Të rinj nga qyteti i Marsejës në Francë janë angazhuar prej disa ditësh në programin “Interlink Berat” i cili synon promovimin e trashëgimisë kulturore, ruajtjen e mjedisit dhe nxitjen e shkëmbimeve kulturore.
Me mbështetjen e bashkisë Berat dhe me ndihmën e vullnetarëve të Korpusit të Paqes Berat dhe Aleancës Franceze, dega Berat, të rinj beratas dhe nga qyteti i Marsejës në Francë janë angazhuar në këtë program.
Të rinjtë janë duke ndihmuar në përmirësimin e oborreve të kishave historike të Shën Mëri Vllahernës dhe Shën Todrit në Kalanë e Beratit dhe të disa shkollave në qytet.
Aktivitete të tjera përfshijnë ekspedita në natyrë si dhe programe shkëmbimi dhe ndërveprimi kulturor./atsh
Sociologu Gëzim Tushe ka folur për rastin “Ridvan Zykaj” dhe rolin e shtetit në masakrën me 8 viktima që tronditi të gjithë vendin. Duke folur në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, Tushe tha se më shumë se me rastin në fjalë, duhet të merremi me krimin si fenomen në shoqërinë tonë. Ai e vuri theksin tek roli i familjes dhe policisë së komunitetit dhe impaktin që kanë ata sidomos tek personat në dukje problematikë.
“Mund të ketë Ridvanë të tjerë që të kryejnë krime në shoqëri. Nuk ka një recetë për këtë shmangie, por duhen bërë ca analiza diferenciale. Kam frikë se është problem gjenetik. Ka raste të caktuara ku potencialisht në familje, pasi është një nga faktorët e shoqërisë që nuk funksionon, se nuk merren me fëmijët e tyre, e papritur thonë nga na doli vrasës ky fëmija ynë. Edhe policia e komunitetit duhet të jetë më vigjilente, t’i shohë individët që dallojnë. Por ka dhe shkaqe sociale. Rasti i Ridvanit, që mori 8 jetë njerëzish ka të bëjë me shoqërinë shqiptare që ka një lloj primitivizmi, që në vend të gjuhës, përdorin armët. Shikoni çfarë niveli mizerabël jemi ne, që për një fjalë goje, marrim armën e vrasim.
Krimineli është i paparashikueshëm, e ndonjëherë ndodh që është i befasishëm. Ndonjëherë brenda njeriut ndodhet kafsha. Kanë të bëjnë me instinktet, me mungesën e kontrollit. Kur ndodh një çarje e personalitetit, e brenda tij mbetet vetëm kafsha, ai atëherë bën hatanë. E kam ndjekur rastin e Ridvanit, e në rrjete sociale publiku ka një pritshmëri se çfarë bën shteti,” tha Tushe.
Sociologu gjithashtu tha se dënimi me vdekje nuk është zgjidhje pasi edhe në shumë vende të botës nuk janë marrë pritshmëritë e duhura.
“Po ndodhin krime të patolerushme, krim në familje, krim në rrugë, krim në shkollë, nuk ka një oaz paqeje në vendin tonë dhe ky është alarm social. Ndikon dhe varfëria por nuk mund të themi që është faktor vendimtar. Duhen parë faktorët që i japin impuls krimit në shoqërinë shqiptare. Dënimi me vdekje nuk është zgjidhje. Në botë edhe në ato vende ku ekziston dënimi me vdekje, nuk ka dhënë pritshmëritë e duhura,” u shpreh ai.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shtuar vëmendjen në marketet e zonave rurale duke bërë të mundur ndalimin e tregtimit të ushqimeve të skaduara dhe duke garantuar tek konsumatori sigurinë ushqimore.
Konkretisht, DRAKU Gjirokastër dhe Berat kanë zgjeruar më tej kontrollin e të gjitha supermarketeve dhe dyqaneve që tregtojnë produkte ushqimore të skaduara në zonat rurale të këtyre qarqeve.
Trupa inspektuese e AKU-së ka evidentuar në fshatin Memaliaj të Përmetit një subjekt me aktivitet “minimarket”, i cili u kap në flagrancë duke tregtuar produkte të skaduara si: birra, reçel, kos, salcë kosi etj.
Ndërsa në fshatin Duhanas të Beratit u konstatuan produktet: sallam, mish pule, salsiçe, etj., me afat skadence të përfunduar. Ndaj dy subjekteve është marrë masë administrative me gjobë.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundërligjshme e të rrezikshme nga subjektet, që neglizhojnë apo shkelin rregullat e sigurisë ushqimore.
