Aurora

Kurveleshi apo Muqibaba, emrat më të çuditshëm të fshatrave shqiptare

Duke parë se në Kosovë e Shqipëri kemi fshatra që kanë emra nga më të ndryshmit dhe shumë të çuditshëm, “Gazetablic” sjell disa nga emrat më të çuditshëm që kanë fshatrat në Kosovë dhe Shqipëri.

Këta emra janë aq të çuditshëm sa që banorëve që jetojnë në këto fshatra madje ju vjen turp t’i përmendin nga vijnë.

Ja një listë me emra shumë të veçantë dhe shumë qesharakë, po ashtu.

Vithkuqi – Korça
Kurveleshi -Tepelenë
Gjylekar – Gjilan
Muqibab – Gjilan
Kuqan – Elbasan
Qinam – Ersekë
Symize – Tepelenë
Mize – Lushnje
Bubullime – Lushnje
Llukar- Prishtinë
Leshnje – Skrapar
Kakardhiq -Lezhë
Kaqibeg -Podujevë
Skorobisht – Prizren
Neperbisht – Suharekë
Makresh- Novobërdë
Qyqylagë-Lipjan
Ngucat – Malishevë
Bithuq – Dibër
Muqiverrc- Kamenicë.

Kurveleshi apo Muqibaba, emrat më të çuditshëm të fshatrave shqiptare Read More »

Korrigjimi i kufijve me Serbinë/ Albin Kurti paralajmëron shkarkimin e Thaçit me demonstrata

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos bëjë pazare me territorin e Kosovës. Përndryshe, Kurti paralajmëron shkarkimin e Thaçit me demonstrata.

Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se nuk e pranojnë asnjë marrëveshje që nënshkruhet ndërmjet presidentit të Kosovës dhe të Serbisë, sepse, sipas tij, presidenti Thaçi nuk ka legjitimitet as autorizim nga Kuvendi që ta përfaqësojë Kosovën në bisedimet me Serbinë.

Lidhur me idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë, Albin Kurti tha se korrigjimi i kufijve është shprehje e gabueshme me pasoja të dëmshme.

Korrigjimi i kufijve me Serbinë/ Albin Kurti paralajmëron shkarkimin e Thaçit me demonstrata Read More »

Si të ndërtohet një Ballkan më i mirë

Nga James Jay Carafano pjesërisht një dëshirë që luftërat në këtë rajon, të mbeten një gjë e së kaluarës. Po aq e rëndësishme, Shtetet e Bashkuara shpresojnë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, do të jetë ajo e një kontributori të paqes dhe prosperitetit në komunitetin transatlantik.

Ankesat se Shtetet e Bashkuara po heqin dorë nga Europa, dhe janë indiferente ndaj fatit të rajonit, janë thjesht të gabuara. Megjithatë, Uashingtoni mund të bëjë shumë më tepër se të menduarit e dëshiruar, për të transformuar Ballkanin Perëndimor, nga një “fuçi baruti”, në një rajon që rrezaton progres. Në vend se të përfaqësojë fragmentimin dhe ndarjen, rajoni duhet të jetë një shembull i integrimit.

Ndarja e Ballkanit nga kaosi

Pak më shumë se një vit nga tani do të jetë një tjetër përvjetor:20-vjetori i përfundimi të luftës së fundit ballkanike. Ndërsa rajoni nuk ka vuajtur nga një konflikt i hapur gjatë kësaj periudhe, Ballkani Perëndimor mbetet ende një vend i trazuar, shpesh i cituar si pjesa më e brishtë e Europës. “Pothuajse dy dekada pas luftës, kjo nuk është paqe”- pohoi një aktivist i të drejtave të njeriut. “Çështja shqiptare dhe serbe, nuk janë të mbyllura në Ballkan; është Izraeli dhe Palestina e Europës”.

Gjendja aktuale e shteteve të Ballkanit Perëndimor, bën nervozë shumë njerëz. Në një epokë ankthi në të gjithë Europën, nuk është e dobishme nëse pjesët e saj më problematike të fillojnë të lëkunden. Problemet në Ballkan, refuzojnë të zhduken për dy arsye:paratë dhe gjeografia.

Ekonomitë e rajonit, po dëmtojnë pjesën tjetër të Europës.

Lajmi i mire, është se rajoni është destinacioni kryesor për pushime të lira. Lajmi i keq, është se Ballkani është një vend ku me pak para, blihet shumë ndikim. I vendosur ndërmjet Adriatikut dhe Detit të Zi, Ballkani është udhëkryqi midis Veriut dhe Jugut. dhe Lindjes dhe Perëndimit.

Pak pjesë të Europës, kanë një pozitë të tillë.

Përveç Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, lojtarët kryesorë përfshijnë Rusinë, Kinën, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Turqinë dhe Kinën. Përveç kësaj, fqinjët e afërt të rajonit, duke përfshirë Greqinë, Austrinë dhe Kroacinë, kanë interesat e tyre për të mbrojtur.

Një rëndësi të madhe, ka se si përdoren paratë dhe ndikimi. Ndër shqetësimet kryesore, janë masat aktive nga ana e rusëve për të penguar integrimin në BE, duke penguar zgjerimin e NATO-s, dhe për të siguruar dominimin e fuqisë ruse. E dëmtuar nga ekonomitë e paqëndrueshme dhe ndërhyrjet e jashtme, Ballkani Perëndimor përballet me dy sfida të vazhdueshme.

E para është siguria. E dyta është hapja e vendeve të pakta të punës, dhe krijimi i pasurisë. Në fushën e sigurisë, rajoni jeton nën hijen e vazhdueshme të konflikteve të pazgjidhura, të cilat edhe pse nuk kërcënojnë të përshkallëzohen në luftë të hapur, krijojnë marrëdhënie ndarëse, që minojnë stabilitetin dhe integrimin rajonal.

Shqetësimi kryesor është e ardhmja e Bosnje-Hercegovinës, ndërsa problematike mbetet edhe marrëveshja e statusit përfundimtar të pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dobësia e dytë e madhe e rajonit, është mungesa e zhvillimit ekonomik dhe integrimit.

Për më tepër, pabarazitë në rajon janë shqetësuese. Ekonomikisht, Serbia po i tejkalon fqinjët e saj në ecurinë ekonomike. Kjo krijon disbalanca, që mund të destabilizojnë më tej rajonin. Ndikimet kundërvepruese për të adresuar këto sfida janë zbehur, ndërsa kërcënimet janë zvogëluar– një gjendje vegjetative që thjesht e lejojn “tumorin” të zgjerohet dhe jo e kundërta.

Dikur, shumë njerëz besonin se anëtarësimi në BE, do t’i zgjidhte të gjitha këto sfida. Kjo nuk është më e vërtetë.

