Aurora

Analiza e Blendi Fevziut për historiografinë shqiptare në komunizëm: Leka Zogu, kri**nel që në moshën 5 vjeç

Gazetari dhe analisit Blendi Fevziu ka hedhur një koment apo këndvështrim mbi atë ç’ka ndodhur në historiografinë shqiptare, e cila gjatë viteve të diktaturës u vu në shërbim të ideologjisë, duke i ndarë si me thikë personazhet historikë, në “të mirë” dhe “të këqij”. Angazhimi politik do të shenjonte për një gjysmë shekulli, historitë e secilit… ‘Historia e gabuar e “të mirit” dhe “të keqit”’, botuar në revistën “Medius” hedh dritë në ca prapaskena historike. Ramiz Alia dhe Leka I përballë njëri tjetrit.

BLENDI FEVZIU/ Në një pritje të Ambasadës Franceze më 14 korrik të vitit 2002 isha duke biseduar më këmbë, në mes të një grumbulli të madh e heterogjen të ftuarish me liderin e fundit komunist të Shqipërisë, Ramiz Alinë. Nuk e kujtoj nëse biseda ishte fokusuar në çështje të ditës apo të së shkuarës, por një moment dallova pretendentin e fronit mbretëror, Lekën e Irë, ose Leka Zogun siç njihet në Shqipëri, që po afrohej duke përshëndetur të ftuarit në dy anët e tij. Leka kishte mbërritur në Shqipëri ca javë më parë, për t’u vendosur përfundimisht në atdhe, prej nga ishte larguar thuajse 48 orë pasi kishte ardhur në këtë jetë dhe qe kthyer tashmë 63-vjeçar. Më të isha njohur 3 vjet më parë në Johanesburg të Afrikës së Jugut, kur i kisha bërë, së bashku me të ëmën, Mbretëreshën Geraldinë, një intervistë shumë interesante. Leka u afrua të më jepte dorën dhe vetëm momentin e fundit dalloi përballë meje Ramiz Alinë. Lideri i fundit komunist dhe pretendenti për fron u gjendën përballë, të dy të ngrirë, pa i dhënë dorën njëri-tjetrit, por edhe pa mundur të thonë asnjë fjalë.

Rastësia i vendos njerëzit në situata të çuditshme e, shpesh, shumë problematike. Ajo ngrirje prej statujash e të dyve, vetëm një hap larg, ishte më shumë se një ngërç personash, ishte një ngërç i historisë. Leka Zogu ishte larguar nga Shqipëria 2 ditë pasi kishte lindur. Babai i tij u largua si pasojë e pushtimit italian dhe jo e ndonjë zhvillimi të brendshëm politik. Logjikisht një fëmijë nuk mund të mbajë kurrë përgjegjësi për bëmat e babait të tij dhe as të jetë përgjegjës për një kohë kur ai nuk kishte lindur ende. Por komunistët nuk e ndoqën këtë parim universal. Ramiz Alia doli në atë kohë partizan dhe u bë një nga liderët e rëndësishëm komunistë në vite. Pas ardhjes së tyre në pushtet, Mbretit iu ndalua kthimi në Shqipëri. Kur Mbreti Zog i I-rë iku nga kjo botë, Leka u konsiderua kërcënimi kryesor i regjimit.

Ai u vendos në krye të listës së kriminelëve të luftës edhe pse gjatë saj kishte qenë 4 – 5 vjeç dhe kishte jetuar në Angli! Komunistët vendosën ta luftojnë Lekën me çdo mënyrë dhe kudo që të ishte. Por edhe Leka nuk u pajtua me fatin e tij. Ndërmori jo pak nisma për ta rrëzuar regjimin komunist, edhe pse pa sukses. Nëse Alia dhe regjimi i tij do ta kishte kapur Leka Zogun, ai patjetër do të kishte përfunduar në togën e pushkatimit. Por edhe Leka nuk do të kishte pasur ndonjë sjellje më bujare nëse Alia një ditë do të ishte në dorën e tij. Ata kishin luftuar fort si dy kundërshtarë politikë, produkte të ideologjive të ndryshme dhe tani gjendeshin përballë. Të pafuqishëm për ta luftuar njëritjetrin; të pabindur plotësisht për ta falur njëri-tjetrin dhe, pa dyshim, të çuditur me mënyrën se si zhvillimet politike i kishin sjellë tani përballë, në të njëjtin ambient dhe të dy të ftuar të një vendi demokratik.

