Aurora

Byrek me qumësht, ideal për një drekë plot shije

Byreku është një nga ato gatime që nuk të zhgënjen kurrë. Atë mund ta hash në çdo kohë të ditës dhe në çdo vend. Alternativat janë të larmishme: byrek me spinaq, qepë e domate, fasule, gjizë, djathtë, presh, apo qumësht.

Të gjitha kanë veçantinë e tyre dhe të gjithë byrekët janë super të shijshëm. Receta e rekomanduar nga AgroWeb.org bën fjalë për byrekun me qumësht, një ushqim që të bën të lëpish gishtat.

Përbërësit e byrekut me qumësht

Racionet: 4 ose 5

3 filxhanë çaji miell,

2 kokrra vezë

1 pako gjalpë ose vaj ulliri

¾ liter qumësht

1 filxhan çaji niseshte

pak kripë

Udhëzimet

Si fillim duhen përgatitur petët e byrekut.

Në ditët e sotme mund të përdorni edhe petë të gatshme, por e mira e të mirave është që petët t’i përgatisni vetë.

Hidheni miellin e situr në një tepsi.

Hapni një vrimë në mes të tij dhe hidhni ujë me pak kripë.

Përzierjen e brumit fillojeni nga mesi, duke kombinuar ujin me miellin.

Brumin punojeni me duar për 8-10 minuta.

Pasi brumi të ketë marrë formën e duhur, ndajeni në kuleçe dhe mbulojini me napë të lagur.

Lërini të qëndrojnë për 20-25 minuta.

Më pas hapini kuleçët një e nga një duke i spërkatur me pak niseshte.

Kur petët të jenë hapur sa duhet, piqini mbi pllakën e sobës.

Temperatura duhet të jetë mesatare në mënyrë që petët të mos digjen.

Ndërkohë trazoni qumështin, vezët dhe gjalpin e shkrirë.

Në fund të tepsisë vendosni një petë të papjekur.

Spërkateni me masën e qumështit dhe mbulojeni me një petë tjetër të pjekur.

Spërkatini të gjitha petët një e nga një me masën e qumështit, vezëve dhe gjalpit deri sa tepsia të jetë mbushur e gjitha.

Në fund, mbulojeni byrekun me petën e papjekur.

Lyejeni me gjalpë dhe futeni në furrë.

Lëreni byrekun të piqet për rreth 30-40 minuta.

Pas pjekjes hiqeni nga furra, priteni në copa dhe servireni.

Byrek me qumësht, ideal për një drekë plot shije Read More »

‘Jeta është si një kafe …! Fjalët e një mësuesi para nxënësve të stresuar, mësimi më të bukur. Ia vlen ta lexoni

“Dikur një mësues la takim me disa nga nxënësit e tij të mëparshëm për të mësuar se si po ia çonin ata me jetën e tyre. Ai kishte kohë pa i takuar ata dhe mendoi se duhet t’i takonte për të folur mbi jetën.

I pari tha se nuk po ia çonte dhe aq mirë, sepse po haste nëpër vështirësi për t’u ngritur në pozitë në punën që bënte. I dyti tha se një miku i tij kishte blerë një makinë të mirë, ndërsa ai ndihej keq që nuk kishte të ardhura të blinte edhe vetë një makinë të tillë.

Ndërsa në karrigen tjetër ishte ulur një vajzë, e cila u shpreh se dëshironte të ndiqte një master shkencor në administrim biznesi në mënyrë që njerëzit ta merrnin më seriozisht kur kërkonte punë, por nuk ia kishte dalë dot mbanë.

Pastaj profesori ia ktheu: “Dukeni të gjithë të stresuar. Si thoni sikur të bëjmë pak pushim, të marrim disa kafe dhe ta vazhdojmë diskutimin tonë?”. Nxënësit e tij ranë dakord dhe ai solli në tavolinë kafenë dhe disa filxhanë çaji. Disa ishin të thjeshtë, ndërsa disa të tjerë më të bukur. Nxënësit zgjodhën tri filxhanët e mëdhenj dhe të bukur. Mësuesi e vuri re këtë gjë dhe u tha: “Ju të tre zgjodhët filxhanët më të bukur dhe më të shtrenjtë, duke i lënë mënjanë filxhanët e thjeshtë.

