Aurora

Kungulleshka me djathë në furrë / Shije dhe vlera në tryezë

Kungujt e njomë janë perime shumë të shijshme dhe të pasur në vlera.

Ato përmbajnë shumë vitaminë K, vitaminë C, kalium dhe fibër.

Kjo perime rekomandohet për njerëzit që vuajnë nga problemet me qarkullimin e gjakut dhe kockave.

Kungujt e njomë zakonisht gatuhen në gjellëra të ndryshme, ose bëhen pjesë e turlive me perime.

Megjithatë, kungujt e njomë mund të piqen në furrë dhe në formën e patateve të cilat e kemi të vështirë t’u rezistojmë.

Ndonëse ato janë krejt ndryshe nga patatet e pjekura, kungujt e njomë të pjekur të prerë në rripa kanë një shije befasuese.

Si Të Përgatisni Kungujt E Pjekur me Djathë

Përbërësit:

250 gramë kunguj të njomë

1 lugë e gjysmë gjelle me miell

Vaj ulliri

3 vezë

2 lugë gjelle me qumësht

2 lugë gjelle me djathë të grirë hollë.

Mund të përdorni djathë të bardhë ose kaçkavall sipas dëshirës.

Përgatitja:

Prijini kungujt në rripa.

Në një enë qelqi hidhni miellin dhe shtoni aty kungulleshkat e prera një e nga një.

Mundohuni që të gjitha fetat të jenë të spërkatura në të gjithë sipërfaqen me miell.

Për pjekjen mund të përdorni një tavë qelqi, të cilën duhet ta lyeni me vaj ulliri dhe me pak bukë të thekur të grirë hollë.

Kështu lagështira e tepërt e kungulleshkave do të përthithet, dhe do të ruhet forma dhe shija e tyre.

Në një tas përzjeni vezën, qumështin dhe djathin e grirë derisa të formohet një masë homogjene.

Ndërkohë shtrojmë në tavë shtresën e parë me kunguj i spërkasim me pak vaj ulliri, kripë dhe piper.

Në të njëjtën mënyrë veproni me të gjithë fetat e kungujve.

Pasi i kemi vendosur që të gjithë, i hedhim sipër vezën, qumështin dhe djathin e grirë.

Mund të shtoni dhe pak majdanoz të grirë sipas dëshirës.

Vendoseni në furrë të ngrohur më parë me 200 gradë celsius përreth 20-30 minuta.

Kur të jetë krijuar një shtresë e artë në sipërfaqen e kungujve, është gati për t’u shërbyer.

Mund t’i servirni duke i shoqëruar me salcë kosi të thjeshtë ose tarator./AgroWeb.org

Kungulleshka me djathë në furrë / Shije dhe vlera në tryezë Read More »

Shenjat dhe simptomat e stresit të tepërt

Stresi përshkruhet si një gjendje e rënduar mendore ose emocionale që shkaktohet nga rrethana të caktuara armiqësore.

Stresi është një gjendje të cilës nuk i shpëton askush në një pikë të caktuar të jetës.

Studimet konfirmojnë se të paktën 33 përqind e të rriturve përjetojnë nivele të larta të stresit rregullisht.

Stresi manifestohet me disa simptoma fizike dhe mendore të cilat i gjeni të zbërthyera më poshtë në këtë artikull të AgroWeb.org

Shfaqja e Akneve

Stresi manifestohet rregullisht nëpërmjet akneve dhe puçrave.

Kjo ndodh sepse kur njerëzit janë të stresuar, kanë tendencën të prekin fytyrën më shpesh se zakonisht.

Kjo përshpejton përhapjen e baktereve dhe shfaqjen e puçrave.

Dhimbjet e Kokës

Stresi është një faktor kontribues në intensitetin e dhimbjeve të kokës dhe të zonës së qafës.

Studimet konfirmojnë se një ngjarje stresuese pasohet nga një dhimbje e fortë e kokës.

Sa më shumë ngjarje të tilla të ketë në harkun kohor të një muaji aq më shumë dhimbje koke do të përjetojë një i rritur.

Në fakt sipas studimeve të cilave u referohet AgroWeb.org, stresi është shkaktari i dytë madhor i dhimbjeve të kokës.

Dhimbjet Kronike

Nivelet në rritje të kortizolit, hormoni kryesor i stresit shkaktojnë dhimbje të shumëfishta e kronike.