Rruga drejt anëtarësimit në BE, është dëshmuar kokëfortësisht e ngadaltë. Për më tepër, angazhimi i BE-së me rajonin, pësoi një pengesë të turpshme në konferencën e fundit të Londrës, që sipas shumë dëshmive nuk shënoi asnjë përparim. Një sfidë shtesë, është se nëse rajoni nuk zbaton reforma që do të liberalizonin realisht ekonominë (duke nxitur kështu rritjen dhe krijimin e vendeve të punës), hyrja në BE do të inkurajonte vetëm largimin e popullsisë dhe kapitalit në pjesë të tjera të Evropës.

“Amerika e Para” dhe Ballkani

Një partneritet i fortë transatlantik, është një element kyç i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë të SHBA-së. Zhvillimi i fundit që Shtetet e Bashkuara do të dëshiron të shihnin, është një Europë e destabilizuar nga problemet e Ballkanit, sikurse ishte në vitet 1990.

Zyrtarët amerikanë, duke përfshirë zv/presidentin dhe sekretarët e shtetit dhe të mbrojtjes, kanë shprehur tashmë interesin e madh të Amerikës, për të luajtur një rol më të fuqishëm në rajon. Ballkani Perëndimor, mund të luajë një rol kryesor në vizionin e Amerikës, për një komunitet më të fortë transatlantik.

Një rajon i integruar dhe i begatë, mund të ndihmojë në ndërtimin e bazës së një Europe më të fortë. Përveç sigurisë së ofruar nga NATO, dhe kohezionit të komunitetit europian, Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë në nxitjen e një sërë marrëdhëniesh dypalëshe, që do të bëhen një motor i fuqishëm i rritjes ekonomike, një korridor për të siguruar pavarësinë energjetike të tregut të lirë dhe një besim realisht ndërtues për sigurinë evropiane.

Këto marrëdhënie dypalëshe, nuk do të zëvendësonin BE-në apo NATO-n. Përkundrazi, ato do të siguronin një themel të shteteve-kombe të forta dhe të sigurta, që do t’i bënin më të forta këto aleanca.

Plani 5-pikësh

Të dëshirosh dhe të ndërtosh një Ballkan më të mirë, janë dy gjëra të ndryshme. Në fund, Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen seriozisht. Elementet ekzistojnë në strategjinë amerikane, por Uashingtoni duhet të lëvizë më shpejt.

Amerika duhet të promovojë në mënyrë aktive një ekuilibër të sigurisë rajonale, rritje ekonomike dhe qeverisje së përgjegjshme në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe vendet përreth. Ky është ilaçi më i mirë si ndaj luftërave të brendshme në rajon, por edhe ndikimit të dëmshëm të aktorëve të jashtëm.

Energjia

Nuk mjafton që Shtetet e Bashkuara të mbështesin ndërtimin e një korridori energjitik Veri-Jug. Uashingtoni duhet të ndihmojë për ta bërë atë realitet. SHBA-ja, duhet të vazhdojë të kundërshtojë seriozisht ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream II”, dhe të ofrojnë mbështetje të fuqishme për Iniciativën e Tri Detrave. Për më tepër, Uashingtoni duhet të mbështesë zhvillimin e energjisë bërthamore në rajon, dhe ndërtimin e një korridori jugor të gazit, që nuk varet nga Rusia.

Investimet ekonomike

Korporata e Investimeve Private Përtej Detit, USAID dhe Korporata e Mijëvjeçarit, janë të gjitha aktive në rajon. Sidoqoftë, rajoni ka nevojë për investimet amerikane private.

Qeverisja

Investimet e reja në Ballkanin Perëndimor, nuk do ta bëjnë atë një vend më të mirë, pa një qeverisje të përgjegjshme. Shtetet e Bashkuara, duhet të përqendrohen në mënyrë konstruktive në elementet e qeverisjes që ndikojnë tek liria ekonomike, duke përfshirë luftimin e korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe reduktimin e punësimit në sektorin publik, uljen e taksave dhe borxhit publik.

Siguria

Uashingtoni duhet të vazhdojë të ecë në dy shtigje në të njëjtën kohë në Ballkan – zgjerimin e NATO-s (në veçanti, pranimin e Maqedonisë në NATO), dhe nxitjen e bashkëpunimit të sigurisë dypalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Ballkanit dhe fqinjët e tyre.

Strategjia

Shtetet e Bashkuara, duhet të vazhdojnë të zbatojnë një strategji globale, që i nxit rivalët strategjikë – duke përfshirë Rusinë, Iranin dhe Kinën – t’i japin fund politikave të jashtme destabilizuese që dëmtojnë interesat e SHBA-së.

Ushtrimi i presionit ndaj tyre, do të bëjë që në fund edhe Rusia dhe Kina ta cilësojnë një Ballkan Perëndimor të lirë, të qëndrueshëm dhe të begatë, si një mundësi të mirë për të pasur më shumë fitime të ndershme në rrafshin ekonomik, se sa si një treg i varfër brenda sferës së tyre të ndikimit. / “National Interest” – Bota.al

Si të ndërtohet një Ballkan më i mirë Read More »

Mendoni se po blini vaj ulliri të virgjër? Zbulohet mashtrimi me përzierjet industriale

Ushqimet që konsumojmë nuk janë aspak të sigurta, mirëpo kur kjo ndodh edhe me vajin është vërtet për t’u habitur.

Në treg gjenden plot shishe vaj ulliri me etiketa “extra virgin” mirëpo në vend të vajit konsumatorët marrin përzierje industriale.

Vaji i ullirit është një produktet ushqimor që falsifikohet me lehtë në vendin tonë. Top Channel tregon se si vaji I ullirit pavarësisht kategorisë që ai ka ekstra i virgjër, i virgjër, apo dhe vaj ulliri nuk është i tillë. Madje nuk futen në kategorinë e vajit të ullirit.

Orladan Kyçuku, specialiste e ullirit dhe vajit të ullirit tha:

“Në supermarketet e vendit tonë mora tre vaj ulliri: ekstra të virgjër. të virgjër dhe vaji ulliri më pas ato i dërgova pranë Institution të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për analiza. Këto janë rezultatet e analizave dhe kërkojmë një interpretim nga ana juaj nëse ky vaj ulliri është sipas standardeve që kërkon ligji i vajit të ullirit për Shqipërinë.Komuniteti Evropian për vlerën K232 ka një limit, i cili nuk duhet të jetë më shumë se 2.5 ndërkohë rezultatet tona kanë dalë 2.6 pra është mbi limit. E njëjta gjë vihet re edhe tek K 270 ku standardi e ka 0.25 ndërkohë që këtu ka dalë 0.75 pra është një vlerë shumë e lartë për të qenë në kategorinë e ekstra të virgjër. Ju e keni marrë për vaj ulliri të virgjër përsëri ngelemi tek koeficenti i përthithjes së dritës i cili është me parametra që nuk i përkasin kësaj kategorie. I ka më të larta se sa duhet të jetë norma. Dhe treguesit organo shqisor nuk i ka brenda limiteve ky vaj nuk futet në kategorinë e vajit të virgjër.Tani kalojmë tek vaji i tretë i cili është vaji i ullirit. Koficenti i cili jep shumë herë vlera më të larta se sa është karakteristikë e vajit të ullirit. Prandaj të treja vajrat që ju keni analizuar nuk i përkasin kategorisë që ato janë të paraqitura në etiketën që ju keni marrë vajin.”

