Aurora

Mos e injoroni: Dhimbja e shpinës paralajmëron probleme serioze

Dhimbja e shpinës shpesh mbulon shumë probleme serioze shëndetësore, të tilla si inflamacion i veshkave, pankreasit ose infeksionit të traktit urinar.

Nuk është ide e mirë të injorosh, por duhet të vizitosh një mjek sa më shpejt të jetë e mundur.
Problemet me veshkat, fshikëzën dhe bile mund të përzihen lehtë me dhimbje prapa, sidomos te gratë.

Trupat dërgojnë sinjale në trup, dhe më së shpeshti shfaqen në shpinë, pasi ekzistojnë më shumë mbaresa nervore, kështu që dhimbja është më e dukshme. Në këtë mënyrë, shkaku i dhimbjes është maskuar dhe shfaqet aty ku nuk duhet të jetë, shkruan Daily Mail.

Gurë veshkash
Dhimbje të përhershme në një pjesë të shpinës, nëse ndodh me dhimbje barku ose mbipeshë, në urinim ose gjak në urinë, mund të jetë një shenjë e gurëve të veshkave.

Shkaktohet nga akumulimi i kalciumit dhe fosforit, dhe është më së shpeshti për shkak të konsumimit të ujit të tepërt dhe marrjes së tepërt të proteinave. Gjithashtu, gjenetika luan një rol të madh, kështu që disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj gurëve të veshkave sesa të tjerët.

Gurët në veshka janë më të zakonshme në meshkuj sesa në femra, dhe më shpesh dalin natyrshëm, por duhet të thyhen me laser.

Inflamacion veshkash
Nëse dhimbja në shpinë zhvillohet me ethe, një gjendje e tillë mund të tregojë një inflamacion të veshkave. Kjo dhimbje zakonisht është në pjesën e poshtme të shpinës, mbi legen, dhe mund të përhapet në ijë. Është gjashtë herë më e zakonshme në gratë sesa në meshkuj.

Inflamacion i pankreasit
Inflamacioni i pankreasit, me përjashtim të dhimbjes në pjesën e poshtme të stomakut, vjelljes dhe të përzierat, shoqërohet me dhimbje në shpinë. Kjo dhimbje mund të jetë e papritur dhe e përhapur nga barku në shpinë, dhe zakonisht është rezultat i inflamacionit akut ose kronik.

Inflamacioni është për shkak të konsumit të tepruar të alkoolit. Më shpesh prek njerëzit e moshuar dhe ata në moshën e mesme.

Gur tëmthi
Dhimbja e shpinës, së bashku me dhembjet në stomak dhe duar, është simptomë e gurëve të tëmthit ose inflamacionit të barkut. Gurët e lukthit krijohen kur më shumë kolesterol prodhohet në mëlçi ose trupi përpunon atë ngadalë. Proceset dhe infeksionet inflamatore të fshikëzës së tëmthit, traktin gastrointestinal dhe ndryshimet e pH kontribuojnë në këtë.

Problemet më të mëdha janë te gratë me mbipeshë mbi 40 vjeç dhe gjenetika gjithashtu luan një rol të madh.

Infeksioni i traktit urinar
Infeksioni i traktit urinar zakonisht shkaktohet nga bakteret dhe mund të shkaktohet nga acarimi i diafragmës, tamponëve ose veshjeve të ngushta. Manifestohet si një dhimbje në urinim, dhimbje të ulët mbrapa dhe dhimbje abdominale. Më së shpeshti prek gratë dhe trajtohet me antibiotikë, por nëse nuk kurohet, kjo mund të çojë në inflamimin e veshkave.

Mos e injoroni: Dhimbja e shpinës paralajmëron probleme serioze Read More »

Më thuaj çfarë muaji ke lindur të të them si je në …

Sa më shumë duam të bëjmë shaka me horoskopin, aq më shumë lidhemi kur dëgjojmë nga astrologjia ndonjë detaj të karakterit që na përfaqëson dhe aq më shumë interesante na duken ato që shkruhen nga ajo.

Pavarësisht cilësive që gëzon në jetë secili nga ne apo kokëfortësisë për të mos besuar te horoskopi, e ka të pamundur të mos e lërë diçka që është duke bërë ndërsa dëgjon parashikimin e shenjës së tij.

Më poshtë është një parashikim i fundit nga Suzie Wright Kerr, për të zbuluar disa karakteristika që ka muaji i lindjes me jetën seksuale të secilit. Përse muaji i lindjes lidhet ngushtë edhe me raportet intime?

Janari: Të gjithë të lindurit në janar janë të prirur të jenë më konspirativë kur është fjala për t’u lidhur me dikë. Por sa herë ata nisin të pëlqejnë dikë, janë mjaft këmbëngulës dhe bëjnë gjithçka për ta bërë për vete. Të lindurit në këtë muaj kanë shenja ndonjëherë edhe të çuditshme. Nëse bashkohen me të lindurit e nëntorit, lidhja intime është ideale.

Shkurti: Të lindurit e muajit shkurt janë aventurierë. Ata janë tepër pasionantë dhe të ndjeshëm, por ama me ta duhet të punosh shumë. Duart e tyre janë të fokusuara në gjëra të mëdha, por nëse përpiqesh vërtet t’i prekësh emocionalisht, luftën e ke të fituar. Shpeshherë e kanë të vështirë për t’u lidhur emocionalisht, nuk është se nuk janë emocionalë, vetëm se duhet të punosh shumë me ta.

Marsi: Të lindurit e marsit adhurojnë të kalojnë kohë në shtrat. Seksi për ta është mjaft intensiv dhe i shijshëm, sepse ata kanë prirjen t’i japin partnerit gjithçka kanë dhe munden, duke e kaluar intimitetin në një nivel shumë të lartë përjetimesh shpirtërore.

Prilli: Të lindurit në muajin prill janë shumë të pavaruar, por kur është fjala për marrëdhëniet seksuale ata japin gjithçka kanë. Janë mjaft pasionantë, sepse udhëhiqen nga planeti Marsi, por nëse seksi për ta ka mbaruar, ka mbaruar vërtet. Seksi për ta është intensiv, i fuqishëm dhe shumë cilësor.

Maji: Të lindurit në muajin maj preferojnë një seks të qetë, të rehatshëm dhe të ngrohtë emocionalisht. Ata preferojnë që marrëdhënia me partnerin të jetë sa më e sofistikuar, në një shtrat të rehatshëm dhe në një ambient të bukur e të qetë.

Qershori: Të lindurit në këtë muaj janë gjithashtu intensivë. Duan të provojnë gjithçka, çdo pozicion të mundshëm, çdo gjë që lidhet më intimitetin dhe që ata mund ta eksplorojnë. Nëse je duke kërkuar dikë sa intensiv, aq edhe të gatshëm për intimitet, personat e qershorit do të gjejnë zgjidhje.

Korriku: Seksi më personat e lindur në korrik duhet të jetë patjetër i thellë dhe shumë emocional. Pa u ndier të sigurt dhe të lidhur ngushtë me dikë, ata nuk e hedhin hapin tjetër. Por, pasi sigurohen dhe ndihen të vlerësuar, janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për partnerin e tyre.

Gushti: Të lindurit e muajit gusht mund të jenë ose ekstremisht egoistë, ose ekstremisht bujarë. Ata duan të sigurohen që partneri i tyre ka gjithçka i nevojitet, sepse në të kundërt e lënë dhe flenë me dikë tjetër për një natë, më pas “harrojnë” gjithçka. Urrejnë t’u tregosh se çfarë duhet të bëjnë, sepse egoja e tyre preket shumë lehtë, aq sa bëhen të padurueshëm.