Është normale për ju të kërkoni më të mirën për veten tuaj, si dhe zgjidhjen më të mirë për problemet dhe streset tuaja. Mirëpo, duhet të kuptonit diçka. Ju dëshironit kafenë, jo bukurinë e filxhanit dhe një filxhan i bukur nuk ia shton gjë shijen kafesë. Por vëmendja juaj u drejtua drejt bukurisë së jashtme, në vend të kuptimit të brendshëm.

Jeta është si një kafe. Puna, paratë dhe pozita jonë në shoqëri përfaqësohen nga filxhanët. Këto janë thjesht përbërës, tek të cilët ne bazohemi për të jetuar jetën tonë. Mirëpo cilësia e filxhanit nuk e ndryshon dhe as e përcakton cilësinë e jetës që ne jetojmë. Ndonjëherë ne përqendrohemi kaq shumë tek puna, paratë dhe pozita jonë në shoqëri, saqë harrojmë se çfarë ka më tepër rëndësi: Harrojmë esencën, kafenë. Pra, harrojmë të jetojmë jetën. Duhet të mbajmë në mendje gjithmonë se njerëzit e suksesshëm jo gjithmonë janë të lumtur, por njerëzit e lumtur janë gjithmonë të suksesshëm”. / bota.al

‘Jeta është si një kafe …! Fjalët e një mësuesi para nxënësve të stresuar, mësimi më të bukur. Ia vlen ta lexoni Read More »

Përkundër ankesave për çmimet e kripura, Vlora plot me turistë e pushues

Vlora edhe këtë vit nuk mundi t`i shpëtojë kritikave për çmimet e kripura të sezonit veror.

Por kjo nuk i ka penguar aspak pushuesit ta zgjedhin si destinacion për muajt e nxehtë të verës.

Teksa dita kalohet anës detit, mbrëmja i gjen pushuesit në restorante e lokale, ku zgjedhin të shijojnë produktet tradicionale shqiptare.

Ashtu si edhe në qytetet e tjera bregdetare, numri më i lartë i turistëve ka qenë nga Italia dhe Polonia.
Drejtuesit e bizneseve shprehen se sezoni i ka përmbushur pritshmëritë.
Por ka edhe nga ata operatorë turistikë që thonë se shërbimet duhen përmirësuar.

Lungomarja është zona më e frekuentuar nga turistët në Vlorë, ku operojnë rreth 160 biznese, për tu ulur në tavolinat e të cilëve shpesh gjatë mbërmjeve duhet të presësh./oranews

Përkundër ankesave për çmimet e kripura, Vlora plot me turistë e pushues Read More »

Vlorë: Ndryshon pamjen bulevardi “Ismail Qemali”

Në qytetin e Vlorës vazhdon puna për rikualifikimin e bulevardit “Ismail Qemali”, i cili do të ketë një pamje moderne, ku do të dominojë gjelbërimi dhe mjediset shlodhëse dhe argëtuese.
Punimet janë përqendruar në pjesën e parë, nga rrethrrotullimi pranë Lungomares deri në kryqëzimin me rrugën “Petrit Bisha”, ndërsa javën e ardhshme do të fillojë puna në segmentin nga kryqëzimi i “Cipajve” deri te shkolla industriale, transmeton atsh.

Segmenti ku do të punohet është rreth 300 metra. Gjatë punimeve kryqëzimi i “Cipajve” do të qëndrojë i hapur për të penguar sa më pak qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve.

Projekti për rikualifikimin urban të bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë filloi në pranverë të këtij viti.

Ai financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV”.

Vlorë: Ndryshon pamjen bulevardi “Ismail Qemali” Read More »

NATO, stërvitje të përbashkët me anijet shqiptare në Vlorë

SNMCMG2 (Grupi 2 i Gatshëm i Kundërzbulimit të NATO-s), Forca e NATO-s për Veprim të Shpejtë në Kundërpërgjigje ndaj Minave, zhvilloi këtë javë stërvitje me Flotën Ushtarake shqiptare në Vlorë.

