Aurora

Saranda iu dhurua mbretit, dokumenti: Jepini emri e mbretit… të ndryshohet në Zogaj

Në vitin 1937 dokumentohet një akt shtetëror ku qyteti i Sarandës i dhurohet shtetit, pra Mbretit Zogu i Parë dhe ajo të mbante emrin Zogaj. Copëza historie të dokumentuara shfaqen në Sarandë, në një ekspozitë. “Saranda që kishim – Saranda në gjysmën e parë të shek. XX” është një ekspozitë dokumentare dhe fotografike që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Sarandës çelin sot me 18 gusht, ora 19:30, në Sheshin e Limanit në Sarandë.

AKT DHURIMI I SARANDËS / ZOG I/MBRET’I SHQIPTARËVET ME VULLNET TË POPULLIT. Vjeti 1937, me 24 të mujit mars, ditën e mërkurë…/ Në bazë të ligjës mbi dhurimin e pasunisë së Shtetit në Sarandë me datë 5 prill 1930 dhe t’urdhënit autorizues të Ministriës së Financavet telegrafikisht, i asht dhurue prej shtetit NALT MADHNIES TIJ ZOGUT-TË PARË, pasunija shtetnore e Sarandës në Zyrën e Ipotekavet të Delvinës nën zotnimin e tij: duke filluar nga bodrumi i prishun buzë detit dhe vëhet tek depo e gazit, deri te manastiri i prishun e kufizue me sinurin e Lykursit qi zotnojnë me tapi Selim beu me pjestarë, e nga manastiri tue ecun drejt krahut të Sarandës e kurrizit të malit, nga Dardha e Sipërme e Dardha e Poshtëme, deri tek ara e qujtin ‘Bristane’ qi zotnon me tapi Mitro Gjini, e nga Limani i vogël i Sarandës te kullotja, që përbëhet prej 4082 dynym… Kryqi i kuq Shqiptar merr përsipër të vazhdojë zbukurimin e qytetit të Sarandës”.

Akti noterial i sipërcituar, është një akt përmes të cili Mbreti Zog i fal Kryqit të Kuq Shqiptar pasuritë e paluajtshme shtetërore që ndodhen në qytetin e Sarandës. Një vendim i dhjetorit të të njëjtit vit, marrë nga Komisioni MIKTS qendror i drejtohet Neltësis së Saj Imperijale, Princeshës Senije, Kryetare e Kryqit të Kuq për aprovim. Në të flitet për ndërtimin e 20 shtëpive, 10 të vogla dhe 10 me material të lehtë për të siguruar banimin e nëpunësve, për ngritjen e një kinemaje. Princesha Senije e miraton dy ditë më pas me shënimin: “Urdhnojmë zbatimin”- Kryetare e Kryqit të Kuq, Tiranë, me 5 dhetuer 1937(Firma). Nga festimet e popullit të Sarandës për shpalljen e mbretërisë, te koncesionet, investimet me nga 30 e 500 metra, te shkresat, kërkesat për leje, fotografitë e rralla, punishtja e sapunit me emrin e udhëheqësit, tek aktet noteriale me rëndësi mbi debatet historike e VKM-të për qytetit e 40 shenjtorëve.

Jepini Sarandës emrin e mbretit/ Një Fletore Zyrtare që mban datën e datës 26 gusht 1938, pasqyron një vendim të Këshillit të Ministrave, atë nr.753 që mban datën 6 korrik 1938 për ndryshimin e emrave të qyteteve, fshatrave dhe lagjeve të Shqipërisë. Mes tyre, emri i qytetit të Sarandës ndryshohej në Zogaj(nga Zogu në kohën, atëkohë ai qe mbret), ndërsa emra të tjerë duket të kenë qenë prirje për t’u shqipëruar si: Bistrovica-Kështjelëlzë, Dobronik-Bukuranje, Gjoroven-Maliplak, Ksamile-Mulliri, Mejden-Sheshe, Sulltan Pajazit-Lagja Mbretnore, Shurkave-Vjosa, Badlonja-Malakuqi, Bodari-Bora, Leusa-Mëshira, Leshica- Shëngjoni, Lipa-Bliri, Lipivani-Qershizë, Lushja-Lushnjë, Musukari- Myshqerrë, Novosela-Fshati i ri, Ogdunini-Qiparisi, Trebozishta- Trillagje, Goznishta-Uji i Ftohtë, Rabani-Arbani, Zleusha-Bukuroshe, Çoroguni-Bregzalli, Potgorani-Nënmali, etj.