Mendoni se po blini vaj ulliri të virgjër? Zbulohet mashtrimi me përzierjet industriale Read More »

Fakte interesante dhe ndoshta të panjohura për fluturat, këto krijesa kaq interesante, të bukura dhe delikate

Në aspektin njohës, flutura është insekt i rendit lepidoptera. Ajo është emërtim i përgjithshëm për disa lloje kandrash fluturuese, me katër krahë të mbuluar me luspa të imëta si pluhur, me ngjyra të ndryshme, me feçkë e brirthë për të thithur dhe për të ndier, disa prej të cilave dëmtojnë bimët. Një flutur shumohet me vezë. Kur një flutur femër çiftezohet i lëshon vezët mbi një pemë dhe ngordh. Prej vezës del një qenie që quhet vemje. Fluturat e fillojnë jetën si larva (vemje të spërdredhura të cilat lindin nga vezët). Larvat hanë shumë gjethe dhe kur arrijnë madhësinë e duhur, ngjiten pas degëve. Ato formojnë guaska të forta të quajtura krizalida. Brenda krizalidës, larva shndërrohet në flutur. Kur flutura formohet plotësisht, ajo del nga krizalida. Por ka disa veçori dhe karakteristika të këtyre sopecieve, të cilat njohja jonë nuk i percepton. Në vijim ju sjellim fakte interesante, që mbase nuk i keni ditur, për këto krijesa të brishta dhe të bukura njëkohësisht…

  1. Fluturat mund të shohin ngjyrën e kuqe, të gjelbër dhe të verdhë. Krahas këtyre ngjyrave, ato shohin dhe disa ngjyra ultraviolete, që janë të pakapshme për syrin e njeriut.
  2. Fluturat më të shpejta mund të fluturojnë 5.4 metra në sekondë, derisa molat (fluturat e natës) mund të fluturojnë deri në 11 metra në sekondë.
  3. Fluturat nuk mund të fluturojnë nëse temperatura e trupit te tyre bie nën 30 gradë Celsius.
  4. Fluturat janë vizatuar edhe në afreskat e egjiptianëve, para 3.500 vjetësh.
  5. Ekzistojnë rreth 24.000 lloje të fluturave, derisa molat janë edhe më të numërta – me rreth 140.000 lloje.
  6. Gonepteryx rhamni është një lloj i fluturës që jeton 9-10 muaj, që është jetëgjatësia më e madhe në botën e fluturave. Disa lloje tjera ndërkaq, jetojnë fare pak, disa javë, disa ditë, apo dhe vetëm disa orë.
  7. Disa lloje të fluturave nuk hanë fare, sepse nuk u janë zhvilluar goja e as organet e tretjes sa ishin larvë.
  8. Shumë flutura shijojnë këmbët e tyre për të parë nëse gjethet ku dëshirojnë t’i lëshojnë vezët janë ushqim i shijshëm për vemjet.
  9. Fluturat kanë katër krahë të tejdukshëm. Ngjyrat në krahë krijojnë luspa të vogla që ngjasojnë me pluhurin, ndërsa vetë krahët janë shumë të ndjeshëm dhe mund të thyhen fare lehtë.
  10. Disa lloje të fluturave, si fluturat Monarke, janë flutura shtegtare – gjatë dimrin shkojnë në vise të ngrohta. Migrimi i tyre është fantastik, ndërsa ato kalojnë me mijëra kilometra.
  11. Një fluturë e zakonshme peshon sa dy petale trëndafili.
  12. Disa lloje të fluturave, si ato monarke, krijojnë toksina që i largojnë grabitçarët prej tyre.
  13. Fluturat nuk mund të mbijetojnë vetëm me nektar. Ato pinë ujë në pellgje ku marrin mineralet e domosdoshme.
  14. Fluturat janë shkurtpamëse. Zakonisht nuk shohin më larg se 3 metra.
  15. Antarktiku është kontinenti i vetëm ku nuk janë gjetur fluturat.
  16. Pas bletëve, fluturat janë pjalmuesit e dytë më të mëdhenj në botë.
  17. Një prej treguesve më të mirë të një eko-sistemi të shëndetshëm dhe të barazbeshuar është prania e fluturave.
  18. Shkencëtarët që merren me studimin e fluturave quhen lepidopteristët.
  19. Ekzistojnë katër faza në ciklin jetësor të fluturës: veza, larva, pupa dhe flutura e rritur.
  20. Një flutur mund të lëshojë 100 deri në 4.000 vezë.

Bonus-fakt: Çdo vit, më 14 mars, shënohet dita: “Mësoni diçka për flutura!

Marrë nga NGJYRA.COM/

Fakte interesante dhe ndoshta të panjohura për fluturat, këto krijesa kaq interesante, të bukura dhe delikate Read More »

Ekspedita: Të fshehtat e anijeve antike të mbytura në ujërat shqiptare

Oliverta Lila

Anije të mbytura shekuj më parë, ngarkesa me verë e vaj ulliri, amfora të mëdha që “prehen” në fund të detit shqiptar. Janë pasuri arkeologjike të veshura me histori po aq interesante. Prej gjashtë vitesh, ekspedita shqiptaro-amerikane në bordin e anijes “Herkules” është vënë në kërkim të këtyre thesareve. Deri më tani janë 6 “relikte” që datojnë më shumë se 2000 vjet më parë që janë zbuluar, përfshirë edhe të tjera të një rëndësie të dytë. Inxhinierë e arkeologë, ndihmuar nga teknologjia më e lartë i janë kthyer sërish bregut shqiptar. Gjiri i Vlorës është destinacioni i këtij viti, ndërkohë që aktualisht ekspedita është vendosur në veri të ishullit të Sazanit. Zhytje, skanime, përpunim të dhënash. Arkeologu Adrian Anastasi, drejtori i palës shqiptare, tregon se edhe këtë vit janë etiketuar pika të cilat do të verifikohen. Mundësia e një zbulimi të ri në fazën e fundit të ekspeditës nuk përjashtohet. Gjetja e fundit, ishte zbulimi vitin e shkuar të një anije 2100-vjeçare, 30 metra të gjatë në perëndim të ishullit të Sazanit. Mbytja e kësaj anijeje gjatë periudhës së Republikës Romake kaq pranë brigjeve shqiptare, u hamendësua se mund të kishte lidhje edhe me betejat e luftës civile, zbarkimin e Jul Cezarit dhe ushtrisë se tij në gjurmët e Pompeut. Shumëkush mund të mendojë se arkeologët gjurmojnë zona të caktuara, ku nga burime historike apo gojëdhëna thuhet se është mbytur një anije. Në fakt, nuk ndodh kështu. “Kërkimet që bën ekspedita janë kërkime matematikore, pra duke kontrolluar çdo metër të hapësirës ujore me teknologji të lartë. Deri më sot ne nuk kemi kërkuar sipas sinjalizimeve apo burimeve antike. Kërkimet tona janë shumë të sakta, pasi skanohet i gjithë bregdeti dhe jo sipas zonave të caktuara. Kjo metodologji ka kosto më të lartë, por edhe rezultatet janë më të larta. Deri tani janë zbuluar 19 relikte historike nga shek I-IV para Krishtit e deri në disa anije të Luftës së Dytë Botërore”, thekson Auron Tare nga Qendra Shqiptare e Kërkimeve Detare.

