Aurora

“Lojë hilanjose”, ish ministri drejtësisë për banorët e Kakomesë: Ju nuk jeni as pronarë, shteti ia shiti gjirin…

Një protestë absurde e ka cilësuar ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, atë që po bëjnë banorët e Nivicës për Gjirin e Kakomesë. Sipas tij ata as nuk janë pronarë të ligjshëm të pronës aty. Manjani ndërkohë akuzon edhe ndërtuesit dhe shtetin, për gjendjen në të cilën ndodhet ajo zonë.

Reagimi i Manjanit
U bë rutinë kjo përplasja me policinë e banorëve të Nivicës. Në fakt e gjithë kjo përplasje është një lojë hilanjose krejt e pa sinqertë dhe me kosto për publikun. Banorët-investorët-(pu)shteti janë të tre palët që luajnë me hilé! 1.Banorët e Nivicës nuk kanë qenë asnjëherë në shekullin që shkoi pronar të atij vendi që quhet Gjiri i Kakomesë. Qeveria e Zogut ju dha në PËRDORIM, pra jo në pronësi, pyjet dhe kullotat e asaj zone. Vetëm kaq!

Asnjë dokument nuk provon pronësinë mbi tokën të asnjë banori atje. Autoritetet dhe gjykatat shqiptare e kanë theksuar në mënyrë të përsëritur këtë gjë. Ndaj pretendimi se po ju marrin tokat e të parëve është me hilé. I pabazuar askund! Banorët e Nivicës kanë të drejtë, pa dyshim, të përdorin plazhin njësoj si çdo qytetar tjetër nga Saranda, Tirana, Kukesi etj. 2.Investitorët/ndërtuesit, pra parellinjtë gënjyen shtetin për kaq vite që aty do ndërtonin nje resort turistik.

Madje ky resort do kishte dhe emra të mëdhenj si Club Mediterranea. Por hiç! Mbi këtë gënjeshtër ata përfituan tokë me kontratë afat-gjatë qeraje, si fillim. Në vijim, pas një ligji të zi dhe të zbatuar për faqe të zezë, fituan dhe pronësinë mbi tokën me çmim ALUIZNI. Pra me hilé e kishin dhe parallinjtë! Asgjë nga ato që premtuan të bënin, kur morën tokën publike, nuk bënë! Ca pllaka betoni të shpifura dhe një rrugë janë asgjë në raport me ç’premtuan dhe ç’përfituan! Ndërkohë ata nuk janë pronarët e gjithë gjirit. Plazhi dhe aksesi në të janë publike! Ata nuk mund të vënë tra/portë hekuri në mes të rrugës e as në mes të detit. Maksimumi mund të rrethojnë pronën e tyre që kanë fituar me çmimin e ALUIZNIT. Kaq!

Nuk mund të ndalojnë dot aksesin e njerëzve as nga toka e as nga deti për në plazh. 3.(Pu)Shteti është pa dyshim hilanjosi më i madh. Dha një tokë publike për një qëllim të madh dhe nuk bëri asgjë për ta mbrojtur pronën kur “qëllimi i madh” nuk u realizua. Mori letrash, kontratash, lejesh me afate të tej-tejzgjatura u prodhuan, por asnjë rrjesht nuk ndaloi grabitjen e pronës publike.

Me hile e dha atë tokë me qera dhe po me hilé e shiti një pjesë të saj tek parallinjtë /investitorë. Me hilé (pu)shteti pranoi transaksione parallinjsh megjithse investimi i premtuar dhe me emra të mëdhenj, që të gjithë do ishim dakort, NUK U BË! Dhe po me hilé (pu)shteti çon policë për të mos lejuar aksesin në plazh. Kulmi! Shteti na e ka të gjithëve me hilé, sepse nuk mbron pronën publike, por e shet e tjetërson si mall pa zot.