Shkresa, koncensione e të tjera / Një korrespondencë mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punëve Botore për planin rregullues të qytetit të Sarandës, korrespondencë mes nënprefektit të Sarandës me prefekturën e Gjirokastrës ku propozon ndërtimin e rrugës Sarandë-Butrint si mjet për promovimin e turizmit kulturor; një hartë e planit rregullues të Sarandës hartuar nga inxhinier Selim Zyma, më 1933.

Ka më tej një ligj të Mbretërisë për dhënien me koncesion të Kanalit të Vivarit në Butrint, shoqërisë “Dele”, 23 mars 1929. Veç taksave të ligjshme, Shoqëria “Dele” detyrohet të ndërtojë brenda dy viteve në dobi të komunitetit: një ndërtesë për zyrat e doganës, një ndërtesë për rojën e Xhandarmërisë dhe një frigorifer. Në vijim dallohen shkresat Shoqërisë “Dele” drejtuar kryeministrisë përmes të cilave njofton se ka nisur prodhimin e sixhadeve më nëntor 1928, dërgon statutin e shoqërisë dhe njofton edhe për ardhjen e një iktiologu francez në Vivar.

Mjaft interesant është një raport i Kryetarit të Bashkisë së Sarandës drejtuar nënprefekturës, ku renditen punët publike të bëra në qytet mes viteve 1912-1937; përmenden aty rrugë 100 e 500 metra, 25 e 30 metra, e mes të tjerash përmendet ndërtimi i një nevojtoreve, siç thotë shkresa, “krejt moderne”. Ekspozita sjell imazhe të bashkisë e nënprefekturës mes dy luftërave botërore. Ka raporte kontrolli me parregullsi të gjetura në zyrat e Doganës së Sarandës, planimetria e Bar-Butrintit, kërkesa e Mihal Zahos nga Lugari i Gjirokastrës përmes së cilës i kërkon Ministrisë së Punëve Botore leje të çelë një kinema në Porto Edda në Sarandë me 2 nëntor 1941, dhe vendimi i Zyrës së Qarkut Detar të Porto Edda për caktimin e zonave të lejuara për Plazh më 1940, është leja e dhënë Mihal Zahos dhe plan-vendosja e kinemasë së tij.

Saranda iu dhurua mbretit, dokumenti: Jepini emri e mbretit… të ndryshohet në Zogaj Read More »

“Shefi i Krimeve donte të mbyllte ngjarjen”, përgjigjet Policia e Shtetit: Si është e vërteta

Pas publikimit të videos që sipas deputeti demokrat Enkeled Alibeaj tregon zjarrëvënien e qëllimshme të makinës së n/kryetarit të bashkisë në Mallakastër Hajredin Serjanaj, ka reaguar Policia e Shtetit e cila tregon një tjetër të vërtetë. Policia në një sqarim për këtë rast shkuan se e kanë pasqyruar ngjarjen, por kanë dhënë e shkaqet vërteta duke mos fshehur asgjë.

SQARIMI NGA POLICIA/ Në lidhje me një status të publikuar në rrjetet sociale nga deputeti E.Alibeaj me pretendimi se “policia ka fshehur ngjarjen ku është djegur makina e Nënkryetarit të Bashkisë Mallakastër”, sqarojmë se: Në informacionin paraprak për mediat është dhënë njoftim se paraprakisht dyshohet se djegia e makinës ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në mjet.