Shtatori: Janë tepër pasionantë, por gjithmonë në kontroll të emocioneve të tyre. Kështu që, kur vjen puna tek seksi, u duhet pak më tepër punë t’i lëshojnë emocionet e tyre dhe ta shijojnë atë plotësisht. Nuk priren të bien lehtë në tundim, por, kur arrijnë në këtë pikë, nuk ka gjë që nuk e bëjnë.

Tetori: Të lindurit e tetorit adhurojnë të pikturojnë një situatë pasionante dhe romantike. Pas kësaj, vdesin të të tregojnë si është dhe si ndihen. Imagjinojnë një situatë ideale të intimitetit të tyre, madje edhe ia shfaqin partnerit të tyre fantazitë. Dëshirojnë shumë që akti të zgjasë dhe të jetë sa më i ngadaltë dhe pasionant, edhe pse nuk është se pasionin e përjetojnë në mënyrën e duhur.

Nëntori: Të lindurit e nëntorit janë mishërimi i seksit pasionant. Ata adhurojnë ta zotërojnë partnerin e tyre dhe kërkojnë nga ai të bëjë të njëjtën gjë. Janë mjaft emocionalë, ndaj edhe priren të jenë të gatshëm të provojnë gjithçka, çdo pozicion dhe imagjinatë të mundshme, vetëm për ta përjetuar çdo formë dhe situatë me emocion.

Dhjetori: Të lindurit e dhjetorit janë shumë kreativë në shtrat. Ata dashurojnë të krijojnë histori dhe të luajnë role më partnerin e tyre. Edhe pse me ta është paksa e vështirë të lidhesh emocionalisht, seksi me ta është shumë argëtues.

Më thuaj çfarë muaji ke lindur të të them si je në … Read More »

Zagoria/ Zonë mbresëlënëse e shtegtimeve dhe aventurave turistike malore

Mes vargmalesh të pushtetshëm, Shëndelli-Lunxheri-Bureto e Trebeshinë-Dhembel-Nëmërçkë, më të mëdhenjtë dhe më të lartët në Jug, Zagoria ngjan brenda kësaj kurore me një gur xhevahiri rrezëllitës dhe piktoresk nga të gjitha pikëpamjet. Një hijeshi marramendëse, që nga malet e lartë me atë radhoj shkëmbinj të ashpër e të murrmë në Bisej, Rapavicë, Kreher, ku zogjtë aq të bukur kanë bërë foletë në shkëmbinjtë e thepisur e, deri te lulja më e vogël e ndriçuar nga rrezet e diellit, mbushur nga magjia e kësaj natyre, shtojnë pasionin e mjaftueshëm për të ngopur oreksin e turistëve. Në brendësi, pllaja e ara si peceta dore e kopshte me dhera buke e pranë ujërave, oaze të gjelbra me pemë e bar, të kërcënuara gjithmonë nga shirat e era e shpesh me arën e mbjellë u hipën përroi i nevrikosur dhe e çan mes përmes.

Këtu, sa ngrohtësia e rrezeve të diellit korrikut, ngroh dhe zemra e zagoritit. Jeta këtu i ka damarët e trashë dhe kallot e ngurta. Herë-herë jeta është e kursyer e lëkundet në fije të barit të thatë, herë-herë derdhet në shira piktoreske e gjelbërime fantastike, ku natyra ulet në qilima shumëngjyrëshe lulesh. Por gjithnjë ajër i pastër pranveror që të mbush kraharorin e që fryn si fllad parajse e dimrit era, era që ulërin si nëpër brigjet dhe humbellat e ferrit…

Krojet, gurrat dhe burimet e Zagories janë proverbiale. Të ftohta akull, të pastra e të kulluara zajeve. Pikërisht këto i kanë mbajtur lidhur zagoritet me vendlindjen. Gurra e Konckës, më e madhja në krahinë me dy lugjet e mëdhenj kishte aq shumë ujë sa ujiste të gjitha arat e fshatit deri afër lumit, në Sheshe të Mëdhenj apo deri në Murrize e Ahe. Tek Sheshi i Gurrës, edhe sot gjendet nën dhe kanali i veshur me pllaka e i lyer me një lëng të veçantë (si të gjithë ujësjellësit antikë) që e sillte ujët e pijshëm të gurrës mu në mes të fshatit. Gurra është jeta e fshatit, siç është Çalaku me atë ujë të rrallë e të lehtë, ose burimi i Arminxores. Pastaj gurra e bukur e Nivanit e krojet në Sheper, Ndëran, Topovë, Iliar e Zhej. Ndërsa burimet e Çajupit, anëve asaj fushe, që sikur e ka ndërtuar Perëndia me dorë midis maja malesh, janë një vlerë e paçmuar.

1964770_633246753390588_2032785144_nPër rreth burimeve, dhe kudo në Zagori, sidomos në Malin e Dhëmelit e të Rapavicës, gjenden masivet me kullotat nder më të mira në vend, dallohen për shumëllojshmëri të barërave e luleve.

Zagoria ka 10 fshatra të shtrira në faqet e maleve në dy anët e luginës. “Fshatra të vogla që mezi duken, ndërtuar në rrëzë të kodrave të gurëzuar si zogj në sqetullat e erës… “Dhjetë mjegulla në brinjë”, do t’i quante poeti Spiro Dede.

Zagoria, ndryshe nga krahinat e tjera në Shqipëri, është një krahinë me kuriozitet të veçantë qytetar. Zagoritët janë të parët në Shqipëri që rrahën kurbetet, dhe të parët që sollën civilizim në shtëpitë e tyre. Të urtë, të matur, dinjitoz, tradicionalë dhe strikt në zakone, qenë të parët që ndoqën shkollat brenda dhe jashtë vendit, duke nxjerrë figura të shquara në shumë periudha historike. Por qenë edhe të parët që kapën pushkën në të dy luftërat e fundit botërore dhe kazmën në periudhën e vështirë socialiste, duke qëndruar ballëlartë para kombit, para historisë.

24181895Zagoria është një krahinë e lashtë antike (jo emri i saj). Një dokument i vitit 1826 thotë se më 1431 Zagoria kish 3100 frymë. (Vini re diferencën prej 400 vjetësh). Më 1939, pra 500 vjet më vonë, afërisht kishte po kaq. Më 1981, 1565 banorë, pra, më pak se gjysma e 500 vjetëve shkuar. Sot në Zagorie, të regjistruar figurojnë 1280 banorë, faktikisht janë më pak se çereku i tyre. Kjo ikja e fundit e viteve ’90 ka qenë nga ikjet më të mëdha historike.

Monumente të Natyrës

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 676, date 20. 12. 2002 disa nga Monumentet e Natyrës në territorin e Zagorisë janë:

Rrapi i Shkollës, Sheper

Ndodhet në qendër të fshatit Sheper të komunës Zagorie. Dallohet për formë rrethore të rregullt të kurorës. Ka moshë 250 vjeçare, një gjendje të mirë vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.

Rrapet e Nivanit

Ndodhen në juglindje të fshatit Nivan të komunës Zagorie, në lartësinë 850 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë rregullt të kurorës. Janë të lartë mesatarisht 25 m, ndërsa lartësia maksimale 27 m. Kanë moshë 150-180 vjeçare.

Rrapi i Ndëranit

Ndodhet në qendër të fshatit Ndëran në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë të rregullt ombrellore të kurorës. Ka moshë 500-vjeçare. Ka gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.

Vënjat e Konckës

Ndodhen në afërsi të fshatit Konckë, të komunës së Zagorisë, 1100 m mbi nivelin e detit. Përbëjnë drurë me trung dhe kurorë të veçantë (piramide), me lartësi 15 m dhe diametër të trungut rreth 16 cm dhe moshë mbi 100 vjeçare. Janë bimë të rralla dhe në rrezik zhdukje. Druri i tyre përdoret për prodhimin e temjanit.