Pra të gjithë ja kanë me hilé njëri-tjetrit. Puna është se një ditë të bukur, parallinjtë do hedhin (pu)shtetin në gjyq, sepse ky i fundit nuk garanton dot “investimin” nga kërcënimet e banorëve dhe gjykatat vendosin dëmshpërblim!. Këtë të fundit e paguajmë TË GJITHË NE! Kështu hileté e Kakomesë bëhen të hidhura për të gjithë! Se as resorti do behet, as plazhi do përdoret, as banorët nuk do kullosin dot delet, por vetëm publiku do PAGUAJË!

“Lojë hilanjose”, ish ministri drejtësisë për banorët e Kakomesë: Ju nuk jeni as pronarë, shteti ia shiti gjirin… Read More »

Aleatët mesazh të qartë Bashës: Në shtator merren vendimet, kundër braktisjes së Kuvendit, ke dy zgjidhje, dil…

Shtatori po afron dhe së bashku me të edhe sesioni i ri parlamentar. Por aleatët e opozitës janë në kohë me kërkesat e tyre për kryetarin e PD Lulzim Basha. Pa humbur kohë ata e bëjnë të qartë rolin e tyre në stinën e re pralamentare që nis në shtator, duke dalë kundër tezës së bojkotit të Kuvendit. Në një intervistë për In News kreu i LZHK Dashamir Shehi thotë se kjo nuk është rruga e duhur për opozitës, ndërsa lajmëron se ky vendim do të merret në nisje të sesionit të ri kuvendor.

“Jemi jo për djegien e mandateve. Nuk ka kuptim fare në këto momente që të djegien mandatet. Por në shtator e pas do të merren vendimet:, deklaron kreu i LZHK. Por Shehi jep dhe arsyet se përse është kundër bojkotit të Kuvendit, ndryshe nga demokratët. “Nuk është kjo më e rëndësishme, sepse një ushtari të mirë i duhet edhe shpata, i duhet dhe mburoja dhe ushta. Ti heqësh një nga armët kjo nuk ka asnjë vlerë”, deklaron ai.

Por nëse opozita vendos bojkotin e Kuvendit për kreun e LZHK-së Dashamir Shehin ka vetëm dy rrugë. “Kur do të abandonësh parlament duhet të mendosh o të shkosh në zgjedhje o të dalësh në rrugë të mbash një revolucion demokratik”, përfundon Shehi.

Aleatët mesazh të qartë Bashës: Në shtator merren vendimet, kundër braktisjes së Kuvendit, ke dy zgjidhje, dil… Read More »

“Pushimet e opozitës me fjalët të lagura me ujin e kripur të detit, nuk ndezin, KM-ja me një ‘sy shkelur’ ndaj dobësive të saj

Të papriturat qofshin ato pozitive apo negative janë të paparashikueshme. Kështu shprehet analisti Artur Zheji teksa i referohet ngjarjeve të fundit si protestat në Rumani, vrasja e 8-fishtë e psikopatit të Selenicës, ashtu si edhe shembja e paimagjinueshme e Urës në Gjenova.

“Humori i popujve, është si thonin dikur të vjetrit i krahasueshëm me trillet e natyrës, është gjithmonë “kapriçioz” dhe hopet cilësore të akumulimeve sasiore, janë të paparashikueshme. Rasti rumun e rrëfen këtë. Rumunët nuk pritën të kthehen nga pushimet për të protestuar dhe për të tronditur Bukureshtin.Mirëpo Opozita shqiptare, përjashto ca postime të herëpashershme, është me pushime, sepse “jeta është e ëmbël”, edhe për opozitarët…”, thotë Zheji.

Pash Zotin, Opozita le të pushojë, njerëz janë dhe le ta gëzojnë jetën, por të pretendosh pastaj se kur ti bien “bilbilit”, njerëzit duhet të vrapojnë pas tyre, është me pikëpyetje, aq më tepër që Km-ja dhe skuadra e tij mediatike, punon në mënyrë të tillë që krijon përshtypjen se “timonieri” nuk e lëshon drejtimin asnjë minutë. Në këto pushime të Opozitës, që realisht mund të jenë të shkurtra por që perceptohen si të gjata, me tërë këto krime dhe aksidente që po ndodhin, opinioni lexon me të tepërt dobësinë e vullnetit të saj, për të ndryshuar realisht gjërat dhe raportin e forcave.

