Aurora

Historia e familjes shqiptare, të jetosh me 80 lekë në ditë

Të ardhurat e ulëta bëjnë që 60 % e shqiptarëve të blejnë më pak ushqime ndërsa për të kursyer nuk ka mundësi. Familjet në varfëri të thellë janë në kushte mbijetese. Sot ne do t’ju tregojmë historinë e njërës prej tyre, me gjashtë anëtarë dhe kur ushqimi nuk është çdo vakt në tavolinë.

Geraldo është 10 vjeç, por ngjan më i vogël. Kjo, e gjitha nga kequshqyerja. Jeton në një dhomë me një sipërfaqe më pak se 30 m.

Bashkë me familjen e tij, në ditë harxhojnë 500 lekë.

“Ne kursejmë se nuk kemi, as 5 mijë lekë në ditë nuk i hamë, jemi vet i gjashtë. Byrek gatuajmë më shumë, fasule edhe ndonjë kofshë që e blejmë në dyqan, ndonjë pilaf. Supës I hedh galinë në vend të mishit. Te mishi kursejmë”.

Sipas anketës së cilësisë së jetës së Komisionit Europian, 46% e shqiptarëve kanë blerë më pak mish nga sa kishin nevojë për të kursyer, si dhe 38% e tyre kanë blerë më pak fruta. Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe me vendet kandidate, Shqipëria mban vendin e parë e të ushqyerit pak për të kursyer, si familja Brahimllari që nuk blinin mish duke mbledhur para për t’u blerë fëmijëve librat shkollorë. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia, me 28% të anketuarëve që kanë blerë më pak fruta perime që të kursejnë dhe 35% në racionin e mishit./javanews

Historia e familjes shqiptare, të jetosh me 80 lekë në ditë Read More »

Zbulohet plani i SHBA-BE për arrestimet ‘VIP’, ja me çfarë do të përballet politika nëse bllokon SPAK-un

Çdo tentativë për të bllokuar ngritjen e SPAK-ut do të ishte fatale për politikën shqiptare, e cila do t’i duhet të përballet me ILDKP, Krimet e Rënda dhe Drejtorinë e Pastrimit të Parave. Siç shihet në sferën e nxehtë politike, PD dhe LSI nuk po japin konsensus për zbatimin e reformës dhe organi më i rrezikuar është Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Gara për në KLGJ e KLP u zgjat, ndërsa mungon konsensusi PD-PS për të amenduar nenet që rrëzoi Gjykata Kushtetuese. ‘Sot’ shkruan se nëse nuk bëhet amendimi i tyre, KLGJ e KLP nuk marrin dot vendim për të emëruar anëtarët e SPAK. Por edhe nëse politika vijon ta zvarrisë procesin, gazeta ka mësuar se ndërkombëtarët dhe qeveria janë duke ecur me një plan rezervë për të shkuar te arrestimet në nivele të larta. BE kërkon me ngulm që të luftohet korrupsioni dhe nëse deri në qershor nuk ka “peshq të mëdhenj” në rrjetë, atëherë nuk ka hapje negociatash.

Sipas informacioneve, qeveria me ndihmën e SHBA-BE do përdorin resurset aktuale për të goditur korrupsionin. Një ditë më parë gazeta publikoi paktin me Eurojust dhe aty thuhej qartë se do jetë Prokuroria e Përgjithshme që do koordinojë punën me ndërkombëtarët dhe jo SPAK. Nga ana tjetër, nëse shihen strategjitë antikorrupsion 2018-2020 të qeverisë dhe prokurorisë, bie në sy se të dyja janë të angazhuara për të dërguar pas hekurave këdo që ka futur duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë. Në planin e qeverisë përcaktohet qartë se do të forcohet roli i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe i Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Po ashtu gazeta ka mësuar se nëse SPAK zvarritet, këto organe do hyjnë në lojë për të nisur një valë kallëzimesh ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve të lartë.

Dosjet shkojnë te Krimet e Rënda dhe më pas është kjo prokurori që duhet të dërgojë pas hekurave të korruptuarit. Gazeta e tha pak ditë më parë se në Tiranë kanë ardhur disa ekspertë për pastrimin e parave dhe ata janë informuar për dosje konkrete që ka DPPPP. Po ashtu dhe më herët amerikanët kanë kërkuar të dhëna për zyrtarë të caktuar që dyshohet se kanë nxjerrë para jashtë vendit dhe kanë bërë pastrim parash. Pra, nëse PD dhe LSI vijojnë të mbajnë pezull organet e reja të drejtësisë, do vihen në lëvizje institucionet shtetërore për të ndëshkuar të korruptuarit. Sinjali i parë është dhënë me hetimet për Adriatik Llallën, ndërsa pritet që fatin e tij ta kenë dhe shumë të tjerë.