Lisat e Manastirit Nivan

Ndodhen në poshtë fshatit Nivan të komunës Zagorie, në lartësinë 710 m mbi nivelin e detit. Dallohen për formë rregullt të kurorës. Kanë moshë 200 vjeçare. Kanë gjendje mesatare vegjetative dhe vlera estetike, didaktike, turistike, biologjike etj.

Bredhi i Zhejit

Bredhishtja e Zhejit shtrihet në lartësitë 500-1900 m nga niveli i detit. Sipërfaqja është rreth 1500 ha dhe shtrihet përballë Fushës së Çajupit. Kati drunor i pyllit përfaqësohet nga formacione te bredhit të Maqedonisë, nënpylli përfaqësohet nga shkoza, dëllinja, mëlleza. Është relativisht i ruajtur mirë dhe përfaqëson pjesë të rëndësishme të biodiversitetit të Shqipërisë Jugore.

Pylli i Gurtë, Ndëran

Gjendet në afërsi të fshatit Ndëran, 1000 m mbi nivelin e detit, në frontin e tarracës homonime. Përfaqëson gurë me forma shpesh të çuditshme dhe afër njëri-tjetrit, sa të lënë përshtypjen e një pylli të dendur, nga ku edhe emri “Pylli i Gurtë”. Nën modelimin e erës dhe të erozionit janë krijuar forma të veçanta të gurëve. Ato janë të larta deri në 2 m dhe të gjerë disa dhjetëra centimetra. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, kulturore dhe turistike. V

Tarraca e Ndëranit

Ndodhet në krahun e majtë të lumit të Zagorisë, në afërsi të fshatit të Ndëran. Përfaqëson një fragment tarrace lumoro-deluviale, të formuar nga lumi i Zagorisë në formën e një tarrace të nivelit të tretë, në shpinën e së cilës janë depozituar deluvione dhe koluvione të ardhur nga shpati lindor i malit të Lunxhërisë dhe nga materiale fluvioglaciale të ardhur nga cirqet e lartësive të këtij mali. Është e gjatë rreth 1000 m dhe e gjerë rreth 200 m. Mbi këtë tarracë është zhvilluar një ekosistem i veçantë dhe interesant, që përfaqësohet nga një pyll i përbërë nga lajthitë e famshme të Zagorisë.

Gurra e Nivanit

Ndodhet në fshatin Nivan të komunës së Zagorisë, në rrëzën perëndimore të malit të Dhëmbelit, në lartësinë 950 m mbi nivelin e detit. Përbën një burim karstik, që dallohet për prurjen konstante gjatë gjithë vitit. Ka ujë të pastër dhe të ftohtë dhe krijon një mjedis shumë tërheqës përreth.

Shkëmbi i Zheit

Gjendet në afërsi të fshatit të Zheit të komunës së Zagories, 1300 m mbi nivelin e detit. Është i gjatë 200 m, i gjerë 100 m dhe i lartë 500 m. Në shpatet e tij të thepisura kanë folenë pëllumbat e egër, skifterët dhe shqiponjat.

Vrimat e Konckës

Ndodhen në afërsi të fshatit Konckë, të komunës së Zagories. Karsti ka krijuar këtu një peizazh interesant karstik me një mori formash negative, që u ngjajnë hojeve të bletëve. Mbetet që të kryhen hulumtime të kujdesshme dhe të detajuara për të evidentuar shpella karstike, të cilat duhet të jenë të pranishme dhe vlera të tjera të veçanta të peizazhit karstik.

Monumente abiotike natyrore

Zagoria ka disa vende, të cila kanë shërbyer për grumbullime në festa e takime. Të tilla janë sheshet si ai Pleshës në Hoshtevë, Sheshi Karrozit në Nivan, i Shqezës në Nderan, etj. Janë të rëndësishëm edhe institucionet e kultit si, manastiri i Nivanit, kisha në Hoshtevë, Konckë, etj. Zagoria është vend ku janë te përhapura shpellat karstike, përmendim shpellën e Hosit në Sheper, atë të Milarisë në Ndëran. Kanë rëndësi burimet dhe guvat karstike që janë pothuajse në çdo fshat.

 

Inxh. Klenathi Mandi/Drejtues i Shoqatës Mjedisore “Çajupi”

Inxh. Gjon Fierza/ Specialist, Agjencia Kombëtare e Mjedisit

Zagoria/ Zonë mbresëlënëse e shtegtimeve dhe aventurave turistike malore Read More »

Llogara/ Eja me mua, te shtegu Çezarit!

Nga Fjorda Llukmani

E dinit që Jul Çezari ka kaluar në Llogara? Unë jo vetëm që nuk e dija për kalimin e tij në Llogara, por as nuk më shkonte në mendje që i ka rënë rruga nga lagja jonë. Me thënë të drejtën jam nul me historinë dhe tani që udhëtoj e shoh të nevojshme t’i kushtoj më shumë vëmendje. Këtë fundjavë këmba ime shkeli aty ku ka ecur dhe i madhi Cezar. Hajde për hajër, shpresojmë të ndjekim gjurmët e suksesit të tij tani!

Nëse keni vendosur të ndiqni një shteg diku në malet e Shqipërisë, personi i parë që duhet kontaktuar është Fation Plaku. Jo sepse ai është i vetmi që i di, por është rob Zoti, kur themi ne shqiptarët, dhe nuk përton kurrë të përgjigjet. Duke i shpjeguar situatën, që shokët e mi janë dembelë dhe mezi ua mbusha mendjen të ecim pak në mal, ai më sugjeroi një shteg të thjeshtë dhe të shkurtër.

Shtegu i Qesarit (me Q shkruhej në tabelë dhe nuk e di pse) fillon midis restorant Sofos dhe hotel Alpinit. Në fillim do të shikoni një tabelë që shkruan “Qafa e Qezarit” dhe është lehtësisht i gjetur nga të gjithë. Pasi u furnizuam me paçe, pilaf dhe kos dele nisemi për në shtegun e famshëm. Fillojmë me ankesën e parë të kushërirës sime, e cila është duhanxhie e nivelit supersajan. Më saktë të gjithë nga grupi im janë përdorues të rregullt të duhanit, përveç meje që kam hequr dorë që prej 8 muajsh. Nuk e keni idenë sa krenar ndjehesh për veten, kur lirohesh nga një ves i tillë. Megjithëse u bë kaq kohë që nuk pi cigare, me frymëmarrjen kam goxha probleme. Kështu që nuk i veja faj kushërirës sime që ankohej. “Ma more shpirtin”, – më kthehet ajo me gjysmë zëri. “Do më falënderosh më vonë”,- i them unë gjoja e sigurt se çfarë na priste atje lart.

Shpresoja shumë tek këshillat e Fationit dhe nuk doja ta zhgënjeja grupin. Nëse në fund të shtegut do të shikonim diçka që nuk ja vlente shumë, do ma kujtonin gjithë jetën. Duke qenë se marr shpesh iniciativa të tilla, rri me frikë nëse do ja vlejë lodhja, jo për vete, por për ata që më ndjekin. Mua më mjafton një ecje në pyll për të qenë e lumtur. Tek ngjisja shtegun, që ishte gjatë gjithë kohës malore, mendoja për Çezarin. A thua të ketë kaluar dhe ai aty? Sipas historisë flota e tij kaloi një natë Otranton duke ndaluar në plazhin e Palasës që në atë kohë quhej Paleste. Pa humbur kohë Çezari u nis për Orikum duke u ngjitur gjatë natës në një shteg të ngushtë dhe të vështirë. Pranë qafës së Llogarasë, barinjtë vendas edhe sot tregojnë një shesh që quhet qafa e Çezarit, që ishte edhe destinacioni jonë përfundimtar.  Pikërisht aty, Jul Çezari kërkoi ndihmë për të sulmuar dhe shpartalluar Pompeun. Kalimi i tij në Llogara ka hyrë në histori dhe me sa duket dikush ka investuar për shtegun që është me gurë dhe kalldrëme. Ndërkohë pemët shtrihen si kurora për gjatë gjithë rrugës. Në disa raste më dukej sikur futesha në tunel me gjethe.