Zhvillimet politike të një vendi, ndryshimi i sistemeve dhe regjimeve, por edhe roli që individët luajnë në histori ndryshon shpesh, por për historiografinë komuniste, që ende vijon të dominojë mendësinë e shoqërisë, kjo ishte e papranueshme dhe e pamundur. Në fakt, kjo përballje e Alisë me Zogun niste pikërisht këtu. Te bindja jonë e rrënjosur që një gjë e tillë nuk mund të ndodhte. Te keqkuptimi që historia e shkruar kishte krijuar në Shqipëri dhe te paaftësia jonë për ta rishkruar atë mbi një bazë dhe stil krejt tjetër nga ai që kishte imponuar sistemi totalitar.
Si gjithçka e shkruar në mungesë lirie dhe me një ndikim të fortë ideologjik, historiografia komuniste kishte vetëm një mënyrë të shpjegimit të fenomeneve, ngjarjeve dhe personazheve. Atë të ndarjes së tyre në të mirë dhe të këqij. Në pozitivë dhe negativë. Në patriotë dhe tradhtarë. Asgjë e ndërmjetme nuk ekzistonte.

Nuk po zgjatem me shpjegimin më të detajuar të kësaj metodologjie të sakatuar, sepse do të kërkonte një analizë më të thelluar dhe më të gjatë, por po mundohem ta ilustroj që të jetë më lehtësisht e kuptueshme. Sipas kësaj metode, në varësi të qëndrimit ndaj komunistëve apo filozofisë së tyre, personazhet kalonin në njërin sirtar apo tjetrin pa ekuivoke. Historiografia komuniste përpunoi edhe një format të “të mirit” dhe të “të keqit”, të patriotit dhe të tradhtarit. Më shumë se me historiografinë, ky trajtim na ngjan me letërsinë e realizmit socialist dhe me modelin e njeriut të ri. Patrioti ishte gjithnjë trim, nuk gabonte kurrë, ndodhej gjithnjë nga ana e drejtë e historisë, madje ai nuk kishte as vese dhe as probleme në jetën e tij personale. Tradhtari ishte gjithnjë në anën tjetër.

Gjithnjë gabim, gjithnjë me armikun dhe plot me vese. Kjo mënyrë absurde e shikimit të historisë jo vetëm i ndau më dysh personazhet e ngjarjeve të rëndësishme, por zhvlerësoi debatin mbi ngjarjet dhe qëndrimin që personazhet e historisë mbajnë ndaj tyre. Nga shikimi i mëpasshëm, roli i shumë personazheve ka qenë dhe mbetet kompleks. Në bazë të bindjeve, të rreshtimeve, apo qëndrimeve politike, shumë prej tyre patën aksione politike që historia sot i vlerëson si të kota e të dështuara, apo të suksesshme. Por shumë prej tyre që në një moment kanë zgjedhur ose janë orientuar gabim, një moment tjetër kanë qenë nga ana tjetër e peshores së historisë. Si të gjithë, me uljet dhe ngritjet, në fitoret apo humbjet e tyre, ata krijuan një tablo komplekse, e cila jo vetëm që nuk mund të shpjegohet, por përkundrazi, masakrohet duke u shpjeguar vetëm bardhë e zi, vetëm me të mirë e të këqij.

P.sh., Mit’hat Frashëri, që ishte gjatë luftës një kundërshtar ideologjik i komunistëve, u klasifikua automatikisht negativ, duke mos i konsideruar as faktin që ishte firmëtar i aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, as që ishte anëtar i Qeverisë së parë të Ismail Qemalit, as ambasador shumë i rëndësishëm i Shqipërisë në Athinë dhe as kontributin e tij fantastik si albanolog dhe njeri i letrave. Madje ky aktivitet nuk i vihej në pah kurrë. Me parimin që personazhi negativ i historisë duhet të jetë gjithnjë i tillë, historiografia komuniste i fshiu atij gjithë aktivitetin e mëparshëm 40-vjeçar, edhe atë të zhvilluar kur komunizmi nuk ekzistonte as is term në Shqipëri. Absurdi shkonte deri aty sa nuk përmendej as fakti që ishte djali i Abdyl Frashërit, madje kjo ishte herezi.