Burimet antike

Sa anije mund të jenë mbytur në brigjet shqiptare? A ka të dhëna për vendndodhjen e tyre? A u kanë rezistuar shekujve? Kureshtja e gjithsecilit në këtë pikë mund të çojë në shumë pyetje të këtij lloji. Sipas Tares, burimet antike flasin gjithmonë për mbytje të anijeve në brigjet e Ilirisë apo Epirit antik. “Nga burimet e shkruara ne kemi një database shumë interesante, por duhet thënë se deri më tani nuk kemi mundur të provojmë asnjë nga këto burime për saktësinë e tyre. Jemi akoma në fillimet e kërkimeve, por deri më tani zbulimet janë bërë nga metodologjia e aplikuar dhe jo nga këto burime të shkruara. Është shkruar se në Luftën Civile midis Cezarit dhe Pompeut, i biri i Pompeut, Gnaius Pompeu mbyti një sërë anijesh në hyrje të Orikumit për të bllokuar flotën e Cezarit. Deri tani nuk kemi asnjë të dhënë për të verifikuar këtë burim historik. Po kështu dimë nga burime të shkruara se Flota Normane e udhëhequr nga prijësi i familjes normane, Zhiskardi, luftoi për disa ditë në Gjirin e Butrintit dhe bregun e Sarandës së sotme me Flotën Bizantine dhe Veneciane. Deri tani asnjë gjurmë nuk është gjendur nga kjo flotë, megjithëse burimet thonë se Perandori Komnenu shembi anijen flamurmbajtëse diku afër Butrintit. Po kështu dihet që vëllai i Mbretit të Francës Filipitte Pare, konti Hugh of Vermandois, i cili udhëtonte për në Kryqëzatë më 1096 e humbi flotën e tij shumë pranë brigjeve të Durrësit. Në fakt, ai dhe shpura e tij ia dolën të shpëtonin me not, kështu që anijet e mbytura duhet të jenë shumë pranë brigjeve. Megjithatë pritet që në sezonet e ardhshme të kemi mundësi të verifikojmë edhe këto burime antike nëse janë gjeografikisht të vërteta apo jo. Ndryshon puna me anijet e humbura në konfliktin e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Nga informacioni i mbledhur nëpër arkiva del se në ujërat tanë duhet të jenë mbytur mbi 40 anije italiane, austro-hungareze, franceze, gjermane, një nëndetëse greke, një U-Boat austriak, disa avionë britanikë. Më e famshmja nga këto anije është sigurisht anija flamurmbajtëse e flotës italiane të Mesdheut “Regina Margerita”, e cila u mbyt nga një nëndetëse austriake me 720 vetë në bord, përfshirë edhe një admiral italian, në hyrje të Gjirit të Vlorës. Mbytja e “Regina Margerite” ka qenë një prej lajmeve më të bujshme botërore gjatë Luftës së Parë.Po kështu, gjatë hulumtimit të arkivave kam gjetur se në fakt një prej komandantëve më aktivë të nëndetëseve gjermane gjatë Luftës së Parë në ujërat shqiptare ka qenë një oficer i ri, i cili më vonë u bë një prej figurave më të rëndësishme të Gjermanisë Naziste. Ky ka qenë admirali Kanaris, shefi legjendar i Abwer( Zbulimit Ushtarak) gjerman. Kanaris, i cili operonte nga Baza e Kotorit, ka pasur shumë histori interesante në brigjet shqiptare. Zbulimi i këtyre anijeve të mbytura dhe historia e tyre, do të jetë pjesë e një botimi të veçantë mjaft luksoz, i cili do të sjellë një pjesë të panjohur të historisë shqiptare”, tregon Auron Tare. Sipas tij, i gjithë bregu shqiptar ka mjaft pasuri arkeologjike, sinjë breg i rrahur nga lundërtarë, eksploratorë, udhëheqës, priftërinj, tregtarë etj. Këtu fillonte rruga më e famshme antike Via Egnatia, e cila lidhte Romën me Kostandinopojën dhe më tutje me tregjet orientale të mallrave të luksit.

Dyshimi

Arkeologu Adrian Anastasi thekson se deri më tani e gjithë pjesa e bregdetit jonian deri në 220 metra thellësi është skanuar dhe dokumentuar nga “Herkules”. Për herë të parë, kjo ekspeditë ka realizuar hartat arkeologjike me të dhëna të sakta mbi pasurinë nënujore. Problemi i specialistëve mbetet se çfarë do të bëhet me këtë pasuri pas përfundimit të kësaj ekspedite. Auron Tare mendon se ka një neglizhencë të plotë institucionale, por edhe një paaftësie e shoqërisë për të kuptuar rëndësinë e madhe të trashëgimisë kulturore që kemi. “Për ta ilustruar këtë fakt do të doja të shtoja se për 6 vjet, pala amerikane dhe më saktë Fondacioni RPM Nautical, ka harxhuar shuma të konsiderueshme në identifikimin e pasurive nënujore shqiptare. Shteti ynë dhe institucionet përkatëse deri më sot ka dhënë 0(zero) fonde. Edhe kërkesa jonë për t’u furnizuar me naftë pa taksë nuk është aprovuar dhe anija “Herkules” detyrohet të furnizohet në vendet fqinje edhe pse kjo anije punon për dobi të historisë së Shqipërisë. Edhe dy pulla që ka printuar Posta Shqiptare me zbulimet tona, jo vetëm i ka plot me gabime, por i ka marrë imazhet pa leje duke thyer të drejtën ndërkombëtare të së drejtës së autorit.   Përjashtim bën Flota Detare, e cila këta 6 vjet ka qenë shumë e gatshme për të ndihmuar në sektorin e saj. Pala amerikane sot është, nesër ikën diku tjetër. Janë shumë vende në Mesdhe që e ëndërrojnë këtë punë që po bëhet në Shqipëri. Sa ekspedita të tilla operojnë aktualisht në botë? Vetëm 6. Pra Shqipëria ka një fat të madh në mundësinë e njohjes dhe identifikimit të pasurisë së saj kulturore nënujore. Problemi qëndron se deri më tani nuk shikohet asnjë dritë në fund të tunelit për të qenë optimist se diçka do të bëhet edhe në këtë fushë. Askush nuk e ka marrë seriozisht këtë projekt ambicioz dhe nuk ka jo vetëm investime, por edhe një mirënjohje nga Ministria e Kulturës apo institucionet e tjera. Pyetja është se çfarë do të ndodhë pasi projekti të mbarojë? Si do të ruhet kjo pasuri? Kush dhe si do studiohet? A do të ngrihet një muze i trashëgimisë nënujore? Këto dhe plot pyetje të tjera nuk kanë asnjë përgjigje”, thekson Tare. Ndërkohë, Adrian Anastasi shpjegon se ekspedita e përbashkët, shqiptaro-amerikane do të vijojë deri në realizimin e hartave të plota arkeologjike.