Për këtë arsye AKU është në vazhdimësi të aksionit, atë të kontrollit në furgona që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë vendin. Konkretisht, trupa inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndaluar një furgon i cili shpërndante 100 kg midhje pa kushte frigoriferike dhe pa asnjë dokumentacion shoqërues.
Ndaj shtetasit Kristo Veizi u mor masë administrative gjobë, si dhe asgjësim i menjëhershëm i produktit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se këto kontrolle do të vazhdojnë të jenë intensive për të mos lejuar askënd të cenojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve në vendin tonë.
Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregtimi jashtë standardeve, apo çdo shkelje të dyshuar të standardeve të Sigurisë Ushqimore, për të parandaluar çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected], si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët./atsh
Një djegie e pakujdesshme e mbeturinave, që në kushtet e temperaturave të larta, mund të kthehej në një katastrofë mjedisore duke rrezikuar edhe jetë njerëzish është parandaluar në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta.
Parandalimi u bë i mundur nga shërbimet e vrojtimit të Parkut të cilët njoftuan për prani tymi në zonën e fshatit Babunje.
Pas njoftimit, janë mobilizuar menjëherë forcat e policisë së Komisariatit Divjakë, shërbimi zjarrfikës i bashkisë Divjake dhe i Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier.
Gjithashtu në vendngjarje kanë mbërritur dhe punonjësit e AdZM Fier, Fotjon Prence përgjegjës monitorimi dhe Astrit Jolla renxher i zonës, që konstatuan se kishin të bënin me djegien e një ferre nga pakujdesia.
Specialistët e AdZM së bashku me policinë monitoruan zonën për prani të gjurmëve të pa fikura të zjarrit dhe kontaktuan me fermerët aty afër, për kujdesin maksimal që duhet të tregojnë./atsh
Mbi 57.710 vizitorë vizitorë shqiptarë dhe të huaj kanë vizituar Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë gjatë periudhës janar-korrik 2018 ,gati 2.5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik Krujë po vizitohet dhe në këto ditë të nxehta gushti nga një numër i lartë i turistëve të huaj.
Numrin më lartë të turistëve të huaj e përbëjnë italianët, të cilët vizitojnë vendin tonë të organizuar me agjenci turistike, individualisht, apo të shoqëruar nga miq shqiptarë që jetojnë në Itali.
Viti 2018 është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndaj Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe ai Etnografik në Krujë janë përgatitur maksimalisht për t’iu përgjigjur sa më mirë numrit gjithnjë në rritje të vizitorëve.
Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja./atsh
Ambasada Gjermane Tiranë promovon vlerat e turizmit në Shqipëri dhe rajon duke sjellë si destinacion shtegun më të ri ndërkufitar që lidh malet midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.
“A të pëlqen të jesh aktiv, a të pëlqen natyra? Atëherë mbath atletet e tua të udhëtimit dhe zbulo High Scardus Trail – shtegun më të ri ndërkufitar që lidh malet midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë”, shprehet Ambasada Gjermane Tiranë.
Ambasada Gjermane Tiranë shpjegon se “ky shteg i distancave të gjata iu prezantua publikut në fund javë nga drejtuesja jonë e Sektorit për Bashkëpunimin për Zhvillim, Maren Kneller, së bashku me Zëvendësministrin për Turizmin, Çeku dhe Kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë, Rama”.
“Duke u nisur nga pika të ndryshme hyrëse dhe dalëse, grupe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia u mblodhën të gjithë një ditë përpara në Peshkopi përmes High Scardus Trail” shprehet Ambasada Gjermane Tiranë . /atsh
Shqiptarët njihen si populli më pro amerikan në botë, por një sondazh i Gallup tregon të kundërtën sa i takon pëlqimit të presidentit amerikan, Donald Trump, pasi shqiptarë duket se kanë një tjetër lider të preferuar.
Gallup International ka realizuar anketën e vitit 2018 në lidhje me mendimet që kanë qytetarët e 55 shteteve për udhëheqësit botërorë. Të anketuarit janë pyetur nëse kanë mendim negativ apo pozitiv për presidentin amerikan Donald Trump, presidentin rus Vladimir Putin, presidentin turk Recep Erdogan, kancelaren gjermane Angela Merkel, si dhe liderë të tjerë.
Kosova dhe Shqipëria që të dyja kanë nxjerrë kancelaren gjermane Angela Merkel si lideren e preferuar. Në Kosovë 77% e qytetarëve kanë mendim pozitiv për Merkel, kurse në Shqipëri kjo shifër shkon në 82%.
57% te kosovarë kanë mendim pozitiv për Erdogan, kurse 47% e tyre e shohin pozitivisht presidentin amerikan Trump. 10 % të kosovarëve kanë mendim pozitiv për Putinin, kurse 59 për qind kanë mendim negativ për të.