Sepse Abdyl Frashëri ishte klasifikuar te personazhet pozitivë dhe kjo e prishte skemën. Me këtë metodologji personazhe tejet të rëndësishëm e me kontribut të historisë së Shqipërisë u fshinë prej saj ose u vendosën në kolonat e tradhtarëve, me 1001 etiketime negative, ndërsa personazhe episodikë, shpesh banditë apo keqbërës lokalë, që u përfshinë në luftë dhe u renditën në anën e komunistëve u shpallën heronj ose modele të historisë. Historia nuk trajtonte fenomene të dyzuara. P.sh., Mehdi Frashëri, që kishte qenë një nga personazhet e rëndësishëm të rezistencës së 7 Prillit 1939, u klasifikua automatikisht tradhtar, sepse në vitin 1944 ishte për disa kohë anëtar i regjencës. Por historia nuk lodhej të shpjegonte argumentin e tij për të qenë aty dhe as lëvizjet politike që ai bëri duke pasur si synim kryesor marrëdhëniet me britanikët.

Ahmet Zogu që u konsiderua armik, u zhduk nga historia e Kongresit të Lushnjës edhe pse ai kishte luajtur aty një rol kryesor. Ndërsa Kongresi në vetvete mbeti një moment tejet i rëndësishëm i shtetit shqiptar. Mbi 30 firmëtarë të aktit të pavarësisë, që patën përplasje me regjimin komunist, u fshinë automatikisht nga historia, madje firmat e tyre, në faksimilet e botuara u fshinë ose u transformuan. Shikimi i personazheve si robotë të programuar që mund të ishin vetëm të mirë ose të këqij; nxjerrja nga çdo lloj konteksti historik, zhveshja nga debati normal dhe mbi të gjitha, moskuptimi që të gjithë me qëndrimet e tyre, mundoheshin për Shqipërinë, pavarësisht se kush ishte më largpamës, krijoi një tablo historike të gjymtuar dhe me ndikim tejet negativ.

Ky keqkuptim historik, që u bë në fakt histori zyrtare, nuk qe korrigjuar as atë moment, kur Ramiz Alia, “heroi” dhe “i miri”, deri më 1990, qëndronte përballë armikut dhe të keqit, po deri më 1990, Leka Zogu. Për fat të keq, pas vitit 1990, ose në ato 12 vite që qëndronin midis, historia nuk kishte dituar as të korrigjonte veten, as personazhet e saj.
“Ngritja e shoqërive të reja demokratike postkomuniste nisi në Europën Lindore nga rishkrimi i historisë”, thotë Urs Altermat, një filozof dhe historian zviceran që studioi me themel këtë fenomen. Për të ndihmuar këtë simbolikë godinat më të rëndësishme të këtyre kryeqyteteve, iu dhanë instituteve dhe akademive të historianëve.

Shqipëria, për fat të keq, e anashkaloi krejtësisht këtë fenomen. Jo vetëm që nuk pati përgjegjësi penale për dramat dhe katastrofën gjysmëshekullore që regjimi totalitar komunist solli në Shqipëri, por as një lloj rehabilitimi moral. Për arsye se historia, sidomos ajo e Luftës së Dytë Botërore, shërbeu edhe si ndarje ideologjike për partitë moderne shqiptare, rishikimi i së shkuarës nuk u vu në shërbim të së vërtetës, por të politikës së momentit. Ajo varioi sipas forcave politike që vinin në pushtet, duke krijuar një kaos të plotë dhe duke e bërë sot Shqipërinë të vetmin vend të Ballkanit ku historia nuk është debat akademik, por politik. E bëri dhe e bën ende të vetmin vend ku monumentet e personazheve historikë dhe emrat e rrugëve vendosen mbi bazën e preferencave politike, dhe jo mbi bazën e kontributit real që personazhet kanë dhënë ndaj vendit.