Rreziku

Arkeologu Adrian Anastasi, por edhe Auron Tare, kanë dhënë vazhdimisht alarmin për rrezikun që i kanoset pasurisë arkeologjike nënujore nga zhytjet e pakontrolluara. Sipas specialistëve, kjo vjen për faktin se shteti shqiptar nuk ka asnjë kontroll mbi hapësirën ujore. Për vite, vjedhja e pasurive nënujore vazhdon pa u ndëshkuar. “Nuk ka një ligj mbi trashëgiminë nënujore. Nuk ka asnjë departament në MTKRS që të merret edhe me këtë pjesë të trashëgimisë sonë. Nuk ka asgjë”, thekson Tare.

Kërkesa

A do të ngrihet një muze i trashëgimisë nënujore?

Arkeologu i arkeologjisë nënujore, Adrian Anastasi, e sheh të domosdoshme ngritjen e një muzeu për këtë pasuri. Por sipas tij, nuk duhet të jetë thjesht dhe vetëm një hapësirë ku ekspozohen disa relikte. “Koncepti modern i muzeut është një institucion që ekspozimin duhet ta ketë si qëllim të fundit. Më parë duhet të bëhet një punë e madhe kërkimore-shkencore, gjë që i mungon profilit të muzeve në Shqipëri. Një muze i tillë duhet të ketë laboratorin, stafin e specializuar që të bëjë në mënyrë autonome kërkimin shkencor. Ne kemi një trashëgimi të tillë që mund të flasim pa frikë për muze të profilizuar. Ka ardhur koha që të kemi një muze kombëtar të arkeologjisë nënujore që t’u përgjigjet standardeve ndërkombëtare. Kati i tretë i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, që aktualisht po i nënshtrohet një rikonstruksioni, mund të shërbente shumë mirë për të bërë një pavijon për arkeologjinë nënujore. Ka material shumë të bollshëm e interesant. U bënë dy vjet që unë po merrem me kthimin e spirancave antike. Janë të kompozuara me dru dhe elemente plumbi, të periudhës arkaike duke nisur nga shek 7 para erës sonë deri në shek 3. Vetëm me studimet e bregut të Jonit kemi gati 80% të tipologjisë mesdhetare të këtyre spirancave dhe kjo tregon se çfarë kontaktesh ka pasur në brigjet e Ilirisë. Nëse studiojmë më pas edhe anijet antike të mbytura në brigjet tona, është një informacion i pafundmë për specialistët e rinj”, thekson Anastasi.

Të dhëna

Një anije në Kepin e Rodonit?

Një anije antike mund të gjendet e mbytur në Kepin e Rodonit. Arkeologu Adrian Anastasi thotë se kanë të dhëna që mund t’i çojnë në gjetjen e një relikti në Kepin e Rodonit. “Janë të dhëna që i kemi marrë e konsultuar me peshkatarët lokalë, sepse ende nuk e kemi përfshirë këtë zonë në ekspeditën tonë”, tregon Anastasi.

Ekspedita: Të fshehtat e anijeve antike të mbytura në ujërat shqiptare Read More »

Pse janë rritur krimet në Shqipëri? Ja arsyet

Por përse në sezone të caktuara sikurse gjatë verës, kurba e kriminalitetit rritet?

Duke lënë mënjanë politikën, profesoresha Vasilika Hysi i referohet studimeve ndërkombëtare por edhe librit “Kriminologji” që studiohet nga juristët. Mes faktorëve nxitës llogariten edhe temperaturat e larta.

“Pranohen ndikimi i temperaturave të larta jo për të gjitha llojet e veprave penale, poër për një pjesë të veprave penale që lidhen me pasurinë, dhe me krimet e dhunshme, siç mund të jenë zënkat, rrahjet,plagosjet dhe vrasjet. Kjo lidhet më shumë me ndikimin që ka temperaturat e larta në nddryshimin e aktivitetit rutinë që bëjmë ne si njerëz, duke kaluar më shumë kohë jashtë mjediseve të familjes, në grupe, duke konsumuar më shumë pije alkoolike, duke frekuentuar mjedise ku ka më shumë të rinj, mund të ketë më shumë konsumim dhe të lëndëve narkotike ose pijeve alkoolike. Rëndësi ka familja, shkolla, mejdisi shoqëror, po mbi të gjitha bashkëpunimi i këtij trinomi. Edhe ky duhet të funksionojë pa harruar dhe rolin që luan media, sidomos media që transmetojnë lajmet, ripërsëritja e kronikës së zezë në media ka një impakt negativ në rritjen e kriminalitetit”, thotë ajo.

Duke mos i përjashtuar temperaturat si faktor, ish zyrtari i policise Aleks Hajdari sjell detaje me policeske.

“Problemi kryesor për policinë kanë qenë konfliktet e importuara nga emigrantët nga jashtë, në përgjithësi këto janë vepra penale që është shumë e vështirë dhe për shkak të mungesës së informacionit që ka policia, bashkëpunimit jo real dhe joefektiv me partnerë në vendet ku jetojnë këta persona me precedent kriminal në mënyrë që në momentin që hyjnë në territorin shqiptar të kenë informacionin e nevojshëm se çfarë tendencash kanë dhe me çfarë aktiviteti merren”, thotë ai.

Të dy ekspertët bien dakord në një pikë. “Studimet sistematike për të parë nidkimin, po më pas dhe për të marrë masa për parandalimin”, thotë Hysi.

“Policia duhet të evidentojë më saktë problematikat që ka, përpara se të fillojë sezoni duhet të planifikojë zonat ku popullsia është më e përqëndruar ku mund të themi trefishohet ose katërfishohet numri i banorëve”, thotë Hajdari.