Nëse zgjedh të ndjekësh këtë shteg, mirë bën mos të shkosh në palestër për disa ditë. Epo disa femra zgjedhin të bëjnë squats për prapanicën, unë ngjis male dhe mbushem me ajër të pastër. E shikon diferencën?

Pasi ecëm për gjysmë ore, arritëm në qafën e Çezarit. Nuk kisha parë ngjyra vjeshte më të bukura se atë ditë! Në shpatin e malit kishte pemë jeshile dhe kafe në të njëjtën kohë. Dukej si ato qilimat e kohës së Enverit. Ndaluam në një formë pllaje që bari të vinte deri afër gjurit. Dukej sikur askush nuk kalonte andej, pasi bari ishte i pashkelur. Vetëm në cep të luginës ishte një rrugicë e shkelur. “Mbase barinjtë kullosin delet diku pranë”- mendoja me vete. Ndërkohë që unë shpresoja të kalonte një bari që të bëja dy pare muhabet për zonën, grupi vendosi të shtrihej në lëndinë. Gocat luteshin që mos të dilte ndonjë gjarpër, e unë sikur isha banore e Llogarasë, u shtriva në bar pa shtruar asgjë poshtë.

Nuk e keni idenë ca qetësie që ishte! Asnjëri nga ne nuk e prishte heshtjen, përveç ndonjë lëvizje kur të mpihet këmba. Edhe në rastet që bëhej zhurmë nga lëvizjet, një prej shokëve më zevzek që kam fillonte ankesat: “Mos të lëvizi njeri oooo, na leni rehat mee! Ca paskeni qen kshu vërr vërr s’ju rri bytha me nji ven’!” E kuptoja shumë mirë çfarë donte të thoshte, megjithëse zgjodhi mënyrën e gabuar. Në Tiranën e zhurmshme nuk para ndodh të jesh aq qetësi, të marrësh ajër të pastër ose të ulesh në bar me shoqërinë thjeshtë për të chill’ jetën. Tek liqeni në Tiranë, kohët e fundit kanë filluar mos ta çajnë kokën njerëzit, e të shtrihen duke shijuar rrezet e diellit. Më përpara kur bashkë me shokët e mi shpenzonim pak kohë të shtrirë buzë liqenit, na shikonin si për gjynah ose mendonin që jemi turistë të huaj. Arlindi, shoku im zevzek, thotë gjithmonë “Hajde tokëzohemi”. Këtë e përdor kur heqim këpucët dhe çorapet pas një dite të lodhshme pune dhe bëhemi njësh me natyrën. Të njëjtën ndjesi provuam dhe në Qafën e Çezarit. U karikova 100% për javën në vazhdim.

Luajtëm pak muzikë të qetë deri në momentin që e kuptuam se nuk kishim nevojë për asgjë tjetër. “More karafila po ku ka muzikë më të bukur se ajo e natyrës”- i them unë. Muzika ndaloi. Qëndruam dhe pak kohë ashtu të shtrirë dhe kur çohemi na kishte kapur dielli. Madje një prej gocave ishte skuqur, a thua se ishte në Drimadhes, jo në Llogara. Një rrugë e dy punë me pak fjalë. Kush e ka fatin të marrë rreze dielli në nëntor?

Ngjitja zgjat maksimumi 30 min, duke përfshirë dhe ndalesat rrugës për të pushuar, pirë ujë ose bërë foto. Gjithsej 1 km e gjysmë.  Zbritja e shtegut ishte pak e vështirë sepse të rrëshqisnin këmbët nga gurët. Sado këpucë të mira të kishe, ekzistonte mundësia e thyerjes së qafës. Duhet pasur kujdes ose mund të zbrisni në pjesën me barishte pranë shtegut. Të paktën në tokë ke më shumë bazament.

Një ditë në Llogara nuk ka kuptim pa kosin me arra dhe mjaltë me pamje nga deti. Food porn kur thonë jashtë shtetsit. Duke shijuar kosin, përpiqesha të lidhja historinë se ku mund të ketë kaluar Çezari nëse ka zbritur në Palasë. Vonë mësova që shtegu nuk ishte vetëm aq, por vazhdonte në krahun tjetër të rrugës, deri në gjirin e Gramës.  Ah sa gjëra kemi që nuk i dimë për vendin tonë more shokë!/dritare.net

Llogara/ Eja me mua, te shtegu Çezarit! Read More »

Motive nga Lumi i Vlorës dhe fati i ditarit që fluturoi drejt Budapestit

Personazhi që më shoqëron të përpjetave të Lumit të Vlorës është nga kreshtat e Matogjinit, rrëzë malit të Tartarit. Njihet si njeri i thjeshtë, s’ka lidhje me ndonjë deputet, ministër apo me bashkiakët e Vlorës. Nuk është i zgjedhur në ndonjë forum, s’troket për punë nëpër zyra e nuk vrapon si militant nëpër mitingje për të përfituar ndonjë thërrime. Ai gjithashtu nuk rropatet pas hashashit e pas pasurimit brenda natës. Nuk është vidh i vetëm në mal, por lis në pyllin me lisa. Mikun  e quajnë Resul Bullaj, por për emrin e mirë që ka mbiemrin ia kanë zëvendësuar me emrin e fshatit Matogjin nga e ka origjinën. Këdo që të pyesësh të jep të njëjtën përgjigje. Lart në mal është Resul Matogjini. Resuli ka tufën me dele, rrit 400 gjela deti në vit, mban lopë, kuaj e punon tokën që e ia ka dhënë ligji.

E gjeta përpara stanit ku kishte rreshtuar të gjitha zilet dhe këmborët e bagëtive. Resuli më la pa mend me punën që po bënte. Ai po vaiste, pastronte gërvishtjet e fshinte me peshqir pluhurin e këmborëve dhe të zileve. E pyeta dhe mu përgjigj se delja është delikate. Ajo jep më shumë qumësht kur meloditë e këmborëve dhe të zileve nuk e bezdisin tufën me tringëllimën e çakorduar. Orkestra e “violinave” e qetëson tufën në kullotë. Kurse një gërvishtje e gjuhëzës e “trishton” dhe delja jep më pak qumësht. Delja e tremb qumështin edhe kur përballë saj vjen tufa me korba. Më çuditi detaj i këtij blegtori të apasionuar. Resuli ka një jetë që ushtron zanatin e blegtorit. Më parë ka pasur qindra krerë. Edhe tani ka një tufë të mirë. Ai furnizon me dhjetëra lokale që e mbajnë  klientelën me mish të pjekur. Udhërrëfyesi ka botën e tij. Nuk ka mbaruar për filozofi, por është i tillë.