Për këtë arsye, edhe Ramiz Alia e Leka Zogu qëndronin përballë njëri – tjetrit, midis disa qindra të tjerëve, elita e Shqipërisë, të ftuar në atë pritje, e cila ishte po aq e paaftë sa ata vetë për të bërë një definicion të aksionit të të dyve! Ndarja e historisë në patriotë dhe tradhtarë, pra versioni të mirit dhe të keqit, është padyshim defekti më i madh që historiografia komuniste ka lënë pas në shoqërinë e sotme. Ky stereotip vijon ende, madje shërben jo rrallë edhe si element i luftës verbale politike. Zhbërja e tij duket e vështirë sa për arsye të rrënjosjes së thellë të ardhur nga tekstet apo propaganda e viteve të komunizmit, aq edhe nga paaftësia e historianëve postkomunistë për të ndërtuar tekste të besueshme dhe të mbështetura mbi dokumente.

Më shumë se sa për të treguar të vërtetën, dokumentet zgjidhen dhe jo nuk shërbejnë për të ilustruar idenë e parafiksuar. Kjo është arsyeja, që edhe përzgjedhja dhe publikimi i tyre është selektiv. Por ky shikim bardhë e zi i ngjarjeve, fenomeneve dhe personazheve nuk është gjymtimi i vetëm që historiografia komuniste dhe vijimi i saj i ka bërë formimit të shqiptarëve. Dy fenomene të tjera po kaq negative janë ai i kërcënimit të përjetshëm dhe i armikut të përhershëm, që ka ndikuar fort në sindromën e izolimit të shqiptarëve. Dhe i dyti, trajtimi i historisë sonë, thjesht, si një histori qëndrese, duke lënë jashtë vëmendjes dhe duke mos trajtuar periudha të tëra historike të jetesës së shqiptarëve në formacione shumetnike.

Nëse u referohesh teksteve të historiografisë komuniste, filozofia e tyre ka qenë ajo e një populli të rrethuar dhe të izoluar, në luftë të përjetshme me të gjithë. Identifikimi i regjimeve totalitare me kombin ishte thuajse normë dhe kjo sillte një sindromë të armikut të përhershëm. P.sh., Perandoria Osmane njësohej me turqit dhe detyrimisht, Turqia shihej si një armik. Ndërkohë Turqia moderne kishte të bënte pak ose aspak me Perandorinë Osmane, sidomos me ekspansionin e saj 500 vjet më parë; Gjermania Naziste identifikohej me Gjermanët, duke i konsideruar ata apriori armiq, edhe 50 vjet pas luftës. Kjo metodologji ndikonte tej mase në idenë e vetizolimit, duke e kthyer atë te shqiptarët në një sindromë me peshë. Një sindromë nga e cila nuk jemi shëruar ende. Pra, vendet nuk janë parë si regjime që në kohë të ndryshme kanë dhënë e kanë marrë, apo edhe kanë luftuar, por si kombe të cilat si pasojë e një momenti historik, konsiderohen kërcënim permanent për ne. Për këtë arsye, sindroma e Luftës së Dytë Botërore, nuk kishte ikur ende nga Shqipëria deri në vitin 1990, edhe 45 vjet pas mbarimit të saj.

Fiksimi i shikimit të historisë sonë si një histori qëndrese ka sjellë, më pas, një deformim jo të vogël të periudhave të tëra. Periudha 5-shekullore e shqiptarëve në perandorinë osmane thuajse nuk ekziston. Ajo është reduktuar në një seri kryengritjesh, një pjesë e të cilave ishin lëvizje proteste për autonomi fetare apo favore fiskale. Kjo e ka lënë thuajse bosh rolin që shqiptarët kanë luajtur në Ballkanin Osman dhe mënyrën e stilin e jetës së shqiptarëve në këtë perandori. Disa përpjekje të zbehta janë bërë kohët e fundit, por ende pa kontributin e duhur për të sqaruar se si ka qenë jeta, rregullat dhe kontributi që shqiptarët kanë pasur në Perandorinë Osmane bashkë më shumë popuj të tjerë. Të jetuarit në një perandori ka qenë në mesjetë formë e organizimit politik. Në perandori kanë jetuar edhe popuj më të mëdhenj dhe të më të zhvilluar sesa ne. Kjo nuk na bën as më inferiorë, as më të dobët. Ideja që bashkëjetesa në perandori ka qenë moment dobësie, është thjesht derivat i tezave të komunizmit për një popull të izoluar që kërkonte dhe donte të jetonte thjesht i vetëm.