Pas hetimeve të kryera dhe kqyrjes së kamerave, ka rezultuar se djegia e makinës dyshohet se është e qëllimshme dhe për këtë janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal. Të dy informacionet, (informacioni paraprak edhe informacioni pas hetimeve) janë pasqyruar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, konkretisht:

Ne date 24 gusht 2018: “Mallakastër Informacion paraprak/ Në datën 24.08.2018, rreth orës 02:35, në lagjen “29 Nëntori” Ballsh, është djegur mjeti tip BMË (i parkuar) në pronësi të shtetasit H.S (Nënkryetar i Bashkisë Ballsh). Paraprakisht dyshohet se makina është djegur si pasojë e një shkëndije elektrike në mjet. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor i cili po punon për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”.

Ne njoftimin e publikuar ne date 25 gusht 2018: “Në vijim të veprimeve për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit në mjetin tip “BMË”, të shtetasit H.S., 37 vjeç (Nënkryetar i Bashkisë Ballsh), u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal”. Policia e Shtetit nen drejtimin e Prokurorise po vijon hetimet per zbardhjen e autoresise se ngjarjes.

“Shefi i Krimeve donte të mbyllte ngjarjen”, përgjigjet Policia e Shtetit: Si është e vërteta Read More »

Shtator i nxehtë politik, të rinjtë e LSI me marsh ushtarak nga Jala, humor i zi në rrjete sociale (VIDEO)

Ndërsa është paralajmëruar një shtator i nxehtë politike nga opozita, një mesazh u kërkua të jepej nga të rinjtë e LSI teksa mbyllën kampin e përvitshëm veror në Jalë. Me këngë dhe marsh ushtarak si një nisje për në luftë, video u bë virale brenda pak orësh, e eklipsoi duke ngjallur jo vetëm humor të zi në rrjet, por edhe kritika për fanatizmin me të cilin të rinjtë e këndojnë tekstin, që i ngjan më tepër një poezie të dobët.

Përveç ngjashmërisë me parakalimet e fëmijëve gjatë kohës së komunizmit para udhëheqjes, shqetësimi i mijëra komentuesve në rrjete sociale është ajo që e shohin si shpëlarje e truve të rinisë në një strukturë që i ngjan më tepër sektit se partisë. Ndër të paktët që e ka marrë seriozisht, ishte ish kreu i PD-së Sali Berisha, që e postoi me fjalët se “rinia do të përmbysë narkoshtetin”, por duke nxitur menjëherë një valë komentesh kritikuese që i krahasonin të rinjtë herë me debatikas, dhe herë me pasuesit e Hitlerit.

Vala e komenteve përfshin postimet në profile analistësh e qytetarësh, e deri te faqja humoristike Lolita, e cila shqetësimin për militantin që poshtërohet deri në patetizëm, e mbyll me mesazhin: mos e harro këtë video herën tjetër që të lypin votën. Nga ana tjetër nga postimet ironike në rrjetet sociale, gjykohet se mazhoranca vetëm e trembur nuk është, por nuk dihet nëse kryeministri e ka pritur marshin e Jalës me të njëjtën buzëqeshje si çizmen e “burrneshës” në parlament.

Shtator i nxehtë politik, të rinjtë e LSI me marsh ushtarak nga Jala, humor i zi në rrjete sociale (VIDEO) Read More »

Faktet/ Fondi grant që akordohet nga shteti për sportin përfundon në xhepat e “ustallarëve” të partisë, presidentët dhe sekretarët bëjnë “biznesin e vizave”

Peshëngritja ka qenë për vite me radhë nën “hyqmin” e Ilir Metës dhe fondi i kësaj federate ka shkuar kryesisht në xhepat e “të pangopurve” të LSI-së. Madje njerëzit e Metës në sport janë një rrjet i gjerë e mjaft i shtrirë, që nis nga federatat e përfundon në KOKSH, e deri në gjirin e klubeve.