Sëmundje Në Rritje

Nëse ju duket sikur nuk po rimëkëmbeni dot nga sëmundjet e ndryshme që ju kaplojnë herë pas here, atëherë tregoni kujdes me stresin.

Ndikimi i tij në sistemin imunitar është i ashpër dhe e bën njeriun një shënjestër të lehtë të shumë sëmundjeve.

Në rastin e gripit, stresi arrin të zbehë rolin mbrojtës të vaksinës dhe nënshtron sistemin imunitar.

Sëmundjet më të përhapura tek njerëzit që stresohen më shpesh, janë infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes.

Mungesë Energjie Dhe Pagjumësi

Lodhja kronike dhe rënia e nivelit të energjisë janë simptoma të përhapura të stresit.

Stresi prish edhe cilësinë e gjumit dhe shkakton pagjumësi.

Probleme Me Tretjen

Nivelet e larta të stresit shkaktojnë probleme me tretjen, diare dhe konstipacion.

Fëmijët, gratë dhe burrat që preken nga stresi, përjetojnë më shumë raste konstipacioni, dhimbje stomaku, fryrje ose diare.

Oreksi

Stresi ka një ndikim të fortë tek oreksi.

Njerëzit e stresuar mund të përjetojnë humbje të tij ose një dëshirë të pajustifikuar për ushqim.

Në përiudha stresuese, njerëzit mund të humbasin ose të shtojnë në peshë në mënyrë të menjëhershme.

Depresion

Stresi kronik ka një rol kontribues në shfaqjen e depresionit.

Ky  fundit prek më shumë adoleshentët dhe gratë.

Sa më stresuese të jetë jeta juaj, aq më të shpeshta do të jenë episodet e depresionit.

Rrahje Të Shpeshta Zemre

Stresi e bën zemrën të rrahë më shpejt dhe më fort.

Raste të tilla vërehen tek adoleshentët dhe studentët të cilët situatat stresuese i kalojnë në shkollë ose me moshatarët e tyre.

Djersitja

Ekspozimi ndaj stresit shkakton djersitje të tepërt, sidomos në zonën e duarve.

Kjo vihet re kryesisht tek adoleshentët por edhe tek gratë.

Konkluzioni

Stresi ka një ndikim të jashtëzakonshëm në shëndetin e njeriut.

Ai mund të mbahet nën kontroll nëpërmjet aktivitetit fizik dhe ushqyerjes së shëndetshme.

AgroWeb.org ju këshillon të konsultoheni me mjekun nëse vini re një stres në rritje që ndikon në shëndetin tuaj./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine

Shenjat dhe simptomat e stresit të tepërt Read More »

Lëkura e fytyrës / Sekretet e rinisë së përjetshme

Kur vjen puna tek lëkura disa njerëz janë të bekuar nga natyra e ca nga genet e mira.

Lëkura, është ajo që na përfaqëson në pamje të parë dhe kërkon shumë mirëmbajtje dhe ushqim.

Stresi, ndotja mjedisore dhe faktorë të tjerë ndikojnë në përkeqësimin e saj.

Një lëkurë e pastër, me shkëlqimin që të jep shëndeti i mirë nuk ka të paguar.

Por përse të paguash shumë kur mund të provosh këto çajra të rëndësishëm bimorë të cilët përmbushin nevojat më bazike të lëkurës.

Shëndeti dhe bukuria e lëkurës nisin pikë së pari tek ushqimet që konsumoni.

Studimet kanë konfirmuar se antioksidantët, polifenolët dhe substancat kundër inflamacionit përmirësojnë dhe mirëmbajnë shëndetin e lëkurës.

A ka një produkt ushqimor që i përmban të gjitha këto?

Patjetër që po. Ai është çaji.

Lëkura e fytyrës dhe çajrat

Ekspertët janë dakord me idenë se antioksidantët tek çaji luftojnë radikalet e lira që sulmojnë shëndetin e lëkurës dhe flokëve.

Këto antioksidantë e mbrojnë lëkurën edhe nga dëmet e rrezeve ultravjollcë dhe faktorët agresivë të ambientit.

Më poshtë do të gjeni një listë nga AgroWeb.org me çajrat më të mirë për lëkurën.

Çaji i Zi

Çfarë bën: Çaji i zi është plot me antioksidantë, vitamina dhe minerale si magnezi, kaliumi dhe zinku.