Një popull që nuk di të vlerësojë të shkuarën e tij e ka gjithnjë të vështirë ndërtimin e së ardhmes. Kjo frazë që shpeshherë duket si shabllon, i shkon më shumë se kushdo tjetër momentit që përmenda në fillim të shkrimit. Ngrirjes përballë të Ramiz Alisë dhe Leka Zogut, pa guxuar të përshëndeten, por edhe pa asnjë dëshirë për të vijuar më pas grindjet e tyre. Secili i bindur se kishte pasur një rrugë të drejtë dhe historia që ende nuk ka mundur ti vendosë të dy në vendin që meritojnë… (Titulli i autorit: Historia e gabuar e “të mirit” dhe “të keqit”)

Analiza e Blendi Fevziut për historiografinë shqiptare në komunizëm: Leka Zogu, kri**nel që në moshën 5 vjeç Read More »

I kishin premtuar 100 mijë euro, zbardhet “Babalja”, Alfred Alizoti pranon se u shtir si vëllai i Fatmir Xhafajt

Zbardhen përgjimet për të ashtuquajturin “dëshmitari X”, ku zbulohet se Albert Veliu teksa komunikon në telefon me Fredi Alizotin, që në audio-përgjim shtirej si Agron Xhafa. Përgjimet janë pjesë e fashikullit hetimor dhe përkojnë me kohën kur “dëshmitari X”, Albert Veliu, kishte aplikuar për azil politik në Kosovë. Në 6 qershor, zhurma politike po kryqëzonte ministrin e Brendshëm dhe kur Albert Veliu gjendej në Kosovë, ai flet me Fredi Alizotin për çështje lekësh dhe për likuidim të punës së bërë. Aktori tregon se kishte takuar person tjetër për të cilin Albert Veliu i thotë që t’i kërkojë pagesën.

Fredi Alizoti: E takova. Jo këtej, jo andej, jam keq, po dridhej. Albert Veliu: Ore, thuaji, bëj likuidimin që kemi lënë thuaj, kaq asgjë në botë. O Fredi vëlla, se me atë s’kam lidhje fare kontakti. Besomë, se jam në azil. Për shpirt të plakës. Unë flas me anë të tjetrit me kosovarin. Thuaj, o vëlla më bëj likuidimin, si e lamë, thuaj.
Në të njëjtën ditë, Alizoti dhe “Babalja” flasin sërish, ku ky i fundit e vë në dijeni se e kishin mbajtur katër orë dhe e kishin pyetur. Por pjesa më e rëndësishme është biseda që Alizoti bën me numrin 974 në 12 qershor. Aty, Alizoti tregon se ka bërë rolin e Agron Xhafës. Fredi Alizoti: Ai muhabeti jam unë. E kape filmin ti? Unë bëra sikur isha vëllai i atij, e ke parasysh? Dëgjon, bëra sikur isha vëllai i atij? Do merrnin nga një qindshe për njeri, dyqind përnjëherë. Ai më tha mua do marrim njëqindshe. Unë i thashë mirë një qindëshe, i thashë nëm një 20 tëshe, e kupton vëlla, asnjë 20 asgjë iku ky muhabet.