Duke udhëtuar për në Matogjin ai nuk është i një mendje me ata që thonë se “Fajin e ka qeveria”, “Shteti të vërë dorë”, “Të gjithë këta janë kusarë”, “Edi Rama nuk punon”, e të tjera. Jo, thotë ai i revoltuar. Ne në Lumin e Vlorës themi “punoni o duar, të hani byrek e lakruar”. Për mua është e vërtetë që një qeveri e mirë e kthen Shushicën lart nga burimet, se ministrat, deputetët dhe të gjithë “përçorët” duhet të bëjnë shumë e më shumë, por sikur s’vete gjithmonë kënga që e kemi në majë të gjuhës: “Fajin e ka qeveria”. Tufën e deleve dhe të demave në Matogjin nuk do t’ma ruaj deputeti i zonës. Drejtoreshë e Bankës së familjes time është ime shoqe, Adivia. Unë Resul Matogjini jam vetë Edi Rama. Nga shkëmbinjtë e malit të Tartarit e nxjerr lekun. Gota e rakisë nëpër klube nuk të sjell mirëqenie. E lanë njerëzia fshatin dhe dremisin nëpër trotuaret e Vlorës e të Tiranës.

***

Udhëtimi nëpër fshatrat e lumit të Vlorës është baladesk. Si Resuli ka me dhjetëra e me qindra të tjerë. Ka biznesmenë që kanë dhe nga 1000 krerë bagëti. Tregtarët kanë punishte qumështi, vreshta, fabrika të përpunimit të vajit e të fruta perimeve. Mbledhësit e bimëve medicinale janë gjithashtu me qindra. Ndërtimi i rrugës i ka bërë fshatarët që qysh tani të mendojnë për fronte të reja të biznesit. Edhe një zall në Lumin e Vlorës është flori. Jeta po ndryshon. Herë pas here i kërkoj Resulit t’më rrëfejë ngjarje nga të Lumit të Vlorës. Ai më tregon shumë, por një e shënoj në bllok.

Gratë labe në raste fatkeqësish vinin një brez të leshtë për mesi. Brezi i leshtë i mbronte kur qanin. Gjatë lëngimit brezi i mbronte që të mos u pushonte zemra, të pësonin hemorragji në stomak, apo t’u plasaritej mëlçia e zezë. Për këtë brez kishte dhe nja dy vargje: /Mjerë, mjerë ato nëna/ Mjerë, mjerë o BREZVËNA”. Për BREZVËNAT folëm shumë. Brezvënat u shumuan në vitin e zi 1977. Kemi lënë pas Peshkëpinë, Drashovicën, Mavrovën, Kotën, Vajzën dhe kemi ndaluar në të majtë të fshatit Ramicë. Freskohemi tek një gurrë me ujë të akullt. Është ujë dëbore nga mali i Tartarit, më thotë Resuli. Ai më flet për ekonominë e fshatit që po ecën mirë. Kush i rri punës tek koka jeton edhe më mirë se në Evropë. Resuli më tregon legjenda e unë e ndjej se ai e ka një trishtim. Më ka humbur “Çipini” më thotë ai dhe heq në zemër. “Çipini” është kali i tij i bëshëm sa shkëmbinjtë e malit të Tartarit. Një natë me parë e kishin rrethuar ujqërit. Resuli e kishte lidhur në livadh. Tufa e ujqërve nuk e kishin ngrënë dot. “Çipini” është i paçjerrë dhe nuk ka dhëmbë ujku që t’i ngulet lëkurës së tij. Dy milion lekë ia kishte kërkuar një velçiot, por ai nuk e kishte shitur. “Çipini” ishte kalë për të marrë nuset. Burrat e Lumit të Vlorës janë të lidhur shumë me kuajt. Unë kisha me vete librin e autorit Ahmet Demaj nga fshati Velçë me titull: “Amanet kalin”. Tregimi ishte i jetuar dhe fabula gjithashtu qe e thjeshtë. I ati i autorit të librit në një rrethanë të caktuar të jetës kishte qenë i detyruar dhe e kishte shitur kalin, që ai e donte shumë. Kur e kishte përcjell blerësin tek shtegu i avllisë bashkë më kalin e dashur i kishte thënë: “Amanet kalin!”. Të ulur me Resulin në të njëjtin shkëmb në formën e sofrës ai shpreson se “Çipini” do të kthehet në stan. Kali është i shenjtë. Resuli tregon për një komandant të dikurshëm nga Lumi i Vlorës. Komandanti po i çonte asqerët në betejë. Por atij po i mbaroheshin ushqimet. U detyrua të therë kalin e shalës për të shpëtuar asqerët siç e thotë dhe kënga: /Edhe kalin e there/ Asqerëve ua dhe meze/.

Pastaj ai rrëfen një ndodhi me ujqërit. Resuli di shumë të tilla. Ujku shikon shumë natën, dëfton ai. Tregojnë se një ujk që nga maja e malit të Tartarit shikon natën një dele të zezë në shpatin e malit të Stogoit. Dhe ujku fluturon për atje. Por ujku natën nuk shikon afër. Delen e zezë nuk e pikas dot dhe kthehet sërish në malin e Tartarit. Kështu vrapoi tërë natën. Vraponte nga Tartari për në Stogua e kthehej gjersa e zuri dita tek Lumi i Kaurit në Vranisht. Ujku është një lloj “artisti”. Ai di marifete dhe tërheq në “thertoren” e tij gjënë e gjallë. Ulkonja para se t’i ushqejë këlyshët me qumësht i mëson ata që të lëpijnë me gjuhë një pluhur nëpër shkëmbinjtë gri. Ulkonja e kryen veprimin vetë e para dhe pas kësaj e imitojnë këlyshët. Pikërisht kur këlyshët e kanë kapërxyer pluhurin gri ulkonja u jep qumësht gjiri. Qumëshi i ulkonjës i përzjer me me pluhurin gri e vesh me një cipë të çelniktë plëncin e këlyshëve. Prandaj ujku ka plënc të fortë e mban brenda tij mishin e një dashi të tërë. E dëgjoj rrëfimin e matogjinasit e mbetem pa mend. Të tre djemtë Resuli i ushqen me mish të pjekur. Fillimisht u jep të hanë të gjalla shpretkën, zemrën, një pjesë të mëlçisë së zezë dhe ca gjendrra te kripura të qafës së shelegut.

E ndërsa e vazhdojmë udhëtimin për tek oda e atit të Resulit, Isak Bullajt, ai sikur më mbetet pak në hije. Në një shkëmb të thiktë është shkruar me gërma të mëdha emri: “BALLIST MORINA”. Dhe në krah është varur flamuri me portretet e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit. E çuditshme them me vete.  Ballist Morina lëshoi në stadiumin e Beogradit dronin që e bëri me emër. Shiko se si vjen fama. Krejt rastësisht. Kur Ballist Morina e montoi dronin nuk e kishte imagjinuar se ai do të shkaktonte aq tronditje e bujë. Dhe emri i tij do të shkruhej dhe tek një shkëmb në Lumin e Vlorës, sipër të cilit rrinë si kurorë mali i Këndrervicës, Tartarit, Çipini, Çika dhe Stogoi. Udhës së përpjetë takojmë tregtarë të fuqishëm. Janë blegtorë, baxhierë, bletëritës, gjeologë, mjeshtër të ndërtimit të urave që do të lidhin Lumin e Vlorës me bregun, druvarë, gjurmues të shpellave ku strehoheshin bilbilenjtë, turistë që ngjiteshin për në majat e Tartarit, të Çipinit, të Çikës ,e  kërkues të floririt në Kokorredhën e Plakës në Stogua, por dhe ndonjë kusar droge.