Tentativat bllokuese për SPAK

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ishte planifikuar të ngihej që në fund të vitit 2016, por politika ka bërë tentativa të shumta që ky organ të mos zyrtarizohet. Fillimisht ishte Partia Demokratike, e cila ankimoi në Kushtetuese ligjin e vetingut. Kushtetuesja e pezulloi për 3 muaj dhe procesi u shty. Kur pritej që të zgjidheshin anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, PD hyri në çadër dhe vonoi me 3 muaj votimin e tyre. Pasi u zhbllokua vetingu, hyrën në ngërç KLGJ e KLP. Gara për përfaqësues nga shoqëria civile e avokatia u hap 4-5 herë. Kushtetuta e ka të përcaktuar se SPAK ngrihet dy muaj pas ngritjes së KLP. Pra, pa u ngritur KLP nuk ka organe antikorrupsion. Por ngrija e këtij organi po has vështirësi. Përveç kësaj, problemi është se KLP do emërojë prokurorët e SPAK. Kushtetuesja ka rrëzuar nenin bazë të mbledhjes së KLP dhe nëse ai nuk ndryshon, nuk bëhen dot emërime. Pra tashmë gjithçka është në dorë të politikës./korrieri

Zbulohet plani i SHBA-BE për arrestimet ‘VIP’, ja me çfarë do të përballet politika nëse bllokon SPAK-un Read More »

“Çmenduritë” e të rinjve shqiptarë, ja për çfarë i shpenzojnë paratë. Sa i përket sufllaqeve…

Kanë shpenzimet më të ulëta për ushqime dhe pije alkoolike, por më të larta për  restorante dhe hotele. Në krahasim më të gjithë grup moshat e tjera, familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç shpenzojnë më shumë për restorant dhe hotele. Rreth 6.4% e shpenzimeve shkojnë për këtë kategori, ndërkohë që mesatarja për të gjitha grup moshat ishte 4.4%.

Ndërsa “prindërit e tyre” janë më të prirë që të shpenzojnë për ushqime, të rinjtë kryefamiljar të moshës deri në 24 vjeç harxhojnë më shumë para për veshje dhe restorante dhe më pak për t’u ushqyer.

Monitor ka krahasuar shpenzimet sipas grupmoshave, bazuar në tabelat e publikuara nga INSTAT. Familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç  kanë shpenzimet më të ulëta për ushqime dhe pije alkoolike se grup moshat e tjera. Në një familje me kryefamiljar deri në 24 vjeç  kjo kategori zë një peshë prej 31% në totalin e shpenzimeve që ka familja. Në ndryshim, të gjitha grup moshat e tjera për ushqime dhe pije jo-alkoolike shpenzojnë mbi 40% në totalin e shpenzimeve mujore për ushqime.

alkol-640x394

Për çfarë shpenzojnë më shumë të rinjtë

Krahasuar me grup-moshat e tjera familjet me kryefamiljar deri në 24-vjeç shpenzojnë më shumë për banesë, veshje dhe këpucë, restorante dhe hotele, argëtim dhe kulturë dhe arsim.

Referuar të dhënave të INSTAT në lidhje me shpenzimet për banesë, familjet me kryefamiljarë deri në 24 vjeç kanë peshën më të lartë. Mesatarisht në vitin 2016, shpenzimet për banesë kanë zënë rreth 24.8% të të gjithë shpenzimeve të familjes së re. Edhe për grup moshën 25-34 vjeç shpenzimet janë të larta, ku sipas të dhënave kjo kategori shpenzimi zë 14% të totalit të shpenzimeve dhe për grup moshën 35-44 vjeç. Për grup moshat 45-54 dhe 55-64 shpenzimet për banesë janë më të ulëta, me përkatësisht 8.7 dhe 9.7 % të totalit.

Kategoria e dytë ku familjet e reja “nuk e mbajnë dorën” në të shpenzuar janë veshjet dhe këpucët. 5.9% e shpenzimeve shkojnë për tu veshur dhe për tu mbathur, ndërsa mesatarja e të gjitha kategorive është 4.7%. Grup mosha e dytë që shpenzon më shumë për veshje dhe për këpucë është 45-54 vjeç, ku rreth 5.4% e shpenzimeve shkojnë për këtë kategori.