Shqipëria është vendi i fundit i rajonit në investimet që bën për sportin, gjë që shprehet në rënien e cilësisë sportive në të gjitha disiplinat sportive, në pakësimin e numrit të sportistëve, dëmtimin e infrastrukturës dhe natyrisht mungesën e një ligji të denjë e zhvillimor për sportin në tërësi.

Shteti akordon për federatat sportive një shumë më pak se 1 mln euro. Padyshim, kjo është një shumë qesharake që nuk i mbulon nevojat që kanë federatat për të organizuar veprimtaritë sportive vjetore, por si të mos mjaftonte kjo, shumica e parave përfundojnë në xhepat e ushtarëve të partisë. Këta “ushtarë”, njëkohësisht “ustallarë”, janë presidentët e federatave dhe sekretarët.

Vetëm në Shqipëri ndodh që rroga vjetore e një sekretari federate që emërohet nga partia (përgjithësisht), të ketë rrogë vjetore më të madhe se fondi grant për federatën përkatëse. Skandale të tilla dhe paradokse të tilla e bëjnë sportin shqiptar qesharak dhe aspak me të ardhme.

Shikoni kush janë presidentët e federatave! Njerëz që janë të lidhur me politikën, majtas apo djathas qofshin. Fundja, hajdutët nuk kanë ngjyrë, ata i gjen në cdo parti. Futbollin e drejton Armand Duka, që përpos se biznesmen, ka vëllain e tij kryetar të një partie politike dhe investon për fushatën elektorale të tij, sic bëri në zgjedhjet lokale në Kolonjë.

Atletikën e drejton presidenti Gjergj Ruli, i njohur për mbështetjen që merr nga socialistët. I futur me bekimin e Fatos Nanos në krye të federatës së atletikës, sot Ruli është një ithtar i Rilindjes së Edi Ramës. Me siguri që nesër do të jetë mbështetës i flaktë i Lulit të PD-së. Federatën e shahut e drejton presidenti Eduard Shalsi, njeri kryekëput politik. Basketbollin e drejton Avni Ponari, pronari i SIGAL-it, i njohur për lidhjet e tij me krerët e politikës.

Peshëngritja ka qenë për vite me radhë nën “hyqmin” e Ilir Metës dhe fondi i kësaj federate ka shkuar kryesisht në xhepat e “të pangopurve” të LSI-së. Madje njerëzit e Metës në sport janë një rrjet i gjerë e mjaft i shtrirë, që nis nga federatat e përfundon në KOKSH, e deri në gjirin e klubeve. Krejtësisht për interesat e xhepit të tyre dhe të partisë së Ilir Metës, pasi për sportin as e vret njeri mendjen.

Paradoksi qëndron në faktin se shumica e presidentëve të federatave zgjidhen nga bota e biznesit me idenë për të ndihmuar financiarisht në zhvillimin e aktiviteteve sportive, por presidentët, duke qenë se kanë vënë pasuri përrallore në rrugë të dyshimta, i shfrytëzojnë lekët e fondit për interesat e tyre, ndryshe nuk mund të shpjegohet kjo rënie katastrofale e sportit shqiptar në të gjitha disiplinat.

Federatat marrin një fond nga 20-100 milion lekë të vjetra vetëm për organizimin e veprimtarive, por mbi 50% shkon në xhepat e presidentëve dhe sekretarëve. Skandali tjetër për të cilin “Pamfleti” ka informacion të besueshëm është se presidentët në bashkëpunim me sekretarët regjistrojnë si sportistë njerëz që i trafikojnë jashtë vendit.

Bëhet gjoja për t’i cuar në aktivitete të ndryshme, por janë njerëz të zakonshëm që shkojnë në vendet si SHBA, Angli, Kanada etj, duke iu zhvatur para. Ky skandal i madh ende nuk është hetuar në Shqipëri dhe përfshihet në atë që quhet skandali i vizave, që sjell fitime të mëdha.