Pothuajse çdo ditë mediat raportojnë ngjarje të kronikës së zezë, siç ishte edhe vendosja e lëndës plasëse në një parukeri në Vlorë për të cilën hetuesit nuk po gjejnë motive se përse është vendosur. /TCH

Pse janë rritur krimet në Shqipëri? Ja arsyet Read More »

Harun Panajaja, dera e detarëve të vjetër të Vlorës

Nga Anila Peci
Familja e Harun Panajasë u zhvendos në qytetin e Vlorës rreth viteve 1850. Në fillim ata u shquan si detarë, por më pas me flotën e tyre nisën të japin një kontribut të madh si për përhapjen e gjuhës shqipe, ashtu dhe në ngritjen e tregtisë në qytetin bregdetar. Për të parin e kësaj familjeje mësohet se edhe spanjollët ngritën një objekt nderues në brigjet e tyre dhe më pas i dhuruan një anije.

“Në kapdet u bë hataja
Lufton Harun Panajaja,
Lufton natë e lufton ditë
U bë deti i jeshiltë.
Me dukatas, himariotë,
Zjarr në det e zjarr në tokë,
Se ky truall kishte zot”

Kjo është një nga këngët e trashëguara gojarisht në qytetin e Vlorës lidhur me një nga kapedanët e njohur të detit, Harun Panajanë, emri i të cilit shfaqet qysh në mesin e shekullit XIX, në brigjet detare të Vlorës, Himarës dhe Semanit.
Asokohe në brigjet detare ishin të pranishme edhe anijet tregtare të Markajve (gjyshi i Petro Markos), Anagnostajve (gjyshi dhe stërgjyshi i Dhimitër Anagnostit), Notajve, Nerënxajve, Grillove dhe mjaft varkëtarë të tjerë që udhëtonin nëpër Mesdhe; në brigjet Dalmate, Dubrovnik, Trieste, Napoli, Pire, Spanjë, Maltë, Turqi e Egjipt.
Udhëtari francez Pjer Morineë, në vitin 1864, në një përshkrimin e tij, vë në dukje ashtu si Sami Frashëri se në gjirin e Vlorës dhe të Himarës ishin mbi 215 anije, të cilat kryenin marrëdhënie tregtie e transport mallrash në brigjet e Mesdheut (vendet e Mesdheut).
Në regjistrin e doganës së Vlorës, dhjetor 1880, anijet lundruese të Markajve dhe Panajasë transportonin qitro, valanidh, kripë, lesh, vaj, ullinj dhe mish pastërma nga Vlora në Napoli, Bari dhe Maltë.
Harun Panajaja
Nipi i Harun Panajasë, 76-vjeçari Astrit Haruni, mjek me profesion, rrëfen lidhur me gjyshin e vet ato çka dëgjuar të rrëfyera nga të afërmit, por edhe të lexuara në dokumente bashkëkohore.
Pas mësimeve të para që mori në Mejtepin e Vlorës dhe në Prevezë, Harun Panajaja kreu studimet në një shkollë të mesme për ekonomi agrare në Kajro të Egjiptit. Atje u miqësua me një kapedan të madh deti, Abu El Nedinn, i cili e bëri si birin e tij dhe disa kohë e punësoi në anijen e tij me avull në Pire, në Selanik.
Me vdekjen e kapedanit egjiptian, Harun Panajaja u kthye në Vlorë dhe fillimisht shërbeu si manovrator i anijes së Anagnostajve, e cila bënte udhëtime në Angli e deri në brigjet e Francës. Në vitin 1878 bleu në Napoli anijen “Sibila” me të cilën zhvillonte tregti kryesisht me Italinë, Korfuzin, Malin e Zi dhe Spanjën.
Nga gojëdhënat thuhet se ato kohë (1885), ai shpëtoi nga mbytja ekuipazhin e një anijeje spanjolle, të cilët ishin së bashku me familjet e tyre.
Për këtë akt, ata i ngritën një “objekt” në shenjë falenderimi në brigjet e Spanjës dhe i dhuruan një anije tjetër.
Nga kronikat e kohës mësohet se Harun Panajaja në Napoli u njoh me gjeneralin Dhimitër Leka, prej të cilit merrte gazetat dhe revistat e De Radës, si dhe librat e tij dhe të Zef Sqiroit (arbëresh i njohur) dhe i sillte në Shqipëri.
Këtë punë bënte dhe në Stamboll, ku u njoh dhe u miqësua me Shahin Kolonjën dhe Petro Pogën.Konsulli austrohungarez në Janinë i raportonte Vjenës se “prej Italie Harun Panajaja çon në Vlorë gazetat e De Radës dhe prej Stambollit gazetat e Shahin Kolonjës”. Ai transportonte dhe postën austrohungareze nëpër Mesdhe.

Shahin Haruni
Zanatin e detarit ai ia mësoi dhe të birit, Shahin Harunit, i cili pas shkollës që kreu në Janinë fillimisht punoi në doganën e Korfuzit dhe në fillim të shekullit XX nisi të lundronte nëpër brigjet e Mesdheut me anijen e tij “Sibila”. Shahin Haruni u përfshi në lëvizjen kombëtare duke qenë një anëtar aktiv i shoqërisë “Lumi i Vlorës”, e cila kryesohej nga miku i tij, rilindasi Hamit Lumi (Çela)

Sjellja e librave dhe gazetave në shqip
Shahini dhe Hamiti sillnin libra e gazeta shqip nga kolonitë shqiptare të Bukureshtit, Sofjes, Kajros, Bostonit, Stambollit, Selanikut, duke bashkëpunuar ngushtë me Kolë e Kristo Karbunarën, Ibrahim Abdullahun dhe Ibrahim Shytin.
Për këtë veprimtari Shahin Haruni u arrestua në vitin 1903 së bashku me Hamit Lumin dhe u burgosën në Berat dhe Janinë. Në vitin 1908 emrin e tij e gjejmë në komisionin e çeljes së klubit atdhetar “Labëria” të Vlorës, si dhe në komisionin e vlonjatëve për zgjedhjen e Ismail Qemalit deputet.
Një kontribut të veçantë Shahin Haruni ka dhënë në kryengritjen e Shqipërisë së Jugut kundër pushtuesve turq (1911- 1912), ku sipas kërkesës së Alem Mehmetit (komandant i përgjithshëm i luftës), Ibrahim Abdullahut, Hamza Isait, Hamit Bej Vlora, Qazim Kokoshi, solli armë e municione nga Korfuzi e Napoli për të furnizuar luftëtarët dhe realizimin e kërkesave të tyre për shpalljen e pavarësisë kombëtare.
Financimet dhe bamirësitë
Një kontribut të veçantë Shahin Haruni ka dhënë edhe në financimin dhe ndërtimin e mjaft objekteve të qytetit të Vlorës. Duke qenë anëtar i shoqërisë “Vlorë e lirë” dhe “Odës së Tregtisë”, ai ndihmoi në ndërtimin e Sahatit të Qytetit, Urës së Izvorit në Tragjas, Molit të ri në Portin e Vlorës dhe Kishës së Shën Todrit.
Po kështu me emrin e tij qysh në fillim të shekullit të 20-të, ngriti çezmën e fshatit Panaja, me pesë sylynjarë (rrjedhje uji). Gjurmët e saj janë ende në fshatin Panaja. Kush kishte çezma asokohe në fshat ishte ndër më komodët, po t’i referohesh furnizimit në fshatra të tjerë, që merrnin ujë në përrrua.
Shpeshherë Shahin Haruni jepte ndihma në teqenë e Kuzum Babait dhe vakëfin e qytetit për të vobektit. Në vitin 1920 ai u zgjodh në këshillin e shoqërisë “Mbrojtja Kombëtare”, ku u bëri thirrje vlonjatëve për të ndihmuar bonjakët, fëmijët e dëshmorët të rënë në këtë luftë epope (bëhet fjalë për luftën e Vlorës). Numëroheshin atëherë mbi një mijë fëmijë të mbetur pa prindër nga kjo luftë.
Në vitet 1920-1940 disa herë financoi trupën e teatrit, orkestrën e Vlorës dhe shoqatën sportive- kulturore “Ismail Qemali”. Në shënimet e tij Besim Qorri (kryetari i kësaj shoqate) shpjegon: “Vlonjatët kanë një shëmbëlltyrë të gjallë të atdhedetarisë, Shahin Harunin, i cili ka financuar lëvizjen kulturoro-sportive në vend.