Në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë janë publikuar foto nga stërvitja e përbashkët.

Ndërsa komandanti i SNMCMG2 është shprehur: “Shumë faleminderit për pritjen e ngrohtë në Vlorë. Ishte një vizitë e shkëlqyer dhe e suksesshme në det me flotën ushtarake shqiptare. Faleminderit për kohën e bukur që kaluam me miqtë tanë të ALS Butrinti dhe ALS Orikum”.

NATO, stërvitje të përbashkët me anijet shqiptare në Vlorë Read More »

Porosia e të burgosurit nga qelia: Grua po të më duash, merr dy fëmijët e mbytuni në lumë

Takimi i hidhur në qelitë e burgut: “Ik grua! Merri të dy fëmijët dhe mos më hajde më. Mjaft të kam lodhur e sfilitur. Po të më duash aq shumë, merri këta dy të vecklit që kemi bërë dhe shko në lumë të Shkumbinit. Hidhu në ndonjë thellësirë bashkë me ta dhe mbytu. Mbytuni që të tre!”.

“Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe”, është një libër i shkruar nga Pëllumb Kulla, ku përshkruhet historia e familjes Kulla në Zëmblak të Korçës, kalvari i vuajtjeve, pushkatimeve, burgjeve e internimeve që nuk reshti për 45 vjet. Është drithëruese historia e Xhevitit, njërit prej djemve të familjes Kulla, e përshkruar me shumë emocione nga autori. Është historia e tij me bashkëshorten Fehmijen, bijën e një familje në Bilisht të Korçës. Fati i kishte bashkuar në një jetë shumë të vështirë por regjimi gjakatar nuk i mundi dot.

Fehmia dhe Xheviti

Ishte viti 1945, kur Fehmie Kulla një vajzë 19-vjeçare në familjen fisnike të Dervish Muharremit, në Bilisht të Korçës, ishte fejuar me Xhevit Kullën, të birin e Jonuz Kullës, familje patriote në Zëmblak të Korçës. Pak kohë pas fejesës, regjimi komunist vendosi ta arrestojë e ta dënoje me vdekje të Xhevitin. Pa mundur të gjejnë asnjë lidhje me akuzën e sajuar nga sigurimi i shtetit, regjimi vendos ta kthejë dënimin me pushkatim, në dënim me burgim të përjetshëm. Ndërkohë i vëllai i Xhevitit, Ajdini ishte pushkatuar. Kur Fehmija mori vesh lajmin për dënimin e të fejuarit, Xhevitit, u mbyll për shumë kohë në dhomën e saj. Më poshtë botohen pjesë nga libri :” Jo të gjithë të vdekurit prehen në paqe”.

***

Pas një muaji në portën e shtëpisë të Dervish Muharremit në Bilisht trokasin njerëzit e dhëndrit. Prindërit kërkojnë ndjesë që vajza nuk mund t’u dalë. Atëherë kunata e madhe Xhevitit bën me dije se ata, me keqardhje të madhe, kanë ardhur, ngaqë i fejuari i burgosur me një porosi të fshehtë është lutur të zgjidhet fejesa e ta lirojnë vajzën e re nga detyrimi.

Në dhomën e miqve plas vaji. Këtu ndodh e papritura dhe fillon saga që sapo zumë në gojë pak më parë. Vajza ka qenë prapa derës në kohën kur në dhomë bëhej biseda.

”Nusja shtyn derën dhe shfaqet papritur. Vetëm ajo nuk i ka sytë e përlotur.

– I dëgjova të gjitha ato që u thanë, baba. Më thoni, e kanë dënuar kaq ashpër, se ka vrarë ndonjë njeri?

– Jo – i përgjigjen.

– Ka vjedhur?

– Jo, jo! – i thonë përsëri.