Rrjeti është shumë i shtrirë, sepse nis me federatat, me KOKSH-in dhe me zyrtarët e ministrisë. Duhet firma e gjithsecilit që paratë të përfundojnë në xhepat e hajdutëve, ndërsa për sportin shkojnë disa kacidhe që nuk e ndihmojnë të zhvillohet e të futet në rrugën e duhur./Pamfleti

Faktet/ Fondi grant që akordohet nga shteti për sportin përfundon në xhepat e “ustallarëve” të partisë, presidentët dhe sekretarët bëjnë “biznesin e vizave” Read More »

Ngjela flet me emra/ Ja politikanët e korruptuar që do kapë Reforma në Drejtësi

“Ka gjashtë vjet që amerikanët dhe gjermanët kërkojnë interlekutorë politikë në Shqipëri, dhe shqiptarët i nxjerrin ose Sali Berishën me injorantet e tij, që duan shkatërrimin e Shqipërisë, ose Edi Ramën me një tufë kalamajsh që vetëm vjedhin”

Avokati Spartak Ngjela shprehet se ka ardhur fundi i politikanëve të korruptuar në vendin tonë, duke përmendur këtu dy udhëheqësit suprem të politikës, Sali Berisha i PD dhe Edi Rama i PS. Ngjela shkruan në ‘Facebook’ se të dy këta politikan, me injorantët që i ndjekin nga pas, i kanë sjellë shumë dëm Shqipërisë dhe shqiptarëve, por tani ka ardhur koha që ata të largohen dhe kjo nuk do të ndodhë me revolucion, por me reformën në Drejtësi.

Sipas tij, politika amerikane po kërkon prej vitesh shqiptarë patriotë për të bërë politikë dhe gjën hajdutë antishqiptarë, që punojnë për fqinjët pushtues të territoreve shqiptare. Më tej, avokati shton se shqiptarët nuk mund t’ua vënë drunë këtyre politikanëve, pasi janë drejtuar gjithmonë nga njerëz të korruptuar që kanë shitur Shqipërinë e shqiptarët, duke lënë të kuptuar se pastrimin e politikës nga të korruptuarit do ta bëjnë vetëm amerikanët dhe gjermanët.

“Ka gjashtë vjet që amerikanët dhe gjermanët kërkojnë interlekutorë politikë në Shqipëri, dhe shqiptarët i nxjerrin ose Sali Berishën me injorantet e tij, që duan shkatërrimin e Shqipërisë, ose Edi Ramën me një tufë kalamajsh që vetëm vjedhin.

Të gjithë janë kundër interesit të Shqipërisë. Të gjithë shiten dhe të gjithë vjedhin dhe urrejnë shqiptarët. Këto kanë qenë vitet kur Shqipëtarët do të rifitonin nderin historik. Por u drejtuan nga hajdutë antishqiptarë. Kjo ka qenë fatkeqësi kombëtare

Ka tre vjet politika amerikane që po kërkon shqiptarë patriotë që të bëjë politikë, dhe gjen hajdutë antishqiptarë, që punojnë për fqinjët pushtues të territoreve shqiptare.

Pse nuk ikin hajdutët nga drejtimi i Shqipërisë? Jo, pyetje është kjo tjetra: pse nuk iu vënë këtyre drunë shqiptarët?

Nuk e bëjnë dot, se këtë shqipëtarët e kanë dobësi shekullore: janë drejtuar ngaherë nga shqiptarët e korruptuar që kanë shitur Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe këta kanë ardhur në drejtim me radhë, njëri pas tjetrit. Kështu edhe sot. Po sot, a do të ikin?

Sigurisht që po. Por i kanë sjellë shumë dëm Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tani ka ardhur koha. Dhe i kap Reforma, kjo është gjë e sigurt. Prandaj këta të korruptuar nuk do largohen me revolucion, por me reformë”, shkruan Ngjela.

