksionuari.
Prej asaj kohe, Isai vazhdon të ruajë objektin, pa marrë asnjë gjë në këmbim. Laboratori u ndërtua me një vlerë disa miliona dollarë, financim i Bankës Botërore, por pas mbylljes së tij pajisjet dhe çdo material tjetër u lanë në ndërtesë, ndërkohë që mbi Isain rëndon përgjegjësia e ruajtjes së tyre.
Edhe pse ai është njoftuar për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, askush nuk e ka shkarkuar nga përgjegjësia e materialeve, madje gojarisht i është kërkuar që të vazhdojë të ruajë objektin. Frika se, nëse largohet gjithçka do të vidhet, e mban ende të lidhur moralisht me objektin. Isai, shpeshherë u është drejtuar me shkresa instancave për të marrë një zgjidhje, por asnjëherë nuk ka marrë një përgjigje.