– Atë herë unë nuk do të pyes më, se të gjithë jemi pyetur një herë. Ky është fati im dhe i Xhevitit. Fati më goditi dhe unë do ta luftoj fatin gjatë tërë jetës time. Unë kam shpresë tek i madhi Zot. Unë, jam nuse për Zëmblak, nuse e derës tuaj. Mos ma mbyllni!

Çfarë ishte kjo vajzë?” – Bën pyetje autori i këtij libri e bashkë me të, edhe ne. – “Si do të cilësohet ajo? E marrë? Miliona vajza do të jenë në një mëndje dhe do ta quajnë ashtu. Vajza që hyjnitë ia kishin caktuar kushuririt tonë kish një edukatë të shëndoshë; me kollona morale dhe shpirtërore të pabesueshme sot, por të papara edhe në atë kohë. Që të kuptohet vendimi i jashtëzakonshëm dhe i papritur i të mirës Fehmije, duhen sjellë në tryezën e arsyetimit të gjithë faktorët: lufta, përmbysja, besa e dhënë, brejtja e ndërgjegjes dhe, përmbi të gjitha, solidariteti i fuqishëm, si një kumt që duhet t’i shkonte të dashurit të saj në përballimin e jetës së dhunëshme të burgut.

Kjo krijesë sjell një shembull të rrallë vlerash shpirtërore, se njeriu më shumë se trup, është shpirt. Është kënaqësi që të përfytyrosh tek qeshin me këtë vendim të kësaj vajze të thjeshtë, ato gra, dhe ata burra që ca vite më pas, në spastrimet që i diktonte paranoja e Enverit, prishën në masë fejesat, martesat, familjet… Edhe me nga dy – tre çiliminj! Ishin krushqira me zyrtarë të lartë dhe ushtarakë me grada madhore, që pas shkarkimeve apo burgimeve, të mjerët shihnin pasardhësit e tyre të lënë nga bashkëshortet e bashkëshortët, të cilët ia mbathnin të lemerisur nga lidhjet e kërcënuara, nga rrufetë, lidhje që dikur, po për interesa, i patën tërhequr si mizat në mjaltë.”

Fehmija nuk u pendua kurrë për atë vendim. Drita e kthjellët nuk braktisi kurrë sytë e saj gjatë kalvarit më të rëndë që mund t’i përfytyrohet një femre, që platonikisht ndjek dhe ndjek të dashurin në tërë gjeografinë e vështirë të kampeve dhe burgjeve të Shqipërisë staliniste. Nuk kishte asnjë detyrimi ligjor, nusja ende nuk pat marrë mbiemrin e burrit. Mund ta shfaqte pendimin dhe t’i kthente kurizin kur të dëshironte, kur ta ndjente se u cfilit, se u lodh, se po vyshkej burgjeve, e pamartuar kurrë. Asnjë njeri nuk do ta shante.

Dhe ja pas 11 vjetësh Xheviti u lirua i favorizuar nga një amnisti. Fehmija po i afrohej të tridhjetave tani, por ishte bërë më e bukur dhe më fisnike. “E tërë pritja e saj, ndiekja e të fejuarit nëpër burgjet e Shqipërisë, për sytë e atyre që ia dinin virtytet, natyra i kish hedhur Fehmies përsipër një vello të dlirësisë në pritje të asaj, të dasmës”.

Pas vitesh jete familiare dhe kur Xheviti qe bërë babai i dy fëmijëve me emërimin e Haznedarit në krye të punëve të Sigurimit në Elbasan, të gjithë Kullat, që patën gjetur në këtë qytet strehë nga tufanet e luftës klasore, internohen në Fierzë të Dumresë, ndërsa Xheviti është plasur rishtaz në burg.

Takimi i hidhur me babain në qelitë e burgut

Është një skenë që nuk të hiqet nga mendja ajo që zhvillohet në një dhomë takimesh në burg. Gruaja ka marrë dy fëmijët e saj të vegjël, që drithërojnë ta takojnë babain e tyre. Fehmija është mësuar me këto takime, i ka ndjekur një jetë të tërë, kursë fëmijët nuk kanë takuar kurrë një të burgosur në pranga.