Ngjela flet me emra/ Ja politikanët e korruptuar që do kapë Reforma në Drejtësi Read More »

Një natë kushton më pak se një euro, ky është hoteli më i lirë në botë

Nëse dëshironi të shkoni në pushime, por nuk jeni dhe aq mirë me buxhetin ka gjithmonë alternativa për të gjetur një hotel me çmim të arsyeshëm.

Ju mund të shkoni për një kampe ose në një hotel me dy yje, por nëse dëshironi të kurseni akoma më shumë para, duhet të shkoni në hotelin më të lirë në botë.

Hoteli më i lirë në botë quhet Hotel Faridpur dhe ndodhet në Dhaka, kryeqytetin e Bangladeshit. Hoteli super i lirë sigurisht që vjen me standardet e diçkaje super të lirë. Ai është i ndërtuar nga pesë anije dhe ju mund ta gjeni në brigjet e Buriganga.

Nëse dëshironi të kaloni natën, ju do të paguani 34 cent për një natë.

Nëse do rezervoni një dhomë do të duhet të paguani 92 cent. Një dhomë dyshe kushton pak shtesë: do të paguani 1 euro dhe 39 cent për një.

Objektet në hotel janë shumë bazike: ju do të keni ujë dhe tualet, por duhet të ndani gjithçka me të gjithë mysafirët e tjerë.

Përkundër faktit se hoteli është shumë i lënë pas dore, është gjithashtu shumë popullor mes banorëve dhe turistëve, të cilët mund të shoqërohen me vendasit këtu.

Sado e çuditshme mund të duket, nganjëherë turistët qëndrojnë edhe për disa muaj në këtë hotel të bërë nga anijet.

Sipas pronarit, hoteli është kaq i lirë sa njerëzit nga qytetet dhe fshatrat e afërt të vijnë në Daka sidomos të kalojnë natën atje.

Një natë kushton më pak se një euro, ky është hoteli më i lirë në botë Read More »

Donald Lu merr një vit shtesë mandati në Tiranë, Berishës dhe Metës i bëhen nervat “kaqurrel”

Mandati i ambasadorit, Donald Lu në Tiranë mund të zgjatet dhe me një vit tjetër. Kjo për shkak të shtyrjes së dëgjesës për ambasadoren e re dhe mundësia për ta pyetur dhe për përzierjen e rusëve në SHBA, krijon kushtet që Donald Lu të qëndrojë në Tiranë. Një gjë e tillë pritet të sjellë zhvillimet interesante në Tiranë.

Pas publikimit të lajmit se Lu ishte emëruar ambasador në Kirgistan, gjë që ka ndodhur në të vërtetë, por që formalisht të paktën do të dëgjohet në komisionin e jashtëm të Senatit në SHBA pati festë nga PD dhe LSI, festë që u shoqërua dhe me ironinë e zyrtarëve të lartë të të dy partive respektive në opozitë. Ironi e shoqëruar me deklarata kundër Lu, “shërbimin” e tij ndaj Ramës por dhe karikatura të ndryshme me peshq, me kryeministrin apo dhe me ambasadoren në largim të BE Romana Vlahutin.

Dhe Donald Lu e dha mesazhin e parë të lamtumirës kur deklaroi se kushdo që të vijë në Shqipëri si ambasador i SHBA, reformën në drejtësi, Vettingun dhe arrestimin e “peshqeve të mëdhenj” do ta ketë në qendër të punës së tij, pasi është një investim i SHBA ky.

Teksa kaloi qershori dhe erdhi korriku, Donald Lu dha mesazhin e dytë të lamtumirës, sërish të lidhur me Vettingun, reformën në drejtësi dhe arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, kur deklaroi se “të gjithë duhet të ketë frikë nga reforma në drejtësi, dhe politikanët”.

Dhe kur kaloi korriku dhe në “kapërcyell” të gushtit, teksa “vapa ikën dhe me gushtin”, Donald Lu lëshoi mesazhin e tretë të lamtumirës, atë të përsëritjes të vendosmërisë për t’i shkuar deri në fund reformës në drejtësi dhe vettingut, ngritjen e institucioneve SPAK e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me qëllimin e vetëm, burgun për “peshqit e mëdhenj”.