Gjatë muajit qershor, Alizoti shfaqet i shqetësuar dhe telefonon shpesh, jo vetëm sepse nuk po merrte shumën e premtuar për aktrimin, por edhe sepse madiat po shkruanin për arrestime. Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se në 3 biseda, Alizoti pranon qartësisht, aktori i Geron Alizotit dhe se ai shprehet i zhgënjyer që Albert Veliu nuk i kishte dhënë paratë. Nga analiza e tabulateve rezulton se përpara se të publikohej audio-përgjimi, fillimisht Albert Veliu ka kontaktuar me Ervin Salianjin në datën 20 tetor të vitit 2017 dhe më 21 tetor 2017, ai ka vendosur kontakt edhe me gazetarin Jetmir Olldashi.

I kishin premtuar 100 mijë euro, zbardhet “Babalja”, Alfred Alizoti pranon se u shtir si vëllai i Fatmir Xhafajt Read More »

Eksplozivi në banesën e gjyshit të Xhisielës, Rama tregon kush e vuri

Kryeministri Edi Rama ka derdhur një lumë akuzash ndaj opozitës në mbledhjen e grupit të PS. Rama e quajti opozitën kinostudio fabrikimesh kriminale duke filluar me “Babale 1” dhe më pas ka vijuar me “Babale 2”, siç i referohet skandalit të Xhisiela Malokut.

Ndërkaq kryeministri foli dhe për tritolin në oborrin e banesës së gjyshit të Xhisiela Malokut duke akuzuar opozitën. Ajo sipas Ramës është e interesuar për këtë ngjarje.

“Babalja nuk ra nga qielli dhe nuk e çoi tek SHQUP-i gazetari kurajoz siç pretendohet në filmin e kinsotudios Luli shpk. Është shumë i tendosur. Kush si unë i di, ato që ai di thotë s’ka faj i shkreti. I ka shumëfishuar gojët e shqyera në adresë të prokurorisë flet për fundin e botës por në fakt po i vjen fundi lojës.
Ju siguroj se do dalë e plotë edhe e vërteta diskredituese për ata që e dhunuan vajzën e babale dyshit nga Fushë-kruja. Basha kërkon dëshpërimisht të pengojë daljen në dritë të atij filmi dhe i porosit gojët e shqyera të SHQUP-it të përsërisin avazin se Edi Rama synon të paravendos rezultatet e hetimit.
Mbrëmë natën vajzës së kthyer në mish për topat e kësaj politike i është hedhur lëndë plasëse në shtëpi. Kush është i interesuar për të thënë se vajza është nën terror psikologjik. Ne? Jo. S’ka mëndje që se kupton që për këtë kanë interes ata që dhunuan përditë dhe askush tjetër”, deklaroi Rama.

Eksplozivi në banesën e gjyshit të Xhisielës, Rama tregon kush e vuri Read More »

Berisha e quajti ‘bos kokaine’, flet ‘miku’ i Taulant Ballës

Një ditë pasi ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një foto të deputetit socialist Taulant Balla me një person të quajtur Maksi Beca, të cilin e quante ‘bos kokaine’, ka ardhur dhe reagimi nga vetë perosni në fjalë.

Në një status në “Facebook” Maksi Beca shkruan se e ka pasur idhull Berishën dhe se gjithmonë në Shqipëri ka votuar për të dhe nuk e priste që ish-kryeministri ta bënte mik me Taulant Ballën.

“Sali Berisha Maksi Beca jam, të kam pas idhull. Nuk e prisja që do më bëje mik me zor të këtij ushtarit të Edi Ramës. Nuk e kam takuar nojherë këtë Taulantin e PS. Sa kohë kam qenë në Shqipëri kam votuar vetëm për ty. Nuk e prisja që ti një ditë do merreshe me mua”, shkruan Beca që thotë se është personazhi me të cilin e ka lidhur Berisha kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.

Ish-kryeministri publikoi një foto të Ballës me Becën një ditë më parë ku shkruante “Taulant Bego/Jaris me bosin e kokainës Maksim Beço të arrestuar nga policia për trafik kokaine ne vitin 2015!”.

Berisha e quajti ‘bos kokaine’, flet ‘miku’ i Taulant Ballës Read More »

“Interpretuesi i Gon Xhafajt foli se nuk mori lekët”, Rama ‘zbulon’ skenarin

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama i gjeti të gjitha përgjegjësitë e situatës kriminale në vend tek opozita.