Të gjitha këto parandalojnë shenjat e plakjes, shfaqjen e kancerit dhe inkurajojnë rigjenerimin e qelizave.

Si ta përdorni: Çajin e zi mund ta mbani në ujë të valuar për 10 minuta.

Më pas mund të shtoni disa gjethe mente dhe t’i lini së bashku për 45 minuta.

Pasi e keni kulluar, zhysni një napë të pastër dhe me të lyeni lëkurën për të hequr çdo gjurmë inflamacioni ose problemi.

Nëse keni sy të enjtur, kafeina tek çaji ju vjen në ndihmë.

Mund të vendosni bustinat e çajit të zi në pjesën e rrathëve të syve përpara se të vendosni kremin.

Çaji kamomil

Çfarë bën: Ky është çaji më i mirë bimor kundër sëmundjeve të lëkurës, akneve, irritimeve apo përtharjes.

Kamomili përmban flavonoidë dhe terpenoidë që e zbusin dhe e ushqejnë lëkurën e fytyrës.

Si ta përdorni: Nëse e vendosni në lëkurë, çaji do e ushqejë, do largojë skuqjet dhe irritimin thonë ekspertët.

Pasi çaji të ketë zier përdorni një napë dhe vendoseni në zonat më problematike të lëkurës.

Çaji jeshil

Çfarë bën: Çaji jeshil po përfshihet në shumë produkte kozmetike dhe ushqimore.

Çdo gllkënkë e këtij çaji ju ushqen me antioksidantë. 15-20 përqind e përmbajtjes së çdo gjetheje përbëhet nga katekina, një antioksidant i fuqishëm.

Ky antioksidant largon radikalet e lira dhe shmang shenjat e plakjes.

Çajin pijeni rregullisht çdo ditë, thonë ekspertët.

Si ta përdorni: Mbushni dy lugë me gjethe të çajit jeshil dhe hidhni sipër tyre tre lugë me ujë të nxehtë.

Lërini për pak minuta.

Në një tigan të vogël të thellë hidhni një filxhan me vaj arre kokosi.

Kur të jetë shkrirë shtoni gjethet e çajit dhe disa pika nga një vaj esencial që ju përshtatet më shumë.

Uleni temperaturën dhe lërini të gjithë përbërësit të ziejnë ngadalë për 30 minuta.

Më pas kullojeni lëngun dhe futeni në frigorifer për 30 minuta të tjera.

Më pas futeni në një mikser dhe përzijeni për 3-5 minuta.

Ky krem zbutës mund të përdoret për 2 javë.

Xhenxhefili

Çfarë bën: Xhenxhefili ka një ndkim zbutës dhe qetësues për lëkurën sepse lufton inflamacionin.

Si ta përdorni : Thjesht duke nuhatur aromën e xhenxhefilit gjatë zierjes do të përmirësoni qarkullimin e gjakut dhe transferimin e oksigjenit.

Qërojeni dhe grijeni dhe ziejeni në ujë bashkë me pak lëng limoni dhe mjaltë.

Ekspertët rekomandojnë konsumimin e një luge gjelle me xhenxhefil të freskët e të grirë çdo ditë./AgroWeb.org

Lëkura e fytyrës / Sekretet e rinisë së përjetshme Read More »

Fuqia kurative e nenexhikut të egër dhe roli i fortë në organizëm

Nenexhiku i egër është një nga erëzat më të preferuara, jo vetëm për vlerat mjekësore, por edhe për shijen dhe aromën që përcjell.

Gjethet e nenexhikut të egër janë përdorur që në lashtësi dhe aroma e tyre gjithnjë ka simbolizuar mikpritjen në shumë kultura.

Kërkimet shkencore të kohëve moderne vazhdojnë të provojnë atë që tashmë dihet në mbarë botën: nenexhiku i egër është një nga kurat bimore më të çmura të natyrës.

Ndryshimi kryesor mes nenexhikut të egër dhe atij të kultivuar qëndron në faktin se ndryshe nga nenexhiku i butë i vazove apo oborreve, nenexhiku i egër gjendet i rritur në natyrë duke i mbijetuar vetë kushteve atmosferike dhe elementëve natyrorë.

Shqipëria është një nga vendet e bekuara me këtë bimë mjekësore dhe nenexhiku i egër gjendet shpesh nëpër pyje dhe kullota.