Transportimi i çamëve në Vlorë e Sarandë
Shahin Haruni kishte ndjenja të fuqishme kombëtare. Qysh në vitet 1913 -1914 me anijen e tij “Sibila”, ai kishte shpëtuar nga masakrat e grekëve mjaft familje çame nga Vola, Arpica, Parga dhe Preveza, të cilat i kishte transportuar për në Shqipëri. Kjo gjë u ringjall përsëri në vitin 1923 me spastrimin e çamëve nga trojet e tyre prej qeverisë greke dhe dëbimin për në Turqi dhe vende të tjera.
Ai së bashku me Sheref Danon, Murat Tërbaçin dhe Halim Xhelon udhëtuan tri herë në brigjet e Çamërisë dhe sollën në Sarandë e Vlorë mbi 200 familje çame, duke i shpëtuar nga masakrat.
Miqësia me çamët ka vijuar deri në kohët e vona me Harunajt. Në shtëpinë e tyre qëndronte varur fotografia e Muharrem Rushitit dhe Musa Demit, figura këto të njohura në Çamëri.

Si u çel Oda e Tregtisë
Ndër themeluesit e parë të Odës së Tregtisë në Vlorë gjendet edhe emri i Shahin Harunit. Nevoja për organizimin e një institucioni të tillë lindi nga fakti që edhe Vlora, si vend i prapambetur agrar kishte të nevojshme futjen në jetën ekonomike të rolit të kapitalistëve vendas, për të përballuar edhe vërshimin e mallrave të huaja.

Në vitin 1913 një grup tregtarësh të Vlorës krijuan një grupim dhe kryetar i saj ishte Xhemil Bej Vlora, veprimtari që u ushtrua deri në vitin 1917.
Nisma e tregtarëve u ndërmor për të vendosur një rregull në marrëdhëniet e tyre me portin detar të Skelës dhe tregtarët që vinin aty nga Berati, Fieri, Lushnja, Ballshi, Gjirokastra, apo Përmeti.
Në vjeshtën e vitit 1920 nisi veprimtarinë e vet Oda e Tregtisë, ku fillimisht u përfshinë 29 anëtarë dhe Këshilli Administrativ, i përbërë nga 15 vetë. Në këtë këshill bënte pjesë edhe Shahin Haruni. Në këtë periudhë e kanë zanafillën edhe ndërtimet e punishtevet të vajit, alkoolit, akullit, miellit.

Miqësia me Hamit Lumin
Në vitin 1890 Harun Panajaja dhe Hamit Lumi takuan në Egjipt Shahin bej Kolonjën dhe Athanas Tashkon, të cilët kuvenduan për zgjerimin e lëvizjes kombëtare. Qëllimi i takimit të tyre ishte futja e librave dhe shtypit shqiptar në Prevezë, Vlorë, Durrës dhe Ulqin.
Qysh asokohe, Hamit Lumi u punësua në flotën e Harun Panajasë (që përbëhej nga 7 anije, prej të cilave 3 qëndronin në breg për peshkim, ndërsa katër dilnin në det). Kështu në Vlorë erdhën librat e Sami Frashërit, librat e Hasan Tahsimit e Pashko Vasës.
Detaria në Vlorë, pak histori
Në shekullin XVIII- XIX në brigjet detare të Vlorës dhe Himarës lundronin për në Mesdhe anijet tregtare të Vlorës, të Anagnostajve, Ndrenikajve, Markajve, Notaj, Karavejllave, Harun Panajasë e krahas tyre anijet e ulqinakëve dhe kapidanit të detit Haxhi Alisë.
Anijet e brigjeve të Vlorës lundronin pothuajse në tërë Mesdheun, Itali, Kroaci, Greqi, Turqi, Spanjë, Francë, Angli, Egjipt e Maltë. Shpeshherë anijet vlonjate dhe ato himariote sidomos rreth viteve 1815, 1837, 1856, 1885 janë ndeshur në det në beteja kundër saraçenëve dhe piratëve të tjerë të detit që vinin nga brigjet e Arabisë dhe Spanjës, por edhe Dubrovnikut, për të plaçkitur vendbanimet shqiptare të Jonit dhe Adriatikut.
Në vitin 1889 flota e Harun Panajasë u ndesh në Kepin e Gjuhëzës me piratët e Kretës, të cilët kishin rrëmbyer bagëtitë e fshatarëve të Dukatit. Pas kësaj përplasjeje, një këngë iu kushtua Harun Panajasë, e cila ka mbërritur gojarisht deri në ditët e sotme.
Në Vlorë, kryesisht në Orikum e Himarë, qysh në mesjetë njihen anijet tregtare- luftarake të brigjeve shqiptare. Një flotë të tillë prej 52 anijesh kishte dhe në zotërimin e tij dhe Gjergj Araniti.
Po kështu, i biri i tij Sinan Pashë Vlora, si kryekomandant i Flotës Detare të Mesdheut, kishte një numër të konsiderueshëm luftëtarë dhe detarë vlonjatë.
Në shekullin XVIII- XIX një zhvillim të veçantë detarisë i dhanë detarët ulqinakë që erdhën dhe u vendosën në Vlorë, të cilët kishin nënshkruar një akt marrëveshje me detarët e Vlorës dhe Himarës për zotërimin e detit.
Në gjysmën e dytë të shekullit XX, krahas ulqinakëve dhe vlonjatëve, detarë të tjerë në gjirin e Vlorës u bënë çamët, të cilët erdhën në Vlorë nga raprezaljet greke në Çamëri.
Atdhedashuria
Një nga figurat e detarisë së Vlorës, Shahin Haruni, në vitet 1920-1940, disa herë financoi trupën e teatrit, orkestrën e Vlorës dhe shoqatën sportive- kulturore “Ismail Qemali”. Në shënimet e tij, Besim Qorri (kryetari i kësaj shoqate) shpjegon “vlonjatët kanë një shembëlltyrë të gjallë të atdhedetarisë, Shahin Harunin, i cili ka financuar lëvizjen kulturore sportive në vend.