Xheviti është dobësuar ndërsa kokën e ka të enjtur në ballë dhe në tëmtha. Në dhomat e hetuesisë atë e kanë trajtuar egërsisht.

– Ikë, grua – i bërtet ai së shoqes – merri të dy fëmijët dhe mos më hajde më. Mjaft të kam lodhur e sfilitur. Po të më duash aq shumë, merri këta dy të vecklit që kemi bërë dhë shko në lumë të Shkumbinit. Hidhu në ndonjë thellësirë bashkë me ta dhe mbytu. Mbytuni që të tre!

Fehmija qetëson më parë fëmijët, që nuk e kuptojnë dot që as ai vetë nuk do të bënte atë vepër. Gruaja i jep zemër të treve. I shtrëngon Xhevitit duart e nxirosura dhe i thotë me një zë të ëmbël që vetëm ajo di të nxjerë nga buzët:

– Mos e humb kështu, o im shoq. Mblidhe mendjen e mos m’i mërzit këta.

As ti mos e lësho veten. Unë ketej e tutje do të vesh pantallona, do të mbath dhe një palë opinga dhe ty do të të ndjek kudo që të të shpien. Ty do të të nxjerr gjallë që këtej dhe të shikosh se si do t’i rrit këta fëmijë. Hiqe nga mendja lumin, ti!

Ai e vuajti burgun që i pat caktuar fati. Ajo e vuajti burgun nga ana e saj. Udhëtime të vështirë, takime të shkurtër, kampe me tela në jug, kampe me tela në veri. Rrugë në jug, rrugë në veri. Udhëtime të bëra vetëm, udhëtime tok me fëmijë, që deshën të shikonin babanë. Net të lagështa të kaluara nën shkallë pallatesh të panjohur parafabrikatë, për të arritur në orët e mëngjezit në kampet me tela, për të takuar babain, burrin. Aty poshtë shkallëve të huaja prej betoni, nëna u tregonte të vegjëlve përralla deri sa ata të dy i zinte gjumi. Fehmija u rrëfente nga ato më të gëzueshmet dhe e qeshura e tyre fëminore kërkëllinte e çiltër, sikur për të fjetur çdo gjë të paskej qenë ashtu si duhej… Përveç ngrohjes, mbulesave jastëkëve, ambazhurëve dhe dyerve që mbyllen.”

Marrë nga libri ” Jo të gjithë të vdekurit prehen në paqe”, me autor Pëllumb Kulla/lajmifundit

Porosia e të burgosurit nga qelia: Grua po të më duash, merr dy fëmijët e mbytuni në lumë Read More »

Të jetë e vërtetë? Kjo teori e errët për përrallën e Borëbardhës sapo na shkatërroi fëmijërinë

Borëbardha është një prej përrallave më të dashura për fëmijë ndër vite, sa nuk ka fëmijë që të mos e këtë dëgjuar të paktën njëherë të vetme. Por, ndërsa të gjithë jemi rritur me historinë  e vajzës me fat që humbet në pyll, gris fustanin, gjen 7 xhuxhë dhe bëhet shoqe me ta, pastaj ha një mollë të helmuar, vdes dhe vjen në jetë nga puthja e një princi.

Por asgjë nuk paska qenë e vërtetë! Sipas një teorie që po qarkullon në disa portale të huaja Borëbardha vdes. Është pikërisht puthja e princit që e çon në botën tjetër. Ai i jep asaj “puthjen e vdekjes” dhe më pas të dy largohen drejt parajsës.

Shpjegimi i plotë i teorisë:

Princi mbërrin me një kalë të bardhë (ashtu siç vdekja është portretizuar shpesh, që ecën në kohë), i jep asaj puthjen e vdekjes për t’i marrë ‘frymën e jetës’. Më pas Borëbardha dhe Princi u thonë lamtumirë xhuxhëve, në vend që t’i marrin me vete, sespe ata po shkojnë në një vend ku personat e gjallë nuk mund të shkojnë. Më pas çifti niset drejt parajsës dhe në ekran shfaqen re në formën e një kështjelle, e rrethuar me dritë.