Çaji i nenexhikut të egër përgatitet njëlloj siçdo çaj tjetër bimor. Mjaftojnë dy lugë kafeje me nenexhik të thatë në një gotë ujë të valuar. Kullojeni dhe ëmbëlsojeni sipas dëshirës.

Pesë vlerat shëndetësore të çajit të nenexhikut të egër

1. Largon stresin

Çaji i nenexhikut të egër është aleat shumë i fuqishëm kundër stresit dhe ankthit.

Mentoli që gjendet në këtë barishte, qetëson muskujt, një aspekt fizik që përkthehet në një trup dhe mendje të qetë dhe pa ankth.

2. Sjell gjumin e munguar

Nëse pini çaj nenexhiku përpara se të shkoni në shtrat, atëherë do të bëni një gjumë të qetë. E gjithë kjo aftësi e këtij çaji, vjen nga përmbajtja e mentolit tek nenexhiku.

Jo vetëm që ai qetëson muskujt, por edhe ju ndihmon të keni ëndrra të bukura. Përpiquni të lexoni një libër teksa pini çaj nenexhiku.

3. Rrit përqendrimin

Keni vështirësi të përqendroheni? Zgjidhja qëndron tek çaji i nenexhikut të egër i cili rrit përqendrimin dhe vigjilencën.

Hidhni gjethet e nenexhikut në një enë me ujë të valuar dhe mbulojeni me kapak deri sa të ziejë. Mbajeni çajnikun në dhomën e ndenjes dhe lëreni aromën të pushtojë shtëpinë tuaj. Do të ndieni ndryshimin menjëherë.

4. Kuron sinozitin

Konsumi i lëngjeve të ngrohta si çaji me mjaltë mund të ndihmojë me zhbllokimet në rrugët e frymëmarrjes, por çaji i nenexhikut të egër është më special.

Lëngu i ngrohtë i nenexhikut gjithashtu kuron fytin e lënduar, një nga simptomat më frekuente të virozave dhe të ftohtit.

5. Zgjidh problemet me stomakun

Çaji i nenexhikut është një kurë natyrale për disa probleme me stomakun, siç janë fryrjet, gazrat dhe konstipacioni.

Ditët e sotme vaji i nenexhikut përdoret nga ekspertët për të kuruar problemet me stomakun dhe zorrët.

Çaji i nenexhikut lehtëson kalimin e gazrave në organizëm, largon të vjellat, zgjidh problemet me diarenë dhe konstipacionin.

Pavarësisht këtyre vlerave të mira, nuk duhet harruar që çaji i nenexhikut të egër mund të ketë disa efekte anësore. Disa njerëz janë alergjikë ndaj mentolit, ndaj duhet pasur kujdes. Femrat shtatzënë duhet të dinë gjithashtu që çaji i nenexhikut relakson uterusin dhe mund të rrisë rreziqet e abortit./AgroWeb.org

Fuqia kurative e nenexhikut të egër dhe roli i fortë në organizëm Read More »

Industria e turizmit, mundësi për punësimin e të rinjve

Rritja e turizmit në Shqipëri është një mundësi e shkëlqyer për punësimin e të rinjve në këtë sektor.

Përfaqësues të agjencive, guidave dhe udhërrëfyesve turistikë, ishin përballë të rinjve të “Smile Albania” në kampin e Jalit, aty ku të rinjtë trajnohen duke punuar për turizmin dhe mjedisin.

“Në qoftë se ka një gjë që mund të bëni lekë dhe të jetoni bukur, është turizmi. Ka aq shumë mundësi punësimi. Është zanat. Rroga mesatare e një guide është 50 euro në ditë”, tha Vladimir Dedë Ndrea, drejtues i “Albania Adventure”.

Përfaqësuesit e guidave thanë se certifikimi i guidave nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxitur profesionalizmin në këtë fushë.

“Më pëlqen që Ministria e ka bërë tani me certifikime. Bëj trajnim dhe Ministria të licencon nëse e meriton”, tha Ndrea.

Në një bashkëbisedim të hapur, guidat rrëfyen përvojën e tyre në turizëm, duke ndarë me të rinjtë fillesat, përgatitjet por edhe vështirësitë e këtij profesioni.

“Nëse punën e bën me dëshirë e pasion, lodhja konsiderohet zero”, tha Paola një tjetër guidë e pranishme në takimin me të rinjtë e “Smile”.