Prejardhja
Astriti pohon se të parët e tij kanë ardhur në qytetin e Vlorës rreth viteve 1850 – 1860. Gjyshi i tij erdhi nga Panajaja së bashku me djalin e vet, Hamzain, dhe u vendosën familjarisht në lagjen “Vrenez”. Pasi blenë shtëpi, të tjerat i ndërtuan në vitin 1908, ku gurët i sollën nga Karaburuni.
Duke qenë detarë, ata i sollën vetë gurët andej. Shtëpia me dy kate dhe papafingo ekziston ende edhe sot, por është e pabanuar. “Xhaxhai, Hamzai më ka treguar që në kohën e Hyrjetit, ustallarët po ndërtonin katin e dytë”, rrëfen Astriti. Historia e mbiemrit është si e shumë familjeve vlonjate, trashëgim të emrit të të parëve.
“Fillimisht mbiemri ka qenë Shahu, pasi deri në vitin 1945 është regjistruar i tillë në gjendjen civile. Duke iu referuar origjinës së hershme, i ardhuri i parë në Vlorë thirrej Haruni i Panajasë dhe i mbeti Harun Panajaja. Emrin e tij ne e mbajmë tashmë si mbiemër”.
Haruni kishte katër djem dhe një vajzë: Hamzain, Shahinin, Faikun, Dinon dhe Qamon. Njëri prej tyre, Faiku, ka vdekur në internim në kampin e Mat’hausenit për shkak se u akuzua si antifashist.
Pasardhësit sot
Detaria mbeti thjesht tek brezat e mëparshëm. Pasardhësit hoqën dorë qysh prej shitjes së gjemive (anije e vogël) nga Shahini e Hamzai, që i dhanë të shtata në këmbim të tokave e pasurive të tjera.
73-vjeçari Astrit Haruni është i fundit i brezit të vet. Ai ka dhënë mësim në shkollën mjekësore të Vlorës për 25 vjet, në të cilën ka dhe bashkautorësinë e një teksti mjekësor.
Profesionin e mjekut e kanë vijuar edhe të tjerë pasardhës: djali i tij Artani, neurolog, mbesa Violeta, nipi Arbeni, e mbesa tjetër Enrieta, farmaciste. Profesione të tjera që janë zgjedhur janë edhe ekonomistë, inxhinierë, kimistë. Shumë prej tyre janë në Vlorë, por ka edhe në Tiranë, Fier, Amerikë, Itali e Greqi.

“Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër”
Teksa tregon për të parët, Astriti nuk harron të ndalet në një histori për xhaxhanë e vet, Hamzain, asokohe 14-vjeçar. “Ishte natyrë e hedhur dhe kishte raste që fqinjët ankoheshin për të.
Në një situatë të tillë, kur ishte ankuar një nga gratë fqinje se ai kishte trazuar bahçen e familjes së saj, gjyshi Haruni e merr djalin e vet, Hamzanë, dhe siç e ngre nga shtëpia, e çon në port dhe i thotë një miku të tij ulqinak: “Merre dhe hidhe në det!”.
Urdhri e shokoi detarin që po përgatitej për të udhëtuar drejt Prevezës, por përsëritja e tij e prerë dhe rregullat që kishin mes tyre, bëri që ta hipte djalin në anije. Nuk e hodhi në det, por e lëshoi në Prevezë, duke iu larguar menjëherë. 14-vjeçari u rikthye në shtëpi vetëm dy muaj më pas. Kur e pa në shtëpi, nëna e tij iu lut të shoqit ta çonte varkëtar dhe prej atij momenti ai filloi detarinë. Hamzai jetoi 90 vjet.
Një nga Harunët e sotëm: I pari “mirëmëngjes” i Vlorës
Nipin e Shahin Harunit pakkush e njeh me emrin e vërtetë Bardhyl. Të gjithë e thërrasin Luli. Çdo mëngjes ai hap dyqanin e tij të vogël rreth orës 5:00-5:30, duke qenë ndër të parët që i thotë përshëndetjen e mëngjesit Vlorës. 66-vjeçarit i pëlqen të shijojë mëngjesin në qoshkëzën e tij, duke pritur mbërritjen e shtypit të ditës, pse jo edhe për të shfletuar i pari rreth ngjarjeve më të fundit.
Çdo ditë është i përpiktë, e në ato të pakta raste që dera e dyqanit mbyllet, njerëzit e pyesin për shëndetin, pasi e dinë që dyqani i Lulit është përherë hapur. Mosha nuk e pengon aspak të vijojë punën rregullisht si edhe më parë, me po të njëjtin zakon, atë të daljes shumë herët nga shtëpia, për të hapur shpejt dyqanin, por edhe për t’i thënë ndër të parët “mirëmëngjes” Vlorës.

Familjet e vjetra të Vlorës
Vlora ka pasur në tre shekujt e fundit disa nga familjet më në zë, siç janë Vlora, Mezinaj, Çoba, Panajaja, Isaraj, Kokoshi, Xhyheri, Nota, Sharra, Agalliu, Haxhiu, Qypi, Bazili, Risilia (Fejzo Xhafa), Radhima, Kreshpa etj, të cilët në fund të shekullit XIX u shtuan dhe me tregtarë beratas dhe elbasanlli, si dhe hebrenjtë (Matathia, Jakoel, Kohen). Krahas detarisë Vlora u zgjerua me marrëdhëniet tregtare.

Nëpërmjet portit të Vlorës zhvilloheshin marrëdhënie me 22 vende të ndryshme të botës. Historiani Bardhosh Gaçe është edhe nga personat që ka kontribuar në zbulimin e detajeve të shumta lidhur me familjet e vjetra vlonjate dhe me pasurimin e historisë së këtij qyteti 2500-vjeçar me materiale të mbuluara nga pluhuri.

Rruga “Harun Panajaja”
Rreth dy vjet më parë, këshilli bashkiak i Vlorës, bazuar në një urdhër të Ministrisë së Brendshme vendosi emërtimin e 94 rrugëve të qytetit bregdetar. Për këtë u ngrit një komision me historianë dhe intelektualë të Vlorës.
Ndër 94 emrat e rrugëve, të cilat u miratuan nga këshilli bashkiak në dhjetor të vitit 2008 rezulton edhe ai i Harun Panajasë dhe ndodhet në lagjen “Çole”.

Harun Panajaja, dera e detarëve të vjetër të Vlorës Read More »