Të jetë e vërtetë? Kjo teori e errët për përrallën e Borëbardhës sapo na shkatërroi fëmijërinë Read More »

‘Mos ia vini re, ai nuk ekziston’! Topalli i jep goditje të fortë Bashës për heshtjen ndaj kufijve

Ish-kryetarja e Parlamentit dhe njëkohësisht ish-deputete e PD, Jozefina Topalli, ka shigjetuar kreun e PD, Lulzim Basha, duke e quajtur atë të pavlefshëm për vendin. Duke komentuar çështjen e nxehtë të ditëve të fundit, korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Topalli ndalet te heshtja e kryedemokratit Basha, duke u shprehur se ai nuk ekziston.

Në një postim në ‘Facebook’, ish-deputetja që u përjashtua nga listat e PD nga vetë Lulzim Basha, bën një koment të fortë për korrigjimin e kufijve, teksa thekson se po tentohet të bëhet pazar me tokën shqiptare.

“Per ceshtjen e kufijve-Kryeministri lau duart si Pilati, Kryetari i opozites nuk ekziston. Prej disa javesh Presidenti Thaci dhe Vucic flasin per ndryshime kufijsh. Kunder kesaj ka dalur hapur Gjetmania e Britania duke terhequr vemendjen per rrezikun e madh qe mund te shkaktoje prekja e kufijve.

Brukseli perserit vazhdimisht qe “ne duam garanci qe te mos cenohet stabiliteti i Rajonit”.Nderkohe me eren e Trumpit ,US ka nje qendrim me pragmatist, por duke bere kujdes e duke kerkuar qe gjeja te mos pershkallezohet ne lufte ne rajon.

Nderkohe me ndonje perjashtim te rradhe politikanet shqiptare kane folur me vonese ose vazhdojne te heshtin thua se behet fjale per kufijte e Afrikes dhe jo te kombit tone; thua se nuk kemi humbur boll nga territoret tona; dhe thua se kufijte u ndryshokan me lehtesine me te cilen njeriu ndrron trotuar; thua se korigjimi do i sillte Kosoves toke serbe, kur ne fakt flitet me ba pazar vetem me toke shqiptare. Serbia ne çdo rast luan vetem me qarin.

As sot ne takimin informal te kryeministrave( te munguar) te rajonit nuk u fol per ate qe po ndodh, me perjashtim te Hajredinajt. Thua se kufijte jane çeshtje e dores se fundit .. ku e ku me pak e rendesishme se roaming ne rajon qe nuk i hyn kujt fort ne pune..

Kosova i ka kufijte e saj tha natyrshem Kryeministri I Kosoves edhe ne konferece shtypi. Kryeministri shqiptar nuk tha se ishte dakord me Hajredinajn.

Ne pergjigje te pyetjes per ndryshime kufijsh tha e mendonte si Hani, i cili praktikisht beri kujdes te mos te angazhohej ne deklarata. Sot Rama ngjasonte si Pilati.

Lau duart. Nuk kishte gje me thene.. per kufijte shqiptare…nderkohe qe tha se nuk mund te ishte indiferent ndaj emigranteve qe vijne nga Afrika. Duke u kthyer tek Thaçi.

Integriteti territorial i nje vendi nuk eshte e nuk mund te jete ne dore te nje njeriu .Ai eshte i percaktuar ne dokumentat themeltar te vendit , ne Kushtetuten e Kosoves, ne dokumentat nderkombetare. Ceshtja e kufijve nuk eshte ceshtje as e dy personave dhe as e dy vendeve. Rrezja e influences se saj shkon pertej rajonit dhe Europes.

Ajo behet globale.Prandaj asnjeri as ka te drejte as ka mandatat me hedh ne pazar tokat shqiptare. Sa per heshtjen epike te kryetarit te opozites ne Shqiperi per çeshtjen e kufijve,mos ia vini re…ai nuk ekziston”, shkruan Topalli.

‘Mos ia vini re, ai nuk ekziston’! Topalli i jep goditje të fortë Bashës për heshtjen ndaj kufijve Read More »