Edhe në kategorinë e arsimit, kryefamiljarët deri në 24 vjeç, kanë shpenzimet më të larta. Në totalin e shpenzimeve të tyre, ato për arsim zënë rreth 10.5%. Shpenzimet për këtë kategori janë të larta edhe për familjet më grup moshë 45-54 vjeç, të cilat zënë rreth 8.2% të totalit. Më të ulëta janë për kategoritë e tjera, ku shpenzimi për arsim nuk është më shumë se 3% e totalit.

Argëtimi dhe kultura janë gjithashtu një tjetër kategori ku familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç, kanë një peshë më të lartë se grup moshat e tjera, me 3.9%.

“Çmenduritë” e të rinjve shqiptarë, ja për çfarë i shpenzojnë paratë. Sa i përket sufllaqeve… Read More »

Shqiptarët i lënë dhëmbët të krimben, nuk shkojnë tek dentisti e mjeku për të kursyer

”

Të kemi shëndetin!”, mesa duket është vetëm një shprehje për shqiptarët. 41% e tyre kanë shtyrë vizitën ose nuk kanë shkuar fare te mjeku për të kursyer, përqindja më e lartë në të gjithë Europën.

Situata është më keq për sa i përket kujdesit ndaj dhëmbëve, gjysma e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur se nuk kanë shkuar fare ose kanë vonuar një vizitë te dentisti. Të dhënat janë publikuar në Anketën e Cilësisë së Jetës të kryer nga Komisioni Europian.

Edhe në raport me vendet e tjera fqinje, të cilat janë kandidate për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, diferenca është e lartë. Pas Shqipërisë, të anketuarit në Maqedoni dhe në Mal të Zi të cilët nuk kanë shkuar te doktori për të kursyer janë 25% e të pyeturve. Ndërsa në Serbi, 22% e të pyeturve kanë deklaruar se nuk kanë shkuar te mjeku për të kursyer. Ndër vendet kandidate, Turqia ka përqindjen më të ulët, ku 19% e të pyeturve kanë pohuar.

Kush ka më pak të ardhura, lë shëndetin të fundit
Thonë se para shëndetit, paraja nuk ka rëndësi. Megjithatë 70% e individëve me të ardhura të ulëta në Shqipëri heqin dorë nga vizitat nga mjeku për të kursyer. Në Anketën e Cilësisë së Jetës, të anketuarit janë grupuar në katër kategori (nga 1 në 4) referuar të ardhurave të tyre, ku Grupi 1 janë individët me të ardhura më të ulëta dhe grupi 4, individët me të ardhura më të larta.

Në vendet e e rajonit, përqindja e individëve më të ardhura të ulëta që nuk kanë shkuar te mjeku për të kursyer është shumë më e ulët, ndërsa në Malin e Zi, përqindja është edhe më e ulët se sa tek individët me të ardhura të larta, shkruan Monitor.

Sipas Anketës së Cilësisë së jetës, vetëm 12% e individëve me të ardhura të ulëta në Malin e Zi nuk kanë shkuar te mjeku për të kursyer para. Në Maqedoni, vetëm 34% e të pyeturve e grupit me të ardhura më të ulëta deklaruan se nuk shkuan te mjeku për të kursyer, 39% në Serbi dhe 29 në Turqi.

Ndërsa për sa i përket individëve që i përkasin grupit të katër të të ardhurave, Shqipëria ka përqindjen më të ulët. Vetëm 12 për qind e individëve me të ardhura të larta nuk shkuan te mjeku për të kursyer. Në vendet e tjera kandidate për tu anëtarësuar në BE, përqindja e individëve më të ardhura të larta që nuk shkuan te mjeku për të kursyer para varjon nga 20-25%.

Shqiptarët i lënë dhëmbët të krimben, nuk shkojnë tek dentisti e mjeku për të kursyer Read More »

Ja çfarë ndodh nëse e fusni këmbën në ujë të ftohtë çdo natë

Sipas Sergey Bubnowsky, një specialist i kinezoterapisë nga Moska, çelësi i një sistemi më të fortë imun qëndron tek një praktikë e thjeshtë por shumë efektive. E gjitha çfarë duhet të bëni sipas tij është që të fusni këmbën çdo natë në ujë të ftohtë, kur të vini në shtëpi nga puna.

Duke e bërë këtë ju do ta relaksoni këmbën pas një dite të lodhshme të punës dhe do të bëni mrekulli në sistemin tuaj imun, transmeton Gazeta Express.