Sepse nëse situata është realisht kaq dramatike dhe kritike, si e përshkruan Opozita, në fjalimet dhe “statuset” e veta, “pushimet” dhe nxirjet në diell, buzë detit apo buzë lumit, japin një mesazh tjetër, një mesazh që nuk përputhet me fjalët e ndezura, që të lagura me ujin e kripur të detit, nuk ndezin dhe nuk frymëzojnë. Madje, ashtu si në futboll, kur një skuadër ambicioze kërkon të përmbysë rezultatin, ushtron “pressing” te kundërshtari, për të rrëmbyer një top, të përfitojë një gabim të mundshëm, nga euforia e skuadrës tjetër, që është në të shumtën e vet, sot që flasim, jashtë Shqipërisë dhe në plazhet më ndjellëse të botës, edhe Opozita shqiptare, duhet të ishte në “punë”, për të dëshmuar, që ashtu si edhe “deklaron”, situata ka nevojë për një “korrigjim”, sa më të shpejtë…

Nga ana tjetër, KM-ja, mban gjithmonë një “sy shkelur”, ndaj “enturazhit ekonomik” të Opozitës, apo le të themi me delikatesë: “ndaj lobistëve të saj”, të cilët, nga “Tepsia” e pushtetit, me kujdesin e drejtpërdrejtë të KM-së, marrin gjithmonë e më shpesh, lehtësira, favore apo “llokma bakllavaje”, leje ndërtimi apo liçensa special, për ushtrimin e “biznesit” të tyre.

Ndërkohë që këtë vjeshtë, do të kemi një spektakël mediatik proqeveritar të paparë dhe për këtë KM-ja, ka marrë të gjitha masat e duhura në mënyrë të përsosur, me njërën dorë te shkopi dhe me tjetrën te arrat, te lejet e ndërtimit, te liçensat, te llokmat e bakllavasë nga “tepsia” e pushtetit, të cilën si edhe donte e ka të gjithën përpara, në tryezën e vet të punës. “Ciao Rumania!” Në Shqipëri kemi det të bukur dhe opozitarët heqin spinën… Ndërsa mediat do të fillojnë e të këndojnë: “Marsh o KM, edhe nga ditët tona!”…

“Pushimet e opozitës me fjalët të lagura me ujin e kripur të detit, nuk ndezin, KM-ja me një ‘sy shkelur’ ndaj dobësive të saj Read More »

‘Le ta mirëpresim Ritvanin, jemi të gjithë nga pak si ai!’

Nga Arli Minga

Nuk kam dashur në fakt, të ndaj mendimin tim për ngjarjen e rëndë të fshatit Resulaj të Selenicës, por kur shoh se papritur kemi një reaksionin të shtrirë në mendjet dhe zemrën e cdokujt, i cili rreket të japë zgjidhjen e vet, ku cdokush po rreket të ngrejë një kauzë, është e pandershme që të mos ta ndaj mendimin tim me të gjithë.

Kam guximin të pyes këdo që i qenka “prishur” gjaku nga plumbat e kobshëm të Ritvanit të mjerë, me cilin moral po i ngrini të ashtuquajturat “kauza”? Me c’moral po bëni moral? Asnjë nga ne nuk e ka moralin për të kërkuar të bëjë drejtësinë, kur ne nuk kemi tentuar të jemi të drejtë dhe guxoj sërish të besoj, se disa ditë pas lebetisë së Resulajt, gjithcka do të tretet në harresën e gjithëkohshme që na ka karakterizuar.

Sigurisht, nuk dua e as nuk po kërkoj të marr rolin e një antikonformisti të neveritshëm, por thjesht dua të ngre zërin për t’i parë gjërat pak më ftohtë, me një sens të mprehtë realizmi, dhe jo më kot e bëj sot, atëherë gjaku ynë nuk po “zien” nga masakra e Resulajt.