“Si askush më parë po akuzohemi për krime,” tha Rama teksa përmendi edhe shifra vjetore për vrasjet dhe sekuestrimet e pasurive të bëra nga krimi në vend.

Po ashtu kreu i qeverisë, foli dhe për audipërgjimin ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Ai thotë se “audiopërgjimi doli jo vetëm i rremë, por dhe se aktori është paguar nga opozita”.

“PD bën filmat që dihen, opinioni publik u mor peng dhe u dhunua pa pushim. Në atë audiopërgjim vëllai i ministrit është një aktor, më saktë një mjeran që ka pranuar rolin në këmbim të parave. Sot për fatin shumë të keq të Bashës, nuk janë vetëm analizat shkencore që nxjerrin audiopërgjimin të fabrikuar, por është dhe vetë aktori, që i ka dalë për zot zërit të vet. Ky që kërkon Vetting për thashetheme, e ka tradhtuar regjisorin se nuk i marrë eurot e premtuar për rolin njësoj si Babalja. Babalja nuk ra nga qielli,” tha Rama.

“Akuzuesit janë ata që nuk bënë asgjë, as kundër kanabisit, as kundër krimit. Nuk u morën kurrë me to se Lazarati ishte normalitet shtetëror, pjesa tjetër nuk ekzistonte, ndërsa krimi ishte thjeshtë pjesë e lajmeve. Kur u morëm seriozisht me kanabisin, plasi një zhurmë e ububushme a thua se i dëgjohej për herë të parë emri një droge që kishte ekizstuar prej 25 vitesh.

Shqipëria e 97 vrasjeve në vitin 2012 duket sikur nuk ka ekzistuar, ndërsa sot që vrasjet janë përgjysmuar s’ka pikë rëndësie. Shqipëria që gjetëm e kishte mbi 80 mesataren e vrasjeve në vit, sot e ka nën 50. Vitin e kaluar janë vrarë 9 persona. Thuaj sa të duash që në 4 vitet e fundit të tyre kanë qenë 15 vrasje në vit, ndërsa në 4 vitet tona ka qenë 9.

Sa më shumë përshkallëzohet lufta frontale e policisë me krimin, aq më shumë përshkallëzohet kjo baltë shpifjesh.

Nga viti 2014, janë sekuestruar 5 fishi i asetete pasurore të vendosur nga krimi i atyre që kanë sekuestruar ata.

Ne në 11 muajt e fundit kemi sekuestruar 16 mln asete të krimit të organizuar, e qenkemi të lidhur me krimin.

Këtë periudhë është marrë ofensiva më e madhe e baltës ndaj ministrave dhe deputetëve, veten s’po e përmend se i bie të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit.

Monstruoze janë shpifjet ndaj ministrave,” tha më tej Rama.

“Interpretuesi i Gon Xhafajt foli se nuk mori lekët”, Rama ‘zbulon’ skenarin Read More »

Befason Edi Rama: Ju rrëfej çfarë më ka kërkuar Luli kur u takuam

Partia Socialiste mblodhi grupin e saj parlamentar paraditen e sotme. Kreu i partisë, Edi Rama, pas paraqitjes së disa shifrave që tregonin se qeveria aktuale ka bërë më shumë ndaj krimit se sa e kaluara, filloi ironitë ndaj opozitës, dhe kryetarit të saj, Lulzim Basha.

“Basha më ka kërkuar pushtetin në tavolinë, një herë unë një herë ai. Por jo, pushteti është e vetmja gjë që unë Bashës s’ia jap dot. Edhe gjysmën e zemrës ia jap, por pushtetin jo. Pse? Sepse pushtetin s’e kam unë, por populli që voton.

Edhe po të dal me Gramozin, nga veriu në jug, se Taulanti s’na bashkohet dot, dhe të kërkojmë: Aman na hiqni pushtetin, dhe jepjani Bashës! Askush nuk e bën. Basha, Mona dhe pjesa e opozitës janë si i mbyturi që kërkon ndihmë nga mëngjesi deri në darkë,” tha Rama.