E lë mënjanë bisedën me matogjinasin se më kërkon në celular, Moikom Zeqo. Moikomi më pyet se ku ndodhem. I përgjigjem se jam në livadhin ku është pushkatuar Ramize Gjebrea. Mu mbushën sytë me lot thotë ai. Më porosit që t’i shpie në Tiranë një foto ku është pushkatuar Ramize Gjebrea. Livadhi është plot me lule. “Pushkatimi i lules” më thotë ai një titull poezie. I them Moikomit se kam blerë në Vlorë librin e tij më të ri “Sagë Palimpsestesh Anima Mundi”. Librin e ka në çantë miku që më shoqëron. Ai e ngre i them Moikomit. Shoqëruesi më thotë se libri peshoka sa një sheleg. Moikomi qesh. Disa fragmente do t’i lexoj udhë më udhë, livadh më livadh e hije më hije i them lehtë – lehtë. Moikomi gëzohet. I shtoj gjithashtu se në fshatin Vajzë në lokalin antik “Shpella e Vajzës” festova ditëlindjen e nipit, Alteos, dhe në gërmadhat e shtëpisë, ku ka lindur Ali Asllani mora një gur të bardhë sa një flokë dëbore. Tek gërmadhat e shtëpisë së Ali Asllanit më çoi bashkëfshatari i tij Bego Hitaj, që gjurmon rreth të parëve të Ali Asllanit. Gurin kur të kthehem në Tiranë do t’ia dhuroj Moikomit, që ta stivosë në një qoshe të bibliotekës së tij që është e madhe sa një çatall lisi. E përfytyroj Moikomin që nga rrëza e malit të Tartarit të vetmuar mes librave në këtë vapë që të kollofit si ulkonjë. Por ai nuk është i braktisur. Në këtë pikë vape atë e rrethojnë princat e librave. Dhe ai po lufton ta mposht dramën e sëmundjes. Kush e ka braktisur Moikom Zeqon do të mallkohet shumë shpejt, më thotë një bari nga Bashajt, i cili kishte bërë kurban një dash tek vendi i shenjtë “Kurora e Sevasterit”.

Në mbyllje të bisedës me Moikomin dua ta bëj pak për të qeshur. I them se shoqëruesi im që po djersitë nga pesha e librit të shtëpisë botuese “Zenit” imiton Edi Ramën. Djalin e tretë, të cilit i ka vënë emrin e babait, Isakut, e ka lindur në moshën e Edit dhe Isaku i vogël është në një moshë me Zahon e Edi Ramës. E di që Moikomi nuk do të qeshë. Ai nuk ka asnjë  idhull mbi kokë.

***

Banorët e Lumit të Vlorës shquhen për mikpritje e besë. Në kafenenë e Velçës një i velçiot na tha një fragment drame. Ngjarja ishte e hershme. Babai me të dy djemtë kishin zënë pritë për të marrë hak ndaj një vrasësi me të cilin kishin rënë në bela e në gjak. Vrasësi u kishte borxh. Pritësit e diktojnë në Lugun e Qyqeve vrasësin të hipur në kalë. Ai i binte për qejf cylës dyjare. Djemtë i bën gati manxërrët. Por i ndaloi ati i tyre. Nuk mund të vrasim një njeri qoftë ky dhe hasmi. Ai po udhëton i hipur në kalë dhe po i qan hallet me cylën dyjare. Udhëve herë me makinë e pjesën më të madhe në këmbë ne kuvendojmë me banorët. Të gjithë këta janë filozofë, i them matogjinasit. Në jetën time mes librave më ka qëlluar të lexoj poezi, tregime, novela, romane e tragjedi. Por si kjo që na rrëfeu një peshkatar rrëzë Shushicës nuk kisha dëgjuar. Në socializëm një kooperativist kishte qenë për drekë tek e motra. Kthehet i hipur në mushkë gjysmë i dehur. Në anë të fshatit fshatarët burra e gra punonin, ca në shkuarje duhani, zhvishnin misër, qëronin qepët e bënin kavaletë kashtën e grurit. Burrat ndërtonin një stallë për qetë. Kooperativisti ndaloi aty ku disa gra po hanin bukë misri e gjerbnin dhallë. Ngjitur qenë dhe varrezat e fshatit. Ai hipi mbi një gur të lart dhe thirri me oiii: “Sos jemi më mirë nga Ju o të dekuro”!

U japim gjunjëve të përpjetës për në Matogjin. Lart fluturojnë fajkojtë, gjeraqinat e më lart akoma harbojnë shqiponjat e malit të Tartarit e të Këndrevicës. Shkëmbehemi me qindra njerëz që vjelin thesaret në të dy anët e Lumit të Shushicës. Unë herë pas here mbaj shënime, këngë, balada, fjalë të urta, emra vendesh, shpellën ku rrinin bilbilenjtë, udhën që ndoqi Ismail Qemali nga Vlora për në Vranisht, ku gjeniu çoi një kalë me abetare, rrepet e Mesaplikut nën hijet e të cilëve përgatitej për luftë çeta e Çerciz Topullit dhe cepin e Lumit të Kaurit tek i cili vranishioti Alush Majko varrosi e ruajti trupat e tre gjeneralëve të pushkatuar, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hita Çako. Lebrit dhe labushkat na thonë gjëra të bukura. Një grua që kishte shitur të gjithë barrën me çaj, rigon e bimë të tjera e që kishte fituar rreth njëqind mijë lekë na tha se kur i shoqi e kishte parë mushkën të shkarkuar i kishte thënë të shoqes tek avllia: “I shite MORTJE!”.  Mortja është metafora e labit të prapë ku përfshihen në përmbajtjen e fjalës “mortje” mallkimi dhe dashuria. Kur do të ndaheshim MORTJA më foli me sarkazëm dhe ndaj një deputeteje që broçkulliste kot së koti në Parlament. “Buça ha thellë!” tha ajo. E pyeta labushkën për përmbajtjen e kësaj shprehje dhe MORTJA i ra shkurt: “Rrite kutën/ Të hajë kukën!/. Sa do t’i interesonte Eqerem Çabejt ky proverb që unë e dëgjoja për herë të parë. Krijimeve të banorëve të Lumit të Vlorës nuk mund t’ju shtosh qoftë dhe një presje. Çdo fjalë e ka një motër na thotë një bletërritës, që po i shtegton bletët për në Shënmjegull. E megjithatë krijuesi anonim bën “kirurgji” kur ia do mideja me fjalën, frazën e me shprehjet. Që ta shpreh dufin ai sakrifikon, apo e  zëvendëson fjalën.  Mesaplikasi na dha këtë detaj.  Një nëne i kishte vdekur vajza të cilën e kishte të martuar në një nga fshatrat e Lumit. Pas të dyzetave dhëndrri martohet me një vajzë suliote. Nëna shkonte tek varri i të bijës dhe qante me ligje :/Kush e zuri vendin jote/ Belkëputura suliote/.  Nënës gjatë vajit nuk i vjen për mbarë të thotë. “kush e zuri vendin tënd”, “por kush e zuri vendin jote”?/ Zëvendësimi i fjalës “tënd” me “jote” nuk e humb kuptimësinë e vargut dhe as gjuha nuk shkretohet. Metafora të kësaj natyre në Labëri me kuptim të figurshëm janë të shumta. Malet dhe përrenjtë e Lumit të Vlorës grugullojnë filozofi e përcjellin mesazhe të mëdha. Miku që më shoqëron, Resuli, di shumë këngë. Këngët e lebërve sjellin në ditët tona ngjarje dramatike. Dhe matogjinasi më rrëfen për një njeri me emrin Abaz Selimi. Atë e kishin vrarë se kishte shkuar të dhunonte një grua. Lajmërojnë të motrën që qe martuar pas malit. E motra vjen pas disa orësh. E ëma i tregon të bijës se çfarë kishte ngjarë. Dhe e motra e Abaz Selimit e nisi vajin sipas zakonit: /Abaz Selimi vëlla/ Sos mu vrave ndër niza/ Po mu vrave nëpër gra/ Turp më vjen të të qa!”. Pas këtyre vargjeve në vaj e motra nuk kishte marrë pjesë fare në varrimin e të vëllait. I kishte hipur mushkës dhe qe nisur për atje ku qe martuar.