Do të ishte e dhimbshme, do të ishte c’njerëzore, do të ishte e pafre në qoftë se ndonjërit prej nesh nuk do t’i ndizej një zjarr për të bërë drejtësi për ato jetë të marra në atë mënyrë, me atë lebeti që panë në castin e fundit ata fëmijë të pafajshëm, ata prindër që kishin thurur ëndrra për fëmijët, e ata gjyshër që nuk i “ngrysën” ditët e fundit në qetësinë që fati do duhej të kishte rezervuar. Por a është e drejtë mënyra se si ne të gjithë kërkuam drejtësi?! Unë mendoj që jo.

Pse jo? Sepse nuk është e drejtë të bësh drejtësi duke patur alibi një ngjarje të tillë. Pak apo shumë, ne jemi të gjithë fajtorë për masakrën e Resulajt, për jetët e humbura, por edhe për Ritvan ditëziun, apo shumë e shumë “ritvanë” të tjerë që kanë qenë e kanë ikur, që janë e do të vijnë, apo vet ne “ritvanët” modernë, që kurrë nuk mendojmë për shkaqet, por “turremi” të mbledhim copëzat e pasojës.

Ju ftoj të reflektojmë pakëz mbi veprimet tona të përditshme. Detajet në të cilat djalli është fshehur gjithmonë, aty ku syri nuk depërton lehtë, pasi injorimin ndaj realitetit ne e kemi sindromë të avancuar, e medoemos syri nuk mund të kapë ato detaje.

Kur ka qenë hera e fundit që si prindër u kemi thënë fëmijëve se kush është më i dobët ka nevojë për një dorë të ngrihet? Dyshoj të ketë patur një herë të fundit, sepse në të vertetë nuk ka patur asnjë herë të parë. Madje prindërit bëhen aq diskriminues nga “adhurimi” që kanë për fëmijën e tyre, sa u thonë fëmijëve që më të dobëtit t’i injorojnë, t’i diskriminojnë, t’i mënjanojnë, t’i fyejnë, sepse ata (të dobtit) nuk i përgjigjen nivelit të hamendësuar që prindërit vizatojnë në kokë për fëmijët e tyre.

Kur ka qenë hera e fundit kur ne vet kemi ndihmuar dikë me cfarë kemi patur mundësi, dikë të panjohur, të dobët, në nevojë? Logjika do të qëndronte e njëjtë në mungesë të herës së parë. Sepse ne nuk kemi kohë, oh sa të zënë jemi me hallet tona, të dehur mes të mirash, në ekstazë për të arritur “qiej” të tjerë, pa menduar aspak se atje poshtë ka një botë që lëngon.

Kur ka qenë hera e fundit që mësuesit e këtij vendi fatkeq të kenë menduar të ndihmojnë një fëmijë, një nxënës problematik, me zemrën plot, pa obligimin që ushtron detyra në ndërgjegjen e tyre profesionale, por me ndërgjegjen e pastër kristal të njerëzores? Logjika qëndron prapë e njëjtë, sepse hera e parë nuk ka ndodhur.

Kur ka qenë hera e fundit që vëmendja ndaj fshatit ka qenë e mirëfilltë? Asnjëherë! Instutucionet arsimore, por dhe të cilitdo lloji në fshatra janë “ku thërret qameti”. Po duke mos garantuar një edukim të shëndetshëm për brezat, nuk mund të presësh nga brezat një rezultat më të mirë se fara që ke mbjellë.

E pra, i dashur populli im, ne nuk mund të “klithnim” për vdekje kur shumë pak përpara, ishin humbur 8 jetë. Ne nuk mund të dënonim pa kurrfarë mase një viktimë, që shkaktoi viktima. I dashur populli im, ne jemi vrasës të heshur përditë, ne vrasim pa kallashnikov përditë, ne nuk japim jetë shumë shpesh duke përjashtuar shumimin. Ne e kemi thellë në instikt eleminimin e më të dobtit, por mos harroni: sic ne evolojmë mënyrat tona në shfarosjen e më të dobtëve, ashtu evolon dhe i dobti mënyrat e veta për të na bërë ballë. Në rastin tonë mori kallashnikovin dhe vrau 8 prej nesh.