Ai thotë se çelësi i kësaj metode është të përdorni gjithmonë ujë të ftohtë, jo të vakët. Sapo të vini në shtëpi, mbusheni legenin me ujë të ftohtë dhe futeni këmbën për 15 minuta aty. Më pas thajeni këmbën dhe mbathni një palë çorape të leshta.

Kënaquni me ngrohtësinë e tyre dhe mos harroni ta përsërisni këtë çdo mbrëmje, nëse dëshironi të keni një sistem më të fortë imun.

Dr. Serfey këshillon të gjithë që të mos brengosen për ujin e ftohtë kur janë të sëmurë, pasi garanton se do të jetë shumë përfitues për ju dhe nuk do t’ua dëmtojë shëndetin.

Ja çfarë ndodh nëse e fusni këmbën në ujë të ftohtë çdo natë Read More »

Pukë/ Kuzhina lokale si ofertë turistike, rrit konkurrencën në sektorin e turizmit

Kuzhina lokale, si ofertë turistike për zonën ndërkufitare Shqipëri-Mali i Zi, synon të rrisë konkurrencën në sektorin e turizmit si dhe do të rrisë vlerat ekonomike të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Bashkia e Pukës ka zhvilluar ditën e hënë një konkurs në këtë qytet, ku kuzhinierë të ndryshëm të bujtinave, guest house-ve, restoranteve, etj., kanë gatuar disa receta tradicionale të ndërthurura me ato moderne.

Specialistja e Drejtorisë së Turizmit pranë kësaj bashkie, Mirjana Pashka theksoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), se ky konkurs ka si synim specifik përfshirjen e gastronomisë lokale të zonës ndërkufitare në ofertën e përgjithshme turistike.

“Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është rritja e konkurrencës së sektorit të turizmit duke rritur vlerën ekonomike të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, ndërsa objektivi specifik është përfshirja e gastronomisë lokale të zonës ndërkufitare në ofertën e përgjithshme turistike. Qëllimi është paraqitja e kuzhinës lokale si pjesë e ofertës turistike dhe t’u paraqitet turistëve një pasqyrim i në traditës përmes gastronomisë lokale”, – theksoi Pashkaj.

Sipas saj, krijimi i të tilla konkurseve pritet që të sjellë disa rezultate mjaft të mira, duke bërë përfshirjen e recetave tradicionale në industrinë lokale të turizmit, krijimin e itinerareve turistike, etj.

“Nga krijimi i këtyre aktiviteteve presim një sërë rezultatesh, si: Recetat lokale tradicionale të përfshihen në industrinë lokale të turizmit, krijimi i itinerareve turistike, si dhe promovimin e gastronomisë lokale”, – theksoi Pashkaj.

Sipas specialistes, Pashkaj, aktiviteti i datës 27 gusht kishte të bënte me ngritjen e kapaciteteve të shefave të kuzhinës dhe kuzhinierëve, si dhe ndërgjegjësimin e personave që kanë shtëpi pritëse.

“Synohet edhe rritja e ndërgjegjësimit edhe të personave që kanë shtëpi pritëse. Përmes këtij trajnimi, përcillet mesazhi i përfshirjes së recetave të vjetra të zonës së Pukës në restorantet e tyre, jo vetëm për të rritur ofertën e tyre në shërbimin ndaj turistëve, por duke e trajtuar këtë si ruajtje të traditës dhe kulturës lokale”, përfundoi Pashkaj.

Krijimi i këtij aktiviteti u mundësua nga Regional Development Agency for Bjelasica, Komovi and Prokletije, EcoPartners for Sustainable Development, Bashkia Pukë dhe National Tourism Organisation Of Montenegro./atsh

Pukë/ Kuzhina lokale si ofertë turistike, rrit konkurrencën në sektorin e turizmit Read More »

7 aventurat që duhet të bëni në Shqipëri sipas amerikanëve, e fundit na nxin faqen

Shqipërisë nuk i mungon promovimi dhe kjo ka bërë që turistët të kenë pritshmëri të lart, pritshmëri që ndoshta u tejkalohen kur shkelin në vendin tonë sepse natyra na ka bekuar apo jo?

Por, pas vizitës së parë ekziston problemi i kushteve, përveç bukurive natyrore turistët kërkojnë edhe standarde që realisht tek ne nuk ekzistojnë ende. Shqipëria nuk bën pjesë akoma në platformën e përbashkët të turizmit në Ballkan për shkak se as hotelet nuk kanë klasifikim real të yjeve.

E megjithatë, portali amerikan që merret me turizmin “Heywedidthat.com”, ka listuar 7 aventura që duhet të provoni në Shqipëri, ku më e dhimbshmja është drejtimi i makinës në rrugë të paasfaltuara.