Në fund të takimit të rinjtë e “Smile Albania” dhe përfaqësuesit e guidave dhe operatorëve turistikë, zhvilluan një ndeshje volejbolli në kampin më të madh të buzëqeshjes, në Jal./ atsh

Industria e turizmit, mundësi për punësimin e të rinjve Read More »

Bursa studimi në Itali, dokumentacioni që kërkohet për të aplikuar

Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Itali, tashmë mund të aplikojnë për bursa deri më 12 nëntor të këtij viti.

Falë bashkëpunimit të ngushtë me Universitetin e Studimeve të Tuscia në Itali në programin “Erasmus + KA1”, rreth 12 studentë nga Universiteti i Tiranës do të kryejnë një semestër të plotë në këtë universitet në Viterbo të Italisë për vitin akademik 2018-2019.

Thirrja do të qëndrojë e hapur deri më datën 2 nëntor për të gjithë studentët e interesuar, ndërsa bursat e studimit do të përfshijnë nivelin “Bachelor” dhe “Master”, nga një semestër secili.

Lidhur me dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar në nivel “Bachelor” dhe “Master”, këto të fundit përfshijnë: CV (në gjuhën angleze/italiane në vartësi të programit të studimit), kopjen e pasaportës, vërtetim studenti, listë notash e nivelit “Master” (të përkthyer zyrtarisht në gjuhën angleze/italiane në vartësi të programit të studimit), listë notash dhe diplomë e nivelit “Bachelor” (të përkthyer zyrtarisht në gjuhën angleze/italiane në vartësi të programit të studimit), letër motivimi në gjuhën angleze/italiane në vartësi të programit të studimit;

– Certifikatë e gjuhës së huaj (Anglisht B1/Italisht B1), Learning Agreement (kontratë midis universitetit të origjinës dhe aplikantit dhe shërben për të përcaktuar lëndët që do të zhvilloni në universitetin pritës).

Dokumentacioni duhet dorëzuar fizikisht në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, Drejtoria e Komunikimit, Sektori i Marrëdhënieve me Jashtë si dhe të skanuara në formatin PDF në adresën [email protected] . /atsh

Bursa studimi në Itali, dokumentacioni që kërkohet për të aplikuar Read More »

Gjirokastër, Drejtoria Rajonale e Punësimit shpall 710 vende të lira pune

Drejtoria Rajonale e Punësimit në Gjirokastër në vetëm 6 muaj ka ndërmjetësuar 583 punëkërkues në sipërmarrjen private ndërsa në sistem janë 710 vende të lira pune.

Nga të dhënat e bëra publike, për periudhën janar – korrik 2018 rezulton se janë ndërmjetësuar 583 punëkërkues në sipërmarjen private, 70 nga ish-Ndihma Ekonomike, 23 nga Ndihma Ekonomike, 17 nga grupet e veçanta (romë/egjiptianë), 2 persona me aftësi të kufizuar (PAK).

Po kështu, sipas të dhënave të kësaj Drejtorie, 26 persona janë punësuar pas përfundimit të formimit profesional ndërsa rezultojnë 366 punëkërkues të regjistruar në kurset e Formimit Profesional. Në sistem janë 710 vende të lira të shpallura, ndërsa janë kryer
1047 takime me punëdhënësit./atsh

Gjirokastër, Drejtoria Rajonale e Punësimit shpall 710 vende të lira pune Read More »

Rama-Meta, po bëjnë gati Uzinën, do prodhojnë floririn që del nga bakri, pazar me koncesionarin turk, ja dokumenti

Minierat dhe fabrikat e bakrit shqiptar, u dhanë më 2001 nga Ilir Meta për 30 vjet, Rama e zgjati në 45 vjet më 2017.

Me prapanicat e futura në det dhe duke u shtirur sikur janë në armiqësi me bosët e LSI, bosët e pushtetit të “rilindjes”, mendojnë, sajojnë, firmosin e vulosin koncesine dhe tendera të përbashkët afro gjysëm shekullorë, me vlerë miliarda lekë, për të shtuar pasuritë e tyre, të familjarëve ndër breza, të miqve, klientëve, shokëve e dashnoreve.

Këto hajdutëri, fillimisht i promovojnë si “shërbim në interes të qytetarëve e banorëve të zonave”, ku ata hapin themele dhe ngrenë biznese, duke investuar taksat publike dhe borxhet e shumta që marrin nëpër botë, por që paguhen nga shqiptarët.