Moralin njerëzor e kemi përtokë. Atë institucional e kami fare pa moral. Për të reflektuar nuk bëhet fjalë. Atëherë, le t’i mirëpresim “ritvanët”, ata nuk janë mish i huaj, ata janë thjesht produkt i keq i shoqërisë sonë që i ka luftuar vlerat deri në rrënjë. Le t’i mirëpresim “ritvanët”! Fundja i kemi në shtëpi, në shkollë, në punë, kudo ku ne injorojmë sensin njerëzor që aq shumë kemi dashur ta mbrojmë ndër mijëvjecar, që aq shume e kemi adhuruar në rreshtat e letërsisë, që aq shume e propagandojmë e që me aq qetësi e vrasim ngadalë. Le t’i mirëpresim “ritvanët”, ata nuk janë aspak më të ndryshëm nga ne, jemi të gjithë nga pak si Ritvani, edhe unë…

‘Le ta mirëpresim Ritvanin, jemi të gjithë nga pak si ai!’ Read More »

Virozat mbushin spitalin, në Vlorë turistët u kërkojnë ndihmë mjekëve

Dhjetëra persona shumica turiste kërkojnë ndihmë dhe shtrohen në spitalin e Vlorës. Mjeket thonë se shkaku kryesor është ushqimi apo virozat e stinës. Ndërkohë që një pjesë e turisteve marrin mjekim ambulator dhe nuk paraqiten më në spitale. Ushqimet jashtë janë shkaku i dhjetëra rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës.

“Këtë vit kemi pasur fluks të pacientëve. Kemi pasur 15-20 raste në ditë”, shprehet mjekja.

Mjekët tregojnë edhe problemet nga të cilat preken edhe turistët. “Pjesa më e madhe e tyre ka marrë ndihmën e parë në urgjencë, e nuk kanë pranuar të shtrohen në spital”. Mjekët infeksionistë në Vlorë thonë se shumica e te prekurve janë të rinj në moshë. Ndërkohë që një pjesë e madhe e atyre që kërkojnë ndihme janë të huaj./javanews

Virozat mbushin spitalin, në Vlorë turistët u kërkojnë ndihmë mjekëve Read More »

Vrasja e tetëfishtë ngre në këmbë policinë e Vlorës, arrestohen dy persona për armëmbajtje pa leje

Policia e Vlorës, me siguri edhe pas asaj që ndodhi në Resulaj, ku u vranë tetë persona, ka marrë masa të menjëhershme ndaj personave, të cilët posedojnë armë pa leje. Blutë e Vlorës kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të dy shtetasve, që lëviznin me pistoleta.

Njoftimi i policisë:

Kontrolle me qëllim evidentimin, kapjen dhe ndalimin e personave që posedojnë armë zjarri pa leje. Sekuestrohen dy armë zjarri “Pistoleta” . Arrestohen në flagrancë dy shtetas. Në kuadër dhe në zbatim të Plan-Masave të marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, për evidentimin dhe kapjen e ndalimin e personave të cilët posedojnë armë zjarri pa leje, strukturat e kësaj Drejtorie kanë vijuar kontrollet e imtësishme në të gjithë territorin e qarkut Vlorë.Gjatë 24 orëve të fundit janë ushtruar kontrolle, në ambjente të hapura, kontrolle ndaj automjeteve dhe personave që dyshohet se mund të posedonin apo qarkullonin me armë, si dhe në lokale e banesa.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, ditën e sotme, Policia e Vlorës, ka evidentuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin, O. A., 19 vjeç, banues në Vlorë.U krye arrestimi i tij pasi në lagjen “24 Maji”, gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë tip Zastava, pa leje.Ndërsa një tjetër rast u konstatua ditën e djeshme nga Policia e Sarandës në lagjen “Nr.1”, ku gjatë kontrollit në ambjentet e një lokali u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, 3 gramë kanabis dhe u arrestua shtetasi B.M., 38 vjeç, banues në Tepelenë. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Vrasja e tetëfishtë ngre në këmbë policinë e Vlorës, arrestohen dy persona për armëmbajtje pa leje Read More »

Përtesa popullore!