Befason Edi Rama: Ju rrëfej çfarë më ka kërkuar Luli kur u takuam Read More »

Deklarata e fortë e Eneda Tarifës: Në Portokalli ka njerëz që hanë bukë kot!

Ish prezantuesja e Portokalli, këngëtarja Eneda Tarifa ka habitur me deklaratën e saj të fundit kur është pyetur se kë do të pushonte nga puna nëse do të ishte një ditë drejtoreshë e Portokalli.

E ftuar në emisionin “Mos i fol shoferit” të Rudina Dembacajt, Eneda Tarifa ka thënë se në Portokalli ka njerëz që hanë buk kot.

“Nuk besoj se dua të krijoj dhe të bëj armiq në këto momente kështu që besoj se do mbetet për të ta thënë në kafe. Ka njerëz që hanë bukë kot”, u shpreh Eneda.

Edhe pse këngëtarja preferoi të mos përmendte një emër nga personat që do të pushonte nga puna, na tregoi se kë pëlqen më shumë.

“Vend të veçantë mban Flori, i cili është shumë i talentuar, një njeri me shumë dimensione që di të krijojë karaktere dhe pse nuk ka bërë një shkollë për aktrim. Këta njerëz që ecin vetë dhe vetëm me punën e tyre, unë i adhuroj. Me një respekt dhe mall të veçantë, ne vazhdojmë miqësinë me familjen e tyre”, përfundoi Eneda.

Deklarata e fortë e Eneda Tarifës: Në Portokalli ka njerëz që hanë bukë kot! Read More »

Xhisiela nuk duron dot më: Ju lutem mjaft! Jam e jam e gatshme të…

25-vjecarja Xhisiela Maloku u komentua shumë dhe ishte kryefjala e mediave gjatë javës së kaluar, sidomos pas intervistave të dhëna në televizionet duke zbuluar identitetin. Në fillim e reja pranoi se është dhunuar nga ish i dashuri, djali i deputetit Rrahman Rraja dhe më pas e mohoi. Së fundmi Xhisiela ka kërkuar nga media dhe politika të mos merren më me të, pasi ajo është gatshëm të marrë përsipër përgjegjësitë dhe të përballet me drejtësinë.

‘Në radhë të parë i bëj thirrje të gjitha mediave mos të merren më me mua, kjo çështje tashmë i takon prokurorisë! Gjithashtu i lutem dhe politikes të na mbaje jashtë kësaj çështje si mua dhe Rexhepin sepse policia ka bërë detyrën e saj kur unë e bëra kallëzimin. E bëra sepse ndodhi një zënkë mes nesh nga inati dhe xhelozia arrita deri aty, por kjo s’ka të bëjë me politikë. Këto janë gjërat tona personale, nëse doni të bëni politike hajde merruni me deputetin në fjalë, me Z. Rrahman Rraja por duke pasur parasysh që ai është një njeri i drejtë po merren ça bën djali i tij që tashmë është 24 vjeç duke më përdorur dhe mua. Ju lutem mjafttt”- ka thene ajo ne nje interviste per GSH.

Maloku është shprehur se deklaratat e saj janë keqkuptuar në prokurori dhe thotë se ka qenë e paqartë për atë që ka dashur të thotë. Ajo është shprehur se është gati të përballet me ligjin në lidhje me akuzat e saj të rreme në prokurori.

E reja është shprehur se është lodhur nga e gjithë vëmendja që ka marrë dhe i ka bërë thirrje politikës dhe mediave të mos merren më me të apo me djalin e deputetit Rraja.

24-vjeçarja ka shtuar:

Uroj që çdo gjë të shkoj në vend dhe unë jam e gatshme të përballem me prokurorinë për dëshmitë e mia! Sepse herën e fundit kur jam thirrur në prokurori kam pasur një keqkuptim kur më është bërë pyetja po për dhunën a e pranon? Kam thënë s’jam gati të flas për këtë por ato e kanë marrë që unë e pranoj. Pikërisht aty ka qenë momenti që unë të tregoja të vërtetën por kam qenë e paqartë”.

Xhisiela nuk duron dot më: Ju lutem mjaft! Jam e jam e gatshme të… Read More »