Më datë 13 gusht 2018, megjithëse banda qeveritare është me pushime nëpër plazhe, resorte e male, nga zyrat e saj ka dalë njoftimi, për shpalljen e një tenderi me vlerë 806 milionë lekë, ose afro 1 miliardë lekë, me objekt “Rehabilitim i Uzinës së Rafinimit të Bakrit në Rubik” e cila siç dihet, ka qenë uzina e pasurimit (prodhimit) të 1500 kg. flori shqiptar i derdhur në linkota, që nxirrej nga minerali bakrit.

Ky rehabilitim, sipas informacioneve që ka siguruar “PAMFLETI”, fsheh skemën e një biznesi-koncesionar familjar Rama-Meta, në industrinë e nxjerrje-pasurimit (prodhimit) të floririt, mbasi projekti rehabilitues, parashikon rivendosjen në punë, vetëm të impiantit të pasurimit (larjes së bakrit), duke percipituar floririn në vaskat e shllamit dhe repartin e elektrolizës së argjendit, ku veçohen këto dy metale me vlerë.

Lënda e parë minerali i bakrit, do të çohet në Uzinën e Rubikut, nga minierat e Munellë-Lak Roshit-Fushë-Arrëzit, që nxirret nga firma konesionare turke “Ber Orner”, me administrator hebreun me shtetësi truke Erol Kohen, i cili i ka marrë me koncesion minierat e bakrit në Shqipëri, qysh 17 vite më parë, me vendim qeverie të Ilir Metës-kryeministër, datë 18. 01. 2001, miratuar brenda 15 ditësh në parlament, me Ligjin Nr. 8761, datë 02. 04. 2001.

Duke parë ndërhyrjen e përshpejtuar, për rehabilitimin e uzinës së bakrit në Rubik, që sipas njoftimit të qeverisë “Rama-2”, duhet të rehabilitohet për 6 muaj e 15 ditë (25 mars 2019), del sekreti i vendimit të Qeverisë “Rama-1”, për miratimin urgjent e në fshehtësi, të Ligjit nr. 73/2017, datë 27. 04.2017, hartuar nga Edi Rama Kryeministër dhe Ilir Meta Kryetar Kuvendi, për lejimin e ndryshimit të emrit të firmës turke, nga “Ber Orner” në “Nesco Metal” dhe shtimin e afatit të koncesionit të bakrit, nga 30 vjet që ishte, në 45 vjet, ose deri në vitin 2046.

Këtë bindje, ta përforcon edhe fakti absurd, që qeveria po financon rehabilitimin e Uzinës së Rubikut, të cilën sipas kontratës koncesionare 45-vjeçare, e ka në administrim dhe detyrim për rehabilitim teknologjik e rivënie në punë, firma turke “Ber Orner” (Nesco Metal) e cila deri në vitin 2046, ka në zotërim zonat minerare të bakrit dhe 9 qendra industriale, konkretisht Uzinën e Shkrirje-Rafinerisë së Bakrit Rubik, Impiantin e Skorjeve të Bakrit në Shëngjin, minierat e bakrit në Munellë, Lak-Rosh, Karmë, Vlahnë, Perollaj, fabrikën Fushë-Arrëz, Mjedë dhe Krumë.

Atëherë përse qeveria, financon 1 miliardë lekë taska publike, për biznesin e koncesionarit privat të bakrit, i cili ka 15 vite që nuk po i shlyen shtetit shqiptar, 118 milionë USD detyrime taksa vendore qendrore, rent minerare, energji elektrike, ujë e sigurime shoqërore-shëndetësore të punonjësve?!

A ka lidhje ky investim i përshpejtuar në Uzinën e Bakrit në Rubik, me një pazar-biznes familjar Rama-Meta, për nxjerjen dhe pasurimin (prodhimin) e floririt shqiptar?

Në vijim, “PAMFLETI” do të publikojë, fakte e dokumente, që zbardhin këtë pazar të (ar)miqve “të egër” Rama-Meta, për të futur në “kthetra” edhe industrinë e bakër, flori, argjendit./Pamfleti

NJOFTIMI/MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË

Rama-Meta, po bëjnë gati Uzinën, do prodhojnë floririn që del nga bakri, pazar me koncesionarin turk, ja dokumenti Read More »