NGA DENIS DYRNJAJA

Aq e dëshpëruese është gjendja e reagimit publik në këtë vend sa tani doli teza që qeverinë duhet te vijnë e ta rrëzojnë, emigrantët tanë. Kjo ide u përhap pasi një foto e protestuesve rumunë bëri xhiron e saj në Facebook me një pankartë ku shkruhej “Ne nuk jemi Shqipëria” dhe njerëzit e bënin pa ndalim share edhe pse dukej qartë që foto nuk ishte koherente, pasi njerëzit në protestën rumune shfaqeshin me kapuçë, shalle e pallto në kohë dimri. Por vërtetësia e fotos është një çështje periferike. I rëndësishëm është mesazhi i fotos. Ajo që bën përshtypje është reaksioni që kjo foto krijoi dhe etja për reagim që gjithmonë mbetet një reagim fjalësh në rrjetet sociale, pa veprim real në Shqipëri. Po pse shqiptarët e kanë te vaktë reagimin popullor dhe protestën?!

Faktori kryesor është mungesa e kulturës së protestës që nuk u krijua dhe zhvillua siç duhet në një vend demokratik. Protesta është njëri nga elementët bazik të reagimit në demokraci, por demokracia nuk u vendos dhe ushtrua kurrë siç do të duhej me të gjithë elementët e saj ku mes të tjerash të promovohej, kultivohej dhe zhvillohej kultura e protestës. Ajo është shëndeti i demokracisë. Protesta ndërgjegjëson individin dhe mban në presion qeverinë në veçanti e shtetin në tërësi për detyrimet që për një pushtet në shërbim të tij, jo në shfrytëzim të tij. Por cilët janë mekanizmat që e vendosin në lëvizje protestën?

Dy prej tyre janë Sindikatat dhe Shoqëria Civile. Asnjëri prej tyre nuk është në rolin e vet natural demokratik. Sindikatat u formuan, ekzistojnë dhe vegjetojnë si shtojca të krahëve politik, pasi prej tyre individët dhe grupet që “i kapën” këto sindikata i përdorën për përfitime dhe axhenda personale. Ato tashmë nuk gëzojnë as besimin më minimal publik, ndërkohë që thuajse janë inekzistente si forma në organizimin strukturor të ndërmarrjeve shtetërore apo sipërmarrjeve private. Një situatë e ngjashme shfaqet edhe mes Organizatave Joqeveritare (OJQ).

Janë me dhjetëra e qindra me emra shumëllojesh por fantazma në aktivitetin real publik dhe mision ndërgjegjësues. Një burim tjetër reagimi janë studentët. Edhe ata janë në një letargji shumëvjeçare përjashto grupime shumë të vogla që reagojnë, por që janë të pafuqishme për të krijuar vorbulla dhe presion të fortë për kauzat apo problematikat shqetësuese që burojnë nga keqqeverisja ose ushtrimi arrogant i pushtetit ndër vite. Pra në mendësinë publike është krijuar idea që duhet protestuar, por protestën ta bëjnë të tjerët dhe meqë të tjerët nuk gjenden këtu brenda vendit, tani na erdhi një ide nga rumunët që shpresa e protestës, organizimi dhe vetë protesta të organizohet nga emigrantët. Dhe për këtë shërbeu një foto e supozuar nga një protestë antiqeveritare e emigrantëve romunë ku shkruhej “Ne nuk jemi Shqipëria”.

Një popull që pret që gjërat t’i ndryshojnë të tjerët për të është i destinuar të keqpërdoret dhe nëpërkëmbet. Ndaj politika ka bërë ç’i ka dashur qejfi këto 28 vjet sepse ky popull pret dhe pret, pret që dikush të protestojë për të, të revoltohet dhe të kërkojë të drejtat në emër të tij. Dhe derisa të gjendet politika do të bëjë ç’i ka qejfi sepse është vetë zot e vetë shkop, me një popull që është edhe shurdh edhe miop.

Përtesa popullore! Read More »