Tashmë pritet dhe një lamtumirë e katërt, që ndoshta do të jetë e fundit për të dhe përfundimisht do të largohet nga Shqipëria. Lamtumirë që pritet të jepet nga vera e vitit të ardhshëm me sa duket.

Ka në “themel” kjo që themi, përvojën me ish ambasadorin e SHBA në Tiranë, Alexandër Arvizu, i cili dha katër darka lamtumire me të gjithë politikën dhe mediat shqiptare dhe qëndroi dhe mbi një vit përtej mandatit zyrtar si ambasador i SHBA në Tiranë. Dhe situata ishte terësisht e ndryshme nga ajo që po paraqitet sot me ambasadën e SHBA në Tiranë. Pasi nuk është dhe zv.ambasadori, i cili e ka mbyllur mandatin, ndërkohë që e ngarkuara me këtë detyrë vijon ta kryejë atë, por me sa duket bashkë me Donald Lu.

Themi se situata është pak ndryshe, pasi e nominuara e Donald Trump si ambasadore e SHBA-ve në Tiranë, Kathleen Kavalec, pritej të zhvillonte dëgjesën në senat, por ajo s’është paraqitur. Duke u interesuar për të mësuar arsyet e mungesës së saj mediat shqiptare e pyeti zëdhënësin e senatorit amerikan Bob Corker kreu i komitetit për marrëdhëniet me jashtë që dha këtë përgjigje:

“Vumë re se një numër i anëtarëve të komisionit po kërkojnë informacione shtesë. Ne do të rishohim në një seancë për të nominuarin që do të shërbejë si ambasador në Shqipëri sa më shpejtë të jetë e mundur”. Rreth një muaj më parë, emri i Kathleen Kavalec u nominua nga presidenti Trump si ambasadore e SHBA në Tiranë pas përfundimit të mandatit të Donald Lu.

Megjithatë ditët e fundit mediat amerikane shkruajnë se emri i Kavalec, dikur zëvendës ndihmës sekretare e në Byronë e Çështjeve Evropiane të Departamentit te shtetit, është e përfshirë në dosjen e debatueshme të Trump për zgjedhjet presidenciale.

Madje thuhet se jo vetëm ka dhënë donacione për kandidaten rivale Hillari Klinton, por dhe se ka marrë informacione për përzierjen e rusëve në zgjedhjet e SHBA. Si një njohëse e thellë e çështjeve ruse ajo nuk përjashtohet të pyetet nga ana e kongresit, në kuadër të hetimit që ka filluar për këtë çështje dhe informacionet e saj mund të jenë të vyera.

I thamë këto për të nënvizuar faktin se procesi i emërimit të saj si ambasadore e SHBA në Shqipëri mund të shkojë shumë gjatë, pasi në fillim të vitit mund të fillojë zyrtarisht gjykimi i çështjes së përzierjes së rusëve në zgjedhjeve e SHBA, gjykim që shkon shumë shumë gjatë. Dhe deri atëherë në krye të ambasadës së SHBA në Tiranë pritet të jetë Donald Lu, duke ua ngrirë buzëqeshjen në buzë PD e LSI dhe në veçanti Berishës e Metës dhe duke ua bërë nervat “kaqurrel”.

Ndërkohë që mesazhi i Donald Lu se do kërkojë fort ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, është një paralajmërim serioz se “peshqit e mëdhenj” Meta dhe Berisha kanë nisur realisht të shohin ëndrra me burg dhe qeli. SHBA është e vendosur për t’i futur në burg “peshqit e mëdhenj” të politikës shqiptare, dhe Donald Lu me një vit shtesë mandati në Shqipëri, me sa duket është zgjidhja e duhur për këtë./Pamfleti

Donald Lu merr një vit shtesë mandati në Tiranë, Berishës dhe Metës i bëhen nervat “kaqurrel” Read More »