Kohët e fundit kemi kaluar një muaj të tërë në Shqipëri për të vizituar vendin. Për 40 vjet, Shqipëria u konsiderua Koreja e Veriut e Europës me një diktaturë izolimi. Sot, është një vend me kaq shumë për të ofruar për ata që kërkojnë anën e fshehur, të panjohur dhe të egër të Tokës.

Këtu janë 7 gjërat për të parë dhe bërë:

  1. Drejtojuni bregdetit në jug. Shkoni pranë qytetit të Vlorës dhe merrni rrugën drejt maleve. Do të endeni rreth ndërtesave të braktisura, rrënojave të bunkerëve dhe bregdetit të bukur.
  2. Lundrimi në kanionet e Osumit. Një botë ujore gati e paprekur ju pret. Rreth një orë larg Beratit kanionet e Osumit do t’ju dhurojnë një nga eksperiencat më të bukura të raftingut që kemi përjetuar
  3. Lahuni në burimet termale në Bënjë pranë Përmetit. Ju mund ta kombinoni këtë udhëtim duke bërë rafting në lumin e Vjosës dhe të qëndroni një natë në Përmet. Ujrat termale nuk janë në të vërtetë të nxehtë, por mineralet që ka në përbërje janë shumë kurativë.
  4. Lundrim në Kajak në “fjordët” në veri të Shqipërisë. Shkoni drejt Shkodrës nga Tirana dhe pastaj shkoni drejt maleve ku do të merrni tragetin në liqenin Koman. Aty mund të bëni një guidë një ditore ose një udhëtim me traget në pikën më të thellë në Fierzë. Ju mund të sillni edhe makinën tuaj në traget.
  5. Ecni në Kepin e Rodonit dhe vizitoni kështjellën në perëndim të diellit. Ka një kështjellë të vogël në gadishull, si dhe plazhe të fshehura rreth e qark.
  6. Numëroni bunkerët gjatë udhëtimit në vend. Vlerësohet të ketë rreth 200,000 bunkerë në të gjithë Shqipërinë. Askush nuk e di sa saktë, por diktatori komunist i ndërtoi ato si parandaluese për një pushtim që kurrë nuk ka ndodhur.
  7. Ka shumë rrugë të këqija në vend. Rruga më e shkurtër nuk është gjithmonë më e shpejta, por nëse keni kohë. Për të provuar aventurën e rradhës, provoni të ngisni makinën në rrugë të paasfaltuar, të provoni një ndjesi që mbase e keni harruar nga koha. Kjo mund të jetë një monument i epokës së fundit. Ti nuk e di nëse nuk provon.

7 aventurat që duhet të bëni në Shqipëri sipas amerikanëve, e fundit na nxin faqen Read More »

Shqiptarët nuk kursejnë dot, të dhënat zyrtare: 1% e qytetarëve kanë 50 mijë euro në bankë

Shumica dërrmuese e familjeve shqiptare kanë të ardhura vetëm sa për konsum dhe nuk ia dalin dot të kursejnë para.

Sipas një analize të Agjencisë së Depozitave, në total individët shqiptarë kanë 2.4 milionë llogari bankare. Por, pjesa dërrmuese e tyre janë llogari pagash ose depozita të vogla dhe vetëm 24 mijë shqiptarë, ose më pak se 1% e totalit të popullsisë ka kursime bankare më të larta se sa 50 mijë euro.

Depozitat në banka janë forma kryesore ku familjet shqiptare ruajnë kursimet e tyre financiare, duke zënë 80% të totalit të kursimeve, ndërsa pjesa e mbetur janë fondet e investimeve dhe letrat me vlerë të qeverisë.

Sipas të dhënave zyrtare, në fund të vitit 2017 totali i depozitave që familjet kanë në banka arriti në 922 miliardë lekë ose rreth 7.5 miliardë euro. Por, siç tregojnë të dhënat nga Agjencia e Depozitave, vetëm 1% e individëve ia kanë dalë të kursejnë mbi 50 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër ka më pak se kaq.

Numri i pakët e individëve që kanë më shumë se 50 mijë euro kursime tregon se pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare ka të ardhura vetëm sa për konsum dhe e ka të pamundur të kursejë para’ mjaftueshëm për të qenë e mbrojtur nga situatat e vështira ekonomike, shkruan tch.

Shqiptarët nuk kursejnë dot, të dhënat zyrtare: 1% e qytetarëve kanë 50 mijë euro në bankë Read More »