***

Të bën përshtypje fakti që qysh nga Kota e gjer në Ramicë, ku morëm majtas për në Matogjin u kemi dhënë dorën e jemi përshëndetur me disa grupe turistësh. Ata kanë ngritur kampingje nëpër fshatra deri lart në Buronjat e Kuçit. Turistët e bëjnë dhe më interesante jetën në Lumin e Vlorës. I gdhijnë netët anës Shushicës, nën rrepet shekullorë e siç na thanë disa francez ishin ngjitur me mundime deri tek Kokorredhja e Plakës në malin e Stogoit. Jemi futur në bjeshkët e Matogjinit e shohim se prej shpateve të malit zbresin disa turistë të ngarkuar deri në dhëmbë. I pyesim e na thonë se ishin nga Budapesti i Hungarisë. Këmbejmë ca fjalë si nëpër erë. Ata kanë në duar e në çanta kafka ujku dhe ariu, shpendë të vrarë, luhare e cula dyjare, furka, lëkurë kunadhesh, patkonj, xhaketa të vjetra leshi e një palë dylbi të markës gjermane nga ato të kohës së luftës. Do t’i marrin me vete për në Budapest na thanë e disa ngjiten majë një shkëmbi dhe bëjnë fotografi. Ata na flasin mirë për vendasit e për pritjet nëpër stane me “kos dele që pritej vetëm me shpatë”. Nuk gjejnë fjalë për të shpjeguar ëmbëlsirën e kuleçëve të hirit, djathin e napës,  gjalpin pa kripë, trazoren, lakrorët me bajame të egra, lepurin e egër të pjekur në bidon alumini, e mjaltin e porsa vjelë nga zgavrat e shkëmbinjëve të Tartarit. Nga çantat që të kujtojnë zborin e Enver Hoxhës nxjerrin “veshët” çajrat, rigoni, tufa me lule e bar i egër pa asnjë vlerë.  Një djalë i ri si lis Çipini mban në dorë një bllok të veshur me lëkurë dashi. E pyes studentin nga Hungaria dhe ai ma shkoqit mirë e bukur se këtë bllok të trashë e kishte gjetur rasësisht në hyrje të një shpelle kur qe futur për të gjurmuar ndonjë send me vlerë. Unë e mora bllokun në dorë dhe e shfletova shpejt e shpejt. Ishte një ditar i thjeshtë e që autori me emrin Baki kishte dy vjet që e kishte nisur. Lexova sa munda dhe marr vesh se djaloshi me emrin Baki ishte i dashuruar me një vajzë, e cila quhej Edlira. Nuk përmendeshin mbiemrat dhe as se nga ishte ky çift të rinjsh. Në ditar thuhej se Bakiu dhe Edlira takoheshin nën një valanidh. Roje sipas ditarit u bënte një skifter. Ai ishte lajmëtari i të dashuruarve. Me aq sa lexova, Bakiut dhe Edlirës gjithçka u kishte shkuar mbarë. Por befasisht Bakiut dhe Edlirës u kishte ndodhur një ngjarje e tmerrshme. Më datën 3 gusht 2018, siç fiksohej në ditar, në mes të stuhisë, rrufeja kishte vrarë skifterin kur Bakiu dhe Edilira ishin në zgavrën e valanidhit. Pas stuhisë ata të dy e kishin varrosur skifterin në vendin e quajtur Livadhi i Gjarpërit. Bakiu që siç lexohej në ditar ishte ai që mbante shënimet dhe paçka se nuk e thoshte kuptohej se ishte bari me dele, kurse Edlira do të qe e bija e ndonjë stanari, që nëpër mal ishin të shumtë. Bakiu shkruante në ditar se “qysh në 3 gusht të vitit 2018 nuk ka NGRAN dhe se ishte një DHIAR  fatzi”. Shkruesi i ditarit nuk kishte ndonjë kulturë. Por Bakiu në ditar stivoste ngjarje të çuditshme. I thashë Resulit se do të qe gjë e madhe nëse këtë bllok me shënime ditari do t’ia merrnim hungarezit. Dhe unë nuk përtova. I thashë djaloshit nga Budapesti se ky ditar nuk i hynte në punë. Por hungarezi më kundërshtoi ashpër. Ky bllok nesër fluturon drejt Budapestit më tha ai. U ndava me hungarezët i trishtuar. Kisha zbuluar një ditar pothuajse anonim, por ai më iku nga duart. Ishte një fabul për Heminguejin, i cili e kishte vrarë veten 57 vjet me parë e  do të kujtohej në këmbët e malit të Tartarit nga udhëtar shqiptar.

***

Pa dalë tek Livadhi i Çecos, Resuli, më thotë se po na ndjek një gjarpër. Nuk dua ta besoj megjithëse udhëve të përpjeta pash gjarpërinj e nepërka. Pastaj Resuli ndaloi. Të njëjtën gjë bëra dhe unë. Në udhën e gjerë të “asfaltuar” me bar ngjyrë ari, Resul Matogjini, nxori nga çanta një shami të bardhë dhe e la në mes të udhës. Resuli mu shkoqit se shaminë  e bardhë e la për gjarprin që sipas tij po na ndiqte. Gjarpri me ta parë shaminë e bardhë shkon dhe e kafshon. Në fletët e shamisë lëshon helmin vdekjeprurës, i zbutet tërbimi, ndërron udhë e bëhet i parrezikshëm për çdo qenie të gjallë. Ishte hera e parë që e dëgjoja “sekretin” me shami për t’i shpëtuar kafshimit të gjarprit. Sa tregime fsheh Lumi i Vlorës thashë më vete.

Udhëtojmë dhe një orë tjetër e ndalojmë poshtë sarajeve të Isak Bullajt. Që nga çuka me pamjen e një kali i hedh sytë nga Bratajt. Prej Bratajve është aktori Lisenko Malaj, i cili nuk ka shumë kohë që është ndarë nga jeta. Aktori i talentuar më shumë sesa për vdekjen do të kujtohet për mungesën e varrit të tij. Miku im Mumtaz Dhrami sa ka përfunduar bocetin e parë ku ka hedhur linjat e aktorit të pashëm. Mbase më vonë në ndonjë shesh të qytetit të Vlorës të miratuar nga Bashkia do të vendoset busti i Lisenko Malajt dhe sheshi të përurohet me emrin “Sheshi i Lonit”. Lisenko Malaj ka shkëlqyer në rolin e Lonit tek “Karnavalet e Korçës”.

Dielli po i afrohet kreshtës më të lart të malit të Stogoit ku pas pak do të perëndojë. Tek e shihja diellin, i cili po përqafohej me Stogoin mu kujtua nëna e studiuesit dhe e poliglotit Zeno Jahaj nga Mesapliku. Nëna e Zenos kur betohej thoshte: “Për atë diell që vete lodhur!”. Na duhet të nxitojmë shton Resuli. Vëllai Ymeri e ka vënë gjingjin në hell. Nëna, Vitoria, që është 90 vjeçe i mban sytë tek pragu. Dhe ai më mollois se ku janë mishërat më të shijshëm. Gjatë bregut të detit bagëtive nuk u hedhin kripë. Bagëtia e merr kripën në kullotë nëpërmjet jodit të detit. Më lart në shpate e male, ku barinjtë u hedhin kripë tufave, ka rëndësi zgjedhja e kullotës, faqet e maleve me diell, vërrit, uji i burimeve, “odat” në stane, e sjellja e bariut me tufën si një psikolog.

Të udhëtosh këto ditë të gushtit nëpër Lumin e Vlorës është kënaqësi e veçantë. Bën freskët dhe nëpër pyje të deh era e mishit të pjekur. Paçka se në stanin më të afërt mishi mund të jetë pjekur para një jave era e trëndelinës së tij nuk shqitet nga ormanet. E gjithë lugina vjen era mish i pjekur. Të gjithë banorët nëpër fshatra e stane janë të zënë me punët e stinës. Në sytë e tyre nuk shikoj ankth, as urrejtje, as klithma për qeverinë dhe as pasiguri. Klubet janë bosh. Nga mbjellja e hashashit kanë hequr dorë. I pyet e të përgjigjen se i përçmojnë ata që braktisin shtëpitë në fshat e nëpër kafenetë e Vlorës pinë raki, dhunojnë gratë, mallkojnë e i përzënë fëmijët që të shndërrohen në skllevër të Evropës. Kjo bën që të ketë krime, humbje të lekëve në bixhoz, vjedhje, vrasje, vetëvrasje e humbje të shpresës. Sytë i mbajnë nga qielli. Po qielli s’të jep as punë dhe as para. Kallot e duarve të burrave dhe të grave të Lumit të Vlorës janë floriri i mundit të tyre. Mjerë ata që i kthejnë krahët punës.

Më në fund mbrrijmë tek shtëpia e Isak Bullajt në Matogjin. Portën na e hap i vëllai i Resulit, Ymeri. Tek pragu del me shkop në dorë e zonja e shtëpisë, Vitoria. Por pa e kaluar mirë pragun tek Ara e Thekrrës dëgjohet hingëllima e fuqishme e një kali. Erdhi “Çipini” tha Resuli. Më nuhati e më ndoqi çap pas çapi. Unë ktheva kokën. Dhe “Çipinit” i bëra një fotografi. Mu duk sikur kali i Matogjinit doli nga një luginë baladash. Unë nuk e kisha gabim. Lumi i Vlorës në vetvete është një baladë.

Motive nga Lumi i Vlorës dhe fati i ditarit që fluturoi drejt Budapestit Read More »

Mafia dhe politika të blinduara, mbi 120 makina luksoze me leje për të mbrojtur “kokat”. Ja si merret leja

“Nuk kemi banda, por rrugeçër”,deklaroi kryeministri Edi Rama pas situatës alarmente të krimeve në Shkodër. Megjithatë asnjë nga “këta rrugeçërit” e nënvlerësuar ngë Edi Rama nuk po mban përgjegjësi për krimet që ndodhin ditën për diell, madje lëvizin pa iu ngulur gjemb në këmbë në këtë “rrumpallë shtet”.

Grupet kriminale janë forcuar shumë ekonomikisht dhe mbrojnë jetët e antarëve nga rivalët me makina luksoze të blinduara, që i sheh rëndom në rrugët e Shqipërisë.

Vetëm pak ditë më parë gjatë një operacioni nga RENEA pas ekzekutimit të biznesmenit në Shkodër u bllokuan gjashtë automjete të blinduara.

Por si futen në Shqipëri makinat e blinduara?

Duke iu referuar legjislacionit një makinë e blinduar lejohet të lëvizë në vendin tonë me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.  Përpos rregullave që duhet të plotësojë zotëruesi i saj, pa firmën e Drejtorit të Policisë këto makina nuk u lejohet të dalin në rrugë. Një autorizim për të marrë makinë të blinduar kushton tre milionë lek të vjetra.

Një vit më parë Policia nisi operacionin “Vjeshtë 2017” ku u sekuestruan rreth 22 makina të bllokuara. Sot qëndrojnë të bllokuara vetëm 3 prej këtyre automjeteve të blindura, shkruan Shqiptarja.com. Shumica prej tyre janë lënë të lira, për shkak se ishin me leje, ose janë dorëzuar dokumentat e kërkuara nga Prokuroria. Në vendin tonë janë më shumë se 120 makina të blinduara që janë me leje, ndërkohë që dyshohet se një pjesë tjetër lëvizin pa leje në rrugët shqiptare.

Personat që i përdorin ato janë kryesisht anëtarët e grupeve kriminale, biznesmenë për në disa raste edhe zyrtarët shtetëror./korrieri

Mafia dhe politika të blinduara, mbi 120 makina luksoze me leje për të mbrojtur “kokat”. Ja si merret leja Read More »

‘Loriku është më i bukur se ty’. Por shikoni si i përgjigjet gruaja e tij, Monika

Ajo ka fituar mjaft fansa dhe ndjekës shqiptarë në rrjetet sociale, pas lidhjes dhe martesës me ish-kapitenin e Kombetares, Lorik Cana.

Bukuroshja italiane, Monica tashmë ka krijuar një komunikim fantastik me ndjekësit dhe madje flet edhe në gjuhën shqipe, ose siç thotë ajo, përpiqet.

Së fundi Monica u ka kërkuar fansave që ta pyesin për çdo gjë interesante dhe një ndjekës i ka thënë se Lorik Cana është më i bukur se ajo.

“Loriku është më i bukur se ty, më fal”.

Sigurisht që Monica e ka marrë me sportivitet këtë pjesë dhe i është përgjigjur: “Po, e di!”

Image

‘Loriku është më i bukur se ty’. Por shikoni si i përgjigjet gruaja e tij, Monika Read More »

Boll u tallët! Nëse doni Vetting në politikë lëreni të zbatohet reforma në drejtësi

Beteja e fuqishme e një lufte në sitemin drejtësisë vetëm sa ka dhënë shkëndijat e para, por të trembur deri në palcë politikanët po bëjnë përpëlitjet për mbijetesë.

Lulzim Basha propozon Vetting në politikë dhe kërkon që ky proces të udhëhiqet nga Petrit Vasili, Xhemal Xhunkshi, Flamur Noka, Nasip Naço…e plot të tjerë emra për të mbushuar listat. Ama ky Vetting i propozuar nga opozita e ka një kleçkë; nuk do të përfshijë të kaluarën e asnjërit nga politikanët.

Basha që ka filluar turin e shëtitjeve qytet më qytet kundër krimit, del  zbuluar si ‘tinëzari’ kundër zbatimin e një ligji tjetër, siç është krijimi dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK, i cili heton dhe dërgon pas hekurave të korruptuarit.

Ndërkohë Rama nga ana e tij i përgjigjet “po” dhe më pas nxjerr Taulantin, i cili shprehet për këtë nismë: “Është i dobët, sepse pikë së pari, politikanët nuk mund të bëjnë vettingun e vetvetes. Së dyti, në materialin e paraqitur mungon hetimi i korrupsionit 27-vjeçar dhe të pasurive që politikanët kanë ngritur përmes tij”, thekson ai.

Dhe në këtë pikë Balla ka të drejtë. Politika pastrohet, nëse këta duan të zbatojnë ligjin e dekriminalizimin dhe nëse kryetarët e partive u mbyllin derën të inkriminuarve. Por kjo zor të ndodhë sepse politikës nuk i interesojnë njerëz me integritet. Në fushata iu duhen të fortët dhe paraja për garantuar votat.

Ndaj këta politikanët e zgjuar shqiptarë që kanë bërë kërdinë mbi kurrizin e popullit nuk mund të na hedhin “hi syve” sikur po iu digjet shpirti për Vetting. Nëse e kanë kaq seriozisht është e thjeshtë: Le ta lënë Reformën në Drejtësi të rrjedhë…/korrieri

Boll u tallët! Nëse doni Vetting në politikë lëreni të zbatohet reforma në drejtësi Read More »